2011-03-07

Gjurmët e publicistikës së Konicës dje dhe sot

Faik Konica paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Për afro gjysmë shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese, etj, të cilat i botoi në organet që drejtonte vetë. Si publicist, kritik letrar dhe veprimtar politik që ishte, ai gjatë të gjithë veprimtarisë së tij, la gjurmë të gjithanshme e të thella në lëvizjen kombëtare, politike, ideore dhe kulturore shqiptare.


Nga Florentina Lata




Editori i revistës politike-letrare-kulturore “Albania”(1897-1909)-Faik Konica, siç është thënë nga shumë studiues të veprave të tij, është polemisti më i madh në kohën e vet. Konica konsiderohet kritiku i parë i letrave shqipe njëkohësisht edhe themeluesi i kritikës letrare. Ndryshe nga patriotët e tjerë, ky intelektual me frymëzim perëndimor e ambicie të mëdha, mendon dhe përpiqet të krijojë një vatër të lëvizjes shqiptare në mes të Evropës. Qysh në moshën 21-vjeçare, e nxori revistën “Albania”-n e cila ishte ne gjuhën Shqipe dhe Frënge . Në këtë revistë ai botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm etj. Ndonëse krijimtaria e tij mbeti e shpërndarë për një kohë të gjatë në shtypin e kohës dhe një pjesë është e papërfunduar, ai gjithmonë njihej dhe vlerësohej për veprat e rëndësishme si "Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit", cikli i tregimeve "Katër përralla nga Zullulandi", udhprshkrimi "Shqipëria si mu duk…" Ajo që duhet theksuar ka të bëjë me faktin se në trashëgimin dorshkrimore dhe atë të botuar, në krijimtarinë e Konicës vendin kryesor e zë publicistika.

Tema qendrore e publicistikës së Konicës ishte ajo atdhetare, problemet e lëvizjes kombëtare, fati i Shqipërisë etj.

Në një nga shkrimet e tij ai shkruan se “Armiqtë’ e Shqipërisë janë Shqiptarë,jo të tjerë. “Dëgjoni mire,në mos e dini!S’janë armiq vetëm duke ndenjur duart në gji,po ditë për ditë edhe ndryshe punojnë kundër mëmëdheut”.

Shqetësimet e Faikut për gjendjen dhe fatin e atdheut të robëruar shihen kudo ne shkrimet e tij. Sipas tij, s’ka në Evropë vend më të bukur e më të pasur se Shqipëria e megjithatë shqiptarët e gjorë vdesin nga uria dhe fajin për këtë e kanë pushtuesit turq që s’bëjnë asgjë për zhvillimin ekonomik dhe kulturor. Konica bën krahasime konkrete të Shqipërisë dhe vendeve tjera ne rajon dhe arrin në konkluzione praktike, kur arsyeton se çfarë të mirash do t’i sjellë Shqipërisë turizmi me bukuritë dhe begatitë e saj. Por turqit nuk bëjnë asgjë,- thotë ai,- dhe harrojnë të mirat që u kanë sjellë shqiptarët me gjakun e tyre. Në këtë gjendje të rëndë është atdheu i shqiptarëve, kur vendet e tjera të Ballkanit janë çliruar, “Shqipëria po fle akoma” dhe ai pyet “Kur do të zgjohet e shkreta?”

Me penën e tij bëri shumë miq dhe armiq. Disa miq i ktheu në armiq. Luftoi pothuajse me të gjithë: me Kristaq Zagrafin, , me Ismail Qemalin, Shahin Kolonjën, Asdrenin, Naimin, Gaspër Jakovën, me Nolin, Nikollë Ivanajn, me të cilin kërkoi edhe dyluftim. Polemizoi edhe me Avni Rrustemin…

“Mendimet e mëdha ,mendimet e bukura kanë edhe dëshmitarët edhe tradhtarët e tyre”... shkrimet e Konicës për dikë edhe nuk ishin të lehta për ti kuptuar dhe për këtë arsye u quajt “shkrimtari më i urryer në letërsinë shqipe”. Sepse ishte shumë më i ngritur se pjesa dërrmuese e atyre që e lexonin e si të tillë, nuk mund ta kuptonin filozofinë e shkrimeve të tij. Shkrimet dhe gjykimet që ai bënte në kohen e tij ngjajnë më shqetësimet tona sot. Një qind vjet më pas dhe asgjë pa ndryshuar. Mjafton vetëm ta lexojmë vëmendshëm veprën komplete të tij, për t’i kuptuar “ndryshimet” e kohës sot .

“Beg Faik – Dominik Koniza”, u lind më 15 mars 1876, në Konicë. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Konica paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Për afro gjysmë shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese, etj. të cilat i botoi në organet që drejtonte vetë. Si publicist, kritik letrar dhe veprimtar politik që ishte, ai gjatë të gjithë veprimtarisë së tij, la gjurmë të gjithanshme e të thella në lëvizjen kombëtare, politike, ideore dhe kulturore shqiptare.

SEVDIJE REXHEPI – „BALADË MBI BALAD“

Poezia është vokacion krijues për Sevdije Rexhepin. Poezitë e saj janë botuar e publikuar kudo nëpër shtypin e kohës. Kjo poetesh është prezantuar mjaftë mirë edhe nëpër portale interneti, poezia e saj është pritur mjaftë mirë dhe si rezultat i kësaj është në mesin e krijueseve dhe krijuesve të shumtë edhe në tri antologji të ndryshme që janë publikuar vite më parë në Tiranë.

Në vazhdën e këtyre sukseseve, sivjet Sevdije Rexhepi doli para lexuesit të saj me përmbledhjen më të re me poezi në gjuhën shqipe që mban një titull karakteristik në mes baladës si një krijim lirik dhe vendit të quajtur Balad, si sinonim i një realiteti tragjik, ku Sevdije Rexhepi vitet e saja në këtë vend i ka ngjizur si një krijim artistik në librin më të ri “BALADË MBI BALAD”.

Poezitë e këtij libri shquhen për një inovacion tematik e motivor pak më ndryshe se sa që jemi mësuar të lexojmë nga kjo autore. Ajo lexuesit i sjell një stil të ri të poezisë, të paktën në qasjet tematike ka shënuar një invencion cilësor. Pa dyshim poezitë e këtij libri janë më të përpunuara në aspektin estetik, (si tërësi gjithsesi), por ajo ka dëshmuar një përpjekje të saj për t’i dhuruar lexuesit një poezi më artistike në njërën anë, kurse në anën tjetër vërteton se krijimi i poezisë për te është një vlerë estetike e letrare në kuptimin më pozitiv të kësaj fjale.

Kjo përmbledhje me poezi ndahet në shtatë njësi ciklike ku përfaqësojnë të 104 poezitë më të reja të këtij libri, ndoshta ndonjërën prej tyre e kemi lexuar të publikuar nëpër gazeta a faqe interneti, si do qoftë tematika dhe motivi i këtyre poezive pak a shumë japin një tablo të konceptit poetik të ndarë nëpër këto njësi ciklike: “Bëhem hija jote”, “Ritual përditshmërie”, ”Shpirt i trëndafiltë”, “Formula vjetore”, “Hipotenuzë mungese”, ”Nata hipokrite”, dhe cikli “Udhëtimi pa itinerar”.

