nga Tomë Mrijaj New York
Maria, përherë ka marrë kontakt me Kapidanin dr. Mark Gjomarkun, i cili, ishte një komandant i aftë dhe trim i të gjithë forcave nacionaliste në Mirditë dhe në të gjithë Shqipërinë Veriore.
Për lexuesit e këtij libri, kushtuar Marie Shllakut, duket paksa i veçantë trajtimi i kësaj teme, që do të vijojë në faqet e veprës. Lufta e patriotes Marie, nuk mund të kuptohet e shkëputur nga zhvillimi i ngjarjeve para dhe pas vrasjes së saj. Nga ana e tjetër, historiografia komuniste në Kosovë dhe Shqipëri, shpesh kanë keqinformuar opinionin shqiptar mbi zhvillimin e ngjarjeve dhe përsonazhet kryesorë të tyre. Infeksioni i fortë i dezinformimit e të propagandës fallco komuniste, kishte mundur të depërtonte në Ballkan dhe më gjërë në Evropën Perëndimore, duke mbërritur së fundi edhe në ShBA, falë frymës liberale të këtyre shteteve.
Por, ajo që të shqetëson, është fakti, se disa elementë të emigracionit këtu, u prekën shumë lehtë nga kjo semundje dhe filluan të besojnë dhe të shkruajnë për "patriotizmin" e partizanëve, që kishin filluar luftën vllavrasëse në malet e bukura të Kosovës dhe në veçanti në Veri të Shqipërisë. Më konkretisht ka disa bashkëatdhetarë në ShBA, të gënjyer nga propaganda e disa njerëzve me paramendim e qëllime të këqia, përhapin fjalën në erë mes emigrantëve, se: "Veriu i Shqipërisë me të vërtetë ka qendruar larg dhe i paprekur nga sëmundja e komunizmit, ose në anën tjetër ka mbetur indiferent gjatë shfaqjes së kësaj mortaje nepër vise të ndryshme të Shqipërisë."
Të dy pjesët e këtij pohimi, nuk i qendrojnë aspak të vërtetës, mbasi me fakte dhe dokumente origjinale historike, sikurse ka ngjarë në terren, do të argumentojmë të kundërten e këtyre trillimeve dhe mohimin e kontributit të madh që ka dhënë Shqipëria e Veriut, për çështjen shqiptare, duke qenë epiqendra e antikomunizmit. Për më tepër, një ndër qytetet e Veriut të Shqipërisë, sikurse është qyteti i lashtë kulturor Shkodra, ka pas 50 vjetëve të sundimit të diktaturës më të egër komuniste të kryexhelatit Enver Hoxha, në çdo dy vetë ka një të vrarë, i përndjekur, i syrgjynosur në internime pambarim, i privuar nga e drejta e lirisë, duke vuajtur burgje brenda shtetit burg që quhet Shqipëri. I gjithë kleri katolik numëron mbi 40 martir të pushkatuar me dhe pa gjyq e shumë keqtrajtime, që duhen shekuj për t’i përshkruar me lot dhe dhimbje.
Këto argumente burimore të gjalla historike me fakte në dorë, do të vlejnë edhe ndihmesë e çmueshme, për atë që do të dojë të shkruaj me paanësi historinë e periudhës më fatkeqe të vendit, kur gjaku i shqiptarit u derdh për llogari të të huajit e në dëm të Shqipërisë.
Shqipëria e Veriut e dha kontributin e vet, të shënuar në luftimet e ndryshme jo vetëm në anën veriore, por edhe deri poshtë në jug të vendit, sikurse do të shihet më poshtë. Dëshmitarët, që kanë shpëtuar nga ai kalvar, duke lënë Shqipërinë me tela, kanë dëshmuar para botës dhe medias evropiane dhe amerikane gjithçka e zezë që po ndodhte në vendin e shqiponjave. Në organin e Blokut Indipendent (Organe du Bloc National Independant, Roma, Italy), që botohej në diasporën shqiptare në Itali dhe përhapej në ShBA, me titull kuptimplotë: "L’Albanie Libre", (nr.54 (64), vol.3, 28 nëntor 1952, fq.3), ndër të tjera lexojmë:
"Nji prove e gjalle e veprimtaris së dendun kundra rrezikut komunist asht formimi i Grupit Kombtar Indipendent. Pjestarët e këtij grupi, për tia arrijtë ma mirë qellimit të vet, i propozuen Ballit dhe Legalitetit nji lidhje e nji bashkim të të gjitha forcave antikomuniste. Mbas shum përpjekjesh dhe bisedimesh u ba marreveshja, e cila perfundoi ne perpilimin e nji protokoli te nenshkruem nga Kapidan Gjon Marka Gjoni e Sulço Bej Bushati, per Grupin Indipendent, nga Mit’hat Frasheri dhe Lec Kurti per Ballin Kombtar dhe nga Ndoc Çoba e Shefqet Muka per Legalitetin. Marreveshja u pagzue "Lidhja e Shkodres" me ket program:
Veprimtaria e perbashket kundra komunizmit, se pari: ne Prefekturën e Shkodres e pastaj kudo qi ta lypte nevoja ne Shqipni.
