2011-03-07

Tregim: BURRI I PESE GRAVE






Tregim


Epiteti Don Jovani, që i kam përngjitur emrit të këtij njeriu, përputhet tërësisht, jo vetëm me karakterin e tij tejet feminist, por edhe me tingëllimin fonetik të Don Zhuanit, aq të njohur në veprimtaritë e veta mashtruese me gratë.

Don Jovani ishte një shofer shtatshkurtër nga Palasa e Himarës. Ai nuk kishte as ndonjë pamje tërheqëse për të joshur aq shumë femrat, si Don Zhuani i famshëm. Por kishte një natyrë prej zamke, që u ngjitej atyre me ngulmin e pashkëputur, me gazin e paperënduar në buzët e tij dhe me një zë nanuritës, aq të ëmbël, sa mund të prekte telat e zemrës delikate të disa grave të ndjeshme.

Me Jovanin, tepër larg profesionit dhe pasionit tim letrar, më lidhëm dy fije të padukshme të dobësisë sime të hershme: Himara e bukur pranë vendlindjes dhe gjuha greke, që pata mësuar në Sarandë qysh në vegjëli. Duke vënë re se në parcelën gjuhësore të trurit, po më thaheshin disa fjalë të paprashitura prej kohësh, Jovani ishte një rastësi e mirë ushtrimore, jo vetëm për të stërvitur gjuhën, por edhe për të mësuar disa pasurime të reja në fjalorin bashkëkohor të greqishtes.

Nejse, ajo që dua të tregoj nuk është ky informacion i thjeshtë, por fakti se prototipi i pushtit shqiptar, që më befasoi duke me treguar jetën e tij, kishte pesë gra dhe një tufë fëmijë me secilën prej tyre. Punonte shofer autoambulance në spitalin qendror të Tiranës dhe kjo i jepte mundësi të shkonte në çdo lagje e shtëpi, ku thirrej urgjenca shëndetësore. Ne u takuam rastësisht, teksa e dëgjova të fliste greqisht me një person në afërsi të pallatit tim, ngjitur me spitalin, ku për disa net me radhë parkonte makinën.

Jo se spitali nuk kishte parkim për mjetin e tij, por sepse në këtë pallat atij i kishin mbetur sytë edhe te një vajzë katërmbëdhjetëvjeçare, me të cilën ishte njohur gjatë thirrjes së urgjencës për njërin nga prindërit e saj.
Pra, ai kishte lënë gruan e parë të ligjshme me pesë fëmijë, në shtëpinë e vet dykatëshe në Palasë. Tek e cila shkonte rrallë, sa për të mos e lënë djerrë, sikur barku i saj të ishte një parcelë, ku ai mund të mbillte çdo dy vjet nga një kokëlakër të re. Sepse për fëmijët e harruar që linte pas, nuk e merrte malli.

 Donte vetëm sa ta shihte fshati, se ajo familje kishte burrë dhe gruaja të vazhdonte të mbante lidhur gurët e vjetër të mureve të shtëpisë së tij. Ashtu siç kishte qenë zakoni me gratë e kurbetllinjve të atij bregdeti, që ktheheshin vetëm kur fillonte t’u harrohej emri. Ndërkohë bashkëjetonte me një kuzhiniere të shëndetshme në Tiranë, me të cilën kishte bërë tre fëmijë, pasi ajo e kishte pranuar të banonte në shtëpinë e saj. Kishte dy fëmijë me një infermiere, tek e cila shkonte për të fjetur disa net në javë, me pretekstin se netët e tjera gjendej në gatishmëri urgjence. Kishte shtuar pjellën e tij edhe me dy fëmijë të tjerë te një grua në Sauk. Kishte dy vjet që ishte bërë baba i paligjshëm me një punëtore të kombinatit ushqimor.

 Dhe tani së fundi te pallati im, bënte dashuri fshehtas me një adoleshente, e cila dilte nga kati i parë, kur prindërit e saj bënin gjumin e mesnatës dhe i shkonte te shtrati portativ që mbante Jovani në autoambulancë.
Dy pyetjeve të mia konfindenciale, në mënyrën habitore, ai u ishte përgjigjur kësisoj:

- More Vani, çfarë i shijon ti asaj fëmije?
- E para, ajo ka qejf vetë, - qeshi ai me kërcëllimë. - Pastaj puna ime kuptohet, maçokut të vjetër i shijojnë më shumë minjtë e njomë!...

U preka shpirtërisht nga këto fjalë mizore, sepse nuk mund te qeshja me poshtërsinë e tij.
-Po kështu si e ke zënë ti, more varvat i himarjot, mund të bëhesh me dyzet gra dhe të formosh një batalion me kopilë të paligjshëm!...

- Kurani mysliman, nuk thotë kot, se burri mund të ketë deri në shtatë gra...
- Por ama Bibla jote nuk ta lejon kurrsesi, - ia ktheva me të njëjtën monedhë.
Ai nuk u mendua fare për të më dhënë përgjigjen që meritoja:
- Unë nuk shkruaj libra, - tha krejt i qetë e buzagaz. - Në këtë botë njeriu ka dy qëllime, o të shpjerë botën përpara me shkencë, o t’i shtojë botës popullsinë. Unë mund të bëj vetëm të dytën, përderisa karburatori ma shpie currilin e naftën të digjet mirë në çdo motor...

Mirëpo adoleshentja pa përvojë femërore i hapi telashe të papritura dhe Jovani, si rrallëherë m’u duk tejet i mërzitur kur ma zunë sytë sërish.
- E mbusha aksidentalisht!- tha kur e pyeta për shkakun atij trishtimi që shprehte fytyra e tij.
- Ti je i çmendur! - i thashë i tronditur me ton të ashpër.

