2011-06-02

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare:Serbia ka detyrim ta njoh Kosovën


Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, tha se mosnjohja e Kosovës nga Serbia do të thotë mospranim i lirisë së një populli tjetër, e kjo do të thotë mospranim i ekzistencës së tij
image
  Postuar më, 2 qershor 2011 - Në librin e tij “Mbi Krimin në Ballkan”, Kadare shkruan se heshtja botërore për krimet e kryera nga Serbia ndaj popujve tjerë në Ballkan, e ka bërë Serbinë të përfitojë nga kjo heshtje.

“Ka rreth njëzetë vite që po përsëritet ky mesazh. Një pjesë e letrave që publikohen në këtë libër janë shkruar përpara njëzetë vitesh. Kam kritikuar heshtjen botërore, në kohën që Kosovën nuk e zinte në gojë askush, dhe më pas heshtjen shqiptare për krimet. Që të mos ketë keqkuptime, duhet të them se natyrisht që është folur dhe shkruar për krimet”, tha Kadare, duke shtuar se në librin e tij janë përmendur shembuj të tillë. “Por ato janë ende të pakta, në krahasim me tmerret që kanë ndodhur”, thotë Kadare, në një intervistë dhënë radios Blue Sky

“Në qoftë se bota do të merrte vesh të vërtetën e plotë, Serbia nuk do të guxonte të fryhej sot si gjel, por do të rrinte kokulur. Dhe kjo, përveçse do të hidhte dritë mbi të vërtetën e Kosovës, do të ishte në të mirën e gjithë rajonit, duke përfshirë këtu edhe të mirën e vetë Serbisë”, ka thënë Kadare.

Kadare, duke komentuar letrën e Vuk Drashkoviqit - dërguar atij në vitin 1987, thotë se ajo letër, e publikuar një çerekshekulli më parë, është tepër kuptimplote për të kuptuar dramën e Kosovës. Sipas tij, ajo dëshmon se si është projektuar krimi, si do të kryhet ai krim, së fundi si do të përmbyset e vërteta, duke e hedhur fajin mbi shqiptarët.

“S’më ka habitur asnjëherë letra e Drashkoviqit. Ajo është në logjikën e projektit serb. Siç është shpjeguar në libër, ajo që më ka habitur kanë qenë sulmet nga krahu shqiptar. E sidomos nga disa shqiptarë të Kosovës”, ka theksuar Kadare.

“Drama e Kosovës ka qenë një çështje e madhe për moralin evropian dhe atë botëror. Ish-kryeministri i Anglisë, Tony Blair, në kujtimet që sapo ka botuar, shkruan se nga Kosova ka njohur më mirë shumë gjëra, duke përfshirë dhe vetveten. Është e habitshme se vetëm Serbia, ajo që do të duhej të nxirrte mësimin kryesor, e refuzon një gjë të tillë. Do të doja që Evropa, gjithë bota, të thellohej më shumë se ç’do të thotë mosnjohje e Kosovës nga Serbia”, thotë Kadare dhe shton se “kjo mosnjohje nuk është një aksident diplomatik, mirëpo është shumë më keq”.

“Serbia jo vetëm ka detyrim ta njohë Kosovën, por duhej të ishte ndër shtetet e para që ta kryente këtë akt. Serbia ka bërë krime në Kosovë. Njohja e Kosovës do të ishte akti i parë i heqjes dorë nga doktrina që i polli këto krime.

Mosnjohja e Kosovës do të thotë një shpallje publike se Serbia nuk heq dorë nga një e kaluar që s’e nderon. Në rastin e Kosovës është edhe më keq. Mosnjohja e Kosovës është mospranimi i lirisë së një populli tjetër, e kjo do të thotë mospranimi i ekzistencës së tij”, thotë Kadare dhe shton se me këtë shpallje, me këtë përkëdhelje të krimit të vet, Serbia synon të hyjë në Evropë.

Kadare, thotë në fund se me mosnjohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, kjo e fundit e pengon Kosovën, por “s’duhet harruar se më shumë se Kosovën ajo pengon vetveten”.

