2011-08-07

NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?



Nga Elida Buçpapaj

NATO dhe BE në borxh ndaj Kosovës? Është një pyetje retorike, dhe si të gjitha pyetjet retorike nuk ka nevojë për përgjigje, sepse përgjigja nënkuptohet, bashkë me pyetjen. Një përgjigje e cila do të shprehej me një fjalë të vetme pohuese apo mohuese, me një “jo” apo me një “po”.
Kjo pyetje retorike përmban në vetvete dy sosh, që të ndara, do të ishin: “NATO borxhlie ndaj Kosovës “? dhe “BE borxhlie ndaj Kosovës ?”
Autorja e këtij shkrimi është një ithtare e thekur e NATO-s dhe përsëri do të thoshte se sot në prag të vitit 2010 Organizata e Paktit të Atlantikut Verior është borxhlie ndaj popullit të Kosovës, po aq sa populli i Kosovës është borxhli ndaj kësaj Organizate.
Nuk ka vend për retorikë kur themi se populli i Kosovës prej 1999 ia dedikon mbijetesën dhe gjithçka NATO-s. Ishte NATO, me në krye SHBA, që arriti të ndalë me sukses fushatën barbarike të një spastrimi etnik dhe genocidi që regjimi mizor i Milosheviçit kishte ndërmarrë kundër shqiptarëve të Kosovës. Prej 1999, forcat e NATO-s nën emblemën e KFOR-it janë dislokuar në Kosovë duke ndërmarrë mbrojtjen e sovranitetit tokësor të Kosovës nga një rrezik eminent.
Populli i Kosovës ishte viktima, NATO shpëtimtarja. Kosovë-NATO, ky është një binom jetik për Kosovën.
Hapin vendimtar drejt anëtarësimit në NATO Kosova e bëri me shkrirjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe transformimin e tyre, duke e lënë në duart e NATO-s krijimin dhe konsolidimin e ushtrisë së re të Kosovës dhe forcave të reja të armatosura të Kosovës.
Pas një dekade të pranisë së KFOR-it në Kosovë, do të ishte krejt e natyrshme dhe e ligjshme që Kosova e pavarur dhe sovrane të pranohej anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Vetëm atëherë kur Kosova do të jetë anëtare e NATO-s mund të flitet për largim të KFOR-it nga Kosova, kur nga ana tjetër Kosova e ka legjitimitetin për të qenë vendi për një bazë të përherëshme të Organizatës të Paktit të Atlantikut Verior.
Sa i përket pyetjes të dytë retorike: “BE borxhlie ndaj Kosovës ?” Dihet se përgjigja do të ishte “Po” është borxhlie. Sidomos kur sot BE i ka hapur dyert për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Nuk jam kundër vendimit të tyre, por jam kundër lënies jashtë këtij vendimi të Kosovës dhe Bosnjes, dy vende me shumicë myslimane. Bosnja e përbërë me tre etni, ku serbët dhe kroatët kanë përfituar prej Serbisë dhe Kroacisë, ndërsa boshnjakët me religjion mysliman janë të ekskluduar, ashtu si edhe shqiptarët e Kosovës.
Çdo kush ka të drejtë të mendojë se, Kosova që vazhdon të mbetet një shtet gjysmë kolonial me varësi nga EULEX-i, një organizëm i BE-së, vazhdon të jetë e diskriminuar nga BE-ja, për arsye të qarta fetare. Pasi Kosova me një territor 11 mijë kilometra katrore është total nën kontrollin e EULEX-it dhe KFOR-it. 
Fakti që nga liberalizimi i vizave ndaj Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi përfitojnë shqiptarët që ndodhen në hapësirat e veta kombëtare në ato formacione shtetërore, sado poziv, është mirëfilli i papërfillshëm, kur përjashtohen 6 milionë shqiptarë, të Kosovës dhe Shqipërisë, së cilës i është premtuar se liberalizimi i lëvizjes do t’i realizohet nga mesi i 2010-ës.
Nga liberalizimi i vizave për Serbinë përfiton edhe pakica serbe në Kosovë, ndërvarësia e të cilës me Beogradin tani tingëllon se shpërblehet edhe nga BE-ja.
Nuk duhet të harrojmë se shtetet kryesore të BE-së kanë qenë ato që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk duhet të na bëjë që të mos kemi guxim e të mos e kritikojmë BE-në, kur e përjashton Kosovën tani nga liberalizimi i vizave, pasi ky veprim diskriminues do të përdoret me qëllime manipuluese nga Serbia, duke u thënë shqiptarëve të Kosovës, se nëse Kosova do të ishte nën Serbi, ajo sot do të udhëtonte lirisht në Europë. Dhe për një vend të pasur por paradoksalisht me popullsi të varfër, ku papunësia shkon mbi 60%, hapja e dyerve të Europës, përbën një ëndërr, aq më tepër kur dihet se Kosovës edhe sot e kësaj dite ia mban frymën diaspora e saj në BE dhe SHBA.
Populli i Kosovës e ka shprehur verdiktin e vet dhe rrota e historisë nuk kthehet mbrapa, prandaj, në mënyrë që BE-ja t’i largohet hijes së dyshimit se është duke i diskriminuar shqiptarët, ashtu si dikur diskriminoheshin hebrejtë, duhet të liberalizojë vizat menjëherë edhe për shqiptarët e Kosovës, pasi shqiptarët e Kosovës janë po aq evropianë sa të gjitha ata që sot kanë të drejtën për të qarkulluar të lirë nga njëri shtet apo qytet i Evropës tek tjetri.

Nga DRITON MEHMET KAJTAZI:Vështrim mbi mos-mësimin e gjuhës shqipe në Zvicër dhe përgjithësisht në diasporë

Në biseda, në media, në faqe të Internetit, në LAPSH, por jo edhe tek autoritetet e thirrura, shprehet brenga për mos-mësimin e gjuhës shqipe apo për mos-përcjelljen e orëve shtesë në mësimin e gjuhës shqipe. Prindërit vihen shpesh në shënjestër të kësaj problematike.
FAJI NUK ËSHTË TEK PRINDËRIT

