Nga marrëdhënia me Nexhmijen dhe Enverin deri tek ‘sekretet’ e ditarit të Hysniut, Vito Kapo në një rrëfim ndryshe


vito1
Bashkëshortja e njeriut më të afërt dhe më të besuar të Enver Hoxhës, Hysni Kapos ka bërë një tjetër rrëfim ndryshe për “Albania Free Press”. Ajo ka treguar detaje nga jeta dhe nga miqësia e Enverit me bashkëshortin e saj Hysniun.

Dikur më keni thënë se Liri Gega, donte të bëhej gruaja e parë gjenerale në Berat?

Po. Liri Gega ishte një femër shumë e lëkundur në Plenumin e Beratit. Madje shumë herë krijoi disa situata jo të besueshme. Diçka e shqetësonte. Mbaj mend se në Berat, Liri Gega njëherë ishte kundra dhe një herë binte dakord me njërën apo tjetrën palë. Se e thamë, ishte koha e franskioneve të mëdha. Duke parë lëkundjet, në fund të plenumit të Beratit atë e hoqën nga anëtare e Komitetit Qendror. Por mes shumë bisedash, Liria në atë kohë pretendonte të merrte gradën gjenerale, pra të kishte dhe një femër e tillë. Madje, mua, por dhe shumë grave të tjera, ajo u thoshte pse të mos bëhet një grua gjenerale? Ajo e nënkuptonte këtë për vete. I mendonte të gjitha për vete. Në atë kohë, gratë me më shumë autoritet ishin Naxhije Dume, (anëtare e Komitetit Qendror); Liri Gega, anëtare e Komitetit Qendror; Fiqiret Shehu, komisare e Brigadës së Parë dhe unë që isha sekretare e Enverit. Pra, ishim disa gra që kishim një emër, por ambiciet e Lirisë ishin shumë më shumë se tonat.

Pas Beratit, ku shkuat dhe si vazhdoi njohja dhe më vonë lidhja në martesë me Hysni Kapon?

Pas Beratit, unë shkova në Korçë për të stabilizuar punën në këtë qytet, Organizatën e Gruas. Ishin muajt ëe fundit të luftës. Po përgatiteshim për çlirimin e Tiranës. Pas Beratit, Hysniu u nis përpara Enverit për në Tiranë, pasi do të ishte komisari që do drejtonte luftën për çlirimin e Tiranës. Atë vit dimri ishte i egër. Unë po shkoja në Korçë me rrobat që kisha, pra po ato të ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Duke më parë kështu, Naxhije Dume më thotë “ku shkon ti me ato rroba është Korçë atje, bën shumë ftohtë. Do mbarosh së ftohti”. Pastaj më jep një palë rroba dimri që i kishte porositur. Unë erdha në Tiranë kur ajo ishte çliruar dhe udhëheqja ishte akoma në hotel “Dajti”. Aty kishte zyrat Hysni dhe Dali Ndreu. Atëherë, “Dajti” mbahej si një hotel luksoz, më i miri në Shqipëri. Hoteli kishte dhe një mensë ku ne hanim, ndërsa të gjitha mbledhjet e rastit i bënim në sallon. Në këtë ambient, unë isha së bashku me Nefo Myftiun. Pikërisht këtu, në hotel “Dajti” unë u njoha më nga afër me Hysniun. Ishte ky hotel që lidhi miqësinë tonë. Më vjen shumë keq që ky hotel me kaq histori, sot është kthyer në një rrangallë. Aty mësova se Hysniu kishte qenë i martuar dhe kishte një djalë. Por ishte i divorcuar. Atëherë qe një opinion jo i mirë për divorcin, ndaj unë stepesha para tij. Madje kurrë nuk i kam folur, pa më folur ai. Ishim akoma shumë konservator në marrëdhënie. Kjo indiferencë e imja e inatoste shumë herë Hysniun, por unë qëndroja në timen. Nga sjella, mënyra se si më fliste, sesi nervozohej nga heshtja ime, sesi më kërkonte për raportim, unë e ndjeja që ai më dashuronte. Po ashtu, ndoshta edhe më me forcë dhe unë. Në këto situata, pyes vëllanë e madh Pirron dhe i tregoj gjithçka. I them dhe që ishte i divorcuar, por ai më tha nuk ka asgjë. Më vonë të dy i themi edhe vëllait të vogël, Alqit që ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror, 19 vjeç, në atë kohë. Edhe ai nuk kundërshtoi për njohjen. Një ditë më thotë Hysniu “a do të vish andej nga zyra se kemi disa punë për Bashkimin e Grave”. “Mirë, -i them, -se do të vij nga ora pesë. Shkova atje dhe ai më pa me inat”. Ishte 24 shkurt i vitit ’45-ës. “Po ti nuk kupton se ç’dua të të them… Nuk kupton vërtet?”. Vendosëm të martoheshim pa zhurmë dhe pa bujë. Thjesht bëmë një darkë në shtëpi, ndërsa celebrimin e bëmë më 27 shkurt të ’45-ës ku erdhën dhe Alqi me Pirron. Në darkën e dasmës ishim gjashtë veta. Për këtë datë, kam një unazë dhe kjo daton me ditën e dasmës. Pra unaza shënon: “27/02/1945”. Dua të theksoj se këtë unazë ma kishte dhënë nëna, por tek një specialist i bëmë modifikimet ashtu siç e thashë më lart. Pra kjo unazë është në dorën time që nga shkurti 1945, plot 72 vjet në gishtin tim.

