Dyshimet e Enverit për vdekjen e Hysni Kapos, si u vra Mehmet Shehu

enver-sokol



Në vijim të rrëfimit të tij, Sokol Hoxha, djali i Enver Hoxhës, jep detaje se si merreshin vendime pa dijeninë e tij, madje e dizinformonin për suksesin e tyre. Sipas tij, e gjitha kjo organizohej nga Ramiz Alia dhe nëna e tij që nuk i ndahej për asnjë moment Enver Hoxhës.



Sokol Hoxha jep detaje rreth dyshimeve për vdekjen e Hysni Kapos, por edhe Mehmet Shehut, madje dhe një lufte të fshehur mes djemve të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Bashkëshortja juaj ka thënë se Enver Hoxha ka qenë i izoluar që në vitin 1974. Çfarë kuptojmë me këtë izolim?

Në ‘74 babai pësoi goditjen e dytë. Si rezultat i këtyre u përpilua një protokoll i posaçëm për lëvizjet fizike dhe aktivitetet e tij politike shoqërore. Ndërkaq, trajtohej psikologjikisht me psikozën që zemra e tij ishte si një bombë që mund të plaste nga momenti në moment. Që prej asaj kohe, pra pas ‘72-’74, informimi i tij bëhej vetëm prej informacioneve nga të tjerët, çka u theksua me vdekjen e Hysni Kapos dhe, sidomos pas vdekjes së Mehmet Shehut.

Si e përjetoi ai vetë momentin pas goditjes së parë, veçanërisht pas vitit 1974?

Natyrisht ai e vuante izolimin fizik nga kontakti me njerëzit, ndonëse ndihej gjithmonë e më i pamundur. Por pas vitit ‘82, pasi Alia u zgjodh President, arriti të perceptojë situatën e vërtetë të mashtrimit dhe të manipulimit të jetës së vendit prej tij.

Pra këtë ndërgjegjësim e arriti në vitet e fundit, kur Ramiz Alia ishte përcaktuar apo piketuar nga vetë Enveri?

I vetmi që kishte mbetur si mundësi.

Vërtet që pas izolimit të Enver Hoxhës shumë vendime merreshin pa dijeninë e tij?

Pikërisht kjo ishte e mundur përmes dizinformimit, me qëllim jo vetëm për ta izoluar, por edhe sabotuar. Marrim një shembull: rasti i tufëzimit, siç mendonte im atë në një përqindje të caktuar përqendrimi në kooperativat të gjësë së gjallë, si iniciativë ndoshta ishte teorikisht e mirë sepse ngushtonte dallimin e fshatit nga qyteti. Dizinformimi konsistonte që populli vetë është dakord dhe euforik nga kjo arritje partiake shumë e madhe pa u marrë vesh, siç rezultoi, që fshatari mbeti pa një lopë e pa një pulë. Ishte një studim nga Harilla Papajorgji në Institutin M-L, përkthyer nga disa skema sovjetike, që u institucionalizua nga Komiteti Qendror dhe Byroja. Unë kam biseduar drejtpërdrejt me babin tim për këtë çështje. Ai asnjëherë nuk ishte i bindur brenda vetes për këtë mendim kolegjial që i ofrohej, madje si iniciativë popullore dhe faktit se si mund të jetojë një fshatari pa lopë, dele e dhi.

Ju thoni që e thoshte vetë Enveri këtë?

Po, ma ka thënë shprehimisht.

Po si ka mundësi që e lejoi këtë?

Sepse dizinformacioni ishte aq i fortë e i kalkuluar se si ishte pritur ky orientim i partisë në rrethe. Informacioni që fshatarët e kanë pritur me eufori jashtë cakut të duhur vinte nga shumë drejtime. Por, pamundësia për ta prekur vetë këtë situatë e linte atë të dyzuar. Ndaj vendimet që u morën në atë kohë kishin parasysh diferencimin midis zonave të ulëta dhe atyre të larta. Pikërisht për zbatimin korrekt të këtyre orientimeve ai nuk ishte i bindur. Se një anë është orientimi dhe ana tjetër është zbatimi.