Në bisedimet qi rrodhën, Grupi Indipendent pati kërkue, qi çdo veprim qi te bahej nga ana e tij të bahej me dijenin e pelqimin e qeveris. Kjo gja kishte nji qellim te vetem: t’i jepej me kuptue popullit se kishte ende nji auktoritet qeveritar ne Shqipni dhe se çdo veprim qi bahej do te kundrohej si veprimtari partizanije.
Perfaqesuesit e grupeve pranë Lidhjes së Shkodrës ishin: per Ballin Kombtar: Lec Kurti e Jup Kazazi, per Legalitetin: Ndoc Çoba e Shefqet Muka, per Grupin Kombtar Indipendent Mark Gjomarkaj e Hafiz Ali Kraja.
Per te forcue sa duhej ket bashkim dhe per te harmonizue veprimet e rasës, "Lidhja e Shkodres" ftoi në qytet të gjith krenët e Malevet, dhe per t’ia mrrijt ma mirë qellimit, e pau te nevojshme të dergonte ne çdo nenprefekturë nga nji perfaqsues për te spjegue qellimin e kesaj mbledhjeje. Banoret e Malevet, tue pa rrezikun qi iu kërcnohej, nuk vonuen te pranojne ftesen e në fillimin e majit të vjetit 1944 ranë të gjith në Shkodër.
Mbledhja u ba në kinema "Rozafat", ku Ndoc Çoba, n’emnin e Lidhjes përshndeti të pranishmit e menjiherë nisen bisedimet me nji liri të plotë mendimi. Pa asnji kundershtim Krenët e Malevet e njoften Lidhjen e Shkodres e u vunë nën urdhnat e saj. Nuk shkoj shum edhe u dergue ne Jug Bataljoni "Vermosh" nën komanden e Major Dodë Nikolles. Ky bataljon perbahej nga 400 vullnetar të zgjedhun. Ndeshjen e parë me fuqit komuniste e bani në Shushicë t’ Elbasanit, të dytën në Tomorricë dhe të tretën në Velçan Mokerr, afer Voskopojes, ku komunistet paten nji thymje të randë.
Mjerisht "Lidhja e Shkodres" nuk shikohej me sy të mirë as nga ana qeveritare dhe aq ma pak nga ana e grupevet të ndryshme, qi bajshin pjesë në të. Kjo sjellje shkaktoi jo vetëm ligshtimin e bataljonit "Vermosh", por edhe shpartallimin e tij, sepse nuk u arrit kurr nji marrveshje as me partit as me Qeverin per dergimin e fuqive t’reja n’ato anë. Grupi Kombtar Indipendent kerkonte fuqi të forta per të mujtë me i dhanë fund nji herë e mirë luftës antikomuniste që po lante vendin me gjak. Arsyet e mos dergimit të fuqivet të mjaftueshme në ndihmë të bataljonit nuk janë të njohura as sot e kësaj dite.
Ramja e Qeveris, shperndamja e eksponentavet politikë të nacjonalizmit e dorëheqja e tyne nga fusha e veprimtaris sollen me vete shpartallimin e të gjithë forcavet kombtare. U la fushe e lire, rrugë e hapet fuqis zhgatrruese të vendit, komunizmit shkombtarizues.
Komiteti Ekzekutiv...
N’atë kohë kur po ngjante ky shpartallim, i cilli përfundoi me tragjendinë e sotme të Shqipnis, Shkodra ishte i vetmi kand i Atdheut qi mund të jepte së paku nji farë shprese për nji qindresë kundra asaj stuhije të tmerrshme, qi i kanosej vendit. Për ketë arsye besnikët e Lidhjes së Shkodres krijuen nji Komitet Ekzekutiv nen kryesinë e Kapidan Gjon Marka Gjonit e Sulço Bej Bushatit. Kjo gja u pa e udhës, mbasi perfaqesuesit e grupeve të tjera ishin largue pa asnji lajmim. Komiteti pat për komandant të përgjithshëm të fuqive te armatosuna Dr. Mark Gjomarkajn dhe per nen komandanta Xhelal Bej Bushatin, Halil Halin dhe Kolë Bib Mirakajn: si prefekt u shenue Tahir Kolgjini, si drejtor i zyres politike Enver Bushati dhe si drejtuer policije Pandeli Papalilo.
