"Fitorja e padukshme" e Mujë Buçpapajt një libër i nivelit botëror
Studim nga LAURA BOWERS*
Poezitë e librit "Fitorja e Padukshme" përbëhen nga copëzat e zemrës së poetit me thellësi mendimi dhe drite, të cilat vijnë të gjalla dhe të shpërndara mes dy popujve. Shpirti human është ai që i bashkon të gjitha poezitë e tij me mallin për atdheun e dikurshëm dhe popullin e humbur si dhe trishtimin e madh se ai ka mbetur vetëm një kujtim. Brishtësia pasqyrohet në zemrat e vëllezërve dhe motrave të poetit, të miqve, familjeve, armiqve dhe gjithë njerëzores që jeton brenda gjithësecilit prej nesh. Të gjithë janë bashkëvuajtës, të lidhur me dhembjen e tyre, prandaj dhembja dhe brishtësia janë pjesë e asaj që unifikohen si një e tërë në librin me poezi "Fitorja e Padukshme". Libri hapet me vuajtjet dhe përfundon me fitoren. Poezia e fundit profetizon dhe bën të njohur historinë. Në përmbledhjen poetike emocioni më i veçantë vjen nga trishtimi i poetit e mbi të gjitha nga trishtimi i kombeve. Megjithëse emocioni më i brendshëm është edhe përcaktimi i mprehtë i poetit në mbrojtjen e lirisë së fjalës për të mirën e kombeve.
Gjatë kohës që poeti shkruan këto poezi, ai jeton me pasion, dhe "Fitorja e Padukshme" kthehet në mposhtjen e çdo frike e cila mund të pengojë shpalljen e së vërtetës. Dëshmia e dashurisë së tij për vendlindjen dhe dhuntia e imagjinatës së gjallë, brilante dhe metaforike krijon mundësinë që Buçpapaj të unifikojë konceptet e shtëpisë dhe kujtimeve për të, e cila
është prekëse për secilin prej nesh. Sipas traditës, në poezi ndjehet malli për të kaluarën e humbur e cila mbetet e gjallë në kujtesën e tij, por është ndarë nga një vel i hollë dhe i palëvizshëm i kohës.
Buçpapaj e sjell substancën e kohës sipas një mjedisi poetik, megjithë shpresën se ai do të gjejë hapsira nga të cilat do të shpëtojë atë që ka humbur. Libri "Fitorja e Padukshme" nis në mënyrë ironike me imazhin e perëndimit të diellit, fillimi i fundit dhe mbyllet me poezinë "Ky është veç fillimi", i cili nis me imazhin e djalit të djallit që mbretëron mbi një fron të zjarrtë dhe përfundon me trishtimin dhe fitoren e kobshme.
"E korra afroi dhe vdekja pret".
Në strofën e fundit lexojmë: "Lamtumirë/o popull i fundit/ në fillim".
Në këtë vëllim poetik të duket sikur flitet se e gjithë përjetesa e ferrit është pasqyruar si paraardhëse e asaj që do të vijë. Por që të dyja si në poezinë "Fitorja e Padukshme" ashtu edhe në atë "Ky është fillimi" janë shkruar në kohën e shkuar. Përmbledhja ndryshoi nga poezi të shkurtra imagjinative në poezi si foto filmike të dala prej mendjes dhe kujtesës së tij. Ato e ndihmojnë lexuesin të ndalojë, të kthehet mbrapa dhe të hedh një vështrim plot ankth, duke arritur në përfundimin se çastet nuk kanë kohë. Buçpapaj flet në vetën e parë, duke sjellë gradualisht humbjen dhe trishtimin në këtë vepër. Në poezinë që mban edhe titullin e vëllimit poetik, poeti e bën të njohur vetveten si pjesë integrale e botës dhe rrethanave të tij:
Isha edhe unë
Nën lëkurë të çarë
Të rrobave të ndryshkura
Të diellit
Duke matur ngjyrat e Arave ( nga "Fitorja e Padukshme")
Dielli po perëndon dhe ekziston një shpërbërje kërcënuese në faktin se poezia është shkruar në kohën e shkuar:
"Jeta/ Nuk mjafton për njeriun të bëjë mirë." Poeti flet përtej kësaj kohe dhe tonet e tij derdhin një lloj melankolie që të lë pa frymë. Ndërkohë ti dëgjon jehonën vajtuese, ndërsa dielli fshihet më vonë, shumë më vonë.
Fillimisht i pari person duket se është disi larg ngjarjeve dhe i dëshpëruar nga ajo që ka dëshmuar. Por ai nuk ndodhet shumë larg, edhe pse rrëfimtari i drejtohet më parë vetvetes, kur nis të jetë i fshehtë dhe më i gjallë duke e shndërruar personalen në trajta universale.
O Zot
Siç duket nuk kam lënë Atdheun
Prapa derës së avionit
Por një fushë
Njerëzish
Të zhveshur nga vështrimi (nga "Fantazia e ndotur")
Atëherë kur autori e sjell vetveten si më të dukshëm në poezitë e tij, të duket se dëgjohen klithmat e një kombi të tërë. Në poezinë "Letër nënës" e cila është një nga më të gjatat dhe më të fuqishmet.