Si strukturë, përmbledhja e poezive “Baladë mbi Balad”, është sajuar si një lloj ditari i përjetimeve të saj në një zonë lufte në Irakun qendror. Gjithsesi vargu i saj ka shënuar një ngritje artistike, kurse mendimi poetik është më i përpunuar, gjë që na jep për të besuar se kjo poetesh poezinë e ka dhunti natyrore që posedon një lloj sensiviteti i cili më shumë pasqyron anën tjetër të shpirtit të saj krijues.

Përmbledhjen me poezi “Baladë mbi Balad”, është botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë 2010, kurse libri i ka 150 faqe.

Libri është i regjistruar edhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë: ISBN 978-9951-06-309-8.

Shefqet Dibrani

E qashtra poetike dhe perceptuese e vargut

Fatmir Terziu

Bujar Plloshtani shfaqet së fundi në fushën e letrave shqipe me një kombinim të ideve të tij tashmë të mirënjohura në fushën e filozofisë poetike. Shfaqet si një pikëtakim me artin e fjalës poetike, duke na prurë qashtër diapazonin kumtues që stilon "Mbi arsyen e fjalës". Kështu ai nuk emërzon apo shton thjesht një libër në sfondin bibliotekar, por dhuron një vëllim poetik për artin e të lexuarit në poezi.

Rreth njëqind poezitë e këtij vëllimi ngasin në kohë, moshë, hapësirë, diferencë dhe në gjeografi të ndryshme. Poeti e nis vëllimin e tij me poezinë e bukur "Këngë hungareze" të cilën ia përkushton stërgjyshes, Jolanda dhe përfundon me poezinë "Qyteti i vjetër". E vjetra, që nënshkruan memorjen e kulturës, po ashtu edhe identitetin, shfaqet mes këtyre ngarjeve si një dëshmi mes mesazhit poetik. Tek "Këngë hungareze" poeti sheh se "…rrënjët kanë të njëjtin emër,/e qielli me të vetmin shpirt ndryshon…", ndërsa tek "Qyteti i vjetër" ai dikton se si ky qytet i vjetër "… si manastiret antike hesht,/" dhe ashtu, pra ky qytet, "i vendosur në gji të malit t’lartë." jep e pikëtakon dhe sheh me syrin e tij: "Përjashta ka pak njerëz,/në rrugët me kalldërma mund të shohësh,/fëmijë dhe pleq me kapela…".

E ndërsa në të parën është lumi ndarës, pra "Danubi mbrëmjeve të vona po të ndan,/ku dritat si kupë qiellore poshtë qytetit lëshohen."; në poezinë e dytë është qyteti që e ka rritur dhe ai qytet që e thërret: "Qyteti i vjetër,/mua më thërret./Shikimin të hedh drejt kësaj arkitekture të gurtë,/që kureshtjen t’ma shuajë./Qytetin e Tetovës së vjetër,/s’do harroj unë të mburrem nesër dhe kurdoherë…" Më tej poeti zgjedh gjuhën dhe nënshkruan me metaforë "Kjo qetësi gjithë Hungarinë do kaplojë, qytetet emrin tënd do shqiptojnë./Një gjak të ngjizur kemi të dy,/edhe pse të ndarë./Ti s’më njohe kurrë,/as unë ty,/ose shumë pak."; duke plotësuar kështu atë që Eliot e quan "ndërlidhje" estetike të fjalës poetike mes ngasjeve. Më pas këto ngasje të filozofisë poetike ndajnë emocionalen që realizohet mes dedikimit për "A. S. Pushkin", rishfaqin gjeografinë e detajuar artistikisht mes vargut tek "Në Ohër", udhëtojnë në mënyrë imagjinare mes fjalës dhe artit të dallgëzuar tek "Anija", ndjekin mesazhin e përhimtë muzikor mes muzikës tek "Pianoja e bardhë" derisa autori rishfaqet me arsyen filozofike tek "Kontesha"; "Pallati mbretëror" për të na dhuruar "Buzëqeshja"; "Poetit"; "Violinë e zezë"... Në këtë vëzhgim dhe prurje poetike shfaqet qartë dhe ndjeshëm koncepti filozofik. Dhe më tej si një stacion i ndikuar ndalet tek "Dashuria".

Dashuria për poetin "…zbret.../ Hëna feks magjishëm, / plotësisht e argjendtë. / Qielli simpatik, / paksa i trishtë. / Toka e mërzitur, /më e errët se nata e qelisë. / Një qiri ndrit dhomën, / frymëzimin shpirtëror lajmëron. / Skaji i dritares që ngrin nga copëzat e akullit, / harxhohet një pendë mbi letër / duke zbardhur gjurmët e saj. / Dashuria zbret, edhe njohja, / në kohë të padrejtë, / tepër të hidhur. / Udha gjer te unë e shtruar me lotë, / nuk mbërrij dot në kohë. / Dashuria zbret, / ne jemi verbuar, / nuk shohim asgjë tek zbret."

Dashuria duket kështu, tejet tipike. Edhe pse në pak vargje, ajo mbetet, si një nga frymëzimet  e mëdha mes filozofisë së poetit Bujar Plloshtani. Ajo është një dashuri e mbajtur mes vargut dhe ngasjeve filozofike të poezisë. E tillë për ta depërtuar edhe atë pjesë të strukur në lëvizje dhe në zhvillim. Ajo është dashuri që nduket nga termi "i hutuar" dhe e kthyer nga vetë struktura e kompozuar e vargut në një lidhje të ngushtë me atë mesazh të gatuar  për të reflektuar. Ajo është dashuri që e thyen gjeografinë dhe të vjetrën dhe i bën ato "të vajtojnë" mes vargut shpërthyes.

Përvojën e tij në vargun me dashuri e shohim të pasur edhe me përmbushjen, si edhe me frustruesen dhe shkatërruesen forcë metafizike të jetës. Në poezi të tilla si "Natë vjeshte në kryeqytet"; "Një natë dimri"; "Letra e Perlës  Eduartit"; "Natyrë boshe"; "Dashuria zbret..."; "Botë e ngathët"; "Qytezë e zbrazur"; "Nga shpirti femëror"; "Një fluskë e kristaltë prej vere"; "Vjeshta filloi..."; "Dëshpërim i hidhur"; "Dimri i këtij dhjetori"; Trishtim dhjetori"; "Oksigjen shkurti "; "Imazh shpirtëror"; "Imazh intim"; "Pak për sytë jeshile" apo "Aromë jodi" dhe "Trup gruaje" poeti duket sikur jep një pamje të ngushtë realiteti të peneluar në fraktura postmoderne pikturash që dedikojnë dashurinë dhe elementët e saj me ngjyra të fuqishme. Kështu me këto ngjyra perceptimet dhe konceptet e dashurisë mund të identifikohen më lehtë edhe në poezi të tilla si "Këngë dëshpërimi"; "Trishtim"; "Gjethe vjeshte"; "Vjeshtë e plogësht"; Ne do të heshtim"; Mirupafshim"; "Lirisë"; Relikë" etj.

Për më tepër, ne mund të identifikojmë një zhvillim edhe në përshkrimin e dashurisë në poezinë e tij. Gjithashtu në këto poezi ne diktojmë edhe lëvizjen dialektike mes palëve të ndryshme të fiksuara si simbolika të dashurisë në poezi. Në disa poezi, ai e përshkruan atë si një fuqi pothuajse hyjnore. Në poezi të tjera, ai fillon të jetë dyshues, pra, nëse dashuria është e vërtetë dhe se ajo është apo jo një element në përmbushjen apo jo të misionit të saj. E ndërsa në këtë rast ai mbetet tejet perceptues dhe filozofik, në poezitë e tij më tej, fokusohet edhe në anët e errëta dhe destruktive të dashurisë. Këto koncepte të ndryshme të dashurisë do të jenë në fakt pikasja model që vjen nga e përshkruara në këtë vëllim poetik nëpërmjet analizës së poezive të zgjedhura që ne morëm në konsideratë.

