Nga Flori Bruqi
Gazetaria e lirë dhe e pacensuruar në Kosovë ka hedhur hapat e parë pikërisht pas rënies së monizmit .
Megjithatë tranzicioni komunist në Kosovë nuk mund të linte pa prekur as profesionin e gazetarit dhe gazetarisë. Por sa gjen gazetari të mirëfilltë në shoqërinë e sotme kosovare ?
Gazetaria është profesion, kurse gazetari që shkruan duhet të ketë talent dhe të ketë karakterin e fortë prej gazetari hulumtues.
Për të qenë një gazetar i mirë përveçse duhet t’i përkushtohesh atij profesioni, duhet të jesh dhe i talentuar dhe mbi të gjitha duhet të kesh një karakter që bën diferencën me pjesën tjetër të zakonshme të punonjësve të shtypit.
Shumë teori të gazetarisë bien ndesh me ata që e kanë bërë gazetarinë e madhe në gazetat botërore si fjala vjen :"TheWashington Post", "The New York Times"," The Times" “Pravda” , “Le Monde", “Corriere della Sera","Le figaro",
" Libération" gazeta këto më fame botërore atëherë dhe tash.
Gazetaria pa pasion dhe fuqi për t’u përballur me probleme nuk lë gjurmë në gazetari. Bëjnë shumë më pak dëm në shoqëri gazetarët misionarë se rrogtarët shterpë.
Një gazetari dhe gazetar i ndershëm do të na bënte shumë punë.
Do të ishte së paku një pushtet moral mbi shoqërinë tone që është tejet e politizuar . Por këtu kjo ide e gazetarisë pushtetare në këto 20 vitet e fundit është tejet e kompromentuar.
Gazetaria është përdorur në fillim si një barkë nga gazetarët për të hyrë në politikë apo biznes dhe pastaj nga politikanët dhe biznesmenët për të mbrojtur pushtetin e tyre.
Ka shumë pak media të gazetarëve dhe ato të pashpresa pasi janë jo konkurrese. Gazetarinë e mban në këmbë fjala vjen pushteti i saj mbi opinionin publik, pushtet i cili i prodhoi asaj tregun për të mbijetuar në mënyrë të ndershme.
Gazetaria shqiptare e ka humbur betejën për të pasur pushtet në opinionin publik ndaj dhe nuk mbijeton dot më, por sponsorizohet për të mos falimentuar. Ajo është e copëzuar, jo autoritare, jo e vërtet dhe aspak profesionale.
Së fundmi është dhe e dobët, sterile, pa forcë fjale dhe thuajse produkt skarco. Brenda këtij relievi të copëtuar gjen plot gurë të çmuar, gjen të vërteta të mëdha, gjen dhe gazetarë brilantë, por nuk i gjen bashkë, nuk i gjen në një vend, nuk i gjen si pushtet gazetaresk, por si ari i përzier me lloqë.
E vërteta është copëzuar duke ndjekur hendeqet në të cilat ka humbur liria në këtë vend dhe duket sikur nuk ka punë më me gazetarinë.
Problemi më i madh i gazetarisë mbetet fakti që politika dhe biznesi i ka vënë litarin në qafë gazetarisë së mirëfilltë dhe i kanë hequr karrigën ku mbështet këmbët.
Si e tillë për të mos vdekur ajo mbështet këmbët në karriket e polikës dhe kolltuqet e biznesit.
Si e tillë ajo është gjithmonë e destinuar të jetoj si ato konet që i mbajnë lidhur me zinxhirë ari në shtëpitë e pasanikëve, ose të bredh për kothere buke si çërgerë duke i prekur njerëzit me sakrificën e saj. Siç mund ta vini re, të gjithë nxitojnë të fusin qafën në një qafore ari dhe të pozojnë si gazetarë regjimesh politike .
Pra, jemi në një treg pa konkurrencë, në një treg ku nuk falimenton asnjë gazetë, asnjë televizion dhe asnjë radio sepse nuk shikohet, lexohet apo dëgjohet.
Madje e kundërta, dhe kur je më i lexuari po nuk ishe pjesë e këtij fallciteti vdes për bukë.
Nuk ka shumë receta si të zgjidhet kjo çështje tani. Një herë duhet të vendoset barazia dhe media të mbijetoi nga tregu.
Pastaj tregu do seleksionoi gazetarët. Kjo që po ndodh është një vdekje klinike e gazetarisë.
Kemi vetëm shembuj se si pushteti shpërblen mediat që i bëjnë fresk dhe se si ndëshkon media që nuk i shkojnë pas. Mes këtyre dy shembujve shkëlqen dëshira për t’u shpërblyer.
Gazetaria kosovare pas vitit 1990 është e lidhur me një përmbysje të madhe politike.
Ndryshimet politike sollën lirinë e shtypit, por kurrë nuk na sollën dot shtypin e lirë.
Njëzet vjet pas çlirimit të Kosovës politika ditore(klanore) po mbyt me duart e saj foshnjën e vet që lindi pas 39 vjeteve lirije të shtypit. Ajo po e vdes atë pak nga pak çdo ditë, duke bërë që shoqëria të jetë indiferente ndaj këtij fakti.
