2011-03-07

Faqe virtuale :http://krijimtariaime.webnode.com/


Në këtë faqe modeste,  mund  të lexoni   shumë  shkrime në prozë,poezi etj.nga shkrimtari,poeti,publicisti,gazetari dhe atdhetari Vullnet Mato ...













POEZI NGA JORGO TELLO


BESARTA E JASHARËVE

=Poemë – baladë=
(Në kujtim të 13 vjetorit të Luftës legjendare të Prekazit )

O m’e vogla e fisit t’Jasharaëve,
Me diellin - kuvend
në mëngjes, mbrëmje.
Kredhur e tëra në vorbullën e ngjarjeve…
Kush di ç’bluaje
në të dëlirtën mendje…

Në lëndinë fluturat e në pemë zogjtë
Në vapë mërdhinin
kundruall syve të tu.
Dhe t’i shihje përpjetë, mandej edhe teposhtë;
E etur si Kosova
për një qiell blu….

E etur si Kosova për jetë të pavranët
Për jetë gazmore,
Gazmend në çdo vatër
E etur për një truall ku s’gjenden tiranët;
Ku jeta rrit shtatin
në troje të pastër…

Ngarendja në traditë, vlerat qet në dritë.
Ç’gërmohet nëpër shekuj,
latohet në kujtesë…
Me yjet e Prekazit – bashkuar yjësitë
Të ngjizur në flamur
me të thekshmen besë…

Zgjedhin dallëndyshet, mandej ngrënë çerdhen;
Punojnë nën skërmitjet
e maçokut të zi…!
Kështu dhe jasharët tok në kullë kthehen
Në kullën – kështjellë
t’etur për liri.

Besarta ndër ëndrra jetonte tjetër jetë.
I shprehur gazmimi
nëpër buzëqeshje.
Ia shihte veç mëma buzëqeshjen e lehtë
Përlindur te buza
në të gjumit heshtje.

Po rritej me ëndrra një trembëdhjet’ vjeçare.
Me dashurinë e Adiles,
Me virtytet e Ademit
Më të brishtës lule të fisit të Jasharajve
Oh, ç’i panë sytë
në ditët e tmerrit!

Ata sy që shihnin veç lule lëndinash
U desh të vështronin
më makabret pamje…
Harroi Besarta bukuri rudinash
U ndesh me çnjerëzoret
masakrat serbiane…

“S’na tremb dot, o shkja, - thirrte gjysh Shabani
S’jemi siç mendon,
s’jemi bagëti!
Predhat mbi çati shembën dhe tavanin
Në rrethim të dytë
prej ujkut lubi…

Si kështjella e Krujës para 500 vitesh
U mbajt e rrethuar
Kulla e Adem trimit…
Polic’ e ushtarë – rrethim mbas rrethimesh;
Adem komandantin
në dorë të shtinin…

Përdorën soje armësh gjer dhe minahedhëse
Ta shkrumbonin kullën,
Kullën qëndrestare…
Shikonte Besarta, njomzakja lulembledhëse
Si shembej çatia
Dyer e dritare…

Kërkonin Ademin, ku dinin gjë bishat;
Nuk binte në kurth
aq kollaj luani…
Tutje në shpin’ kodrash trandnin degët pishat ;
Pishat sikur flisnin:
Mizorinë të ndalnin.


Pemët paqësore u përfshinë në luftë.
Shihnin kriminelët
turrur n’errësirë.
E dinin…Ademi… ai mjekërxhufkë
Në mungesë dënuar,
s’pranonte zixhirë…

Si mund që luani të mbyllej n’kafaz?
A gjendej burrë nëne
ta shtinte në kurth…?
Ndaj makina sërbe u kredh në “maraz”
Dhe mbas çdo të shtëne
shfrynte plot me duf…!

Njëzet vjet vendimi… mbyllje në qeli.
I dyti rrethim
shpejt u përgatit.
Kulla s’njihte heshtje… priste me qetësi
Shabani me Hamzën
U gjendën në pritë…

Si mund ta lëshonin qetas atë kullë?
Si ta shkelnin besën
Dhënë Adem birit?
Qe luft’ e vërtetë e jo thjesht’ një shpullë;
Kafshonte kuçedra
dhe foshnjat e gjirit.

Ku ta dinin “-içët” se në atë strehë
Tjerrur nëpër mote
Ngjarje e kujtime…
Ku ta dinin “-içët” , heu, se sa jetë
çelën n’atë kullë,
që nuk ulte krye…

Lum, hej, trimëria që gjëmon si shpellë!
Turrin nis te sheshi,
Ngjit malet e larta…
Lum, hej, trimëria që hyn në legjendë!
Nuk e tremb rrebeshi,
nuk e mbraps shtrëngata.

A mund të lëshohen lehtë’ e qetë – qetë
vatra ku je lindur,
trojet ku je rritur?!
Veç një Sllobodan, një fytyrë zbehtë

Si një sharlatan
Mbet’ duke u skërrmitur…

Pse hyre, çakall, në shtegun e drerëve?
Nuk e dije, dreq,
Sa e çmojn’ lirinë?
Doje të gëlltitje jetën e të tjerëve…
Porse liridashësit
Si të vdesin dinë…

Nepsi për grabitje rikthen historinë
Në rrethim të tretë
Horrat u vërvitnë…
Sulmin mbi Prekaz për në mars i shtyrë
Me shkulme e gulçe
Shkiau – egërsirë…

Përsëri në shenjë – kulla e Ademit
Ta shkallmonin shpejt
zemrën e lirisë…
Mbi njëzet pjesëtarë përjetuan tmerrin
Në emër të jetës,
të përjetësisë…

Jasharët e tjerë ishin në mërgim.
Ndërsa vetë Ademi
u gjend brenda kullës.
Sulmi agresorit nisi me tërbim.
(Lidhën besë nderi
Zogjtë e furtunës…)

E kush mund të flinte, kishin ndjerë rrethimin.
“Sot do kemi luftë, -
foli Komandanti.
Të tjerët në sy shihnin kryetrimin
Dëgjuan, kur shtoi:
“Me ne qoftë fati…!”

Në mëngjes beteja shpërtheu e ashpër
Shtet i babëzitur
Përmbi një familje.
U vërvit mbi kullë një arsenal armësh.
Blerim i përzhitur
prej një shteti – skile…

Ç’kish lindur Kosova! Një fis besëlidhur.
Për liri të etur,
të etur për jetë.
Një fis i patrembur, durimtarë të lindur
Tejet trimërorë,
Heronj të vërtetë.


Me këngë Ademi – në ballë të betejës:
“Jo, jo, nuk ka vdekje
më të mirë për mua!”
Mori ajo kullë nurin e Kështjellës,
Tri dit’ nën goditje;
Shkiaut s’iu dorëzua.

Shumic’ e familjes mbledhur te një kthinë;
Dhe atje ra predha
Ashtu… verbërisht.
Ra atje ku mbledhur ishin gra, fëmijë
Ra atje ku jeta
vritej barbarisht .

Trembëdhjet’ prej tyre shpejt ndërruan jetë.
E para – Adilja
Zonja e shtëpisë.
Shpëtoi Besarta, tri dit’ e tri netë
Strukur ndën një magje
Shpres’ e ardhmërisë…

E ndërkoh Ademit iu soll në kujtesë
Idhulli legjendar,
trim Ahmet Delia.
Me sopat çetnikëve u ra mespërmes;
Siç e deshi nderi,
Gjithë Shqipëria…

Zbraz e rimbush armët, hutoi zagarët.
Ato armë Ademit
i shkonin për shtat.
Tërbimi banditëve tejkaloi “gradët”…
Kujtoi babanë,
ç’i rrëfeu një natë:

“… Kur u linde, bir, gjëmoi Drenica.
Ishte ditë feste,
Dita e Flamurit.
Dita e lirisë festohej me krisma;
O sa jam gëzuar!
T’flas si burri burrit…

Bir, në qarjen tënde shihja tjetër klimë.
Fymëmarrje për trojet,
Ëndrrën për liri…
Te balli, te goja vështroja lavdinë;
Të dua të fortë,
Kreshnik për liri.

Besoj që Adilja të ka thënë, mor djalë;
Si të kam mbështjellë
me flamur kuqezi.
Se kur linde ti, kish krisma, jo fjalë.
Me kujdes u rrite
burrë për shtëpi.

Mos kesh trembje syri, as dridhje qerpiku.
Të nderosh, o bir
ditën kur u linde.
Jasht’ nga vatrat tona hasmi dhe i ligu!
Të mos harrosh kurrë
të flaktën Rilindje…

Me të dy vëllezërit, Rifatin e Hamzën
Të kesh dashuri,
Mos u ndajë kurrkush.
Siç t’ua dojë zemra, do t’ua gatit dasmën.
Veç të më nderoni
me fis e me krushq…”


xxx
Ja, ç’rrëfim kujtoi, duke mbush’ gjerdanët;
Kujtoi krejt Kosovën
Atje prenda pragut.
Ashtu siç i donte, s’i lëshoi armët
Në kullën e lindjes,
te Kështjell’ e gjakut…

Pa ngrënë’ e pa pirë Besarta në makth;
Mbuloi dyshemenë
gjaku në çdo cep.
Ademi qëndroi, luftoi nëpër gjak;
gjersa ra siç bien
Trimat e vërtet’…

Ra në kulm të jetës, në kulm të lavdisë;
Ashtu siç i ka hije
bestarit kreshnik.
Ndaloi rrahjet zemra te pragu i shtëpisë,
U përjetësua
me aktin fisnik…

Buçitje betejës iu qarkua Globit.
Gjaku depërtoi
tokën tejpërtej.
Me eshtra u ngrit përmendore kombit.
Përmbi jetdhënët
Trimat zulmmëdhenj.

Prekaz i Drenicës shungulloi token.
Lajmi mori dhenë
sa hap e mbyll sytë.
Bëma e jasharëve u përhap në botë
Zogjtë nëpër pemë
Stisën meloditë…

Të tridhjet milicët ishin mish për top
Adem legjendari
Zgjoi trimërinë…
Rrethimit të ujqve s’u shpëtonte dot
Edhe nëse mundej…
S’e linte shtëpinë.