E qashtra poetike dhe perceptuese e vargut të Bujar Plloshtanit nuk vjen si një eksperiment mes ngasjeve filozofike të vargut dhe fjalës së tij. Ajo është një prezencë logjike që karakterizohet nga shumëkuptueshmëria, dimensioni dhe dialektika e mesazhit që prodhohet në poezi. Në vetvete është e lidhur edhe me vetë kronologjinë në rritje të aktivitetit poetik të poetit, por edhe me vetë strukturën filozofike të poezisë së tij. Një strukturë që nuk diferencohet nga "e zakonshmja". Një e zakonshme që vjen si një retrospektivë e hershme e Kadaresë. Pra vetë shkrimtari Ismail Kadare na vjen në ndihmë kur thekson "e zakonshmja nuk na duket kurrë heroike. Kurse shpesh qëllon që është ashtu" (Kadare: "Emblema e dikurshme"; 1977:355). Shkrimi i Kadaresë u shfaq në fillim tek "Uzina që ka lidhje me bukën...", ndërsa më vonë u përdor nga kritiku Adriatik Kallulli në vitin 1978, kur ai analizoi romanin "Vëllezërit" të shkrimtarit Agim Cerga. François Maspéro (1932), shkrimtar dhe editor francez do të shkruante më vonë në vitin 1996, kur "Onufri" i Bujar Hudhrit do të botonte ekskluzivisht romanin "S.P.I.R.I.T.U.S" të Kadaresë: "Nën pushtetin e kësaj bote shtypëse, lexuesi endet mes kurtheve, mashtrimeve dhe maskave të shumëfishta. Gjestet e përditshme të çojnë drejt tragjedisë së lashtë, tiparet e njohura shndërrohen në ngërdheshje."

Ribotohet libri: Kujtimet

Titulli: KUJTIME 1885-1925

Eqrem bej Vlora

Që kur isha i ri, miq, po edhe të njohur dashamirës, të cilët ishin në dijeni të udhëtimeve të mia nëpër Shqipëri (1906 deri në 1912) dhe të interesit tim për studimet albanologjike, më kishin këshilluar të shkruaja diçka për këtë temë. Kundrejt këtyre nxitjeve qëllimmira unë jam treguar gjithmonë i përmbajtur dhe kjo për dy arsye: e para, se nuk e kam quajtur kurrë personin tim të rëndësishëm sa duhet dhe e dyta, se nuk i kam mbivlerësuar kurrë dijet e mia.

Por ngulmimi i miqve dhe i të njohurve të mi të mirë më shtynë një ditë prej ditësh t’i futesha një sprove. Përfundimi i këtij vendimi qenë ato veprat e vogla të rinisë të cilat u hartuan dhe u botuan ndërmjet 1906-ës dhe 1912-ës, shkrime të krijuara në një kohë të lumtur, entuziaste, madje pasionante, do të thosha, të jetës time. Shprehjet dhe mendimet, tablotë dhe konceptet e tyre pasqyrojnë ngazëllimin e tepruar për vendin tim dhe njerëzit e tij dhe, edhe pse përmbajtja i qëndron besnike së vërtetës, për shkak të njëanshnërisë së tyre, ato nuk mund të mëtojnë se i kanë bërë ndonjë shërbim shkencës. Ndonëse, nga ana tjetër, as e patën kurrë këtë qëllim dhe u menduan thjesht si përshkrime udhëtimi apo polemika me qëllim të mirë.

Pas vitit 1912 fati e deshi që unë të qëndroja në atdhe, në Shqipëri. Çlirimi prej sundimit otoman, pavarësia e tij, sollën realizimin e idealeve që pata ëndërruar në rininë time. Unë i shijova plotësisht kënaqësitë, po edhe hidhërimet e shumta që na solli ky sukses i papritur, por jam gjithashtu i bindur se, hiq qëndrimin tim të përkohshëm, sa vullnetar aq edhe të detyruar në Shqipërinë e lirë të viteve të para nuk do të kisha jetuar dot gjatë atje. Fërkimet e të gjitha llojeve, mungesa e rendit dhe intrigat, keqkuptimet edhe për gjërat më të thjeshta, ishin në Shqipërinë e asaj kohe dukuri bashkëshoqëruese normale për çdo këmbim mendimesh dhe për çdo veprimtari. Ato ishin pasojë e papjekurisë shpirtërore, shoqërore, ekonomike dhe politike të popullit, por në radhë të parë i zvetënimit moral të shtresave te larta dhe të mesme, që me kërkesat dhe mëtimet e tyre të pathemelta ia rënduan aq shumë jetën shtetit të ri, sa vështirë që ai të rritej e të zhvillohej i shëndetshëm. Kaosit të vështirësive të brendshme i shtoheshin ngatërresat e shteteve fqinje, të cilat kanë qenë prej kohësh një kërcënim i përhershëm për ekzistencën e Shqipërisë: grekët, serbët dhe italianët, por edhe turqit, rrekeshin t‘a mbysnin që në shpërgënj këtë foshnjë të lindur mes njerkash cmirëzeza. Të mos kishte qenë dora shpëtimtare e Monarkisë Austro-Hungareze ( së cilës, me hir apo pahir, iu bashkua edhe Italia), që u ngrit në mbrojtje të Shqipërisë, përpjekja e parë për të krijuar një Shqipëri të mëvetësishme, do të kishte qenë sot një ëndërr tashmë e harruar. Pastaj pllakosi Lufta e Parë Botërore. Pushtimi i Shqipërisë nga trupat e shteteve të ndryshme ndërluftuese, lufta e të gjithëve kundër gjithçkaje që mund të quhej rend, traditë, e drejtë dhe ligj, dallgët e pasioneve të lëshuara nga zinxhiri, që përmbytën edhe Shqipërinë për katër vjet të tëra, të gjitha këto lanë gjurmë të thella në formimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Në këto rrethana askujt nuk i shkonte mendja te puna mendore. Edhe pasi mbaroi lufta u desh një kohë mjaft e gjatë deri sa të mënjanoheshin vështirësitë politike dhe ekonomike. Pas rënies së sundimit turk dhe të trysnisë së tij, Shqipëria u bë një çmendinë. Rendi i vjetër patriarkal i jetës, sado primitiv, kishte mundur sadopak, t‘a mbante më këmbë strukturën e mykur shoqërore, e cila që nga koha e reformës së Tanzimatit kishte filluar të shkërmoqej. Pastaj dolën rishtarë aguridhë me idetë e tyre të parakohshme që filluan, edhe ata, ta shkundnin me sa mund këtë bina. Fillimisht ishin vetëm orvatje të druajtura, por sidoqoftë ishin veprime që e çoroditën popullin, prishën rendin e tij jetësor dhe krijuan probleme të reja, zgjidhja e të cilave në rrethanat ekzistuese ishte e pamundur. Ky lëmsh, me emërimin si kryeministër të peshkopit ortodoks Fan Noli në vitin 1924, erdhi dhe u shndërrua në një kaos të papërshkrueshëm që, detyrimisht, i solli popullit shqiptar diktaturën e Ahmet Zogut, diktaturë e cila, natyrisht, nuk u përgjigjej idealeve të një shteti demokratik, por së paku i siguronte vendit qetësinë politike. E në këto rrethana, afërmendsh, nuk ishte aspak e këshillueshme që, duke jetuar e punuar në vend, të shkruaje të vërtetën për Shqipërinë.