Pas martesës, si rrodhi jeta juaj? Me çfarë detyrash u caktua Hysniu dhe ju? Si i përballuat dhe çfarë pasojash kishin?

Në atë kohë, Hysniu u caktua si ambasador në Jugosllavi, ndërsa unë u caktova atashe shtypi po aty. Ishte një detyrë që e realizova për herë të parë, por që më pëlqente. Ishin vite të vështira dhe shumë të tensionuara. Të ishe ambasador në Jugosllavi në atë kohë, ishte përgjegjësi e madhe. Jugosllavia ishte shteti kryesor komunist në Ballkan që kishte lidhje drejtpërdrejt me ish-BS. Situata në botë ishte tepër e rënduar. Lufta kishte lënë pasoja të rënda në ekonominë e të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Bota ishte ndarë në dy kampe. Përpos shumë problemeve të tjera, në pozicionin që kisha më duhej të qëndroja me Hysniun në takime të ndryshme. Vështirësi pa fund. Të pamësuar me shumë rregulla diplomatike. Një nga këto vështirësi ishte dita kur u zhvilluat takimi në Split dhe duhej të isha me Hysniun, ku zura vend midis ambasadorit të SHBA dhe Hysniut, kur veten e mendoja se duhej të isha mes kolegëve të shtypit. Mbi të gjitha, dua të theksoj se isha e vetmja grua në këtë takim dhe më shihnin me kureshtje e gjatë gjithë kohës kemi qëndruar pa folur me Hysniun. Pas Splitit, në dhjetor të vitit 1945, Hysniu duhej të nisej për në Paris. Dihen kushtet e atëhershme të udhëtimit. Komunikimi dhe vetë udhëtimi qe i vështirë. Ky udhëtim zgjati 3-4 ditë. Pra, nga Beogradi në Paris që sot shkon për një orë, atëherë u bë me ata trena të pasluftës. Udhëtim pa ngrohje, përmes Alpeve dhe thuajse me fare pak ushqim. Dihet që edhe komunikimi me atdheun bëhej përmes njerëzve (korrierëve) dhe radiogrameve. Gjithë ata muaj për Hysniun dhe për mua ishin muaj pune të pambarimtë. Dua të them se në kohën që mbahej Konferenca e Paqes, (ishte muaji korrik), unë isha në maternitet pasi kisha lindur vajzën, Verën. Pikërisht atë ditë, Hysniu udhëtoi për në Tiranë dhe sa erdhi dhe më pa në maternitet, pikërisht po atë natë u nis sërish për në Paris me pjesën tjetër të delegacionit, të ardhur bashkë me të në Tiranë. Pasi ndenja ca ditë në Tiranë, më lajmëruan që nga mesi i shtatorit duhej të nisesha me gjithë vajzën e sapolindur për në Paris. Qëndrova atje gati dy muaj. Vajta disa herë si dëgjuese në Pallatin e Luksemburgut, ku zhvillohej konferenca, pasi mu krijua mundësia që të takohesha me disa personalitete sidomos të lindjes. S’më harrohet momenti kur në Konferenca foli dhe Molotovi, ku fill pas diskutimit të tij, Shqipërisë iu shtuan disa dëmshpërblime të tjera nga Italia. Pas këtij takimi, pikërisht në fund të tij, Hysniu, Behar Shtylla, Kahreman Ylli, Tuk Jakova, u nisën për në Këshillin e Sigurimit për vazhdimin e mbledhjes së tretë në Nju Jork, por dhe për punën që duhej të bëhej për ta njohur Shqipërinë nga OKB-ja. Këto evenimente ndodhën në qershor të vitit 1947. Di të them se Hysniu në atë periudhë tepër të vështirë politike dhe ekonomike për Shqipërinë, ka qenë politikani më i spikatur në marrëdhëniet me jashtë, ai ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësues të Fuqive të Mëdha.