N’ atë kullë qëndrese hynë dhe komshinj
Me bacën Adem
bënë besa – besë.
Ademi dhe Hamza ndën atë betim
Veç’ te gryk e pushkës
mund të kishin shpresë…

Kështu mori duhmë luft’ e UÇK-së
S’mund ta ndalte kush
Atë vrull shqiponje.
Në themel të saj një Legjendë është:
Mbeti Kryekëngë
e çdo shpirti dhe goje…



Si të mos krenohesh, tek shikon ekranin!
Fëmijë jasharajsh,
stërnipër, stërmbesa
Emrat e të rënëve i mbajnëq krenarë
Rriten për të ardhmen
Për Kosovën – shpresa.

Shoh te sy’ e tyre çiltër krenarinë
Sy të vezulluar
Fytyra dritëplota.
Tashmë që Kosova lirshëm po merr frymë
Veten ka në duar,
Pret ta njohë bota.

E çuditshme bota… edhe tekanjoze
Qeveritë kurrë
s’bien në një mendje.
Pret Kull’ e Jasharëve, kulla misterioze
OKB Kosovën
ta pranojë me ëndje.

Gjaku i të parëve – në rrënjët e lirisë
Ja, Pavarësia
Bujis nëpër gjethe.
Kulla e Jasharëve - streh e historisë
A do ta shoh, vallë
A do mund të vete?

Gjirokastër,13.03.2011

GRAZHDI I ËNDRRAVE TË MIA

Gati njëzet vite prej jush i larguar
O nxënës, o shkolla, ç’më zhuriti malli!
Dhe në vendin tim ndihem i mërguar;
Ndaj nxënës, kolegë në ëndrra më dalin…

Vijn’, ikin 7 Marse, stepur te ekrani
Jo më si njëherë, por si pensionist.
Përhumb në vegime, me syt’ nga tavani
I vdekur përndjehem, s’na ka kush në listë.

Dikur çdo 7 Mars merrte hov nderimi
Koleg’ pensionistë mbanin derën hapur.
Si limonë të shtrydhur na kaplon trishtimi
Shishe e sosur vere… tashmë të tejflakur…

Më zbresin ndër ëndrra shkolla edhe nxënës,
Më sjellin rininë dhe çaste lumturimi…
Sikur ligjëroj ëndshëm me ta prej të hënës
Përgjat gjithë javës përshfaqej përkushtimi….

Nxënës e kolegë, ju të shtrenjta shkolla,
Më mungoni shumë, mungon gjallëria.
Mungon kënga, vallja; për to më zë kolla;
U sodis si grazhd… i ëndrrave të mia…!

Me ëndrra ushqehem, kështu erdhi koha.
Me to “kapardisem”, mbaj veten me dritë.
Po uroj kolegët, nxënësit në shkolla:
Gëzuar 7 marsin! Rrofshin dituritë!


POEZIA SI OFSHAMË JETËSORE

Shefqet Dibrani: Poezia e Sadik Krasniqit

POEZIA SI OFSHAMË JETËSORE

Sadik Krasniqi „OFSHAMË NË URNË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „FAIK KONICA“, Prishtinë 2008, faqe 96. ISBN 978-9951-06-210-7


Shkruan: Shefqet DIBRANI

Poeti Sadik Krasniqi në përmbledhjen poetike „OFSHAMË NË URNË“, ka artikuluar motivet dhe dramën jetësore të poetit në mërgim, dramë të cilën e ndërlidh me zhvillimet dhe aktualitetin e gjithëmbarshëm kombëtar. Me gjithë nuancat e theksuara të poezisë që merren me zhvillimet nacionale, një tufë e tërë e poezive të këtij autori kanë motive lirike të cilat bashkë me të tjerat kanë bërë për të besuar se ky poet (si gjithë poetët tjerë) të shprehë sinqeritet dhe përkushtim për të regjistruar jetën e tij, qoftë në atdhe me tërë zhvillimet dramatike, qoftë si mërgimtar, poezi këto të cilat ku më shumë e ku më pak kanë shprehur çiltërsinë dhe ndjenjën krijuese.

Libri me poezi „Ofshamë në urnë” ndahet në pesë njësi ciklike: „Kllapi e blertë“, „Pikëllim i ngrirë“, „Vello ujore“, „Unazë dheu“ dhe cikli poetik „Hija e grisur“. Këto njësi ciklike nuk ndryshojnë edhe aq për ndonjë motiv poetik që e specifikon dhe e dallon njërin cikël nga tjetri, që do t’ia vlente për t’u theksuar më shumë, por si tërësi këto cikle kanë regjistruar një lloj kronologjie të krijimeve poetike që ky autor prej vitesh i ka vjelë e sistemuar me kujdes.

Gjithsesi në ciklin e parë: „Kllapi e blertë“ , poeti i ka përfshirë poezitë që kanë një ndjenjë dhe një përjetim specifik. Në njërën sysh ai ka edhe këtë përkushtim: “Rekuiem për shkrimet e djegura, ku kishte diç nga buzët, sytë dhe shpirti yt”, kjo poezi mund të klasifikohet edhe si poezi lirike, ku poeti i kushton vargjet e bukura të të dashurës për “buzët, sytë dhe shpirtin”, por në anën tjetër poezia i kushtohet atdheut të tij dhe fatit tragjik që përjetoi kombi ynë në kapërcyell të shekullit që ia kthyem shpinën. Në poezinë “Tri miniatura për Kosovën” poeti ka bërë vargje për “emrin, shtëpinë dhe gjuhën” të cilat si miniatura poetike qëndrojnë dhe lartësojnë vlerën poetike të këtij cikli.

TRI MINIATURA PËR KOSOVËN

(Emri)

Nëse përsëri më pagëzojnë

Kush do ta mbajë në mend

Emrin tim të vjetër

A do të shkruhet e vërteta në gurë të ftohtë

(Shtëpia)

Nëse m’i lëkundin muret

A thua sërish do ta gjej

Në vatër

Gjarprin e shtëpisë


(Gjuha)

Nëse ma shterin detin

Me çka t’ua turbulloj fëmijëve

Lumin në përrallën

Mbi ujkun dhe qengjin

(Faqe 12)


Poezia që cituam ngërthen dramën reale të të sotshmes sonë në të cilën si kurrë më parë, Kosova ka gatishmëri për ndryshim të identitetit të saj, duke iu imponuar një Flamurë që s’ka asnjë ndjenjë nacionale me tendenca në rritje për të folur një gjuhë tjetër e cila që nga rrugët e deri në instancat shtetërore po aplikohet pa asnjë rregull dhe asnjë normë. Poezi të realizuara që kanë një ndjenjë përjetuese po aq sa poezia që përfolëm më lart janë edhe poezitë: “Kllapi e blertë”, “U(r)në pranë lumit”, “Ofshama bëhet flutur”, “Loti i jetës”, “Të keqes” e ndonjë tjetër.

Në ciklin „Pikëllim i ngrirë“, poeti merret më shumë me dramën nacionale nëpër të cilën kaloi kombi ynë, poezi këto që në një mënyrë a në një tjetër kanë bërë biografinë jetësore të poetit, kanë shprehur ndjenjat e tij dhe kanë përshkruar me hollësi edhe idealin e tij. Ndër poezitë më të realizuara që gjenden te ky cikël padyshim janë: “Kronikë për qytetin tim”, “Krrokamë e krisur”, “Urdhri, kushtuar Martin Çunit”, “Shqipet morën dhenë”, “Gjarpri i shtëpisë”, “Varri i humbur”, “Shqipëria ‘97” etj. Te poezia “Guri i truallit”, ndeshim këtë refren: “Me këtë gur/ ngrijmë kulla/ harkojmë ura/ gjejmë gurra/ pagëzojmë burra”, kurse kundër pesha e këtij refreni sendërtohet me vargjet ose siç shprehet poeti “kur luan vendi ky gur trolli” do të “kallen kullat/ prishen urat/ shteren gurrat/ tmerrohen burrat” të cilët “nëse s’i gjeni brigjeve/ kërkoni shtigjeve”, elemente këto që i gjejmë edhe te poezia “Guri i kullës”, që ia kushton poetit Din Mehmeti:

GURI I KULLËS

(Din Mehmetit)

Kur m’i këndon Kosovës

më bëhesh

gur i kullës së djegur në gjak

yll në kap(t)yll të djepit në galdim

frëngji malli në shikim kah deti

pushkë në krismë

“Zog i Dielli”

në tel të lahutës

me këngë drite në zemër

(Faqe 36)

Cikli „Vello ujore“, përbëhet nga poezitë lirike të cilat kanë një finesë dhe një realizim artistik, herë, herë meditativ dhe provokues ta zëmë:

VAJZË

Vaj vaj vaj

E vaj me zë

Vajzë

Faqe 53.

Poezi të tjera që kanë një invencion artistik janë edhe poezitë: “Sytë e asaj vashe”, “Prishtina në korrik”, “Ulqinakja”, “Pritja e lagur”, “Dashuria e hijeve tona”, “Pas vdekjes tënde”, “Fushë e ngrirë” e ndonjë tjetër.