- Jam i mençur dhe i specializuar për këto punë aty ku punoj, - tha ultas. - Lepurin nga barku ia nxjerr asaj edhe sikur të shkojë tre muajshe, por kam problem një shuk me para për maminë, që të pranojë ndërhyrjen e abortit në shtëpinë e saj. Tani pres mos na japin ndonjë shpërblim për Vitin e Ri, se rroga nuk më mjafton...
Atë çast m’u kujtua se për tipa të tillë njerëzish sharlatanë, ka një shprehje që përdorin zakonisht gratë: “Të qafsha me lot e me qurre! “

Tri javë rresht, Jovani ishte tym dhe nuk u duk për të kaluar mesnatën pranë pallatit tim. Javën e katërt, në prag të Vitit të Ri, ai i ra borisë teksa po nxitoja hapat përgjatë rrugës “Bardhyl”
- Jasu, patridha! - lëshoi dy fjalë të vetme, duke nxjerrë kryet nga dritarja e makinës, me atë gazin e tij kërkëllitës, kur ishte me qejf.

- Hë, - i thashë gjithë merak, - ç’bëre për atë hallin e madh!
- To petakse ! (e hodhi!) - tha greqisht.
Mora frymë thellë dhe sikur u lehtësova nga keqardhja që kisha ndjerë kur ma tregoi fillimisht.
- Po më dëgjove mua, mos bëj budallallëqe të tjera me të dhe as me ndonjë tjetër, se do gjesh belanë më keq!- e këshillova për të bërë sadopak detyrën që më takonte.

- Po s’bëra, vdes! - tha duke qeshur dhe i dha gaz makinës drejt spitalit.
Një copë herë me bëri sërish të mendoj thellë ky njeri i çakorduar në ndjenjat e tij noprane.
Por, duke u marrë me telashet e punëve të mia familjare gati e kisha harruar, kur pas ca kohësh më doli parasysh papritmas, si fanti spathi i ngjyrës së zezë. Ai ndali makinën ndanë rruge, me një pamje krejt të zbehtë, të tretur nga vuajtja e thellë shpirtërore.
- Më ka ndodhur hataja e të gjitha hateve! - lëshoi fjalinë e parë duke marrë frymë thellë, sikur i mjaftonte ajri.

- Ç’dreqin ke katranosur përsëri, mor jahu? - i thashë duke mos pasur aspak dëshirë të zgjatem në bisedë me të.

- Unë të dëgjova ty, patridha, dhe kam bërë ca frena kohët e fundit, - tha me zë të mekur. - Po gruaja në fshat, pas kaq kohësh i mori vesh të gjitha qyfyret e mia. Ajo nga inati u bë e marrosur, spërkati shtëpinë me benzinë, i vuri flakën dhe i dogji të tëra me kuç e me maç, pastaj shkoi me gjithë fëmijët te prindërit e saj. Mua më la vetëm një gërmadhën me gurë të zinj, që edhe miliona po të kisha, nuk bëhet më kurrë siç ishte. Tani kam mbetur si ai huri i shkulur në mes të udhës dhe zoti e di se ku do ngulem kur të dal në pension. Se edhe ajo kuzhinierja që më mbante në shtëpinë e saj, i kishte shkuar infermieres, dhe duke bërtitur “kurve!”njëra e “kurvë!”tjetra, i kishin shkulur flokët njëra-tjetrës...

Nuk m’u durua më tej, prisha edhe unë gojën me të:

- Do vijë dita që edhe ti, si kurvar i tyre, të mos kesh më asnjë fije floku. Se do mblidhen të tëra bashkë me gjithë fëmijët dhe do të t’i shkulin qimet e kokës një nga një. Atëherë ç’farë do bësh, more qyqar?!...
- Do ia heq vetes, ose do pi bar miu, se minj të njomë nuk do ha dot më! - tha dhe tërhoqi këmbët zvarrë drejt autoambulancës.

Dukej tamam, sikur ishte nën efektin e barit të miut, ende pa pirë helmin shfarosës.

“Principata e Shqipërisë dhe Mbretëria e Greqisë 1913-1914”


“Principata e Shqipërisë dhe Mbretëria e Greqisë 1913-1914” titullohet vepra e historianit Romeo Gurakuqi, promovuar këto ditë në Tiranë, një vepër që hedh dritë mbi marrëdhëniet e komplikuara Shqipëri-Greqi, sidomos në momentet vendimtare, në vitet ’13 dhe ’14 të shek. XX