Ju më vonë u bëtë me dy fëmijë por kishit dhe Pëllumbin pra tre, si ndiheshin fëmijët, ….

Ne krijuam një familje me shumë harmoni. Dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin. Pëllumbi është djali me nusen e parë të Hysniut, por që ne e kemi dashur dhe respektuar njëlloj. Pëllumbi ishte ashtu siç kishte emrin dhe është rritur me ne me shumë dashuri. Askush s’e dinte që ai ka pasur nënë tjetër. Edhe fëmijët e morën vesh shumë vonë. Besniku, djali im më thotë një ditë, “çfarë date ka unaza jote?”. U habita me pyetjen. Ai kishte nuhatur diçka. Shpeshherë i thoja Hysniut t’ua tregonim fëmijëve se çfarë e kishin Pëllumbin, por Hysniu nuk donte. Pyetja e Besnikut më vuri në dilemë. Më vonë, u detyruam t’ua themi. Fëmijët e mi s’e besonin. Ata ishin rritur sikur të ishin vëllezër. Pa asnjë dallim, pa asnjë teprim, pa asnjë mos vëmendje. Gëzonin të njëjtat të drejta, dashuri, afinitet, respekt, etj.. Edhe sot marrëdhëniet me Pëllumbin, i kam si me fëmijët e tjerë, i kam shumë të mira. Ata janë fëmijët e mi dhe ata për njëri-tjetrin janë vëllezër apo motra. Krenohem me fëmijët e mi. Janë fëmijë të rrallë dhe shumë të respektueshëm. Mes tyre jam ndjerë e parë dhe shumë e respektuar. Nuk ka më bukur kur ke fëmijë të tillë.

Si punonit atë kohë? A kishit orar? A shpërbleheshit për punën? Cilat ishin detyrat tuaja kryesore?