Po ngjet pak a shumë si në atë fabulën gjermane me një bretkoskë, që kur e hedh në ujë të nxehtë kërcen përpjetë e del nga gota, por po e fute në ujë të ftohtë dhe e nxeh atë ujë pak nga pak nuk kupton gjë derisa vetë bretkosa të ngordhë.
Na kanë futur në një govatë dhe po na ziejnë. Dhe ne nuk po kërcejmë të dalim nga govata.
Në redaksitë Kosovare ka gjithë pushtetet, pasi shumica e tyre i kanë ngritur mediat thjesht pasi panë se ato ishin instrumenta përfitimi nga pushteti.
Përveç disa mediave pronari tejkaloi pasionin e tij për median dhe ndërtoi një stukturë profesionale të redaksisë duke prodhuar dhe një treg ku ajo mbijeton vetë("Kosova sot", "Koha ditore," Zëri ditor","Epoka e re", "Bota sot", "RTV21", "Koha vision",
"Rrokum" , "TV7"etj) gjithë të tjerët janë me sy nga pushteti mos i shpërblen ose ndëshkon(RTK 1,2,3; Dukagjini TV, etj).
Nuk ka një prag apo një tavan fiks. Nëse do të kishte një treg real, dhjetë gazetarë të bashkuar do të bënin një media të shkëlqyer në këtë vend pasi do të mbijetonin nga tregu.
Sot dhjetë gazetarë bashkë në një gazetë i vdes, i lë pa bukë. Ndaj i gjen nën dhjetë pronarë të ndryshëm.
Si çdo profesion edhe gazetaria nuk mund t’u shpëtoj paragjykimeve, por besoj se një gazetar i mirë nuk i përfill ato, ndryshe duhet të lërë punën.
Ky është një profesion që është në betejë me paragjykimet e shoqërisë ndaj çdo gjëje, ndaj pushtetit, ndaj historisë, ndaj kulturës dhe nuk mund t’ia fal vetes të mposhtet nga paragjykimet ndaj tij.
Gazetaria e fillim viteve 1990 ishte larg në formë dhe përmbajtje nga e sotmja. Ajo ishte më pak raportuese, më shumë komentuese dhe më ballafaquese.
Nga forma ishte më e dobët se kjo e sotmja, nga përmbajtja më e pasur, dhe nga ndershmëria e pakrahasueshme.
Ajo u bë nga një brez i ri gazetarësh që patën fatin e mirë t’u ngelej në dorë gjithë media e re shqiptare dhe fatin e keq që nuk dinin asgjë nga media veç talentit të tyre.
Ata sot janë ende njerëzit më me ndikim në mediat kosovare. Ndryshe nga vendet e tjera të lindjes komuniste, pas rënies së komunizmit në Kosovë ranë dhe gazetarët e komunizimit
(“Rilindja”,”Fjala”,Zëri i rinisë” etj) .
Asnjë prej tyre thuajse nuk mbijetoi. i vetmi dinosaur i gjallë i tyre ka mbetur Zenun Çelaj, gazetar i web faqës në “Koha ditore” dhe 20-30 ish gazetarë të "Rilindjës" dhe "RTP"-së (tash RTK-së), që po riciklojnë atë lloj gazetarie dhe 29 vjet më pas.
Të tjerë as fizikisht nuk punuan dot më në media.
Vështirësia më e madhe besoj se është të ingranohet si reporter në media dhe të lërë gjurmët e veta.
Nuk është problemi të gjesh një vend pune apo ta mbash atë, pasi media kosovare sot ka më shumë nevojë për punonjës shtypi se sa për gazetarë, kështu që nuk ka një sistem rekrutimi mbi bazën e vlerave.
Unë uroj që një ditë të blej një gazetë në treg, jo për shkak se e ka bërë Rushit Ramabaja,Gani Dili, Shyqri Galica, Abdyl Kadolli apo një raport të mirëfillt gazetari Zekë Sinanaj,
Shaban Arifaj ,Esat Dujaka,Shaip Grabovci ,Florim Kelmendi , Eugen Saraqini ,Aferdita Saraqini-Kelmendi,Xheraldina Tuhina etj, por se ka bërë një gazetar i ri një raport, pra ka raportuar për një ngjarje nga një përurim libri që e ka bërë LSHK apo ndonjë Akademi shkencore, Institut , fakultet etj., në Kosovë.
Kur të vij ajo ditë unë do të fillojmë të besojë se po lind brezi i ri i gazetarëve , reporterëve, i atyre që në fakt duhet të mbajnë në këmbë gazetarinë,artin,kulturën në Kosovë ,siç ishte koha e artë e kulturës në "Rilindja" apo "RTP" kur raportonin gazetarët e mirëfilltë : Vehap Shita,Jusuf Gërvalla,Shyqri Galica,Shaban Arifaj,Esat Dujaka e dhjeta gazetarë të tjerë të kohës së art të komunizmit .Gazetarët dhe opinion bërësit e tashëm , janë kthyer në punonjës gazetarie që marrin rrogë e nuk bëjnë asgjë për kulturë,art dhe shkencë.