Per hir të së vertetës, duhet theksohet në këtë mes, se gjatë vjeshtës së vjetit 1944 Komiteti ishte i vetmi auktoritet qeveritar në Shqipni, por të cilit mjerisht nuk iu dha asnjë perkrahje, nuk iu shtri dora prej nacionalistavet t’ardhun në Shkodër nga vise të tjera t’Atdheut për të shpëtue nga stuhija komuniste qi i përplasej Shqipnis.
Fatkeqsisht edhe në emigrimin shqiptar gjinden asish, të cilët nuk duan ta njofin këtë fakt t’idhtë, por të vërtetë, madje kërkojnë ta padisin Komitetin kinse se ky ua pengonte ikjen. Por dielli nuk mbulohet me shoshë. Janë ende gjallë ata që mund të vërtetojnë të kundërten. Komiteti u suell kundrejt tyne me nji mënyrë krejt fisnike, ashtu si i ka hije shqiptarit; pati nji sjellje bujare kundrejt gjith atyne të mjerve të lanun rrugash nga kryetaret e vet. I priti, i përkrahu, u gjet strehë dhe përveç ndihmës së menjihershme prej 25 napolona në dorë për njeri, u dha edhe nga 50 napolona rrogë, sikurse veprohej për ushtarët e Lidhjes.
Mbasi komunistet pushtuen pjesen ma te madhe te Shqipnis se Veriut, u pa nevoja qi edhe Shkodra të lirohej. Në këtë qytet nuk gjindej ma asnjë eksponent i grupeve të tjera: këta ishin jashtë rrezikut tue lundrue për n’Itali dhe nji shumicë e madhe prej shokve të tyne ishin strukë në vende të sigurta brenda në Shqipni.
Me 26 nanduer 1944, n’oren 20, fuqit nacjonaliste, të primë nga dr.Mark Gjomarkaj (ishin 1200 vetë prej krahinash të ndryshme të Shqipnis), lanë Shkodren dhe iu drejtuene Maleve të Veriut per te vijue atje luften e nisun kundra anmiqve të kombit shqiptar. Komanda kishte pasë vendosë qi pushimi i parë të bahej në Koplik, por të penguem nga nji shi i terbuem me breshen e me stuhi, kreshnikët t’onë muerën përpjetën dhe të nesermen mrrijten në Kastrat, ku u ba pushimi i paracaktuem. Kishte qenë caktue qi nata e 28 nandorit të kalohej në Zagorë, por per arsye sigurimi u ndrrue urdheni dhe marshimi vijoi per te famullija e Shkrelit.
Në këtë ndërkohë komunistat kishin sulmue nji grup të mbraparojes nacjonaliste, yë komandueme nga Major Prengë Dedë Gjomarkaj, qi mbeti i rrethuem në kullat e atij katundi. Pushka kërciste, lufta ishte ndezë e ashpër, duhej marrë nji vendim i shpejtë, prandaj komanda dërgoj menjiherë në ndihmë të të rrethuemve Major Ndue Bajraktarin. Ky me nji mjeshtri të rrallë u bani nji kundra-rrethim komunistavet dhe mbas dy oresh luftimesh t’ egra, mujti me i lirue shokët qi ishin në rrezik. Sulmi komunist kishte qenë pregatitë nga sekretari politik i atij vendi marksisti i egër Çun Jonuzi prej Kastrati.
Ky qe pagzimi i pare i luftes antikomuniste gjatë tërheqjes në Malet e Veriut.
Tërheqja nëpër male
Me 29 të nandorit, tue qenë pranë Major Llesh Marashi dhe dr. Mark Gjomarkaj, dom Nikollë Gazulli, famullitari i vendit, u mbajti luftarve nji fjalim të flakët e shum guximtar, tue i këshillue qi të mos e humbshin shpresen: u solli nji varg shembujsh typike nga historija e jonë kombtare; u theksoi se nepermjet vuajtjesh, mundimesh, flijimesh e vetmohimesh forcohet karakteri i burravet, trajtohet ndergjegja kombtare, krejt ngjashtu sikurse po ngjante ne ata, qi po perjetsoheshin ne ato çaste kritike.
Fjalimi i këtij prifti nacionalist pa zhigla, i këtij shkrimtari të njoftun në gjurmimet e visareve të kombit, preku thellë zemrat e ushtarvet te liris. Fytyrat e tyne ndrrojshin simbas shprehjeve të zgjedhuna të fjaltarit; gjaku u shkonte dhe u vinte; nji rreqethje pershkonte trupat e atyne burrave, qi i ndigjojshin me nji heshtje kishtare. Fjalët ë tija dilshin nga zemra e pervlueme per Shqipni, nuk ishin fjalë të zbrazta, por te ndieme; i ngacmonte per flijim dhe aj vetë u dha shembullin tue ra pak ma vonë, në marsin e vjetit 1945, me armë në dorë si ma i miri deshmuer i nacjonalizmit shqiptar.
