Titulli: KUJTIME 1885-1925
Eqrem bej Vlora
Që kur isha i ri, miq, po edhe të njohur dashamirës, të cilët ishin në dijeni të udhëtimeve të mia nëpër Shqipëri (1906 deri në 1912) dhe të interesit tim për studimet albanologjike, më kishin këshilluar të shkruaja diçka për këtë temë. Kundrejt këtyre nxitjeve qëllimmira unë jam treguar gjithmonë i përmbajtur dhe kjo për dy arsye: e para, se nuk e kam quajtur kurrë personin tim të rëndësishëm sa duhet dhe e dyta, se nuk i kam mbivlerësuar kurrë dijet e mia.
Por ngulmimi i miqve dhe i të njohurve të mi të mirë më shtynë një ditë prej ditësh t’i futesha një sprove. Përfundimi i këtij vendimi qenë ato veprat e vogla të rinisë të cilat u hartuan dhe u botuan ndërmjet 1906-ës dhe 1912-ës, shkrime të krijuara në një kohë të lumtur, entuziaste, madje pasionante, do të thosha, të jetës time. Shprehjet dhe mendimet, tablotë dhe konceptet e tyre pasqyrojnë ngazëllimin e tepruar për vendin tim dhe njerëzit e tij dhe, edhe pse përmbajtja i qëndron besnike së vërtetës, për shkak të njëanshnërisë së tyre, ato nuk mund të mëtojnë se i kanë bërë ndonjë shërbim shkencës. Ndonëse, nga ana tjetër, as e patën kurrë këtë qëllim dhe u menduan thjesht si përshkrime udhëtimi apo polemika me qëllim të mirë.
Pas vitit 1912 fati e deshi që unë të qëndroja në atdhe, në Shqipëri. Çlirimi prej sundimit otoman, pavarësia e tij, sollën realizimin e idealeve që pata ëndërruar në rininë time. Unë i shijova plotësisht kënaqësitë, po edhe hidhërimet e shumta që na solli ky sukses i papritur, por jam gjithashtu i bindur se, hiq qëndrimin tim të përkohshëm, sa vullnetar aq edhe të detyruar në Shqipërinë e lirë të viteve të para nuk do të kisha jetuar dot gjatë atje. Fërkimet e të gjitha llojeve, mungesa e rendit dhe intrigat, keqkuptimet edhe për gjërat më të thjeshta, ishin në Shqipërinë e asaj kohe dukuri bashkëshoqëruese normale për çdo këmbim mendimesh dhe për çdo veprimtari. Ato ishin pasojë e papjekurisë shpirtërore, shoqërore, ekonomike dhe politike të popullit, por në radhë të parë i zvetënimit moral të shtresave te larta dhe të mesme, që me kërkesat dhe mëtimet e tyre të pathemelta ia rënduan aq shumë jetën shtetit të ri, sa vështirë që ai të rritej e të zhvillohej i shëndetshëm. Kaosit të vështirësive të brendshme i shtoheshin ngatërresat e shteteve fqinje, të cilat kanë qenë prej kohësh një kërcënim i përhershëm për ekzistencën e Shqipërisë: grekët, serbët dhe italianët, por edhe turqit, rrekeshin t‘a mbysnin që në shpërgënj këtë foshnjë të lindur mes njerkash cmirëzeza. Të mos kishte qenë dora shpëtimtare e Monarkisë Austro-Hungareze ( së cilës, me hir apo pahir, iu bashkua edhe Italia), që u ngrit në mbrojtje të Shqipërisë, përpjekja e parë për të krijuar një Shqipëri të mëvetësishme, do të kishte qenë sot një ëndërr tashmë e harruar. Pastaj pllakosi Lufta e Parë Botërore. Pushtimi i Shqipërisë nga trupat e shteteve të ndryshme ndërluftuese, lufta e të gjithëve kundër gjithçkaje që mund të quhej rend, traditë, e drejtë dhe ligj, dallgët e pasioneve të lëshuara nga zinxhiri, që përmbytën edhe Shqipërinë për katër vjet të tëra, të gjitha këto lanë gjurmë të thella në formimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Në këto rrethana askujt nuk i shkonte mendja te puna mendore. Edhe pasi mbaroi lufta u desh një kohë mjaft e gjatë deri sa të mënjanoheshin vështirësitë politike dhe ekonomike. Pas rënies së sundimit turk dhe të trysnisë së tij, Shqipëria u bë një çmendinë. Rendi i vjetër patriarkal i jetës, sado primitiv, kishte mundur sadopak, t‘a mbante më këmbë strukturën e mykur shoqërore, e cila që nga koha e reformës së Tanzimatit kishte filluar të shkërmoqej. Pastaj dolën rishtarë aguridhë me idetë e tyre të parakohshme që filluan, edhe ata, ta shkundnin me sa mund këtë bina. Fillimisht ishin vetëm orvatje të druajtura, por sidoqoftë ishin veprime që e çoroditën popullin, prishën rendin e tij jetësor dhe krijuan probleme të reja, zgjidhja e të cilave në rrethanat ekzistuese ishte e pamundur. Ky lëmsh, me emërimin si kryeministër të peshkopit ortodoks Fan Noli në vitin 1924, erdhi dhe u shndërrua në një kaos të papërshkrueshëm që, detyrimisht, i solli popullit shqiptar diktaturën e Ahmet Zogut, diktaturë e cila, natyrisht, nuk u përgjigjej idealeve të një shteti demokratik, por së paku i siguronte vendit qetësinë politike. E në këto rrethana, afërmendsh, nuk ishte aspak e këshillueshme që, duke jetuar e punuar në vend, të shkruaje të vërtetën për Shqipërinë.
