2011-06-04

R ME SY ÇELUR E “SOCIALISTËVE”... NË SHTRATIN E QELBIT KOMUNIST, NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË !”...


Nga: Fritz RADOVANI:

99.99% 99.99% 99.99% 99.99% 99.99% 99.99% 99.99%99.99%
99.99% 99.99% 99.99% 99.99%...
Tiranë, Qershor 2+...2009.99...=2011...%

“NJË ËNDËRR  ME  SY  ÇELUR  E  “SOCIALISTËVE”...
  SHTRATIN  E  QELBIT  KOMUNIST,
  REPUBLIKËN  E  SHQIPËRISË !”...

            Zot bane zgjandërr!” A thue kanë mbetë 99 komunista në gjithë Tiranën?! Dikush mendon se janë 9.99, dikush tjetër thotë “2009”, ndërsa, Nexhmija thotë 0.99, sigurisht tue numrue vetën që bashkë me Ramizin nuk bajnë ma as 1.99! Ramizi thotë: “Ç’thua moj e gjorë, po nëntëqintenëntëdhjetënëntë spijun ruajnë shtëpinë time o dërzezë, që paguan shteti, pa leri të tjerët po, për ke do votojnë ata, për të zezën e tyre e të tonën po mos të votojnë për komunistët, desha të them për “socialistët”, e harruan Katovicën ata!?...”
– “Po, po, por nuk është më ajo kohë kur kërcitnin kokrrat në kutitë boshe, aherë u jepnim plumbin atyre maskarenjëve, po tani kanë ndryshuar kohrat!”
        Jo, jo, të dukët ty, se as koha as né nuk kemi ndryshuar fare!...Jemi të fortë!
        Mirë po e di o Ramiz aga, dëgjo ç’thotë Nexhmije gjada!”...thotë Populli!...
        Më bëhet një çikë merak, se mbrëmë pashë në ëndërr Everin duke u llafosur në një divan ké shtëpia e re, sikur ishim ende ke bloku, tek pishina, ay, Tuk Jakova dhe Nakua. Prisnin një habër nga Qemal Stafa. Që të dijë Qemali se kush e ka gëdhtitur, nuk ma merr mendja!?...
        Leri or budallalliqet e ëndrrat, po sikur të vinë çdo natë tek ne në ëndrra sa vetë kemi përcjellur andejza....do mbushej salla e kongreseve me to!...
        Ku e di unë e gjora, po më bëri merak një çikë se duke u llafosur, sikur i hanin njëri tjatrit veshët dhe, pasi u gjakosën hynë për tu larë...ujët thonë se sjell keq!..
        Jo, ore, po kushdi si të ka vatur mendja kur ke rënë për të fjetur ke Qemali?...
        Ç’thua ore, të thuaç ke Nakua, hajde, disi shkon, po Qemali vate me gusht...
        Pa më thuaj një çikë, ç’të thonin ata, të keqen, tani që edhe Everi nuk është?...
        Ah ç’je ti o Ramiz, një “shitan” siç, thonë shkodrjanët...
        Po ke kam shituar unë ore? Jo “shitan”, se shitan i thonë atij që të shiton, por “shejtan” ose dreq më mire thonë nga Shkodra!
        Pse pak shitove ti, po kush e shitoi Hysniun e Kadriun, pa lëre Abdylin, Koçon, Mehmetin e Feqorrin e ca lakenjë që vërtiteshin duke rrahur gjoksin, qelbanikët, ke parë; se duroja dot atë labin e Mallakastrës kur shiste mend bilez, dhe në sytë e Everit, sikur, vërte ay e kish bërë luftën, ai maskara…
        Po prandaj e qerova at pleh, shoku Ever mëmzi qendronte në shtrat me sy mbyllur jo, më, dhe të dëgjonte atë qen duke llomotitur!
        Vërte’sa i sëmurë qè atë vakt, zgjohej natën...thonte mjeku është somnambull, ç’ne, ay shihtë atë maskarenj duke hipur në kulltukun e tija, ay thonte se i dukët Everit, po jo se ka njëri në dhomë...Të kujtohet kur të çoi në Paris ke Hysniu? Nuk ishte kllapi jo, ay vërtetë donte ti zinte vëndin...Ky qelbësira tjatër duke i bërë lajka ke varri: “Si ike kur na u doje më shumë se kurrë!” Sikur na u shua gjithë dynjaja!...Dhe, e di si thonte ajo shtriga Fiqo lezbia nga cmira që Everi fliste bukur, “Sikur, ky imi të kishte dhe gjuhën e tëndit, kush do ishte si mua?!” Mirë ua bëre zagarve, ashtu e lipnin.... Po u kujtuam vonë, ç’e do?!
        Ah sikur, të ishim edhe njëherë para zgjedhjeve të dhjetorit të 45-sës?!..
        E çdo bëje, i harrove anglo – amerikanët?!
        Pa lëri ore anglo – amerikanët, ata na dhanë pushtetin, me një grusht napolona floriri e kyqnin gojën, po gaboi ahere Everi, ishte endè i rinj, në 46-tën ia hyri reformës agrare, shpërndau tokat e bejlerëve, e prishi Titua me to, pastaj pas tre vjetësh, hajde tani hyni në kooperativë, u prish dhe me leckamanët e zgjebosur pa patur fare sebep...I kish ca gjëra në kokë, i mençur po, i pata thënë mos u zë besë Dem Xhepës, Miladinit e Dushanit, po mblidh floririn e epjau këtire, se për para këta vrasin baballarët e tyre, po nuk i vuri vesh fjalës sime...
        Një mendimi paskemi qenur, po mos të kishim paratë në bankat e tyre, sot ku shkonim neve, ata para na shpëtuan... Po, Tuku, bëzani ndonjë llafe?
        Jo, veç shikonte Everin siç e shikonte ahere, mori një shami e i fshiri hundët...
        Tukoooo, s’e paske harruar zakonin e vjetër, edhe ahere pata kujtuar se po më zë frymën e unë të mora shpirtin...qeshi ay, duke i thënë i gajasur Everi ashtu...
        Ai vetëm pohoi me kokë dhe i tha, nuk ka gjë Ever, të rrojë partia!...
        Si u çua më këmbë o Ramiz, ku e mori takatin, me grushtin lartë ke koka, sikur të ishte në tribunën e Kongresit, veç thirri: “Plumbin ballit tradhëtarëve!” dhe, mënjëherë u suall nga unë dhe më tha: “Më sill nallanët Nexhmije!”. Unë edhe kisha frikë t’ia sillnja, se thonë po i çove shapkat shkon edhe ti shpejtë, po mos t’ia çoja s’ma mbante, kisha rënë në pikë të hallit, veç e pyesja: “Po ç’të duhën nallanët o Everooo, ne jemi rrëthuar në tapet sa andej këndej?!
        Më duhën Nexhmije, më duhën...se po erdhi në këte Kongres Hrushovi dhe po guxoi të heq këpucët, siç bëri në OKB, do të zë t’i bije mu lulës ballit atij qafir qafiri me nallane, pa mi sill ti kem në këmbë!
        Po, pse Nexhmije, vazhdojnë edhe atje me kongrese e plenume partie?!
        Si jo, po atje është gjithë “Partia”, kush ka mbetur këtu?
        Po, të ka thënë ndonjëherë Everi, mblidhën të gjithë së bashku atje?
        Si jo, por jo të veshur, janë të çveshur dhe të zhytur në ujë deri mbi kërthizë...
        Qenkan në fresk të paktën, jo siç predikonin priftërinjtë e hoxhallarët në zjarr!
        Jo, o Ramiz, jo, edhe unë kur e kam parë të çveshur, i shikova lëkurën mos e ka me flluska – flluska nga zjarri por, pastaj më tregoi se mbasi zhytën në ujë, aty është ujët i vluar dhe mbasi i urdhërojnë ata të mëdhenjtë dalin sipër dhe u bie lëkura, pastaj i lyejnë me një krem që ka erën e keqe dhe, iu shkon gjithë koha duke u kruar...aqsa shpesh marrim ferra për tu ngopur...
        Po më të mëdhenjtë kush ishin Nexhmije, të tregoi Everi?
        Po, ndërrohën me turne. Marksi, Lenini, Tito, ky taliani i qelbur, Berlinguer, Toliati, e ca nga Kina, po ato nuk i kujtonte se janë të gjithë një surrat.Për Maon  tregoi që i kish thënë Teni, vazhdon të notojë, sa i afrohet bregut e mbulon balta dhe nuk e le të dalë, po vuan i gjori nga krokodilët...i vërsulën shumë...
        Po Tenin e pate njohur ti, ish burrë i zgjuar!?
        Si jo, herën e parë mu bë si gjarpër kur po llafosja me te, unë e pyata, po ç’u bëre ore...ay qeshi, ish lidhur për këmbët e mija e thonte: “Sa të bu-ku-ra i ké!”. Ik or dreq se po të sheh Everi e po bëhët sherr për hiç gjë...e kisha siklet ashtu si gjarpër, kur mi lëpinte këmbët me atë gjuhë si gjilpera të ftohta...
        Po Stalini nuk ishte?...
