Si një patriark mbron fisin e vet
Entela Kasi
Presidente e qendrës PEN të Shqipërisë
Mosmarrëveshja, Shqipëria evropiane dhe moskuptimi. Në vjeshtën e dytë të këtij viti, Ismail Kadare ka arritur si mjeshtër i shkrimit të gjuhës shqipe, mjeshtëri në të cilën është përthyer gjithë vetëdija dhe mbrujtja historike, t’u japë shqiptarëve dhe krejt planetit, nga lartësia e pakrahasueshme prej patriarku, jo thjesht atë çka vetë shkrimtari ka emërtuar sprovë letrare, “Mosmarrëveshja”, por testamentin e identitetit, madje vetë mbrujtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve në vragimin e tij shumëshekullor...
Në
vjeshtën e dytë të këtij viti, Ismail Kadare ka arritur si mjeshtër i
shkrimit të gjuhës shqipe, mjeshtëri në të cilën është përthyer gjithë
vetëdija dhe mbrujtja historike, t’u japë shqiptarëve dhe krejt
planetit, nga lartësia e pakrahasueshme prej patriarku, jo thjesht atë
çka vetë shkrimtari ka emërtuar sprovë letrare, “Mosmarrëveshja”, por
testamentin e identitetit, madje vetë mbrujtjen e identitetit kombëtar
dhe kulturor të shqiptarëve në vragimin e tij shumëshekullor.
Kjo
vetëdije e thellë historike e kombëtare i ka dhënë këtij libri kumbimin e
zërit profetik të një patriarku që mbron fisin e vet, genin e demosin,
në thellësitë e tij më të dukshme dhe më të fshehta, thellësi të cilat
janë tronditëse.
“Ajo nyje që e vë qenien në raport dramatik me
lirinë është prodhimi i popujve, shtati trupor, por edhe shpirtëror i të
cilëve dyshohet se mund të përballojë rrebeshe botërore”, - shkruan
Kadare.
Ai ka vendosur të shkruajë të vërtetat që trondisin, të cilat në gojën e patriarkut përcjellin kumte dhe kuptimësi.
Ai
e ka këtë vetëdije dhe kërkon ndihmën e patriarkëve të tjerë të gjuhës
shqipe. Ai u drejtohet rilindasve: Asdrenit, Naimit, Fishtës, Konicës,
Nolit.
Brenga e dikurshme e tyre mbetet brenga e përhershme e tij. Një brengë e thellë që trondit prej një shekulli.
Nëse ne i shkojmë burimit, aty prej nga ku lumi nis qoftë edhe prej një pike të vetme, ai shkon dhe ndalon tek Skënderbeu.
Pikërisht
këtu qëndron toni madhor i veprës. Projeksioni në të cilin shkruhet
libri është sa i lashtë po aq edhe modern e kështu, “Mosmarrëveshja”
shndërrohet në testament, që kumton mesazhe dhe kumbon nga ndjesitë
profetike nën mjeshtërinë e gjenialitetit Kadare.
Universalizmi dhe identiteti
Mosmarrëveshja
në aspektin historik të kushteve gjeopolitike të shqiptarëve shenjon
shqiptarët në ndeshjen me vetveten, çka ka sjellë mosmarrjen në duart e
tyre të fateve të kombit në momente vendimtare historike.
Filozofi Fukayama shkruan: “Problemet e identitetit janë një fenomen që shoqërojnë vetë procesin e modernizimit të shoqërisë”.
Në
këtë proces, Ismail Kadare, të cilin bota e vlerëson jo vetëm si një
prej shkrimtarëve më të mëdhenj, por gjithashtu edhe një prej
intelektualëve më të shquar të saj, në këto vitet e fundit ka sjellë
para nesh një seri esesh, për të cilat shqiptarët dhe vetë shoqëria
shqiptare duhet të ndihen me fat.
Ky libër universal për
identitetin është në vazhdën e eseve, si: “Mbi identitetin evropian të
ahqiptarëve”, “Tri këngë zie për Kosovën” apo “Hamleti, ky princ i
vështirë”.