Policia: Griselda Rroshi nuk ka qenë shtatzënë


image
  Ngjarja e djeshme me bashkëshorten e kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, që në media u pasqyrua si horror, ka marrë një rrjedhë krejt tjetër, pas denoncimit të bërë një ditë më parë për dhunimin, pengmarrjen dhe lindjen me forcë të një fëmije në kushte krejt misterioze. Policia e Tiranës nëpërmjet një deklarate për shtyp bëri me dije se pas ekspertizës mjeko-ligjore dhe gjinekologjike rezultoi se shtetasja Griselda Zajmi-Rroshi nuk ka qenë kurrë shtatzënë
image
  Ka marrë një rrjedhë krejt tjetër ngjarja me bashkëshorten e kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, pas denoncimit të bërë një ditë më parë për dhunimin, pengmarrjen dhe lindjen me forcë të një fëmije në kushte krejt misterioze.

Policia e Tiranës nëpërmjet një deklarate për shtyp bëri me dije se pas ekspertizës mjeko-ligjore dhe gjinekologjike rezultoi se shtetasja Griselda Zajmi-Rroshi nuk ka qenë kurrë shtatzënë.

"Është bërë ekzaminimi mjeko-ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ekzaminimi Gjinekologjik në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, nga ku rezulton se shtetasja Griselda Zajmi nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë", thuhet në deklaratën e Policisë, trasnmeton TCH.

Zëdhënësja e policisë duke bërë një pasqyrim kronologjik të ngjarjes u shpreh se një ditë më parë shtetasi Sajmir Rroshi bëri një denoncim në polici me pretendimin, se kunata e tij, Griselda, shtatzënë, ishte marrë forcërisht në rrugën “Komuna e Parisit”  në kryeqytet dhe ishte detyruar të lindte fëmijën jashtë dëshirës së saj.

Po ashtu, sipas këtij denoncimi, fëmija ishte marrë nga persona të panjohur, ndërsa Griselda ishte lënë e lirë pas disa orësh pranë shtëpisë së saj në Kavajë.
Në deklaratë sqarohet se janë marrë disa persona në pyetje duke nisur nga shoqja e Griseldes, një shofer taksie e një punonjës hoteli në Tiranë, pranë stadiumit "Selman Stermasi", të cilët kanë thënë se 28-vjeçarja dukej shtatzënë.

Griselda mësohet se ka qëndruar për disa orë në hotelin pranë stadiumit, e ndërsa ka dalë prej andej ka kërkuar që të shkojë në klinikë me një taksi pasi nuk ndihej mirë.

Hetuesit, të cilët pyetën një punonjës tjetër të hotelit, një tjetër shofer taksie që e shoqëroi Griselden në një klinikë private, e po ashtu edhe mjekët të cilët e kuruan, pasi pacientja ankohej për gjendje jo të mirë shëndetësore, kanë deklaruar se ajo nuk dukej të ishte shtatzënë, e aq më tepër në prag të lindjes së fëmijës. 

Ndërkohë, shtetasja Griselda Zajmi ndodhet në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe po merret në pyetje nga Prokurorë të Krimeve të Rënda dhe drejtues të Policisë së Kryeqytetit.

Policia sqaron se në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po punohet më tej, për të sqaruar motivet dhe arsyen e krijimit të kësaj situate dhe alibie.

“Bel Canto”

Ann Patchet
“Bel Canto”
Përktheu: Pirro Dollani
Botoi: “Ombra GVG”
Çmimi:  1000 lekë

Ann Pachett ka shkruar një roman me nota të thella lirike e që të bashkëshoqëron gjatë në kujtesë. “Bel Canto”, ka ardhur për lexuesin si himn pasioni për muzikën dhe jetën, e që përjetohet me madhështi elegante nga çdo personazh dhe vizatohet mjeshtërisht në të gjithë strukturën e librit. Libri i Ann Patchet është nga romanet më të vlerësuara nga kritika letrare në Amerikë dhe në tridhjetë gjuhët e përkthyera, për stilin, mesazhin dhe vlerat letrare. Ky është libri i katërt i shkrimtares bashkëkohore amerikane, Ann Patchett. Romani i vendos ngjarjet në Amerikën e Jugut. Është historia e marrëdhënieve mes një grupi terroristësh dhe të shtatëdhjetë e dy pengjeve, të ftuar në një festë në rezidencën e ambasadës japoneze dhe mbahen peng brenda oborrit saj. Rocsanna Coss, soprano, ylli i operës amerikane është njëra nga pengjet.