Tërheqja vijoi per ne Bogë dhe me 30 nanduer u kap Thethi i Shales. Këtu, perveç forcave nacjonaliste të Komitetit, u mblodh edhe burr per shtepi si dikur motit, njashtu si i ka hije Malsorit tradicjonalist.
Marshimi i luftarvet të nacjonaliszmit arbnuer qi u ba neper Alpet shqiptare asht nji shembull i shkelqyeshem i misjonarvet t’atdhetarizmit shqiptar.
Me 2 dhetuer ushtrija nacjonaliste kishte marrë drejtimin per ne Koder Shengjergj nepermes njij breshnaje plumbash të brigadavet qi kishin zanë pritat, me të ftotit e ashper t’atij dimni të fortë, nen nji shi të duhishem e madje edhe nen peshen e uris. Krenët e vendit, të primë prej bajraktarvet të Shalës e të Shoshit, Kolë Ndue e Lulash Gjeloshit, ashtu edhe prej të parit të djelmnis se Dukagjinit, Mark Sadikut, nuk u kursyen me i pritë këta kreshnikë, tue u shtrue bukë, zjarm dhe zemer, si e ka pase gjithmonë zakon shqiptari mikpritës.
U egersuen bishat komuniste per ket sjellje atdhetare të Dukagjinasvet, bashkuen brigadat e veta nga të gjitha anet dhe me nji furi djallore sulmuen me qellim qi t’i futnin ne lak luftarë dhe popull.
Komanda e fuqivet atdhetare e pau t’udhes të ndrronte vendin e pushimit per t’i shpetue keso dore njij rrethimi të përgjithshem, keshtu qi po ate nate dha urdhen per t’u nise per ne Nikaj - Mertur. Fuqit komuniste i ndoqen kamba - kambes. Me 24 dhetuer zhvillohet nji luftim i ashper qi u zgjat 24 orë. Komunistat, ndonëse të ndihmuem edhe prej fuqive te Sali Manit te Malsis se Gjakoves, e paten pisk punen tue u kthye keqas. Te dishpruem nga kjo thyemje e keqe dhe tue pa se nuk mujten me e ligshtue fuqin nacjonaliste, anmiqt e popullit hodhen n’erë urat mbi Valbonë, pse neper ata do te kalonte fuqija nacjonaliste në terhjekjen e vet.
Në brigjet e lumit Shefqet Peçi kishte vue pritat me njerzit e derguem nga Kuksi, n’anen tjeter Sali Mani bashk me Ram Mujën ban nji sulmim të papritun mbas shpine. E gjetun perpara ujnave te terbuem te Valbones, ne mes te gjith atyne pritave perreth, komanda e nacjonalistave u shterngue me marrë nji vendim të premë per me msy Valbonen. N’atë kohë shiu të vazhdueshëm, burravet besnike të besës shqiptare ju desht me luftue edhe me valët e rrembyeshem te lumit. Posa këta u lëshuen per të çarë rrymët e ujit, shpërthei zjarmi nga të katër anët prej pritave te Sali Manit. Mbrendë në Valbonë u ba nji plojë e tmerrshme; shkulmat e saj të bardhë u shndrruan në shkuma gjaku. Ushtrija u shpërnda dhe u përça, tue marrë drejtime të ndryshme: vetëm mbas dy ditëve mujti me u bashkue buzë Drinit, qi të çon për në Kukës. Humbjet qenë të mëdhaja dhe materjali luftarak ishte i pamjaftueshem per te ba nji qendres si duhej. Prandej Kapidan dr. Mark Gjomarkaj, komandanti i asaj ushtrije kreshnikësh, në mbledhjen qi u bani luftarvet, u drejoi këto fjalë të paharrueshme.
Luftarë!
"Burrat e fortë njifen ndër rreziqe. Kush prej jush don me luftue mbathë e zbathë per te shlirue popullin e Atdheun prej kulshedrës komuniste, të më ndjekë, pse unë për së gjalli nuk i nenshtrohem as nuk i bije në dorë.
Me ket flamur kuq e zi në dorë e nen hijen e tij do të qindrojmë në Malet t’ona kreshnike. Do t’a mbajmë ket shenjë të shenjtë të pastër e do t’a lajmë me gjak sa herë qi tjeret duen m’e njollue. Ndonse sot jemi te thyem me trup, kemi besim te ngulun se ky Flamur prap se prap do te shtjellohet i lire e krenar ne qiellin e kulluet te Shqipnis se lire. Na do t’a vijojmë luften deri sa plumbat e trathtarvet te mos na kapin. te jemi te bindun se gjaku i te vramve dhe gjaku i yne qi do te derdhet deri ne fitore do te vihet me eshtnat dhe gjakun e nacjonalistavet shqiptarë.