Ne punonim në dy-tre punë dhe thuajse asnjë ditë pushim gjatë javës. Punonim me ndërgjegje dhe paguheshim vetëm me një rrogë. Sot asnjë s’mund të punojë kështu, asnjë. Sot për punën më të vogël kërkohet shpërblim. Unë 34 vjet kam qenë presidente e Bashkimit të Grave. Prandaj, shoku Enver më thoshte “ty të kemi për problemet sociale”. Përveç kësaj, unë isha edhe anëtare e kryesisë të bashkimeve profesionale. Ja si shkruan Hysniu në një rast në ditar: Vitoja qe në Korçë erdhi nga Korça dhe iku në Fier. Nga Fieri, Vitoja u nis për në Shkodër-Gjirokastër. Pra, kishte raste që nuk takoheshim për javë të tëra. Mbas disa vitesh më thotë “Si na ka ndodhur neve të dyve se beson kush, por s’ka gjë se për partinë dhe për popullin punojmë”. Unë kam qenë shumë e ngarkuar me punë, edhe me gruan dhe deputete, dhe anëtare e KQPPSH e të tjera. Kjo bënte që unë e Hysniu të rrinim shumë rrallë bashkë, madje them se ai kishte kërkuar që unë të jepja dorëheqje nga disa detyra, por ishte dëshira e Enverit që të qëndroja. Kjo kishte bërë që Hysniu të bënte dy vargje humori si vjershë: “Sa vij unë ikën Vitoja, sa vjen Vitoja iki unë, vallë kur do takohemi kështu?”. Pra, disa herë linim edhe fëmijët jashtë vëmendjes për hir të punëve. Por sakrificat ishin të mëdha, pasi vendi ishte i shkatërruar nga lufta. Një vend që nuk kishte asgjë. Çdo gjë e filluam nga e para dhe di të them që kemi punuar orar pa orar, deri në 16 orë në ditë, pa asnjë ditë pushim pasi kaq të mëdha ishin problemet. Di të them se vetëm në vitet ‘70 filluam të bënim pushime, madje kur Hysniu u sëmur, i dhanë dy muaj leje në vit, mua një. Më vonë, i lashë disa detyra si me detyrim nga Hysniu, si nga Kryesia e Kuvendit Popullor (1970), pasi nuk donim të përgojoheshim. Në vitin 1988, kur ende isha ministre e Industrisë së Lehtë, duke parë zhvillimet, dhashë dorëheqjen.

A bënit debate me Hysniun. A ia tregonit të gjithë të fshehtat njëri-tjetrit?

Ne bënim vetëm debate pune, por asnjëherë grindje të tjera. Hysniu, si njeriu më i afërt i Enverit dinte shumë sekrete që mua nuk m’i thoshte. Dy herë kemi bërë njëfarë debati për emërimet e reja dhe pranimet në Byronë Politike. Unë i thoja se duhej të afronim njerëz me shkollë, madje që të kenë studiuar jashtë. Hysniu më dëgjonte, por nuk fliste, kurrë nuk më ktheu përgjigje për këtë pyetje. Atëherë, Enveri kishte dhe një orientim që të ofrojmë njerëz nga klasa punëtore, por dijet e tyre stononin me zhvillimet e kohës. Hysniut nuk i pëlqente kjo pyetje ndaj dhe nuk më kthente përgjigje. Rrinte i heshtur. Orientimet ishin orientime… Por shumë sekrete nuk m’i tregonte. Hysniu ishte shumë punëtor dhe po aq i mbingarkuar. Unë shkoja për ta lehtësuar duke i kërkuar ta ndihmoja, pasi secili punonte në dhomë të ndryshme. Kur e shihja ashtu në punë i thoja: “Ke gjë për të më dhënë mua?”. Vetëm atëherë ai më jepte dosjet e tepërta, që s’përbënin sekret që s’ishin materiale të Byrosë Politike. Materialet e Byrosë ai nuk m’i jepte kurrë, kurrë. Ai ma tregonte vetëm ndonjë gjë që i kishte thënë Enveri. Unë pasi i merrja i përfundoja dhe ia ktheja përsëri. Unë kisha personalitetin tim. Ai ngarkohej shumë dhe shokët i thoshin se: “Hysniu është tamahqar në punë”.

***

“Enveri kishte besim absolut tek Hysniu”

Si do t’i cilësoje marrëdhëniet e Enverit me Hysni Kapon?