Ai nga lartësia e mendimtarit ka dashur të zbulojë
rrënjët evropiane të Shqipërisë dhe përkatësinë evropiane të saj. Ai i
referohet flamurit, himnit, gjuhës, Skënderbeut, Nënë Terezës, racës.
Ismail
Kadare ka risjellë idenë e madhe që identiteti riformulohet në çdo
kohë, pasi brezat në përballjen me synimet e tyre duan të njihen me
rrugët nga kanë ardhur dhe me shtigjet nëpër të cilat duhet të rravgojnë
në të nesërme.
Era post-ideologjike e izolimit dhe lirisë
Në
kohën e sotme, në erën post-komuniste dhe post-shtetërore, të gjithë
popujt, madje edhe superfuqitë, mbas rënies të erës ideologjike (të
konfrontimit të dy botëve, asaj të lirë dhe asaj komuniste), u janë
kthyer problemeve për të riformuluar rolin e tyre të brendshëm dhe atë
të jashtëm.
Sot aktualisht shtetet po përcaktojnë rolet e tyre në botë ngaqë era ideologjike është kapërcyer.
Për
disa popuj, kryesisht popujt e mëdhenj, ekzistenca nuk kushtëzohet prej
lirisë, shkruan Kadare. Zhdukja e një kombi për shkak të mungesës së
lirisë është e pamundur!
Kina jo vetëm më si shtet, por si kombi i
një qytetërimi të lashtë, gjatë shekullit XX i ka ndërruar disa herë
pozicionet e veta sipas kahut të fuqisë, me qëllim që të përcaktonte
rolin e saj në raport me botën dhe superfuqitë e kohës. Pas rënies së
erës ideologjike, ajo i është kthyer konfucianizmit, identitetit të saj
racor, të gjakut dhe gjuhës, e në këtë mënyrë synon rolin e saj hegjemon
në zonën e saj të përkatësisë si udhëheqëse e vendeve të Azisë
Juglindore me këtë identitet kulturor.
Rusët e erës post-ideologjike janë kthyer tek ortodoksizmi rus e amerikanët janë kthyer tek kredoja amerikane.
Ne
sot shohim se shumëkulturat e globit nuk mund të mbërrijnë në
globalizëm pa të veçantën e kulturës të çdo kombi, pa identitetin
kombëtar dhe kulturor.
Shekulli XXI është shekull i riformulimit
të identiteteve kombëtare. Vitet e kanë lënë pas erën ideologjike dhe më
së shumti ndarjet e botës sipas pikëpamjeve komuniste të
Internacionales III.
Ç’duhet të bëjnë shqiptarët në këtë rast?
Të
luftojnë kundër identitetit kur identiteti kombëtar dhe kulturor është
në vetvete pasuri për njerëzimin apo të shndërrohen në ndalues të
zhvillimeve të mëdha e si gjithmonë, të vonuar në këtë moskuptim për
shkak mosmarrëveshjesh mes vetes, ta shndërrojnë në fatalitet fatin
historik të kombit dhe të çështjes shqiptare në Ballkan?
MOHSAT - Moskuptimi, mohimi, historia dhe deformimi i historisë -
Konfigurimet
ideologjike të erës ideologjike u kanë lënë vendin konfigurimeve të
qytetërimeve. Idetë ideologjike u përthyen në identitete kulturore.
Mendësia ideologjike e shekullit XX u zëvendësua nga gjetja e rrënjëve
kulturore në shekullin XXI.
Ndërsa “Mohsat”, “albanologët e rinj”,
në tranzicion po përpiqen të risjellin në shoqëri argumente ideologjike
(me thelb komunist, përafërsisht sipas Internacionales III) të
shekullit XX, duke u veshur atyre një kostum modern. Një kostum i
përdorur dhe i hedhur për zhvillimet e një shoqërie të shekullit XXI, e
cila është shoqëri post komuniste, post shtetërore.