Është një përpjekje serioze për të analizuar marrëdhëniet ndërmet Shqipërisë dhe Greqisë në vitet 1913-1914. Monografia synon të ndriçojë mbi një bazë dokumentare arkivore problemin e vendosjes së vijës kufitare në mes shtetit helen dhe shtetit shqiptar më 1913-1914. Punimi është një përpjekje për të shqyrtuar një pjesë të historisë së vendosjes së një vije ndarjeje politike në mes shtetit të fundit ballkanik, të lindur nga shpërbërja e Turqisë evropiane, Principatës Shqiptare, me Mbretërinë e Greqisë. Prej më shumë se 15 vitesh puna ime kërkimore ka qenë e përqendruar në hapësirën kohore të viteve 1911-921 të historisë së Shqipërisë, por veçimin nga e gjithë problematika, e çështjes së Shqipërisë së jugut, vendosjes së vijës kufitare mes dy vendeve tona, në rrjedhën e viteve 1912-1914 dhe shqyrtimi i një numri çështjesh ende të debatueshme, ma imponoi dokumentacioni i pamatë, me të cilin u vendosa në kontakt dhe zotërim, sidomos nga viti 2005, thotë autori në një revistë dhënë gazetës “Panorama” të Tiranës.
“Mbi të gjitha, dy popujt tanë qëndrojnë njëkohësisht dhe barbarë në bazamentin e historisë antike të Evropës, e për rrjedhojë do të duhet të jenë plotësisht të përgjegjshëm për leximin e vërtetë të së shkuarës dhe po aq optimistë për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët europiane dhe jo më asnjëherë vetëm ballkanike. Për të gjitha këto arsye jam përpjekur me kujdes të veçantë për të bërë të njohur dhe vlerësuar me dokumentacionin parësor të një vendi anëtar të njërit prej blloqeve politiko-ushtarake të asaj kohe, Antantës, një numër çështjes të konsideruara “delikate” dhe të debatueshme në historiografi. Jam munduar gjithashtu të bëj të gjitha përpjekjet profesionale në mundësinë time, që punimi të jetë i çliruar nga paragjykimet politike dhe emocionet e përkatësisë, por gjithsesi i takon lexuesve dhe studiuesve të përcaktojnë nëse vërtet ia kam arritur kësaj paanësie”shton Gurakuqi.
Dokumentacioni arkivor britanik jep mundësi të ndriçohen një seri çështjesh të rëndësishme që lidhen me përkatësinë etnike të të gjitha segmenteve të Shqipërisë së jugut, këndej dhe andej kufirit, të jep mundësinë për të ndjekur në spektër të gjerë gjenocidin dhe zhvendosjet e sforcuara të popullsisë nga Çamëria, Labëria dhe Bregdeti në rrjedhën e vitit 1914; të jep mundësinë për trajtimin në hollësi të problemit të vllehëve që banojnë në Epirin Antik dhe të saktësohet se vendi i origjinës së këtij populli që u bë një dhe bashkudhëtar i fatit të përbashkët me popullin shqiptar, Rumania, ka këmbëngulur deri në fund që ky territor ku ata banojnë, që korrespondon kryesisht me pjesën përtej kufirit aktual juglindor të Shqipërisë, t’i mbetej Shqipërisë; ai dokumentacion ndihmon të saktësohet topografikisht në detaje kufiri i vendosur nga Protokolli i Firences, i 17 dhjetorit 1913 dhe një numër çështjesh mjaft të rëndësishme të kësaj periudhe mjaft të debatueshme, që ka lënë mbrapa probleme që diskutohen dhe politizohen, mendoj jo saktësisht edhe sot. Më duhet të theksoj se studiuesit, në mënyrë të veçantë etnologët kanë ndërtuar prej kohësh një hartë krejtësisht të qartë të situatës etnike në çdo segment të Epirit në tërësi dhe çdo përpjekje e kohëve të fundit për ta risjellë politikisht në një formë të ndryshme nga çfarë studiuesit kanë përcaktuar, raportet e paanshme të ekspertizës diplomatike kanë fiksuar shumë herët deri në agimet e shekullit të XX, më duket krejtësisht i papërshtatshëm, anakronik dhe i pavend në kohën tonë dhe jo luajal për kohën e vështirë që po kalon vendi ynë në këto ditë.

Serbia ekspozon artefaktet që i vodhi në Kosovë


Serbia ka hapur ekspozitë me eksponatet etnografike të Kosovës, të cilat i kishte marrë dhunshëm në vitin 1999 dhe tash 12 vjet nuk pranon t’i kthejë. Muzeu Etnologjik i Beogradit është bërë nikoqir i veshjeve, gjësendeve dhe dekorimeve nga koleksioni prej 3 mijë artefaktesh të Kosovës në ekspozitën e hapur të martën në mbrëmje.
I ashtuquajturi Muzeu në Prishtinë - një institucion me seli në kryeqytetin serb i themeluar fill pas luftës në Kosovë e në të cilin u bart thesari arkeologjik që iu mor Kosovës - është bartësi i ekspozitës. "Trashëgimia etnografike nga fondusi i Muzeut në Prishtinë", është titulli i saj.
Pos kësaj, për autoren e ekspozitës, Mina Darmanoviq, nuk është i diskutueshëm fakti që eksponatet janë të Serbisë. Me ekspozitën që ka hapur ajo thotë se ka përmbledhur "vetëm një pjesë të koleksionit të çmueshëm të Muzeut në Prishtinë nga 30 mijë eksponate të tjera të shtetit serb që kanë mbetur në Prishtinë". Në Muzeun Etnografik në Beograd prehen dy mijë eksponate etnografike dhe një mijë nga koleksioni arkeologjik.
Në anën tjetër, pala kosovare hapjen e ekspozitës me artefakte të Kosovës e cilëson propagandë. Por të njëjtët kritikojnë institucionet kosovare se nuk kanë bërë sa duhet që artefaktet e vjedhura t'i kthehen pronarit legjitim-Muzeut të Kosovës.