Poezitë e përfshira në ciklin „Unazë dheu“ sikur qesin në pah mallin dhe dashurinë e poetit për Atdheun pasi “... Dheu i Kosovës/ mban erë molle”, aromë me të cilën poeti “Do t’ua sjell rreth koke/ Albinit e Galdimit” për “t’ua nyjëzuar shpirtin me Kosovën”: Jo vetëm te këto vargje por edhe te poezitë ”Në Çamëri”, “Bisedë në Aksaraj”, “Atje dhe këtu”, “Vdekja në kurbet”, “Takimi me nënën në kurbet”, “Letërzeza” etj, flasin për dramën jetësore të poetit në mërgim të cilën e shpreh me pezëm dhe dëshpërim kudo nëpër vargjet e këtij cikli, po më ndjeshëm, më drejtpërdrejtë e gjejmë te poezia:

REFUGJATI

As qetë e premtuar për lavër

As dele në vath për tambël

As dhe për arë e farë

Askund as bar

Vetëm gurë e gurë

Për varr

(Faqe 69)

Cikli „Hija e grisur“, i përmbledh poezitë të cilat për kah gjuha shprehëse janë më kritikuese, duke shprehur pezmin për një sërë mangësish që e përshkojnë shoqërinë tonë njerëzore. Ky cikël më mirë së ciklet tjerë e artikulon përditshmërinë tonë e cila si reflektim i ka nxjerr poetit një tip poezie që shprehë një lloj proteste qytetare siç do të vërehet ku më shumë e ku më pak edhe te poezitë: “Gjuha thikë”, “Hija e grisur”, “Kohë e sëmurë”, “Përrallë për kalorësit e zi”, “Pa titull” etj, por për ilustrim po sjellim poezinë “Hipokrizia” e cila më së miri shpreh protestën tragjike në mënyrë poetike.

HIPOKRIZIA

Kur Patrioti

Bëhet Partiot

Atdheu

Bëhet xhep

Lulet e vjedhura

Pikëllohen mbi varre

Me ironi

U fishkëllehet lapidarëve

(Kosovë ’06, faqe 85)

Nga kjo që thamë më lart shihet se autori ka bërë një sërë përpjekjesh poetike për të artikuluar më mirë mendimin poetik për realitetin nëpër të cilin ai si qytetar ka kaluar, duke e përshkruar jetën dhe të jetuarit e tij nëpër poezi ai ka prezantuar ndjenjën dhe përjetimet që dalin si një metaforë e cila e ka nismën qysh në rinin e hershme, duke vazhduar sikurse rrjedha që lë gjurmë të dukshme, ashtu edhe poezia e këtij poeti ka regjistruar jetën e njeriut në mes kësaj drame kolektive që do të shprehet bukur te këto katër vargje të një poezie më të gjatë: “Kroi i Çamurlisë/ pikon dhimbjen në gjak/ fushat mbushen lulëkuqe/ yjet zbresin mbi grunajat e Kosovës/ ofshama gjallëron frymëmarrjen”, faqe 14.

Sadik Krasniqi ka nisur të shkruaj qysh në kohën e studimeve, do të thotë në kohën e një pjekurie akademike, atëherë kur jeta e tij sado kudo ka marrë kuptimin e plotë, por që ishte përplot ideale e ambicie s’ka dyshim, por rrjedha si rrjedha, dhe Kosova me gjithë dramën e asaj kohe ndryshoi jetën e kosovarit si një proces që nuk i dihej saktësisht se ku do të përfundoj, ashtu sikurse që nuk i dihet as rrjedhës së lumit që nuk shteron kurrë, pra jeta e poetit mbetet rrjedhë aq sa poezia që ka shënuar vazhdimësi, tamam sikurse lumi që nuk ndal shtegtimin e tij. Pra këto tri komponente sikur e ndërtojnë metaforën jetësore të poetit në mërgim. Prandaj mendojmë se rrjedha jetësore e ka bartë poetin bashkë me fatin e tij krijues diku në vende e dhera që domosdo duhet të lëshonte rrënjë, ashtu sikurse pema që shkulet e mbillet kudo mbi këtë tokë dhe përsëri jep frutat e saj, ashtu ndodh edhe te njeriu i cili mbarësohet, mbushullohet e trashëgohet me pasardhësit e tij, kurse e veçanta te poetët është se ata mbushullimin dhe lulëzimin e artikulojnë në poezitë e tyre. “Atje lash/ një pjesë zemre peng/ për një copë gur/ këtu/ Gjarpri i shtëpisë/ Helmohet nga pikëllimi”, poezia “Atje dhe këtu”, faqe 68.

Sadik Krasniqi në poezinë e tij ka elemente elegjiake si “fluturimi gri i dallëndyshes drejt vendlindjes”, ku drama e gjithëmbarshme e braktisjes së atdheut i ka caktuar edhe atij rolin e imituesit që detyrimisht jep imazhin e përjetimit poetik, si vlerë e realitet me një përjetim tragjik, ku fundi i imazhit nuk e përcakton përjetimin poetik si lëndë dhe si strukturë poetike, por e përshkruan imazhin si një përjetim emocional të cilit mundohet t’i jap nënqeshje lirike përplot nuanca jete e shprese ku e sotmja dhe e nesërmja shihen me syrin e perspektivës duke shkrirë të sotmen e duke ngjizur të djeshmen e cila te ky bllok i poezive shikohet e kujtohet me mall e nostalgji. Poezitë lirike janë përjetime më racionale dhe kanë një ndërtim artistik të qëndrueshëm që kurdoherë shprehin ndjenjën e përjetimit a të flirtit si kryekreje e një elementi që i jep poezisë jetë e gjallëri, dhe emocione gjithsesi më përjetuese.

Këto nuanca përjetimi i ndeshim qysh në vargjet e poezisë “Pas vdekjes tënde”, faqe 57, (vargje të cilat i ka vënë edhe kredo të këtij vëllimi poetik), në të cilën poeti beson se “edhe pas vdekjes tënde/ prapë do të ketë fushë të blertë”, ku do të simbolizojnë synimin si qëllim për të ndërtuar imazhin lirik të kësaj poezie që bartet e përshkohet nga cikli në cikël.

Një bllok i tërë i poezive të këtij poeti mëton të regjistroj, e pse jo të ballafaqohet me të kaluarën si një lloj sfide për ta përballuar të sotmen me nuanca porosie për ta ndërtuar të nesërmen e cila pa dyshim do të vjen më e begatë se e sotmja e tendosur nga streset e përditshmërisë së hallakatur siç e kemi rastin te poezia kushtuar “gjyshërve tanë” në të cilën poeti nuk do t’ia fal vetës “që s’e mësova/ orën e diellit mbi rërë/ që të dija të ligat e motit”, faqe 15.

Kjo dramë e ballafaqimit me të sotmen duke iu referuar të djeshmes për ta sendërtuar të nesërmen sikur bëhet një temë obsesive e autorit i cili mëton që lëndën e tij krijuese të vë në një sfond të bardhë mbi të cilën do të luhet drama njerëzore e cila është përplot përpjekje e gjakosje. Jo rrallë na duket që ky lloj sfondi i bardhë i vënë si në prapaskenë, por, tashmë në teatrin poetik të Sadik Krasniqit shërben si shtrojë mbi të cilën aktorët shkelin pa mëshirë për t’i dhënë jetës jo vetëm të bukurën e artin por edhe për ta shëmtuar e gjakosur më shumë, si një përpjekje që do të dallon a diferencon edhe më shumë të shëmtuarën dhe të ligen të cilat sikur i ka vënë përball të bukurës dhe dinjitetit të qytetarit i cili mëton dhe beson për të ardhmen e tij më të mirë, më të bukur dhe më fatlume se “shqipet e lidhura/ fluturonin/ e të lirat ranë për tokë”, kurse në këtë tokë, në këtë vend “të shenjtë/ mbetën vetëm varret”, faqe 86.

Në këto përjetime poetike, askush më mirë se vet poeti nuk ka ditur dhe nuk do ta përjeton dramën e tij jetësore, dhe dramën e popullit si kolektivitet me të gjitha tragjizmat dhe ngadhënjimet e mundshme. Deri sa drama personale regjistrohet si një lloj e përjetimeve emocionale me mjaftë nuanca dëshpërimi e zhgënjimi, te drama kolektive sado që ka nuanca pesimizmi gjithmonë gjendet një shtegdalje dhe shihet një shenjë dhe dritë për të ardhmen më të ndritur më të përparuar ashtu sikurse “Galdimi dhe Albini/ Kosovën do ta gjejnë të bleruar/ edhe pas njëmijë vjetësh/ kur ta puthin për herë të parë/ kanë për të ditur/ se kanë puthur Diellin e vet...”, (Ninda ’99, faqe 65).

Ky poet qysh me librin e parë me sukses relativizon përmasat e jetës në mërgim si ekzistencializëm historik dhe përjetues të cilat me një çiltërsi ka arritur të ringjall kujtesën historike për data dhe bëma që historinë e një kombi e bëjnë më të kujtueshme dhe shumë më të pranueshme.

Poezia e Sadik Krasniqit që është përfshirë në librin “Ofshamë në urnë” shpresojmë se i paraprinë poezisë së këtij autori që do të pason në librat e ardhshëm. Megjithatë edhe me këtë përmbledhje ai ka dëshmuar një përvojë që ka kaluar nëpër sfida jetësore.

St. Gallen, dhjetor 2009.

Shefqet Dibrani

SHËNIME PËR AUTORIN




Sadik Krasniqi (24.05.1961). Lindi në fshatin Llukar të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme si dhe studimet i ka kryer në Prishtinë. Është diplomuar në degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pas studimeve ka punuar si arsimtar i Gjuhës Shqipe në fshatin e lindjes deri sa ka emigruar në Gjermani.

Me shkrime është marr si student dhe krijimet e tij janë botuar pothuaj në të gjitha gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar poezi, tregime si dhe vështrime kritike.

Poezitë e Sadik Krasniqit janë shpërblyer nëpër konkurse letrare, janë përfshi në antologji si dhe është e përkthyer edhe në gjuhën frënge.

Sadik Krasniqi jeton në Gjermani.


Vepra letrare:

„OFSHAMË NË URNË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „FAIK KONICA“, Prishtinë 2008.