Duke mos dashur të hiqet aspak përgjegjësia e prindërve të cilët e kanë rolin parësor në nxitjen, kultivimin dhe mbarëvajtjen e përcjelljes së trashëgimisë gjuhësore, në rreshtat në vijim kam provuar të bëj një përmbledhje të disa faktorëve tjerë, pos përgjegjësisë prindore, të cilët po ndikojnë në mos-mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe.
Prindërit shqiptarë nga mërgata, me lidhje të ngushta familjare, me ndërtime të shtëpive në Kosovë e gjetiu, me përcjellje të rregullt e me zell të festave kombëtare e shtetërore, me vajtje në lokale muzikore etno-folk-biznisi, me angazhime shoqërore, partiake e sportive, me përcjelljen e medieve në gjuhën shqipe tregojnë lidhshmëri të madhe me vendet e tyre të prejardhjes. Megjithatë, realiteti i të dhënave statistikore mbi përcjelljen e mësimin e gjuhës shqipe tregon një problematikë që duhet të merret thellësisht në trajtim.
Statistikat mund të jenë, dhe janë, parametër për t'u vështruar me kujdes sepse për të mos përmendur shumë shprehje, po e marr një ndër më «vulgaret» dhe paksa komike : «Statistikat janë sikur bikinet, e tregojnë tërë trupin por e fshehin themeloren». Një diktator përtej Karpateve thoshte madje se «vdekja e një milion njerëzve është statistikë, vdekja e një njeriu është tragjedi ».
Prapa statistikave është drama fëmijërore dhe tragjikomedia e qasjes së kësaj çështjeje nga autoritetet të thirrura në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.
Si duket janë mbi 3000 nxënës që e vijojnë mësimin plotësues, apo sipas këndvështrimeve shtues, në Zvicër. Gjersa të dhëna që i janë përcjellur vitin e kaluar Ministrisë së Arsimit të Kosovës përmenden 617 nxënës për të cilët janë në dijeni autoritetet arsimore. Kjo tregon një komunikim të cekët të vendit amë me diasporë. Pak edhe mbi 3 000 nxënës edhe pse prapa secilit nxënës qëndron një angazhim i pashoq i mësimdhënësve të LAPSH-it të cilën derë më derë e familje më familje bëjnë që prindërit ti dërgojnë fëmijët në shkolla shqipe.
Krahasuar me mundësitë por edhe me mbarëvajtjen afër 20 vjeçare, kemi të bëjmë me punë titanike. Por kjo nuk mund të lë vend për kënaqësi.
Nëse e marrim atë se në Zvicër jetojnë si duket të paktën rreth 270 000 shqiptarë (disa e përmendin edhe numrin 300 000), dhe se në mesin e tyre ka në mes të 50 000 e 100 000 fëmijë shqiptarë nën moshën 16 vjeçare (mbi 855 000 nxënës ka Zvicra), të dhënat e sipërpërmendura të vijimit janë të pamjaftueshme, për të mos thënë simbolike. Rasti i shkollës së mesme në Aigle të kantonit Vaud me 1 400 nxënës nga të cilët si duket rreth 250 janë shqiptarë nuk është i vetmi në Zvicër. Kuptohet, këto janë të dhëna tejet sipërfaqësore, pa as edhe një studimi të vetëm në këtë fushë.
Kush është fajtor? Nuk ka këtu fajtor se nuk është qëllimi që të dënojmë, e edhe sikur të dëshironim, nuk kemi tribunale për këtë çështje. Kemi këtu faktorë e jo fajtorë që e japin këtë rezultat apo jorezultat. Unë do i përmend 9 faktorë që mendoj se luajnë rol kyç në këtë drejtim.
(Mos)veprimi i autoriteteve në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri
Kemi në këto tri vende: tri Ministri të Arsimit, tri Ministri të Punëve të jashtme, tri Institute të Albanologjisë, tri Ministri të Kulturës, tri Qeveri... Pra të paktën 15 institucione politike dhe as edhe një politikë të vetme.
Ligji mbi mërgatën e Kosovës (publikuar më 20 maj 2010 në Gazetën Zyrtare), bazuar në nenin 65 të Kushtetutës së Kosovës, në nenin 12 thekson: „Agjencia e Mërgatës së Kosovës e merr përsipër ruajtjen dhe kultivimin e identitetit gjuhësor, kulturor dhe arsimor të pjesëtarëve të Mërgatës". Ligji kërkon zbatim por me këndvështrimet antropologjike apo etnologjike nga autoritete të thirrura Kosova, Shqipëria apo Maqedonia për mërgatën, me ca vizita, me intervista të numërta e me përfitime personale me rrugëtimet e tyre të turizmit akademiko-politik, nuk mendoj se nismat lënë vend për të shpresuar në ndonjë qasje serioze.
MOS-HARMONIZIMI I PROGRAMEVE DHE TEKSTEVE SHKOLLORE
Historia e Nënës Terezë me prindër nga Kosova, e lindur në Maqedoni, lufta e Isa Boletinit për pavarësi tejkufiri, Shote Galica e Drenicës me pushim të përmotshëm në Fushë-Krujë dhe shumë personalitete të tjera nuk mund të mësohen ndaras me kufij politikë. Me harmonizim të një programi kulturo-gjuhësor shqiptar, jo vetëm se nuk shpenzohen energji të shpërndara në disa shtete por edhe krijohet një tërësi logjike.
Librat e sajuara për nxënësit në mërgatë do të duhej të kenë parasysh se nuk mund të kenë efektin e tyre nëse nuk iu përshtaten rrethanave të sistemeve të formimit dhe mendimit shkollor të vendeve ku jetojnë.
Historiku i mërgatës shqiptare në Zvicër apo në shtetin ku jetojnë mërgatat meriton një vështrim të veçantë gjatë përpilimit të këtyre teksteve…
STRUKTURAT E LAPSH-IT
Në vitet e 90-ta, LAPSH-i ishte një nga shtyllat kryesore e organizimit të mërgatës. Edhe pas lufte në Kosovë LAPSH-i vazhdoi dhe vazhdon me zell të bëjë mbarëvajtje të mësimit që në krahasim me kushtet e punës dhe me mbështetjen apo mosmbështetjen nga vendet e prejardhjes, po bëjnë punë titanike. Mjafton të kalohet vetëm një ditë e vetme me këta mësimdhënës të mërkurave apo të shtunave, me nxënës për të cilët nuk kanë asnjë cytje notimi apo një mbledhje me ca prindër të cilët më tepër janë aty për t'i marrë në pyetje mësimdhënësit se sa për të pyetur, për të parë se sa e lodhshme është puna e tyre.
LAPSH-i ka dëshmuar dhe dëshmon në përpjekje e në veprime. Tani iu mbetet institucioneve që të shpijnë më lart strukturimin dhe mbështetjen ndaj LAPSH-it.
STRUKTURAT E VENDIT MIKPRITËS
Zvicra ka një sistem të veçantë gjuhësor ku 4 gjuhët zyrtare vendore parapëlqehen së pari (gjuhët gjermane, frenge, italiane dhe romanshe), pastaj gjuha angleze, më pas latinishtja apo greqishtja e në rendin e 4 gjuha e prindërve.
Zvicra ka 24 sisteme shkollore me reforma jo të shpeshta (çdo 25-30 vite). Tani janë duke u bërë disa reforma (është rasti të përfitohet nga PER – Plani i studimeve në Zvicrën franceze dhe HARMOS, harmonizim i plan-programeve në nivel Zvicre).
Zvicra në marrëveshjen e vitit 1999 në mes të CDIP (Konferencës ndër-kantonale të mësimit publik) dhe Bashkimit Evropian nuk e përfshin rregulloren e Bashkimit Evropian e vitit 1997 (77/486/CEE) ku theksohet se "Vendet anëtare marrin masa, në bashkëpunim me shtetin e prejardhjes, me qëllim promovimi dhe koordinimi të mësimdhënies në gjuhën amtare".
Nga kjo rrjedh se mësimdhënësit e gjuhës amtare nuk përfshihen tërësisht në sistemin shkollor (formim të mësimdhënësve, pagesa, nota etj.).
Përkundër asaj se mbi 28 miliardë franga shpenzohen për Arsimin publik në Zvicër (për krahasim rreth 1 000 miliardë shpenzohen për shkollim në vendet e OEBSH - fr. OCDE-ang. OECD - shumë kjo që e tejkalon edhe industrinë e automobilit), rreth 800 000 persona konsiderohen, sipas ca kritereve gjuhësore, analfabetë në Zvicër. Sipas raportit PISA, Zvicra në vitin 2003 ishte e 17-ta nga 30 vende sa ishin në garë për rezultate shkollore. Në masë të madhe kjo është për shkak të rezultateve të dobëta shkollore të të huajve. Në këtë drejtim përparime të mëdha po bëhen viteve të fundit, sidomos me programin EOLE por mbetet akoma për t'u bërë.
FORMIMI I MËSIMDHËNËSVE ZVICERANË DHE SHQIPTARË
Kur iu drejtohem nxënësve me ndonjë fjalë në gjuhën portugeze, Bom dia, në atë kineze Nihao, dobar dan në gjuhën serbe, apo në gjuhën shqipe Mirëdita, e shoh ngazëllimin në sytë e fëmijëve.
„Shkolla ka bërë një kohë të gjatë sikur nxënësi emigrant nuk kishte gjuhë para se të vinte. Në realitet çdo fëmijë është një ekspert", shkruan profesori i Universitetit të Neuchatelit Jean-François de Pietro në një shkrim në gazetën 24Heures (30 janar 2003).
Sipas autorit Ouillet, "një edukatë në mohim të identitetit të fëmijës dhe të kulturës familjare të nxënësve (…) nuk mund të thekson se bën një edukatë të mire. Në një shkollë fillore të një lagje elegante të një qyteti zviceran, asnjëherë mësimdhënësit nuk i pyesin nxënësit që të shkruajnë apo thonë një fjalë të vetme në gjuhën e tyre".