Ishin tepër miqësore. Enveri kishte besim absolut tek Hysniu, ata kurrë nuk janë grindur dhe kishin një mirëkuptim të madh. E mirëkuptonin njeri-tjetrin vetëm me një shikim. Ndoshta e dini se në shumë momentesh krizash ndërkombëtare, Enveri rolin e ndërmjetësit ia besonte Hysniut, se ishte i guximshëm dhe shumë korrekt.

Po për marrëdhëniet e Enverit me Mehmet Shehun çfarë ruani në memorien tuaj?

Di të them se kishin shumë respekt për njeri-tjetrin. Enveri kishte besim tek Mehmeti, edhe pse ia dinte të metat apo më mirë të themi, se ata ia dinin huqet njeri-tjetrit. Enveri ishte më i ekuilibruar, mendonte shumë para se të merrte një vendim, ndërsa Mehmeti ishte shumë gjaknxehtë dhe disa herë shpërthente duke marrë vendime paksa të nxituara. Por Enveri ia njihte tipin dhe karakterin dhe disa herë i thoshte “shikoje dhe njëherë këtë problem, Mehmet”. Pra, ata plotësonin njëri-tjetrin, Enveri madje nuk kërkonte shumë kujdes në ruajtjen e tij. Nuk donte shumë forca sigurie. Mehmeti kishte të kundërtën, kërkonte më shumë siguri. Enveri kur shikonte gardistët, thoshte “shumë janë, ne jemi mes interesave të popullit”. Ndodhi pastaj fejesa që prishi shumë ekuilibra. Enveri s’kishte faj në këtë rast, pasi vetë Mehmeti ka bërë reagim në një moment. Ngjarjet rrodhën me shpejtësi, por di të them që Enveri e vuajti këtë moment dhe pas kësaj u bë më i heshtur më i mbyllur. Detaje të tjera nuk di. Po ju tregoj një rast. Ishte një mbrëmje e ftohtë nëntori i vitit 1977. Ishim mbledhur në Shtëpinë e Pritjes dhe po bisedonim për probleme të ndryshme. Ra fjala tek veshja. Enveri i thotë Mehmetit: “Pse nuk hedhim në treg lloje të ndryshme copash doku, të kenë shumë lloj veshjesh edhe për burrat?”. “Jo, – tha Mehmeti, – sepse rinia fillon dhe kopjon modën e huaj, aq do rinia dhe vishet sipas shijeve borgjeze”. “Jo, ne rrisim shumë llojet e stofave dhe rrobave në treg, edhe ne për vete duhet të vishemi ndryshe me lloje të ndryshme apo jo Mehmet”, ia kthen Enveri. Mehmeti tundi kokën, por nuk ktheu përgjigje. Edhe unë i kam pasur shumë të mira marrëdhëniet me Mehmetin dhe e kam vlerësuar shumë. Ai ishte njeri që kishte ekstreme. Ishte i keqi i vetes, pasi për korrektesë zihej… Por ai i donte njerëzit që përballeshin, që e kundërshtonin me të drejtë dhe me fakte. Kam pasur marrëdhënie shumë të mira. S’e di si shkuan punët më vonë, por… Eh, s’di ç’të them…

Ditari i Hysniut mbetet një kujtim i humbur. Si u zbulua ai dhe cilat janë marrëdhëniet tuaja me Nexhmije Hoxhën?

