2011-03-07

POEZIA SI OFSHAMË JETËSORE

Shefqet Dibrani: Poezia e Sadik Krasniqit

POEZIA SI OFSHAMË JETËSORE

Sadik Krasniqi „OFSHAMË NË URNË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „FAIK KONICA“, Prishtinë 2008, faqe 96. ISBN 978-9951-06-210-7


Shkruan: Shefqet DIBRANI

Poeti Sadik Krasniqi në përmbledhjen poetike „OFSHAMË NË URNË“, ka artikuluar motivet dhe dramën jetësore të poetit në mërgim, dramë të cilën e ndërlidh me zhvillimet dhe aktualitetin e gjithëmbarshëm kombëtar. Me gjithë nuancat e theksuara të poezisë që merren me zhvillimet nacionale, një tufë e tërë e poezive të këtij autori kanë motive lirike të cilat bashkë me të tjerat kanë bërë për të besuar se ky poet (si gjithë poetët tjerë) të shprehë sinqeritet dhe përkushtim për të regjistruar jetën e tij, qoftë në atdhe me tërë zhvillimet dramatike, qoftë si mërgimtar, poezi këto të cilat ku më shumë e ku më pak kanë shprehur çiltërsinë dhe ndjenjën krijuese.

Libri me poezi „Ofshamë në urnë” ndahet në pesë njësi ciklike: „Kllapi e blertë“, „Pikëllim i ngrirë“, „Vello ujore“, „Unazë dheu“ dhe cikli poetik „Hija e grisur“. Këto njësi ciklike nuk ndryshojnë edhe aq për ndonjë motiv poetik që e specifikon dhe e dallon njërin cikël nga tjetri, që do t’ia vlente për t’u theksuar më shumë, por si tërësi këto cikle kanë regjistruar një lloj kronologjie të krijimeve poetike që ky autor prej vitesh i ka vjelë e sistemuar me kujdes.

Gjithsesi në ciklin e parë: „Kllapi e blertë“ , poeti i ka përfshirë poezitë që kanë një ndjenjë dhe një përjetim specifik. Në njërën sysh ai ka edhe këtë përkushtim: “Rekuiem për shkrimet e djegura, ku kishte diç nga buzët, sytë dhe shpirti yt”, kjo poezi mund të klasifikohet edhe si poezi lirike, ku poeti i kushton vargjet e bukura të të dashurës për “buzët, sytë dhe shpirtin”, por në anën tjetër poezia i kushtohet atdheut të tij dhe fatit tragjik që përjetoi kombi ynë në kapërcyell të shekullit që ia kthyem shpinën. Në poezinë “Tri miniatura për Kosovën” poeti ka bërë vargje për “emrin, shtëpinë dhe gjuhën” të cilat si miniatura poetike qëndrojnë dhe lartësojnë vlerën poetike të këtij cikli.

TRI MINIATURA PËR KOSOVËN

(Emri)

Nëse përsëri më pagëzojnë

Kush do ta mbajë në mend

Emrin tim të vjetër

A do të shkruhet e vërteta në gurë të ftohtë

(Shtëpia)

Nëse m’i lëkundin muret

A thua sërish do ta gjej

Në vatër

Gjarprin e shtëpisë


(Gjuha)

Nëse ma shterin detin

Me çka t’ua turbulloj fëmijëve

Lumin në përrallën

Mbi ujkun dhe qengjin

(Faqe 12)


Poezia që cituam ngërthen dramën reale të të sotshmes sonë në të cilën si kurrë më parë, Kosova ka gatishmëri për ndryshim të identitetit të saj, duke iu imponuar një Flamurë që s’ka asnjë ndjenjë nacionale me tendenca në rritje për të folur një gjuhë tjetër e cila që nga rrugët e deri në instancat shtetërore po aplikohet pa asnjë rregull dhe asnjë normë. Poezi të realizuara që kanë një ndjenjë përjetuese po aq sa poezia që përfolëm më lart janë edhe poezitë: “Kllapi e blertë”, “U(r)në pranë lumit”, “Ofshama bëhet flutur”, “Loti i jetës”, “Të keqes” e ndonjë tjetër.