Zoti Hoxha, 4 vjet pas sëmundjes se Enverit, në vitin 1979, vdes Hysni Kapo. Si është përcjellë vdekja e bashkëpunëtorit më të afërt të Enver Hoxhës në shtëpinë tuaj?

Unë dëshmoj për shqetësimet e babait, për mënyrën se si humbën një pas një këto figura të rëndësishme të regjimit. Hysni Kapo vdiq në 1979 në një klinikë në Paris. E shoqëronte gruaja e tij Vito dhe Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë. Me urdhër të babait për shqetësim të madh për diagnozën e Hysniut, u nisën dhe Ramiz Alia e Kadri Hazbiu. Nga vetë pohimet e Vitos, kam mësuar për buzëqeshjen e Ramiz Alisë, shqetësimin e Kadri Hazbiut dhe zhdukjen në Paris të ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti. Për këtë qëndrim, e di që është kritikuar nga babai im për të mos hapur panik në popull. Këtë gjë Vito Kapo e përsërit në një intervistë në ‘94 por, çuditërisht, ajo nuk foli më për këtë pikë. Edhe pse ne, në botimet e 2004-s, e shtruam çështjen troç: pse nuk flet më Vito Kapo për Ramiz Alinë, siç foli në 1979 dhe siç foli në 1994?!

Ramiz Alia është shfaqur i buzëqeshur kur vdiq Hysni Kapo?

Po, këtë e pohojnë, përveç Vitos, dhe të gjithë punonjësit e ambasadës.

Si shpjegohet kjo gjë, pse Ramizi të ishte i gëzuar?

Se i iku një pengesë në rrugën drejt kreut të shtetit.

Pra fjala është se në shkallën hierarkike Ramiz Alia ishte vartës i Hysniut?

Natyrisht, Hysniu ka qenë numri 2 në hierarkinë partiake. Pra, ishte binomi Enver –Mehmet që mbulonin partinë dhe kryeministrinë, por Hysniu brenda linjës së partisë ishte i dyti. Me vdekjen e Hysniut dhe me vdekjen më vonë të Enverit, së paku në këtë linjë do të mbetej Ramizi.

Babai juaj me kë kishte më shumë afrimitet, me Hysniun apo me Mehmetin?

Me Hysniun, por dhe me Mehmetin kishte marrëdhënie shumë të mira të respektit reciprok, por jo marrëdhënie të ngrohta familjare. Ka dashur Hysni Kapon, ndonëse i ka rezultuar shumë vonë politika nepotike e tij apo e së shoqes, pasi ai mbulonte kuadrin, që të zotëronte nën autoritetin e Enver Hoxhës gjithë strukturat e jetës së vendit. Hysni Kapo donte të forconte krahun e tij kundrejt Mehmet Shehut pas vdekjes së Enver Hoxhës.

A e priste Enveri vdekjen e Hysniut?

Ai e priste për vetë diagnozën kancer në pankreas, por asnjëherë aq befasishëm.

Ç’doni të thoni me këtë, z. Hoxha?

Që babai më ka shprehur shqetësimin që dikujt i është dashur kjo vdekje, për të qenë aq e befasishme.

Jua ka thënë Enveri?

Po.

Po nuk e ka vënë gishtin se kush mund të jetë ky?

Jo.

Cili është mendimi juaj, vdekja e Mehmet Shehut është vrasje apo vetëvrasje?

Duket vetëvrasje, por nën presion të fortë psikologjik, pra e domosdoshme që ai të vdiste.

Mund të më shpjegoni nga cili njeri vinte ky presion?