Kush don me më ndjek në këto ditë të vështira, duhet të jetë i vendosur të vdesë për këtë ideal të naltë, për interesat e përgjithshme të jetës së kombit shqiptar.
Zani i t’Parve t’onë prej thellësivet të tokës e të qiellit na lëshon benë e madhe me ua ruejtë amanetin qi na lanë: Gjakun e shqiptarit, nderin e tij, zakonet t’ona, familjen, ket dhe qi na lindi dhe Zotin e Madh për Zot. Qe besa e shqiptarit (shtrin doren), së ciles nuk do t’i shmangem. Qe pengu (tue tregue parzmin) qi do ta la ne këtë truem."
Ndërlidhjet e rezistencës
Me 8 kallnduer 1945 në pyllin e Hasit u muer vendimi qi kuadri ushtarak të shndrrohej në kuader çetash të sajueme prej krahinavet të ndryshme dhe per kryetar të tyne u caktuen burrat e poshtë-shenuem, qi ishin aty pranë në bisedimet e rases:
Halil Halija per Diber, Gjergj Vata per Dukagjin, Kolë Bibë Mirakaj per Pukë, Sali Doda për Dardhë, Reç e Lurë: ndërlidhës për Mat Ndrecë Lufi, për rrethet e Shkodrës Martin Sheldija; per Malsi të Madhe, ndonse nuk ishin aty, u shenuen Prekë Cali, Jup Kazazi e Llesh Marashi; për Shqipnin e Mesme e për atë të Jugut Alush Lleshanaku dhe Sefedin Biçaku i Elbasanit; Preng Dedë Gjomarkaj u la në Dukagjin si ndërlidhës me atë krahinë e me Malsi të Madhe. Mirdita do të mbetej qendra e rezistencës.
Nderlidhjet vijuen gjithmonë rregullisht, lajmtaret piqeshin me kryetarët e vet edhe në pikën e dimnit e së paku dy herë në muej, edhe atëherë kur komunistët ishin në fuqi e frika ishte e madhe. Me formimin e kësaj organizate qi e shtrini propaganden e vet anë e mbanë Shqipnis, Mark Gjomarkaj mrrijti me fitue simpatinë e mbarë popullit, i cili e ndihmoi dhe e strehoi. Mbasi ia doli të bajë një marrveshje me të gjitha krahinat e Shqipnis së Veriut, ashtu edhe me nji pjesë t’ushtris s’Enver Hoxhës, mendoi të propagandoj dezertimin e ushtris, tue e nxit per ketë punë me anë traktesh neper qytetet e ndryshme.
Qeverija e Tiranës tue verejt ket organizim kaq të fortë e te përpiket u tremb, u trondit. Per t’ia pre hovin, dergoi pjesen ma te besueshme te ushtris se vet në ndjekjen e Nacjonalistave te Veriut. Dr.Mark Gjomarkaj nuk u tremb. E vijoi luften e nisun me energji gjithmonë të reja; shkonte e vinte prej nji vendi në tjetrin për t’u dhanë zemër njerzve të vet; me urtin e njij të rysuni mundohej me u spjegue gjendjen e pergjithshme dhe randsin e rasës pa stërhollime e pa shtrembrime. Perpiqej si nji at i mirë me u letsue vuejtjet e malit, me ua hjek merzin per familjet dhe t’afermit e tyne qi i kishin larg. Jeta e tij ishte e thjeshtë dhe ndante idhnimet me të tjerët. Sjelljet e tija fisnike kishin rrëmbye zemrat e të gjithvet, kaq sa deri anmiqt e tij, komunistat, mbasi ranë në fushën e nderit, nuk munguan të tregojnë haptazi vlerën e tij si burr e si luftar.
Dr. Mark Gjomarkaj vdes si burrat
Në shtatorin e vjetit 1945 u ba nji mbledhje e pergjithshme e nacjonalistavet në Malin e Zepës (Mirditë), ku, muerren pjesë: Mark Gjomarkaj, Muharrem Bajraktari dhe Bilal Kola. Përfaqësuesit e Dibrës, Fiqri Dine dhe Hysni Dema, të cilët kishin qenë të lajmeruem e të ftuem në këtë mbledhje, nuk mujtën me marrë pjesë, pse në kufi të Dibrës me Lurë u ndeshën me forcat komuniste dhe u kthyen dalë. Në këtë mbledhje u rrah çashtja e organizimit të të gjitha forcavet kombtare dhe e mundësis së njij revolucjoni t’ardhshëm. U vendos edhe qi të bahej nji mbledhje tjetër në tetuer në Çam të Pukës, kufi me Mirditë. Kësaj here Dr. Mark Gjomarkaj nuk qe në gjendje me marrë pjesë, pse pat qenë shum i smuet, por dërgoi si përfaqsues të vetin të kushrinin Dedë Prengë Kolën dhe Nikollë Xhuxhën. Në mbledhjen e fundit të tetorit të Muharrem Bajraktarit muerën pjesë: këta të dy të Adem Ali Pozhari me parin e Gjakovës, parija e Hasit të Thatë, Kapiten Mark Malaj dhe Kolë Mirakaj. Edhe kjo mbledhje pat për qellim shqyrtimin e mundësive të nji kryengritje së pergjithshme.