        Stalini, tha është, po Stalini, vazhdon me qënë i ballsamosur...e sipër i mbuluar me krimba të mëdhenj, ku çokasin vazhdimisht ca shpend që shqyejnë bashkë me krimba edhë lëkurën..., po sikletin më të madh e kish kur i çokasin mustaqët, se nuk lëviz dot duartë e ngrira sikur ke mauzoleumi...
        O bo boooo, ajo qenka se ç’qenka, të paktën Everi kësaj i paska shpëtuar, e sheh kur thonje ti Nexhmije, ta ballsamosim...
        Jo o Ramiz, nuk i ka shpëtuar, nuk i shpëton dot ati tmerri, po këta që kanë ikur më parë (se akoma nuk më bëhët për ti thënë “kanë ngordhur”, se fjala “vdekur” nuk duhët përdoruar kurrë, se u shtohën vuajtjet), këtyre u vjen radha pas ca e ca vitësh që shkojnë që këtej shefat e kuadrit dhe plotësojnë edhe gjërat e harruara, pastaj, i ballsamosin dhe i ngrijnë duke i karbonizuar me zjarr...
        Po ç’thua, o derzezë, po edhe atje i plotësojnë “dosje”?!..
        Si jo, atë kishte frikë shumë Everi, se mësa kishte marrur vesh, “dosjën” këtija ishte duke ia plotësuar një maskara, shef kuadri i Ministrisë së Brendshme, që ki e ka pushkatuar njëherësh me Kadriun, se Koçin e ka gjetur të ballsamosur...
        Po, të kujtohet emri i këtija shefit?
        Jo, o Ramiz, po ku të më kujtohët, sa si ay janë nisur andeja...më dukët se ka qenë nga ata shokët çam që pat ngritur Everi më përgjegjësi...
        Mos ishte Hilmi Seiti?
        Jo, ore, ku e merr t’ishte Hilmiu, ai nuk do fliste, se sa priftërinjt i ka masakruar pa pjetur Everin, do ti dilnin të palarat e tija...po më sa kujtoj ka përmendur një shok të Temës, po dhe ky vetë Everi flet si nëpër dhëmbë, se i kanë rënë edhe protezat e i kanë dalur ca ferra që i ngulitën në qellzë dhe i mbyllin gojën...po, siç, më ka treguar, ka dhimbje të forta kur kafshon...
        Po ke kafshon atje, i japin për të ngrenë?
        Si jo, ca gjellra si zehëri, të forta, të pa ziera dhe shumë të ngrohta. Ky dhe është mësuar në dhjetë vitët e fundit t’ ia mkoja ushqimin unë, nuk di ç’të thëm!
        Po gjëra të lëngta a përdorin atje Nexhmije?
        Si jo, ca lloje alkooli të prodhuara nga koreanët e vietnamezët me rrënjë të ca lloje frutash që djegin gjithë trupin përbrenda, aqsa të bëjnë për ti parë në atë çast në ëndërr ty që je këndej, bilez, po të dolli gjumi edhe ti je i djersitur...më ka ndodhur mua disa herë, u zgjoja e bërë lamë ujë në dyshek!...
        Jo, ore, po më ka ndodhur edhe mua moj Nexhi, po kam kujtuar të të thëm të vërtetën, se më kish shpëtuar pipija...
        Jo, o Ramiz, po do të kenë menduar dikush për ato që keni bërë së bashku këtu!
        E pamundur, veç Everit, nuk i di kush punët e mia, unë çdo vrasje e kam bërë me pëlqimin e tija. Pa thënë ai bëre, unë as pipinë nuk kam shkuar ta bëjë... Harrove kur thonte: “E dua Ramizin, se pa pjetur mua nuk shkon as në wc!”, sëpse, ata që guxuan të shkonin pa “pjetur” ate, nuk këthenin më në tryezë...
Kushedi sa herë Nexhmije, kam mbushur brekët, për t’mos i ndërprerë fjalën. Se kisha frikë se duke i prerë mendimin, po ndryshon edhe vëndimin e tija, kur ai donte për të “përcjellur” ndonjë si puna e Beqirit apo Mihallaqit...të kujtohët, kur donte të zhdukë Liri Belishovën, harroi ku e kishte fjalën, dhe kur u kujtua se dikend kishte ndër mend...po nuk i kujtohej se ke, asnjërit nuk na e mbante ti themi se, ishte fjala për Lirinë...se tamam kështu, pat ndodhur me Liri Gegën...
Mbasi u pushkatua Liria, Everi na thonte: “Unë nuk flisnja për Liri Gegën,     as nuk kam dhenë urdhër, se dy ditë para kur erdhi në zyrë, unë i pata thëne, ulu e pusho pak se të qenka rritur barku, po me kë e ke moj e gjorë dhe, ajo, i ishte përgjigjur: “E di partia!”. Everit i kish mbetur hatëri, sësi mund të dinë partia keto gjëra kaq më rëndësi pa i ditur unë?...Ndërsa kur donte të jepte urdhër për te, është e vërtetë që Everi po fliste sësi amerikanët kanë vrarë “lirinë” e sa e sa vëndeve nga Azia e Afrika...dhe, ju duhët të vrisni “lirinë” e amerikanëve....
    Po, këte e kujtoj mirë Ramiz, se ne nuk dinim kujt ti vemë gishtin për “lirinë” e       amerikanëve dhe vëndosëm unanimisht për Liri Gegën, ndërsa Liri Belishovën e lamë për sovjetikët...
        Sa mirë i mba mend o Nexhmije, as unë që i kam bërë të gjitha më te dhe nuk i kujtoj kaq imtësisht?!... Ke akoma mendjën e freskët...
        Jo, jo nuk më ka lënë takati, siç kujtojnë ca maskarenjë, ca “demokratë”, si puna e Sejfullahit...edhe donte “demokristjane” qerratai, po na bëri shërbim të mirë, se pushkatuam mjaft për atë sebep... Vërtetë, ku ra puna e Sejfullahit, a e kanë dekoruar tani këto palaçot?!...
        Mësa di unë jo, po kush i mba mend dekoratat e tyre? Ata nuk i kujtojnë as ato që i japin po, as ata që i marrin…lexova njëditë, që pothuaj nuk lexoj kurrë se çfarë shkruajnë gazetat, një të pushkatuar e ka dekoruar Saliu, ndërsa hetuesin ekzekutues të tij e ka dekoruar Bamiri, Ymer Nishanin që ka vrarë qindra vetë, pa lëri sa kosovarët në 45-sën, e dekoron Saliu, e Bamiri, shkon edhe në Turqi me 28 nëntor 2008, dhe takohët me kosovarët e dëbuar atje nga Titua...Thëm të drejtën nuk e merr vesh më qeni të zotin, se i zoti qenin e vet nuk e njeh më!...
        Ay Haxhiu një copë injorant ishte, po nuk bënte budallalliqe, si puna e këtire, ai vërtetë para se të vinte një firmë pyeste për çdo gjë Everin, po shumë gjëra ia priste kopaçja, kur ishte për të firmosur ndonjë pushkatim, ai nuk hezitonte se, duhët apo nuk duhët firmuar.... “E nisme edhe...shoku Ever!”, qeshej...vinte për ta gëzuar Everin se qeruam edhe një...! Haxhiu e donte shumë, apo jo Ramiz?
        Po edhe Everi e deshti atë, 40 vjet fare kot e quajti President!?
        Asgjë o Ramiz, nuk i kemi bërë këtij mileti se çfarë ka lipur!?... Ka të drejtë ajo Pranvera ime kur, thotë se, u zgjuan kafshët!...
        A s’thua shyqyr që s’janë zgjuar!...Po kush do votonte për ne po t’ishin zgjuar? E di, çfarë na priste ne, po të kishin sytë e hapur kur shkojnë tek kutiat e votimit dhe qendrat e tyre për të votuar për të tanët? Harrove ti...
        Unë, jo, nuk kam harruar, por shyqyr që kanë harruar ata! Ta lemë tani bisedën se, për dreq po zgjohën...Gjumin e ëmbël edhe ti...po kujdes mos të “djersitësh” sonte, se kemi kujtuar mjaft gjëra “të bukura” të rinisë sonë!!...
        Ishallah, Nexhmije, nuk po shoh vetën në mbledhjet e Byrosë, kur mbushja brekët, ... se tani nuk ka as kush t’mi lajë...u plakëm...ti nuk lanë dot as të tuat!...
        Jo, Ramiz, ...harrove kur vizituam atë fabrikën e mbathjëve që punon vetëm për mua në Francë, sipas modës së re pariziane të ditës, bilez, ti more një kostum banjoje të shkurtër si pantollët që vishje kur kaloje dikur djalë i rinj nga Parruca, a sheh si i di dhe lagjët e Shkodrës, mor qerrata...dhe thua nuk i do shkodrjanët ....unë, gjithënjë vishëm me të reja, por sidomos këto ditë i ndryshoj përditë me modën e re...jemi para rezultatit të votimëve!...
        Suksese, natën e mirë!
        Gjumë t’ëmbël...Natën e mirë!...Edhe këte herë kemi fituar!...

