Taisa Pisha, hebreja sovjetike, që vuajti dënimin në burgjet komuniste, vetëm pse u prishën marrëdhëniet Rusi - Shqipëri
BERAT- Në letërkëmbimin elektronik midis publicistit të njohur beratas, Simon Vrusho, autor i esesë “Hebrenjtë e Beratit” (libër që u hodh në qarkullim në mars të këtij viti dhe krejt tirazhi i botimit të parë u shit brenda tre muajsh), zë një vend të veçantë dhe peripecia e znj. Taisa Pisha, një nga gratë sovjetike që ëndrrën për jetën e lidhi me Shqipërinë, e lidhi me një student shqiptar, Gaqo Pisha, që në vitet 50 studionte për filozofi në Universitetin e Moskës. Por pas viteve të mjaltit të miqësisë shqiptaro-sovjetike, mbërriti dimri i prishjes që shkaktoi dhe një sërë dramash të grave ruse, sovjetike që kishin burra shqiptarë. Dimri që e përshkruan mirë gjeniu i letrave Kadare në romanin e tij “Dimri i Vetmisë së madhe”, por dimri i 20 grave sovjetike që hoqën të zitë e ullirit nëpër rrathët e burgjeve të ferrit komunist shqiptar është i pakrahasueshëm dhe i tmerrshëm kur e kujton. Por publicisti i njohur Vrusho veç letërkëmbimit elektronik sjell për Taisa Pisha edhe kujtimet e bashkëshortëve Irakli e Evgjeni Gjika, të cilët e kanë njohur nga afër, kanë punuar bashkë me znj. Taisa Pisha në kombinatin e tekstileve në Berat, rreth 45 vjet më parë teksa kjo e fundit ishte e internuar në qytetin e Beratit. Për bisedën elektronike që mora përsipër ta botoj është bërë shkas eseja e botuar e Vrushos si dhe dhurata, libri që ky i fundit i bërë Taisa Pishës teksa e përmend dhe në këtë botim me anë të një mikut të tij hebre, bëhet shkas për lidhjen elektronike për të cilën publicisti pas përgjigjes të pyetjeve të dërguara prej tij, bashkëpunoi për botimin e kësaj specialeje. Në letrën përshëndetëse ajo do ti shkruante publicistit të njohur beratas mesazhin përshëndetës dhe më pas do tu përgjigjej pyetjeve të bëra në këtë letërkëmbim elektronik, madje znj. Taisa Pisha, pas leximit të librit “Hebrenjtë e Beratit” dhe kishte lexuar autografi për Taisa Pishën:
Znj. Taisa Pisha, “Pavarësisht se nuk njihemi personalisht, unë jam njohur me
Golgotën tuaj. Me respekt: Simon Vrusho. Më pas ajo do ti shkruante: Naharia / Izrael, më 28.11.2010
I nderuar z. Simon !
Edhe një herë ju falënderoj për librin “Hebrenjtë e Beratit”. Librin me nënshkrimin tuaj ma solli dr. Zino, që erdhi bashkë me Valin për vizitë tek unë. Adresa ishte në rregull, ngatërresa ishte e postës. Me dr. Zinon jemi njohur, që në vitin 1959, kur unë lexoja leksionet e biokimisë në Fakultetin e Shkencave të USHT ( Universiteti Shtetëror i Tiranës ). Zino Matathia ka qenë nga studentët e mi të parë. Ai ishte një nga studentët më të mirë në Fakultetin e Mjekësisë. Që nga ajo kohë kemi mbetur miq. Edhe gjatë kohës që unë kam banuar në Berat ai më ka ndihmuar shumë si mjek. Më erdhi shumë mirë, kur lexova në librin tuaj vlerësimin më të lartë për dr. Zinon.
