2022-01-11

Justina Aliaj: Festivali i Këngës në RTSH nuk solli asgjë pozitive, duhet të punohet seriozisht me tekstet, shumë këngëtarë linin për të dëshiruar

 

Justina Aliaj: Festivali i Këngës në RTSH nuk solli asgjë

Festivali i Këngës në RTSH ishte privilegji më i madh në kohën tonë. Kështu shprehet këngëtarja Justina Aliaj “Mjeshtre e Madhe”, e cila mbetet një yll i këngës dhe skenës shqiptare. Në ditët e fundit të dhjetori që lamë pas Festivali i Këngës në RTSH shënoi edicionin e 60. Ajo shprehet se te një këngë teksti, melodia dhe orkestracioni kanë rëndësi të madhe. Këngëtarja Justina Aliaj thotë se nëse bën një tekst shatra patra nuk është poezi dhe nuk ka mesazh kënga. Sipas saj sot duhet të merren seriozisht me tekstet e këngëve, sigurisht në harmoni me melodinë. Këngëtarja thotë se ka rezervë për këngëtarët që morën pjesë në festivalin e 60, ku sipas saj disa prej tyre nuk zotëronin skenën. Vërejtje këngëtarja ka dhe për çfarë ndodh me këngën shqiptare dhe “Eurovision”. Sipas saj asnjë pikësynim për arritje cilësore të muzikë së lehtë shqiptare, vetëm revan “Eurovisioni”. Nata e dytë e festivalit u konceptua si e dueteve. Çdo këngë u soll në skenë interpretuar nga artisti pjesëmarrës në duet me një tjetër këngëtar të njohur të skenës shqiptare. Në natën e dytë në skenë ishte dhe Justina Aliaj, e cila thotë se e pa me shumë emocion. Veç duetit, ajo këndoi live e shoqëruar në piano këngën e saj “Është nënë, nëna”. Festivali i Këngës u zhvillua më 27, 28, 29 dhjetor 2021. -Festivali i Këngës në RTSH u zhvillua në edicionin e 60 në ditët e fundit të dhjetorit që lamë pas. Për ju çfarë përfaqëson festivali?

 Festivali i Këngës në RTSH është ngjarja më e rëndësishme e një viti, ndaj jo pa qëllim është vënë që mbyllet në dhjetor, mbyllim vitin me festivalin. Kështu siç u mbyll viti 2021 me festivalin, që u zhvillua më 27, 28 dhe 29 dhjetor. Festivali ishte privilegji më i madhi në kohën tonë. Ishte privilegji më i madh për të kënduar në festival, sepse e ndjeje veten të përzgjedhur, e ndjeje veten me një impenjim të jashtëzakonshëm. Me një dashuri të pamatë, kur unë e merrja këngën ta këndoja, e doja dhe e mbroja. Kjo që kur kam filluar të këndoj dhe të dal në skenë, që kur jam ndërgjegjësuar që unë jam një njeri që mbase zoti ma dha të dal gjithmonë para spektatorit, e kam respektuar shumë. Ndaj festivali është përmbyllja jo vetëm e një kompozitori, poeti, por kurorëzimi i këngës bëhet nga këngëtari.

 -Një këngë e bukur sipas jush çfarë duhet të përmbajë meqë ka shumë diskutime rreth krijimtarisë muzikore?

Një këngë e bukur duhet të jetë katërshja e fuqishme, domethënë unë i kushtoj rëndësi të madhe tekstit. Nëse teksti nuk thotë asgjë i kthehem poetit dhe i them, jo nuk është e përkthyer si dua të them. Ta themi më thjeshtë, ta themi më bukur, sepse nuk më ndihmon në interpretim. Nëse bën një tekst shatra patra kjo nuk është poezi, është fjalë për hir të fjalës, kurrgjë me efekt, kurrgjë me mesazh. Do t’ia dënoja profesionin poetit. Pse duhet të rri? Unë jo këtë që bëj vërejtje dhe jam skurpuloze për të zgjedh tekstin, por në muzikë i ndërhyj kompozitorit, nuk më vjen mirë, nuk ngjitet kjo fjalë me këtë melodi. Ky ka qenë komunikimi, gjëja më e shenjtë në profesionin tonë. Kjo për mua është e para, brumi është teksti, melodia dhe shumë rëndësi të madhe ka orkestracioni. Kush do ta orkestrojë për orkestrën një këngë.-Çfarë përcjell për ju kënga që u shpall fituese në Festivalin e 60 në RTSH?