Melbourne, 2011.


BALADAT E DHEMBJES DHE METAFORA E MËRGIMIT

Intervistë me poeteshën Sevdije Rexhepi

Poetesha Sevdije Rexhepi, na është një shumë ky emër është ndeshur në shkrimet e saja nga një zonë lufte siç ishte Iraku. Pas një periudhe prej 4 vitesh e gjysmë, ajo kohë më parë ishte në Zvicër. Për gazetën “Zëri i Ditës” bëmë një intervistë e cila u publikua më 7 maj 2011, faqe 10-11., ku kemi folur për poezinë siç donte ajo, dhe siç donim ne edhe për një mërgim specifik që nga muaji nëntor 2006.















emër i njohur në fushën e poezisë, po më

Pyetje: Zonjusha Sevdije Rexhepi, është një emër i njohur për lexuesit shqiptarë kudo por edhe në diasporë. A ndani edhe ju këtë mendim?  

Sevdije Rexhepi: Në këtë pyetje, mbase kritika dhe lexuesit do të përgjigjeshin më mirë se sa unë, por shpresoj të më njohin.

Pyetje: Me pak fjalë: Çfarë iu shtyu të gjendeni në Irak?

Sevdije Rexhepi: them të drejtën, ishte një forcë brenda meje të shpreh falënderimin tim për Amerikën, për përkrahjen dhe ndihmën e saj para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Pastaj konsideroja se është një sfidë shumë  interesante  (natyrisht edhe me rreziqe) por që ia vlente të ballafaqohesha me te sigurisht.

Pyetje: Me sa kemi kuptuar, ti nuk ke qenë e vetmja kosovare atje. A mund të na flisni për rolin e femrës shqiptare në këto shërbime?
Sevdije Rexhepi: Numri i tyre ka qenë i madh, dhe e them me shumë krenari se ato i kanë dhënë një imazh shumë të mirë femrës shqiptare aty ku kemi punuar dhe kjo nuk është pak. E them këtë sepse femra jonë ka arritur që të jetë në vendet kyçe të punës, madje edhe në ato poste me shumë përgjegjësi.

Pyetje: Gjatë kësaj kohe, sigurisht keni bërë një eksperiencë të mirë, çfarë mund ta porositësh lexuesin?

Sevdije Rexhepi: Eksperienca është e madhe natyrisht, si ajo e punës, po më shumë ajo jetësore, prandaj unë porosis ata që të shkojnë përtej horizontit dhe ta sfidojnë rastin kur t'u jepet...

Pyetje: Si ngrysej një ditë në këto rrethana?

Sevdije Rexhepi: Asnjë ditë nuk ka qenë e njëjtë... nganjëherë e gjeje vetën në një botë krejt tjetër të paparamenduar. Ndonjëherë me zhurmë, me krisma e mjegullnajë pluhuri, ndonjëherë humbsh nëpër labirintet e kohës, ktheheshe mbrapa në thellësinë e shekujve dhe udhëtoje nëpër histori... gërshetim ndjenjash të ndryshme në një vend, krejtësisht tjetër...

Pyetje: Natyrisht nëpër shkrimet tuaja, por veçmas në poezi sikur i keni përshkruar disa momente përjetimi.