Në ciklin „Pikëllim i ngrirë“, poeti merret më shumë me dramën nacionale nëpër të cilën kaloi kombi ynë, poezi këto që në një mënyrë a në një tjetër kanë bërë biografinë jetësore të poetit, kanë shprehur ndjenjat e tij dhe kanë përshkruar me hollësi edhe idealin e tij. Ndër poezitë më të realizuara që gjenden te ky cikël padyshim janë: “Kronikë për qytetin tim”, “Krrokamë e krisur”, “Urdhri, kushtuar Martin Çunit”, “Shqipet morën dhenë”, “Gjarpri i shtëpisë”, “Varri i humbur”, “Shqipëria ‘97” etj. Te poezia “Guri i truallit”, ndeshim këtë refren: “Me këtë gur/ ngrijmë kulla/ harkojmë ura/ gjejmë gurra/ pagëzojmë burra”, kurse kundër pesha e këtij refreni sendërtohet me vargjet ose siç shprehet poeti “kur luan vendi ky gur trolli” do të “kallen kullat/ prishen urat/ shteren gurrat/ tmerrohen burrat” të cilët “nëse s’i gjeni brigjeve/ kërkoni shtigjeve”, elemente këto që i gjejmë edhe te poezia “Guri i kullës”, që ia kushton poetit Din Mehmeti:

GURI I KULLËS

(Din Mehmetit)

Kur m’i këndon Kosovës

më bëhesh

gur i kullës së djegur në gjak

yll në kap(t)yll të djepit në galdim

frëngji malli në shikim kah deti

pushkë në krismë

“Zog i Dielli”

në tel të lahutës

me këngë drite në zemër

(Faqe 36)

Cikli „Vello ujore“, përbëhet nga poezitë lirike të cilat kanë një finesë dhe një realizim artistik, herë, herë meditativ dhe provokues ta zëmë:

VAJZË

Vaj vaj vaj

E vaj me zë

Vajzë

Faqe 53.

Poezi të tjera që kanë një invencion artistik janë edhe poezitë: “Sytë e asaj vashe”, “Prishtina në korrik”, “Ulqinakja”, “Pritja e lagur”, “Dashuria e hijeve tona”, “Pas vdekjes tënde”, “Fushë e ngrirë” e ndonjë tjetër.

Poezitë e përfshira në ciklin „Unazë dheu“ sikur qesin në pah mallin dhe dashurinë e poetit për Atdheun pasi “... Dheu i Kosovës/ mban erë molle”, aromë me të cilën poeti “Do t’ua sjell rreth koke/ Albinit e Galdimit” për “t’ua nyjëzuar shpirtin me Kosovën”: Jo vetëm te këto vargje por edhe te poezitë ”Në Çamëri”, “Bisedë në Aksaraj”, “Atje dhe këtu”, “Vdekja në kurbet”, “Takimi me nënën në kurbet”, “Letërzeza” etj, flasin për dramën jetësore të poetit në mërgim të cilën e shpreh me pezëm dhe dëshpërim kudo nëpër vargjet e këtij cikli, po më ndjeshëm, më drejtpërdrejtë e gjejmë te poezia:

REFUGJATI

As qetë e premtuar për lavër

As dele në vath për tambël

As dhe për arë e farë

Askund as bar

Vetëm gurë e gurë

Për varr

(Faqe 69)

Cikli „Hija e grisur“, i përmbledh poezitë të cilat për kah gjuha shprehëse janë më kritikuese, duke shprehur pezmin për një sërë mangësish që e përshkojnë shoqërinë tonë njerëzore. Ky cikël më mirë së ciklet tjerë e artikulon përditshmërinë tonë e cila si reflektim i ka nxjerr poetit një tip poezie që shprehë një lloj proteste qytetare siç do të vërehet ku më shumë e ku më pak edhe te poezitë: “Gjuha thikë”, “Hija e grisur”, “Kohë e sëmurë”, “Përrallë për kalorësit e zi”, “Pa titull” etj, por për ilustrim po sjellim poezinë “Hipokrizia” e cila më së miri shpreh protestën tragjike në mënyrë poetike.