Tendosja e kësaj pasigurie politike që zgjati dymbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjet, e bëri popullsinë qytetare më të pjekur politikisht, por edhe më të papërgjegjshme. Shpirti i saj u trazua, mendja e saj u pushtua nga një frymë kryengritëse. Dhe nuk kishte më qeveri, nuk kishte më udhëheqës që mund ta bënte zap! Shtresa e mesme, pra ajo borgjezi mjerisht e pakët, e cila me ndikimin e saj të kufizuar, me mjetet e saj financiare jo aq të mëdha, me dijet më se modeste dhe organizimin tejet mangësor, kurrë nuk do të kishte shpresuar të merrte pushtetin u frynte urëve tashmë të shuara e të mbuluara nga hiri të urrejtjes klasore, për të krijuar kështu kushtet e përmbysjes me dhunë të rendit shoqëror dhe politik. Shtresa e mesme dhe gjysmë të arsimuarit në gjirin e saj, e ndjenin veten të lënë pas dore. Po a kishin të drejtë? Unë mendoj që jo. Nga radhët e saj kishin dalë pothuajse të gjithë nëpunësit shtetërorë, të gjithë mësuesit dhe oficerët po ashtu i përkisnin kësaj shtrese. Dhe sa më tepër që konsolidohej shteti shqiptar, aq më shumë, nëpërmjet arsimimit të tyre, dilnin në skenë elementë të rinj, aq më e madhe bëhej mundësia e shtresës së mesme për të shtënë në dorë administratën shtetërore. Por shtresa e mesme nuk dëshironte të priste, ndaj edhe komunizmi gjeti truall pjellor në atë fushë të kaosit shoqëror e politik dhe të luftës për pushtet. Në periudhën 1925–1939, shtresa e mesme, ziliqare për pronat dhe ndikimin që bejlerët zotëronin ende, u verbua aq shumë nga urrejtja, sa jo vetëm nuk e pikasi rrezikun komunist që po vinte, por, pa vetëdijë, edhe ndihmoi suksesin e tij.
Duhet të pohoj kështu, se në këto rrethana krejt të papranueshme dhe bezdisëse për qenien time, e kisha të pamundur të shkruaja diçka.Gjatë fëmijërisë unë nuk kisha pasur thuajse asnjë kontakt me popullin. Gjatë viteve të rinisë e pata parë atë me syzet e një entuziazmi të tepruar, kisha formuar një përfytyrim krejt vetjak për virtytet dhe cenet e tij, por edhe e kisha dashur atë me gjithë shpirt! Isha marrosur pas Shqipërisë: malet e saj të zhveshura karstike, fushat e saj moçalore, luginat e varfra, pyjet qerose, më dukeshin mrekullia vetë. Më pëlqente gjithçka e saj. Njerëzit e saj unë i shihja ose si heronj të keqkuptuar, ose si martirë të përndjekur padrejtësisht. Kjo sepse unë dashuroja pikërisht Shqipërinë “time”, krijesë të dëshirave, prodhim të fantazisë sime të ndezur dhe jo të vërtetën, e cila vetëm më vonë, në rrjedhë të shndërrimeve të lartpërmendura, m´u zbulua me tërë shëmtinë e saj reale.