Sevdije Rexhepi: Përherë iu kam gëzuar letrës së bardhë, aty derdhja momentet e mira dhe të vështira, mallin e mërzinë, dhe qëndisja me shumë krenari ndjenjën time për vendin prej nga vija.

Pyetje: Vitin e shkuar keni botuar përmbledhjen me poezi „Baladë mbi Balad“. Vet titulli i përmbledhjes tuaj poetike, flet për një metaforë  të çuditshme “Baladë mbi Balad”! A ka mundësi të na zbërtheni alibinë e kësaj metafore.

Sevdije Rexhepi: Balad është qyteti ku unë kam punuar për më shumë se 4 vite e që gjendet 68 km në veri të Bagdadit, gjersa balada në këtë libër më shumë shihet si një tërësi të përjetimeve dhe momenteve të mia në një zonë lufte. Titulli dhe vendi, kanë qenë një koincidencë rasti, por që reflekton diçka nga kuptimi i brendësisë së librit s’ka dyshim.

Pyetje: Po në përmbledhjen tjetër me poezi në gjuhën angleze “Between Rivers of Babylon”, (e cila po ashtu u botua në vitin e kaluar), a shtjellohet edhe aty motivi i luftës?

Sevdije Rexhepi: Motivi është po i njëjti veçse poezitë  janë të shkruara direkt në gjuhën angleze, d.m.th pa u përkthyer fare. Duke e marrë parasysh se gjuha e artit është një pasaportë e një vendi atëherë zënia e momenteve dhe shkrimi i kujtimeve prej më të ndryshmeve në këtë gjuhë më ka  bërë të ndihem mirë nga fakti që miqtë e mi atje dhe kudo nëpërmjet vargjeve kanë mundur të bëhen pjesë e këtij ditari jetësor vetëm duke i lexuar. 

Pyetje: Kur jemi këtu: Sa ju ka ndihmuar poezia dhe shkrimi letrar në ato rrethana? Nëse iu kanë gjendur afër në momente malli e mallëngjimi?

Sevdije Rexhepi: Ka qenë një eksperiencë shumë interesante ngase pas çdo momenti tërë ndjenjën time e kam derdhur në poezi... një natë pa gjumë, një lajm, një krismë, një humbje jete... por edhe një ditëlindje, me një fjalë kam pikturuar tërë bukuritë qiellore të ndjenjave dhe përjetimit, si një sfidë, si një sukses...

Pyetje: Edhe cilat gjuhë të tjera i flet rrjedhshëm Sevdija?

 Sevdije Rexhepi: Gjuhën angleze e kam mësuar nga dëshira, gjersa atë frënge e kam studiuar në Universitetin e Prishtinës. Natyrisht edhe gjuhët e rajonit i flas mirë, me një fjalë kam pasion dhe prirje për gjuhët e huaja...

Pyetje: Po frika a ka pas vend, pasi nëpër shumë poezi shtjellohet si fenomen, si dukuri po më shumë si përjetim artistik.

Sevdije Rexhepi: Në momente të caktuara  ka pasur edhe frikë, por më shumë janë përjetime artistike, me përjetime e ndjenja shumë origjinale, ashtu siç janë përjetuar, pa anime e pretendime drejtë një imagjinate të stërmadhuar.

Pyetje: Diku në shënimin përcjellës të librit thuhet se poezia juaj ka pësuar një “dridhje” nga koncepti lirik që keni shtjelluar në librat e mëparshëm. Ç’është kjo mynxyrë?

Sevdije Rexhepi: Mendoj, qëndrimi në një vend si Iraku, dhe rrethanat e luftës të bëjnë më të fortë, të bëjnë të kuptosh vërtetë rëndësinë e jetës bashkë me imtësitë e saj, dhe kjo mynxyrë siç thoni ju, kjo dridhje nga koncepti lirik e ka më shumë gjenezën nga përjetimet në një vend lufte, ku jo rrallë (për të mos thënë kurrë), nuk të lejonte me menduar fare për lirikat dhe dashurinë. Të jesh pjesë e saj dhe në rrethana krejtësisht  të tjera nga ato që je mësuar të bëjnë të shprehësh përjetimet ndryshe, nga një moshë dhe jetë tjetër fare kur janë shkruar tre librat e parë. Prandaj shprehja e asaj që ndien në momente të caktuara paraqet këtë gufim shpirtëror që është i ndryshëm, natyrisht nëse krahasohen me librat e mëparshëm.

Pyetje: Poezia është një mjet shprehës i fjalës artistike në mes autores dhe lexuesit. A mendoni se i keni shtyrë edhe më tej këto vlera shprehëse, qofshin edhe të natyrës estetike?

Sevdije Rexhepi: Besoj se po... mu nga këta dy libra lexuesi do të kuptojë momentet e përjetuara atje, jo veç të miat por edhe të të gjithë atyre që janë ende në atë pjesë tjetër të botës, sa e largët aq edhe e rrezikshme.

Pyetje: Padyshim, poezia jote nëse jo për gjë tjetër, do të mbetet një relikt i rrallë i poezisë shqipe që ka sjellë me besnikëri një lloj idiolatrie letrare, përkatësisht poetike nga një vend i tretë, dhe kjo idiolatri vjen nga një zonë, për të mos thënë nga një front lufte. A mendoni se kështu, duke qenë në një mision, i paskeni shërbyer sadopak edhe letërsisë shqipe?

Sevdije Rexhepi: Besoj se po, por është kritika ajo që i pranon këto vlera, mbase të shpresojmë se koha do ta vlerësojë këtë gjë...

Pyetje: Pak a shumë ju keni strukturuar edhe idilin tuaj poetik, a mendoni se me besnikëri keni ruajtur e kultivuar këtë vlerë si një vazhdimësi në poezinë tënde.

 Sevdije Rexhepi: Duke u nisur nga stili që unë shkruaj, nuk i kam ikur shumë, përkundrazi sikur e kam përpunuar pak më shumë, sidomos në këto dy botimet e fundit.

Pyetje: Po çfarë mund të na shtjelloni për ndijimet poetike (sidomos në vëllimin shqip), të cilat sikur janë mbuluar me një lloj tymnaje, me një lloj pluhuri, pastaj shumë vargje e strofa janë stilizuar me figura mitologjike, por kjo mitologji më shumë ka origjinë nga Lindja e Afërt, nga ato anë ku ju keni qenë në mision.

Sevdije Rexhepi: Më besoni se elementet që mund t'i gjeni në poezitë e mia, sidomos në dy titujt e fundit  nuk mund të vjelën në jetën e përditshme, pluhuri ka domethënien shumë më të thellë në Irak se sa pluhuri i zakonshëm. Qëndrimi në atë tokë-zonë ku konsiderohet si djep i civilizimit botëror doemos të jep përjetime të papërsëritshme, të çon shpirtin peshë. Prandaj edhe ato gjëra që nuk shihen e as nuk kapen, siç janë figurat mitologjike, të bëjnë sikur flet me to... mendja dhe shpirti përherë të fluturojnë nëpër atë hapësirë shkretëtire.

Pyetje: Gjatë librit keni mjaftë vargje rrëqethëse, apo jo?

Sevdije Rexhepi: Janë përjetime origjinale, disa prej tyre lexuesi mund t'i kuptoj e përjetojë në mënyrën e  vet, po që se do kenë rastin  t'i lexojnë.  