Ishte viti ’81, kur ndodhi tragjedia që kishte lidhje të ngushtë edhe me Kosovën për vetëpavarësi të saj. Kjo tragjedi e mërziti shumë babanë. Për një vit të tërë ai nuk ka buzëqeshur dhe deri në fund ka pasur dyshimin që pse Mehmet Shehu duhet t’ia bënte popullit dhe babait tim këtë tragjedi kaq të madhe. Sepse babai im ishte i sigurt që Mehmeti e dinte që Enveri do ta falte, si gjithmonë, edhe për gabime shumë më të rënda, kur Mehmeti ka tejkaluar normat nga gjaknxehtësia. Për shembull, për terrorin në popull pas vrasjes së Bardhok Bibës. Ndaj çështja e fejesës e parë sot retrospektivisht, e sinqertë apo kurth ndaj Mehmet Shehut, apo “dualizmi” për të cilat e kritikoi më ashpër nga të gjithë Ramiz Alia, nuk e justifikonin vetëvrasjen e Mehmetit.

Ju do të thoni që nuk kishte përplasje të Mehmetit me Enverin?

Jo, atë nuk do ta bënte kurrë Mehmeti. Për këtë ka qenë i sigurt edhe në ditët e fundit të jetës, ndonëse iu desh të sqarojë popullin me “Tablonë sinoptike” sipas informacioneve që i sollën menjëherë pas vetëvrasjes.

Për çfarë dualizmi e keni fjalën?

Realisht nuk bëhej fjalë për dualizëm të Mehmetit ndaj Enverit, por familja e tij, Fiqereti e djemtë, apo grupi i shoqërimit e ushtronin në mënyrë të dukshme. Për këtë kam dëshmi personale. Djali i madh i Mehmetit kishte mbaruar më përpara dhe punonte në të vetmen qendër elektronike në atë kohë, në Durrës, në uzinën e radio-televizorëve. Me sa më kujtohet, në pozicion kyç të kryeinxhinierit. Unë mbarova në ‘74 dhe fillova punë në një grup të vogël elektronik prej 4 vetash bashkë me mua përfshirë në Institutin e Mekanikës. Shefi ynë ishte një nga të katërt, inxhinier shumë i zoti, që e zgjeroi repertorin studimor të qendrës drejt automatizimit të industrisë e bujqësisë. Pra, krahas Durrësit, filloi të ndihej edhe Tirana nëpërmjet qendrës sonë. Nga mesi i vitit ’81, Ministria e Industrisë, nga e cila varej dhe Instituti i Mekanikës, na njofton se shefi i qendrës do të jetë djali i Mehmetit i transferuar nga Durrësi.

Domethënë, djali i Mehmet Shehut vjen e bëhet shef i djalit të Enver Hoxhës?

Duhet të them që fillimisht më kishin propozuar të isha shef i qendrës, gjë që s’mund ta pranoja kundrejt eksperiencës që kishte shefi ynë aktual. Ndërsa Vladimiri, djali i madh i Mehmet Shehut, erdhi pikërisht në vendin ku isha unë, kur mund të shkonte kudo, sepse çdo institucion në Tiranë kishte nevojë për inxhinierë elektronikë. Ia thatë babait këtë gjë? Babai nuk bëri asnjë koment, por unë e ndjeva që nuk i pëlqeu. Sepse edhe pyeti: “A u njoftua drejtori për këtë gjë?”. Flitej për drejtorin e Institutit të Mekanikës nga ne vareshim. Unë i thashë: “Më duket se jo, se urdhri erdhi nga ministri i Industrisë”.

Nuk tha asgjë më shumë?

Jo. Kur pas disa kohësh i thashë që më kanë propozuar që të filloj punë në Post–Telekom, ai u ndje shumë i gëzuar dhe tha: “Shumë mirë, se është një sektor shumë i gëzueshëm i jetës së vendit”.

Ju thoni që babai nuk e dha veten, po nëna, Nexhmija?

