Politikani serb, Nikola Sanduloviq, është rrahur brutalisht nga pjesëtarë të shërbimit sekret serb BIA për dy ditë me radhë, për shkak se i njëjti kishte vënë lule te varret e familjes Jashari në Prekaz dhe kishte kërkuar falje për krimet serbe të kryera në Kosovë.
Kështu ka deklaruar avokati serb, Çedomir Stojanoviq, i cili tha se gjendja shëndetësore e Sanduloviqit është shumë e rëndë, raporton Klankosova.tv.
Ndaj këtij sulmi kanë reaguar politikanë të Kosovës, e ndër ta edhe kryeministri Albin Kurti.
Përmes një postimi në X, kreu i ekzekutivit tha se rrahja e rëndë e Sanduloviqit nga shërbimi sekret serb, është tregues se çfarë u ndodhë qytetarëve serbë në Serbi nëse guxojnë të pranojnë të vërtetën dhe të ndjekin pajtimin.
“Thellësisht i shqetësuar për raportet që thonë se lideri i opozitës serbe Nikola Sanduloviq është paralizuar për shkak të rrahjeve të rënda nga shërbimi sekret serb. Kjo vjen pas kërkimit të faljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë”.
“Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson taksën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Kjo gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me të Putinit ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, shkroi Kurti në X