Pas shumë e shumë zhgënjimesh, rryma e ngjarjeve më hodhi nga stuhia e Luftës së Dytë Botërore në shtrëngatën e rrëmbimit të pushtetit nga komunistët. Së bashku me mijëra shqiptarë të tjerë, dallgët e saj të harbuara më flakën edhe mua në brigje vendesh të huaja. Filloi atëherë dhe për mua një luftë e re, por tashmë një luftë për mbijetesë! E kjo është një luftë e vështirë, shumë më e vështirë sesa ajo që na u desh të bënim në vendin amtar. Ndonëse një ngushëllim më mbeti: dashuria për vendin tim. Ajo nuk humbi, vetëm sa ndryshoi trajtë. Përvoja që kisha fituar në përplasje me realitetin më kishte kushtuar shtrenjtë, (por ishte shumë e vlefshme), forca e qëndresës sime ishte rritur. Unë u zgjova nga ëndërrimet – mbase ca si vonë –dhe zbrita në tokë : u çlirova nga dashuria ime e tepruar, por edhe nga urrejtja tjetërsuese kundrejt gjithçkaje dështake. Sot unë i kuptoj gjërat më mirë dhe gjykoj më drejt. Tani, mbase, edhe mund të shkruaj.
Por, sa çudi! Të njohur, por edhe miq të huaj, si të ishin marrë vesh mes tyre, më këshilluan dhe më nxitën përsëri të shkruaja kujtimet e mia. E pranova atëherë, porosinë dashamirëse të Institutit për Evropën Juglindore në Mynhen, për të botuar kujtimet e mia së bashku me shënimet përkatëse. Ndonëse nuk e pata aspak të lehtë këtë vendim. Shpesh unë nuk ndiehem i sigurt për kujtimet e mia, jo aq për vetë ngjarjet, se sa për atë gjendjen shpirtërore aq të vështirë për t´u përcaktuar, brenda së cilës zhvillohen ngjarjet; më duket sikur mes së djeshmes dhe së sotmes ka rënë një perde e rëndë, e hekurt, sikur nuk kam qenë unë, por një tjetërkush, një i huaj, i cili i ka përjetuar të gjitha ato që kam parë, apo bërë unë vetë. Është kjo dobësi kujtese apo frikë përpara një detyre që mund të kapërcejë fuqitë e mia? Jo. Më tepër besoj se është një lloj reagimi i natyrshëm, një dëshirë e pavetëdijshme për të harruar të kaluarën e lumtur në këtë kohë të pashpresë që po jetoj.
Për të kryer këtë punë unë nuk pata asnjë shënim dhe asnjë dokument. Kam hedhur në letër vetëm ato që kishte ruajtur kujtesa ime. Shumica e blloqeve të mia të shënimeve, gjithë koleksioni im me histori të shkurtra që shkrova në periudhën 1912–19363, dorëshkrimi i vyer i të ndjerit tim atë me kujtimet e tij, të tëra humbën në dhjetor të vitit 1944, kur komunistët konfiskuan bibliotekën tonë në Vlorë. Nuk kisha pra, rrugë tjetër, veçse të mbështetesha në kujtesën time. Dhe ajo, lavdi zotit, nuk më la në baltë!
Nga ana tjetër jam i bindur se të gjithë ata që më nxitën dhe m´u gjendën pranë gjatë hartimit të dorëshkrimit, nuk se prisnin prej meje ndonjë vepër letrare apo shkencore, por vetëm dëshironin që tabloja e atyre kohëve dhe ngjarjeve shumë interesante që unë kisha përjetuar, të rilindte dhe të ruhej në të mirë dhe në dobi të brezave të ardhshëm.
Unë nuk e di nëse i kam përligjur apo jo këto shpresa. Mund të them vetëm se fatin e librit tim po e ndjek me zemër te dredhur. Ka të ngjarë që përmbajtja e tij të mos sjellë shumë risi. Fate si imi dhe i klasës sime nuk përbëjnë ndonjë dukuri të rrallë për këto kohë të trazuara në Evropën Qendrore dhe Lindore. Në dekadat e fundit shumë nga pinjojt e familjeve që qëndronin në majat e hierarkisë së shoqërisë njerëzore, janë rrëzuar teposhtë dhe kanë humbur nën gërmadhat dhe nën pluhurin e marrëzisë së barazimtarisë. Ç`ínteres mund të zgjojë pra, përmbysja e një dere të vogël fisnikësh shqiptarë?