Eseja juaj më pëlqeu. Është mirë që ju e ngritët, e trajtuat këtë problem interesant dhe të pa studiuar më përpara. Në Tiranë kam njohur z. Petro Zheji, i cili më tregonte se ai studionte çështjen e banorëve të lagjes “Kala” në qytetin e Elbasanit. Z. Petro ka gjetur dokumente nga sinagoga e thoshte se në “Kalanë” e Elbasanit, 100-150 vjet përpara ka qenë një sinagogë, dhe se disa nga banorët të “Kalasë” kanë origjinë hebreje. Edhe unë kam menduar, që në atë kohë se
ndoshta edhe në Berat kishte njerëz me origjinë hebreje. Tani do tiu përgjigjem pyetjeve tuaja me radhë, paranteza e mësipërme tregon përkushtimin e asaj që i ka ndodhur kësaj hebreje ruse në burgjet komuniste të viteve 70 – 80:
Cila është origjina juaj ruso-hebreje dhe pse më dilni me dy emra: Edhe Taisa, edhe Tamara në kujtimet e kolegëve që keni punuar në kombinatin e tekstileve në Berat? Ç kujtime keni nga puna në kombinat?
Unë jam me origjinë hebre. Të dy prindërit e mi kanë qenë hebrenj, me origjinë nga Ukraina, që ka qenë shumë e populluar nga hebrenjtë. Unë linda dhe banova në qytetin Tula, 200 km në jug të Moskës. Ndërsa për emrin, u habita dhe vetë, kur lexova në librin tuaj emrin tim Tamara, se unë quhem Taisa, shkurt më thërrasin Tala ose Taja. Dikush do ketë harruar dhe më ka ngatërruar emrin. Në Berat na transferuan në vitin 1966, kur filloi fushata “e qarkullimit të kuadrove”. Përshtypjet nga puna në kombinatin e tekstileve në Berat i kam shumë të mira. Puna ishte interesante, njerëzit më respektonin. Kishte shumë specialistë nga Tirana dhe shumë nga kolegët e mi të punës, kimistë, kanë qenë ish-studentët e mi.
Si ndodhi që erdhët në Shqipëri, kur erdhët dhe si ka qenë jeta juaj në Shqipëri në kohën e marrëdhënieve miqësore shqiptaro-sovjetike?
Unë kam kryer studimet në Universitetin e Moskës, ku dhe u njoha me studentin shqiptar Gaqo Pisha. Ai vazhdonte Fakultetin e Filozofisë. Ne u martuam dhe në vitin 1957 erdhëm në Shqipëri dhe po ato vit fillova punë në USHT, në katedrën e kimisë organike.
Në çrrethana filloi denigrimi, dëbimi nga Tirana në Berat ? A ishte qëndrimi në Berat një gjysmë internim?
Kur marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike ishin miqësore, na ndihmonin si për strehim, si për punë. Shumë nga gratë sovjetike ishin me arsim të lartë dhe punonin si mjeke, inxhiniere, pedagoge dhe punonim shumë mirë, dhe kudo gëzonim respektin e njerëzve. Për ne prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik ishte tronditje e madhe. Shumë nga gratë u kthyen në BS. Deri në vitin 1966 ne jetuam dhe punuam pak a shumë normalisht; pastaj erdhi transferimi në Berat. Ndofta ky transferim ishte si gjysmë internimi. Për gati 2 vjet nuk kishim shtëpi dhe rrinim në hotel, ndërsa fëmijët qëndruan në Tiranë, tek kunati im.
Ju u rikthyet në Tiranë dhe si ndodhi që në Tiranë ju çuan në burg?
Çfarë meditonit në burg? A e sillnit ndonjëherë nëpër mend në burg librin e Dostojevskit "Të poshtëruar e të fyer", ku ai përshkruan jetën e të internuarve e të burgosurve në Siberi ? Si ishte “Siberia” shqiptare?
Në Tiranë ne u kthyem në vitin 1971 dhe arsyeja e transferimit ka qenë gjendja e rëndë shëndetësore e burrit tim, që kishte nevojë për mjekime neurologjike në Tiranë. Në Tiranë kam punuar në kombinatin “Misto Mame”, në fabrikën e letrës, si dhe në byronë teknologjike. Arrestimi i grave sovjetike filloi në vitin 1974, kur filluan represionet në të gjithë vendin. Mua më kanë arrestuar në vitin 1976 dhe më dënuan me 16 vjet burg. Në burg ne kemi qenë 13 gra sovjetike dhe disa gra nga vende të tjera. Unë kalova atje 10 vjet të tmerrshëm. Kur isha në burg, në vitin 1983 vdiq burri im. Sigurisht, ne atje i kujtonim romanet e Dostojevskit, edhe librin e tij “Të poshtëruar e të fyer”, por kushtet ishin të ndryshme. Kur dola nga burgu, lexova tregimin e Solzhenicinit “Një ditë e Ivan Denisoviçit” ( nuk e di a është përkthyer shqip ? ) dhe u habita, mu duk sikur ky tregim ishte shkruar edhe për ne. Na liruan në vitin 1986. Unë u ktheva në punë në kombinatin “Misto Mame” me emërimin si punëtore, por në fakt bëja punën e inxhinierit kimist. Ma kishin nevojën.