T’ju them të drejtën unë nuk mundem të analizoj një këngë të dikujt tjetër, që e ka kënduar. Është tepër vonë. Aq më pak kur askush nuk më kërkoi mendim. Kjo duhet të ndodhte përpara se të dilte kënga në skenë. Më shumë do të thosha mbase, çfarë i mungon kësaj rinie që këndon? Kjo duhet parë me shumë seriozitet: përndryshe le të hipin çdokush në skenë dhe të këndojë si t’ia marri mendja. Përshembull një sugjerim apo thjesht çfarë unë nuk e shoh serioze, që unë nuk kuptoj në të shumtat e rasteve tekstin, mund të të iki 1 apo 2 fjalë, por jo e gjithë kënga rrumpallë. Unë do ti thosha të gjithëve të merren seriozisht me tekstet. Me tekstet, sigurisht në harmoni me melodinë.

-Si e sheh “Eurovision”?

Gabim total. Nuk ka më mjerim se sa unë dëgjoj poshtë e lart artistët që thonë, që kjo këngë e x apo y është për “Eurovision”. Në radhë të parë nuk kam ndonjë afeksion për “Eurovisionin” unë si Justinë. Në radhë të dytë, festivali i RTSH si mundet me u konceptuar në këtë mënyrë, duke thënë kjo është për “Eurovisionin”? Tani ne bëjmë festival për “Eurovision”? Pra asnjë pikësynim për arritje cilësore të muzikë së lehtë shqiptare, vetëm revan “Eurovsioni”. Absurde.

 -Si tu duk juria në festival?

Juria? As nuk i pashë, as nuk i dëgjova, isha me impenjimet e mia. Ama ç’ka unë do të kisha pasur dëshirë dhe mbase do të kishte qenë e vyer pikërisht në këtë jubile me këngëtarët ndër vite të kishin krijuar një minijuri, ku ne jepnim pikët tona dhe sidomos më e rëndësishmja të shpalleshin publikisht se si neve i kemi votuar ato këngë. Kjo për mua është transparencë përpara publikut.

 -Ju herë pas here theksoni shkollën. Kur përmendi rëndësinë e shkollës, çfarë keni parasysh?

Unë e shoh shkollën në total të dobët.

-Pse e shihni të dobët?

Unë nuk merrem me pasojat. Kush janë pasojat? Domethënë pasojat janë, që gabimet e mëdha në tekste pa u respektu, jo vetëm pa e ditur se çfarë thuhet, por pa e ditur se ku ekzistojnë shenjat e pikësimit, të cilat kanë një qëllim me ndarë fjalën, mendimin, etj. Kjo për mua është pasoja, por unë merrem me shkakun. Kush është shkaku? Shkolla e dobët, etj.

-Çfarë këshille keni për këngëtarët në Festivalin e Këngës në RTSH?

Me dorën në zemër do ti këshilloja me njoh vetveten, me i thirr ndërgjegjes a jam i aftë për të dalë në një eveniment të tillë, a jam i aftë me i dalë një publiku kaq i kualifikuar siç është publiku shqiptar. Sepse edhe në qoftë se ty fati të ka “buzëqeshur” për të hyrë në festival me hatër, atje në skenë populli i urtë do të shohë art, atje në skenë ti do të jesh vetëm, dhe tërë hatrat populli i refuzon kur ka prerë biletën me ardhur me të parë ty në skenë, sepse publiku shqiptar është një publik artist. Kam dhe një tjetër këshillë. Nëse ju nuk respektoni, nuk studioni artin ndër breza avancimi do të jetë i çalë, sepse asgjë nuk ndodh rastësisht, asgjë nuk është sporadike, por është një respekt zinxhir, i cili të sjellë vetëm të mira. Ka qenë lumturia më e madhe nëse mua do më dëgjonte në një këngë Luçie Miloti dhe Anita Take e do më bënin vërejtje. Ndonëse unë nuk këndoj si dy të ndriturat, por eksperienca është e njëjtë në art. Dhe të shkëputësh brezin nga brezi unë e quaj dështim dhe sido që të jetë për mua është hendek i madh.

