2019-01-02

Andon Boboshtica “Në adoleshencë, një vajzë e bindur e dashur dhe e urtë me ëndrrën për t’u bërë shkrimtare”


Intervistë me poeten Tomaidha Tanuçi Cullufe
Kush është Thomaidha Tanuçi Cullufe (Tomka)?
Pjesë e të tërës së cilës i perket, ndoshta si ajo, po pikërisht të jesh Thomaidha (Tome, Tomka, apo Ida, bën diferencën).
Në rrjetet sociale (fb) kam vënë re që ke shumë miq sa që më ngjani si një familje e madhe. Në respekt të tyre, do të lutesha, shkurtimisht disa fjalë më shumë për veten tënde që ata ta njohin më mirë poeten e tyre të dashur. Mundesh?
Një vajzë e lindur dhe e rritur pranë Vjosës dhe trëndafilave më të bukur të botës, dhe e lindur në muajin më të bukur të vitit që është maji. Një ish mësuese e rrethuar me dashurinë e nxënësve e ndjekur nga drita e syve të tyre me përkushtimin që ata të mësonin, por mbi të gjitha të ishin vetvetja edhe pse nuk mund të ishin të gjithë me dhjeta. Tani jetoj në Tiranë e cila me jep një lloj qetësie ku unë jam vetvetja, përshkoj me këmbe shumë kilometra të saj midis Lanës dhe Liqenit.
Adoleshenca Juaj dhe lidhja e saj me poezinë?
Nuk e di nëse kam pasur adoleshencë apo jo, madje për këtë fjalë kishim mësuar në shkollë se ishte justifikim për veprimet e gabuara të të rinjve në vendet kapitaliste revizioniste. Një vajzë e bindur, e dashur dhe e urtë me ëndrrën për t’u bërë shkrimtare.
Si ka ecur udhëtimi në vite me poezinë dhe çfarë vendi zë ajo në jetën tënde?
Unë dhe poezia udhëtojmë bashkë edhe kur nuk e shkruaj.
Zhanrin e poezisë, e ke gjetur apo të ka gjetur ose thënë ndryshe, ke rënë në dashuri me të apo ajo me Ty?
Dashuri e njëkohshme. Ajo u bë e lumtur kur më gjeti mua dhe unë lumturohem sa herë ajo më afrohet. Pa të ndihem pjesë e turmës. Në turmë dhe me të ndihem si ajo.
Me fol pak për muzën e poezisë sate, çfarë është ajo për Ty?
Muza e poezisë sime është çasti im i zakonshëm abstraguar ndryshe.
Çdo njeri në jetë kalon nëpër sfida për realizimin e projekteve të ndryshme. Po për Ty, cila është sfida për të shkruar poezi..?
Nuk mendoj që sfida ka qenë e rëndësishme në poezinë time. E përmenda edhe më lart. Poezia ime është çasti më i zakonshëm dhe unë e sjell ndryshe.
Në gjykimin tim poezia Juaj është e admirueshme. Po Ju a e ndjeni reagimin e lexuesit?
Ndihem mirë që lexohem. Superlativat i marr me rezerva. Pranoj kritika nga ata që vlerësoj dhe dua ta bëj që ajo të duket më bukur, jo të ndihem unë më mirë.
Sa ju ndihmon profesioni në kultivimin e pasionit për letërsinë?
Profesioni më ka ndihmuar që të jem vetë korrektore dhe redaktore e vargjeve të mia. Njohuritë që kam marrë më ndihmojnë me metrikën dhe stilistikën.
Si e ke raportin me leximin?
Kam patur fatin që një punonjëse të bibliotekës ta kisha komshie. Ajo më merrte me vete në bibliotekë dhe më jepte libra për të rritur. Kur isha në gjimnaz fatmirësish në bibliotekë punonte dikush që e njihte letërsinë shumë mirë. Edhe ai me jepte të lexoja Remarkun, Tolstoin, Balzakun…