Autorja e ekspozitës, Darmanoviq, nuk mohon që artefaktet që janë "strehuar" në Muzeun Etnografik të Beogradit janë "bartur" në vitin 1999 nga Muzeu i Kosovës. Atë çfarë ka ekspozuar e cilëson si "retrospektivë e vogël e një koleksioni të çmueshëm të Muzeut në Prishtinë". Kësisoj ishte quajtur Muzeu i Kosovës gjatë regjimit të Slobodan Milosheviqit. Më 1999, pikërisht me 3 mijë artefaktet e vjedhura nga Kosova ishte themeluar i ashtuquajturi Muzeu i Prishtinës në Beograd, i cili tash "pret" që t’i kthehen edhe 30 mijë artefakte të tjera që janë në Kosovë.
Mediet serbe kanë cituar autoren Dermanoviq, teksa ka falënderuar Ministrinë e Kulturës të Serbisë për mundësinë që u ka dhënë që këto artefakte të digjitalizohen dhe të shihen në botë.
"Duke iu falënderuar Ministrisë së Kulturës ne jemi njëri prej muzeve të parë në Serbi që e ka digjitalizuar tërësisht koleksionin e tij dhe duke iu falënderuar kësaj ne kemi marrë pjesë në ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit", ka thënë ajo. Darmanoviq ka përzgjedhur gjësende nga koleksioni etnografik, siç ka thënë ajo, me qëllim që beogradasit të shohin bukurinë dhe pasurinë e traditës popullore të Kosovës.
"Fotografi digjitale me komplete te veshjeve fshatare e qytetare, gjësende te veçanta dhe lloje të ndryshme varësesh paraqesin vetëm një pjesë të vogël të koleksionit etnografik të materialit të Muzeut në Prishtinë", citohet të ketë thënë ajo.
Sipas saj, materiali i prezantuar është vetëm një pjesë e pasurisë tradicionale të krijuar gjatë një procesi të gjatë të zhvillimit kulturor të popullit serb dhe dëshmon për pasurinë e diversitetin në veshjet tradicionale.
"Veshjet dallohen për nga stili kompozicional, mënyra e zbukurimit të tyre, ornamenteve shumëngjyrëshe, breza të zbukuruar, jelekë me lidhje, këpucë të thurura që paraqesin një domen të gjerë të shpirtit krijues të popullit serb", ka thënë ajo. Për ekspertët kosovarë të trashëgimisë kulturore, një veprim kësisoj i të ashtuquajturit Muzeu në Prishtinë është i papranueshëm.
Për Edi Shukriun, kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, veprimi i fundit i hapjes së ekspozitës, madje edhe deklaratat se 30 mijë artefakte të tyre janë ende në Kosovë, janë politikë e njohur e Serbisë.
Megjithëkëtë ajo fajin pse Serbisë i lihet mundësia ta luajë rolin e viktimës e hedh edhe tek pala kosovare. Thotë se është e bindur se institucionet kosovare nuk kanë bërë sa duhet që thesarin e vet arkeologjik ta kthejë në Kosovë.
"Me Këshillin jam munduar që trashëgimia kulturore mos të kthehet në shërbim të politikës. Kjo është politikë e njohur e Serbisë. Duhet të punojmë edhe me të, por së pari duhet të punojmë me veten", ka thënë Shukriu.
Pikërisht eksponatet që janë ekspozuar i takojnë koleksionit prej 3 mijë artefaktesh, të cilat para 12 vjetësh Serbia ia vodhi Kosovës.
Ajo kujton se artefaktet e Kosovës janë marrë nga Muzeu i Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s, dhe janë bartur në Serbi me kamion ushtarak.
"Janë marrë me dhunë, që do të thotë se janë të vjedhura", ka thënë Shukriu.
Ajo thotë se Kosova duhet të ngrejë këtë çështje në kuadër të bisedimeve që planifikohen të bëhen shumë shpejt me Serbinë. Por e para e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore thotë të mos jetë pyetur asnjëherë për këtë punë.
"Ekspertët e vjetër të kësaj fushe nuk janë pyetur fare, mjerisht kanë dalë disa 'ekspertë' të rinj, por që as ata nuk janë konsultuar, dhe si pasojë e kemi fatin kështu si e kemi", ka thënë ajo, teksa ka dhënë një këshillë.
"Pa marrë parasysh se çfarë bisedimesh janë këto, në bazë edhe të konventave ndërkombëtare ato duhet të kthehen në vendin e origjinës. Nëse nuk arrihet kjo atëherë pala kosovare duhet të ngrejë padi në instanca ndërkombëtare", ka thënë Shukriu.
Por Ministria e Kulturës del të mos përcjellë fare se çfarë bën shteti serb me artefaktet e Kosovës.
Nga tre mijë artefakte sa i janë marrë Kosovës më 1999, "Hyjnesha në fron" është i vetmi eksponat që iu kthye Kosovës. Një gjë e tillë u bë më 2002 nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm, Michael Steiner.