Ismail
Kadareja në gjithë sprovat e tij e sjell mendimin shqiptar, në veçanti
diskursin për identitetin, nga shekulli XX në shekullin XXI, shekull kur
shtetet mund të humbin diçka nga sovraniteti i tyre, por sado
kontradiktore që të duket kjo, këto shtete asnjëherë nuk i zbehin
identitetet e tyre kombëtare e kulturore.
Sot, gjermanët,
francezët, italianët, anglezët, kroatët etj. ndihen më tepër gjermanë,
francezë, italianë, anglezë, kroatë se dje.
Pikërisht këtë nuk e kanë kuptuar “albanologët e rinj” apo “mohsat”.
Këta
të fundit (mohsat), pra “mendimtarët” e anës sonë, të cilët po sundojnë
duke u shfaqur si më të ndritur, të modernizuar apo të ditur, janë duke
luftuar e duke sulmuar gjuhën shqipe dhe lashtësinë e saj, Skënderbeun
dhe historinë e tij, vetë identitetin në emër të çmitizimit, kinse si
mbeturina të mendimit komunist të Internacionales III.
Në të
vërtetë ata po lajkatojnë komunizmin, duke artikuluar atë se na paskësh
qenë Enver Hoxha ai që e bëri gjuhën dhe identitetin (sic).
Por a nuk është fakt që të parët njerëz që u shkuan në plumb prej komunistëve ishin pikërisht nacionalistët, kombëtarët?
A
nuk është fakt që në post-diktaturë në shoqërinë post-komuniste prapë u
deformua historia, duke fabrikuar disidentë të rremë e duke
rehabilituar persekutorë.
Për tmerret që ti ke parë atje (në arkiv), ti s’mund të heshtësh!
Shuarja
e kombeve s’është as e rrallë dhe as e pamundur, shkruan Kadare, por ti
e di ç’mund të ndodhë me një komb që ka keqkuptim me vetveten, t’i
shuhen befas shenjat, qokat, pikat e orientimit, ashtu siç shuhen faret
në një terr të madh.
“Intermexo me dy vrasje në sfond” hedh dritë
në të vërtetën e dy prej librave të post-diktaturës, “Disidentët e
rremë” të S. Bejkos, dhe “Nega Totum” të V. Barutit, dy libra që do të
trondisin. Këta dy libra zbulojnë dhe denoncojnë të vërtetën e hidhur të
deformimit të historisë nën terrorin komunist, zëvendësimin e saj me
një surrogat, por edhe thelbin kriminal të vetë mohuesve dhe të
deformuesve.
Në post-komunizëm brezat duhet të studionin “Mekamin”
si lëndë letrare, ndërsa në komunizëm brezit tim e të tjerëve para meje
iu ndalua Fishta dhe Konica!
A nuk është fakt që era komuniste
dhe doktrina e saj kishin në thelb të saj internacionalizmin, që
diktatura shqiptare, stalinizmi shqiptar, enverizmi kishin në themel
partinë dhe jo kombin, jo shqiptarinë?
Kjo parti e frikshme dhe e
fshehtë që në fillimet e saj ekzekutoi R. Gjebrenë, që donte të pajtonte
shqiptarinë me ideologjinë, me doktrinën komuniste. A nuk ishte
kriminal, me duart me gjak, themeluesi i policisë sekrete, autori i
“Mekamit”, që na u servir në 20 vite si disident? A nuk na kanë servirur
një mashtrim mua dhe brezit tim për një kohë të gjatë? Pse e vërteta e
madhe, por e frikshme e ndryrë në arkiva, duhej mbajtur e fshehtë me çdo
kusht?
Ismail Kadare ka elegancën të qëndrojë në një nivel të
lartësuar, gati prej orakulli, për të thënë të vërteta të mëdha. Në këtë
libër ai nuk polemizon, nuk akuzon, ai parashtron dhe sheston rrugët
nga duhet të kalojmë.
Ismail Kadare i bën strehë identitetit dhe
në gjuhën shqipe vjen fjala “strehsat”, e për “strehsat”, të thoshe se
nëna e Skënderbeut ishte serbe e sidomos ta thoshe këtë në maj të vitit
1999, ishte vërtetimi më i saktë se punoje për serbët.