Si ju gjeti viti 1991 në Shqipëri dhe çfarë peripecish të reja ju shtuan atyre të vjetrave? Si i gjetët të afërmit tuaj në Rusi dhe, më vonë si iu nisët rrugës për në Izrael?
Në vitin 1990 u kthyem në B.S. dhe nuk i kam parë ngjarjet e vitit 1991 në Shqipëri.
Sfidat që ju prisnin në Izrael: gjuha, ambientimi, arsimimi e punësimi i djemve tuaj...
Në ato vite gjendja edhe në B.S. ka qenë shumë e rëndë dhe, në këto rrethana, në vitet 1991-1992 ikëm në Izrael, por në Izrael unë mbërrita në moshën e pensionit, prandaj dhe nuk kam punuar fare. Iu përkushtova rritjes dhe edukimit të nipave. Djemtë e mi u ambientuan, mësuan gjuhën hebraisht, u arsimuan dhe u sistemuan normalisht.
Cili është kuptimi i vuajtjeve tuaja? Pse duhet të ecnit në jetë dhe në rrugë ferri, ndërkohë që sistemi socialist pretendonte rrugë të ndriçuara nga drita e lumturisë?
Pyetjes tuaj të fundit është e vështirë ti përgjigjesh, sepse asnjë vuajtje në jetë nuk ka kuptim. Tërë premtimet e komunistëve kanë qenë gënjeshtra. Shumë veta që u besuan atyre pësuan zhgënjim dhe u deziluzionuan. Unë kam shkruar kujtime për jetën time në Shqipëri, rreth 150 faqe, sigurisht rusisht. Atje u jam përgjigjur edhe mjaft prej pyetjeve tuaja. Sa i përket shkrimit në letrën time, nga e djathta në të majtë, unë nuk e di arsyen. Unë shkruaj nga e majta në të djathtë. Konsultohuni me Xhenin, se ne kemi shumë vjet që kemi korrespondencë dhe ajo asnjëherë nuk është ankuar për një gjë të tillë. Do të mundohem tju dërgoj fotografitë. Me respekt , Taisa Pisha.
Flasin bashkëpunëtorët Irakli e Evgjenia Gjika,
Si e “arrestoi” Taisën roja i kombinatit
Irakli Gjika, inxhinier kimist në kombinatin e tekstileve në Berat tregon për Taisën:
“E kam pasur pedagoge në fakultet, na bënte punët laboratorike. Njohëse shumë e mirë e lëndës. Shkurt ishte mjaft e aftë. Atë fushë e njihte mirë. Detyrat e laboratorit i jepte në një mënyrë kaq tërheqëse, sikur të kishin dhe diçka prej gjëegjëze. Megjithëse kishte qenë pedagogia ime, kur kishte ndonjë paqartësi, nuk nguronte të më pyeste, të merrte dhe mendimin tim. Pra, ishte dhe e thjeshtë, kur si tip ishte e prerë në mendime a gjykime. Sidomos, kur kishte bindje të plotë për një gjë, e thoshte pa mëdyshje mendimin, qartë, shkurt dhe prerë. Unë nuk jam dakord, - thoshte në jo pak raste të tilla,- dhe pikë. Madje e thoshte dhe me intonacion revolte, kur nuk e kuptonin dhe kishte të drejtë. Më kujtohet një rast kur ajo ka shfaqur një habi të thellë, kur i shkuam për vizitë një kolegu në spital. Në dhomën ku ishte shtruar kolegu ynë kishte dhe të sëmurë të tjerë, kur vjen mjeku për vizitë të zakonshme. I thotë një i sëmurë: Doktor, do ta heqim këtë ilaç. Taisa më tha: “Irakli, të ndodhë kjo gjë në një spital në Moskë, pacienti del fishek nga spitali. Çne pacienti? Është mjeku ai që vendos, ai që mban përgjegjësi! Erdhi në Berat kur i larguan nga Tirana, siç ndodhi me të gjitha gratë sovjetike. Për më tepër Taisa kishte qenë dhe kryetare e grave sovjetike në Tiranë. Sigurisht e mbanin në