(Sh.Dibrani)




Cikël me poezi nga libri „OFSHAMË NË URNË“

SADIK KRASNIQI


KLLAPI E BLERTË

Te ky i shenjti krua

Me etjen e plasur

ujin e treqind pranverave pijë

Plagët më gjelbërohen

Vorbullës flluskat ia heq

Ia gjej damarët e lagur

Hijes plot vesë të shelgut blu

Rrjedhën e tjerr me sy

Në rrjetën ujore

Bëhem merimangë e njelmët

Me pikla në buzë

Më zënë ethet e Zanës

Treqind vjet e pres një vetëtimë

Të ma heq nga bebëza kllapinë e blertë



U(R)NË PRANË LUMIT


Jam u(r)në gjetur pranë lumit

plot dhembje me erë ashti

Ofshamë që dridh

një gjeth të blertë mbi valë

Në zgavrat e syve

qiell i pafund

me një pikë të zezë me flatra

e dalë nga bebëzat e përmallta

Edhe pas dymijë vjete

hirit m´i bën hije

krahu i dallëndyshes

me fluturimin gri drejt pranvere


OFSHAMA BËHET FLUTUR

(Rekuiem për shkrimet e djegura, ku kishte
diç nga buzët, sytë dhe shpirti yt)


Për atë shpirt të djegur
Ofshama bëhet flutur
Fluturon në pranverën gri
Lëshon dhimbje në lulet e hirit

Për ata sy të shterë
Loti bëhet yll
Dhe bie si dritë
Mbi varret syçelë

Për ato buzë të hirta
Puthja bëhet mjellmë
Fërfëllima e krahëve të bardhë
dridh hënëzën e liqenit valëmall



TRI MINIATURA PËR KOSOVËN

(Emri)

Nëse përsëri më pagëzojnë

Kush do ta mbajë në mend

Emrin tim të vjetër

A do të shkruhet e vërteta në gurë të ftohtë

(Shtëpia)

Nëse m’i lëkundin muret

A thua sërish do ta gjej

Në vatër

Gjarprin e shtëpisë


(Gjuha)

Nëse ma shterin detin

Me çka t’ua turbulloj fëmijëve

Lumin në përrallën

Mbi ujkun dhe qengjin

LOTI I JETËS*

(Kroit të Çamurlisë)

Pikon lotin e gurit
mbi syrin e verbër
bebëzës ia jep blerimin
dhe zë fill drita në liqe

Pikon shpirtin e ashtit
Shqiponja merr fluturimin
kalon ylberin
dhe hedh plisa mbi djepa

Pikon shkëlqimin mbi vetull
me puthje vajza zë diellin
hijet masin gjatësinë e jetës
me dridhjen e hënës së trembur

Pikon dhimbjen në gjak
fushat mbushen lulëkuqe
yjet zbresin mbi grunajat e Kosovës
ofshama gjallëron frymëmarrjen.

*Fituese e çmimit te parë në konkursin letrar të ''UPSH'' në Gjenevë



S’DO T’IA FAL VETES*

(Gjyshërve tanë)

S´do t´ia fali vetës
Qe s´e plaka një hije lisi me ju
Deri të gërvishtej hëna në rrem
E t á mësoja dhembjet natës

S´do t´ia fali vetës
Që s´e ftohëm gurin
E t´ia mpija gjarprit
Dhëmbin me helm

S´do t´ia fali vetës
Që s´e mësova
Orën e diellit mbi rërë
Që të dija të ligat e motit

S´do t´ia fali vetës
Që s´ua nxora fjalët e ashtit
E të dija për shpirtin e gjakut
Në atë flakë që më digjte të gjallë.


*Fituese e çmimit te dytë në konkursin letrar të ''UPSH'' ne Gjenevë



TË KEQES

Të keqes

Verboja sytë

Para se t´i dalin dhembët

Madje pa drojë

Fshehe pragun në dritë



SHI DHE TROK KALI


Në këtë natë me shi dhe trok kali
Shaloj hingëllimën e trembur
Mbërrij tek babai dhe varri i çelë
Zë çastin e ndarjes
E puthë të gjallë
Me urnën e pikëllimit
Ia marr lotin e mallit
Në dhimbje më bie drita e kometës
E në qiell shndrit nuri i tij

KRONIKË PËR QYTETIN TIM


(Lumit)


Ia ndotën bukurinë në kaltërsi

ç´u bë damar i sëmurë i qytetit

E varrosën solemnisht me duartrokitje

Qytetarët e moçëm

ku do t´i lajnë fytyrat e djersitura

nga kujtimet për kohën

vashat ku do t´i njomin bebëzat për dashuri

Me qerpikë të pluhurosur djemtë

Si do t´i gjejnë vashat

në takime të humbura

Të vegjlit do t´i harrojnë format e peshqve

(në ëndrra të luajnë me ta do të përpiqen)

Nekrologjinë e lumit të vdekur

e gozhduam në zemër të blirëve

Ata nga dhembja lotuan gjethe

Pranvera se ç´na u tha trotuareve

(Moti)

Tri herë stinët në ditë ndjekim njëra-tjetrën

(qytetarët kurrë s´e humbën ngrohtësinë e gjakut)

mysafirët kurrë s´arritën t ´i veshin rrobat e motit

erdhën me ëndrra të vonuara si mollët e pjekura

u kthyen me sëmundjen e eshtrave

(Varri)

Varre prapa »Kodrës së Diellit »

Varre prapa « Kodrës së Dragodanit »

Qytetarët në mëdyshje

se ku t´i amshojnë eshtrat

shtyjnë vdekjen për nesër

përditë vdekjen shtyjnë

(Spitali)

portën sëmundjeve ia mbyllën në fund të qytetit

Jetën aty e arnojnë fëmijët

në atë anë ku perëndon dielli

Prishtinë `87



KRROKAMË E KRISUR

Krra krra krra

N´bredhin e trishtuar pranë dritares

Krrakos sorrë e krisur

Krra krra krra

Krrokamë e harlisur

Grith terrin si ferrin

Krra krra krra

Sorrë si katrani

Gërvisht ëndrrën deri në përgjakje

Krra krra krra

Krrokamë e harbuar

Prapa kreje trurin ma krryen

Krra krra krra

Tmerr

Ferr

N´terr

Në tru më ther

URDHRI

(Mikut M. Çuni)

Në qelinë nr. 3

Mos e lejoni gjumin

se djaloshi i pabindshëm

sheh në ëndërr lirinë

puthë vashën që e pret

dhe çmallet me nënën…

SHQIPET MORËN DHENË

(Shtëpisë së alfabetit në Manastir)

Kot e prishni folenë

Shqipet kanë atdhenë

Kot e kallni folenë

Shqipet morën dhenë

GJARPRI I SHTËPISË

Natën

fëmijës në djep lulak i bëhet

po e shkele ditën

zemrën ia gërryen

Natën e gëzimit

nuses gjerdan i bëhet

po e shkele ditën

ia helmon bukurinë

bleruar në bebëza

Ditën e mbaj në zemër

tmerrësisht të bekuar

në etje për takim

natën më mban në rreth

duke ia ruajtur fshehtësinë vatrës

prill ` 87


GURI I KULLËS

(Din Mehmetit)

Kur m’i këndon Kosovës

më bëhesh

gur i kullës së djegur në gjak

yll në kap(t)yll të djepit në galdim

frëngji malli në shikim kah deti

pushkë në krismë

“Zog i Dielli”

në tel të lahutës

me këngë drite në zemër

GURI I TROLLIT


Me këtë gur

ngrijmë kulla

harkojmë ura

gjejmë gurra

pagëzojmë burra

Medet kur luan vendi

ky gur trolli

Kallen kullat

prishen urat

shteren gurrat

tmerrohen burrat

Medet ky gur trolli

shpesh rrasë vorri



VARR I HUMBUR

(Micit)

Nëse s´e gjeni brigjeve

E kërkoni shtigjeve

Pa ia gjetur plisin

Mos ia rrëzoni lisin...

tetor ` 88

SHQIPËRIA ´97

Qava kur s´të pashë

Qava kur të pashë

Qava si të lashë

Paqja e qiellit

Raft mbi ty

Shqipëri


Nidda ´97



XIXËLLONJAT


Flutura që s´ vdesin kurrë
Vetëm pranverat ndërrojnë
Prej lumit dalin ujore në brigje
Mbi grunaja qiellin zbresin

Ato bëhen yje larg hëne
Në xham në pikënatë duke i soditur bebëzat i përmallin
Duke lypur udhën qumështore për atdhe
Në ballin e bardhë të fëmijëve dritë engjëllore bëhen



SYTË E ASAJ VASHE

(N-së)


Vetulla hark i zi

Nga vetulla në sy

largësia yllësi

Qerpikët

plepa blu në qiellin gri

hijesojnë njomësinë në urtësi

ç ´bukuri

n´ sy

ndry

n´frëngji

Oh mos të rëntë kurrë lot i zi

në ata sy

Kurrë mos t´u djegtë

ajo bukuri

gusht `87


PRISHTINA NË KORRIK

(Pa Ty)

Diell diell diell

Prush tokë e qiell

Sheshi shkretëtirë pa erë

Blirët kordon helmetverdhë

Trotuaret (kah vjen ti) plot mall

Lulet në bebëza zjarr

Pritja e pluhurosur me tmerr

Prishtina pa ty vetëm ferr ferr ferr…

Prishtinë,korrik ´91



ULQINAKJA

Në atë kaltërsi

Fustani yt i flakur

Bëhet pulëbardhë

Mbi valë

E ti kripë e krisur

Në puthje

Ulqin ` 07



PRITJA E LAGUR

Në këtë pritje të lagur

nëse s´ma heq brengën

bile ofshamën ma ndiej

Për shenjë dhembjeje në fytyrën tende

vuajtjen do ta vari në cep të yllit

gjersa bebëzat të pikojnë mall

VAJZË

Vaj vaj vaj

E vaj me zë

Vajzë

DASHURIA E HIJEVE TONA

1

Ndërsa të ndrojtur ndërronim lulet

hijet tona etshëm putheshim

Në rërën prush me thembra të djegura

këmbë pas këmbëve masim dashurinë e tyre

Ec ec e ec

për ta zërë diellin para kodre

për ta harruar diellin para nesh

2

Në natën e kthjellët si loti pa faj

ne të mbështetur në heshtje

e hijet tona nyjëzoheshin në përqafim

Në roje të dashurisë

ç´na zbehi hëna si hije baladash

kujdes mos të shkelë këmbë e keqe

se na i përhënë hijet në lojë…

PAS VDEKJES TËNDE

Edhe pas vdekjes sate

Prapë do të ketë fushë të blertë

Lulet do të lulëzojnë zjarr

E unë do t´i prek me zemër.