Pyetje: Po ndonjë ngjarje specifike që do t’ia vlente për ta shënuar në këtë intervistë?!...

Sevdije Rexhepi: Ka pasur disa sosh: Por ajo që ka ndodhur në vitin 2007, po e ndaj me ju dhe lexuesin. Rrëzimi i një aeroplani udhëtarësh ka qenë një ngjarje e dhimbshme. Po ky përjetim është regjistruar si poezi që gjendet edhe në brendinë e librit me poezi 'Baladë mbi Balad'.

Pyetje: Pas këtij misioni ju ishit për pushime edhe në New York, tani prej sa ditësh gjendeni edhe këtu në Zvicër. Pa dashur të ju pyeti për mrekullitë e këtyre dy vendeve, doja të ju pyesja pse e bëtë këtë udhëtim, përkatësisht këto pushime.

Sevdije Rexhepi: Ishte më shumë një nevojë për të parë diçka ndryshe nga ato që kam përjetuar gjatë këtyre 4 viteve në Mesopotami, dhe natyrisht pak relaksim dhe motivim nga civilizimi për t'iu kthyer më pas jetës normale në Kosovën tonë të dashur!...

 Pyetje: Sigurisht nga ky vend do të ktheheni në Kosovë. Do të ishte në interes të lexuesit të dijë si e keni konceptuar të ardhmen tuaj: Si poete, si politikane a si diplomate!
          
Sevdije Rexhepi: Nga këto të tria mua më përshtatet më shumë të mbetem poete, është diçka lirike, diçka më melankolike... sepse përmes poezisë, gjithmonë shprehem atë që e ndiejmë, apo jo?

Pyetje: Faleminderit për intervistën!

Sevdije Rexhepi: Faleminderit edhe nga ju, po natyrisht më shumë për lexuesit me të cilët do të njihemi edhe përmes kësaj bisede miqësore!...

Zürich/St.Gallen, maj 2011.
Intervistoi: Sh. Dibrani

2011-06-03

Mbi vëllimin poetik “Shadows Speak in Riddles“ të Sami Gjokës


Nga: Astrit  LULUSHI
Poezitë e Sami Gjokës nuk mund të tingëllonin më mirë sesa anglisht - ndjesë “fansave” të tij shqiptarë në Facebook a gjetkë – dhe do të ishte “padrejtësi” ti përktheje ato në shqip, qoftë edhe me mendje – jo se shqipja nuk është e pasur – por është pjekuria gjuhësore, artistike, kulturore e autorit që i bën ato të paprekëshme, nëse duhen ruajtur vlerat.Sami Gjoka është ndër krijuesit relativisht të shumtë shqiptarë në Amerikë që rendin të shprehen ndryshe jo vetëm në formë e stil, por edhe ide. Jo rastësisht “Shadows Speak in Riddles” (Hijet flasin ndryshe) është edhe titulli i librit të tij prej 230 faqesh me poezi, nga Shtëpia Botuese Xlibris. Prej disa ditësh “Shadows Speak in Riddles” gjendet edhe në Amazon.com dhe libraritë Borders në SHBA.Pas shume librave – romane, poezi e persiatje në shqip – me këtë vëllimin poetik në anglisht, Sami Gjoka tani u afrohet guximshëm kolegëve amerikanë të penës. Reçensues në Xlibris, filial i Shtëpisë së njohur Botuese Random House, janë shprehur se “Shadows Speak in Riddles“ t’i mbush sytë me lot.Vërtet, absolutisht prekës. Përvojë jete e autorit. Mbledhje, renditje e mahnitëshme, drithëruese fjalësh që krijojnë artistikisht në mendje një fushë betejë midis të mires dhe të keqes, brenda cdo guacke njerëzore;“nga ku ne nisemi për të pushtuar gjithë universin.” Vetëm për t’a bërë vendin të rrënohet nga urrejtja e lakmia, ku njerëzit të jenë;
“jo për të fjetur
as për t’u shlodhur,
por për gjakderdhje,
për britma, lot e mallkim.
por kurrë për të bekuar.”
Vargje absolutisht rrëqethëse sa edhe të afërta në armosferë, për ata që vërtet e ndjejnë realitetin;
“ku vdekja prehet normale,
e shtrirë në të njëjtin shtrat
për sa kohë që kjo botë,
nuk është përmirësuar”
Si shumica e të ikurve nga Shqipëria para rënies se diktaturës, Sami Gjoka, ish-i arratisur, nuk kërkon t’i imponohet nga larg vendit dhe as bashkë-atdhetarëve.
“Who asked me what I do.
I am a lonely, naked bat
My wings at dark I spread,
Hitting rocks of scary canyons.”
ose
“Kush më pyet se cfarë bëj.
Lakuriq nate, i vetmuar jam
Në mbrëmje krahët hap,
Shkëmbinj godas kanioneve të frikshëm.”
Mendimi profetik i poezisë së tij – si krahët e lakuriqit të natës - troket në dritare, që të dëgjojë dera, ashtu si në gjjuhë dhe tematikë, poeti shqiptaro – amerikan i drejtohet botës, që të dëgjojë atdheu. Thirrjet poetike të Sami Gjokës janë thumbuese, të ashpra, të zymta, ugurzeze, por me një fije të hollë shprese, se dikush ndoshta do t’i dëgjojë.