Iso Camartin në De la cohabitation des langues - Nga bashkëjetesa e gjuhëve shkruan: „Të mos kesh para është fat i keq, por të mos kesh identitet është një padrejtësi e vërtetë shoqërore e ekzistenciale. Habitem si Deklarata Universale e drejtave të njeriut nuk e ka në tekstin e saj."
Në Forumin e Cyrihut më 24 janar 2004 : Laramania gjuhësore në shkollat zvicerane, një potencial i rëndësishëm, thuhet në një nga 4 arsyet për të mësuar gjuhën amtare se «nuk është vetëm pasuri kulturore që të mësohet gjuha amtare por edhe pasuri ekonomike. Për këtë arsye e shpjegojnë domosdoshmërinë që të financohen këto kurse nga fondet publike."
«Me njohjen e gjuhës amtare nuk e kemi vetëm shprehjen e fjalës por edhe mundësinë që të kemi këndëvështrime të tjera mbi botën. Gjuha është baza e komunikimit dhe mësimit. Fëmija mëson duke shtruar pyetje e duke dëgjuar përgjigje së pari në familje». Ky seminar e vë në pah domosdoshmërinë që të ketë vlerësim më të mirë të nxënësve në gjuhën amtare sepse shpesh drejtohen në drejtime më të ulëta shkollore ku kanë kompetenca më të larta se nxënësit e tjerë në gjuhë dhe matematikë. Shumë mësimdhënës nuk e respektojnë sa duhet gjuhën amtare të nxënësve», thuhet në përmbledhjen e këtij forumi.
Një problem tjetër, sipas këtij forumi, është hierarkia e gjuhëve në kategori : gjuha angleze, italiane e spanjolle në njërën anë e gjuhët e tjera në anën tjetër.
Sipas këtij forumi kurset duhet të mbahen :
- Në salla të mësimit publik e jo të ndara
- Me program e material shkollor zyrtar
- Me notim të nxënësve në libreza të shkollës
- Me formim të mësimdhënësve zviceran dhe të huaj
METODOLOGJIA
Nuk mund të mësohet gjuha shqipe në mesin e mërgatës ashtu sikur mësohet ne vendin ku gjuha shqipe është gjuhë e komunikimit në rrugë, shtëpi e punë. Metodologjitë e mësimdhënies edhe në Zvicër nuk janë të njëjta për frengjishten gjuhë amtare sikur për frengjishten apo gjermanishten gjuhë e huaj, për nxënës të huaj apo allophones, për të marr këtu shprehjen kanadeze të Quebec-ut për nxënës që studiojnë në një gjuhë që nuk është e tyre. Kërkohet një qasje tjetër metodologjike, pedagogjike apo didaktike në të dy situatat. Bëni që fëmijët të kërkojnë atë që mund të gjejnë me mundësitë e tyre, thoshte Pestalozzi.
Pasaporta Evropiane e Gjuhës - Passeport européen des langues (përpiluar nga Këshilli i Evropës), i përdor 6 nivele të përbashkëta të referimit në Evropë për standardizimin e arritjes së nivelit të kompetencave (Cadre Européen commun de référence pour les langues). Këtu bëhet fjala për standardizim të kritereve në mes të gjuhëve deri sa ne merremi akoma me vetë idenë e standardizimit të një gjuhe të vetme….
SITUATA E PRINDËRVE
Prindërit shqiptarë në mërgatë shumicën e rasteve kanë punë të vështira, jo liberale, më tepër fizike, me orare shpesh jo të përshtatshme e që nuk përkojnë me orarin e fëmijëve për të qenë të lirë në mbrëmje apo gjatë vikendeve (restorante, pastrime, roje nate, kujdestari në shtëpi të pleqve etj.).
FJALA PUBLIKE DHE MEDIAT SHQIPTARE
Duhet të „evakojmë kujtime" (është fjala për një personalitet publik që mendonte se e thoshte fjalën evokim të kujtimeve e jo evakim apo heqje-mënjanim të kujtimeve) apo pas një votimi në „memorandumin popullor në Sudan" (është fjala për një tjetër fytyrë publike që në një emision në një nga televizionet tona provonte të thoshte referendum popullor), janë vetëm disa nga shprehje të huaja gjuhësore që personalitete apo figura publike përdorin vend apo pa vend. Fëmijët dhe nxënësit i shohin këto gabime, këto ngurrime për të përdorur fjalë shqipe por edhe këto qasje me logjikë robi për të mos thënë të pozitave të inferioritetit intelektual që i bëjnë të mendojnë se nëse këta e kanë një lloj ndjenjë inferioriteti për gjuhën e tyre në vendin e tyre, pse të mos kenë edhe këta fëmijë ndjenjë të tillë në vend të huaj.
Kur shihet se si ekspertët e UNMIK-ut, Eulex-it, ambasadorët por edhe OJQ që me asnjë fjalë të vetme në gjuhën shqipe nuk shprehen para opinionit, kjo lë pak vend për nxitje pozitive.
As mediet në gjuhën shqipe me ca emisione sipërfaqësore e amatore për diasporën, ku vihen në spikamë më tepër mbrëmje tollovi-tallava se ato studimore, nuk kontribuojnë në këtë drejtim
MOSINFORMIMI MBI RËNDËSINË DHE STUDIMET
Sa kanë qasje prindërit në të dhënat se të mësohet gjuha amtare nuk është vetëm folklor patriotik apo ndonjë nostalgji romantike e ca idealistëve gjuhësor dhe kombëtar por është çështje pozitive sa në aspekte të ekuilibrit psikologjik, në rezultate shkollore dhe ekonomike por edhe në baraspeshimin familjar e mendor ?
Edhe pse shpesh përmenden nga ca „aktivistë shkollorë" fjala studime këndej, studime andej, rrallë hasim në media dhe takime rreth kësaj tematike të këtë citime konkrete se për cilat cilët studime bëhet fjala.
Pa u ndalur të përmend më shumë studimet e studiuesit themelor të kësaj tematike në Zvicër, z. Basil Schader, albanolog, Profesor dhe një nga bashkëthemeluesit e Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare – ISEAL, po përmend vetëm ca studime në lidhshmëri me këtë tematike:
o Në një shkrim të Ursula Utz dhe Monica Prodon në gazetën EDUCATEUR (tetor 2005) thuhet : «Studimet e vonshme tregojnë se derisa nxënësit mund të kenë qasje në libra në gjuhën e tyre amtare, mësimi i leximit në vendin mikpritës është lehtësuar në mënyre të vendoshme».
o Në raportin mbi Integrimin e të huajve të Zyrës Federale të Mërgatave të vitit 2006, ne «mes tjerash për shkaqet e dobëta të rezultateve shkollore përmendet edhe «njohja e dobët e gjuhës amëtare».
o Një studim i bërë në vitet 2005-2007 në La Chaux-de-Fonds, në dy klasa parashkollore arrin në përfundim se familjet të cilat u flasin fëmijëve në gjuhën françeze dhe jo shqipe, me një frengjishte të përafërt e jo të qartë, ka për pasojë në identitetin e nxënësit : një jo-barazi gjuhësore krijon jo-barazi statusi tek individi… ». Duke u devalorizuar gjuha amtare, devalorizohet vetë personaliteti. Ky studim tregon se bazat solide, të qëndrueshme, të gjuhës amtare hapin baza të qëndrueshme të mësimit të gjuhës vendore. Problemi qëndron në atë se prindërit nuk e zotërojnë shpesh as gjuhën amtare e as atë të vendit mikpritës. (Educateur, Mona Ditishung, prill 2008)
o Projekti i vitit 1996 QUIMS (Qualitat in Multikulturellen Shulen) – Cilësi në shkollën multi-kulturore, në Cyrih, i vë bazat e refleksioneve mbi rëndësinë e zotërimit të gjuhës amtare. (Michel Nicolet, Educateur, prill 2008).
Së fundi, rezultatet e nxënësve të Komunitetit Hebraik të cilët e flasin me ngulm gjuhën e ringjallur sikur feniksi, dhe arrijnë rezultate shkollore si dhe rezultatet e studentëve nga Shqipëria në Universitetet zvicerane dëshmojnë se me një pasuri gjuhësore solide, hapin shtigje të suksesit edhe në gjuhë të tjera.
Gjuha ushqen tri rrethe pedagogjike: raportin me vetveten, me mjedisin jetësor dhe me botën.
Pyetjet janë universale, por përgjigjet janë kulturore, thotë astrofizikani Reeves. Përgjigjet tona kulturore pak e kanë kultivuar këtë sferë.
Diaspora apo etimologjia e kësaj fjale: shkapërderdhje, tek ne e ka kuptimin e dyfishtë: në mërgim shkapërderdhje, në Ballkan shkapërderdhje. Derisa të mos e kuptojmë se na duhet dy here më shumë të punojmë në këtë drejtim, rezultatet nuk do të jenë dy here më të vogla por më të vogla në rrënjë të dyfishtë katrore. Prindërve ju mbetet përgjegjësia kur të sqarohen temat si:
o Financimi i mësimdhënësve
o Formimi i mësimdhënësve
o Strukturat dhe lokalet shkollore
o Informimi i prindërve
o Standardizimi dhe harmonizimi i teksteve, plan-programeve dhe notimi.
Prof. Doris Jakubec, thotë se gjuha është nëna e mendimit, dhe unë mendoj se nëse Rilindja kombëtare nuk u bë pa mërgatën, as rritja kombëtare nuk do të bëhet pa mërgatën.
Nga 6’000 gjuhë dhe dialekte vetëm 150 janë të shkruara apo që kanë arritur ta kristalizojnë mendimin në letër e në mesin e tyre gjuha shqipe. 50% do të zhduken deri në vitin 2011 (90% në Amerikë dhe Australi). Çdo 2 javë zhduket nga një gjuhë. Kur edhe gjuha latine është zhdukur, e fuqishme me shekuj pse jo të tjerat. Asnjë gjuhë nuk e ka të sigurt të përmotshmen.
--
Driton M. Kajtazi është Drejtor i Institutit Zviceran të Studimeve shqiptare (www.iseal.ch) e Mësimdhënës në Kolegjin Léon-Michaud në Yverdon të Zvicrës.


