Lavdia e shekujve që ruan fisnikërinë
dhe mençurinë e Kapidanëve të Mirdiës në rrjedhat e historisë shqiptare
Kapidani Ndue Gjon Marku me histori dje dhe sot
Nga Tomë Mrijaj New York
Sa herë jam i lodhur ndjehem i çlodhur, sa herë jam i etur më shuhet etja si me magji, sa herë jam larg ndjehem afër në mishërim me historinë e popullit tim, kur marr në dorë “Lahuten e Malcis”, çerpiku ma tret gjumin, peshë më ngrihet qënia, zemra më ndizet flakë dhe syri më kthjellon dritën, kur endem mes vargjeve homerike të Lahutës, tek ndalem të marr vesht në një majë mali, në Orosh të Mirditës, në Sarajet e Kapidanit, kur lexoi trinitetin Nacion – Kanun - Kishë Katolike. Mitet dhe lëgjendat zgjohen prej honeve të bjeshkëve dhe si shtojzovalle zbresin me ujëvaret e krenarisë së kullave me sytë e shqipes roje në frëngji dhe poeti i madh Fishta, nis të këndoj vargjet:
“…Prenk Bibë Doda, djalë zotni:
Për kah mosha, mjaft i ri,
Por i vjetër për pleqni,
Kur të dojë me folë urti:
Aj asht, Zanë, njaj Kapitani,
Kapitani prej Mirditet,
Per të cillin larg perflitet,
Larg perflitet, larg kallzohet,
Zi edhe bardh per te shartohet…”
At Gjergj Fishta O.F.M.
(“Lahuta e Malcis”, Romë 1958, fq. 148)
Makina ime ecën me shpejtësi sa herë që unë i jap drejtimin në qytetin e njohur Queens të New York-ut, për t’i bërë vizitë të zakonshme mikut tim të nderuar Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku. Sapo afrohesh pak metra pranë shtëpisë së Kapidanit, të del përpara një burrë i gjatë, i veshur hijshëm dhe me elegancë, me një ecje krenarie si lisat e bjeshkëve të maleve tona kreshnike, që me vështrimin si shqiponja të fton pranë hyrjes kryesore të shtëpisë. Kur e takon çlirohesh nga ndonjë emicion i çastit dhe ndihesh si në shtëpinë tënde, për vetë thjeshtësinë e të komunikuarit me të gjithë njerëzit njësoj.
Në mjediset e shtëpisë spikat sfondi shumëngjyrësh i librave dhe dokumentave origjinale të shekullit XX, korrespondencë, me bashkëatdhetarë që kanë qenë përsonalitete të jetës politike, shoqërore dhe kulturore, me studiues të huaj, shokët e universitetit dhe miqtë e shumtë nga Europa dhe Amerika.
Je përpara një mirditori, të mbrujtur me visarin e traditës së vendlindjes dhe i formuar në shkollimin e mesëm e të lartë në Shkodër, Itali e Austri, i qytetëruar me vlerat e përparimit perëndimor, i cili ia del mbanë të realizojë misionin e tij (Qershor 1944 - 13 dhjetor 1990), në saj të kurajos të jashtëzakonshme, vullnetit të hekurt, dijës së thellë, pragmatizmit dhe zgjuarësisë për të realizuar nisma të guximshme në vendlindje, Itali dhe ShBA, të cilat sëbashku plotësojnë figurën e madhe të tij në të gjitha pikëvështrimet, për të cilat do të shkruaj më poshtë.
Sipas traditës së moçme shqiptare të mikpritjes, në shtëpinë e tij ruhen ende zakonet e të parëve nga Oroshi i Mirditës. Gjuha e tij shqipe në gëgnisht është shumë e pastër dhe e pasur me fjalë autoktone shqiptare, që do ta kishin zili edhe studiuesit bashkëkohorë në vendlindje dhe në trojet e tjera etnike shqiptare. Me një buzëqeshje dhe fjalët “Mir se t’ka prue Zoti”, më ofron paketën e cigareve dhe kafe, të cilët sikurse thotë ai i konsumon shumë.
Biri i Oroshit, ka një shtat të lartë me një prezencë, njësoj sikurse burrat e shquar diplomatë apo artistë europianë e amerikanë. Pamja e tij të kujton artistët e kinematografisë, ku spikat portreti i fytyrës së tij me tipare të pastra antropologjike të genit shqiptar dhe malësive tona. Ka një kulturë të gjërë dhe të thellë dhe respekton me mall zakonet e të parëve të trashëguar nga kullat kreshnike dhe të respektuar në të gjithë Shqipërinë.