Në këtë Kuvend u vendos që të mblidheshin përsëri në marsin e vjetit 1946 në Srriqe të Fandit (Mirdit). Mjerisht ky takim nuk u realizue, pse dr. Mark Gjomarkaj qi kishte shkue atje për të ba pergatitjet e rasës, u ndesh në Domgjon me forcat komuniste dhe aty u zhvillue nji luftim i rreptë, ku mbetën të vramë dy nacjonalista e tre të plagosun. Komunistat në anën tjetër janë pesë të vdekun dhe njimbdhetë të plagosun. Në këtë katund komunistat pushkatuen katër nacjonalista burgosën njizet të tjerë dhe internuen tri familje. Muharrem Bajraktari qi ishte nisë për Kuvend, kur muer vesht këto lajme t’ idhta, ndrroi rrugë e vojt e u takue me Kolë Bibë Mirakën ke Hala e Tuçit (Spaç-Mirdit).
Të gjitha këto vishtirsi jo qi nuk e demoralizuen Markun, por perkundrazi e forcuen edhe ma teper; vijoi i palodhshem në drejtimin e marrun, sepse kjo ishte rruga qi ai kishte zgjedhë; ky ishte ideali qi e frymëzonte në të gjitha përpjekjet kombtare.
Me 6 maj 1946 dr. Mark Gjomarkaj u bani nji mbledhje luftarvet te Rrasa e Bardhë në Mirditë, ku muerën pjesë: Sejfulla Merlika, Gjetë Kamberi, Bam Kupi, Kran Miri, Bilal Kola, Kurt Sulkurti, Haxhi Kurti, Kolë Bibë Mirakaj, Kapiten Prendë Gjergj Keqi dhe Ali Gjoçi. Kjo asht pershendetja që Marku u drejtoi të pranishmvet:
"Të dashtun shokë!
Janë tue u mbushë tetëmbëdhetë muej q’se shumica e juej ndodhet larg familjevet e të dashtunvet, larg mallit e gjasë, larg votravet. Këta tetëmbëdhetë muej tmerri dhe gjaku janë për t’u shenue si nji faqe e zezë e historis s’onë.
Shumicën t’uej e njof tash tetëmbëdhetë muej, disa i kam pa ma vonë e ndokend jam tue e pa sot per te parën herë. Porsi t’parët, ashtu edhe të mramët, të dyja lagjet jetuen n’ankth pritjeje dhe dishiri, vuejtjeje dhe andrrimi. Per çdo njenin prej nesh Shqipnija dhe interesat e saja të nalta qenë frymzim ma i kthjellti, flaka ma e gjalla, dishiri ma i zjarrti, qi na mbajtën në kambë e të papërkulshëm. Pamë me sytë t’onë shtëpijat tue u djegë, gjanë tue na u plaçkitë, tokat tue na u lanë djerr, familjet tue na u nepërkambë dhe përbuzë. Disa prej jush provuen dishka edhe ma tepër: panë të dashtunit e vet, mishin e gjakut të vet, tue ra dishmorë përpara Altarit t’Atdheut.
Kujtimi i të vdekunvet t’onë duhet të nderohet prej kësaj mbledhjeje, prandaj ju ftoj të bajmë nji minut pushim.
Shokë të dashtun, ndjekjet e papreme të bolshevikvet shqiptarë kundra nesh e banë jetën e secilit shum të vështirë, punën të ngadalëshme, marrëveshjet të plogëta; megjith këtë u punue dhe u punue mirë, u veprue rreth njij programi, ju vunë bazat njaj ndertese qi do të çoj drejt realizimit kombtar, për të cilat jemi në mal."
Në këtë Kuvend u vendos që të kalohej menjiherë me veprime; tue fillue prej asaj dite të priteshin të gjitha vijat telefonike të rrethit të Sh’Palit (Mirditë). Perfaqsuesavet të krahinavet të ndryshme iu dhanë udhzimet e nevojshme për bashkëveprim.
