Redaksia e portalit serb për kulturë, Beton, në bashkëpunim me redaksinë e revistës MM, nga Prishtina, dhe nën patronazhin e rrjetit evropian të librave, Traduki, viteve të fundit kanë punuar në një seri antologjish të letërsisë së re në Serbi dhe Kosovë.
Në muajin mars do të duhej që në Prishtinë të shfaqet libri nga Serbia, “Nga Beogradi, me Dashuri”, i përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që në Beograd do të shfaqet antologjia e poezisë, prozës dhe dramës, e autorëve shqiptarë nga Kosova –“Nga Prishtina, me Dashuri”.
Revista Beton, me këtë rast, në numrin e saj të fundit publikoi një përzgjedhje të shkurtër të antologjisë kosovare, e cila u botua në shtëpinë botuese Algoritam Media, nga Beogradi, ben te ditur ''Express'.
Pjesë e përzgjedhjes së publikuar nga kjo antologji ishin shkrimet e Halil Matoshit (Vranina - prozë), Ilir Gjocajt (Rebeli – prozë), dhe poezitë e Arben Idrizit (Në mesin e të ekzekutuarve ishte edhe një i sëmur mental, Kafshët e duan Atdheun, E pranojmë paqen si një të keqe të domosdoshme), Balsor Hoxha (Qyteti im biseksual, Wag the dog), Trina Gojani (Edhe kështu vdiset), Avni Rudaku (E madhja dhe e vogla) dhe Ervina Halili (Shkatërrimi i njeriut).