BALADA E NUSES SË ZEMËRUAR

Poezi nga THANI NAQO Zogjtë u kthyen, ti s’u ktheve, Ike, the: "Shpejt do të vij". Drithëron bryma përmbi gjerdhe, Më gënjeve, pse, s’e di! Ikën zogjtë, unë prapë të prita, Sypërlotur jam përherë. Numëroj vitet nëpër gishta, Dhjetë dimra zbardhin dhenë. Unë e zeza, fatin lidha, Me premtimin që më dhe. Si dëborë qëmtojnë thinjat, Mbeta mbyllur kallogre. Ikën shoqkat, fatin gjetën, Të gjithë shkojnë diku tej. Marr guxim dhe gënjej veten, Me not të nisem të të gjej. Kush e di ç’bën atyre anëve, Syri im ty nuk të sheh. Me të tjera shuan zjarre, Xhelozia po më gërryen. M’erdhën fjalë se ke një tjetër, M’e mirë se unë të jetë ajo? Jam nuse e re, s’jam e vjetër, Çapkënia unë, e mjera-o! Do duroj gjer në pranverë, Nëse ti do të mungosh, Fole balti nën strehë, S’kam dëshirë më të shoh. Do duroj sa të vijë vjeshta, Të takoj shtegtarin e fundit, T’i shkul thinjat nëpër leshra, T’ia dërgoj kujtim burrit. Do duroj sa të dalë dimri, Fustanshkurtën do të vesh, Dikujt tjetër t’i shkel syrin, Kur të kthehesh s’do t’më gjesh!... 2008

NË POEZITË E BUÇPAPAJT DËGJOHEN KLITHMAT E NJË KOMBI TË TËRË




"Fitorja e padukshme" e Mujë Buçpapajt një libër i nivelit botëror

Studim nga LAURA BOWERS*
"Në se e dini se çfarë do të thotë të ndihesh si në shtëpi, libri poetik "Fitorja e Padukshme" e poetit Mujë Buçpapaj të trondit zemrën. Në të përshkruhet portreti i bukur dhe i fshehtë i një kombi dhe vendi të coptuar nga lufta, dhe nga plagët e saj. Buçpapaj shndërrohet në thirrjen e turmave të të gjallëve dhe të vdekurve që përjetuan luftën e Kosovës dhe bashkimin e burrave dhe grave si dhe fëmijëve të vendlindjes së tyre. "
Poezitë e librit "Fitorja e Padukshme" përbëhen nga copëzat e zemrës së poetit me thellësi mendimi dhe drite, të cilat vijnë të gjalla dhe të shpërndara mes dy popujve. Shpirti human është ai që i bashkon të gjitha poezitë e tij me mallin për atdheun e dikurshëm dhe popullin e humbur si dhe trishtimin e madh se ai ka mbetur vetëm një kujtim. Brishtësia pasqyrohet në zemrat e vëllezërve dhe motrave të poetit, të miqve, familjeve, armiqve dhe gjithë njerëzores që jeton brenda gjithësecilit prej nesh. Të gjithë janë bashkëvuajtës, të lidhur me dhembjen e tyre, prandaj dhembja dhe brishtësia janë pjesë e asaj që unifikohen si një e tërë në librin me poezi "Fitorja e Padukshme". Libri hapet me vuajtjet dhe përfundon me fitoren. Poezia e fundit profetizon dhe bën të njohur historinë. Në përmbledhjen poetike emocioni më i veçantë vjen nga trishtimi i poetit e mbi të gjitha nga trishtimi i kombeve. Megjithëse emocioni më i brendshëm është edhe përcaktimi i mprehtë i poetit në mbrojtjen e lirisë së fjalës për të mirën e kombeve.
Gjatë kohës që poeti shkruan këto poezi, ai jeton me pasion, dhe "Fitorja e Padukshme" kthehet në mposhtjen e çdo frike e cila mund të pengojë shpalljen e së vërtetës. Dëshmia e dashurisë së tij për vendlindjen dhe dhuntia e imagjinatës së gjallë, brilante dhe metaforike krijon mundësinë që Buçpapaj të unifikojë konceptet e shtëpisë dhe kujtimeve për të, e cila
është prekëse për secilin prej nesh. Sipas traditës, në poezi ndjehet malli për të kaluarën e humbur e cila mbetet e gjallë në kujtesën e tij, por është ndarë nga një vel i hollë dhe i palëvizshëm i kohës.
Buçpapaj e sjell substancën e kohës sipas një mjedisi poetik, megjithë shpresën se ai do të gjejë hapsira nga të cilat do të shpëtojë atë që ka humbur. Libri "Fitorja e Padukshme" nis në mënyrë ironike me imazhin e perëndimit të diellit, fillimi i fundit dhe mbyllet me poezinë "Ky është veç fillimi", i cili nis me imazhin e djalit të djallit që mbretëron mbi një fron të zjarrtë dhe përfundon me trishtimin dhe fitoren e kobshme.
"E korra afroi dhe vdekja pret".
Në strofën e fundit lexojmë: "Lamtumirë/o popull i fundit/ në fillim".
Në këtë vëllim poetik të duket sikur flitet se e gjithë përjetesa e ferrit është pasqyruar si paraardhëse e asaj që do të vijë. Por që të dyja si në poezinë "Fitorja e Padukshme" ashtu edhe në atë "Ky është fillimi" janë shkruar në kohën e shkuar. Përmbledhja ndryshoi nga poezi të shkurtra imagjinative në poezi si foto filmike të dala prej mendjes dhe kujtesës së tij. Ato e ndihmojnë lexuesin të ndalojë, të kthehet mbrapa dhe të hedh një vështrim plot ankth, duke arritur në përfundimin se çastet nuk kanë kohë. Buçpapaj flet në vetën e parë, duke sjellë gradualisht humbjen dhe trishtimin në këtë vepër. Në poezinë që mban edhe titullin e vëllimit poetik, poeti e bën të njohur vetveten si pjesë integrale e botës dhe rrethanave të tij:
Isha edhe unë
Nën lëkurë të çarë
Të rrobave të ndryshkura
Të diellit
Duke matur ngjyrat e Arave
( nga "Fitorja e Padukshme")
Dielli po perëndon dhe ekziston një shpërbërje kërcënuese në faktin se poezia është shkruar në kohën e shkuar:
"Jeta/ Nuk mjafton për njeriun të bëjë mirë." Poeti flet përtej kësaj kohe dhe tonet e tij derdhin një lloj melankolie që të lë pa frymë. Ndërkohë ti dëgjon jehonën vajtuese, ndërsa dielli fshihet më vonë, shumë më vonë.
Fillimisht i pari person duket se është disi larg ngjarjeve dhe i dëshpëruar nga ajo që ka dëshmuar. Por ai nuk ndodhet shumë larg, edhe pse rrëfimtari i drejtohet më parë vetvetes, kur nis të jetë i fshehtë dhe më i gjallë duke e shndërruar personalen në trajta universale.