Tendosja e kësaj pasigurie politike që zgjati dymbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjet, e bëri popullsinë qytetare më të pjekur politikisht, por edhe më të papërgjegjshme. Shpirti i saj u trazua, mendja e saj u pushtua nga një frymë kryengritëse. Dhe nuk kishte më qeveri, nuk kishte më udhëheqës që mund ta bënte zap! Shtresa e mesme, pra ajo borgjezi mjerisht e pakët, e cila me ndikimin e saj të kufizuar, me mjetet e saj financiare jo aq të mëdha, me dijet më se modeste dhe organizimin tejet mangësor, kurrë nuk do të kishte shpresuar të merrte pushtetin u frynte urëve tashmë të shuara e të mbuluara nga hiri të urrejtjes klasore, për të krijuar kështu kushtet e përmbysjes me dhunë të rendit shoqëror dhe politik. Shtresa e mesme dhe gjysmë të arsimuarit në gjirin e saj, e ndjenin veten të lënë pas dore. Po a kishin të drejtë? Unë mendoj që jo. Nga radhët e saj kishin dalë pothuajse të gjithë nëpunësit shtetërorë, të gjithë mësuesit dhe oficerët po ashtu i përkisnin kësaj shtrese. Dhe sa më tepër që konsolidohej shteti shqiptar, aq më shumë, nëpërmjet arsimimit të tyre, dilnin në skenë elementë të rinj, aq më e madhe bëhej mundësia e shtresës së mesme për të shtënë në dorë administratën shtetërore. Por shtresa e mesme nuk dëshironte të priste, ndaj edhe komunizmi gjeti truall pjellor në atë fushë të kaosit shoqëror e politik dhe të luftës për pushtet. Në periudhën 1925–1939, shtresa e mesme, ziliqare për pronat dhe ndikimin që bejlerët zotëronin ende, u verbua aq shumë nga urrejtja, sa jo vetëm nuk e pikasi rrezikun komunist që po vinte, por, pa vetëdijë, edhe ndihmoi suksesin e tij.

Duhet të pohoj kështu, se në këto rrethana krejt të papranueshme dhe bezdisëse për qenien time, e kisha të pamundur të shkruaja diçka.Gjatë fëmijërisë unë nuk kisha pasur thuajse asnjë kontakt me popullin. Gjatë viteve të rinisë e pata parë atë me syzet e një entuziazmi të tepruar, kisha formuar një përfytyrim krejt vetjak për virtytet dhe cenet e tij, por edhe e kisha dashur atë me gjithë shpirt! Isha marrosur pas Shqipërisë: malet e saj të zhveshura karstike, fushat e saj moçalore, luginat e varfra, pyjet qerose, më dukeshin mrekullia vetë. Më pëlqente gjithçka e saj. Njerëzit e saj unë i shihja ose si heronj të keqkuptuar, ose si martirë të përndjekur padrejtësisht. Kjo sepse unë dashuroja pikërisht Shqipërinë “time”, krijesë të dëshirave, prodhim të fantazisë sime të ndezur dhe jo të vërtetën, e cila vetëm më vonë, në rrjedhë të shndërrimeve të lartpërmendura, m´u zbulua me tërë shëmtinë e saj reale.

Pas shumë e shumë zhgënjimesh, rryma e ngjarjeve më hodhi nga stuhia e Luftës së Dytë Botërore në shtrëngatën e rrëmbimit të pushtetit nga komunistët. Së bashku me mijëra shqiptarë të tjerë, dallgët e saj të harbuara më flakën edhe mua në brigje vendesh të huaja. Filloi atëherë dhe për mua një luftë e re, por tashmë një luftë për mbijetesë! E kjo është një luftë e vështirë, shumë më e vështirë sesa ajo që na u desh të bënim në vendin amtar. Ndonëse një ngushëllim më mbeti: dashuria për vendin tim. Ajo nuk humbi, vetëm sa ndryshoi trajtë. Përvoja që kisha fituar në përplasje me realitetin më kishte kushtuar shtrenjtë, (por ishte shumë e vlefshme), forca e qëndresës sime ishte rritur. Unë u zgjova nga ëndërrimet – mbase ca si vonë –dhe zbrita në tokë : u çlirova nga dashuria ime e tepruar, por edhe nga urrejtja tjetërsuese kundrejt gjithçkaje dështake. Sot unë i kuptoj gjërat më mirë dhe gjykoj më drejt. Tani, mbase, edhe mund të shkruaj.

Por, sa çudi! Të njohur, por edhe miq të huaj, si të ishin marrë vesh mes tyre, më këshilluan dhe më nxitën përsëri të shkruaja kujtimet e mia. E pranova atëherë, porosinë dashamirëse të Institutit për Evropën Juglindore në Mynhen, për të botuar kujtimet e mia së bashku me shënimet përkatëse. Ndonëse nuk e pata aspak të lehtë këtë vendim. Shpesh unë nuk ndiehem i sigurt për kujtimet e mia, jo aq për vetë ngjarjet, se sa për atë gjendjen shpirtërore aq të vështirë për t´u përcaktuar, brenda së cilës zhvillohen ngjarjet; më duket sikur mes së djeshmes dhe së sotmes ka rënë një perde e rëndë, e hekurt, sikur nuk kam qenë unë, por një tjetërkush, një i huaj, i cili i ka përjetuar të gjitha ato që kam parë, apo bërë unë vetë. Është kjo dobësi kujtese apo frikë përpara një detyre që mund të kapërcejë fuqitë e mia? Jo. Më tepër besoj se është një lloj reagimi i natyrshëm, një dëshirë e pavetëdijshme për të harruar të kaluarën e lumtur në këtë kohë të pashpresë që po jetoj.

Për të kryer këtë punë unë nuk pata asnjë shënim dhe asnjë dokument. Kam hedhur në letër vetëm ato që kishte ruajtur kujtesa ime. Shumica e blloqeve të mia të shënimeve, gjithë koleksioni im me histori të shkurtra që shkrova në periudhën 1912–19363, dorëshkrimi i vyer i të ndjerit tim atë me kujtimet e tij, të tëra humbën në dhjetor të vitit 1944, kur komunistët konfiskuan bibliotekën tonë në Vlorë. Nuk kisha pra, rrugë tjetër, veçse të mbështetesha në kujtesën time. Dhe ajo, lavdi zotit, nuk më la në baltë!

Nga ana tjetër jam i bindur se të gjithë ata që më nxitën dhe m´u gjendën pranë gjatë hartimit të dorëshkrimit, nuk se prisnin prej meje ndonjë vepër letrare apo shkencore, por vetëm dëshironin që tabloja e atyre kohëve dhe ngjarjeve shumë interesante që unë kisha përjetuar, të rilindte dhe të ruhej në të mirë dhe në dobi të brezave të ardhshëm.