Kuçi, fusha e vdekjes

Nga: Bedri  BLLOSHMI

Këtë shkrim dua ta nis me një falënderim të veçantë. Falënderoj pa masë drejtorin e Arkivit, zotin Kastriot Dervishi i cili bëri të mundur gjetjen e hartës së vend-groposjes së Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës. Është hera e parë që atij vendi iu gjend njeriu i duhur. Hera e parë që i gjendet punës njeriu dhe jo njeriut punë.Të gjithë e dinë se në 22 maj 1984 në minierën e burgut të Qaf-Barit ndodhi një revoltë. E kam përshkruar disa herë se si ndodhi dhe çfarë pashë unë atë. Presioni dhe dhuna e paparë që praktikohej mbi të dënuarit u bë e padurueshme dhe të detyronin të punoje tre turne rresht kur nuk arrije të realizoje normën operative. Ishte data 22 maj, ishim turni i tretë në të njëjtën brigadë pune dhe po ktheheshim nga galeria për në kamp. Policia u afrua të nxirrte me forcë nga kampi një të dënuar i cili nuk kishte realizuar normën. Në këtë çast shokët e tij ndërhynë për të ndaluar policinë e cila po qëllonte mbi të dënuarin. Pas kësaj forca të tjera policore hynë në kamp. Acarimi kishte arritur kulmin. Policia po qëllonte mbi të burgosurit me ç’të kishte në dorë. Të burgosurit reaguan gjë e cila e detyroi policinë të tërhiqej dhe të dilte jashtë rrethimit të kampit. Në këtë kohë oficeri i rojës hapi zjarr brenda në kamp dhe goditi të dënuarin Kostandin Gjordeni duke e plagosur në shpatullën e majtë. Ndërkohë komanda e burgut kishte njoftuar degën e brendshme të Pukës si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kampi u rrethua në kohë rekord nga civilë dhe çetat vullnetare të gjithë të armatosur. Pas një ore mbërriti edhe helikopteri që pasi bëri dy-tri xhiro mbi kamp u ul diku dhe prej tij zbritën disa civilë që hynë në komandë. Siç u mor vesh më vonë njëri prej tyre ishte këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme. Ndërkohë komandanti i kampit lexonte emrat e atyre që duhet të dorëzoheshin. Lista e emrave fillonte me Sokol Sokolin, Tom Ndojën, Haxhi Baxhinofski etj. Të dënuarit që duhet të dorëzoheshin ishin 12 vetë.
Komanda pasi bëri disa herë thirrje për t’u dorëzuar tha se kishin 5 minuta kohë për t’u dorëzuar, përndryshe ajo që do të ndodhte në kamp ishte e paimagjinueshme. Sokol Sokoli që ishte ulur përballë Tom Ndojës i thotë: “Tom, eja dorëzohemi, të mos i marrim më qafë të gjithë shokët!” Sokoli u ngrit i pari i ndjekur nga Toma, u afruan tek rrethimi i brendshëm i futën duart në kuadratet e telave me gjemba ku nga ana tjetër e telave policia u vuri prangat. Pasi i prangosën të 12 personat të cilët ishin në listën që lexoi komandanti, policë e civilë të panumërt u derdhën brenda në kamp. Të 12 të lidhurit i futën në dhomën e takimit ku i dërrmuan në dru duke u thyer këmbë e duar. Pas kësaj i kapën kë për duarsh e kë për këmbësh duke i hedhur në karrocerinë e një makine të zbuluar. Makina u nis duke u zhdukur në kthesën përpara kampit. Civilët dhe policët filluan dhunën mbi të gjithë të dënuarit që gjendeshin në kamp.Pas disa ditësh na mblodhën në mensë ku komandanti i policisë Mond Caja na komunikoi vendimin e gjykatës së rrethit të Pukës: “Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja dënohen me vdekje, pushkatim, të tjerët me dënime të rënda. Po ka trima të tjerë të maten me ne, le ta provojnë dhe ata!” Pak a shumë kjo ishte shkaku dhe pasojat e revoltës së Qaf-Barit të datës 22 maj 1984.Para dy vjetësh më ra në dorë proces verbali i pushkatimit të Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës. U lidha menjëherë me familjarët e tyre dhe shkuam menjëherë në Kuç të Shkodrës në vendin ku ndodhet sot e kësaj dite antena e radios. Kërkuam për tri ditë me radhë. Fadroma zhvendoste dheun pa pushim aty ku thuhej se ishin ekzekutuar Sokoli dhe Toma, por më kot. Pas kësaj nxorëm njoftim në media se kush dinte apo kishte informacion rreth kësaj çështje të na kontaktonte. Asnjë përgjigje. Askush nuk u bë i gjallë. Më 25 maj 2011, më telefonoi zoti Simon Miraka dhe më tha se i kishte rënë në dorë harta e vend-groposjes së Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës. U lidhëm sërish me familjarët dhe shkuam në vendin që gjendej në hartë. Kur mbërritëm atje, vendin e gjetëm të rrethuar me shirita të verdhë të cilët mbanin mbishkrimin “Vend krimi, mos kaloni!”. Filluam punimet dhe gërmuam të gjithë vendin e rrethuar, gati 100 m2, por nuk gjetëm asgjë. Ndërkohë morëm në telefon dhe kërkuam të vinte një topograf i cili nuk vonoi të vinte. Pasi pa hartën ai na shpjegoi se vendndodhja e saktë gjendej në krah të kundërt të vendit që ishte rrethuar dhe që kishim gërmuar ne. Filluam të gërmonim në drejtimin që na tha topografi. Përsëri asgjë, por familjarët nuk u dorëzuan. Ata vazhduan gërmimet edhe të nesërmen dhe kova e fadromës këtë radhë nxori kokën e njërit prej të vrarëve. Familjarët ndërprenë menjëherë punimet dhe më morën në telefon. Unë bashkë me zotin Simon Mirak u nisëm urgjent për në Kuç. Rrugës morëm në telefon edhe mjekun ligjor të morgut i cili kishte qenë me ne edhe një ditë më parë. Çfarë pamë? Çfarë gjetëm?Gropa nuk ishte e thellë jo më shumë se 1,10m. Pasi pamë skeletet, sipas meje, i pari ishte ekzekutuar Sokol Sokoli. Tek këmbët e Sokolit u gjend kafka e Tom Ndojës. I kishin hedhur njërin nga koka e tjetrin nga këmbët. Po çfarë kishte mbetur nga eshtrat dhe rrobat e tyre të trupit? Si i dalluam kush ishte njëri e kush tjetri? I njohëm lehtësisht sepse Sokoli ishte më trup madh nga Toma. Në skeletin e Sokolit nuk kishte mbetur asnjë copë rrobë përveç çorapeve të najlonit që mbanin brenda kockat këmbëve dhe çizmet e gomës me qafë të prerë. Kafka e Sokolit ishte tepër e dëmtuar nga plumbat. Pranë saj u gjend një shishe peniciline e cila mbante brenda një copë letër që ishte tejet e zverdhur dhe shkruante emrin Sokol Sokoli, ndërsa shishja që u gjend pranë kafkës së Tom Ndojës ishte e hapur dhe bosh. Te kafka e Tomës në nofullën e sipërme mungoni dy dhëmbët e parë gjë e cila të bën të mendosh se këto ia kanë thyer gjatë rrahjes në hetuesi ashtu siç tregon edhe fotografia e Sokol Sokolit i cili është me një sy. Skeletin e Tomës e gjetëm të mbuluar nga dy trikot ende të pakalbura. Ndërsa tek eshtrat e këmbëve nga këpucët kishin mbetur vetëm shojet. E çuditshme! Atë çka toka treti për Sokolin nuk e kishte tretur për Tomën, por një gjë duhet thënë: ata dy djem kur ishin gjallë rrinin bashkë, hanin bashkë, të dy dolën në krye të revoltës duke kundërshtuar dhunën, bashkë i arrestuan, bashkë i çuan në qelitë Pukës, bashkë i dënuan dhe po bashkë i pushkatuan në mesnatën e errët kur data 8 ia linte vendin 9 qershorit.Mjeku ligjor bëri ndarjen e eshtrave, i futëm nëpër qeset e zeza të najlonit dhe u nisën për në morg ku do të bëheshin veprimet e mëtejshme ligjore.Ky ishte sekreti që ruajti thellësia a tokës për 27 vjet rresht.Pushofshi në paqe o të papërkulurit që sfiduat diktaturën më 22 maj duke e paguar me jetën tuaj!Qoftë lëvdue Jezu Krishti!Tani lamtumirë!