Figura e femres shqiptare në këto këngë dhe aspekte të tjera




Shkruan: Agim Gashi

Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare
Me një fond shumë të madh këngësh, të krijuara e të ruajtura brez pas brezi si lapidar kujtimi, epika historike popullore shqiptare, është padyshim një pasuri e madhe kombëtare.
Me vlerat e shumta kjo është një dëshmi e gjallë e së kaluarës së popullit tonë, e jetës plot peripeti, e vuajtjeve nën sundimet e huaja, e baticave e zbaticave që përpëlitën shqiptarin ndër shekuj, me një synim për një të ardhëme më të mirë. Këto këngë në të shumten e rasteve zëvëndsuan atë zbrastësi të kronikave luftarake, mungesën e shkrimeve shkencore, që zakonisht përcillen në momente të caktuara, duke lozur një rol të posaqëm në ruajtjen e kujtimeve të shtrenjëta për sakrificen e madhe të popullit, për luftërat e betejat, për luftërat që u bënë fli, duke rënë në alltarin e lirisë e duke treguar heroizma për ruajtjen e atdheut e qenjes kombëtare. Trashëgiminë që na e lanë këngëtarët popullor, vlersuar sipas këngëve, duket sheshit se përcollën hap pas hapi të gjitha ndodhitë e vogla e të mëdha, individuale e kolektivedhe në këto kohëra. Ata kënduan për historinë tonë të lavdishme; kënduan për çdo lëvizje çlirimtare dhe çdo synim a përpjekje të vërsuljeve në atdheun e popullin tonë. Dhe tani me zellin e këtyre këngëtarëve, ne do të njohim të gjitha vyrtytet e veset e popullit, psikologjinë e tij, shpirtin luftarak e liridashës, do ta njohim njeriun tonë në tërësi, moralin e lartë njerzor që është gjithëherë i gatçëm të vihet në ballë të atdheut e të bjerë theror për truallin e tij.
Nga kjo lëndë e pasur do të mësojmë për luftërat e popullit shqiptar, që gjithmonë patën karakter çlirimtar e mbrojtës; fitimin e lirisë dhe ruajtjen e saj. Këngët e tilla na kujtojnë në moralin e lartë luftarak, luftërat e drejta për çlirimin kombëtar edhe pse përndryshe këngët na kujtojnë, jo vetëm numrin e ushtarëve armiq që vërsuleshin kunder nesh, por edhe armatimin e tyre shumë herë më të madh, e kur dimë se populli ynë kishte vetëm sopata e hangjarë, me dyfek e fyshek në xhep, por edhe moral e ideal të ngritur, siç thotë edhe kënga: /“Me tre vetë luftën e nisi,/ si me kanë Misirlija,/ Avlla Aga, Kahremani,/ Zanin ja njeu Rumelija“./ Këngët tona historike karakterizohen nga përshkrimi real, qoftë i luftëtarëve tanë, qoftë atyre të armikut, duke formuar një tabllo mjaft bindëse dhe duke na vënë përpara skenave që na duken njëmend sejemi duke i parë e përjetuar.
Këngëtari popullor me një filozofi të rrallë shfrytëzon figurat tona legjendare siç ishte ajo e Skënderbeut, ku heroizmat e mëdha të tija u bënë shëmbëlltyrë e luftëtarëve shqiptarë, të cilët hynin në beteja me vetëdijen e lartë se janë stërnipërit e Skënderbeut, apo të Teutës e Agronit, sepse kjo ua shtonte fuqitë morale e i bënte guximtarë të rrallë. Ose ka raste kur në këto këngë përmenden edhe fytyra të tjera si psh: /“Me gajret po na vjen deka,/ do t´bajmë luftë si Tuçi e Leka/ me u knu n´kangë si u knu Gjin Leka“/. Por ka raste kur këngëtari u jep vullnet luftëtarëve, duke marrë si cytje fjalët e prindërve ose motrave e grave dhe këtu ndeshim këso vargje kur i jati i thot të birit: /“Qindro djal, ban gajret/ do t´kendojmë për shum vjet“/.
Në epiken tonë popullore historike, si vyrtyt i lartë moral e veçori pozitive e popullit tonë në kuadrin e mardhënieve kombëtare, një vend me rëndësi zë edhe BESA. Këngëtari e vë në pah për bukuri, por siç dihet edhe historikisht, shqiptarët niseshin në luftëra të përgjakshme, të lidhur me besa-besë, e kjo ndihmonte për mrekulli, mbasi duke e ditur se besa nuk thyhet, pavarësisht nga sakrificat që ndonjëherë duhej bërë në raste konkrete, binin në beteja me hove më të mëdha kundër armiqëve. Pos kësaj vihej re edhe vargu: „Neve jemi shqipëtarë“ , moto kjo që nxit ndjenjen e pastër patriotike e që lidhet ngushtë me besën e dhënë. Por kjo kishte edhe për qëllim dhënien e një kushtrimi për ngritjen e ndjenjës kombëtare ndaj atyre që e ndjenin veten si turq, grekër a diç tjetër, mbasi që fare qartë dihet se sundimtarët e ndryshëm kishin bërë ç´mos që në gjirin e popullit tonë të fusin ndasinë fetare, të identifikuar me elementin kombëtar për të na përqarë. E tani edhe njeriu më i thjeshtë e kishte kuptuar tradhtinë e ndytë që bëhej kundër tij nga ana e robruesve të atdheut. Andaj krenaria e luftëtarit shqiptar e vetëdijësuar për qenjen e tij, bëhej më e zjarrtë e hidhej në luftëra me hove edhe më të mëdha.
Një spikamë të posaqme e me rëndësi e japin edhe këngët të cilat pasqyrojnë botën femrore: të nënës dhe gruas, në rolet pozitive që lozin ato, qoftë në edukimin e trimave për ta dashur atdheun e për tu flijuar në ballë të tij, qoftë në pjesmarrjen aktive në proceset luftarake. Sipas këtyre këngëve, vend të posaqëm i lihet nënës, e cila e kishte barrën e edukimit të luftëtarëve e patriotëve, por në raste konkrete edhe të flijohet siç na e përshkruan edhe kënga: „/Mic Sokoli n´dy tagana, /Udha e marë, m´i ka thanë nana!/ Lufto bir
Ti për Shqipni,/ mos i len turqit me hi;/ n´koftë nevoja vi me ty /.
Kishte me mijëra nëna të këtilla shqiptare, disa prej të cilave këngëtarët u kushtuan vargje të bukura e të rralla, siç ishte rasti me nënën e Deli Pjetrit të shtatë shaljanët, Nëna e Tuçit, ajo e Rexhep Gashit nga Gjakova, e Jusuf Gërvallës etj. Por ne do të marrim shembullin e nënave të Preshevës që i nisin djemt në luftën e Vrajës duke i kujtuar:“/Për këtë ditë u kena rritë,/ burrat s´ban me u koritë“/. Mirpo në epin tonë, nëna luan edhe role të tjera, e në fytyrat e luftëtarëve tanë e para syve të tyre gjithëherë ishte nëna; kur ndinin lodhje „Oh nanë“, kur kishin dhimbje nga plagët e marra „Oh nanë“, apo para vdekjes ua linin amanetin e tyre pikrisht nënave, duke i porositur ato që të mos qajnë apo edhe duke ua lënë amanet armët e brezit. Ka raste edhe shumë prekse kur ua lënë amanet shokëve, që për vdekjen e të birit, nënës ti tregojnë ngadalë, siç është rasti me këngën e Jusuf Rexhës: „/Eu, po ua la ni amanet,/ ni qoft se dvet nana për mue,/ Thuj Jusufi te daja t´ka shkue. / Pra, ni dvet nana opet,/ Thuni e mur gjakun e babës t´vet“/.
Të dhënat historike vazhdimisht përkojnë me ciklin e këngëve, edhe pse nganjëherë vërejmë idealizmin në të përshkruarit e fytyrave të ndryshme ku rol vendimtar ka nëna.Mund të marrim shembull kur dashuria e popullit ishte mishërua në strategun e luftëtarin Ali Pashë Tepelenën, ku skalitet për bukuri profili luftarak i këtij pashaj, këtij „gjarpëri“ që drodhi dhenë, ku tani këngëtari i drejtohet nënës së Ali Pashajt: „/Hanko pash e Hanko nuer?/ Hanko kur polle Alinë,/ ndriti bota vetëtimë!/ Ali pashë Tepelenë,/ gjarpëri që piu dhenë!/ Bëri fet gjithë Morenë!“/.
Pothuaj në të gjitha ciklet e këngëve fytyra e nënës zë një vend të dendur por është me rëndësi se si skalitet në ciklin e këngëve të kaçakëve, kur ajo është plot kujdes për të birin; i friksohet vdekjes së tij dhe nuk dëshiron që i biri i saj të tregoj dobësi. Përkundrazi, e don birin trim dhe dëshiron t´ja ndjejë gajretin. Te kënga „Luftë po ban Rexhep Trimi“, nëna na paraqitet me të gjitha vyrtytet e nënës shqiptare; ajo duket krenare për birin e saj që di të luftoj me heroizëm dhe që vetveten e shpaguan për disa herë, prandaj çka tjetër pos: „Hallall bir, të kofshin gjitë!“ E tillë është edhe e ëma e Tuçit te kënga “Leka mbush e Tuçi qit” ku fare nuk vërehet frika për vdekjen e të birit, por brenga se:”Zot, a ka Tuçi fyshek?“