Për t’u ndalue hovin bakëqijvet dhe spiunvet të vendit, dr. Mark Gjomarkaj, kishte vue nji rregullore me kater nene:
1. Spiunet e vendit do të ekzekutohen menjiherë.
2. Atyne qi per vullnetin e komunizmit prishnin zakonet e vendit do t’u digjen shtëpijat.
3. Ata qi do mohojnë ndihmen e nacjonalistavet, do të denohen ne gjoba.
4. Veprimtari kundër komunizmit kudo.
Për zbatimin e kësaj rregulloreje kishte formue skuadrën e shpagimit, e cila, mbasimirrte urdhnin me shkrim prej kryetarit t’organizatës dhe prej dy antarvet, kalonte në veprim.
Kjo mënyrë veprimi vijoi deri me 6 qershuer, atëherë kur komandanti dr. Mark Gjomarkaj kishte caktue qi të bahej nji mbledhje e përgjithshme, e cila do të mbahej me 14 t’atij mueji në pyllin e quejtun Tjegullat e Prosekut për të shqyrtue bashkarisht mundësinë e kryengritjes dhe planin e saj. Ai vetë me shtabin prej 19 ushtarakësh e civilash kishte zanë vend në pyllin e dendun t’Ujës së Përlatit.
Në mesnatën e ditës 13 qershuer Marku, tue kalue nga Pylli i Prelatit përmbi Tjegullat e Prosekut, mu në katundin Prosek ra ndër pritat e para të komunistavet, të cilët të vumë në dijeni për këtë Kuvend, kishin rendë prej Dibre, Shkodre e Tirane. Aty u zhvillue nji luftim shumë i ashper. Mbas dy orë përleshjeje të përgjakshme nacjonalistat terhiqen pa dam.
Në këtë terhjekje dr. Mark Gjomarkaj me shokë tue manovrue nepër pyll për të kalue rrugën Prosek - Përlat, ra në prita të forta t’anmikut, i cili ishte mirë i armatosun. Në këtë ndeshje u vra Nikollë Pjetri, djal 18 vjeç, kurse dr. Mark Gjomarkaj mbeti i plagosun në kofshën e djathtë.
N’atë natë t’errët, n’atë pyll të dendun dhe në mes të asaj lufte të furishme, nacjonalistat shtrengohen të shpërndahen në drejtime të ndryshme. Ngeli vetëm me dr. Markun e plagosun Gjin Kros Buna me pak shokë, të cilët e bartën Kapedanin në shpinë ma tepër se dy orë. Dr. Marku, nuk ishte ma në gjendje të vijonte rrugën, prandej urdhnoi t’a ulshin; u dorzoi shokve të gjith dokumentat dhe u urdhnoi të largoheshin. Me zemer të plagosun dhe me lot nder sy u ndanë. Në këtë ndërkohë ia mbërrijnë komunistat. Diktuen se ku gjindej dr. Marku. I lëshuen za për dorzim. Ky u përgjigj se nuk mund të luente nga vendi e të vijshin me e marrë, me kusht qi të paraqitej vetë komandanti komunist. Ky, i kënaqun për ketë dorëzim, i afrohet, por nuk mujt me e mbrrijt, pse i plagosuni i ndejti gati me revolver tue e lanë lmuq për tokë. Kishte mbrrijt i shkreti dr. Mark me fuqit e veta të fundit, e për të mos ra në dorë i gjallë i dha fund jetës me dorë të vet.
Llesh Gjomarkaj, qi gjindej në Pyllin e Prosekut me shokët e vet, porsa ndigjoi krismen e pushkëvet dhe tue mos dijtë fatin e të vllaut, jep urdhënin e sulmimit. Kjo ngjan në mëngjesin e 14 të qershorit. Lufta u zgjat deri në orën 15 t’asaj dite. Jehu i piskamavet të luftarve nacjonalista ushtonte prej njij mali në tjetrin; britmat për guxim sipas zakonit mbrrijshin deri në qiell; krismat e bombavet, e pushkëvet dhe e mitralozavet të shurdhonte veshët. Mbetën dy të vrarë e tre të plagosun. Në këtë rast komunistët pushkatuen pesë vetë nga nacjonalistat, burgosën 27 dhe internuen dy familje.
Qeverija komuniste e Tiranës për të pengue riorganizimin e forcave nacjonaliste përqindroi në Mirditë nji fuqi prej 7 mijë vetësh besnikë. Në çdo katund filluen pushkatimet tue flijue pa pikë mëshire popullin e pafajshëm..."
Shënim: Për të përjetuar figurën e nacionalistit të shquar dr. Mark Gjomarkaj, poeti, shkrimtari dhe publicisti i shquar prof. Ernest Koliqi, i ka kushtuar një këngë, të cilën po e botojmë të plotë. Ai, ishte dhe një mik dhe bashkëluftëtarë i martires Marie Shllakut, që luftonte në krahun tjetër të shqiponjës së Flamurit Kombëtar, në Kosovën e robëruar nga komunistët sllavë dhe trathtarët shërbetorë, që për fat të keq kishin origjinën shqiptare...