Kurrë nuk e kisha ditur që Hysniu mbante ditar që në kohën e luftës. E them me bindje që unë këtë s’e kisha ditur kurrë dhe e them me siguri se ishin fëmijët që e kanë zbuluar më vonë. Di që pas shumë, shumë vitesh, një ditë Besniku më tha “a e di ti se babi ka ditar?!”. “Jo”, i thashë dhe ngrita supet. Pra, kjo tregoi se ai i mbante veç dhe me kujdes. Për të më bindur, Besniku më çoi dhe më tregoi se ku ishin ditaret e Hysniut. Ai nuk m’i jepte, por edhe unë kam qenë njeri kryelartë, nuk bëhesha kurioze për atë çka s’më takonte. Njëherë m’i kërkoi Nexhmija, e cila tha që ia dha Haxhi Kroit. S’e di si vajti fati i tyre, por kur ra biseda me Enverin, ai më thotë që duhet t’i marrësh mbrapa. Unë Enverit i thashë se i kërkoi Haxhi Kroi dhe jo Nexhmija, në emrin tuaj. Ai u habit paksa. Enveri dha urdhër të më ktheheshin. Por unë i lashë pas dore dhe nuk e di se ku kanë shkuar. Unë nuk e dija fare që Hysniu mbante ditar. Nuk kishte kushedi çfarë, por ishte mirë t’i kisha. Kujtimet mbeten kujtime. Ndërsa marrëdhëniet e mia me Nexhmijen janë marrëdhënie korrekte. Por ndryshonte puna kur ishte gjallë Enver Hoxha, i cili më krijonte marrëdhënie shumë normale, duke treguar respekt në sytë e Nexhmijes. Kur Hysniu qe në fillim në Amerikë dhe pastaj në Moskë duke mbrojtur luftën tonë, Enveri më thërriste: “Eja të dëgjojmë Hysniun se po flet në radio”. Pra, kishte radio speciale ushtarake, ku dëgjohej fjalimi që mbante Hysni Kapo. E dëgjoja gjithë emocion. S’më besohej se ai mund të fliste para gjithë atyre njerëzve të huaj me aq zjarr dhe burrëri. Ose kur ishte në Moskë, më thërriste në shtëpi “hajde që ta dëgjojmë Hysniun se sot po flet për këtë problem”. Fillonte dhe na fliste frëngjisht dhe na thoshte se sa rreptë ka folur Hysniu atje. “Kështu e duan ata Vito”, më thoshte. Pra Enver Hoxha shok më të ngushtë ka pasur Hysni Kapon. Por nga fundi, sesi donin ta izolonin nga lidhja direkte me Enverin, edhe Hysniun, edhe mua. Nga ana tjetër, Enveri kërkonte të dinte nga unë realitetin, pasi unë isha në kontakt me njerëzit dhe dija se ku ishin problemet. Ndoshta kishte vënë re se po e gënjenin. Unë ia thosha gjithçka, siç e shihja, si e dija, pa e mbuluar, ndaj ai më besonte dhe më kërkonte të flisja vazhdimisht. Edhe pas vdekjes së Hysniut, ai më thoshte: “Unë kam nevojë për ty dhe jo ti për mua”. Ai donte të dinte gjithçka që bëhej në Shqipëri, donte të dinte hallet e popullit.

Si kryetare e gruas në sa vende të botës, ke shkuar me delegacione dhe a respektohej vendi ynë?

Unë kam shkuar si delegacion duke përfaqësuar gruan shqiptare në më shumë se 30 vende të botës në katër kontinente. Vetëm në Australi nuk kam qenë. Kudo na kanë pritur në mënyrë korrekte.

Ke pasur ndonjë debat me ndonjë delegacion tjetër?

Po, kam pasur me një delegacion bullgar. Ishte koha kur Enveri kritikoi ashpër Hrushovin në Moskë. Reagimet ishin të ndryshme. Ne po përkrahnim vijën komuniste të Kinës. Një mike e Dimitrovit, një komuniste bullgare na fyeu në një takim, por unë e anashkalova. Ishin vite të vështira. Historia po pësonte ndryshime të thella. Ishin kohët e krisjeve të mëdha në bllokun komunist. Pastaj ndodhën ato që ndodhën, ku ne u larguam nga ky kamp që kryesonte ish-BS.

***

“A kemi gabuar? Ne kemi qenë idealistë…”

Çfarë kujton nga vdekja e Hysniut?