Një libër album për krimet e komunizmit në trevën e Vlorë


 

"Krimet e komunizmit në trevën e Vlorës, përgjatë luftës dhe regjimit komunist, janë të panumërta dhe të përbindshme si në të gjithë Shqipërinë, por krahasuar me krahinat e tjera janë më të shumta e më të përgjakshme, sepse Vlora ka qenë tradicionalisht një trevë me tradita e kontribute atdhetare, qytetare e demokratike dhe në atë periudhë ishte tërësisht nacionaliste, që iu kundërvu komunizmit e diktaturës", shkruan historiani Uran Butka në hyrje të librit album "Të quajturit armiq të popullit, krimi komunist në Vlorë", të autorit Fahri Shaska. Ky libër, që ka dalë në qarkullim ditët e fundit, jep një pasqyrë të asaj që ndodhi në periudhën 1945-1990 në rrethin e Vlorës, ku u vranë nga diktatura 426 persona, vdiqën në burg 49 të tjerë, ndërkohë që u dënuan me burg 864 vetë dhe u arratisën 498. Gjatë kësaj periudhe u shpallën "Armik i Populli", 1837 familje, të cilat sot përfaqësojnë rreth 9000 familje në të gjitha trevat e Vlorës. Duke dhënë një pasqyrë të kësaj lufte klasash, që u shoqërua me një bilanc të tillë, studiuesi Fahri Shaska, thotë për ATSH-në, se "me këtë botim, përmes fotove, kemi për qëllim të përjetësojmë ata që punuan për Shqipërinë, firmosën pavarësinë më 1912 dhe komunistët i dënuan dhe i quajtën armik populli, ata që më 1920 vulosën ekzistencën e shtetit shqiptar, i dënuan dhe i quajtën armik populli". Sipas tij, në këtë libër përmblidhen disa nga ata që megjithëse u internuan nga fashistët, apo u vranë nga nazistët, u cilësuan gjithashtu armik populli, ashtu sikundër edhe ata që kërkuan vendosjen e pluralizmit dhe të demokracisë dhe që morën të njëjtin epitet dhe pësuan të njëjtin fat. Përmes këtij libri-album, Shaska ka arritur të përcjellë etapat e luftës së klasave dhe mënyrat se si u aplikua ajo gjatë periudhës së regjimit komunist në Vlorë. Ai e nis me periudhën e tetor-dhjetor 1944, kur u arrestuan 327 persona, prej të cilëve u dënuan 213, për të vazhduar më pas me periudhën tjetër deri në shkurt të vitit 1947, kur ishin hapur 300 dosje për të dënuar, 296 për të arratisur, 2170 për të dyshuarit, 96 për të ekzekutuarit. Dhe kështu, përmes fotove të shoqëruara me një historik të shkurtër të çdo personazhi, studiuesi Fahri Shaska sjell për herë të parë një botim të tillë. Përmes ngjarjeve tronditëse dhe jetës së personazheve, ai përcjell mesazhin, se e kaluara e dhimbshme e periudhës së komunizmit nuk duhet harruar, sepse e ardhmja e këtij vendi nuk mund të ndërtohet pa zbardhur këto krime. Shaska sqaron për ATSH-në se, libri mbetet i hapur, sepse ka ende mjaft viktima që nuk janë pasqyruar në të dhe për këtë arsye, ai do të plotësohet në të ardhmen.