O Zot
Siç duket nuk kam lënë Atdheun
Prapa derës së avionit
Por një fushë
Njerëzish
Të zhveshur nga vështrimi
(nga "Fantazia e ndotur")
Atëherë kur autori e sjell vetveten si më të dukshëm në poezitë e tij, të duket se dëgjohen klithmat e një kombi të tërë. Në poezinë "Letër nënës" e cila është një nga më të gjatat dhe më të fuqishmet.
Poeti jeton në sipërfaqen e poezisë së tij dhe në to ndihen disa nga pasazhet më drithëruese. Lotët e tij i shohim në këto vargje:
E dashur nënë,
kalova një dimër të zi
mbi varrin e mallkimit
ku vdekja të gjen
Në vetmi
Me rrugë të mbështjellë rreth kokës
Dhe qytetin
E prej fushës së rëndë
Lashë njërën këmbë
Dhe lotët e vajzës së vogël
Në pluhur
Fjalët e Buçpapaj mbartin një trishtim të hollë. Ai është krenar dhe joapolegjik në vajtimin e tij. Në poezinë: "Nata në Kosovë" flitet për zjarrin e urrejtjes që rrënoi shtëpi, zemra dhe një bukuri të tillë. Ai vajton mes lotësh e flakësh dhe përmes tyre kombi nis të ngrejë zërin e tij. Poezitë e Buçpapaj janë të shkurtra për nga forma, dhe zakonisht shkojnë jo më shumë se një faqe, dhe mbyllen në mënyrë të befasishme përmes një aforizmi të fuqishëm, por të nënkuptuar mjaft mirë, ndikimi i së cilës është mjaft mbresëlënës, ashtu si edhe pasojat që lë lufta nga pas. E gjitha kjo nuk ndodh aksidentalisht.
Kjo madje tërheq vëmendjen e lexuesit drejt një përfundimi të dhimbshëm në fund të çdo poezie. Vargjet e shkurtra funksionojnë mjaft mirë përmes kësaj teknike, e sidomos mjetet pasqyrojnë tek njëra-tjetra formën dhe ndikimin e tyre. Këto vargje krijojnë melodi tek lexuesi, të cilat japin ndjesinë e marrjes së frymës, sikur je i plagosur apo i lodhur. (si tek poezia "Letër nënës")
Vargjet e shkurtra në formë vertikale bashkohen me tonet poetike për të përshpejtuar leximin e poezisë dhe në këtë mënyrë krijojnë përfundime
të befasishme duke na tronditur, sikur të fluturoje nga toka në hapsirë, duke na lënë të kuptojmë se poeti i kishte të gjitha në mendjen e tij, për të na shkundur nga themelet e forta brenda nesh që të kuptojmë se sa shumë kanë vuajtur njerëzit për humbjet e mëdha.
Në mbylljen e poezive dhe brenda tyre gjithsecili sheh ngritjet mbi sipërfaqen e tokës dhe kundërshtinë e madhe të gravitetit e cila sjell ndryshimin në të kuptuarit e ‘domosdoshmërisë’ së këmbëve, po në të njëjtën mënyrë sikurse ata që kanë humbur të afërmit e tyre në luftë.
Ajo që më befason më shumë në këtë libër qëndron në atë që Buçpapaj sjell imazhe tronditëse dhe të qarta përmes metaforave. Për këtë arsye kam përzgjedhur tre shembuj nga libri:
Muzgu ra
mbi pemë
mbi çantat e nxënësve
Kërcitja e hirit të zjarrit
Vjen rreth e qark botës
(nga "Kosovë" 1999)
Këneta e Madhe
Ha prapë dhe, nën brinjë
Të të vdekurve
(nga "Fusha Tplani")
Lumi ngjyrë veriu
Ish portret i erës
Mbi pemë
( "Portreti i Erës")
Buçpapaj sjell gjithçka që urren dhe do për të pikturuar portretin e zemrës së tij të thyer. Faqet e librit shpalosen me perëndime, male, zogj, libra, dhe fusha me grurë, eksode të veshura nga errësira, baltosje, duar të ngrira të fëmijëve dhe një i vdekur poshtë një flake, rrugë të ngatërruara të një toke të shkatërruar.
I vdekuri na kujton se nuk ka vetëm stinë ripërtëritëse, por se disa nga të humburit nuk do të rikthehen më.
Poeti shkruan:
"Zhgënjime", "Vendi e ka braktisur/shtëpinë e tij" Poezitë janë drithëruese, ashtu si edhe zemra e poetit, e mbushur me fantazmat e të humburve dhe me heshtjen e mundimshme të një moti tronditës. Në drithërimat e zemrës së poetit, shohim të vdekurin:
Ata që tashmë qajnë në
Varre
Janë në fund të livadhit
Të rrahur prej ere.
Të frikësuar nga lopët.
(nga "Heshtja e kobshme")
Më merrni me vete
O trena të braktisur,
Të pajtojmë të vdekurit
Që qajnë nën shi.
(nga "Trenat e Jugut")
Përveç faktit që libri mbyllet me fitoren e rënimit, nuk ndjehet frika e shkatërrimit, por është fitorja e shkruar dhe pushteti i lirisë.
Këtu prehet ëndrra jonë e përmbysur
Prej lirisë së ndaluar
Për të hyrë
Në botë
[....]
Do të shkojmë në rrënojat, të ringremë
LIRINË
E letrave të shkruara
Nga fundi i baltës
(nga "Sheshi Demokracia")
Frika e mposhti botën, thotë poeti tek "Frika e zezë". Ndoshta atëherë "Fitorja e Padukshme do të mundi frikën dhe shpirti i lirë i njerëzimit do të shpallë të vërtetën e cila është ajo për të cilën flet autori.
Shpresat s’më kanë lënë
Po ti ndize një zjarr të drunjtë
Përmbi këtë botë të shkretë;
Lutu për mua shqip
Sepse jam gjallë dhe
S’dua të humbas.
(nga "Letër nënës")
Në poezitë e tjera si: "Statujë e erës" zbulojmë një tjetër ironi: atë të dhunës që ka mbytur poetin, ndërsa ai flet për të gjithë ata që kërkojnë lirinë e fjalës. Ende zërat e popullit mbijetuan brenda tij, ndërsa shumë të tjerë u vranë.
Fitorja është e dukshme në faktin se përveç vdekjeve, ata mbetën në heshtje, sepse ai që mundi të mbijetojë nuk pati më frikë. Ndaj shumë të tjerë pas meje do të këndojnë lavde për punën e madhe të bërë nga autori.
Fitorja e Padukshme
-
*Laura Bowers është poete amerikane e konsideruar nga kritika si e ardhmja e poezisë se këtij vendi.
është një fitore e bukur, pa kufij kohorë.

MINISTRI


 

