Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar dhe liri e penguar për rreth 110 mijë dosje të zvarritura pafund në hallkat e ndryshme të sistemit gjyqësor në vendin tonë.
Prof.Dr. Arben Malaj
Ish-ministër i Financave
Telegraf.al/ Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për trajtimin e ankesave për zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe veçanërisht rekomandimi i saj se situatat e jashtzakonshme kërkojnë zgjidhje të jashtzakonshme, është mjaft pozitiv dhe shpresëdhënës. Për ta bërë më të qartë analizën në reformën në drejtësi, nuk po fokusohem tek gjysma e plotë kur përfshin ngritjen e SPAK-ut dhe dhënien fund të kulturës së mosndëshkimit. Që në fillim më duhet të theksoj se funksionimi i shtetit ligjor është një e mirë publike nga, e cila duhet të përfitojnë të gjithë shqiptarët njëlloj. Sipas John Locke: “Thelbi i ligjit nuk është të shfuqizojë apo të frenojë, por të ruajë dhe zgjerojë lirinë”. Sepse aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri”.
Mallrat publike administrohen nga qeveritë dhe paguhen kolektivisht nëpërmjet taksave. Shembuj të të mirave publike përfshijnë mbrojtjen kombëtare dhe sundimin e ligjit. Sipas Bankës Botërore, mosfunksionimi i shtetit ligjor pengon rritjen e besimit të publikut në institucionet kombëtare. Po kështu, Banka Botërore arrin në përfundimin se dhënia fund e varfërisë ekstreme dhe rritja e prosperitetit në një planet të jetueshëm është i lidhur pazgjidhshmërisht me sundimin e ligjit.
Besueshmëria publike e qeverisë në tërësi dhe e sistemit gjyqësor në veçanti është dëmtuar ndjeshëm.
Këtu janë disa nga efektet kryesore negative nga drejtesia e mohuar për rreth 110 mijë raste; Besueshmëria publike e qeverisë në tërësi dhe e sistemit gjyqësor në veçanti është dëmtuar ndjeshëm. Pa kredibilitet publik, qeveritë janë të dobëta dhe problematike. Rënia e besueshmërisë së reformës në drejtësi. Qytetarët ndjejnë efektet pozitive dhe negative të reformës në drejtësi bazuar në rastet e tyre konkrete. Aspekti social, rreth 300,000 persona (109,000 raste x 3 persona për familje) që po paguajnë kosto të rënda për shkak të vonesave të zgjatura.
Tensionet sociale mes palëve në gjykim priren të rriten, deri në konflikte dhe vrasje mes palëve.
Efekti ekonomik – nga vonesat e këtyre dosjeve janë qindra miliarda të paangazhuara në ekonomi dhe për një kohë të gjatë.
Efekti social – Zgjatja e çështjeve gjyqësore, duke penguar investimin e tyre në ekonomi, prodhon papunësi dhe varfëri.
Dobësimi i qeverisjes – Zgjatja e proceseve gjyqësore krijon rrezik real për rritjen e korrupsionit. Politikat e mira publike në luftën kundër korrupsionit reduktojnë faktorët korruptues, jo thjesht ndëshkimin e të korruptuarve. Fundi i mos ndëshkueshmërisë është arritja më e madhe e reformës në drejtësi. Por pa funksionimin e shtetit juridik në të gjitha aspektet, kjo reforme mbetet e paplotë dhe e paqëndrueshme. Dobësimi i administratës publike – Vonesat në gjykata kanë prekur rëndë administratën publike. Shumë shkarkime nga puna në administratë që aktualisht janë në gjyq janë bërë për motive personale apo edhe partiake. Shumica e tyre janë përdorur për të krijuar vende të reja pune dhe për t’i përdorur ato për nepotizëm dhe shitje korruptive të vendeve të punës. Janë rreth 70 milionë euro ose 7 miliardë lekë që u mbingarkohen taksapaguesve shqiptarë të varfër për shkak të pagesës së largimeve jo ligjore nga puna. Eshte koha të vendosë barazi para ligjit për të gjithë personat vendas ose të huaj. Më konkretisht, bazuar në kushtetutën e vendit tonë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen me prioritet. Por kjo e bën të