Unë nuk e di nëse i kam përligjur apo jo këto shpresa. Mund të them vetëm se fatin e librit tim po e ndjek me zemër te dredhur. Ka të ngjarë që përmbajtja e tij të mos sjellë shumë risi. Fate si imi dhe i klasës sime nuk përbëjnë ndonjë dukuri të rrallë për këto kohë të trazuara në Evropën Qendrore dhe Lindore. Në dekadat e fundit shumë nga pinjojt e familjeve që qëndronin në majat e hierarkisë së shoqërisë njerëzore, janë rrëzuar teposhtë dhe kanë humbur nën gërmadhat dhe nën pluhurin e marrëzisë së barazimtarisë. Ç`ínteres mund të zgjojë pra, përmbysja e një dere të vogël fisnikësh shqiptarë?

Megjithatë besoj se kam të drejtë të them: padyshim ky libër ofron diçka që e vlen mundimin për ta njohur nga afër. Rrethanat evropianoqendrore dhe evropianolindore janë të njohura prej kohësh. Me qindra janë librat ku përshkruhet historia dhe mënyra e jetesës së fisnikërisë gjermane, austro-hungareze, polake dhe ruse. Përkundër, asgjë nuk dihet për shtresën e fisnikëve shqiptarë, e cila - vetëm disa orë fluturimi larg pothuaj të gjitha qendrave kulturore evropiane - deri dje ka jetuar dhe vepruar në mjedise thuajse mesjetare. Edhe në këtë vend kanë ndodhur përmbysje të paparashikuara. Njerëz dhe sende janë ndryshuar brenda natës. Asnjë ndryshim i mëparshëm i gjendjes politike dhe shoqërore në pesëqindvjetët e fundit nuk ka sjellë shndërrime më rrënjësore të rrethanave, sesa marrja e pushtetit nga komunistët. Njerëzit dhe gjërat iu nënështruan një riformimi të dhunshëm. Ky libër synon të sjellë tabllo të panjohura të proçesit transformues shqiptar.

Nëse ai e përmbush këtë qëllim, atëhere mund të themi se ka të drejtë të mëtojë edhe për vlera shkencore.

Libri është hartuar në një formë disi të pazakontë: ai përmban jetëshkrimin tim, tablora nga vitet e fëmijërisë, atyreve të rinisë, si edhe të pjesës së parë të periudhës së veprimtarisë sime politike, ekonomike dhe shoqërore ne Shqipëri. Për kohën pas vitit 1925 dhe për ditët e trishtme kur una u bëra top i fatit në vende të huaja, do të shkruaj në vëllimin e tretë5. Megjithatë, këtë renditje te vetëdijshme kronologjike unë e kam ndërthurur shpesh me shënime sqaruese, të cilat lidhen me tekstin në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Disa prej tyre janë marrë nga dorëshkrimi (1150 faqe)6, që e kam shkruar në vitin 1956, në bashkëpunim me të ndjerën baroneshë Ameli fon Godin (Amelie von Godin), mikeshën e madhe, të vyer dhe të nderuar të Shqipërisë. Për këto shmangje që përsëriten shpesh i lutem lexuesit për dashamirësi: ato ishin të domosdoshme.

Kujtimet ndyshojnë prej punëve të mia të mëparshme, tashmë të cituara, kryesisht se ato janë tejet objektive dhe besnike ndaj realitetit. Ato nxjerrin në pah jo vetëm tiparet e bukura dhe të mira të karakterit të popullit shqiptar, por edhe gabimet që janë karakteristike për të dhe që, shpesh, kanë pasur pasoja fatale. Përshkrimi i dritë-hijeve pra, bën të mundur të gjykohet saktë për karakterin e këtij populli dhe të shpjegohen shumë gjëra që kanë ndodhur. Shumica e librave të shkruara për Shqipërinë në këto 60 vjetët e fundit, nuk pasqyrojnë gjithmonë dhe aq fytyrën e vërtetë të vendit dhe të popullit, sesa, dhe më tepër, prirjen dhe qëllimin e autorit. Këtij mëkati nuk i kam shpëtuar tërësisht as unë. Veçse kësaj here, duke iu shmangur gjithçkaje që mund të jepte një tablo të shtrembër të Shqipërisë, unë kam marrë në sy edhe rrezikun që të damkosem si shpifës nga bashkëkombësit e mi. Jam përpjekur të them të vërtetën lakuriqe e madje, herë-herë, edhe me fjalë të hidhëta dhe të vrazhda.

Miku i madh i Shqipërisë, senatori francez, i ndjeri D´Ésturnelë dë Kostá (D´Éstournelles de Constant) më tha një ditë: “L´áme albanaise est un amalgame de bassesses et d´élevation!”. Çka, doemos, nuk qe ndonjë kritikë e nxitur nga urrejtja, por thjesht, një formulim ndofta, si tepër i fortë. E megjithatë kam frikë se ai shpreh në mënyrën më të qartë dhe më të përmbledhur ato kundërti jetëgjata, që dëshmohen në karakterin e popullit shqiptar dhe në sjelljen e tij.

Së fundi dëshiroj t´u shpreh falënderimet e mia të veçanta drejtorit të Institutit për Evropën Juglindore, zotit dr.Bernat (Bernath) dhe bashkëpunëtorit të tij, zotit fon Shrëder (von Schroeder), për nxitjen dhe mbështetjen e tyre dashamirëse në këtë punë. Ndihmë të madhe më tej, me fjalët e tyre të mira, me interesimin e tyre miqësor dhe me bashkëpunimin e tyre të çmuar, më kanë dhënë zoti prof. H. Nolc (Nolz) nga Universiteti i Vjenës, zonjusha Margot Gajger (Geiger), si edhe mbesa ime e dashur, e mençur dhe energjike, zonjusha Hana Këlcyra.

Edhe ata dëshiroj t´í falënderoj nga zemra.

Nga Bujar Plloshtani :Mariko Sumikura, poetja që beson në fjalën si shprehësi emocionale