 

 -Çfarë ishte për ju nata gala në festival?

E pashë me shumë emocion. Këndova këngën “Kujë”me Kastro Zizon. Për mua ishte një rast fantastik ngaqë e kam në projektet e mia muzikën rep, të cilën do ta kem në repertor të ardhshëm. Për sa i përket bashkëpunimit me këngëtarin e ri kam rezervat e mia.

-Ju ishit në skenë në natën e dytë të festivalit të 60. Si e patë këtë propozim të organizatorëve për të marrë pjesë në duet me artistë që ishin në konkurrim me këngët e tyre, ku ju ishit me një ballafaqim me brezin e ri?

Provën më brezin e ri ne e pamë me shumë dashuri, sepse arti në përgjithësi në skenë është një kërshëri. Në art je si një fëmijë që provon diçka të bukur, diçka tjetër, një rrymë. Ne i kemi respektuar, i kemi dëgjuar, e dimë se çfarë këndojnë, por ne sigurisht kënduam në mënyrën tonë pikërisht këngët e tyre dhe ishte kaq bukur. Për ne ishte shumë interesante, u ndjemë mirë, ishim më se të gatshëm, të kujdesshëm për të respektuar konceptet e këngëve të tyre, por gjithmonë sipas këndvështrimit tonë. Respektivisht unë e mora këngën e studiova, aq pak momente sa më dha këngëtari në fjalë për të kënduar këngën e tij. Shkova në studio e inçizova... 

-Ju çfarë incizuat, a nuk ishit live me këngën?

Jo nuk ishte live, jo nuk e donin live ndonëse e kërkova. Live kam kënduar vetëm me pianistin këngën “Është nënë, nëna”. Ne të gjithë të natës gala kënduam live këngët tona ndër vite vetëm me pianistin Elton Deda.

-Festivali ishte 3 net. Çfarë i mungoi 60- vjetorit?

Festivalit të 60 nuk i mungoi asgjë. Këtë e them me keqardhje, sepse për çdo vit shoh që bëhet e njëjta gjë. Kam një rezervë të madhe të këngëtarëve. Disa këngëtarë për mua në konkurrim linin për të dëshiruar në festival. Më dukeshin që nuk e zotëronin skenën. Nuk i shoh që janë në shtëpinë e tyre. Skena është delikate, duhet me u marrë me të mirë se ndryshe nuk të pranon. Të pranon 1, 2 apo 3 vjet më pas është populli që të seleksionon. Por shoh që e anashkalojnë çdo lloj elementi me u paraqitur bukur vetëm për të shkuar në “Eurovison”. Kjo e shtrembëron dhe lëkund bazamentin e muzikës sonë, melodisë që e dua shumë. I rrëmben çasti dhe me sa duket luftojnë për atë që për mua e ka fikur këngën e festivalit të muzikës së lehtë të RTSH, për “Eurovision”. Dhe rezultati? Asnjë gjë të mirë, asnjë gjë pozitive, për këtë art që e gjithë Shqipëria e do, e ndjek dhe pret në këmbë këtë eveniment, më të rëndësishmin eveniment muzikor që e pret çdo fundviti. Unë si Justinë as që nuk mund ta imagjinoj të influencohem për një “Eurovision” përpara popullit tim, të kënaq popullin tim kjo është motoja e karrierës sime. Sepse nëse kam kënaqur popullin tim kam kënaqur gjithë botën edhe “Eurovisionin”.

Intervistoi: Julia Vrapi


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...