Tregim nga DANIEL GÀZULLI
Si përshëndeti miqtë me lot në sy, Ministri doli nga dhoma ku kishte kalue pothuej njëzet vjet jetë, dhe me një strajcë të vjetër në dorë u ndal edhe një herë në korridor të burgut. Kishte pasë fat: polici që erdhi ta merrte në dorëzim e ta shoqnonte ishte Kurti, kështuqë nuk e nxitoj, e la t’i përshëndeste edhe një herë miqtë e tij, që ndoshta nuk do të dilnin kurrë nga ai vorr të gjallësh.
Nuk i besohej se nuk do të kthehej ma në atë dhomë. Kështu i kishte ndodhë edhe njëzet vjet ma parë kur shokët e tij i dënuen me vdekje, kurse atë, Ministër në periudhën e luftës, me vetëm njëzet vjet burg. Atëherë, më 1946, tek dilte i fundit nga salla e gjyqit, iu afrue një djalë i ri, i pashëm, i shëndetshëm, një shuplakë ma i naltë se ai, dhe i tha me za të lehtë:
- Nuk mund të baja ma shumë, zotni Ministër.
Ai shtangu. Kush ishte ai që e kishte shpëtue nga pushkatimi? Kush ishte ai që e quejti "Ministër"?!
Në darkë vonë, si kishte qa mirë e mirë për miqët që do të pushkatoheshin, u kujtue: ai djalë …
… Kishte shkue të vizitonte burgun. I kishin thanë se të burgosunit po trajtoheshin keq, për hiçgja. Dhe ashtu vërtetë, i pa me sytë e tij, gjithë plagë në fytyrë e në trup nga keqtrajtimi.
Në qoshe të birucës ishte ulë një djalë i ri, mbetë kockë e lëkurë, por buzëgaz, gati ironik, shikonte Ministrin shpërfillës.
- Çfarë ka ba ai, që e keni degdisë kështu? – iu drejtue oficerit që e shoqnonte.
- Asht nga këta të guerriljeve – i tha oficeri, sikur t’i thonte, ç’deshte të kishte ba ma shumë, zotni Ministër? Tepër mirë e kemi trajtue.
Ministri iu afrue edhe ma shumë djalit, deri sa oficeri iu lut të mos afrohej ma shumë.
- Ke vra njeri? – se si i erdhi ashtu pa pritë ta pyeste Minsitri djalin e degdisun në një grumbull kockash të mavijosun.
- Jo - i tha ai. Mbas pak shtoi: - Nuk kam pasë rast, po mund edhe të kisha vra.
Ministrit i ngeli në mend përgjegja e parë dhe e besoj.
Në darkë vonë erdhi përsëri ai oficeri që rrinte mbas shpinës së Ministrit, jo ai që foli, hapi derën e qelisë, dhe i tha djaloshit të dilte e të ikte tue kapërcye murin. Nuk do ta shikonte njeri, se atë çast nuk kishte roje. Por shpejt, shpejt, i tha.
Duen të më vrasin, mendoi djaloshi. E të thonë se u vra tek arratisej. Megjithate, ç’do të humbas? Le të provoj.
Nuk kishte shkembye asnjë fjalë ma shumë me oficerin e burgut dhe ja ku gjendej mbas pesë minutash në shtëpinë e një plake të panjohun. Ajo u trondit, po nuk bani za. Pritën deri të nesërmen natën dhe djalin erdhën dhe e morën shokët e tij.
Mbas rreth një muej, si e kishte marrë veten, u gjend papritë përballë oficerit të burgut që e kishte ndihmue të ikte. Ishte natë, pothuej errsinë, po ishte i sigurtë se nuk po e ngatrronte. Iu afrue me të shpejtë dhe i tha vetëm dy fjalë:
- Të lutëm, më thuej, kush të tha të më liroje?
- Ministri, - iu përgjegj i qetë oficeri – Ministri më tha të baja të pamundunen. E kemi mik shtëpie. Ashtu si ishe degdisë, "më ngjan me Jezusin në agoni", tha Ministri, dhe unë ia mbajta fjalën.
Tashti, ai "Jezusi në agoni", kushedi çfarë ishte, me siguri ndonjë funksionar shumë i naltë, mendoi Ministri me vete, i sigurtë që kishte qenë ai djalë që kishte ndikue të mos pushkatohej.
Mbas dhjetë vjetëve, kur erdhi fjala edhe në burg se diçka po ndodhte në Konferencën e Tranës, papritë, gjatë orës së ajrimit, Ministrit iu afrue një djalë tashma i pjekun, shtatnaltë, por i dobët, shumë i dobët, që i tha:
- Mirë se të gjeta, zotni Ministër.
Ai u drodh. Po, tha, ky asht ai që shpëtova nga burgu në dimën të vitit 1944. Ky asht ai funksionari i shëndetëshëm, i bukur, i fuqishëm, që i kishte thanë "Nuk mund të baja ma shumë, zotni Ministër". Por tashti ishte tejet i drobitun, ma keq se në dimnin e vitit 1944 kur e gjeta të masakruem në një birucë të Burgut të Tiranës.
Sa herë takoheshin, ai do t’i drejtohej gjithmonë "zotni Ministër". Kurrë nuk folën me njëni tjetrin as për ikjen e djaloshit nga burgu më 1944, as për dënimin me vetëm 20 vjet burg të Ministrit dy vjet ma vonë.
Djaloshi shoqnohej shpesh gjatë orës së ajrimit me Bedri Spahiun. Edhe në dhomë bashkë me gjeneralin ishin. Ai nuk kishte pasë rast ta dëgjonte, po thuhej se djaloshi, ndërsa e shoqnonte "gjeneralin" në orën e ajrimit, këndonte nën zë:
Kush e njeh Bedri Spahinë,
I pakët, por vetëtimë.
Kur këndonte djali, gjenerali bahej edh ma sterrë në fytyrë.
Bedri Spahiu kishte qenë Prokuror në gjyqin kur ishte dënue Ministri. Kurrë nuk kishin këmbye dy fjalë bashkë që kur e kishin sjellë në Burrel edhe gjeneral Bedriun, "i vogël si floriri", siç i kishin këndue dikur në kohë të luftës lebrit.
Po ja që kishte disa kohë që Bedri Spahiu e shikonte drejt në sy dhe më në fund një ditë, iu afrue dhe i tha:
- Mirëmëngjes, zoti Ministër.
- Mirëmëngjes …. Bedri, - iu përgjegj Ministri. Ia vonoi përgjegjen, sepse nuk desht t’i thonte "zotni prokuror".
Kaluen vitet dhe ja, erdhi dita dhe Ministri e mbaroi dënimin.
Polic Kurti po e shoqnonte buzëgaz, pa e nxitue. Edhe polic Kurti i kishte thanë tre a katër herë "zotni Ministër". Natyrisht, kur kishin ndodhë krejt vetëm. Nuk e mori vesht kurrë përse e thërriste edhe polic Kurti "zotni Ministër".
Lanë edhe korridorin dhe dolën në oborr. Ministri u ndal përsëri. As Kurti nuk e trazoi.
Bedri Spahiu po shëtiste krejt vetëm. Kushedi pse e kishin nxjerrë në oborr në atë orë gjeneralin, si e thërrisnin shumë prej të burgosunve, dhe po shëtiste i përhumbun.
Jo, nuk i ikej pa u përshëndetë me Bedriun. Nuk duhej … të largohej pa e përshëndetë.
- Mirëmëngjes, Bedri – iu drejtue ai tejet i përqëndruem në sytë e vegjël të ish prokurorit të tmerrshëm.
- Mirëmëngjes, zoti Ministër. Po liroheni?
- Po, Bedri, e mbarova dënimin.
Dy burrat u shikuen gjatë në sy.
- U bënë ca vite që jemi bashkë këtu, zoti Ministër, kështu? – foli Bedriu ndërsa fërkonte me nervozizëm duert e mavijosuna nga të ftohtit. – Dhe …. nuk të kam kërkuar ndonjëherë të falur.
Ministri i zgjati dorën për t’i dhanë lamtumiren:
- Nuk asht e nevojshme, Bedri. Uroj të shihemi shpejt përjashta.
Bedri Spahiu qeshi hidhun.
Një natë përpara, atë, "të voglin si floriri", e kishin dënue për herë të dytë edhe me dhjetë vjet burg të tjera, pse i kishte shkrue letër komandantit.
Në tirani, e çfarëdo lloji qoftë ajo, xhelatë e viktima, reciprokisht, kanë të njejtin fund.

Qenë vetëm fjalë…


Nga Dukagjin Hata

Në kohën e lisit tënd

Në lugun e Kroit të Butë
Ende shoh fytyrën tënde
Pasqyruar mbi ujë.

Me shpejtësinë e dritës
Iku koha dhe çasti ngriu
Në avullin e bardhë përtej driatres.

Qenë vetëm fjalë, ndjesi, përfytyrim
U bënë mungesë, pëlhurë e endur me nge
Në tezgjahun e të pathënave.
Qukapiku çukit zgavrat e thata
Në kohën e lisit tënd
Ulen shqiponjat.



Për shkak të tundjes së ajrit

Nga tundja e ajrit kindat e mbrëmjes
U varën në kryqe harrese, manjola lëkudëse,
Purpuri i imët i sitës harrakate të dëshirave
Veshur me purpurin e klithjeve të bufave, krela bionde,
Parfumosur me ankthin e pritjeve, dëshira të befta kozmike,
Kaktuse pendesash pa mëshirë, askund nën asnjë qiell,
Mbi asnjë dhe, askush kujtohet për krahun cung të Rembosë,
Për anijen e dehur po. Rendin pas saj në dehjen e valëve dhe peshqve
Frymërat e algave brohëritëse, shtjellat e verbëra të diellit,
Mana e tokës dhe qiellit, gaforret e ç artura të puthjeve,  
Mbështjellë me frymën e muzgjeve të verbër.

Anije e ç artur, detarë të ç artur, kohë e ç artur
Nga tundja e ajrit, të parat bien zonjushat me parzmore citatesh…
Pasatj rrogëtarët e ngeshëm të bujtinave ndanë rrugës,
Më vonë adhuruesit e Maos në orizoret pa frak,
Vijojnë më tej lypësit, politikanët, prestigjiatorët,
Rapsodët në odat e burrave në male,
Tek pinë raki thane të zier dy herë
Dhe kupat i hedhin në pusin e harrimit.