HIPOKRIZIA

Kur Patrioti

Bëhet Partiot

Atdheu

Bëhet xhep

Lulet e vjedhura

Pikëllohen mbi varre

Me ironi

U fishkëllehet lapidarëve

(Kosovë ’06, faqe 85)

Nga kjo që thamë më lart shihet se autori ka bërë një sërë përpjekjesh poetike për të artikuluar më mirë mendimin poetik për realitetin nëpër të cilin ai si qytetar ka kaluar, duke e përshkruar jetën dhe të jetuarit e tij nëpër poezi ai ka prezantuar ndjenjën dhe përjetimet që dalin si një metaforë e cila e ka nismën qysh në rinin e hershme, duke vazhduar sikurse rrjedha që lë gjurmë të dukshme, ashtu edhe poezia e këtij poeti ka regjistruar jetën e njeriut në mes kësaj drame kolektive që do të shprehet bukur te këto katër vargje të një poezie më të gjatë: “Kroi i Çamurlisë/ pikon dhimbjen në gjak/ fushat mbushen lulëkuqe/ yjet zbresin mbi grunajat e Kosovës/ ofshama gjallëron frymëmarrjen”, faqe 14.

Sadik Krasniqi ka nisur të shkruaj qysh në kohën e studimeve, do të thotë në kohën e një pjekurie akademike, atëherë kur jeta e tij sado kudo ka marrë kuptimin e plotë, por që ishte përplot ideale e ambicie s’ka dyshim, por rrjedha si rrjedha, dhe Kosova me gjithë dramën e asaj kohe ndryshoi jetën e kosovarit si një proces që nuk i dihej saktësisht se ku do të përfundoj, ashtu sikurse që nuk i dihet as rrjedhës së lumit që nuk shteron kurrë, pra jeta e poetit mbetet rrjedhë aq sa poezia që ka shënuar vazhdimësi, tamam sikurse lumi që nuk ndal shtegtimin e tij. Pra këto tri komponente sikur e ndërtojnë metaforën jetësore të poetit në mërgim. Prandaj mendojmë se rrjedha jetësore e ka bartë poetin bashkë me fatin e tij krijues diku në vende e dhera që domosdo duhet të lëshonte rrënjë, ashtu sikurse pema që shkulet e mbillet kudo mbi këtë tokë dhe përsëri jep frutat e saj, ashtu ndodh edhe te njeriu i cili mbarësohet, mbushullohet e trashëgohet me pasardhësit e tij, kurse e veçanta te poetët është se ata mbushullimin dhe lulëzimin e artikulojnë në poezitë e tyre. “Atje lash/ një pjesë zemre peng/ për një copë gur/ këtu/ Gjarpri i shtëpisë/ Helmohet nga pikëllimi”, poezia “Atje dhe këtu”, faqe 68.

Sadik Krasniqi në poezinë e tij ka elemente elegjiake si “fluturimi gri i dallëndyshes drejt vendlindjes”, ku drama e gjithëmbarshme e braktisjes së atdheut i ka caktuar edhe atij rolin e imituesit që detyrimisht jep imazhin e përjetimit poetik, si vlerë e realitet me një përjetim tragjik, ku fundi i imazhit nuk e përcakton përjetimin poetik si lëndë dhe si strukturë poetike, por e përshkruan imazhin si një përjetim emocional të cilit mundohet t’i jap nënqeshje lirike përplot nuanca jete e shprese ku e sotmja dhe e nesërmja shihen me syrin e perspektivës duke shkrirë të sotmen e duke ngjizur të djeshmen e cila te ky bllok i poezive shikohet e kujtohet me mall e nostalgji. Poezitë lirike janë përjetime më racionale dhe kanë një ndërtim artistik të qëndrueshëm që kurdoherë shprehin ndjenjën e përjetimit a të flirtit si kryekreje e një elementi që i jep poezisë jetë e gjallëri, dhe emocione gjithsesi më përjetuese.

Këto nuanca përjetimi i ndeshim qysh në vargjet e poezisë “Pas vdekjes tënde”, faqe 57, (vargje të cilat i ka vënë edhe kredo të këtij vëllimi poetik), në të cilën poeti beson se “edhe pas vdekjes tënde/ prapë do të ketë fushë të blertë”, ku do të simbolizojnë synimin si qëllim për të ndërtuar imazhin lirik të kësaj poezie që bartet e përshkohet nga cikli në cikël.

Një bllok i tërë i poezive të këtij poeti mëton të regjistroj, e pse jo të ballafaqohet me të kaluarën si një lloj sfide për ta përballuar të sotmen me nuanca porosie për ta ndërtuar të nesërmen e cila pa dyshim do të vjen më e begatë se e sotmja e tendosur nga streset e përditshmërisë së hallakatur siç e kemi rastin te poezia kushtuar “gjyshërve tanë” në të cilën poeti nuk do t’ia fal vetës “që s’e mësova/ orën e diellit mbi rërë/ që të dija të ligat e motit”, faqe 15.