Mariko Sumikura, poetja që beson në fjalën si shprehësi emocionale, nëpërmjet lirikave të saj na sjell dashurinë njerëzore, humanizmin dhe harenë shpirtërore përkundër trishtimeve të botës. Ajo sheh në fjalën që është kaq e thellë, dhe i beson asaj në mënyrë sensuale, sepse fjala e saj (natyra) nxjerr mendimin mbi fenomenet e natyrës dhe gjësendeve materiale e shpirtërore duke joshur ekzistencën njerëzore drejt paqes dhe njerëzores. I beson fjalës, ngase me anë të saj ajo shprehë dëshpërimin dhe dashurinë e njeriut drejt vullnetit të tij të nevojshëm. Poezia e saj ka karakter filozofik, dhe e orienton njeriun në pikëpamje më reale për natyrën si e drejtë natyrore duke bërë me dije se as shirat rrebeshe, e as dëshpërimet akute nuk e tretin burimin e shpresës së saj. Poezia e saj mbetet mishërim i dashurisë, shpresës, realitetit, ndieshmërisë, vullnetit për jetë.
Fjala e saj depërton në më të fshehtat shkallë të mendimit shpirtëror. Poezia e saj e interesuar të fusë filozofinë perëndimore brenda mendimit, ku njëherit tregon se arsyeja e saj poetike shkon aq larg, saqë Sekretin e prek me ndjenja; Natën e mbuluar me dritën e hënës e ndien; Zjarret e fjetura i zgjon për një këngë të bukur shpirtërore; Dritën e kapshme, pra të vërtetë e kthen drejt poezisë duke e harxhuar sikurse qiririn e neteve me muzë për një shpresë të re.
Poezitë "Sekret""Nata e mbuluar me dritën e hënës""Zjarret e fjetur""Kyoto jargavani""Natë dimri","Dritë e kapshme (e vërtetë)""Shi rrebesh""Hijet e zemrës" nxjerrin në dritë emocionin e brendshëm shpirtëror që një poet e fsheh me kohë nëpër qiej të ndryshëm duke pritur momentin t’i jetësojë në ekzistencë. Poezitë e saj kanë lëngun e një lirike të ndieshme, u hyn brenda bërthamës dhe i zhvillon me anë të fjalës së saj emocionale. Interpretimi i natyrës fizike në poezitë e Mariko Sumikurës janë veçse një realitet i ngjashëm me ekzistencën tonë sociale, e cila jep shpresë dhe ndiesi të reja të njohura tashmë për ekzistencën tonë njerëzore. Ajo dashuron liqenin, qiejt e bukur mistik, dimrin, të bukurën që jeton brenda virgjërisë së kësaj natyre, dhe këto bukuri ajo i shpreh në lirikat e saja prej pesë vargjesh. Një poezi e shkëlqyer japoneze që na dikton qetësinë shpirtërore, udhën drejt njohjes, ndieshmërinë femërore që është kaq e delikate sa fjala e saj e thellë.
Mariko Sumikura i këndon me aq dashuri e pasion "Kyoto jargavani", sepse ky është vendi i saj i krijimit, vendi ku arti i saj shpirtëror mbërrin gjer në qiej. Tek Kyoto, ajo i këndon liqenit që i sjell gëzimin, përkundër trishtimit që ky liqen e përmban brenda vetes, ku gëzimi dhe trishtimi përzihen bashkë dhe në arritje ka ngjyrën e jargavanit, që për të është shprehësi emocionale. Liqeni mistik "Kyoto jargavani" në njëfarë mënyre duket qartë se e frymëzon muzën e poetes Sumikura me dy elementet e kësaj ekzistence edhe atë me gëzimin dhe trishtimin, kur të dyja përzihen japin koloritetin e një liqeni me ngjyrë jargavani. Imagjinata e saj sjell jargavanin si një aromë drejt paqes dhe haresë, ku dhe liqeni që duket i trishtë, në anën tjetër mund të gëzojë virtytet njerëzore me dashuri e hare. Ngjyra jargavane e liqenit të Kyotos është një përzierje drejt të bukurës dhe solidaritetit mes njeriut dhe ekzistencës së tij.
Poezia e Mariko Sumikuras është një valëvitje që nuk ka fund, ku gjësendet e kësaj natyre shfaqen paksa madhështore. Gjithashtu dhe për mirësinë e zbaticave dhe baticave që rrjedhin brenda saj, ku e mira duhet të peshojë dhe anojë në magnetizimin e botës njerëzore si humanizëm i lirë shpirtëror, e aftë të shikojë e besojë në fjalën që është e thellë dhe emocionale...

Nga: Bujar Plloshtani : Johanna Featherstone, lundërtare e shpirtit poetik modern

Me poezinë "Tokyo Metro" Johanna Featherstone ngjiz modelin e poetes moderne australiane. Udha e saj është e ngjashme me vetveten, pra me lundrimin e shpirtit poetik modern, për të mësuar më shumë mbi ekzistencën dhe realitetin shoqëror.

Poezia e saj është më pak e ndier për nga vlimet ndiesore, dhe më shumë e theksuar në ngritjen deskriptive të realitetit shoqëror, sesi është krijuar e si vepron mbi principet e njohjes njerëzore. Johanna Featherstone është poete moderne që vështron mbi konceptet sociale të shoqërisë globale, e frymëzuar të njohë duke udhëtuar e duke u interesuar mbi kuptimin dhe ambiciet e ndryshme sociale e ndikuar nga kjo ekzistencë transite.

Në këtë poezi "Tokyo Metro" ajo shpreh modelin individual të shoqërisë japoneze, të cilët janë kaq të prirur, pra të vetëdijësuar për të paraqitur kulturën dhe traditën e tyre drejt një progresi të pazakontë. Racë e njehsuar, pra unike përgjatë udhëtimit të saj. Në të shkruar, në punë shkencore, në kulturë dhe traditë. "Tokyo Metro" pasqyron cilësinë e një kombi përparimtar në shkencë dhe teknikë, mandej ajo shpreh ambiciet e disa vajzave të reja që nëpërmjet shkencës nxitojnë të dhurojnë pak dashuri. Udhët japoneze të mbipopulluara me vajza dhe gra plaka të cilët edhe përkundër modhës së krisur, që kanë rënë në hark e dremitje ato ndeshen përditë me një ekzistencë dinamike e mjaft të pazakontë në veset, traditat dhe kulturën japoneze.
Johanna Featherstone, poete moderne që nëpërmjet poezive të saj paraqet dëshpërimin dhe pesimizmin shpirtëror si një akt që jetojnë brenda realitetit njerëzor. Në poezinë "Expectant" ajo nëpërmjet një guaske deti pasqyron jetën e njeriut modern, i cili, nga dinamizmi dhe depresioni i sotëm i kohës përballet me dëshpërimin, i cili i tundon drejt një ekzistence të ngjeshur me plot probleme dhe sfida jetësore. Por, përkundër dëshpërimit që sjell koha e sotme, ajo i këndon të bukurës në poezi, udhëtimeve shpirtërore duke u mbushur me plot energji shpirtërore. Përkundër depresionit, që ndodh shpeshherë në ditët e sotme, ajo shpreson se fundi mund të jetë më i virtytshëm, më i ngrohtë, nëse shpresojmë mbi vlerat tona të ardhshme. Ndryshimi brenda vetes mund të arrijë ta prekë me dorë të vërtetën e suksesit tonë. Mjafton një mëngjes e një horizont i ri të orientojë veten tonë drejt një ndryshimi që do të na shpie drejt të mirës së nevojshme. Duke pritur nuk mund aq lehtë të pasqyrosh të vërtetën njerëzore ose ndriçimin e shpirtit, por vetëm duke tentuar e shqyrtuar mbi fenomenet e përgjithshme të natyrës mund të ndryshojmë pikëpamjet tona të errëta. Mirëpo, edhe pritja, që do të thotë ndonjëherë durim, mund të sjell harenë e fatlume. Të shpresosh në vetveten, sidomos në një mëngjes me horizont të ri mund të vështrosh artin e shpirtit tënd si modelin më të favorshëm përgjatë kohës që do të ndryshosh në të mirën e domosdoshme.
Poetja Johanna Featherstone, megjithëse e re në moshë, ajo i premton poezisë anglishtfolëse se do ta ngre gjer në "majën" e poezisë moderne. Sepse fjala e saj, jo shumë e ndieshme për nga përmbajtja, por e thellë, e përplasur mes magjisë shpirtërore do të mund t’i pasqyrojë më bukur vlerat e shoqërisë njerëzore, tashmë e globalizuar. Johanna është vërtet një lundërtare e shpirtit edhe në poezi, në artin e saj të talentuar.

Nga Prof.dr. Agron Fico :Eposi shqiptar për betejën e Kosovës 1389


EPOSI SHQIPTAR PËR BETEJËN E KOSOVËS 1389 - NË NJË VËSHTRIM TË RI
(Anna Di Lellio: “Beteja e Kosovës 1389 - Eposi shqiptar”)


Prof. dr. Agron Fico

Libri i Dr. Anna Di Lellio-s “Beteja e Kosovës 1389 - Eposi shqiptar” shënon një arritje në studimet shqiptare dhe shquhet për analizën shumë-planesh. Aty gërshetohen të dhënat historike, sociologjike, kulturore dhe mbi të gjitha ato folklorike.