Kosova shkon në binar të duhyr




Rifat Jashari falënderoi për vizitat dhe përkrahjen e gjithë popullit shqiptar dhe porositi që të lihen anash inatet personale në mënyrë që Kosova shkojë në binarë të duhur.
Rifat Jashari u bën thirrje liderëve që t’i lënë anash grindjet

Nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, të shtunën ka nisur manifestimi treditor “Epopeja e UÇK-së”, me rastin e 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.
Me këtë rast Forca e Sigurisë së Kosovës organizoi manifestimin qendror me moton “Nderojmë Historinë- Ndërtojmë të Ardhmen”, në kazermën “Adem Jashari”, në të cilën morën pjesë drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, anëtarë të familjes Jashari, përfaqësues të komuniteteve fetare etj.
Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi kanë bërë inspektimin e trupave dhe kapaciteteve të FSK-së.
Me këtë rast, presidenti Pacolli ka thënë se themelet e shtetit tonë janë të forta falë gjakut të dëshmorëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, ndërsa tash duhet të punojmë për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Jeta e një shteti të ri ka nevojë për simbole të forta, rreth tyre forcohet ndërgjegjja kombëtare, inspirimet e gjeneratës së re, ato shërbejnë si pyka referimi për klasën politike. Simbolit të lirisë sonë, komandantit legjendar, Adem Jasharit dhe heronjve tjerë Zahir Pajaziti, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Fehmi dhe Xhevë Lladrofci e gjithë dëshmorët tjerë të kombit kanë vendos themelet e shtetit tonë”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se lufta heroike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij bashkoi gjithë shqiptarët kudo që janë ata në luftën për liri.
“13 vjet më parë familja Jashari, komandanti legjendar Adem Jashari, gjithë Kosova u zgjuan në një betejë për liri, për shtet, për bashkim. Atë ditë pushka e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, bashkëluftëtarëve të tij, bashkoi gjithë Kosovën, bashkoi gjithë shqiptarët kudo që jetonin, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, Ulqin dhe kudo në diasporë, në Evropën Perëndimore dhe SHBA. Atë ditë u bashkua Kosova, u bashkuan shqiptarët, por edhe zgjuan gjithë komunitetin ndërkombëtar me vëmendjen për Kosovën si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e saj, prandaj 5 marsi është dita e gëzimit të madh dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve, por është edhe dita e zgjimit të ndërgjegjes ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ministri i Forcës së Sigurisë (MFSK), Agim Çeku, ka thënë se jemi krenar që jemi bashkëkombës të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, të cilët sakrifikuan jetën e tyre që Kosova sot të gëzojë lirinë.
“Në këtë ditë ne shohim lavdinë tonë, i shohim të arriturat tona dhe të ardhmen tonë. Është dashur të bëjmë sakrifica të ndryshme për të arritur qëllimin tonë, krijimin e shtetit, tani është koha ta çojmë përpara këtë qëllim. Dhe këtë qëllim mund ta çojmë përpara duke ndërtuar shtet dhe institucione të fuqishme dhe me kredibilitet”, ka thënë ai. Ministri Çeku është zotuar se do të vazhdohet me punën për krijimin e FSK-së si forcë profesionale, në përputhje me standardet më të larta të NATO-s, ndërkohë që do të punohet për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
Ndërkaq, në emër të familjes Jashari, të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti, Bekim Jashari, i cili uroi që FSK-ja sa më shpejt të jetë partnere e NATO-s.
“Uroj që festat e ardhshme të festojmë ashtu siç duhet, por njëkohësisht, ushtria jonë Forca e Sigurisë së Kosovës, ashtu siç duket sot në një ditë sa më të afërt të jetë partnere e NATO-s “, ka thënë Jashari.
Në këtë manifestim nuk morën pjesë shoqatat e dala nga lufta, pasi që ata kanë thënë se nuk e njohin Behgjet Pacollin për president, për shkak të mos sqarimit të tij para Kuvendit rreth deklaratave në të kaluarën.
Para fillimit të manifestimit qendror në kazermën “Adem Jashari”, presidenti i Kosovës, Bexhet Pacolli vizitoi Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovë, ku është pritur nga njësia ceremoniale e FSK-së, ministri i MSFK-së, Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi.
* * * * * *
Me parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” ka nisur manifestimi treditor “Epopeja e UÇK-së”, me rastin e 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.
* * * * * *
Nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, sot fillon manifestimi treditor “Epopeja e UÇK-së”, me rastin e 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.
Forcat e Sigurisë së Kosovës me rastin e 13 vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari organizojnë sot manifestim qëndror që do të mbahet në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë.
Po ashtu sot, duke filluar nga ora 11:00 në këtë manifestim i pranishëm do të jetë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli i cili në cilësinë e komandantit suprem të Forcave të Sigurisë së Kosovës do ta bëjë inspektimin e trupave, kapaciteteve dhe pajisjeve të FSK-së.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se 13-vjet pas rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari vendi ynë është në rrugë të sigurt drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).
Ai këto komente i bëri me rastin e homazheve te Varrezat e Dëshmorëve në Prekazin legjendar, ku së bashku me zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës kanë nderuar veprën dhe sakrificën sublime të kryekomandantit legjendar Adem Jashari.
"Sot populli i Kosovës bën nderime shtetërore për komandantin legjendar Adem Jashari, familjen e tij, gjithë sakrificën e ushtarëve të UÇK-së, sakrificën e popullit të Kosovës. Sot kemi një ditë të bashkimit, e afrimit, e respektit për të kaluarën dhe për të marrë energji për të ardhmen, prandaj në emër të Republikës së Kosovës bëmë nderime shtetërore më të larta për komandantin legjendar Adem Jashari. 

