Në bashkëpunim me komunitetin shqiptar në Zagreb, në kryeqytetin kroat me një interesim të posaçëm u promovua panorama e krijimtarisë letrare të shqiptarëve në Malin e Zi, me titull “Dritaren lëre hapur”.
Aty janë prezantuar 12 autorë, duke filluar nga Esad Mekuli e deri më i riu, Anton Gojçaj, ndërkaq përkthyes është Qazim Muja nga Ulqini.
“Me botimin e panoramës së krijimtarisë letrare të shqiptarëve në Malin e Zi, kemi dëshiruar që, vetes dhe të tjerëve, t’u tregojmë se çfarë thesari shpirtëror posedon Mali i Zi”, transmeton Kosovalive, fjalen e redaktorit te këtij botimi, shkrimtari Zuvdija Hoxhiq- Berisha.
Sipas tij, fati i shqiptarëve në Malin e Zi është i pandashëm nga fati i malazezëve dhe i Malit të Zi. Të ngjashëm në shumëçka, të ndryshëm vetëm për nga gjuha që flasin dhe shkruajnë, malazezët dhe shqiptarët, mbi principet e njëjta etike kanë formuar edhe raportet ndaj botës, jetës dhe njerëzve, tha ai.
Edhe pse vepra artistike, para së gjithash, është akt individual ku ndryshimet mes krijuesve të të njëjtit popull janë më të mëdha sesa me ndonjë tjetër, të afërt për nga afinitetet personale poetike dhe estetike – për krijuesit shqiptarë në Malin e Zi si, po ashtu, edhe për shumicën e krijuesve nga Mali i Zi, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale – është karakteristike edhe diçka e përbashkët – marrëdhënia ndaj “fatit të shtetit të popujve”, besimi në rolin dhe fuqinë e fjalës, në fuqinë dhe fisnikërinë e mesazhit poetik, theksoi ai