Kjo dramë e ballafaqimit me të sotmen duke iu referuar të djeshmes për ta sendërtuar të nesërmen sikur bëhet një temë obsesive e autorit i cili mëton që lëndën e tij krijuese të vë në një sfond të bardhë mbi të cilën do të luhet drama njerëzore e cila është përplot përpjekje e gjakosje. Jo rrallë na duket që ky lloj sfondi i bardhë i vënë si në prapaskenë, por, tashmë në teatrin poetik të Sadik Krasniqit shërben si shtrojë mbi të cilën aktorët shkelin pa mëshirë për t’i dhënë jetës jo vetëm të bukurën e artin por edhe për ta shëmtuar e gjakosur më shumë, si një përpjekje që do të dallon a diferencon edhe më shumë të shëmtuarën dhe të ligen të cilat sikur i ka vënë përball të bukurës dhe dinjitetit të qytetarit i cili mëton dhe beson për të ardhmen e tij më të mirë, më të bukur dhe më fatlume se “shqipet e lidhura/ fluturonin/ e të lirat ranë për tokë”, kurse në këtë tokë, në këtë vend “të shenjtë/ mbetën vetëm varret”, faqe 86.

Në këto përjetime poetike, askush më mirë se vet poeti nuk ka ditur dhe nuk do ta përjeton dramën e tij jetësore, dhe dramën e popullit si kolektivitet me të gjitha tragjizmat dhe ngadhënjimet e mundshme. Deri sa drama personale regjistrohet si një lloj e përjetimeve emocionale me mjaftë nuanca dëshpërimi e zhgënjimi, te drama kolektive sado që ka nuanca pesimizmi gjithmonë gjendet një shtegdalje dhe shihet një shenjë dhe dritë për të ardhmen më të ndritur më të përparuar ashtu sikurse “Galdimi dhe Albini/ Kosovën do ta gjejnë të bleruar/ edhe pas njëmijë vjetësh/ kur ta puthin për herë të parë/ kanë për të ditur/ se kanë puthur Diellin e vet...”, (Ninda ’99, faqe 65).

Ky poet qysh me librin e parë me sukses relativizon përmasat e jetës në mërgim si ekzistencializëm historik dhe përjetues të cilat me një çiltërsi ka arritur të ringjall kujtesën historike për data dhe bëma që historinë e një kombi e bëjnë më të kujtueshme dhe shumë më të pranueshme.

Poezia e Sadik Krasniqit që është përfshirë në librin “Ofshamë në urnë” shpresojmë se i paraprinë poezisë së këtij autori që do të pason në librat e ardhshëm. Megjithatë edhe me këtë përmbledhje ai ka dëshmuar një përvojë që ka kaluar nëpër sfida jetësore.

St. Gallen, dhjetor 2009.

Shefqet Dibrani

SHËNIME PËR AUTORIN




Sadik Krasniqi (24.05.1961). Lindi në fshatin Llukar të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme si dhe studimet i ka kryer në Prishtinë. Është diplomuar në degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pas studimeve ka punuar si arsimtar i Gjuhës Shqipe në fshatin e lindjes deri sa ka emigruar në Gjermani.

Me shkrime është marr si student dhe krijimet e tij janë botuar pothuaj në të gjitha gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar poezi, tregime si dhe vështrime kritike.

Poezitë e Sadik Krasniqit janë shpërblyer nëpër konkurse letrare, janë përfshi në antologji si dhe është e përkthyer edhe në gjuhën frënge.

Sadik Krasniqi jeton në Gjermani.


Vepra letrare:

„OFSHAMË NË URNË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „FAIK KONICA“, Prishtinë 2008.