vështirë respektimin e të njëjtit status të gjykatave vendore. Ne nuk mund të ndryshojmë kushtetutën, sepse ai parim synonte rritjen e sigurisë juridike për investitorët e huaj. Por në rastin konkret mijëra shqiptarë jo vetëm që nuk kanë siguri juridike, por trajtohen si të dorës së dytë. Respektimi i të gjithëve në mënyrë të barabartë do të prodhojë më shumë pozitivitet në vend dhe do të ketë efekte pozitive ekonomike dhe sociale më shumë se të huajt, që fitojnë gjyqe në gjykatat ndërkombëtare. Nuk është e lehtë të negociosh me të huajt mbi këtë parim të barabartë, por nuk është e pamundur. Në vitin 2004, SIGMA, kompania më e mirë në BE për reformën ligjore në vendin tonë, në negociatat me Ministrinë e Financave, kërkoi që në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor, në rendin e pagesave. nga Thesari duhet të vendoset në radhë fillimisht shlyerja e detyrimeve ndaj vendimeve të gjykatave ndërkombëtare në favor të bizneseve të huaja. Nuk mund ta mbështesja atë propozim, duke sqaruar se para pagave, sigurimeve shoqërore, pensioneve dhe pagesat për të papunët dhe invalidët nuk mund të vendos asnjë detyrim tjetër. E kemi diskutuar gjatë dhe ai kusht nuk është përfshirë në draftin e paraqitur nga Ministria e Financave. Është koha për më shumë respekt të ndërsjellë në çdo bashkëpunim.
Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese sugjeron një zgjidhje të jashtzakonshme
Reduktimi i vonesave tepër të gjata imponon një rritje të numrit të gjyqtarëve. Cilat mund të ishin disa hapa konkrete për të zgjidhur këtë krizë me një situatë të jashtzakonshme?
- Mund të përcaktohet numri mesatar i dosjeve që çdo gjyqtar mund të trajtojë në një muaj.
- E drejta për pagesë shtesë u njihet dosjeve të shqyrtuara mbi këtë numër mesatar, por duke vendosur një kufi maksimal të pranueshëm. Shembull jo më shumë se 25% se ngarkesa mujore.
- Stafi akademik në universitetet juridike publike dhe private mund të angazhohet në shqyrtimin e çështjeve të stërzgjatura, me procedura të qarta dhe me shpërblim të duhur.
- Mund të angazhohen studentë të drejtësisë me master shkencor. Ne kemi ndoshta mijëra studentë me Master Shkencor në Drejtësi.
Ato mund të ofrohen dhe të përgjigjen për gjykimin e çështjeve të pazgjidhura. Të gjithë të angazhuarit do të kenë kontratë për përgjegjësi morale e ligjore dhe përfitime financiare, por edhe aplikimin e bonusit për shkollën e magjistraturës apo promovimin në karrierën e tyre profesionale. Për shembull, kur u aplikua për herë të parë profesioni i kontabilistit të miratuar me urdhër të ministrit, profesorët në departamentin e kontabilitetit fituan automatikisht titullin “kontabilist i miratuar”, ndërsa fazat e tjera të karrierës për profesione si “audituesligjor” do të përfitonin përmes procedurave të licencimit.
Në përfundim – për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë, nuk duhet të ketë asnjë justifikim se kuadri aktual ligjor po na pengon. Ligjet janë vullnet politik në përputhje me disa parime të rëndësishme dhe në kontekstin e situatave konkrete.
Ato nuk janë ligje natyrore të pandryshueshme, të vërtetuara si të tilla. Ndërsa ligjet që japin zgjidhje janë vullneti politik, ku sipas demokracisë,deputetët kanë legjitimitetin dhe fuqinë e deleguar nga zgjedhësit për t’i përmirësuar ato dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë edhe për situatat më të vështira.
(John Locke ishte ndër filozofët dhe teoricienët politikë më të famshëm të shekullit të 17-të. Ai shpesh konsiderohet si themeluesi i një shkolle mendimi të njohur si Empirizmi Britanik dhe ai dha kontribut themelor në teoritë moderne të qeverisjes së kufizuar dhe liberale. )