FUSHË E NGRIRË

Mos më thuaj

se dhimbje do të kesh në pranverë

Ofshama jote

nënën do ta çojë te lulet e lumit

Deri te ai lumë

s´do mund ta kalosh fushën e ngrirë

Kolla e thatë

frymën do ta zë

DEGË ULLIRI NË ËNDËRR*


Me malin e kallur mbi kokë
Ujiti lulet në verandë
Që fëmijët të kenë pranverë në dritare

Përmes etjes së zhuritur në lëkurë të gjarprit
Kaloj hejzën e shkretëtirës
E në prehër mbaj thërrmija buke
Të merr pakëz cicërimë
Fluturimi gri i dallëndyshes drejt vendlindjes

Në natën me hënën e kuqe
Në majë gishtërinjsh marr flakë në yll
Ta ndritë rrugën e fjetur
Dhe ëndrrën e fëmijëve ta zë para agimit
E në atë ëndërr
Lë një zog një lule
Fytyrën e blertë të nënës e degën e ullirit


*Fituese e çmimit Agim Ramadani, 2006.



UNAZË DHEU

Erdhe me plis të djegur në majë

me faculetë të bardhë nëne

të lidhur katër cepash me nyje malli

Për në shtëpi mora atë lot dhe

Ky dhe i Kosovës

mban erë molle

erë shpirti me duhmë zjarri

erë vakësie t ´ëmblit të nënës

erë varri erë lirie

Mbrëmjeve në dritë të hënës

fëmijëve do t´ua sjell

Galdimit e Albinit

tri herë rreth koke

që tërë natën të ëndërrojnë

se shëtisin në grunaja të bukës së re

me xixëllonja në ballë

Do t´ua sjell rreth koke

Albinit e Galdimit

t´ua nyjëzoj shpirtin me Kosovën

me unazën e dheut të përndezur

do ta shijojnë për çdo mëngjes

dhe do të mësohen me erën e tij

rrugës qumështore përmes qiellit

do t´ i pluhuros yjet me prushin e këtij dheu

Galdimi dhe Albini

Kosovën do ta gjejnë të bleruar

edhe pas njëmijë vjetësh

kur ta puthin për herë të parë

kanë për të ditur

se kanë puthur Diellin e vet…

Nidda, ` 99


NË ÇAMËRI

Sa herë meteorët fluturojnë në Shqipëri

Thahet nga pikëllimi një ulli

Në Çamëri

Sa herë hëna përndizet

Në Çamëri

Hardhia hedh dhembje mbi dhe

Në bar bie rrush si prush

E digjet ajo fushë

Sa herë qiellin e ndan vetëtima

Në Çamëri

Vala e Jonit bëhet jelë kali

Në shkëmb varet nga malli



BISEDË NË AKSARAJ

(Nga malli në bebëzat e syrit

e njoha se ishte i dheut tim)

Kur u nisa këndej- i them

livadhet kositeshin në Kosovë

e ai më rrëfen për gjarprin

që e kafshoi në blerimin e jetës

I them se ende i ndërtojmë

Kullat me dritare nga dielli

e ai më rrëfen

për gjenezën e dheut

I them se sivjet kemi gëzim në verë

e ftoj në dasmën e madhe të vëllait të vogël

e ai më pyet

sa dërrasa qet plepi skaj oborrit

E pyes ç´t´i them Kosovës për të

më je mall i djegur në zemër-thotë

në fund e përshëndes TUNGJATJETA

e ai ma ktheu EJVALLA EVLAD

dhjetor,´85



ATJE DHE KËTU

Atje lash

një pjesë zemre peng

për një copë gur

këtu

Gjarpri i shtëpisë

Helmohet nga pikëllimi

REFUGJATI

As qetë e premtuar për lavër

As dele ne vath për tambël

As dhe për arë e farë

Askund as bar

Vetëm gurë e gurë

Për varr

VDEKJA NË KURBET

Në këtë kortezh të zisë

Asnjë mik i rinisë

Asnjë kujtim i fëmijërisë

Medet mbi varr

Asnjë lot i gjëmës

Asnjë fjalë e nënës

As mëmë as dhe

Për ty mëmëdhe

As at as dhe

Për ty atdhe

Asnjë ofshamë e dhimbjes

Asnjë lule e vendlindjes



TAKIMI ME NËNËN NË KURBET

Të përcolla burrë

E të gjeta si gur

Për ty zemra

Lot flake i vura...



LETËRZEZA

Larg shkuam larg përtej nëmës së nënës

përtej ku miza hekurin bren

përtej mallkimit të të marrit të lagjes

përtej ku na gjen vetëm letra e zezë

Kur të vijë kjo letër

e lidhur me fjongon futë

me shkronja të zeza e kumt të zi

për vdekjen e babait,vëllait a të nënës

Me kuaj të qiejve

me kafe të hidhët me dritë vetëtime

do të vij para muzgut të gjëmës

me ty motër do të rrimë para të meitit

Do të më rrëfesh me dënesë

për vdekjen e babait me sy çelë

nga malli për mua

me mërzinë tonë do ta pikëllojmë natën

Do të flasim për fëmijërinë

do të gëzohemi që u pamë

e zemra do të na plasë

nga ndarja e re



GJUHA THIKË

Gjuha thikë

derë e gozhduar

bar i egër rreth shtëpie

me dritare të verbra

shikimi i vëngër

mollë e këputur

nga pemë e dridhur

syri i fëmijës

qiell i trembur

nga rrufeja e krisur

pranvera e djegur



KOHË E SËMURË

Përditë ç´na bien flokët

Si ëndrrat miku im

Era s´do të mund t´i kthejë më në një anë

M´sa mendimet

Do të kemi kokë tullace si dielli

Prapë do t´i krehim nga shprehia

Do të kthejmë frizura me curril gjaku

Eh ç´të bësh

Sëmundje e kohës është kjo

Miku im

Shkurt ´89



PËRRALLË PËR KALORËSIT E ZI

Ata

Shalojnë kuaj të zinj si nata

Tërë ditën i përgjakin fytyrat

Së rruari me thonj

Natën lëshojnë mjekra në zemër

Në dasmë

Vrasin bajraktarin

Ia shëmtojnë nuses bukurinë në gjak

Në lindjen e fëmijës

Ia fikun yllin

Ia hedhin në detin e vjedhur kamot

Në puthjet e njoma

Shartojnë lulen e sherrit

Ata

Shalojnë kuaj të zinj si futa

Ata kurrë kuajve shalën s´ua heqin…


HIPOKRIZIA

Kur Patrioti

Bëhet Partiot

Atdheu

Bëhet xhep

Lulet e vjedhura

Pikëllohen mbi varre

Me ironi

U fishkëllehet lapidarëve

(Kosovë ’06)



PA TITULL

Shqipet e lidhura

fluturonin

e të lirat

rënë përtokë

Të shenjtë

mbetën vetëm varret


Zgjodhi dhe përgatiti: Sh. Dibrani

Mbi personalitetin human dhe artistik

V. Belinski

Belinski për Pushkinin

Mbi personalitetin human dhe artistik

Pushkini ishte kryesisht poet, artist dhe, për nga natyra e vet, asgjë më shumë nuk mund të ishte. Ai na dha neve poezinë si art. Dhe, prandaj, ai mbetet përjetë një shembull i madh i poezisë së tij janë aftësia e saj për të kultivuar te njerëzit ndjenjën e së bukurës dhe ndjenjën e humanizmit, duke nënkuptuar me këtë fjalë nderimin pa kufi për meritat e njeriut, si njeri. Pa marrë parasysh paragjykimet e veta gjenealogjike, Pushkini, nga vetë natyra e vet, ishte një qënie e dashur, simpatike, i gatshëm me gjithë zemër t’i shtrijë dorën çdonjërit, që i dukej atij “njeriu”. Pa marrë parasysh gjaknxehtësinë e tij, që mund të kalonte në ekstrem, karakteri i fortë dhe i fuqishëm i tij ishte feminor e i drojtur, i butë dhe delikat.

... Pushkini i përket atij grupi të krijuesve gjenialë, atyre natyrave historike, të cilat, duke punuar për të sotmen, përgatitin të ardhshmen dhe, pikërisht, për këtë nuk mund t’i përkasin vetëm së shkuarës...

... Pushkini ishte thirrur të ishte poeti i parë artist i Rusisë, që t’i falte asaj poezinë si art, si mjeshtëri dhe jo vetëm si një gjuhë të mrekullueshme ndjenje... Gjithë këta poetë (pararendësit e Pushkinit) janë në raport me Pushkinin si lumenjtë e vegjël e të mëdhenj ndaj detit, i cili mbushet nga ujërat e tyre. Poezia e Pushkinit ishte ky det...

... Në qoftë se do ta karakterizonim vargun e Pushkinit me një fjalë të vetme, do të thoshim se ai, kryesisht, është një varg poetik, mjeshtëror, artistik dhe me këtë kemi zbuluar patosin e gjithë poezisë së Pushkinit...

... Shpirti i Pushkinit karakterizohet, para së gjithash, nga ajo poezi, e cila nuk gjendet në libra, por në natyrë, në jetë...

... Pushkini, i pari nga poetët rusë, u bë zotërues i brezit të Kupridës, jo vetëm vargu, por çdo ndjesi, çdo mendim, çdo tablo e tij janë të mbushura me poezi, që është vështirë të shprehet. Ai soditi natyrën dhe realitetin nën një kënd të veçantë vështrimi dhe ky këndvështrim ishte i jashtëzakonshëm. Muza e Pushkinit është një vajzë aristokrate, tek e cila bukuria joshëse dhe delikatesa e natyrshme, spontane, gërshetohen me elegancën e tonit dhe me thjeshtësinë fisnike, tek e cila ndjenjat e mrekullueshme të brendshme janë të zhvilluara dhe akoma më shumë të lartësuara nga forma, aq shumë të shkrira, sa që kjo formë është bërë një natyrë e dytë e saj...