(Sh.Dibrani)




Cikël me poezi nga libri „OFSHAMË NË URNË“

SADIK KRASNIQI


KLLAPI E BLERTË

Te ky i shenjti krua

Me etjen e plasur

ujin e treqind pranverave pijë

Plagët më gjelbërohen

Vorbullës flluskat ia heq

Ia gjej damarët e lagur

Hijes plot vesë të shelgut blu

Rrjedhën e tjerr me sy

Në rrjetën ujore

Bëhem merimangë e njelmët

Me pikla në buzë

Më zënë ethet e Zanës

Treqind vjet e pres një vetëtimë

Të ma heq nga bebëza kllapinë e blertë



U(R)NË PRANË LUMIT


Jam u(r)në gjetur pranë lumit

plot dhembje me erë ashti

Ofshamë që dridh

një gjeth të blertë mbi valë

Në zgavrat e syve

qiell i pafund

me një pikë të zezë me flatra

e dalë nga bebëzat e përmallta

Edhe pas dymijë vjete

hirit m´i bën hije

krahu i dallëndyshes

me fluturimin gri drejt pranvere


OFSHAMA BËHET FLUTUR

(Rekuiem për shkrimet e djegura, ku kishte
diç nga buzët, sytë dhe shpirti yt)


Për atë shpirt të djegur
Ofshama bëhet flutur
Fluturon në pranverën gri
Lëshon dhimbje në lulet e hirit

Për ata sy të shterë
Loti bëhet yll
Dhe bie si dritë
Mbi varret syçelë

Për ato buzë të hirta
Puthja bëhet mjellmë
Fërfëllima e krahëve të bardhë
dridh hënëzën e liqenit valëmall



TRI MINIATURA PËR KOSOVËN

(Emri)

Nëse përsëri më pagëzojnë

Kush do ta mbajë në mend

Emrin tim të vjetër

A do të shkruhet e vërteta në gurë të ftohtë

(Shtëpia)

Nëse m’i lëkundin muret

A thua sërish do ta gjej

Në vatër

Gjarprin e shtëpisë


(Gjuha)

Nëse ma shterin detin

Me çka t’ua turbulloj fëmijëve

Lumin në përrallën

Mbi ujkun dhe qengjin

LOTI I JETËS*

(Kroit të Çamurlisë)

Pikon lotin e gurit
mbi syrin e verbër
bebëzës ia jep blerimin
dhe zë fill drita në liqe

Pikon shpirtin e ashtit
Shqiponja merr fluturimin
kalon ylberin
dhe hedh plisa mbi djepa

Pikon shkëlqimin mbi vetull
me puthje vajza zë diellin
hijet masin gjatësinë e jetës
me dridhjen e hënës së trembur

Pikon dhimbjen në gjak
fushat mbushen lulëkuqe
yjet zbresin mbi grunajat e Kosovës
ofshama gjallëron frymëmarrjen.

*Fituese e çmimit te parë në konkursin letrar të ''UPSH'' në Gjenevë



S’DO T’IA FAL VETES*

(Gjyshërve tanë)

S´do t´ia fali vetës
Qe s´e plaka një hije lisi me ju
Deri të gërvishtej hëna në rrem
E t á mësoja dhembjet natës

S´do t´ia fali vetës
Që s´e ftohëm gurin
E t´ia mpija gjarprit
Dhëmbin me helm

S´do t´ia fali vetës
Që s´e mësova
Orën e diellit mbi rërë
Që të dija të ligat e motit

S´do t´ia fali vetës
Që s´ua nxora fjalët e ashtit
E të dija për shpirtin e gjakut
Në atë flakë që më digjte të gjallë.


*Fituese e çmimit te dytë në konkursin letrar të ''UPSH'' ne Gjenevë



TË KEQES

Të keqes

Verboja sytë

Para se t´i dalin dhembët

Madje pa drojë

Fshehe pragun në dritë



SHI DHE TROK KALI


Në këtë natë me shi dhe trok kali
Shaloj hingëllimën e trembur
Mbërrij tek babai dhe varri i çelë
Zë çastin e ndarjes
E puthë të gjallë
Me urnën e pikëllimit
Ia marr lotin e mallit
Në dhimbje më bie drita e kometës
E në qiell shndrit nuri i tij

KRONIKË PËR QYTETIN TIM


(Lumit)


Ia ndotën bukurinë në kaltërsi

ç´u bë damar i sëmurë i qytetit

E varrosën solemnisht me duartrokitje

Qytetarët e moçëm

ku do t´i lajnë fytyrat e djersitura

nga kujtimet për kohën

vashat ku do t´i njomin bebëzat për dashuri

Me qerpikë të pluhurosur djemtë

Si do t´i gjejnë vashat

në takime të humbura

Të vegjlit do t´i harrojnë format e peshqve

(në ëndrra të luajnë me ta do të përpiqen)