mbikëqyrje. Madje në një rast,kur erdhi për eksperimentim bojërash një kimist, shkencëtar çek Laviçka e quanin, po dyshonin se ai nuk ishte kimisti shkencëtar, por një agjent çek! Më 1981, kur vajta për eksperiencë në Çeki, e takova Laviçkën dhe ishte po ai kimist që erdhi tek ne, por shtetit të asaj kohe çdo i huaj i bëhej si hije. Frikë e madhe nga kimia”. Ndërsa bashkëshortja e ing. Irakli Gjikës, Evgjenia, që ka punuar si laborante në kombinat, kujton: “Kam qenë e re atëherë dhe Taisën e kishim përgjegjëse të laboratorit në fabrikën e ngjyrosjes së bezes. Ne ishim vajza të reja, ajo na mësoi, na këshilloi. Ishte komunikuese. Ishte shumë e durueshme. Kur dilte ndonjë prodhim skarco edhe ne, por veçanërisht Taisa vihej në siklet, jo për faj të saj, kurse ne gjithashtu ishim të trembura, se mos kishte ndonjë në formimin e recepturave. Sigurisht Taisa i dinte mirë rrethanat shtrënguese që e rrethonin dhe nuk na vinte në siklet duke na bërë ftesa për vizita në shtëpi. Na ruante ne. Mbaj mend se i kemi vajtur për vizitë në shtëpi, në familje, kur kishte ditëlindjen e çunit të vogël. Më kujtohet dhe një episod tjetër, pothuaj absurd, banal, kur një roje i fabrikës, me të meta mendore, afrohet te Taisa dhe i thotë: Në emër të popullit je e arrestuar! Asaj i ngriu gjaku njëherë, pastaj iu kthye rojës gjysmak, duke i bërtitur me zë të lartë edhe shqip, edhe rusisht, derisa roja u largua. Për fat të keq, parandjenja, shakaja, ngacmimi i rojës gjysmake do të plotësohej vërtetë më vonë”.
2011-03-08
Një libër shqiptar për ngjarjet e 11 shtatorit 2001
Këtë vit mbushen 10 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, ku humbën jetën mbi 3000 njerëz në Nju Jork dhe Pentagon afër Uashingtonit.
Në sulmin ndaj dy ndërtesave binjake të Qendrës së Tregtisë në Nju Jork, humbën jetën 2981 vetë mes tyre edhe 3 shqiptaro-amerikanë.
Nga kjo ngjarje tragjike e merr temën romani “Shtatori i gjëmës së madhe’, i autorit Skifter Këlliçi, i botuar vitin e kaluar.
Zoti Këlliçi, publicist dhe ish komentator i njohur futbolli që tani jeton në Boston, ishte i ftuar për një bisedë në studion e Zërit të Amerikës në Nju Jork.
Ai foli për motivet që e nxitën të shkruajë librin si dhe komentoi për politikën në Shqipëri.
Nga Prishtina, me dashuri
Redaksia e portalit serb për kulturë, Beton, në bashkëpunim me redaksinë e revistës MM, nga Prishtina, dhe nën patronazhin e rrjetit evropian të librave, Traduki, viteve të fundit kanë punuar në një seri antologjish të letërsisë së re në Serbi dhe Kosovë.
Në muajin mars do të duhej që në Prishtinë të shfaqet libri nga Serbia, “Nga Beogradi, me Dashuri”, i përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që në Beograd do të shfaqet antologjia e poezisë, prozës dhe dramës, e autorëve shqiptarë nga Kosova –“Nga Prishtina, me Dashuri”.
Revista Beton, me këtë rast, në numrin e saj të fundit publikoi një përzgjedhje të shkurtër të antologjisë kosovare, e cila u botua në shtëpinë botuese Algoritam Media, nga Beogradi, ben te ditur ''Express'.