Dua të ndalem e të shoh kumtin dhe veprimin që përcjell fjala tjetër në këtë libër:
“mohsat”. Ata kanë marrë përsipër rolin e vjetër të rimohuesit në kohët e reja.
Në
këtë libër këta janë njëherësh dhe mohuesit e rimohuesit në vazhdë
historike, një fatkeqësi dhe një fatalitet i përsëritur në truallin
shqiptar.
Ripërtëritja e mohsave në historinë tonë kombëtare,
ripërtëritja e atyre që kanë rrëmbyer mikrofonat e mediave, që kanë
prerë pyje për të nxirë me karbon identitetin, nxin sot ekranet e
lodhura të shoqërisë shqiptare.
Mohsat sot duhet të përballen me rilindasit, me Naimin, me Asdrenin, me Nolin e Fishtën, me Konicën e së fundmi me Kadarenë!
Pa
rënë në nivelin e “mohsave”, të atyre që më së shumti po shtohen si
bari i keq, të hidhëron vazhda e rimohuesve. Kadare shkon tek mendimi se
bari i keq që nuk po i ndahet këtij vendi, është shndërruar gati në një
fatalitet.
Ismail Kadare, me brengë të thellë, duke zbuluar
rrënjët e fatalizmit, nuk e bën këtë si pjellë të disa kohërave apo të
një përkohësie, por të diçkaje që buron vetvetiu nga një deformim në
ndërgjegjen kombëtare.
Duke i shkuar në thelb kësaj plage, Kadare
na bën të hapim sytë se “diçka nuk shkon me ne”. Kjo e vërtetë që vjen
së bashku me brengën më të thellë të gjeniut, është në fakt paralajmërim
prej orakulli, urtia e kumti i të cilit është: të paralajmërojë, të
parashikojë!
Ky paralajmërim sikur na kthen tek vargjet e Filip Shirokës:
Do thonë kam fe,
Do thonë kam din,
Njani asht turk,
Tjetri latin
...Jeni të gjithë vllazën more të mjerë…
Raporti moral dhe subjektiv me identitetin
Çështja
shqiptare, Shqipëria jonë londineze dhe Shqipëria atlantike, Kosova,
siç i quan Ismail Kadare tek “Mosmarrëveshja”, kanë sot në duar një
libër testament të identitetit kombëtar dhe kulturor.
Identiteti
nuk fitohet, ai të dhurohet që prej lindjes nga familja e nga mjedisi
kulturor ku ke lindur. Nëse objektivisht je në një identitet të dhënë,
por subjektivisht ti zgjedh një identitet tjetër, atëherë njëanshmërisht
ke prishur kontratën e përhershme të individit me kulturën e tij
(Renan). Sa më shumë individë apo shtresa në emër të “dum babën” apo
kinse të modernitetit, të “së resë”, marrin rolin e mohuesit, aq më
shumë tretet e rrallohet si demografi dhe si mendësi hambari i
identitetit kombëtar. Dhe kjo ndodh subjektivisht, me dashje. Pikërisht
kjo arratisje me dashje, ky mohim me dashje a në moskuptim i identitetit
ndër shqiptarët, tingëllon që në vargun profetik të himnit: “Se kombe
zhduken përmbi dhé”. Theksimi i këtij raporti moral e subjektiv në
marrëdhëniet e individit me identitetin e vet rrënjës përbën një nga
vlerat më të shënuara të kësaj eseje. Brenga dhe paralajmërimi që ato
mos ndodhin janë lënda e gjerë dhe e plotë krijuese e esesë
“Mosmarrëveshja”.
Veç lëndës që sjell, ky libër të mpreh mendimin
dhe shijen estetike dhe për stilin, kompozicionin, për teknikën e lartë
të të shkruarit, për pajisjen me shënime, të cilat ndonjëherë janë ese
në miniaturë për problem a personalitete të historisë dhe të së sotmes.
Një libër që duhet t’i kthehesh.