2019-01-02

Raif Gashi: Skënderbeu nëpër kohë dhe Gjergj Kastrioti i kohës sonë



(Vështrim për librin ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, arketipi i heroit nëpër kohë” i Prend Buzhalës, i botuar në Prishtinë më 2018 nga SHB “Lena Grafik”, 419 faqe)
Raif Gashi
Raif Gashi
Sado që ka qindra e mijëra libra për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, vëllimi me ese, studime e këndvështrime ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, arketipi i heroit nëpër kohë” i Prend Buzhalës, ka të veçantën e tij. Janë refleksione e trajtesa të ngritura mbi fakte të historiografisë sonë, sidomos mbi vepra e krijime të letërsisë sonë. Por gjithashtu, dhjetëra shkrime të këtij vëllimi, merren me çështje komplekse të kohës sonë, si shprehet autori, me doktrinat e ripohimit kombëtar dhe me vetëdijen moderne që ekziston sot për këtë hero- te cikli i parë “Skënderbeu: kthimi i madh dhe referencat e tij”. Lirisht thotë shkrimtari duke dialoguar për Skënderbeun: Ndodhi islamizimi, por nuk ndodhi braktisja e figurës së Skënderbeut edhe pse dënimet, po të përmendej emri i tij nga arbënori dhe shqiptari dënoheshin me heqje koke. (vërejtje: faqe 35)
  1. Skënderbeu, shtyllë e fortë dhe e përhershme e identitetit dhe qenies sonë
Në vazhdim, edhe cikli i dytë përmban një risi tematike: për herë të parë trajtohet në letrat tona retorika në fjalimet e Skënderbeut e që i ka përfshi Barleti në veprën e tij madhore “Historia e Skënderbeut”. Në fakt, autori vitin që shkoi, botoi po ashtu një libër voluminoz me titullin “Gojëtaria, mbretëresha e fjalës së shqiptuar (Ese, trajtesa, studime. Antologji e teksteve të fjalimeve nga gojëtaria shqiptare)”, vëllimi i parë; e që po ashtu, duket të jetë teksti i parë që merret me studime të fjalimeve më të njohura nga gojëtaria shqiptare. Dhe nga ky vëllim u mor edhe ky kapitull, por kësaj radhe me zgjerime analitike e tekstore nga aspekti i analizës retorike në kontekstin historiko-letrar.
Pra, te dy kapitujt e parë, si një bosht tematik, ka identitetin tonë kombëtar, të mbështetur te kryeheroi ynë, si një shtyllë e fortë dhe e përhershme e qenies sonë, ku lirisht mund të themi se Epoka e Skënderbeut në shekullin e XV dhe vet figura e Gjergj Kastriotit ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe në rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Ishte model i atdhedashurisë, urtësisë dhe mendjehollësisë.
Dy kapitujt tjerë. “Letërsia për Skënderbeun: nga Barleti deri te Fishta” dhe “Nga kodet letrare e tekstuale të kohës së sotme për Skënderbeun”, janë analiza e shkrime studimore letrare të veprave të autorëve tanë që nga Marin Barleti, Marin Segoni, Dhimitër Frangu- bashkëkohës i Gjergj Kastriotit, e Frang Bardhi e deri te Kristoforidhi, Kadare, Beqir Musliu, Mirko Gashi, Rifat Kukaj etj. janë edhe një varg shkrimesh të tjera që e trajtojnë personalitetin e Skënderbeut në artet figurative e në film, duke e përcjellë gjithnjë rrjedhën e kohës në vijimësi.
Disa tipa shkrimesh, që vijnë prej viteve ’70 e këndej, sado që autori thotë se janë shkruar për nevoja të shkollarëve të mesëm, apo shkrime që janë lexuar nëpër tubime përkujtimore kushtuar Skënderbeut deri në vitet ’90, megjithatë ato janë dëshmi e shoqërimit të gjatë nëpër dekada me preokupimet me këtë personalitet të madh historik.
  1. Preokupimi me gjenezën historike e mitologjike rreth nocionit të heroit
Autori e karakterizon vëllimin e tij me zhanret diskurzive ese, studime dhe këndvështrime. Por brenda këtij vëllimi hasim edhe kronikën me interes (një kronikë reagimesh, do ta quanim si kronikë shpirtërore dhe polemike), hasim edhe analiza kritiko-letrare për vepra të veçanta të letërsisë sonë; hasim edhe tipin e ligjëratës përkujtimore sintetizuese.
Do theksuar se Prend Buzhala përdor një gamë të gjerë të koncepteve edhe letrare, edhe të fushave të ndryshme nga fushat e shkencave humanitare, si filozofike, sociologjike, historiografike, retorike, kulturologjike, gjithnjë duke ia nënshtruar filtrit meditues intelektual. Kur e lexon këtë shkrim, të duket se lënda është mjaft komplekse, por autori ka prirjen që komunikimin e tij me publikun lexues ta ketë të qartë, shpesh të drejtpërdrejtë, e kund e kund edhe me depërtime të thella.
Në fillim të librit autori preokupohet me gjenezën historike e mitologjike rreth nocionit të heroit:
“Nëse etimologjia e fjalës HERO nga greqishtja antike kishte kuptimin e një qenieje gjysmë-perëndie, apo të secilit burrë që ngrihej në rang të gjysmëperëndisë; kjo do të thotë se burimet e këtij koncepti rrjedhin nga mitologjia, me rrëfimet për heronjtë mitologjikë, me të cilët është populluar literatura antike greke apo romake, ashtu sikundër konceptime të tilla mitologjike vijnë edhe në mitet ilire-arbërore-shqiptare.
Në Antikën greke logos-i dhe ethos-i, dija dhe virtyti, ishin e njëjta gjë; ishin dy faqet e së njëjtës medalje. Kurse praxis-i e kishte pjesë të veten, të pandarë, theorisis-in. Nga ky këndvështrim, trimëria, guximi, heroizmi, përbëjnë një etos të veçantë kombëtar, virtyt e dije, mendësi të veçantë të edukimit etnik, si një nga mënyrat më të sigurta për të realizuar e për të bartur mesazhe tek ndërgjegjja kolektive; të cilin etos krijimtaria popullore e ka memorizuar në kujtesën e kombit, nëpërmes këngëve e formave tjera të krijimtarisë.”
Duke e bërë prerjen paradigmatike e sintagmatike të këtij koncepti nëpër kohë, si vetëdije e pranishme historike në kuadër të kombit shqiptar, ai nxjerr edhe togfjalëshin vlerësues “arketipi i heroit nëpër kohë”.
Edhe koha jonë e ka Skënderbeun e vet, e ka Kujtesën e Motit të Madh. Kohës sonë i takon Modeli kritik dhe heroi si vetëdije historike, si dhe Modeli arketipor i heroit. Këtë të fundit e argumenton me analizën që ia bën poemës “SKËNDREBEU” të Beqir Musliut, botimi i parë i saj më 1968, të plotë e botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2004. Autori thekson:
“Poeti Beqir Musliu e shpërfaq pikësynimin e tij, mendimin udhërrëfyes si rregullator ekzistencial-historik. E pra, ideali lëviz në kuadrin e përsosmërisë së shëmbëlltyrës historike. Ideali poetik-historik i Musliut realizohet e lëviz në metafizikën lirike: në entitetin e gjërave, në labirintet e realitetit vetë, e që i kundërvihet asaj që është e pashme/e dukshme; e formëson botën e objekteve (si tek Platoni) ose botën e përvojës njerëzore (si te Kanti); apo pse ideali është harmonia në/me njohjen e qenies (J Fries); apo endëzohet në frymën e lindjes e të ringjalljes së të bukurës (Hegel).”
Kah fundi vjen një shkrim kushtuar Arben Xhaferit: “ARBËN XHAFERI: GJERGJ KASTRIOTI NUK U BË ATLET I SULLTANIT” dhe thekson autorin:
“Në këto luftëra Skënderbeu nuk mbronte vetëm interesin e tij e as të popullit të tij, por thjesht manifestonte një ndjenjë të përkatësisë, të epërsisë qytetëruese kundër një hordhie ushtarake që gjithsesi duhet ta ketë përbuzur. Është thuaja e pashpjegueshme se si një prijës i popullit të vogël me aq arrogancë e sfidonte superfuqinë ushtarake dhe ekonomike të asaj kohe. Do të ishte pretencioze të thuhej se gjenerator i moralit të lartë luftarak të tij dhe të luftëtarëve të tij ishte vetëm populli shqiptar, prandaj duke marrë parasysh lëvdatat që i bënin këtij të gjithë mbretërit evropianë të asaj kohe në krye me papën, duke marrë parasysh famën e tij jo vetëm në periudhën derisa luftonte, por edhe gjatë kohë pas vdekjes së tij, mund të konstatohet se gjeneratori i moralit të tij të lartë ishte qytetërimi perëndimor.”… Lufta që bëri Skënderbeu kundër osmanëve, ishte e pakushte, kur ballkanasit tjerë u bënë vasalë.”
Dhe e përfundon me dy shkrime me titullin e përbashkët “Heroikë e tragjikë shqiptare (nga nëntori në janar… )”. Autori thekson se Nëntori shqiptar shënon ngjarjet kryesore historike me emrin e Skënderbeut, ashtu sikundër që edhe Janarin e shënon emri i tij. Këto ngjarje i shquan fryma e kastriotizmit shqiptar: me emrin e tij lidhen luftërat liridashëse, pavarësia, ngjarjet e figurat… kastriotizmi është thelbi i i identitetit arbëror-shqiptar.
  1. Shtrija botërore dhe kombëtare
Pra, rrallë ka ndonjë emër që ka shtegtuar dhe ka zënë vend, duke u bërë banues i përhershëm, pothuajse në të gjitha metropolet botërore me kaq shtrirje të gjerë. Nuk ka asnjë emër që ka pushtuar botën aq shumë sa Gjergj Kastrioti Skënderbeu edhe atë në formë të përmendoreve, statujave, muraleve e pikturave te ndryshme anë e kënd botës, monumenteve, librave, gravurave në metal dhe dru, emërtimeve të shesheve, shkollave, fshatrave, rrugëve e deri te përtëritja e emrit të tij në Gjergj, Kastriot, Skënder e tjera e tjera, të paktën njëherë në secilën shtëpi. Dhe këto fakte gjerësisht paraqiten te ky vëllim, si te trajtesat për figurën e kryeheroit në letrat botërore, në artet figurative, etj.
(Kjo kumtesë u lexua në përurimin e librit, më 1 shtator 2018, në Prishtinë)

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...