... Pushkini, si një artist i vërtetë, nuk e ndiente nevojën për të zgjedhur objekte poetike për veprat e veta, por, për të, të gjitha objektet ishin një lloj të mbushur me poezi...

Poezia ruse është çuditërisht besnike ndaj realitetit, qoftë kur pasqyrohen natyrën ruse ose karakteret ruse: mbi këtë bazë një zë i përbashkët e shpalli atë poet kombëtar popullor rus...

... Duke iu rikthyer mendimit tonë mbi mjeshtërinë artistike, si patos mbizotërues i poezisë së Pushkinit, vemë në dukje edhe aftësinë e tij të mrekullueshme për t’i bërë poetike sendet më prozaike...

... Talenti i Pushkinit nuk kufizohet nga sfera e ngushtë e ndonjë lloji poetik, duke qenë një lirik i mrekullueshëm, ishte gati të bëhej një dramaturg i shkëlqyer, por vdekja e papritur e ndërpreu zhvillimin e tij të mëtejshëm. Poezia epike ishte një lloj poetik po aq karakteristik për talentin e tij...

... Ngjyrimi i përgjithshëm i poezisë së Pushkinit, veçanërisht ai lirik, është bukuria e brendshme e njeriut dhe humanizmi, që e ushqen shpirtin...

... Që në vështrim të parë, të bie në sy se pikëllimi i shkon më shumë muzës së Pushkinit, është më i afërt për të se sa shakaja gazmore dhe çamaroke...

... Por pikëllimi i Pushkinit nuk është një ndjenjë delikate e sheqerosur e një shpirti të dobët; aspak, ky është gjithmonë një pikëllim i një shpirti të fuqishëm dhe të fortë dhe ai aq më thellë ndikon tek lexuesi, sa më thellë dhe më fuqishëm u bën jehonë të fshehtave më të shtrenjta të zemrës së tij dhe sa më harmonishëm bën të dridhet telat e saj. Pushkini kurrë nuk shkapërderdhet në ndjenjën e pikëlluar; ajo gjithmonë kumbon tek ai pa mbytur aspak harmoninë e tingujve të tjerë të shpirtit dhe pa çuar atë deri në monotoni. Ndonjëherë, duke u kredhur në mendime, ai sikur e shkund papritur kokën e vet, si luani krifën, për të larguar nga vetja renë e pikëlluar dhe, ndjenja e fuqishme optimiste, pa e fshirë tërësisht pikëllimin, i jep këtij një freski të veçantë, që e forcon shpirtin...

... Leximi i poezisë së Pushkinit duhet të veprojë fuqishëm në edukimin, zhvillimin dhe formimin e ndjenjave të bukura humane te njeriu...

Për romanin në vargje “Eugjen Onegin”

... “Onegini” është vepra më e për zemër e Pushkinit, fëmija më e dashur e fantazisë së tij dhe janë të pakta veprat, në të cilat personaliteti i poetit pasqyrohet me një plotshmëri të tillë të ndërtuar e të qartë siç u pasqyrua tek “Onegini” personaliteti i Pushkinit.

Para së gjithash, tek “Onegini” ne shikojmë një riprodhim poetik të tablosë së shoqërisë ruse në një moment nga më interesantët e zhvillimit të saj. “Eugjen Onegini”, nga kjo pikëpamje, është një poemë historike në kuptimin e plotë të kësaj fjalë, megjithëse midis heronjve të saj s’ka asnjë figurë historike. Merita historike e kësaj poeme është aq më e lartë, sepse ajo ishte përvoja e parë e shkëlqyer në këtë lloj, në Rusi. Në të Pushkini shfaqet jo thjesht vetëm si poet, por edhe si përfaqësues i ndërgjegjes shoqëruese të zgjuar për herë të parë...

... Pa marrë parasysh se romani mban emrin e heroit të vet, në roman kemi jo një, por dy heronj: Oneginin dhe Tatjanën...

... Onegini është një djalë i mirë, por jo një njeri i rëndomtë. Ai nuk vlen për hero, nuk hyn në radhën e njerëzve të mëdhenj, por limontia dhe poshtërsia e jetës e mbytin atë; bile, nuk e di se çfarë i duhet, çfarë dëshiron; por ai e di dhe e di shumë mirë, çfarë nuk i duhet, se atij nuk i duhet ajo, me të cilën kënaqet dhe lumturohet mediokriteti egoist...

... Onegini është një karakter realist në atë kuptim që tek ai nuk gjejmë asgjë ëndërronjëse, fantastike, se ai mund të ishte i lumtur ose fatkeq vetëm në realitetin, që e rrethon dhe vetëm nëpërmjet këtij realiteti...

... Ai (Pushkini) rikrijoi poetikisht në figurën e Tatjanës, femrën ruse...

... Por nuk është e lehtë të përcaktosh karakterin e Tatjanës. Natyra e Tatjanës nuk është shumë e komplikuar, por e thellë dhe e fuqishme. Tatjana është krijuar si prej një cope të tërë, pa asnjë përpunim dhe përzierje... E dashuruar me pasion, vajzë e thjeshtë fshati, pastaj zonjë mondane, Tatjana në të gjitha pozicionet e jetës së saj është e njëjtë; portreti i saj i fëminisë, i përshkruar mjeshtërisht nga poeti, më vonë na shfaqet vetëm i zhvilluar, por jo i ndryshuar...

... Tatjana është një qënie e veçantë, natyrë e thellë, e dashuruar, pasionante. Dashuria për të ishte ose një lumturi e plotë shpirtërore ose fatkeqësi e madhe e jetës së saj, pa asnjë të mesme pajtuese...

... “Onegini” mund të quhet enciklopedi e jetës ruse dhe një vepër popullore e shkallës më të lartë...

Shefqet Dibrani, ”Ëndërr e njëjtë tokë tjetër”, poezi, 2007

Metafora e dhembjes së një poezie


Shefqet Dibrani, ”Ëndërr e njëjtë tokë tjetër”, poezi, 2007

Shkruan: Naim KELMENDI


Poeti mërgimtar, i cili jeton dhe vepron prej kohësh në Zvicër, ka botuar, pas disa librave të tjerë të suksesshëm të poezisë, të kritikës letrare, të publicistikës etj, edhe librin më të ri me poezi: ”Ëndërr e njëjtë tokë tjetër”. Kjo vepër poetike e Shefqet Dibranit shënon një kthesë cilësore në krijimtarinë poetike të autorit. Kjo e sforcon edhe më tepër identitetin krijues të autorit, dhe të shprehjes së tij poetike, tashmë të konsoliduar, dhe e bën atë shumëkuptimore dhe shumështresore. E sforcon atë në kuptimin metaforik të shprehjes dhe në kuptimin e mesazhit që do të dërgojë tek recipienti. Mbase këtë fakt dhe këtë bindje na e sforcon vetë poezia e vëllimit poetik ”Ëndërr e njëjtë tokë tjetër”. Poeti Shefqet Dibrani, nga vepra në vepër ka qenë kërkimtar i shprehjes së avancuar poetike, i krijimit të identitetit vetanak dhe i shprehjes metaforike. Këtë e ka arritur, duke shënjuar dhe veçuar këtë strukturë poetike edhe në veprën më të re: ”Ëndërr e njëjtë tokë tjetër”. Poeti Dibrani në librin në fjalë, e ndërton poezinë e tij herë herë mbi motive krejt personale, por që atyre u jep ngjyrat e së përgjithshmes, pra duke i kthyer në motive dhe pronë të secilit, dhe kështu vargu i tij merr konotacion dhe peshë tjetër, por gjithmonë me përfundime tejet kuptimore për kah mesazhi që japin, si shkas i veprimit dhe pastaj i pësimit, që vije vetiu si një dialektikë në procesin e “Panta Reit”. Poeti do të shprehet me pezëm në një vjershë edhe kështu:

”Kanë pështyrë përpjetë në sy/

kanë pështyrë teposhtë në gji/

kanë pështyrë anash fëmijët/

kanë pështyrë përpara ardhmërinë/

kanë pështyrë përmbrapa historinë/

O zot ku të pështyjë më/

se më pështyhet o Njeri”,

te poezia me titull “Pështyrje”, faqe 119.

Dialektika e mëkatit njerëzor, si diçka që është përsëritur, në të shumtën e herave si një përbuzje e diçkahjes, ndoshta shumë herë si diçka e refuzuar nga diçka e vetvetes, nga një kauzë njerëzore ndoshta, dhe ka pësuar në përsëritje në kohë dhe hapësirë, sikur nuk e lë të qetë poetin. Edhe ai, poeti pra, është pjesë e pësimit njerëzor. Dhe këtë e shpërfaq në këtë poezi, duke lënë të nënkuptohet se edhe vetë poeti s’bën gjë më tepër se të njëjtën gjë si të tjerët, pështyrjen, si mllef dhe si çlirim të qenies dhe pësimin që do t’i vijë, ngase kjo është rruga jetësore e njeriut. Poezia e Dibranit vjen në këtë vepër, në të shumtën, si një biografi jetësore, por që kjo bëhet një faturë poetike e skalitur mirë e mirë në shprehje shumështresore të faturës poetike. Ajo merr shkas nga pësimet dhe grahmat e jetës së poetit, por që këto ai do t’i transmetojë me një lirizëm të shënjuar tek te tjerët, për t’u dhënë kështu formën e kuptimësisë dhe të porosisë. Tek poezia me titull: ”Me fytyrë të kthyer kah at-dheu” shënjohet më theksueshëm situata tragjike e jetës, pjesa e pësimit njerëzor, kur i duhet të lërë hapësirën e vet jetësore për shkak të krijimit të një fati të përcaktuar nga tjetërkush:

”Ngado shkoj e treti/

mbaj fytyrën kah At-Dheu/

Ati vëngër më vështroi/

nga ngashërimi m’u duk/

me gjakim profeti/

Pastaj Dheu më tha:

s’më kujtohet fytyra juaj/

kur trup e ndjenja i ken ë vend të huaj”.

