V. Belinski
Belinski për Pushkinin
Mbi personalitetin human dhe artistik
Pushkini ishte kryesisht poet, artist dhe, për nga natyra e vet, asgjë më shumë nuk mund të ishte. Ai na dha neve poezinë si art. Dhe, prandaj, ai mbetet përjetë një shembull i madh i poezisë së tij janë aftësia e saj për të kultivuar te njerëzit ndjenjën e së bukurës dhe ndjenjën e humanizmit, duke nënkuptuar me këtë fjalë nderimin pa kufi për meritat e njeriut, si njeri. Pa marrë parasysh paragjykimet e veta gjenealogjike, Pushkini, nga vetë natyra e vet, ishte një qënie e dashur, simpatike, i gatshëm me gjithë zemër t’i shtrijë dorën çdonjërit, që i dukej atij “njeriu”. Pa marrë parasysh gjaknxehtësinë e tij, që mund të kalonte në ekstrem, karakteri i fortë dhe i fuqishëm i tij ishte feminor e i drojtur, i butë dhe delikat.
... Pushkini i përket atij grupi të krijuesve gjenialë, atyre natyrave historike, të cilat, duke punuar për të sotmen, përgatitin të ardhshmen dhe, pikërisht, për këtë nuk mund t’i përkasin vetëm së shkuarës...
... Pushkini ishte thirrur të ishte poeti i parë artist i Rusisë, që t’i falte asaj poezinë si art, si mjeshtëri dhe jo vetëm si një gjuhë të mrekullueshme ndjenje... Gjithë këta poetë (pararendësit e Pushkinit) janë në raport me Pushkinin si lumenjtë e vegjël e të mëdhenj ndaj detit, i cili mbushet nga ujërat e tyre. Poezia e Pushkinit ishte ky det...
... Në qoftë se do ta karakterizonim vargun e Pushkinit me një fjalë të vetme, do të thoshim se ai, kryesisht, është një varg poetik, mjeshtëror, artistik dhe me këtë kemi zbuluar patosin e gjithë poezisë së Pushkinit...
... Shpirti i Pushkinit karakterizohet, para së gjithash, nga ajo poezi, e cila nuk gjendet në libra, por në natyrë, në jetë...
... Pushkini, i pari nga poetët rusë, u bë zotërues i brezit të Kupridës, jo vetëm vargu, por çdo ndjesi, çdo mendim, çdo tablo e tij janë të mbushura me poezi, që është vështirë të shprehet. Ai soditi natyrën dhe realitetin nën një kënd të veçantë vështrimi dhe ky këndvështrim ishte i jashtëzakonshëm. Muza e Pushkinit është një vajzë aristokrate, tek e cila bukuria joshëse dhe delikatesa e natyrshme, spontane, gërshetohen me elegancën e tonit dhe me thjeshtësinë fisnike, tek e cila ndjenjat e mrekullueshme të brendshme janë të zhvilluara dhe akoma më shumë të lartësuara nga forma, aq shumë të shkrira, sa që kjo formë është bërë një natyrë e dytë e saj...
... Pushkini, si një artist i vërtetë, nuk e ndiente nevojën për të zgjedhur objekte poetike për veprat e veta, por, për të, të gjitha objektet ishin një lloj të mbushur me poezi...
Poezia ruse është çuditërisht besnike ndaj realitetit, qoftë kur pasqyrohen natyrën ruse ose karakteret ruse: mbi këtë bazë një zë i përbashkët e shpalli atë poet kombëtar popullor rus...
... Duke iu rikthyer mendimit tonë mbi mjeshtërinë artistike, si patos mbizotërues i poezisë së Pushkinit, vemë në dukje edhe aftësinë e tij të mrekullueshme për t’i bërë poetike sendet më prozaike...
... Talenti i Pushkinit nuk kufizohet nga sfera e ngushtë e ndonjë lloji poetik, duke qenë një lirik i mrekullueshëm, ishte gati të bëhej një dramaturg i shkëlqyer, por vdekja e papritur e ndërpreu zhvillimin e tij të mëtejshëm. Poezia epike ishte një lloj poetik po aq karakteristik për talentin e tij...
... Ngjyrimi i përgjithshëm i poezisë së Pushkinit, veçanërisht ai lirik, është bukuria e brendshme e njeriut dhe humanizmi, që e ushqen shpirtin...