Nekrologjinë e lumit të vdekur

e gozhduam në zemër të blirëve

Ata nga dhembja lotuan gjethe

Pranvera se ç´na u tha trotuareve

(Moti)

Tri herë stinët në ditë ndjekim njëra-tjetrën

(qytetarët kurrë s´e humbën ngrohtësinë e gjakut)

mysafirët kurrë s´arritën t ´i veshin rrobat e motit

erdhën me ëndrra të vonuara si mollët e pjekura

u kthyen me sëmundjen e eshtrave

(Varri)

Varre prapa »Kodrës së Diellit »

Varre prapa « Kodrës së Dragodanit »

Qytetarët në mëdyshje

se ku t´i amshojnë eshtrat

shtyjnë vdekjen për nesër

përditë vdekjen shtyjnë

(Spitali)

portën sëmundjeve ia mbyllën në fund të qytetit

Jetën aty e arnojnë fëmijët

në atë anë ku perëndon dielli

Prishtinë `87



KRROKAMË E KRISUR

Krra krra krra

N´bredhin e trishtuar pranë dritares

Krrakos sorrë e krisur

Krra krra krra

Krrokamë e harlisur

Grith terrin si ferrin

Krra krra krra

Sorrë si katrani

Gërvisht ëndrrën deri në përgjakje

Krra krra krra

Krrokamë e harbuar

Prapa kreje trurin ma krryen

Krra krra krra

Tmerr

Ferr

N´terr

Në tru më ther

URDHRI

(Mikut M. Çuni)

Në qelinë nr. 3

Mos e lejoni gjumin

se djaloshi i pabindshëm

sheh në ëndërr lirinë

puthë vashën që e pret

dhe çmallet me nënën…

SHQIPET MORËN DHENË

(Shtëpisë së alfabetit në Manastir)

Kot e prishni folenë

Shqipet kanë atdhenë

Kot e kallni folenë

Shqipet morën dhenë

GJARPRI I SHTËPISË

Natën

fëmijës në djep lulak i bëhet

po e shkele ditën

zemrën ia gërryen

Natën e gëzimit

nuses gjerdan i bëhet

po e shkele ditën

ia helmon bukurinë

bleruar në bebëza

Ditën e mbaj në zemër

tmerrësisht të bekuar

në etje për takim

natën më mban në rreth

duke ia ruajtur fshehtësinë vatrës

prill ` 87


GURI I KULLËS

(Din Mehmetit)

Kur m’i këndon Kosovës

më bëhesh

gur i kullës së djegur në gjak

yll në kap(t)yll të djepit në galdim

frëngji malli në shikim kah deti

pushkë në krismë

“Zog i Dielli”

në tel të lahutës

me këngë drite në zemër

GURI I TROLLIT


Me këtë gur

ngrijmë kulla

harkojmë ura

gjejmë gurra

pagëzojmë burra

Medet kur luan vendi

ky gur trolli

Kallen kullat

prishen urat

shteren gurrat

tmerrohen burrat

Medet ky gur trolli

shpesh rrasë vorri



VARR I HUMBUR

(Micit)

Nëse s´e gjeni brigjeve

E kërkoni shtigjeve

Pa ia gjetur plisin

Mos ia rrëzoni lisin...

tetor ` 88

SHQIPËRIA ´97

Qava kur s´të pashë

Qava kur të pashë

Qava si të lashë

Paqja e qiellit

Raft mbi ty

Shqipëri


Nidda ´97



XIXËLLONJAT


Flutura që s´ vdesin kurrë
Vetëm pranverat ndërrojnë
Prej lumit dalin ujore në brigje
Mbi grunaja qiellin zbresin

Ato bëhen yje larg hëne
Në xham në pikënatë duke i soditur bebëzat i përmallin
Duke lypur udhën qumështore për atdhe
Në ballin e bardhë të fëmijëve dritë engjëllore bëhen



SYTË E ASAJ VASHE

(N-së)


Vetulla hark i zi

Nga vetulla në sy

largësia yllësi

Qerpikët

plepa blu në qiellin gri

hijesojnë njomësinë në urtësi

ç ´bukuri

n´ sy

ndry

n´frëngji

Oh mos të rëntë kurrë lot i zi

në ata sy

Kurrë mos t´u djegtë

ajo bukuri

gusht `87


PRISHTINA NË KORRIK

(Pa Ty)