Këngëtimi i poetit këtu thellohet të kuptimësia që shënjon vargu domethënës: Ati vëngër më vështroi…, më gjakim profeti, duke nënkuptuar që më vonë patjetër duhet të vijë, pra si nënvetëdije dhe e paevitueshme, ajo situata tjetër jetësore nga pasoja e shkaktuar për shkak të ikjes, por që njeriu nuk mund t’i ik assesi. Dhe, kjo situatë e krijuar nga vargjet, vjen nënkuptueshëm nga pësimi jetësor, si rrjedhojë e largimit nga hapësira etnike e poetit. Dhe, këtu është drama jetësore, e thënë me pak fjalë, por drama jetësore e secilit që ka pësuar këtë fat, pra të njëjtin: ”Pastaj Dheu më tha: S’më kujtohet fytyra juaj…, tingëllon dhembshëm në psiken e njeriut, nën kohën e krijuar, që s’ka mundur të jetojë ndryshe edhe pse në një mënyrë ka pasur atë parashenjën se do të vijë deri te ky pësim. Pavarësisht nga kjo vetëdije, dramat dhe fatkeqësitë njerëzore të kohës në një hapësirë të caktuar, kanë përcaktuar rrjedhën e gjërave dhe të fatit, jo vetëm kolektiv, por në të shumtën edhe të individit. Poeti e di që kohët ndryshojnë, ai jeton në një kohë dhe hapësirë tjetër, pa frymuar në dheun e tij, dhe më pastaj, në kohë tjetër mbetet “i huaj” në dhe të vet, ngase koha tjetër s’e ka njohur biografinë dhe frymimin e tij. Këtu kemi dramën jetësore të njeriut që përsëritet në kohë dhe hapësirë, por që nga pamundësia për ta ndryshuar si fakt dhe realitet, njeriut i mbetët të “pajtohet” papajtueshëm me atë pjesë të tragjikes së vet. Mbase këtë situatë, jo vetëm poetike, poeti Dibrani, jo vetëm që e di dhe e kupton, por edhe e transmeton për të vetëdijesuar, në mënyrë që njeriu ta kuptojë domethënien e pësimit. Në diskursin poetik të tij, pothuaj se në tërë shtresa kuptimore të poezisë, Shefqet Dibrani, i shfaq luftë të keqes, fenomeneve dhe dukurive të saj, me një ndjeshmëri të theksuar poetike. Poetin e trandin ngjarjet dhe ndodhitë e shumta, përjetimet e këqija që të vënë kurthe me situatat e ndryshme të jetës, në një hapësirë dhe kohë të caktuar. Secila nga këto situata dhe rrethana nuk mbetet pa vulën e poetit, pa vrojtimin e tij, prandaj ai, jo vetëm që vrojton nga këndvështrimi i tij, por u jep atyre ndjenjën, vulën e frymëzimit, dhe më pastaj nxjerrë nga ato konkludimin, e që vjen si një aksiomë për vetveten dhe të tjerët. Poeti ndjenë keqardhje pse ndodhin ato që ndodhin, ngase ai, njeriun e ndjenë si qenie humane, dhe nga këtu, si pikëpamje nuk e arsyeton assesi veprimin e antihumanes. Prandaj, poezia e tij vë në spikamë, me dhembje të theksuar, që herë herë edhe shpërthen, ngase poeti s’mund e mbanë gjatë në vetvete, gjykimin ndaj të keqes, hipokrizisë njerëzore, pësimit njerëzor nga e keqja e të tjera.

“…Prandaj o Zot/

Vazhdo t’i falësh këta mëkatarë/

Që shpikin robërinë e tjetrit/

Rrethuar me gjemba vrastarë/,

tek shprehet poeti te poezia: ”Në kopshtin zoologjik”, faqe 64.

Poeti e do të dinjitetshëm njeriun-homo sapiensin modern, por edhe të dinjitetshme jetën – njerëzoren. Nuk do kufizime dhe robërinë e askujt, që është në kundërshtim me vetë ligjin e natyrës, siç e citon në një varg tjetër, ngase jeta, sipas tij, e krijuar nga Zoti, është një pasuri e bollshme dhe e tejskajshme ashtu siç është në të vërtetën e ekzistencës së saj dhe kozmosit. Por, duket se vetë njeriu e ç’humanizon e çnjerëzon jetën dhe natyrën përreth tij.

Trazimi i brendshëm dhe i thellë i vjen poetit, kur ndeshet me realitete të vrazhda, do të thoshim, nëpër ecejaket e jetës personale, por që këtë realitet ai s’do ta lërë vetëm si përjetim për vete. Ai do ta transmetojë tek të tjerët për të mësuar, për të shënjuar, për të gjykuar hipokrizinë, smirën, dhe anomalitë tjera të njerëzores. Duket se këto ai i shndërron në një diskurs jetësor. Poezia që ngërthen dhe përmbajtëson këto që themi është ajo, nismëtarja e veprës, me titull: ”Në një zyrë integrimi”. Prandaj, këtu në këtë poezi, vë theksin e gjykimit poeti, tek sëmundja e njerëzores në kohën moderne, që ngërthen në vete ingranazhet e asimilimit të qenies njerëzore. Apo në anën tjetër, ruajtja e identitetit me çdo mënyrë, e atij tjetrit, që gjendet përpara rrezikut të asimilimit, ngase gjendet në hapësirë tjetër. Dhe, mëtimi i tjetrit për ta asimiluar qenien me çdo kusht, në mënyrë që të duket, të jetë, të frymojë, të mendojë si ai tjetri, poetit i duket si diçka antinjerëzore, prandaj e gjykon këtë, dhe vë në figuracion të shprehjes krahasimin, duke nxjerrë konkludimin se, edhe ashtu si është ai tjetri, është i njëjtë me atë tjetrin, me të tëra ngjashmëritë, si qenie, si homo sapiens. Poeti këtu e nxjerr në pah gjakimin e tij prej njeri dhe poeti, për lirinë dhe respektimin e njeriut në hapësirën e tij jetësore. Dhe, pikërisht, këtu mbi këtë respekt, pra mbi njerëzoren, ndërtohet e tërë vlera e jetës së njeriut, prandaj, ai këtë do ta transmetojë tek të tjerët, si diskurs për jetën.

Edhe pse i ndeshur përballë realitetit shumë herë kontradiktor dhe shumë herë jo gjithaq të akceptueshëm, subjekti lirik nuk dorëzohet dhe nuk jepet para vështirësive të jetës, para realitetit të vrazhdë, por ai vazhdon t’u rezistojë të gjithave, ngase është i vetëdijshëm për të gjitha këto. Tek poezia: “Fol zëri im”, poeti shpreh thellë qëndrimin dinjitoz të subjektit lirik, mbase duke u shpërfaqur kështu si një identitet krijues e njerëzor i subjektit. ”…Fol zëri im i njerëzisë/fol mos u tret ndër dhëmb e buzë/fol mos e tremb syrin as në këtë dhe të huaj”. Pra, poeti këtu i krijon himn të vërtetës dhe qëndrimit dinjitoz të njeriut, për ta thënë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë atë, të vërtetën, personale qoftë apo e përgjithshme, në njëjës apo në shumës, ngase kjo - e vërteta pra, është himn i jetës. Prandaj, poeti shpërthen me dhembjen metaforë, duke pyetur zërin e vet:

“Ku je zëri im që kurrë nuk të pashë/

ku je mallkimi i shekujve/

ku je ndërgjegje e sfilitur na këtë botë të trishtë”,

e që ky zë s’është vetëm i tij, por është edhe zë i ndërgjegjes njerëzore, zë i njeriut të rrakadylur përplasjeve të jetës, por gjithmonë i paepur.

Libri më i ri i ushtarakut dhe publicistit shqiptar Shefqet Ballës

Sekreti i Shqiptarëve

“Vepra e zotëri Shefqet Ballës, paraqet në mënyrë plastike një pasqyrë reale dhe objektive të historisë politike, kulturore, ideologjike dhe artistike të shqiptarëve që nga kohët më të lashta e deri në ditët tona. Një vepër të këtillë, vepër kjo në të cilën janë shtruar në një hapësirë shumë të kufizuar çështjet jashtëzakonisht të shumta, mund të shtjellojë një personalitet me entuziazëm dhe me kulturë enciklopedike”, thotë profesor Skënder Rizaj.



Janë tri nga sekrete që ka evidentuar autori Shefqet Balla në këtë libër për shqiptarët; Lidhja me dheun e të parëve, drejtësia apo hakmarrja me çdo kusht ndaj padrejtësive dhe kujdesi për ruajtjen apo vazhdimësia e farës shqiptare.

Pas dy botimeve të suksesshme të guidave për bukurit turistike të Kosovës, Shefqet Balla, vjen para lexuesve shqiptarë me librin e tij, “Sekreti i shqiptarëve”. Libër i cili që nga sot është në duart e lexuesve dhe është i ekspozuar në Panairin e Prishtinës.

Përmes rrëfimit të historisë së shqiptarëve dhe të krijimit të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, Balla ka dhënë edhe sekretin për shqiptarët. Në fakt, një popull me një histori kaq tragjike mijëra vjeçare duhet ta ketë edhe sekretin e tij, se si ka mbijetuar dhe ruajtur gjuhën dhe traditën e tij kombëtare i pushtuar për shumë shekuj. Janë tri nga sekrete që ka evidentuar Balla në libërin për shqiptarët; Lidhja me dheun të parëve, drejtësi apo hakmarrja me çdo kusht ndaj padrejtësive dhe kujdesi për ruajtjen apo vazhdimësia e farës shqiptare.

Kjo vepër e cila më shumë i shkon monografisë, jep një pasqyrë të gjerë të historisë së popullit shqiptar, duke përfshirë zhvillimet politike që nga koha e Ilirisë së Lashtë, problemet me fqinjët, luftërat çlirimtare të shqiptarëve në kohë të ndryshme, pastaj zhvillimet ekonomike, kulturore, arsimore etj. Një e veçantë tjetër e këtij libri, është se autori ka trajtuar në mënyrë brilante problemin e shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Në të shtatë pjesët e këtij libri të cilat Balla i emëron me “Kreu”, ka arritur të japë jo vetëm historinë e popullit tonë, por edhe gjitha ato karakteristika që ka populli ynë, duke veçuar ato më fisnike.