Pjesë e përzgjedhjes së publikuar nga kjo antologji ishin shkrimet e Halil Matoshit (Vranina - prozë), Ilir Gjocajt (Rebeli – prozë), dhe poezitë e Arben Idrizit (Në mesin e të ekzekutuarve ishte edhe një i sëmur mental, Kafshët e duan Atdheun, E pranojmë paqen si një të keqe të domosdoshme), Balsor Hoxha (Qyteti im biseksual, Wag the dog), Trina Gojani (Edhe kështu vdiset), Avni Rudaku (E madhja dhe e vogla) dhe Ervina Halili (Shkatërrimi i njeriut).
'Dritaren lëre hapur' në Zagreb
Në bashkëpunim me komunitetin shqiptar në Zagreb, në kryeqytetin kroat me një interesim të posaçëm u promovua panorama e krijimtarisë letrare të shqiptarëve në Malin e Zi, me titull “Dritaren lëre hapur”.
Aty janë prezantuar 12 autorë, duke filluar nga Esad Mekuli e deri më i riu, Anton Gojçaj, ndërkaq përkthyes është Qazim Muja nga Ulqini.
“Me botimin e panoramës së krijimtarisë letrare të shqiptarëve në Malin e Zi, kemi dëshiruar që, vetes dhe të tjerëve, t’u tregojmë se çfarë thesari shpirtëror posedon Mali i Zi”, transmeton Kosovalive, fjalen e redaktorit te këtij botimi, shkrimtari Zuvdija Hoxhiq- Berisha.
Sipas tij, fati i shqiptarëve në Malin e Zi është i pandashëm nga fati i malazezëve dhe i Malit të Zi. Të ngjashëm në shumëçka, të ndryshëm vetëm për nga gjuha që flasin dhe shkruajnë, malazezët dhe shqiptarët, mbi principet e njëjta etike kanë formuar edhe raportet ndaj botës, jetës dhe njerëzve, tha ai.
Edhe pse vepra artistike, para së gjithash, është akt individual ku ndryshimet mes krijuesve të të njëjtit popull janë më të mëdha sesa me ndonjë tjetër, të afërt për nga afinitetet personale poetike dhe estetike – për krijuesit shqiptarë në Malin e Zi si, po ashtu, edhe për shumicën e krijuesve nga Mali i Zi, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale – është karakteristike edhe diçka e përbashkët – marrëdhënia ndaj “fatit të shtetit të popujve”, besimi në rolin dhe fuqinë e fjalës, në fuqinë dhe fisnikërinë e mesazhit poetik, theksoi ai
Nisi rrugëtimin Karvani i shkrimtarëve për fëmijë
Dje nisi rrugëtimin në Ditën e Mësuesit, edicioni i 12-të i Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë "Agim Deva". Karvani e nisi rrugëtimin së bashku me SHF "7 Marsi", të lagjes "Kalabria" të Prishtinës, e cila festoi edhe ditën e saj. Ceremonia zyrtare e nisjes është mbajtur në Pallatin e Rinisë, ku ishe përgatitur edhe një aktivitet kulturor, me shkrimtarët te cilet recituan dhe lexuan krijimet e tyre për fëmijët . Karvani i shkrimtarëve për fëmijë planifikon 90 vizita në terren dhe më me prioritet do të jenë vendet ku shkohet për herë të parë.
Një fjalor për shprehjet frazeologjike
Pas një pune shumë vjeçare, akademiku prof.dr.Jani Thomai ka sjellë për lexuesit “Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe”.
Ky fjalor përmban mbi dhjetë mijë njësi frazeologjike të përdorshme gjerësisht, në vargje sinonimike të pasura, me ndarje kuptimore e me shpjegime të plota për kuptimet e përdorimet, me rreth 30 000 shembuj të shkurtër nga shumë burime (ligjërimi i folur popullor, folklori, letërsia artistike shqipe dhe e përkthyer, publicistika etj.), me shënime plotësuese për nuancat shprehëse të njësive etj.