A kanë ndikuar klasikët në poezinë tënde?
Më shumë kanë ndikuar në edukimin tim si njeri. Në çdo roman hyja në rolin e personazhit femër kryesor dhe ndihesha si ajo.
Cili personazh të ka lënë më shumë mbresë?
Tesi i Debrevileve dhe Iren Forsajt.
Vazhdon ende t’i përjetosh kështu?
Sigurisht jo. Tani më shumë shijoj gjuhën e autorit dhe një përshkrim a një fjalë e thënë bukur bëhen frymëzim për mua dhe prej tyre del një poezi. Më ka ndodhur kjo edhe me ndonjë poet ose poete që e kam për zëmër që i njoh dhe i vlerësoj.
Mund t’i përmendni?
Ata e dinë.
Kur herë-herë kujtesa të josh e të kthen vite mbrapa, si e shikoni krijimtarinë tuaj?
Mendoj që është në rritje, por edhe të parat mendoj që janë të bukura, madje njëra prej tyre është nga më të pëlqyerat.
Cila? Mund të na e demonstrosh për lexuesin?
Besoj ata kanë preferencat e tyre.
Nga aq sa unë e njoh poezinë tënde, mendoj që është e veçantë, sepse brenda saj kam gjetur çiltërsi, dashuri, brishtësi, ëmbëlsi, të gjitha prej një femre të ndjeshme. A ndan dhe Ti të njëjtin mendim me mua?
Unë nuk mundem të mendoj për poezitë e mia, thjesht i ndjej, nuk dua t’i cilësoj dhe t’i identifikoj me veten, këtë pjesë, ia le lexuesit. Ai vendos.
Ju keni botuar para pak muajsh vëllimin e parë, titulluar “ Frymë e ujtë hapash të kaltër”. Pse e keni identifikuar me këtë titull dhe si është pritur nga lexuesi?
Unë eci shumë dhe hapat janë udhëtimi im real dhe imagjinar, unë si frymë perceptoj gjithçka edhe materialen, e kaltra është… e kaltër. Lexuesit janë më së shumti miqtë dhe dashamirësit. Reagimi ka qenë herë pas here mbresëlënës sa nuk mundem ta besoj që është për mua, por e besoj që është e vërteta e sinqertë e tyre.
Përveç talentit që është meritë e Juaja, kujt tjetër ia dedikoni arritjet e deritanishme?
Nëna ime dinte shumë përralla të veçanta dhe shumë këngë popullore me histori brenda që nxisnin imagjinatën time. Ndoshta këtu ka nisur edukimi im me letërsinë dhe me artin. Familjes sime që më ka rrethuar me dashuri dhe më jep kohën pa limit për të jetuar me poezinë edhe pse nëna dhe gruaja kanë disa preokupime më shumë. Lexuesit kanë qenë një shtytje e madhe për botimin, sepse unë jam kundër botimeve të librave, nëse nuk je gjeni.
Cilat janë planet e tua krijuese në të ardhmen?
Jam duke përgatitur librin e dytë për botim.
Kur do ta kemi në duar?
Ndoshta në gusht.
Cili është mesazhi Juaj për audiencën e lexuesve, kolegët dhe botën e artit në përgjithësi?
Mesazh për audiencën…të lexojnë dhe të shijojnë me mënyrën e tyre, për kolegët suksese, bota e artit ka ligjet e veta dhe ecën si do ajo, të pranon ose jo, por unë rroj në duke shijuar frymën e artit me mënyrën time.
Të pëlqejnë poezitë e Tua?
Ndonjëherë nuk e di si janë dhe pres reagimin e lexuesit, por kur më pëlqejnë, i shijoj si të kenë shije dhe i lexoj gjatë gjithë ditës sa herë mundem. Unë jetoj me vargje.
Faleminderit dhe suksese !
Bisedoi: A. Boboshtica

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...