Mes shtëllungave të tymit të duhanit të fortë amerikan (që i kujton duhanin e Sheldisë në Shkodër), pasi mendohet mirë, flet saktë dhe qetë njësoj sikur ngjarjet kanë ndodhur pesë minuta më parë… Kapidani me shumë respekt ngrihet shpejt nga kolltuku dhe për të treguar se është i fortë si më parë, kërkon të më ofrojë ndonjë dokument origjinal historik dhe me një humor të mprehtë mirditori, nis të buzëqesh me gjithë zemër…
Me një mikpritje të sinqertë thotë, se “me pak meze me raki rrushi Shqipnie asht mir me kuvendue s’bashku” dhe me elegancë mbushë gotat me raki, duke thënë: “Kjoft levdue Kreshti (Krishti)” e “Mir se ke ardh!”. E shoh me kujdes Kapidanin, që matet shumë dhe flet pak e saktë, ku çdo rrëfim ka peshën e argumentit dhe logjikën e shëndoshë për kohën dhe moshën e tij 90 - vjecare. Ai ka një diksion e timber të ëmbël në të folur, me një muzikalitet, që vjen nga gjuha e ëmbël gegë e trevave të pasura të Veriut, me të cilën u shkruajtën librat e parë në gjuhën shqipe. Çdo fjalë e tij, ka një gegnishte të përpunueme dhe me nuanca të pellgut të Mirditës, duke shprehur edhe fjalë të moçme shqipe, të ruajtur me fanatizëm gjatë shekujve në tërë krahinën e njohur të Mirditës.
Tek fliste Kapidani për ngjarjet historike dhe bashkëmoshatarët në vendilindje (Orosh), periudhën e udhëheqjes së Mirditës, sipas ligjeve të Kanunit të Dukagjinit (të cilat i kushtohen Derës së Dinastisë të Kapidanëve të Mirditës), unë tresja shikimin tim nëpër fotot e shumta origjinale, që ishin të ekspozuara në faqet e mureve në shtëpinë e tij.
Familja dhe njeri pas tjetrit Kapidanët e Mirditës dhe deri tek vëllezërit e tij në shekullin XX, ishin ruajtur me shumë kujdes në shtëpinë arkiv në New York. Dhe nuk ka se si të ndodhte ndryshe, mbasi Kapidani i Mirditës vinte nga Mirdita “…tokë katedralesh, sic të kanë quajtur, liman i madh, ku u thyhen si kërthinja tallazet balozezinj. Galun i pathyeshëm, ku ka hedhur spirancën anija e krishtërë, e cila me bashin e çeliktë prodhim i rrënjëve të saj i ka përballuar rrëbesheve e fortunave të historisë edhe kur mbi krye i ka ndejë shpata e “Demokleut” të Osmanllisë, edhe kur komunizmi i ngriti kurthe e pusi, edhe kur fqinjët shovisnitë iu afruan kullës së lashtë prej guri të verbuar nga prushi i lisit në vatër e nga plisi i bardhë në krye. Mirditë, tokë që e përpinë hordhinë, tokë kristalesh bilur në vezullimin ku reflekton vetëm një dritë, Drita e Krishtit përmbi Dhe…” (Zef Përgega, “Vigan në Krisht e në Vatan” Libër kushtuar Mons. Zef Oroshit, prelat i kishës katolike “Zoja e Shkodrës” në New York, Detroit 2003, fq. 19).
Këtu e kanë zanafillën kryengritjet për liri kundër Portës së Lartë, që kurrë nuk i ra nga dora flamuri nacional, ku zënë fill shumë mite e legjenda historike, ku fjala bujare shqiptare e përshëndetjes (Mirdita) ruan të gjithë simbolikën e saj ndër shekuj, duke mbetur deri më sot pengu i shpirtit të Kapidanit të saj Ndue Gjon Marku.