Diell diell diell

Prush tokë e qiell

Sheshi shkretëtirë pa erë

Blirët kordon helmetverdhë

Trotuaret (kah vjen ti) plot mall

Lulet në bebëza zjarr

Pritja e pluhurosur me tmerr

Prishtina pa ty vetëm ferr ferr ferr…

Prishtinë,korrik ´91



ULQINAKJA

Në atë kaltërsi

Fustani yt i flakur

Bëhet pulëbardhë

Mbi valë

E ti kripë e krisur

Në puthje

Ulqin ` 07



PRITJA E LAGUR

Në këtë pritje të lagur

nëse s´ma heq brengën

bile ofshamën ma ndiej

Për shenjë dhembjeje në fytyrën tende

vuajtjen do ta vari në cep të yllit

gjersa bebëzat të pikojnë mall

VAJZË

Vaj vaj vaj

E vaj me zë

Vajzë

DASHURIA E HIJEVE TONA

1

Ndërsa të ndrojtur ndërronim lulet

hijet tona etshëm putheshim

Në rërën prush me thembra të djegura

këmbë pas këmbëve masim dashurinë e tyre

Ec ec e ec

për ta zërë diellin para kodre

për ta harruar diellin para nesh

2

Në natën e kthjellët si loti pa faj

ne të mbështetur në heshtje

e hijet tona nyjëzoheshin në përqafim

Në roje të dashurisë

ç´na zbehi hëna si hije baladash

kujdes mos të shkelë këmbë e keqe

se na i përhënë hijet në lojë…

PAS VDEKJES TËNDE

Edhe pas vdekjes sate

Prapë do të ketë fushë të blertë

Lulet do të lulëzojnë zjarr

E unë do t´i prek me zemër.

FUSHË E NGRIRË

Mos më thuaj

se dhimbje do të kesh në pranverë

Ofshama jote

nënën do ta çojë te lulet e lumit

Deri te ai lumë

s´do mund ta kalosh fushën e ngrirë

Kolla e thatë

frymën do ta zë

DEGË ULLIRI NË ËNDËRR*


Me malin e kallur mbi kokë
Ujiti lulet në verandë
Që fëmijët të kenë pranverë në dritare

Përmes etjes së zhuritur në lëkurë të gjarprit
Kaloj hejzën e shkretëtirës
E në prehër mbaj thërrmija buke
Të merr pakëz cicërimë
Fluturimi gri i dallëndyshes drejt vendlindjes

Në natën me hënën e kuqe
Në majë gishtërinjsh marr flakë në yll
Ta ndritë rrugën e fjetur
Dhe ëndrrën e fëmijëve ta zë para agimit
E në atë ëndërr
Lë një zog një lule
Fytyrën e blertë të nënës e degën e ullirit


*Fituese e çmimit Agim Ramadani, 2006.



UNAZË DHEU

Erdhe me plis të djegur në majë

me faculetë të bardhë nëne

të lidhur katër cepash me nyje malli

Për në shtëpi mora atë lot dhe

Ky dhe i Kosovës

mban erë molle

erë shpirti me duhmë zjarri

erë vakësie t ´ëmblit të nënës

erë varri erë lirie

Mbrëmjeve në dritë të hënës

fëmijëve do t´ua sjell

Galdimit e Albinit

tri herë rreth koke

që tërë natën të ëndërrojnë

se shëtisin në grunaja të bukës së re

me xixëllonja në ballë

Do t´ua sjell rreth koke

Albinit e Galdimit

t´ua nyjëzoj shpirtin me Kosovën

me unazën e dheut të përndezur

do ta shijojnë për çdo mëngjes

dhe do të mësohen me erën e tij

rrugës qumështore përmes qiellit

do t´ i pluhuros yjet me prushin e këtij dheu

Galdimi dhe Albini

Kosovën do ta gjejnë të bleruar

edhe pas njëmijë vjetësh

kur ta puthin për herë të parë

kanë për të ditur

se kanë puthur Diellin e vet…

Nidda, ` 99


NË ÇAMËRI

Sa herë meteorët fluturojnë në Shqipëri

Thahet nga pikëllimi një ulli

Në Çamëri

Sa herë hëna përndizet

Në Çamëri

Hardhia hedh dhembje mbi dhe

Në bar bie rrush si prush

E digjet ajo fushë

Sa herë qiellin e ndan vetëtima

Në Çamëri

Vala e Jonit bëhet jelë kali

Në shkëmb varet nga malli



BISEDË NË AKSARAJ

(Nga malli në bebëzat e syrit

e njoha se ishte i dheut tim)