Kanga e Kapidan dr. Markut
Lum për Ty qi na fale, o Zot i lumi!
se natë asht ba dh’askend nuk po e merr gjumi:
as shqipen ke foleja per nën maje,
as jehonën e shqet’ qi dridhet n’vaje,
as gjetht e ahit n’pyll ku prehet era,
as gurrën qi s’kndon ma si nder net tjera,
as nder kulla të vndueme maje currash
ku zdri in unat rrudha t’vranta burrash,
fytyra t’zbeta grash me sy të rimun
ke djepat ku vjen fisi t’u pertrimun.
Mbi djepa qi pertrijn nder mote fisin
nanat me lot nji emen përshperisin.
Vrik prej maleve derdhet kah jallija
nji kumt i zi dhe preket n’palc Shqipnija,
e veton qielli me ndeshtrasha t’zeza,
ngrehen n’prigjim dhe t’deknit nder vorreza
kah paq nuk po e kanë eshtnat n’nat’ vorrit,
hapet prej Veleçikut n’cep t’Tomorrit,
kthen prej Tomorrit n’cep t’Veleçikut
ai kumt e loti rrjedh idhun çerpikut
tue pikllue njajzi dashamir e shemër:
Nanës Shqipni nji pikë i ra mu n’zemër!
Thot’ kumti se rraz malit buz’ nji prronit
dekun u rrzue Kapidan Marku i Gjonit.
Si u ngjau dikur fatosave t’Omerit
mbi mbejtin shfryen anmiqt pezmin e vnerit
neper qytet ku lshon hije Rozafati
n’pluhun t’udhve tu’ e ngref’ rreshqan për s’gjati.
Vrret e gazmohet turma me keçana
lum se po shfren per s’deri n’Kapedana,
por pa pritmas men brima edhe pran zhurma
e pihet shtang para kufomes turma
kah vizlon mbi ball t’t’deknit nji dell drite,
shej jetik n’Kapidana prej Mirdite.
E i duket, prisi i rrzuem, çudis anmike
i madh si div plot hijeshi fisnike.
Vajton granija e po ban gjam burrnimi
po e ama zemrën ndryn n’nji dry heshtimi,
pik loti ajo nuk derdh qi mbet shkret votra
edhe vajin ndalon n’vllazën e n’motra:
- S’e qajm na Markun, le t’a qaj Shqipnija,
pse rrezja e fundme ai kje qi lshoi lirija
Kapidanat robnin veç druen per s’gjalli,
lumnojn kur desin t’lir me ’i plumb ke balli,
lumnojn kur fiken porsi yjt e dritës
n’lamin e nderit kah i prijn Mirditës,
nji grusht Mirdit’ qi don t’i kndohet kanga
se zbret në vorr për mos m’u lidh’ me pranga.
U mbyllen kishat neper viset t’ona
e n’qiell per mort ma nuk vajton kumbona,
veç dridhet neper lugina jehu i malit:
- Heu, ti Shqipni, ku rritej pika e djalit,
ku sot mjerohen nipat e Kastrijotit,
mos u deshpro se shpesh n’vallen e motit
u ngushtove e dermishe e u perlinde,
si nji myster gjallsije botën binde,
se prap ke djelm si Marku i Kapidanit
qi dishmojn me gjak t’vet t’u rzue shulanit
se ndoshta t’vegjel jemi e desim unit
por duem lirin e nderin e Kanunit.
Bri votrave n’Mirditën thepa thepa
shka pershperisin nanat permbi djepa?
Fjalën e fundit qi me za t’thekun
la Kapidani para se me dekun:
- Ju shtegtar’, kushdo qofshi, qi kerkoni
rrugat e botës, Plakut t’em m’i thoni,
per n’m’a takofshi kund nder dhena t’hueja:
Vul’ gjaku u vuna porosive t’ueja:
dathë ase mbathë e ngran’ pa ngranë un ngjitas
t’mirën e t’keqen dava me Mirditas,
vuejta me ta, dhe vdiqa kur erdh dita
e Derën e Kanunit s’ta korita.
Heshtet atdheu kaplue nën tmerr e droje.
Por nesër prap lahuta do t’tinglloje,
ke mrizet e lejthive hije - leta
prap do t’vijoj’ bariu jonet e veta,
vashave t’ona do t’i hiqet futa,
lirisht kah qielli do t’naltohet luta:
- Lum për Ty, Zot i lum, qi na dhae jetën,
neper Ty mjerime e gzime vijnë e tretën:
ban Ti qi gjaku i derdhun, sot e prore
flamurin t’on’ t’a kuqi n’ngjyr’ gazmore
dhe neper troje t’lira t’ksaj Shqipnije
nji popull i vllaznuem t’i struket n’hije.