... Që në vështrim të parë, të bie në sy se pikëllimi i shkon më shumë muzës së Pushkinit, është më i afërt për të se sa shakaja gazmore dhe çamaroke...
... Por pikëllimi i Pushkinit nuk është një ndjenjë delikate e sheqerosur e një shpirti të dobët; aspak, ky është gjithmonë një pikëllim i një shpirti të fuqishëm dhe të fortë dhe ai aq më thellë ndikon tek lexuesi, sa më thellë dhe më fuqishëm u bën jehonë të fshehtave më të shtrenjta të zemrës së tij dhe sa më harmonishëm bën të dridhet telat e saj. Pushkini kurrë nuk shkapërderdhet në ndjenjën e pikëlluar; ajo gjithmonë kumbon tek ai pa mbytur aspak harmoninë e tingujve të tjerë të shpirtit dhe pa çuar atë deri në monotoni. Ndonjëherë, duke u kredhur në mendime, ai sikur e shkund papritur kokën e vet, si luani krifën, për të larguar nga vetja renë e pikëlluar dhe, ndjenja e fuqishme optimiste, pa e fshirë tërësisht pikëllimin, i jep këtij një freski të veçantë, që e forcon shpirtin...
... Leximi i poezisë së Pushkinit duhet të veprojë fuqishëm në edukimin, zhvillimin dhe formimin e ndjenjave të bukura humane te njeriu...
Për romanin në vargje “Eugjen Onegin”
... “Onegini” është vepra më e për zemër e Pushkinit, fëmija më e dashur e fantazisë së tij dhe janë të pakta veprat, në të cilat personaliteti i poetit pasqyrohet me një plotshmëri të tillë të ndërtuar e të qartë siç u pasqyrua tek “Onegini” personaliteti i Pushkinit.
Para së gjithash, tek “Onegini” ne shikojmë një riprodhim poetik të tablosë së shoqërisë ruse në një moment nga më interesantët e zhvillimit të saj. “Eugjen Onegini”, nga kjo pikëpamje, është një poemë historike në kuptimin e plotë të kësaj fjalë, megjithëse midis heronjve të saj s’ka asnjë figurë historike. Merita historike e kësaj poeme është aq më e lartë, sepse ajo ishte përvoja e parë e shkëlqyer në këtë lloj, në Rusi. Në të Pushkini shfaqet jo thjesht vetëm si poet, por edhe si përfaqësues i ndërgjegjes shoqëruese të zgjuar për herë të parë...
... Pa marrë parasysh se romani mban emrin e heroit të vet, në roman kemi jo një, por dy heronj: Oneginin dhe Tatjanën...
... Onegini është një djalë i mirë, por jo një njeri i rëndomtë. Ai nuk vlen për hero, nuk hyn në radhën e njerëzve të mëdhenj, por limontia dhe poshtërsia e jetës e mbytin atë; bile, nuk e di se çfarë i duhet, çfarë dëshiron; por ai e di dhe e di shumë mirë, çfarë nuk i duhet, se atij nuk i duhet ajo, me të cilën kënaqet dhe lumturohet mediokriteti egoist...
... Onegini është një karakter realist në atë kuptim që tek ai nuk gjejmë asgjë ëndërronjëse, fantastike, se ai mund të ishte i lumtur ose fatkeq vetëm në realitetin, që e rrethon dhe vetëm nëpërmjet këtij realiteti...
... Ai (Pushkini) rikrijoi poetikisht në figurën e Tatjanës, femrën ruse...
... Por nuk është e lehtë të përcaktosh karakterin e Tatjanës. Natyra e Tatjanës nuk është shumë e komplikuar, por e thellë dhe e fuqishme. Tatjana është krijuar si prej një cope të tërë, pa asnjë përpunim dhe përzierje... E dashuruar me pasion, vajzë e thjeshtë fshati, pastaj zonjë mondane, Tatjana në të gjitha pozicionet e jetës së saj është e njëjtë; portreti i saj i fëminisë, i përshkruar mjeshtërisht nga poeti, më vonë na shfaqet vetëm i zhvilluar, por jo i ndryshuar...
... Tatjana është një qënie e veçantë, natyrë e thellë, e dashuruar, pasionante. Dashuria për të ishte ose një lumturi e plotë shpirtërore ose fatkeqësi e madhe e jetës së saj, pa asnjë të mesme pajtuese...
... “Onegini” mund të quhet enciklopedi e jetës ruse dhe një vepër popullore e shkallës më të lartë...
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...