Akademik Eqrem Çabej jep kriteret e studimit të poezisë popullore

Do të veçoja si një nga kontributet e studimit të autores vështrimin tërësor e dyplanesh. Akademiku dhe albanologu i shquar Eqrem Çabej thotë: “Në studimin e poezisë popullore duhet të kemi parasysh dy aspekte: anën nacionale dhe anën ballkanike; e para, na vë në gjendje të vërejmë, nëpërmjet poezisë, shpirtin e këtyre kombeve, e dyta na bën të njohim ndërlidhjet kulturore. E para është një metodë sinkronike, e dyta diakronike. (Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, 1994, f. 32)


Studiuesja ka sjellë fakte të shumta se si janë ngjizur dhe si kanë jetuar baladat për Millosh Kopiliqin. Arkivat, autorët, historianët e ndryshëm, tregimtarët, lahutarët, dhe vetë vëzhgimet e autores në terren janë labortatori i punës së saj shkencore. Kjo është edhe arsyeja që libri i Dr. Anna Di Lellio-s lexohet me interes dhe ngjall diskutime.


Beteja e Kosovës më 1389 nyje-kyç për historinë e popullit shqiptar

Beteja e Kosovës më 1389 ka qenë përherë një nyje kyç për historinë e popullit shqiptar, por edhe për gjithë historinë e ngatëruar të popujve të Ballkanit.


Historia dhe ngjarjet faktike, kronikat e shumta dhe studimet e ndryshme e me kahje të kundërta, mitologjia e krijuar, legjendat, tradita gojore folklorike dhe politizimi i kësaj beteje edhe në ditët tona, e bëjnë studimin e kësaj ngjarjeje madhore tepër të ndërlikuar.


Studiuesja Anna Di Lellio ka marrë përsipër të shqyrtojë me seriozitet, me ndërtimin e një laboratori shkencor-kërkues objektiv, një nga dukuritë më të qenësishme të kësaj beteje - eposin shqiptar si dhe aktorin kryesor të betejës, Millosh Kopiliqin.


Studimi i Dr. Anna Di Lellio-s është tronditës për vlerat shkencore, për metodën objektive të ballafaqimit të pikëpamjeve dhe mendimeve të kundërta e disa herë tepër të skajshme, si dhe për përfundimet e reja që arrin. Studimi shoqërohet me një informacion të gjerë, me një bibliografi gati shteruese dhe dukuritë që shqyrton autorja i ndjek të në të gjitha fazat e shpalosjes.


Ekspedita ushtarake osmane që udhëhiqej nga vetë Sultan Murati synonte të shkatërronte qëndresën e popujve të Ballkanit, t’i nënshtronte dhe t’i vinte nën zgjedhën islamike.


Ndeshja midis koalicionit të popujve të Ballkanit dhe ushtrisë osmane u bë në Fushë Kosovë, më 1389. Kjo ndeshje, thënë fare shkurt, solli mundjen e forcave ballkanike, vrasjen e Sultan Muratit I, Llazari i Serbisë zihet rob e më pas ekzekutohet, Teodor Muzaku i II vritet në betejë.


Autorja, duke ndjekur planin e studimit, përqëndrohet fillimisht në shqyrtimin e literaturës që bën fjalë për faktorin shqiptar, për pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë betejë. Sjell pothuaj gjithë literaturën e njohur gjer sot. Burimet serbe, botimet dhe shkrimet serbe, ndjekin vijën antishqiptare, që fillon me zvogëlimin e pjesëmarrjes së forcave shqiptare, me mohimin e këtyre forcave, me deformimin dhe shtrembërimin e fakteve dhe personazheve. Autorja shkruan: “Reduktimi i Betejës në një përballje mes serbëve dhe turqve ka marrë forcën e idesë bazë nacionaliste, ndaj së cilës asnjë studiues nuk mban distancë kritike.” (f. 30)


Ndërsa burimet joserbe, ato otomane, italiane, greke, shqiptare, etj. provojnë faktin se shqiptarët ishin pjesëtarë të koalicionit të krishterë ballkanik.


Historiani i njohur shqiptar Fan S. Noli shkruan: “Më 1389, Gjergji i II Balsha, Teodori II Muzhaqi, Gjergji Kastrioti, një stërgjysh i Skënderbeut, edhe disa kapedanë shqiptarë të tjerë u bashkuan me Kralin Llazar të Serbisë, i cili kishte organizuar një kryqëzatë kundër Sulltan Muradit I… Ushtria kryqësore… u përpoq me ushtrinë turke në Fushën e Kosovës”. ( Fan S. Noli: “Historia e Skënderbeut”, Tiranë, 1967, f.10) Një tjetër historian shqiptar, Prof. Selami Pulaha thotë: “Në Kosovë, shqiptarët luftuan kundër ‘Islamit të prapambetur’ dhe zunë një vend nderi në historinë e popujve të Ballkanit në betejën për të mbrojtur jo vetëm lirinë dhe pavarësinë, por edhe civilizimin europian.” (Anna Di Lellio: Beteja e Kosovës 1389 - Eposi shqiptar, 2009, f.33)


Kompozicioni i studimit të autores të kujton formën e piramidave historike, kat pas kati gjer në pullaz.


Shqiptarët janë simbolizuar, tipizuar dhe mishëruar në figurën e Millosh Kopiliqit

Pjesa e dytë e studimit përqëndrohet te protagonisti i Eposit të Betejës së Kosovës më 1389, tek shqiptarët, të simbolizuar, të tipizuar, të mishëruar në figurën e Millosh Kopiliqit.


Kjo është edhe pjesa më e vështirë, më e diskutueshme, është siç mund të thuhej me një metaforë “thembra e Akilit” të këtij punimi serioz.


Autorja pajtohet me mendimin se, “Asnjë nga burimet e hershme nuk e përmend emrin apo përkatësinë etnike të vrasësit dhe japin përshkrime plotësisht ndryshe për vdekjen e Sulltanit.” (Po aty, f.34)


Nga burimet bashkëkohore që përmendin vdekjen e Sulltanit - thotë Di Lellio - i pari është një shtesë e shkurtër në poezinë epike të vitit 1390, “Iskendername”, shkruar nga Ahmedi, pseudonimi i një shkrimtari turk. Shkrimtari Ashik Pasha - Zade (më 1480) dhe shkrimtari serb Kostantin Mihailoviq nga Ostrovica (më 1497) përmendin emrin e vrasësit të Sulltanit. Pavarësisht nga forma si shkruhet emri, ky është Millosh Kobila.


Po ashtu burimet greke, italiane, etj. e përmendin protagonistin - vrasësin e Sulltanit - me emra të ndryshëm.


Një pyetje interesante do të ishte: Pse, nga tërë këto portrete të ndryshëm, gjithandej ka dalë qysh nga shekulli XVII vetëm si hero serb?


Bazuar në burimet e pasigurta historike dhe në traditën epike të Ballkanit Perëndimor është krijuar edhe rrëfimi nacional serb. “Bërja e këtij rrëfimi kombëtar, nuk është proces linear. Ka filluar me traditën gojore mbi Betejën, që është institucionalizuar në veçanti që në shekullin e XVI në forma liturgjike dhe politike të Kishës Ortodokse Serbe.” (Po aty, f.38) Madje shkrimtarët ortodoksë në letërsinë mesjetare serbe ishin përqëndruar në fillim tek princi Llazar, kurse Obiliqin e shpërfillnin plotësisht.