Media, politika, interesi publik

Shkruan: Edlira  GJONI
Në Angli ka plasur diskutimi mbi privilegjin në të cilin ka akses një shtresë e caktuar njerëzish. Nëpërmjet tij kërkojnë mbrojtje të veçantë nga gjykata për të ruajtur privatësinë apo sekretet e tyre. Diskutimi u ndez pasi Andreë Marr, një nga prezantuesit më të njohur të BBC-së, anuloi një vendim të tillë, të cilin Gjykata e kishte marrë me kërkesën e vetë Marr tre vjet më parë. Asokohe, në kulmin e karrierës së vet, Marr kishte pasur një lidhje jashtëmartesore, e, për t’i shpëtuar medias, gazetari përdori pasurinë, famën dhe pozicionin e vet për të kërkuar ketë vendim të veçantë privilegji në Angli, që gjykata e jep në raste specifike. Vendimi ndalon publikimin e çështjes në media dhe thyerja e vendimit është vepër penale, për të cilën botuesit ndëshkohen ligjërisht. Të tilla vendime janë marrë për çështje madhore politike në Angli, apo për skandalin e mbetjeve toksike të shkarkuara në Bregun e Fildishtë nga një kompani angleze në vitin 2006.Mirëpo, gazetari i BBC-së vendosi fillimisht ta përdorë këtë privilegj në mënyrë që të arrinte objektivin, më pas t’i kërkojë gjykatës shfuqizimin e vendimit. Menjëherë, çështjet e tij personale pushtuan shtypin britanik, edhe pse gjithë ishulli duket tepër i zënë nga ethet e dasmës mbretërore. Vendimi i një gazetari për të lejuar publikimin e të vërtetës së tij personale, pasi kishte penguar me urdhër të veçantë për tri vjet përmendjen e saj, ka ndezur në Britani një debat të gjerë: Si merren urdhrat e veçantë për mospublikime dhe ç’do të thotë për lirinë e shtypit e gjithë kjo histori, ku për protagonist ka një njeri që vjen nga shtypi vetë? Debati nuk është vetëm britanik dhe nuk mbetet thjesht në marrëdhënien “e drejtë për jetën private, e drejtë për informim dhe liri të shtypit”. Në këtë histori të bën përshtypje përfshirja e medias dhe e njerëzve të saj në përcaktimin e një axhende më të gjerë sesa ajo e sjelljes mediatike. Pra, nëpërmjet një njeriu që vjen nga radhët e saj, media përcakton se si do të sillet gjithë shtypi ndaj një çështjeje që nuk është thjesht personale, por edhe e mundur për t’u hermetizuar nga publikimet. Jo të gjithë e kanë këtë privilegj. Për këtë arsye ka plasur edhe debati.Ç’del po ta lokalizojmë çështjen? Media edhe këtu censurohet, gjobitet, nënshtrohet, shërben me devotshmëri, vullnetarizon, merr pjesë në freskime, pretendon, (sh)formon mendime, ide e të vërteta, por, mbi të gjitha, me urdhra dhe me vendime të posaçme, nuk merret me gjëra të dorës së fundit, siç bën BBC-ja, me jetën e një punonjësi të vet. Jo. Urdhrat për median e këtushme kanë të bëjnë me transmetim kasetash të gatshme, me mospranim kamerash jo vetëm në fushata elektorale, por edhe në takime ku diskutohet për çështje të interesit publik. Medias i tregojnë vendin. E, po nuk e bën, ajo e gjen vetë, gjithë zell, vendin që mendon se mund t’i përshtatet më mirë. Po si qenie me zhvillim jo fort të qëndrueshëm, nuk i bëjnë çdo vit rrobat e përdorura një palë zgjedhje më parë. Për këtë arsye, krahasimi çalon që në kahje; në njërën anë zhvillimet i përcakton media, në tjetrën, zhvillimet e saj përcaktohen nga tjetërkush. Vendimet mund të jenë në të dy kahet arbitrare, por të paktën, në rastin anglez, ato parashikohen me ligj dhe diskutohen, madje, edhe publikisht. Për më tepër, arbitrariteti aplikohet për motive private, jo për çështje që prekin interesin publik.Debati në Angli është: “Përse disa njerëz shfrytëzojnë postin dhe pasurinë për të kyçur jetën e tyre”, kurse këtu debati është, “Përse nuk më nxjerr mua lajm të parë, me sinkron dhe të më mbash 15 minuta?”. Atje diskutimi është: “Ku qëndron kufiri mes së drejtës për jetë private dhe së drejtës për informim”; këtu, qëndrimi agresiv (i përbashkët media-politikë) është: “Çfarë rëndësie ka jeta private dhe interesi i qytetarit? Për mua, për mua fol. Unë të jem në shtëpinë e popullit në mëngjes, në drekë, në darkë edhe në edicionin e pasmesnatës. Madje, dua të më nxjerrësh edhe me gruan, lajm të parë, me djalin, po kështu edhe me vajzën. Bëjini edhe një intervistë gruas sime. Merruni me mua. Merruni me jetën time private, çomëni në çdo shtëpi. Të mos ketë tjetër jetë private, unë jam jeta dhe interesi primar i gjithkujt”.
E, nëse Tirana ka njerëz të zotë për ta zaptuar median dhe dritaren nga ajo hyn në çdo shtëpi, nëpër rrethe, lufta për pak ekspozim publik është e lartë. Një zgjidhje është gjetur. Të dy kryetarët po shëtisin nëpër Shqipëri dhe, me atë rast, dalin krah tyre edhe kandidatët në ndonjë televizion që mbulon gjithë territorin. Kurse mënyra e dytë, akoma më e veçantë, është përdorimi i posterave. Jo vetëm te emrat (Bilal, Kucodil, Rrahmadin, Arif, Gjysel etj.), por, mbi të gjitha, te fotot që kanë zgjedhur këta burra për të reklamuar veten e tyre. Shpenzimet për to duken më të lartat e bëra për ndonjë fushatë në Shqipëri. Është hera e parë që shoh Shëngjinin, Fushë-Krujën, Kuçovën, Burrelin, apo edhe Gosën me kaq shumë postera burrash që nuk shesin brisqe, as parfume, as autolarje, jo. Janë kandidatët më të çuditshëm që mund të mendosh. Jo vetëm vizualisht, se pamja vërtet vlen më shumë se një milion fjalë e shpjegime, si nga ata që e shohin, ashtu dhe nga personi që është në të. Po, përderisa media qendrore, për këta tipa nuk ka si të ketë kohë apo interes, ata kanë zgjedhur të shpenzojnë këtë vit miliona lekë për të treguar çfarë? Ç’tregojnë fotot e këtyre mesoburrave që kanë dalë edhe me syze dielli, në këmbë, me duar në xhepa, edhe mbi motor?
Mesoburri i BBC-së pagoi gjyqin që të nxirrte vendim të ndalonte publikimin e jetës së tij private; në Shqipëri, të gjithë këta mesoburra kanë bërë lloj-lloj pozash, fotosh e spotesh për ta na e imponuar personalitetin dhe jetën e tyre, publike e private, me zor.“Fajin e kemi ne, nuk e kanë ata”, thotë një koleg i medias, që si shumë të tjerë, ndjehet i bezdisur nga mediatizimi i politikanëve, kandidatëve e i pretenduesve për të qenë të tillë, por edhe i pafuqishëm për t’i vënë fre përqasjes tejet politike që vetë pushteti i katërt ka krijuar.Kush po e përcakton axhendën publike të fushatës: media, apo politika? Pushteti duket se është akoma absolut e nuk ka arritur ende në nivelin katër.Ndaj, përreth dhe përballë do të shohim akoma mesoburra dhe një media ku Andreë Marr nuk do të kishte pasur mundësi as ta bllokonte, as ta zhbllokonte me ndonjë urdhër gjykate, e jo më të ndizte debate se ç’është morale apo legjitime të publikohet e ç’duhet mbajtur larg syrit publik. E gjithë politika duhet të mbahet larg në kushtet ku ndodhet, se dëmton rëndë publikun me manipulimet dhe falsitetin e saj. Po ja që në Shqipëri gjërat funksionojnë ndryshe dhe debatet publike as që kanë ndonjë lidhje me sjelljet mediatike, e jo më me të mirën e publikut vetë.