Në gishtat e gjatë të zonjave,
Në gishtat e lyer me këna pasthirrmash
Bien kërpudhat e tejpjekura të epshit…    





Tramaks nga bukuria

Muzgu me eks i përpiu ahishtet
Shqarthin e pendesave të myshkura n’ajri
E orët e malit tu vallzu n’lumni
I grishin ujëvarat
N’gosti të harbuara
E Lugjet e Verdha, tu derdhë mëny
Mbi ojna kungatash të harruara
Pinë kupën e mushtit të barit të ri…

Në lektisje. Një pasthirrmë. Thyhet agu përbri
Si dru i thatë bie nga orteku. 
Dizdar Osman Aga del në vërri
Orët e Mujit i këndojnë përbri
Rrokullisen kohët atij shtegu. 

Muzgu me eks i piu ahishtet
Shqarthin e pendesave të myshkura n’ajri…
Dizdar Osman Aga i tramaks nga bukuria
Pesë mijë dimra s’po shtin gjumë në sy.



Humbet në anën e sprapsme të hënës

Ana e sprapsme e hënës, kungatë e shelgut në ujë,
Lëmashku i verës premtuese, tre herë rikrijuar
Në tehun e një ëndrre ngujuar, fiksim i gjithkujt
N’ajri zogu i mishit të harbuar
Brohoret e shkalafitet pa bujë
Në lëkurën tënde rritet pema e vjetër
Në tokën e askujt.
Ti vjen nga një cep i kopshtit
Me krelat si fllade përmallimi,
Veshur me nejlon nënshtrimi
Shtjellë e ëmbël gufmon gjinjtë e pritjes
Teksa muzgun e mbështjell me hije erëmimi
Si kulpër kacaviresh në lisin e çastit
Fytyra jote e imët, kubike
Humbet në anën e sprapsme të hënës
Dhe plaku Balë i bie lirës dhe vjel tinguj
Frutat e tejpjekur të një stine,
Kujtesën e braktisur të Kopshtit të Botës.    



Të tjera ëndrra   

Palma lundruese, gjinj të gufmuar, perla,
Deti si qielli, krah të përkorë gjakimi,
Endur në tezgjahun e orëve të Mujit
Bora e prekjes në tokën e Lugjeve të Verdha.
Shkimun ndjesitë, shkapetë trupat, dehur peshqit,
Fryma e rërës vesh muret e heshtjes
Dhe tingujt, hajnisht, ikin përskaj ndezjes.
Gjithkund palma lëkundëse, çasti mbërrin në Jutbinë,
Nuk ka kohë, hapësira shtrihet përtej detit,
Në dete të tjerë, në valë të panjohura…
Palmat lëkundëse flejnë dhe shohin në ëndërr
Të tjera vise, të tjera ëndrra…




Kaq kohë

Ke pritur nën statujën e thyer të qortimit
Teksa stinët ndërroheshin e bari i tundimit
Rritej në livadhin e harbimeve të vjetra.
Sa ikte dimri me heje akujsh groteskë
Pranvera të ndizte në bëbëza një flakë të re
E ti prap rrotulloheshe rreth të njëjtit imazh
Duke më pritur nën hijen e flokëve të tu.

Ku vallë kisha humbur
Që dot s’e gjeja rrugën
Për tek ti?

Shiu bie në një tokë të etur
Ku rritet myshku i premtimit
Dhe fjala ç el trëndafila dashurie.
   
Kaq kohë klorofili në enën e kurmit tënd
I jeshiloi të vjelat e stinës dhe era
Mori ngjyrën  e mushtit, sytë e mëngjeseve
U ç elën nën palmat e qytetit të vjetër.

Ëndrra e kulluar poqi fruta të arta
Dhe paqëtoi sytë e tu në gjumë…
A thua trajta e shpellave pagane
U mbulua nën tënden gunë?



Fati i peshkaqenve

E hollë turma flirt në rreshta të gjatë e të ngjeshur
Camel digjet në buzë zonjash dendi
Trup më trup shuhet thëngjilli i ankthit
Nënqeshja me ura zjarri bie e ngrihet
Në thellësitë e ujërave shkruhet fati i peshkaqenve.
E hollë turma, lexon diçitura të holla
Pankarta të lyera me krem përmallimi
Trup më trup ndizet thëngjilli i limfës
Purot shuhen në buzë zonjash të hirshme
Në gojën e luleve
Fle fati i peshkaqenve.


Ti del nga gjumi i vdektarve

Muzgu i veshi kodrat me pulovrën e qeshjes tënde
Teksa del nga një cep i hënës
E hyn në pafajninë e gjumit të luleshqerrave
Vdektarët e luginës rrëfejnë të fshehtat e lëkurës tënde
Lëkurës tënde alabastër, çaste të mbetura pezull
Në frymëmarrjen e këmbanave të së dielës
Dehen tingujt e ngrirë kallkan në ajër, hieroglife
Poresh të shkalafitura në lojën pa të keq të epshit…
Mos më thuaj: Kam qenë në Luginën e Pendesës Bojëalle
Ç astet tona ishin ndjesi, hutim, ekstazë
Tani janë heshtje, përdëllim
Bien rroket e dëshirës nga buzët e tua
Si mana të tejpjekur
Onamatopetë e qejfit pa fillim, pa mbarim
Ti del nga gjumi I vdektarëve të luginës
E hyn në Amshim.



Pas anijes

Frymon me barin e ri, thekët, pistili
Klorifili në sëndukun e herbareve të harruara
Mushkëritë e festës të shtunave, nën neonë
Vjellin tym të zi ndukjeje, kafshimi…
Poker. Duart-lojë dalldi, lëng molle
Njollë në kurmin e ndrojtur të diellit…
Topi në rrjetë-kosh pendesa, shiringa
Bar magjik në sytë neurotikë të albatrosit
Teksa ndjek anijen e ankimeve të tua…



Pa shkak

Për shkak të mjekrës së kuqërremtë të hënës së re
Dhe mjekrave të tjera tebdil në gardërobën e vesit,
Unë nuk mbaj mjekër, nuk iu falem mjekrave…
Pikiatë shkon mendimi, duke fishkëllyer
Melodinë e gishtave memecë, fotosinteza
Lëvozhgat e kujtimeve i shndërron në ujëvarë.
Më nuk kam çfarë të lexoj në lëvorën e drurëve,
Rrathët e lisit nuk janë kujtesë, as ëndërr,
Kalorësi me Kryqin Ujor nga Fusha e Sinjës
Niset për Albulenë,
Me hënëzën e nuseve të Gjergjit
Në duar… 
 


Fati i peshkaqenve

E hollë turma flirt në rreshta të gjatë e të ngjeshur
Camel digjet në buzë zonjash dendi
Trup më trup shuhet thëngjilli i ankthit
Nënqeshja me ura zjarri bie e ngrihet
Në thellësitë e ujërave shkruhet fati i peshkaqenve.
E hollë turma, lexon diçitura të holla
Pankarta të lyera me krem përmallimi
Trup më trup ndizet thëngjilli i limfës
Purot shuhen në buzë zonjash të hirshme
Në gojën e luleve
Fle fati i peshkaqenve.




Ti del nga gjumi i vdektarve

Muzgu i veshi kodrat me pulovrën e qeshjes tënde
Teksa del nga një cep i hënës
E hyn në pafajninë e gjumit të mumjeve
Vdektarët e luginës rrëfejnë të fshehtat e lëkurës tënde
Lëkurës tënde alabastër, çaste të mbetura pezull
Në frymëmarrjen e luleshqerrave të harruara
Dehen tingujt e ngrirë kallkan në ajër, hieroglife
Poresh të shkalafitura në lojën pa të keq të epshit…
Bien rrokjet e dëshirës nga buzët e tua
Si mana të tejpjekur
Onamatopetë e qejfit pa fillim, pa mbarim
Ti del nga gjumi i vdektarëve të luginës
E hyn në Amshim.