Megjithatë besoj se kam të drejtë të them: padyshim ky libër ofron diçka që e vlen mundimin për ta njohur nga afër. Rrethanat evropianoqendrore dhe evropianolindore janë të njohura prej kohësh. Me qindra janë librat ku përshkruhet historia dhe mënyra e jetesës së fisnikërisë gjermane, austro-hungareze, polake dhe ruse. Përkundër, asgjë nuk dihet për shtresën e fisnikëve shqiptarë, e cila - vetëm disa orë fluturimi larg pothuaj të gjitha qendrave kulturore evropiane - deri dje ka jetuar dhe vepruar në mjedise thuajse mesjetare. Edhe në këtë vend kanë ndodhur përmbysje të paparashikuara. Njerëz dhe sende janë ndryshuar brenda natës. Asnjë ndryshim i mëparshëm i gjendjes politike dhe shoqërore në pesëqindvjetët e fundit nuk ka sjellë shndërrime më rrënjësore të rrethanave, sesa marrja e pushtetit nga komunistët. Njerëzit dhe gjërat iu nënështruan një riformimi të dhunshëm. Ky libër synon të sjellë tabllo të panjohura të proçesit transformues shqiptar.
Nëse ai e përmbush këtë qëllim, atëhere mund të themi se ka të drejtë të mëtojë edhe për vlera shkencore.
Libri është hartuar në një formë disi të pazakontë: ai përmban jetëshkrimin tim, tablora nga vitet e fëmijërisë, atyreve të rinisë, si edhe të pjesës së parë të periudhës së veprimtarisë sime politike, ekonomike dhe shoqërore ne Shqipëri. Për kohën pas vitit 1925 dhe për ditët e trishtme kur una u bëra top i fatit në vende të huaja, do të shkruaj në vëllimin e tretë5. Megjithatë, këtë renditje te vetëdijshme kronologjike unë e kam ndërthurur shpesh me shënime sqaruese, të cilat lidhen me tekstin në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Disa prej tyre janë marrë nga dorëshkrimi (1150 faqe)6, që e kam shkruar në vitin 1956, në bashkëpunim me të ndjerën baroneshë Ameli fon Godin (Amelie von Godin), mikeshën e madhe, të vyer dhe të nderuar të Shqipërisë. Për këto shmangje që përsëriten shpesh i lutem lexuesit për dashamirësi: ato ishin të domosdoshme.
Kujtimet ndyshojnë prej punëve të mia të mëparshme, tashmë të cituara, kryesisht se ato janë tejet objektive dhe besnike ndaj realitetit. Ato nxjerrin në pah jo vetëm tiparet e bukura dhe të mira të karakterit të popullit shqiptar, por edhe gabimet që janë karakteristike për të dhe që, shpesh, kanë pasur pasoja fatale. Përshkrimi i dritë-hijeve pra, bën të mundur të gjykohet saktë për karakterin e këtij populli dhe të shpjegohen shumë gjëra që kanë ndodhur. Shumica e librave të shkruara për Shqipërinë në këto 60 vjetët e fundit, nuk pasqyrojnë gjithmonë dhe aq fytyrën e vërtetë të vendit dhe të popullit, sesa, dhe më tepër, prirjen dhe qëllimin e autorit. Këtij mëkati nuk i kam shpëtuar tërësisht as unë. Veçse kësaj here, duke iu shmangur gjithçkaje që mund të jepte një tablo të shtrembër të Shqipërisë, unë kam marrë në sy edhe rrezikun që të damkosem si shpifës nga bashkëkombësit e mi. Jam përpjekur të them të vërtetën lakuriqe e madje, herë-herë, edhe me fjalë të hidhëta dhe të vrazhda.
Miku i madh i Shqipërisë, senatori francez, i ndjeri D´Ésturnelë dë Kostá (D´Éstournelles de Constant) më tha një ditë: “L´áme albanaise est un amalgame de bassesses et d´élevation!”. Çka, doemos, nuk qe ndonjë kritikë e nxitur nga urrejtja, por thjesht, një formulim ndofta, si tepër i fortë. E megjithatë kam frikë se ai shpreh në mënyrën më të qartë dhe më të përmbledhur ato kundërti jetëgjata, që dëshmohen në karakterin e popullit shqiptar dhe në sjelljen e tij.
Së fundi dëshiroj t´u shpreh falënderimet e mia të veçanta drejtorit të Institutit për Evropën Juglindore, zotit dr.Bernat (Bernath) dhe bashkëpunëtorit të tij, zotit fon Shrëder (von Schroeder), për nxitjen dhe mbështetjen e tyre dashamirëse në këtë punë. Ndihmë të madhe më tej, me fjalët e tyre të mira, me interesimin e tyre miqësor dhe me bashkëpunimin e tyre të çmuar, më kanë dhënë zoti prof. H. Nolc (Nolz) nga Universiteti i Vjenës, zonjusha Margot Gajger (Geiger), si edhe mbesa ime e dashur, e mençur dhe energjike, zonjusha Hana Këlcyra.
Edhe ata dëshiroj t´í falënderoj nga zemra.
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...