Nevoja për ndryshime kushtetuese



Nga: Zijadin  GASHI
 
Sfidat e zbatimit të Kushtetutës së Kosovës janë të natyrës politike dhe mungesës së vullnetit të mjaftueshëm nga institucionet, thonë ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese, në 3-vjetorin e miratimit të këtij akti juridik. Ekspertët thonë, po ashtu, se Kushtetuta është miratuar në shpejtësi dhe tani ajo ka nevojë për ndryshime, pasi që nuk buron nga vullneti i popullit, por nga Plani i Ahtisarit. 
Tre vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës, ndryshimet në këtë akt të lartë juridik tashmë shihen si të domosdoshme. Eksperti i çështjeve juridike-kushtetuese, Riza Smaka, thotë se nuk ka vërejtur shumë përkushtim tek institucionet që ta zbatojnë me përpikëri Kushtetutën.Të gjitha institucionet, shpesh, me apo pa qëllim, kanë anashkaluar zbatimin e Kushtetutës, thotë ai. Ndërkaq, mangësitë e evidentuara në këtë akt juridik, sipas profesorit Riza Smaka, burojnë edhe nga fakti se ajo është hartuar me nxitim dhe nuk buron nga vullneti i popullit të Kosovës, por nga një dokument politik siç është plani i presidentit Ahtisari.
“Mangësia e saj është sepse ka qenë një dokument i dhënë në tavolinë ‘merre ose lëre’, do të thotë ishte punë e kryer. Aty ka zgjidhje rigide të padiskutueshme dhe po t’i kishim diskutuar gjithsesi do t’i kishim formuluar, definuar e specifikuar krejt ndryshe.Po ashtu, ka qenë termini i imponuar asisoj që praktikisht nuk ka pasur një debat të mirëfilltë për ato pika ku ka mundur të bëhet një debat. Do të thotë Kushtetuta jonë nuk përfillet sa duhet, kjo është një, dhe dy, ka edhe boshllëqe e vakuume juridike si dhe dispozita kontradiktore”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Riza Smaka.
Përveç mangësive të evidentuara nga harmonizimi i Kushtetutës me një plan politik, siç është ai i presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës, ish-kryetari i Komisionit parlamentar për legjislacion, Bahri Hyseni, thotë se Kushtetuta në disa raste nuk zbatohet edhe për shkak të problemeve politike, siç është rasti me veriun e Kosovës.
“Problemet rreth zbatimit të saj praktik ekzistojnë. Ju e dini që ne jemi relativisht një shtet i ri dhe ende nuk i kemi të gjitha institucionet funksionale dhe natyrisht edhe vetë Kushtetuta nuk zbatohet në gjithë territorin e Kosovës.Prandaj, në rrethana të tilla ku ekzistojnë probleme politike, ka edhe probleme, por megjithatë, si përfundim, mund të themi se nga koha kur e kemi Kushtetutën, institucionet kanë bërë një progres në zbatimin e saj”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Bahri Hyseni.
Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, ndërkaq ka hyrë në fuqi gjashtë muaj më vonë. Gjatë këtyre dy vjet e gjysmë sa është në fuqi, ajo në disa raste edhe është shkelur nga institucionet e larta vendase.Si shkeljen më të rëndë Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar mbajtjen e dy posteve nga ana e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, ndërkaq së fundit edhe Kuvendi i Kosovës kishte shkelur Kushtetutën me zgjedhjen antikushtetuese tëBehxhet Pacollit, në postin e presidentit.Ndryshimet kushtetuese janë parë si domosdoshmëri edhe në marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli, marrëveshja e të cilëve është aprovuar në formë rezolute nga Kuvendi i Kosovës. Ndryshimet kushtetuese do të fillojnë me presidentin, duke përcaktuar që në të ardhmen ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Por, brenda nëntë muajve sa do të zgjasin këto ndryshime, mund të ketë edhe propozime e amendamentime tjera.

Poezia,dashuria dhe ajo (qe lindi me pas)


Nga: Mirela  PETALLI – KAPAJ
Lindi bashke me dashurine. Por dashuria ishte kaq e forte, gjitheperfshirese, shkelqyese dhe dritheruese sa  per te mbeti vetem nje bulez vese mbi nje fije bari qe po ate dite lindi. Kur vjen dashuria, Shpirti qe ka dhe ai permasat e veta kufizuese, ben nje riorganizim, si pastrimi i pranveres. Ngjeshja e tere gjerave te tjera ka nje efekt cuditerisht lehtesues, shpirti i dashuruar ndjehet i lehte e pluskues,ajer jashte e ajer brenda. Aty ne bulezen e veses, u rrit ngadale, heshturazi, si nje kerpudhe. Ajo qe i merrte dashurise ishte kaq pak.Dashuria eshte bujare,( ka thene nje burre i mencur).Dashuria ra ne dashuri. Me ate,ashtu e vockel, e paqarte, e mbyllur ne nje pike vese. Dhe ajo ra ne dashuri me dashurine. Atehere, ajo qe ndodhi brenda Shpirtit ishte e krahasueshme me mrekulline e lindjes se nje ylberi.Sigurisht qe do vinte nje femije, si ne gjithe perrallat me kuptim. Por femije nuk eshte tamam ajo qe ndodhi. Ajo dhe dashuria u bene nje qenie e re,nje ekzistence, nje menyre,nje fryme. Si cdo gje qe ka nje arsye, nje shpjegim, ( edhe kur shpjegimi eshte mosshpjegimi), kjo magji po e quajme, sepse eshte me e madhe se ajo, me e madhe se dashuria, ka shpjegimin e saj.Kjo ndodhi shume kohe me pare. Ndodhi kur Shpirti ishte i porsalindur, nje shtepi e re pa orendi, vetem dashuria dhe fija e barit, dhe buleza e veses mbi fijen e barit, dhe Ajo brenda bulezes se veses.Dhe gjithe e ardhmja e shpirtit, gjithe eksperiencat qe do te rrisnin shpirtin, te ngjeshura ishin ne nje cep.Kjo fryme, qenie hibride a magji qe atehere vjen e i shfaqet Njeriut ne forma te ndryshme, here si Ajo, here si Dashuria, sa here dritherohet Shpirti, kur degjon muzike, kur lexon, kur sheh nje pikture, kur admiron Natyren, kur mrekullohet nga nje foshnje, sa here Shpirti buzeqesh, sa here zemra rreh fort e vetedijshme se po jeton, Ajo eshte aty. Na u dhurua si deshire per jeten, si berthama e kuptimit te ekzistences.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...