Kur u nisa këndej- i them

livadhet kositeshin në Kosovë

e ai më rrëfen për gjarprin

që e kafshoi në blerimin e jetës

I them se ende i ndërtojmë

Kullat me dritare nga dielli

e ai më rrëfen

për gjenezën e dheut

I them se sivjet kemi gëzim në verë

e ftoj në dasmën e madhe të vëllait të vogël

e ai më pyet

sa dërrasa qet plepi skaj oborrit

E pyes ç´t´i them Kosovës për të

më je mall i djegur në zemër-thotë

në fund e përshëndes TUNGJATJETA

e ai ma ktheu EJVALLA EVLAD

dhjetor,´85



ATJE DHE KËTU

Atje lash

një pjesë zemre peng

për një copë gur

këtu

Gjarpri i shtëpisë

Helmohet nga pikëllimi

REFUGJATI

As qetë e premtuar për lavër

As dele ne vath për tambël

As dhe për arë e farë

Askund as bar

Vetëm gurë e gurë

Për varr

VDEKJA NË KURBET

Në këtë kortezh të zisë

Asnjë mik i rinisë

Asnjë kujtim i fëmijërisë

Medet mbi varr

Asnjë lot i gjëmës

Asnjë fjalë e nënës

As mëmë as dhe

Për ty mëmëdhe

As at as dhe

Për ty atdhe

Asnjë ofshamë e dhimbjes

Asnjë lule e vendlindjes



TAKIMI ME NËNËN NË KURBET

Të përcolla burrë

E të gjeta si gur

Për ty zemra

Lot flake i vura...



LETËRZEZA

Larg shkuam larg përtej nëmës së nënës

përtej ku miza hekurin bren

përtej mallkimit të të marrit të lagjes

përtej ku na gjen vetëm letra e zezë

Kur të vijë kjo letër

e lidhur me fjongon futë

me shkronja të zeza e kumt të zi

për vdekjen e babait,vëllait a të nënës

Me kuaj të qiejve

me kafe të hidhët me dritë vetëtime

do të vij para muzgut të gjëmës

me ty motër do të rrimë para të meitit

Do të më rrëfesh me dënesë

për vdekjen e babait me sy çelë

nga malli për mua

me mërzinë tonë do ta pikëllojmë natën

Do të flasim për fëmijërinë

do të gëzohemi që u pamë

e zemra do të na plasë

nga ndarja e re



GJUHA THIKË

Gjuha thikë

derë e gozhduar

bar i egër rreth shtëpie

me dritare të verbra

shikimi i vëngër

mollë e këputur

nga pemë e dridhur

syri i fëmijës

qiell i trembur

nga rrufeja e krisur

pranvera e djegur



KOHË E SËMURË

Përditë ç´na bien flokët

Si ëndrrat miku im

Era s´do të mund t´i kthejë më në një anë

M´sa mendimet

Do të kemi kokë tullace si dielli

Prapë do t´i krehim nga shprehia

Do të kthejmë frizura me curril gjaku

Eh ç´të bësh

Sëmundje e kohës është kjo

Miku im

Shkurt ´89



PËRRALLË PËR KALORËSIT E ZI

Ata

Shalojnë kuaj të zinj si nata

Tërë ditën i përgjakin fytyrat

Së rruari me thonj

Natën lëshojnë mjekra në zemër

Në dasmë

Vrasin bajraktarin

Ia shëmtojnë nuses bukurinë në gjak

Në lindjen e fëmijës

Ia fikun yllin

Ia hedhin në detin e vjedhur kamot

Në puthjet e njoma

Shartojnë lulen e sherrit

Ata

Shalojnë kuaj të zinj si futa

Ata kurrë kuajve shalën s´ua heqin…


HIPOKRIZIA

Kur Patrioti

Bëhet Partiot

Atdheu

Bëhet xhep

Lulet e vjedhura

Pikëllohen mbi varre

Me ironi

U fishkëllehet lapidarëve

(Kosovë ’06)



PA TITULL

Shqipet e lidhura

fluturonin

e të lirat

rënë përtokë

Të shenjtë

mbetën vetëm varret


Zgjodhi dhe përgatiti: Sh. Dibrani

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...