Bilall Maliqi
Të jesh shkrimtar në Luginë të Preshevës, nuk është edhe aq lehtë, sepse përpos vështirësive materiale që ka për botime, shoqërohet edhe me pasiguri, sa i përket shkrimeve të tij, të cilat duhet t’i nënshtrohen ose gjysëmhermetizmit apo hermetizmit, me qëllim të shmangies së syrit të pushtetit, edhe pse është hequr delikti verbal, por prapëseprapë krijuesi luginas duhet të ketë kujdes se çfarë shkruan. Këto vështirësi janë bërë përditshmëri tek krijuesit që jetojnë dhe veprojnë në këtë krahinë të populluar me shumicë shqiptare.
Shkrimtari në Luginë është si të thuash brenda një gëzhoje, i ndarë në gurë kufijsh, të cilët përpos telasheve për botime të librave, ka telashe edhe për ushtrimin e aktivitetit të tij, sepse gjithnjë është i preokupuar në shpërndarjen e botimeve të tij dhe ndalesa në kufij të imponuar.
Të vetmen adresë për takim, bashkëbisedim me kolegët e tij krijues, shkrimtari e ka në Shoqatën e Shkrimtarëve “Feniks” të Luginës së Preshevës, ku mundohet ta gejë veten, të afirmohet dhe të bëj emër edhe jashtë kufijve lokal.
Edhe pse të organizuar mirë brenda kësaj Shoqate, shkrimtari me shkrimtarin dhe me kolegët e tij nuk kanë vendtakim, apo zyre, ku do të zhvillonin aktivitetin e tyre, kjo për arsye të neglizhencës së pushtetit komunal të Preshevës, për t’u ofruar kushte sa më të mira shkrimtarëve luginas.
Edhe mediat elektronike dhe të shkruara, nuk janë në gjendje të kënaqshme, duke u nisur nga tentimi për privatizimin dhe mbylljen e të vetmit televizion publik të Preshevës RTP, nga agjensioni për radiodifuzion të Serbisë, duke i ndihmuar në masë të madhe edhe pushteit lokal, i cili i mbështet me mjete materiale disa portale që janë të afërta apo zëdhënëse të pushtetit me paranë publike, duke e minimizuar skajshmërisht televizionin e parë shqiptar të Preshevës, themeluar para gjashtëmbëdhjetë viteve, në një kohë të pakohë.
Në Luginë është vetëm një revistë “Nacionali” organ i KKSH-së, dhe disa revista, të cilat për shkaqe materiale herë botohen e herë nuk botohen, dhe revista vjetore kulturore e letrare “Qëndresa” organ i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” të Luginës së Preshevës.
Për të folur për ecejaket e një shkrimtari dhe për mediet në Luginë të Preshevës, duhet shkruar shumë, por u mundova sipërfaqësisht ta paraqes opinionin tim lidhur me këtë temë, e cila e preokupon çdo ditë shkrimtarin dhe gazetarin.
Kjo shihet qartë me bllombimin e shtëpisë së kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë nga inspekcioni kundër zjarrit, dhe me neglizhancën e pushtetit lokal, janë mbyllur edhe institucionet e kulturës si: Biblioteka, RTV Presheva dhe zyra për të rinj.
Pra, të jesh shkrimtar dhe gazetar në Luginë të Preshevës, nuk është njëjtë si me qenë shkrimtar në Prishtinë apo në Tiranë...