Rreth librit "TROPOJA, MALËSIA E MIRË" të autorit Ramiz Lushaj

Nga DUKAGJIN HATA, studiues, publicist

 
Autori Ramiz Lushaj, publicist dhe studiues i njohur, njihet nga lexuesi dhe qarqet mediatiko-kritike në Shqipëri për artikujt dhe librat e shkruar prej tij që rrokin një tematikë të gjërë, veçanërishjt për aspekte të çështjes kombëtare, politologjisë dhe udhëtimeve gjeo-historike dhe etno-psikike, ku fokusohen figura, kohë dhe treva etnike të botës shqiptare. Pasioni i tij i shkrimeve përcillet nga autori me një aparat të plotë referencial, ballafaques e krahasimtar, ku spikat jo vetëm kultura e përzgjedhjes dhe seleksionimit të materialit, servirja dhe pajisja e tij me një aparat të saktë komentues, por, mbi të gjitha, ndershmëria e tij intelektuale, për të dëshmuar mbi të vërtetat e lëna në hije ose të keqkuptuara nga kohë keqkuptimesh dhe deformimesh.
Ramiz Lushaj, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikologjisë së trevave të Veriut shqiptar, veçanërisht të Tropojës, prej dhe nga vjen në letrat shqipe, jo një herë në shkrimet dhe librat e tij, i është drejtuar vetëdijes kolektive të trevave historike shqiptare, që e shkruan historinë e fiseve krenare e të panënshtruar ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare. Lushaj e ka shndërruar temën e fatit të Kosovës në një metaforë universale të kërkimit të identitetit të bjerrun, ku fati individual dhe kolektiv ndërthuren në metafizikën e kohë-hapësirës së lirisë.
Libri më i ri i Ramiz Lushajt "Tropoja, Malësia e Mirë", vëllimi i parë, i cili do të pasohet nga dymbëdhjetë vëllime të tjera, është një histori e grimcuar në dhjetëra minihistori, gjurmë, figura, përvoja, identitete, relike, vlera, të seleksionuara nga prurjet shkrimore të shumta për një nga trevat më mbresëlënëse historike të kombit shqiptar, Tropojën, që përfshihet në emërtime gjeo-administrative: Dardania Alpine, Pulti, Altuni dhe Malësia e Gjakovës.
Këtu, në këtë vëllim, i cili sipas autorit pritet të pasohet nga shumë vëllime të tjerë, përzihet në një qielli dhe toka, miti dhe realiteti, Eposi i Kreshnikëve i kthyer në histori dhe eposi i ri që lind nga gjokset qëndrestare të burrave viganë të kësaj treve, që mbajnë, si të thuash, mbi supe kohën e vështirë të botës shqiptare.
Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë e plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, portretizimi e analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, intervista dhe refleksioni, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i gazetarit përzihet me tharmin e studiuesit skrupuloz, Ramiz Lushaj, nëpërmjet gjurmëve shkrimore të kolegëve të tij, na sjell në këtë libër një ansambël zërash e qëndrimesh, për visaret e historisë, traditës, ritit dhe mbijetesës së Tropojës.
Malësia e Mirë është malësia e burrave dhe grave fisnike, e pikturës së mrekullueshme alpine që përzihet me sharmin e një etnosi nga më të vjetrit në botë dhe të cilat Lushaj i sjell të gjalla tek lexuesi jo vetëm tropojan, por tek të gjithë ata që duan ta njohin këtë trevë sa epike aq dhe lirike e sharmante.
Në këtë libër lëviz imazhi i maleve të Altunit, vizioni kontemporant e largpamës i të resë së talentuar, një nga femrat emblematike të kohës shqiptare, të mbushur me dije e dashuri për njerëzit, Argita Berisha (Malltezi); etydi poetik i një visi përrallor për nga bukuria, aty ku bashkohet Drini me Valbonën; hija gjigande e Azem Hajdarit që tash trembëdhjetë vjet na mungon,Hero i Demokracisë, Lider i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90,"Pishtar i Demokracisë", "Nderi i Kombit"; Trim –Tribuni i Lirisë Bajram Curri, Hero i Popullit; trembëdhjetë kurorat e ekipit të basketbollit për meshkuj me emrin "Valbona"; Dardania Alpine dhe disa emra vendesh në Ballkan; Dinastia famëmadhe Mbretnore Zogu, origjina e hershme e së cilës është nga Zogajt, komuna e sotme Bytyç, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) etj.
Eposi i Kreshnikëve, që është përkundur në djepin mëmësor të Malësisë së Mirë, në Tropojë, e cila ka ushqyer me qumësht frymëzimi njëren nga kulturat më brilante ballkanike e europiane të shpirtit të pasur njerëzor, zë vend të veçantë në këtë libër, siç zë vend figura e njërit nga burrat më karizmatikë të shtetit shqiptar në të gjitha kohërat, Prof. Dr. Sali Berisha, siç zë vendi poeti me përmasa europiane Skënder Buçpapa, i cili e mbart atdheun kudo që shkon, si një ikonë faljeje e lutjeje, për ditët e rilindjes së mbarë botës shqiptare.
Në këtë vazhdë, libri "Tropoja, Malësia e Mirë" e autorit Ramiz Lushaj është një përmbledhje dokumentesh historike, shkrimesh publicistikë, artikujsh, eseshë, intervistash, kujtimesh, mbresash, portretesh, rrëfimesh, skicash, në fokus të së cilës është zbulimi i botës tropojane, qoftë me anë të gjurmëve në kohë, qoftë me anë të peizazheve mrekullore, kujtesave ikonografike, figurave të ardhur nga kohë të tjera dhe atyre aktuale.
Në këtë libër lëvizin personazhe historikë dhe vipa, njerëz të thjeshtë dhe indidvidë që i kanë dhënë portretin e tyre epokës, por dhe ai vizion që mbruhet në kudhrën e nacionalizmit real (jo të nacionalizmit folklorik) dhe gjeneron ide për të ardhmen e banorëve të kësaj treve unikale, atyre që vazhdojnë të jetojnë në Malësinë e Mirë dhe atyre që kanë ikur rrugëve të pafund të fatit, në Tiranë e në zonat urbane të vendit tonë, në Perëndim e Diasporë, duke e mbartur vendlindjen e tyre, Tropojën e bukur, si një peng dashurie e malli të pashuar.
Lushaj thotë se Tropoja ka lindur me emnin e bekuem Malësia e Mirë, përndryshe ka lindur për këtë emën të lumnuem, në të cilin vjen me dinjitet prej kohnave e shkon me progres drejt kohnave, si një vend i mirë e me të mira, që ka ba e i ka lanë vend e rend, za e zenith vetes, në hapësinat e tokës shqiptare, në këtë skaj të botës. "Si rrallëherë në këtë planet të pafund e në këtë jetë të pandalun, toka u muer vesh me qiellin për të krijue në Mesin e Dheut (Mesdhe) një vend të vogël e me vlera të mëdha, Tropojën e Artë, një nga më të Bukurat e Dheut të kësaj bote të lashtë e të re", shkruan Lushaj me një stil poetik në hyrjen e këtij libri që lexohet me një frymë, jo vetëm për informacionin e pasur dhe mbresëlënës, por mbi të gjitha për dashurinë që injekton, në këto kohë të vështira, për të mos thënë të pamundura, për dashurinë dhe besimin, në se do të perifrazonim një poet.
Libri "Tropoja Malësia e Mirë" i autorit tropojan Ramiz Lushaj është një guidë e gjërë në hapësirat gjeografike por dhe të shpirtit kolektiv të njërës nga trevat më të pasura me visare bukurie, qoftë në sipërfaqe, qoftë në brendësi, të botës shqiptare. Në të gjen vetveten udhëtari i huaj që lyp t’i shijojë këto perla rrëzëllitëse të natyrës virgjine, vendasi që kërkon vetveten dhe gjenin e tij ndër kohëra, poeti me harpë në dorë e këngë në buzë, historiani që kërkon të ballafaqaojë të dhënat dhe burimet e historisë që kërkon të rrëfejë për këtë trevë sharmante, në skaj të botës shqiptare.
Libra të tillë lexohen me një frymë dhe na lypsen në bibliotekat tona, për t’iu rikthyer herë pas here, si një riti të bekuar, që na kujton se pse gjallojmë në këtë botë, për hir të një ekzistence tjetër, që lidhet me kohë-hapësirën brenda shpirtit njerëzor, të cilën Tropoja e ka mbartur prej mijëravjeçarësh gjer në kohën tonë, për ta çuar drejt mijëvjeçarëve të rinj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...