Rëndësia e veçantë e këtij botimi qëndron në gjithë përbërësit e tij, në njësitë, në zbërthimin kuptimor, në shpjegimet, shënimet dhe shembujt, shkruan gazeta ''Shqip''.
Nga ana praktike, “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” vlen të përdoret gjerësisht nga shkrimtarët, përkthyesit, publicistët, hartuesit e fjalorëve dygjuhësh, studentët e nxënësit, mësuesit e pedagogët, studiuesit e gjuhës shqipe e të gjuhësisë së krahasuar, por edhe nga ligjëruesit politiko-shoqërorë, nga ata që mësojnë gjuhën tonë dhe nga gjithkush që merret me të.
Ai i vjen në ndihmë edhe gjithkujt që dëshiron ta pasurojë ligjërimin e vet, ta bëjë më të qartë, më të përpiktë, më shprehës e emocionues, më të bukur, më të fuqishëm e më ndikues.
Shtëpia botuese “EDFA” ka bërë një punë të kujdesshme për ta nxjerrë Fjalorin me cilësi të lartë teknike.
Srebrenica ime
Nga Eduard Frrokaj
Sa herë e shikoj pamjen e Srebrenicës më kujtohet Srebrenica ime, fytyra e Kosovës e vizatuar në Mejen e vitit 1999...Përsëri e pashë foton e Srebrenicës dhe sa herë e sheh këtë pamje jo vetëm rrëqethesh nga mizoria e paparë, por në të njëjtën kohë nuk ke si t’i ikësh tundimit se arkitektët e kasaphanës Ratko dhe Radovani po shkruajnë libra spiritualë dhe'' memoare mërgimi'' në shpella. Kjo është fotografi e trishtimit dhe papërgjegjësisë që ka emër diku në margjinat e politikës.
Tanimë është e qartë apo ishte e qartë që moti se Ratko dhe Radovani në përpjekjen e tyre '' titanike'' për t’i ikur drejtësisë nuk i kanë vetëm duart në xhepa dhe lapsin në dorë për të shkruar memoare në vetminë e thellë, por prapa tyre qëndron heshtja e qeverive të njëpasnjëshme serbe dhe mbrojtja nga mbeturinat e luftës dhe krimit. Elemente kriminale që duke mbrojtur pardonin e mbrojnë veten.
Tregim i thjeshtë për Srebrenicën time
Kur jam zgjuar herët në mëngjesin e 27 prillit 1999 e kam parë foton e Srebrenicës para këmbëve të mia. Paramilitarë të ngjyrosur me pamje si në tregimet fantastike po kalonin në anën e kundërt të fshatit tim për të shkuar disa kilometra më larg në Meje.
Sipas tregimeve të mëvonshme këta nuk ishin vrasësit e drejtpërdrejtë, por pararoja e sulmit dhe mbrojtja e krimineleve që herët kishin shkuar për të deportuar dhunshëm banorët dhe ekzekutuar të gjithë meshkujt e rajonit.
Në këtë kohë Ratko dhe Radovani kishte katër vjet që kishin mërguar shpellave të Ballkanit për t’i ikur drejtësisë dhe natyrisht për të shkruar libra, ndërsa njësitet e tyre ishin të involvuara sipas dëshmitarëve drejtpërdrejt në masakrën e Mejes.
Atë ditë, si për të mos u kënaqur kurrë me rezultatet e krimit, forcat serbe ekzekutuan meshkujt e 15 fshatrave të rrethit të Gjakovës nga mosha 15-vjeçare. Pas kaq vjetësh Srebrenica dhe Meja janë në pritje dhe trishtim me veten dhe drejtësinë.
Zërin e fundit
Para disa vjetëve e kam parë një foto ferri të një djaloshi boshnjak që kishte mbijetuar nën grumbullin e kufomave në Potoqare afër Srebrenicës, nëpër nëntë rrathët e ferrit kishte ikur në male.
Kur i dërguan meshkujt për t’i ekzekutuar në Korenicë, më 27 prill 1999, Daniel Berisha u rrëzua nën grumbullin e kufomave i plagosur.