Këngët e vajit të bijave dhe bijve të Labërisë. Nuk e merr me mend se sa këngë janë kënduar ato ditë si vaje. Madje shumë të tilla i mblodha. Ishin këngë te rralla. Ja më e bukura: “O zemër e zemrave, djalë i gjithë nënave”.

Po kur vdiq Enveri, këngë të tilla vaji a u kënduan?

Jo, pak shumë pak. Madje vetë Nexhmija më tha “përse tek Hysniu u kënduan aq shumë këngë labe vaji tek Enveri jo?”. Unë i thashë se “Enveri është udhëheqësi ynë, njerëzit kanë më ndroje, kanë më rezerva, kanë më stepje”. Nga ana tjetër, Hysniu ishte më popullor dhe ishte i këngës së zonës së tij. Më vjen keq që s’i kam ruajtur dot të gjitha ato këngë që janë kënduar për Hysniun.

Keni një foto me Hysniun në breg të detit, kur dhe ku keni dalë?

Kjo është një nga fotot e mia më të bukura. Kemi dalë në Dhërmi në vitin 1970. Mbaj mend se aty në këtë zonë takuam dhe Lefter Çipën një poet popullor. Ai me grupin e tij këndoi dhe një këngë për këtë takim. Ja disa vargje që nuk i mbaj dot mend në ligjëratë të drejtë: “Në këto male të larta, Erdhi burri i Labërisë, Hysni Kapo mendjeholli, Shoku i Enver krenarisë…”. Kjo foto është një diçka që më relakson dhe ma sjell afër Hysniun.

Plot 27 vjet nga rënia e sistemit komunist, si ndiheni për punë që keni bërë? A keni bërë gabime?

Ne kemi qenë idealistë. Çdokush mund ta interpretojë si të dojë, por di të them se ne kemi punuar me përkushtim, devotshmëri, përgjegjësi dhe nuk kemi pasur kushedi se çfarë privilegjesh. Ne kemi ikur nga blloku me duar bosh, me duar në xhepa. S’morëm pasuri. Ndihem krenare për veten time, se kam bërë sa kam mundur, duke mos kursyer asgjë për interesin e përgjithshëm, duke filluar që nga koha e luftës, ku morëm pjesë aktive si familje doktori e plotë dhe deri në çlirimin e Shqipërisë. Nuk flitet për oraret, apo elemente të parëndësishme, por për përgjegjshmërinë që kemi punuar. Sot mund të thonë që është bërë ajo apo kjo keq, por harrojnë se ku ishte Shqipëria dhe ku erdhi. U harrua që u ndërtua një kompleksitet i jashtëzakonshëm i infrastrukturës së shtetit. U ngrit industria, bujqësia, arsimi etj., etj.. Por këto nuk janë bërë vetëm. Nuk i harroj dot netët e viteve të para, kur Hysniu rrinte gjithë natën në mbledhjet e Byrosë dhe kthehej vetëm ndaj të gdhirë, me një stres që nuk mund ta përshkruash. Flinte vetëm pak orë, madje për të qenë e saktë, po të them që flinte jo më shumë se dy-tri orë. Sa binte mëngjesi, nisej në atë apo në këtë rreth, ku rrinte me ditë të tëra. Këtu fjala është se në gjithë Shqipërinë dilnin probleme nga të gjthëfarësojshmet, që kërkonin durim, nerva dhe gjakftohtësi. Nuk të flas më tepër, se duket sikur qahem, por janë arsyet për të cilat ndihem krenare. Kam parasysh se Hysniu, sa herë që unë dilja në rrethe me shërbim, si e deleguar apo për detyra të tjera, më thoshte: “Vito, bëj kujdes, mos plagos njerëz, sepse ajo dëmton edhe njerëzit e thjeshtë, që mund të gabojnë padashur, por dëmton shumë dhe Partinë, pasi në zona dhe kolektiva të ndryshme të gjithë kanë lidhje me njëri-tjetrin”. Kemi bërë gabime, Edhe kemi bërë pasi kush punon edhe gabon, por më shumë kemi punuar, se kemi gabuar. Hidhni sytë dhe shikoni ç’kemi bërë.