Një foto e Oroshit, e vendosur përballë hyrjes kryesore në shtëpi të Kapidanit Ndue Gjon Marku, i sjellë shumë herë kujtime të freskëta, për kohën e viteve të shkuara, trojet që ruajnë themelet e hershme të gurit të parë shtatëshekullor, pikërisht të kullës që mizorisht u rrënua nga fitili i dinamitit të drejtuar nga gjenerali komunist Petrit Dume. Por sadizmi, nuk mundi të zhgulë nga rrënjët themelet e historisë dhe as imazhin e jehonës së thellë të shpëndarë ndër shekuj dhe në të gjithë vendin për Derën më të pamposhtur nga cdo hordhi dje dhe në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Miku im nga Mirdita, studiuesi e gazetari Zef Pergega, mes mallit dhe dashurisë për trojet e veta, nga Detroiti (Michigan), i kushton Oroshit një hyrje tek flet për Dr. Mons. Zef Oroshin (1912 – 1989), ku ndër të tjera vlerëson Derën e famshme të Kapidanëve të Mirditës, tek fton çdo visitor që të shkoj në Orosh, se atje mund ta etiketojë shkatërrimin e kullës, ku dëgjoheshin tingujt e violinës e të pianos si një mbetje të një kalaje të lashtë të jeshiluar nga myshqet. Muret e saj vende - vende lartohen deri në katër metra dhe syri të zë gurë të latuar dhe të gdhendur nga mjeshtri popullor me ide arkitektonike. Nëse dikush vendos të gërmojë mund të zbulojë planimetrinë e vendosjes së Sarajeve dhe mund të dallohet oda e miqve, ku darkonin shpesh burra nga të gjitha krahinat e Veriut, apo miq të huaj, përmes një debati të kujdesshëm. Porta kryesore që shikonte nga Veriu, ka patur të gdhendur një shqiponjë dhe emrat e djemve të Gjomarkut, si: Mark, Ndue, Llesh, Ded dhe Nikoll, të këtij fisi. Shtëpia e Kapidanit të Mirditës dhe Abacia e Oroshit, janë dy nga vlerat më të mëdha në historinë nacionale për Liri e Pavarësi, për organizimin e rezistencës antiosmane, për ta rikthyer Shqipërinë në dritën e Gjergj Kastriotit, apel që kanë firmosur 13 krahina të vendit.
As unë nuk e di, se si vitet kanë kaluar, duke sistemuar thellë në kujtesën time të freskët ngjarje, përsonalitete, kontribute, episode interesante, që lidhen me jetën dhe veprën e fytyrave të ndritshme të komunitetit shqiptaro - amerikan. Ato lanë emër shumë të mirë, duke mbetur të nderuar dhe respektuar për bashkëkohësit, bashkëluftëtarët e idealeve të pastra nacionaliste dhe antikomuniste, atdhetarë të mirë, që zemra e tyre gufoi vetëm për simbolet nacionale, traditat, doket, zakonet, kujtimin e të parëve në trojet amtare, ruajtjen dhe ushtrimin e gjuhës nënë në emigracion, zmergjerësinë dhe frymën e thellë të humanizmit për të gjithë njerëzit në nevojë, fisnikërinë e shpirtit, që vjen nga tradita e hershme familjare e tyre, e shumë virtyte të tjera pozitive, që i zotërojnë edhe sot ndonëse në moshë të thyer.
I tillë ishte dhe është edhe sot përsonaliteti i madh i botës shqiptaro - amerikane prej shumë dekadash, burrë i urtë deri në madhështi, fisniku dhe erudisti i thellë në kulturë, emërmiri dhe zemërmiri Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku.
* * *
Në Orosh të Mirditës para 90 - të vjetëve, do të lindë më 29 shtator të vitit 1914 Ndue Gjon Marku, që i shton gëzimin prindërve të vet dhe vëllait të parë Markut. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza. Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha. Kapidani Ndue Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizi, një përsonalitet i njohur askohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme e bashkëkohore shqiptare.
Babai Gjoni përkujdeset që djemtë të ndjekin shkollën fillore, ku midis tyre edhe Ndue Gjomarku vijon pesë vitet e para fillore dhe gjimnazin pranë shkollave private katolike të Fretenve Françeskanë dhe Jezuitve në vitin 1934 në qytetin e lashtë kulturdashës Shkodër, në kohën kur Ministër i Arsimit në Qeverinë e Mbretit Zog ishte Dr. Mirash Ivanaj. I prirur pas botës së librave dhe kulturës civilizuese perëndimore, adolishenti Ndue niset në vitin 1937 për studime të larta sëbashku me vëllaun Lleshin në Universitetin (College) në Terezianum të Vjenës në Austri. Pas disa vitesh kthehet në Shqipëri dhe pas disa muajsh shkon në Universitetin e Firences (Itali) për të ndjekur studimet e larta në Jurisprudencë. Ai për asnjë çast nuk e shkëputi lidhjen me vendlindjen, miqte e huaj dhe vendas, të cilët e donin dhe respektonin, mbasi gjithnjë Dera e Kapidanit të Mirditës ka respektuar popullin e Mirditës dhe krahinat të tjera të Atdheut. Me anije i riu Gjomarkaj në vitin 1943 kthehet në Shqipëri. Jeta studentore, miqtë e rinj dhe shokët në vendindje bëjnë që ai të zgjerojë rrethin e të njohurve. Kështu sikurse kujtojnë disa bashkëkohës që ende jetojnë sot në qytetin e Shkodrës dhe në Orosh të Mirditës, familja dhe ai vetë ka pasur nderin, fatin, privilegjin dhe kënaqësinë të marrë pjesë në shumë ngjarje dhe evenimente atdhetare, fetare dhe kulturore në qytetin e njohur të Shkodrës dhe qytetet e tjera, duke kuvenduar me krerët, parinë e qytetit, klerikë të lartë katolikë, konsuj dhe udhëtarë të huaj, që vinin shpesh në Shqipëri dhe në veçanti në trevën e Veriut.