Të nesërmin vrasësit u kthyen përsëri në vendin e krimit dhe ekzekutuan zërin e fundit. Përse vrasësit u kthyen është e qartë që dëshmia të mos vinte kurrë. Të mbijetuarit që kaluan nëpër rrathët e ferrit dëshmuan se ishin të trishtuar me automatikë te koka për të mos i parë pamjet e fundit dhe ja lidhja logjike pse duhej eliminuar doemos zëri i fundit i mbijetuar, që dëshmia e dorës së parë të mos vinte kurrë dhe në të njëjtën kohë sipas dëshmive tashmë të konfirmuara shumica e kufomave nga masakra në Mejë u gjetën në Batajnica 2.
U fshehën që vrasësit të ishin të qetë ( nëse mund të gjenin qetësi ) dhe natyrisht të shkruajnë libra '' heroikë'' nga lufta e Kroacisë, Bosnjës apo Kosovës.
Vrasësit dhe librat
Një ditë historia do të shkruajë libra mbi vrasësit dhe do të dëshmojë mbi kohën dhe pandëshkueshmërinë e krimeve mizore në Srebrenicë dhe Meje, si simbolikë e masakrës më të madhe në luftën e Kosovës.
Nga dëshmia në Tribunalin e Hagës në gjykimin kundër Millosheviqit u plotësua mozaiku në mënyrë shumë të qartë se kush urdhëroi që të ekzekutohen 500 meshkuj shqiptarë në Meje dhe të digjen të gjitha shtëpitë në rajon, se kush inicioi,projektoi, dërgoi trupat, ekzekutoi dhe dëboi, fshehu kufomat dhe tentoj po ashtu t’i digjte trupat në Batajnicë.
Ky njeri me një ekip të tërë ideatorësh dhe vrasësish mizorë gjendet në Serbi, mbase duke shkruar libra për '' merita historike'', ndërsa si për ironi të historisë zëdhënësi i tij politik i asaj kohe Ivica Daqiq, i cili deklaronte se të dëbuarit që lëshuan Mejen dhe rajonin janë duke ikur nga bombat e NATO-s, ndërsa në Meje nuk ka kurrfarë vrasjesh masive, por improvizim masakre nga '' terroristët'' shqiptarë.
E pabesueshme, por e vërtetë zëdhënësi i Millosheviqit në kohë lufte tanimë është zëvendëskryeministër '' demokrat '' dhe ministër policie ku do të ketë rolin e mbrojtësit të disa figurave që shkaktuan Mejen dhe Srebrenicën.
Çka u duhet ministria e policisë pinjollëve të Millosheviqit përveç që të pastrojnë dosjet e tyre dhe të kolegëve...Hej more Zot, çka do të shkruajnë librat për këtë njeri, përveç se e ka thyer rekordin e Ginisit në transformimin e tij të maskuar nga zëdhënës i regjimit kriminal në zëvendëskryeministër demokrat dhe ministër.
Po thonë se ka pësuar katarzë. Por askush nuk ka kërkuar as falje e lëre më të arrestojë kriminelët që po shkruajnë libra nacionalistë dhe memoare shpellave të harruara të Ballkanit, sipas shpjegimeve zyrtare.
Një ditë Ivica i '' ri'' mund të thotë se ne nuk mund të hyjmë në çdo shpellë për të penguar apo zënë vrasësit që po shkruajnë memoare në formë klasike. Ky është përfundim ironik i drejtësisë që është shndërruar në hajgare pa pare.
Prilli dhe korriku
Ka 5 vjet që në prill rivarrosen martirë në Meje dhe në çdo korrik rivarrosen po ashtu martirë në Srebrenicë.
Drejtësia ka rënë në fund të pusit. Sikur të kishin tërë lirinë e të shprehurit në memoare si do të portretizonin viktimat e tyre Ratko ,Radovani me ekipin e tyre përcjellëse përveç se do të ndjeheshin të gëzuar se kanë eliminuar '' ustash'' '' balije'' dhe ''shiptari''.
Mos e thëntë Zoti që të bëhet çka thotë vullneti tyre i krisur, por unë ka vite që kundroj në Srebrenicën time dhe nuk shoh asgjë të re, sepse për fat të keq askush në Beograd, sidomos pas vrasjes së Gjingjiqit, nuk po e lexon as kopertinën e romanit ''Krimi dhe dënimi ''.
Subscribe to:
Posts (Atom)
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...