Sinqerisht nuk kam bërë muhabet se derisa Enveri nuk e dha veten, natyrisht dhe Nexhmija nuk e jepte veten.

Po bashkëshortja juaj, Liliana, si e priti?

Patjetër ndërmjet nesh ka pasur reagim, pasi unë nuk kisha ndonjë ambicie që të bëhesha ndonjëherë shefi i Vladimirit, por veprimi i tij ishte shumë flagrant dhe natyrisht me dijeni të Mehmetit.

Ju thoni se Kadri Hazbiut dhe Ramiz Alisë i ka interesuar që Mehmet Shehu ta lejonte fejesën e djalit të vet te Turdijtë?

Atyre u interesonte për ta eliminuar Mehmet Shehun, sepse në krye të qeverisë do vinte Kadri Hazbiu, ndërsa pas vdekjes së Enver Hoxhës, në linjën e partisë mbetej Ramizi.

Çfarë ju ka thënë Enver Hoxha në lidhje me këtë?

Babai im nuk mund ta kalonte thjesht rastin e Kadri Hazbiut si ministër i Brendshëm pas vdekjes së Mehmet Shehut. Pasur parasysh edhe që më i egri përveç Ramiz Alisë në kritikat që iu bënë Mehmet Shehut për fejesën ishte vetë ai. Babai më ka thënë që unë e provokova që ai të nxirrte njeriun përgjegjës, fjala është për Ramiz Alinë.

Si e ka provokuar, në ç’mënyrë?

Babai i ka thënë: “Hapju partisë Kadri se mund të ketë edhe ndonjë shok tjetër që këtej na hedh krahun në qafë e nga ana tjetër nuk ia do të mirën partisë”. Këtë që ma ka thënë babai e kam parë ekzaktësisht të filmuar në emisionin “Opinion” nga një dokumentar i CHANEL 5 francez. Çka më vonë Fevziu e ka eliminuar pas evidentimit të këtij fakti nga Liliana në polemikat publike të saj. Në këtë sekuencë filmike babai i drejtohet Kadriut duke i hedhur dorën në qafë Ramiz Alisë, çka shpreh qartë që mos është ky tjetri? Me këtë Kadri Hazbiu i bëri të keqen vetes, por shpëtoi Ramiz Alinë me besimin se ai do ta mbronte duke paralizuar dhe dyshimet e Enver Hoxhës ndaj Ramiz Alisë.

Pra, ju thoni që Kadriu nuk e shiti Ramizin me qëllimin që ai ta mbronte nga dënimi?

Po, por nuk e mbrojti. Se Ramiz Alia donte ta likuidonte dhe atë. Në vetvete dhe ai krah shumë i fortë. Si për shembull, mbrojti Adil Çarçanin e butë për ta bërë kryeministër pas vdekjes së Mehmet Shehut, ndonëse atë e kishte kritikuar Enver Hoxha si zv.kryeministër i dobët i tij. Kadri Hazbiu përpiqet të hapet ndaj Enver Hoxhës me një letër nga burgu, e cila nuk i vajti asnjëherë atij, e kthyer mbrapsht e pahapur nga Nexhmije Hoxha, gjoja për në arkiv. Kjo letër rezulton sot e humbur.

Nëna juaj nuk ka folur ende për këtë gjë?

Jo. Asgjë nuk është e çuditshme. Merr për shembull letrën e Mehmetit që u publikua në media pas regjimit komunist. Reagimi i parë publik i Shaban Sinanit, drejtor i Arkivit të Shtetit dhe ish-sekretar i Ramiz Alisë, ishte që letra nuk kishte ekzistuar ndonjëherë në Arkiv. Pas rrëmujës që supozonte që letra ishte e fabrikuar nga Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, ky intelektual tha publikisht të kundërtën: që letra ishte tërhequr nga Arkivi duke sipërmarrë që dhe ky vetë ishte në dijeni.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)