Veprën “Sekreti i Shqiptarëve”, profesor Skënder Rizaj, e ka klasifikuar si një pasqyrë reale dhe objektive.

“Vepra e zotëri Shefqet Ballës, paraqet në mënyrë plastike një pasqyrë reale dhe objektive të historisë politike, kulturore, ideologjike dhe artistike të shqiptarëve që nga kohët më të lashta e deri në ditët tona. Një vepër të këtillë, vepër kjo në të cilën janë shtruar në një hapësirë shumë të kufizuar çështjet jashtëzakonisht të shumta, mund të shtjellojë një personalitet me entuziazëm dhe me kulturë enciklopedike. Them kështu, ngase kjo vepër e rrallë është pak a shumë në harmoni me veprat e rralla të dijetarëve të rrallë që ua kanë kushtuar tërë jetën çështjeve të veçanta që janë zënë në gojë nga Shefqet Balla, në veprën e tij në fjalë”, shkruan profesor Rizaj.

Konspiracioni botëror

Kolana: Të vërteta të fshehura
Përktheu: Taulant Hatia
Nr. faqeve: 784
ISBN 978-9928-00-004-0
Çmimi: 2100 lekë

“Shoqëria jonë sundohet nga njerëz të çmendur, që ndjekin qëllime të sëmura. Mendoj se qeverisemi nga fanatikë me objektiva fanatike dhe ka mundësi që të më quajnë të çmendur vetëm për këtë që po quaj tani. Kjo është vetë çmenduria”. Kështu do të thoshte dikur Xhon Lenon, i cili u vra pikërisht nga një i “çmendur” që mendoi se po qëllonte mbi një shëmbëlltyrë të këngëtarit. Apo ndoshta nuk kishte qenë edhe aq i çmendur vrasësi, ashtu siç kanë qenë të gjithë atentatorët e figurave të mëdha politike, burra shteti, apo siç nuk kanë qenë aq të “qashtra” të gjitha lëvizjet politike në botë, ulje-ngritjet e partive dhe të politikanëve. David Icke, gazetar dhe shkrimtar, autor i librit best-seller “Sekreti i madh”, vjen për lexuesin shqiptar me një tjetër vepër intriguese, po aq shokuese sa edhe libri paraardhës. Titullohet “Konspiracioni botëror” dhe vjen për lexuesin shqiptar, nën siglën e shtëpisë botuese “Bota shqiptare” dhe shqipërimin e Taulant Hatisë. është një libër prej 780 faqesh, rezultat i një pune 20-vjeçare, kërkime, referime historike, biografike dhe simbolike, që përpiqet të gjejë domethënien e gjërave. Çfarë fshihet pas ngjarjeve që kanë lënë gjurmë të rënda në historinë botërore? Kush qëndron pas luftërave, atentateve, lëvizjeve politike, si “lindin” liderët politikë, drejtuesit e shteteve? Dhe të gjitha këto, sipas Icke, nuk janë asfare rastësore, apo të mbështetura mbi punën shumëvjeçare, eksperiencën, etj., por janë rezultat i ca makinacioneve të fshehta, të cilat gjithsesi, nuk i janë fshehur dot syrit të hulumtuesve dhe të kuriozëve. “Në mbretëritë e padukshme që ekzistojnë përtej shikimit njerëzor, po ndodh një shndërrim vibrues, një përshpejtim që i nxit mendjet e mbyllura dhe konkrete njerëzore të hapen. Ky shndërrim po i zgjon ata që janë gati të dalin nga gjendja e gjumit hipnotik, i cili i mban skllevër të Dorës së fshehtë, e cila e kryen manipulimin që nga errësira, duke qëndruar pas atij që, në dukje, mban “pushtetin”. Synimi i “popullit të hijeve” është krijimi i një gjendjeje oruelliane globale të kontrollit dhe varësisë totale nën diktaturën drakoniane’ i një vendi ku liria, me të gjitha forcat e saj do të humbë falë mikroçipeve që lejojnë mbikëqyrjen e çdo veprimi, çdo fjale, madje edhe çdo mendimi. Për një kohë të gjatë më kanë kërcënuar dhe përqeshur për shkak të asaj që bëja, por të qeshurat, tani, janë një reagim mjaft i rrallë, pas përvojave të përditshme, që e bën përherë e më të dukshëm realitetin e fakteve”, shkruan Icke, qysh në faqet e para të librit, ende pa nisur shtjellimin e teorisë së tij dhe paraqitjen e fakteve. Ky thellim drejt shkaqeve nis me një analizë nga vetja, nga njeriu, për të kuptuar “kush jemi?”. Duke bërë një krahasim me ndërtimin e kompjuterëve të hard diskut, memories, ej., Icke tregon se mes këtyre humanëve dhe “makinerive” që po pushtojnë botën, ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme. “Trupi ynë nuk është vetë “ne”, por një kompjuter fantastik biologjik që “ne” e përdorim për të përjetuar këtë realitet. Është një pajisje, një mjet, jo një “ne”, apo një “unë””, shkruan Icke, teksa e krahason me një veshje astronauti që përdoret për të shkelur hapësira të tjera. E hap pas hapi, Icke përpiqet që përmes faktesh të na tregojë se emërtimet “njerëz primitivë”, apo “shoqëri primitive” janë tërësisht naive dhe se “bota” kalon nëpër një “spirale kohe”, ku gjithçka përsërit vetveten, ndërsa citon thënien e kolonelit Xhejms çërçurd “Qytetërimet kanë lindur, janë shuar dhe janë harruar vazhdimisht. Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Ajo që ka qenë, po ajo që vazhdon të jetë. Gjithçka që mësojmë e zbulojmë ka ekzistuar edhe më parë; shpikjet dhe zbulimet tona nuk janë gjë tjetër, veçse rishpikje dhe rizbulime”. Dhe duke iu referuar zbulimeve arkeologjike, referimeve historike e shkencore, Icke kërkon të na mbushë mendjen se njeriu nuk është thjesht një krijim sipas variantit darvinian, apo atij fetar. Nuk është thjesht një evoluim dhe as një krijim i thjeshtë baltor. Bota dhe njerëzi janë krijime shumë më të mistershme. Zota, qenie të “përtej botës” e krijime të çuditshme, imazhet e të cilave na vijnë përmes rrasash guri e terakotash, hyjnë në lojë fuqishëm. E shkallë-shkallë dalin në dritë shoqëritë e fshehta, që janë shtrirë në shekuj, kanë shtrirë fijet e tyre ngado dhe menaxhojnë gjithë botën. Simbolet e tyre janë të gdhendura nëpër godina pompoze në të gjithë botën. Yje 5-cepësh e 6-cepësh, simbole të sekteve satanike, hebraike, etj. Icke sjell një varg shembujsh, ku hasen qartë këto simbolika, ai ajo e diellit, që haset në tempujt masonikë, por edhe në selinë e Kryeministrit britanik, apo në fronin e Presidentit të parë të SHBA. Ai vë re ngjashmërinë mes statujave të Xhorxh Uashingtonit si dhe Bafometit, zotit satanik, të Semiramidës së Babilonisë dhe Statujës së Lirisë në Nju Jork, etj. Ai ofron raste pafund, ku simbole të shoqërive të fshehta, kryesisht masonike, mbushin që nga planimetritë e rrugëve të Uashingtonit, tek Shtëpia e Bardhë, apo simbolet amerikane. çka, për të është një fakt i qartë se nga kush drejtohet bota. Në rrugën e historisë, ai ndalet tek luftërat dhe “sponsorët” e saj. Në Luftën e Dytë Botërore implikon Vatikanin, por edhe hebrenjtë, ndërsa SHBA ka ndihmuar “fshehjen” e kriminelëve nazistë. Për të ardhur tek vrasjet e Kenedëve, e Papës Gjon Pali I, ngjarje më bashkëkohore, tek tragjedia amerikane e 11 shtatorit, krijimi i Bin Ladenit, zgjedhja e ish-Kryeministrit britanik Toni Bler, e Presidentëve amerikanë Bush, i vjetër dhe i riu, Klinton e deri tek më i fundit, Barak Obama. Çdo ngjarje është e lidhur me tjetrën me fije të padukshme.


Autori
David Icke është studiues i historisë së fshehtë dhe konspiracioneve, gazetar i njohur dhe konferencier. Pasi ka punuar në kanalin BBC dhe media të ndryshme, sot zëri i tij përbën një alternativë ndaj informacionit zyrtar. Librat e tij kanë tërhequr vëmendjen e një lexuesi të shumtë. Veç “Konspiracionit botëror”, Icke është autor i librave “Sekreti më i madh”, “Dashuria e pafundme është e vërteta e vetme, gjithçka mbetet është vetëm iluzion”, “Liza në botën e çudirave dhe shkatërrimi i Kullave Binjake”, “Bijtë e matriksit”, “Unë jam vetvetja, unë jam i lirë”, “Kronika dhe spiralja e kohës”, etj.

Vetëm dyshimi është i sigurt

Sigurisht që kur lexon të lakohen emra shtetarësh, mbi të cilët shumë njerëz kanë hedhur besimin e tyre për një shoqëri më të mirë, kur të ofrohen si marioneta të një politike më madhore, apo kukulla shoqërish të fshehta, kur të ofrohet një alternativë për historinë, mund të nënqeshësh e të mendosh se janë të gjitha marrëzira, apo delire të një të marri. Sigurisht, e vërteta është relative. Nuk është e thënë që David Icke ka të drejtë në ato që thotë, por ai ofron një alternativë, besimi tek ajo është zgjedhje. I sigurt është vetëm dyshimi. David Icke të shtyn të dyshosh se jo çdo gjë që shkëlqen është ar dhe të ngacmon që të shohësh tej fasadës, të lexosh nëpër rreshta...

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...