Si i kujton ditët e Hysni Kapos në klinikën e Parisit?

Vdekje e hidhur. Sot them me bindje se duke punuar shumë, ai lodhej shumë madje në vitet ’74-’75, ai i bëri disa herë kërkesë Enver Hoxhës që të lirohej nga detyrat, por Enveri nuk pranoi. Madje, në vitin e fundit ai kishte bërë shumë herë propozime që të largohej. Po kështu, ai nuk donte që unë të isha me disa detyra. Nuk donte të lakoheshim. Duke qenë se unë isha kryetare e një organizate mase, automatikisht me Kushtetutë isha anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Anëtare presidiumi i Kuvendit Popullor ishte forumi më i lartë. Atje ishte edhe Enver Hoxha. Kjo ngjallte edhe pak xhelozi. Nga viti ’70 më hoqi nga presidiumi i Kuvendit Popullor pa dijeni në time dhe pse rregullorja nuk e lejonte. Ai donte të ishte njeri i thjeshtë, i pakomentuar. Edhe para se të vdiste, ai kishte marrë leje dhe unë nuk e dija se ishte sëmurë nga tensioni, zemra. Edhe doktori nuk ma thoshte sa e kishte tensionin. Por unë ia masja vetë tensionin duke e parë nga frymëmarrja dhe i thoja doktorit se ka frymëmarrje shumë të shpeshtë. “S’ka gjë se është vapë”, më thoshte ai. Unë në atë kohë kisha nusen e djalit në maternitet. Po bëheshim gati për pushime në Pogradec. Hysniu më thotë “do të pres djalin që të vijë në shtëpi, pastaj të ikim dhe ne në Pogradec”. Unë i thashë Hysniut se kam një grup instruktorësh në Shkodër dhe “dua të shkoj atje se dua të jap edhe konkluzionet”. “Të shkosh”, më tha. Shkova 4 ditë në Shkodër. Kur u ktheva të dielën lindi nusja dhe të hënën u nisëm për në Pogradec. 15 ditët e para në Pogradec, Hysniu ishte mirë më shëndet. Unë kisha marrë përsipër dhe më kishin ngarkuar që të bëja një pjesë të raportit të Bashkimeve Profesionale. Ata shkruanin shumë dobët dhe Enveri më thoshte gjithnjë: “Ata shkruajnë dobët dhe përkthejnë dobët” ndaj materialin do e përgatisësh ti. Ishte detyrë suplementare. Pra, kisha shkuar për pushime dhe po bëja raportin e Bashkimeve Profesionale. U mora vetë me të gjithë raportin, pasi një gjë të tillë ma besoi vetë Enver Hoxha. Kur mbarova atë pjesë, Hysniut filloi t’i hipte pak temperaturë. Ai gjithë ato ditë ecte dhe rrinte me shokun Enver. Duke qenë bashkë ata thanë se ne nuk bëjmë pushime, por më shumë punë dhe kështu vendosën dhe u ndanë 5 ditë. Edhe ato ditë filloi sërishmi të ketë temperaturë. Hysniut filloi t’i hipte më shumë temperatura. Ndenjëm pak për pushime dhe ai i shoqëruar u nisëm për kurim. Ishte viti 1979. Qëndruam 2-3 netë në Tiranë dhe pastaj u nisëm urgjent për Paris, pasi gjendja e Hysniut u rëndua shumë. Por s’ishte e thënë, sepse edhe aty s’i bënë gjë. Hysniu na la kur e donim më afër se kurrë. Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm, i dashur, punëtor, atdhetar, këmbëngulës. Ai ishte besnik në çdo gjë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)