“Qyteti”

Max Weber
“Qyteti”
Përktheu: Vullnet Muço
Botoi: “Fan Noli”
Çmimi: 700 lekë

Nga karakteri i tyre, përkufizimet mbi ‘qytetin” mund të jenë nga më të ndryshmet, por të gjitha kanë një gjë të përbashkët dhe pikërisht atë që qyteti përfaqëson në vetvete(të paktën realisht) një vendbanim të mbyllur dhe jo në një apo disa shtëpi të vendosura larg njëra-tjetrës. Në fakt, autori bën një zbërthim të këtij termi, si dhe vendit që përfaqëson nga pikëpamja sociologjike. Në këtë kuptim, qyteti përcaktohet si një qendër e banuar ku shtëpitë janë shumë pranë njëra-tjetrës, dhe është aq e madhe sa në të mungojnë lidhjet specifike të fqinjëve me njëri-tjetrin.

“Oksidentalizmi – Perëndimi dhe armiqtë e tij”


Ian Buruma dhe Avishai Margalit
Përktheu: Piro Misha
Botoi: “IDK”
Çmimi: 550 lekë

Njëzet vjet të shkuara, kur Edward Said shkroi librin e tij “Orientalizmi”, për mënyrën sesi Perëndimi sheh Lindjen, ky libër ngjalli një debat të nxehtë, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite. Por deri më sot, pakkush është marrë me mënyrën sesi e kanë parë “Perëndimin” armiqtë e tij të vetëshpallur.
Pikërisht këtë synon të bëjë “Oksidentalizmi”, një hetim origjinal i stereotipave armiqësorë ndaj botës perëndimore, që në fakt kanë ushqyer urrejtjen e lëvizjeve të tilla si Al-Kaeda. Në këtë libër, Ian Buruma dhe Avishai Margalit, argumentojnë se ndonëse virusi antiperëndimor ka gjetur terren pjellor në disa pjesë të botës islamike, në të vërtetë zanafilla e tij s’është aty, por në Europë.

“Globalizimi i Islamit”


Olivier Roy
Përktheu: Aleko Minga
Botoi: “IDK”
Çmimi: 650 lekë

Olivier Roy është ndoshta shkrimtari më provokues dhe më novator që ekziston sot për islamizmin. Askush tjetër si ai s’është në gjendje të na japë një udhërrëfyes kaq të besueshëm në këtë labirint. Me përhapjen e islamit në mbarë botën, është bërë vështirësisht e dallueshme lidhja që bashkon një fe me një shoqëri a territor të caktuar. Duke na shpjeguar gjendjen në të cilën gjendet islami përtej kufijve të tij tradicionalë, Olivier Roy tregon sesi e ashtuquajtura ringjallje islamike, apo “ri-islamizimi” në të vërtetë është kryesisht rezultat i përpjekjeve që bëjnë myslimanët që jetojnë në Perëndim për të afirmuar identitetin e vet në një kontekst jomysliman.

Studimi monografik i Dr.Sali Bytyçit “Fjalë prej guri”

Studimi monografik i  Dr.Sali Bytyçit “Fjalë prej guri” është vepër në të cilën shihet qartë se autori i tij zotëron mirë metodologjinë dhe nocionet e termat, si mjete të domosdoshme në studimet historiko-letrare.
Çështja e receptimit të veprës letrare të Azem Shkrelit nga kritika jonë letrare, është analizuar gjerësisht në studimin ‘Fjalë prej guri (Vepra letrare e Azem Shkrelit)’ të dr. Sali Bytyçit. Këtij aspekti shumë të rëndësishëm, jehonës së saj tek lexuesit dhe dialogut të gjallë me kritikën, ai i është qasur në mënyrë kritike, duke nxjerrë përfundime të drejta e me vlerë lidhur me këtë çështje....Arsyet që vepra letrare e  poetit tonë të mirënjohur Azem Shkrelit të bëhet objekt i një studimi monografik janë të shumta, por mjafton të theksojmë dy sosh: Azem Shkreli është krijues i shquar, që e ka mbyllur krijimtarinë dhe ka lënë pas vetes një vepër me vlerë të përhershme.

image
  Vepra letrare e Azem Shkrelit  ka arritur t’i dalë me sukses në krye objektivit që i ka parashtruar vetes: studimit të plotë e gati shterues të kësaj vepre. Veprën letrare të Azem Shkrelit ,dr.Bytyqi e sheh në kontekstin historiko-letrar të letërsisë së cilës i takon - letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, duke i dhënë shkrimtarit vendin që i takon në kuadër të kësaj letërsie.

Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...