Gjatë bisedave të lira e pyes Kapidanin, se a keni përjetuar ndonjëherë në jetën tuaj, një çast e cila ju ka mbetur thellë në kujtesën tuaj. Dhe ai me një buzëqeshje fisniku m’u përgjigj: “Isha shum i ri, rreth 16 - 17 - vjeçar e m’kujtohet casti kur n’Shkoder po pergaditej nga Kleri Katolik shugurimi i Ipeshkvit të qytetit dhe Primat i Shqipnis imzot Gaspër Thaçi (1882 - 1946). Paria e Shkodres vjen në shtepin time dhe me thon t’ju prij në ket rast ceremonie të randsishme për qytetin dhe besimtart e devotshëm katolik. U thash se baba gjindet n’Mirdit. Ata me than që Ju mund ta zavendsoni Kapidan Gjonin. Un me shum knaqsi mora pjes ne shugurimin e Ipeshkvit. Paria e qytetit, ku banin pjes krent e familjeve ma të njohuna të qytetit, si: Çoba, Muzhani, Pistulli, etj., ku mua ma caktuan vendin n’krye të sofres n’mesin e dy konsujve atij Italian dhe Jugosllav. Isha shum i ri të merrja pjes në at rreth të madh, në mesin e atyne figurave të nderueme të qytetit, por e kalova mir proven e par, pasi në Kullen e Oroshit kishim mësue të dëgjonim e jo të flasim…”.
Edhe studiuesi i njohur në diasporën shqiptaro - amerikane Idriz Lamaj, në shënimet biografike për Kapidanin Ndue Gjon Marku shkruan, se: “…Ndojt i paraqitën raste me pritë e përcjellë përsonalitete të shqueme shqiptare dhe të hueja dhe me perfaqsue oxhakun e tij të njoftun…Por simbas tij, në Mirditë në kontakt me popull e krenë, dhe të krahinave të ndryshme, formohet në pikpamje tradicionale e kanunore. Të gjitha këto kontakte e formojnë moralisht e politikisht me kuptue realitetin e gjendjes të ndërlikueme të kohës”. (Idriz Lamaj, “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1949-1956”, New York, USA, 2000, fq. 101).
Në bisedë e sipër e pyes me interes Kapidanin, se si e kalojshe kohën në ato male të pashkëluna të Mirditës. Ai si zakonisht me një buzëqeshje fisnike më përgjigjet: “Mirdita për mue asht vendi ma i bukur në botë e ma i dashtuni. Populli fisnik i krahines së Mirdites na ka dasht e respektue edhe ma shum. Na nuk kena prit asnjiher qi populli me na pershndet ne, por na i kena pershendet përpara të gjithë, pavarsisht se a kan ken të rij apo ma të vjetër se ne. Na kena shkue shum mirë me popull dhe kena ken tamam si nji familje e madhe. E prandaj Oroshi e tan krahina e Mirditës asht gjithçka për mue e Deren ton”.
Më kujtohet, një ditë tjetër më kishte ra në dorë një libër nëpërmjet një miku, që ishte e shkruar nga z. Pal Doci, e që fliste për Mirditen e Deren e Kapidanit. Gjatë leximit vura re se z. Pal fillim e mbarim kishte nxjerrë vrer ndaj Derës së Kapidanit të Mirditës. Mbasi e pashë edhe një herë librin, u nisa për t’ia dërguar Kapidanit që ta lexoj edhe ai. Kapidani, me gjakftohtësi sapo e pa titullin e librit dhe emrin e autorit, ma riktheu librin, duke më thënë këto fjalë: “Për Palin e shokë si ky Mirdita do ta thotë nji ditë fjalën e vet”.