Ne kemi fituar lirinë, kemi fituar pavarësinë, po e ndërtojmë shtetin tonë, jemi në rrugë të sigurt për t'u anëtarësuar në NATO dhe BE, prandaj në 13-vjetorin e rënies heroike të komandanti legjendar Adem Jashari Kosova është në rrugë të mbarë, në rrugë të suksesit, është një garanci e plotë për të ardhmen e saj euroatlantike", ka thënë kryeministri Thaçi.
* * * * * *
Krasniqi bëri homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz
Në 13-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekazin legjendar.
Ai me këtë rast ka thënë se Prekazi legjendar paraqet përmasën e dhimbjes dhe lavdisë kombëtare të popullit shqiptar, i cili sot pasi aty krisën pushkët

"Ne e zgjodhëm Prekazin për të ardhur në këto ditë për shkak të përmasës së dhimbjes dhe lavdisë të nivelit kombëtar që e ka dhe jemi të bindur që duke nderuar këtë përmasë të lavdisë dhe të dhimbjes kombëtare, ne nderojmë gjithë familjet shqiptare në Kosovë, i nderojmë gjithë kombin shqiptar dhe historinë e dhimbshme të tij, por njëkohësisht edhe të lavdishme", ka thënë Krasniqi.
* * * * * *
Pacolli: Në Prekaz u vulos pavarësia e Kosovës
Në 13-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në Prekazin legjendar. Ai me këtë rast ka thënë se Prekazi i bashkon të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe se aty është vulosur pavarësia e Kosovës.


"Prekazi është një vend që i bashkon të gjithë shqiptarët jo vetëm nga Kosova, por nga të gjitha trojet dhe diaspora. Lavdi dëshmorëve tanë, u qoftë i lehtë dheu i Kosovës. Këtu është vulosur pavarësia e Kosovës, të cilën ne e gëzojmë sot. Lavdi edhe njëherë të gjithë dëshmorëve që kanë rënë për lirinë e Kosovës", ka thënë Pacolli.
Homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në Prekaz do të bëjnë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të vendit, shoqatat e dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.
* * * * * *
Mbahen sot Homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz
Në 13-vjetorin e shënimit të Epopesë së lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejtues të institucioneve të vendit sot do të bëjnë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekazin legjendar.
Në ora 12:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë do të mbahet një akademi përkujtimore.
Manifestimi “Epopeja e UÇK-së” përmbyllet nesër në Prekaz me ndezjen e zjarreve dhe me një koncert në Skenderaj.

Ngjarjet e fillim marsit të vitit 1998 hynë në historinë më të re të Kosovës me tërë tragjedinë dhe madhështinë e vet, duke marrë shenjën e sakrificës sublime të njeriut dhe si të tilla u shndërruan në epopenë e lavdishme të UÇK-së, u tha në një akademi përkujtimore kushtuar komandantit Adem Jashari.
Nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, të dielën është mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij, e cila ra heroikisht për të mos vdekur kurrë 13 vjet më parë në Prekazin legjendar.

Të pranishëm në këtë akademi ishin struktura të larta të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, por jo edhe i pari i vendit, Behgjet Pacolli.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se falë luftës dhe sakrificës së Jasharajve dhe dëshmorëve tjerë ne sot po e përjetojmë lirinë dhe pavarësinë.
"5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998, vërtet hyri në historinë më të re të Kosovës me tërë tragjedinë dhe madhështinë e vet, ditët që në ritmin e vet brenda kalendarit do të ishin të rëndomta në rrethana të veçanta e morën shenjën e sakrificës sublime të njeriut dhe u shndërrua në Epope", ka thënë Krasniqi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, ka theksuar se rënia e komandantit legjendar Adem Jashari ishte një frymëzim për idetë më sublime të humanizmit dhe të demokracisë të vendosura në themelet e idesë së luftës së popullit tonë për liri dhe pavarësi.
"Sot në 13 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, po e përkujtojmë veprën e kryekomandantit të UÇK-së Adem Jashari, heroit të Kosovës, figurën madhështorë të udhëheqësit dhe të frymëzuesit tonë për liri, i cili skepticizmin dhe vetëmohimin të tij, dhe të familjes së tij i kapërceu kufijtë e reales dhe të mundshmes duke u shndërruar në frymëzim për brezin tonë dhe për brezat që do të vijnë", ka thënë Krasniqi.
Akademik Esat Stavileci, duke e çmuar lart veprën dhe kontributin e komandant Adem Jashari, porositi institucionet e vendit se sot më shumë se kurrë duhet të punojmë për të ndërtuar një shtet të fortë ashtu siç ishte synimi i luftëtarëve të lirisë.
"Sot përkulemi para varrezave të popullit e të kombit, përkujtojmë trimërinë dhe sakrificën e tyre për ta shkruar një faqe të re në historinë tonë për nxitjen, zhvillimin dhe përshpejtimin e proceseve për liri e pavarësi të Kosovës dhe të shqiptarëve", ka thënë ai.
Në emër të familjes Jashari, me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti Bekim Jashari, i cili uroi të gjithë shqiptarët për këtë përvjetor, duke porositur se ka ardhur koha që të punojmë së bashku dhe ta çojmë vendin përpara.
"Tash 13 vite neve ishim në Gjermani, dhe kur ndodhi rasti dhe shumë njerëz aty dhe njëri nga shokët i tha, baca Rifat, shumë ke dhënë, baca Rifat, 56 anëtarë të familjes të fisit të Jasharëve, mbahu i fortë. Baca Rifat i tha do të mbahem i fortë. Po si të mos mbahem ai pat thënë, kam dhënë 56, por kam fituar 7 milionë", ka thënë Jashari.
Ai u ka bërë thirrje liderëve të vendit që të lënë anash inatet individuale, dhe të bashkohen për të mirën e vendi.
Për të pranishmit në këtë akademi është shfaqur edhe një program kulturor-artistik.

LETER NGA FRITZ RADOVANI


http://floripress.blogspot.com/2011/03/lufta-e-klasave-ndaj-fritz-radovanit.html




rom:
To:
"Flori Bruqi" <floribruqi@yahoo.com>
O Flori,

Po ku dreqin e paske ruejte ate kombinim qe as une nuk e kam..?

Ha ha...E kishe harrue fare....Shndet Fritzi

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...