Millosh Obiliç-i përbën një element shtesë relativisht të ri në mitin serb të Kosovës. Siç u vu në dukje më sipër, figura e Obiliqit, e shpërfillur nga letërsia mesjetare serbe, përmendet vetëm në dy pjesë të botuara nga Vuk Karaxhiq, poet dhe folklorist i shekullit të XIX.


Tradita folklorike dhe të dhënat gojore pasqyrojnë ndërgjegjen historike të banorëve

Në Kosovë Millosh Kopiliqi tradicionalisht ka qenë vetëm hero folklori, një figurë e njohur vendore. Emri dhe bëmat i janë përcjellë e i përcillen brez pas brezi dhe janë skalitur edhe në toponime të shumta dhe të ndryshme. Ende dëgjohen toponimitë si: kullat e Milloshit, bunari i Milloshit, livadhi i Milloshit, etj. “Në fshatin Kopiliq i Epërm, sipas historianit vendas Ibrahim Çitaku, që më tregoi një pus (pusi i Milloshit), gurë të vegjël të bardhë të shpërndarë nëpër fushë (kisha e Milloshit) dhe më të mëdhenj me shenja të shlyera, që mbase të kujtonin kryqin, të vendosur në një kodër (gurë varresh krishtere)… dëshmi e së kaluarës krishtere të vendasve.” (Po aty, f.42)


Tradita folklorike dhe të dhënat gojore pasqyrojnë ndërgjegjen historike të banorëve. Ja disa prej tyre: “Jam nga Kopiliqi, ku ka lindur burri që vrau sulltanin.” Të moshuarit thonë: “Millosh Kopiliqi është prej këtu (Drenicë) dhe ndonëse Llazari ishte serb, Kopiliqi ishte i yni.”


Me një gjuhë bisedore, ja si lahutari shqiptar këndon për guximin trimëror të protogonistit, vrasësit të Sulltanit:

“Zgjatet mbreti e i jep kambën,

Ngrihet djali e i ban gjamën.

-Mik pa thirrë ka ardhë, aj,

Prej Azie n’Dardani,

Me na marrë magjet e miellit,

Me na zanë hisen e diellit.

Kjo Arbni ka bijtë e vet,

Të ven kryet maje kapicet,

Jam Miroshi prej Drenicet!” (Po aty, f.147)


Të dhënat gojore sjellin edhe fakte të tjera interesante. Justin Godart, politikan i njohur francez, mik i Shqipërisë, ka ardhur disa herë në Shqipëri në vitet 1921, 1922, 1923, 1937 dhe 1957. Herën e parë shkoi edhe në Qukës (Librazhd). Në ditar kujton se, “Selahedin Blloshmi, një oficer shqiptar, i cili na shoqëron, ngul këmbë që t’i bëj një nder duke vajtur për darkë në shtëpinë stërgjyshore të familjes, në Bërzheshtë. Selahedini, që mban emrin e një stërgjyshi, më tha se në shekullin e XIV, në Sopot, që është një lagje e Bërzeshtës, ka lindur Millosh Obiliçi. U largua nga vendi… vajti në Serbi… Dhe vrau me thikë sultan Muratin në Betejën e Fushë Kosovës.” (Justin Godart: “Ditarët shqiptarë, mars 1921- dhjetor 1951”, 2008, f.78)


Toponomastika shqiptare vërteton autoktoninë e popullit shqiptar

Antropologia Margaret Hasluck ka vërejtur se tradita e marrjes së emrave të fshatit si mbiemra ishte dhe vazhdon të jetë shprehi mes shqiptarëve. Hasluck ka parasysh se prejardhja e Milloshit nga Kopiliqi i Drenicës është dëshmuar me toponimi.


Çabej thotë: “Prej shumë vitesh kam formuar bindjen se toponomastika shqiptare përbën mbase dokumentin më kryesor që vërteton autoktoninë e popullit shqiptar… faktin që shqiptarët janë vendas në këto anë që nga kohët më të lashta të historisë, pa ndërprerje.”


Drenica është më shumë se një vend, një krahinë kryengritëse, që historianët vendas e identifikojnë si qendër të Dardanisë, banuar nga ilirët. “Në Drenicë kombi shqiptar ka prodhuar një vijë heroike të luftëtarëve të lirisë, që fillon me Millosh Kopiliqin me 1389 dhe vazhdoi me Ahmet Delinë, me Azem Galicën dhe gruan e tij Shotën, që luftuan kundër mbretërisë serbe, me Shaban Polluzhën, Tahir Metën dhe kulmojnë me epopenë e Adem Jasharit dhe familjes së tij më 1998.” (Po aty, f.46)


Baladat për heroin janë njëherazi historia dhe arti folklorik

Ndofta pjesa më interesante dhe më e mirëshkoqitur e studimit është ajo që i kushtohet vetë thelbit të eposit. Në variantet shqiptare të botuar nga Anna Di Lellio, pavarësisht nga ndyshimet midis tyre, ka një thelb, ka një kryemotiv - figura e Kopiliqit. Kjo figurë lartësohet në simbol të prejardhjes krishtere dhe të identitetit të shqiptarëve, që e pasuron më tej panteonin e heronjve dhe është themeli, baza e identitetit kombëtar. Luftëtari mesjetar nuk është vetëm simbol i karakterit shqiptar, por edhe dëshmi e së kaluarës së përbashkët të shqiptarëve me kombet e tjerë të Ballkanit.


Teorikisht dihet se këngët epike, historike ose legjendare ngërthejnë, krahas faktit, ngjarjes historike, edhe procesin krijues të bartësit. Baladat për heroin shqiptar, vrasësin e sulltan Muratit, Millosh Kopiliqin, janë njëherazi historia dhe arti folklorik.


Koha gërryen dhe shteron këngën, por thelbi i mbetet tek ndërgjegjia popullore

Një çështje më vete është edhe mosha e këtyre këngëve në këtë hark kohor gati 600-vjeçar, qysh nga Beteja e Kosovës më 1389. Koha dhe madje pushtimi i gjatë 5-shekullor islamik-osman e gërryen dhe e shteron edhe vetë këngën, por tek ndërgjegjia popullore mbetet shpirti, thelbi i saj.


Mendoj se, studimi, analiza e përkatësisë fetare, etnike dhe historike e pasuron dhe e provon shumëfish shqiptarësinë e këtij heroi, Millosh Kopiliqit.


Autorja thekson se traditat historike janë e ruhen të gjalla në Dardani, në Kosovën e sotme; ky shpirt heroik vjen nga Milloshi e gjer tek Adem Jashari.


Një meritë tjetër e studimit është ballafaqimi i tezave dhe mendimeve më të ndryshme të autorëve dhe institucioneve të shumtë shkencorë.


Heroi përfaqëson rrënjët kristiane-europiane të shqiptarëve

Cikli i këngëve për Betejën e Kosovës më 1389, në variantet e ndryshëm, i mëshon faktit se Millosh Kopiliqi përfaqëson heroin iliro-arbëresho-shqiptar, me rrënjë në Ilirinë e lashtë, Arbërinë mesjetare dhe Shqipërinë e kohëve të reja. Ai si hero përfaqëson rrënjët kristiane-europiane të shqiptarëve.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...