Poeti jeton në sipërfaqen e poezisë së tij dhe në to ndihen disa nga pasazhet më drithëruese. Lotët e tij i shohim në këto vargje:
E dashur nënë,
kalova një dimër të zi
mbi varrin e mallkimit
ku vdekja të gjen
Në vetmi
Me rrugë të mbështjellë rreth kokës
Dhe qytetin
E prej fushës së rëndë
Lashë njërën këmbë
Dhe lotët e vajzës së vogël
Në pluhur Fjalët e Buçpapaj mbartin një trishtim të hollë. Ai është krenar dhe joapolegjik në vajtimin e tij. Në poezinë: "Nata në Kosovë" flitet për zjarrin e urrejtjes që rrënoi shtëpi, zemra dhe një bukuri të tillë. Ai vajton mes lotësh e flakësh dhe përmes tyre kombi nis të ngrejë zërin e tij. Poezitë e Buçpapaj janë të shkurtra për nga forma, dhe zakonisht shkojnë jo më shumë se një faqe, dhe mbyllen në mënyrë të befasishme përmes një aforizmi të fuqishëm, por të nënkuptuar mjaft mirë, ndikimi i së cilës është mjaft mbresëlënës, ashtu si edhe pasojat që lë lufta nga pas. E gjitha kjo nuk ndodh aksidentalisht.
Kjo madje tërheq vëmendjen e lexuesit drejt një përfundimi të dhimbshëm në fund të çdo poezie. Vargjet e shkurtra funksionojnë mjaft mirë përmes kësaj teknike, e sidomos mjetet pasqyrojnë tek njëra-tjetra formën dhe ndikimin e tyre. Këto vargje krijojnë melodi tek lexuesi, të cilat japin ndjesinë e marrjes së frymës, sikur je i plagosur apo i lodhur. (si tek poezia "Letër nënës")
Vargjet e shkurtra në formë vertikale bashkohen me tonet poetike për të përshpejtuar leximin e poezisë dhe në këtë mënyrë krijojnë përfundime
të befasishme duke na tronditur, sikur të fluturoje nga toka në hapsirë, duke na lënë të kuptojmë se poeti i kishte të gjitha në mendjen e tij, për të na shkundur nga themelet e forta brenda nesh që të kuptojmë se sa shumë kanë vuajtur njerëzit për humbjet e mëdha.
Në mbylljen e poezive dhe brenda tyre gjithsecili sheh ngritjet mbi sipërfaqen e tokës dhe kundërshtinë e madhe të gravitetit e cila sjell ndryshimin në të kuptuarit e ‘domosdoshmërisë’ së këmbëve, po në të njëjtën mënyrë sikurse ata që kanë humbur të afërmit e tyre në luftë.
Ajo që më befason më shumë në këtë libër qëndron në atë që Buçpapaj sjell imazhe tronditëse dhe të qarta përmes metaforave. Për këtë arsye kam përzgjedhur tre shembuj nga libri:
Muzgu ra
mbi pemë
mbi çantat e nxënësve
Kërcitja e hirit të zjarrit
Vjen rreth e qark botës
(nga "Kosovë" 1999)
Këneta e Madhe
Ha prapë dhe, nën brinjë
Të të vdekurve
(nga "Fusha Tplani")
Lumi ngjyrë veriu
Ish portret i erës
Mbi pemë ( "Portreti i Erës")
Buçpapaj sjell gjithçka që urren dhe do për të pikturuar portretin e zemrës së tij të thyer. Faqet e librit shpalosen me perëndime, male, zogj, libra, dhe fusha me grurë, eksode të veshura nga errësira, baltosje, duar të ngrira të fëmijëve dhe një i vdekur poshtë një flake, rrugë të ngatërruara të një toke të shkatërruar.
I vdekuri na kujton se nuk ka vetëm stinë ripërtëritëse, por se disa nga të humburit nuk do të rikthehen më.
Poeti shkruan:
"Zhgënjime", "Vendi e ka braktisur/shtëpinë e tij" Poezitë janë drithëruese, ashtu si edhe zemra e poetit, e mbushur me fantazmat e të humburve dhe me heshtjen e mundimshme të një moti tronditës. Në drithërimat e zemrës së poetit, shohim të vdekurin:
Ata që tashmë qajnë në
Varre
Janë në fund të livadhit
Të rrahur prej ere.
Të frikësuar nga lopët.
(nga "Heshtja e kobshme")
Më merrni me vete
O trena të braktisur,
Të pajtojmë të vdekurit
Që qajnë nën shi. (nga "Trenat e Jugut")
Përveç faktit që libri mbyllet me fitoren e rënimit, nuk ndjehet frika e shkatërrimit, por është fitorja e shkruar dhe pushteti i lirisë.
Këtu prehet ëndrra jonë e përmbysur
Prej lirisë së ndaluar
Për të hyrë
Në botë [....]
Do të shkojmë në rrënojat, të ringremë
LIRINË
E letrave të shkruara
Nga fundi i baltës (nga "Sheshi Demokracia")
Frika e mposhti botën, thotë poeti tek "Frika e zezë". Ndoshta atëherë "Fitorja e Padukshme do të mundi frikën dhe shpirti i lirë i njerëzimit do të shpallë të vërtetën e cila është ajo për të cilën flet autori.
Shpresat s’më kanë lënë
Po ti ndize një zjarr të drunjtë
Përmbi këtë botë të shkretë;
Lutu për mua shqip
Sepse jam gjallë dhe
S’dua të humbas. (nga "Letër nënës")
Në poezitë e tjera si: "Statujë e erës" zbulojmë një tjetër ironi: atë të dhunës që ka mbytur poetin, ndërsa ai flet për të gjithë ata që kërkojnë lirinë e fjalës. Ende zërat e popullit mbijetuan brenda tij, ndërsa shumë të tjerë u vranë.
Fitorja është e dukshme në faktin se përveç vdekjeve, ata mbetën në heshtje, sepse ai që mundi të mbijetojë nuk pati më frikë. Ndaj shumë të tjerë pas meje do të këndojnë lavde për punën e madhe të bërë nga autori.
Fitorja e Padukshme
-
*Laura Bowers është poete amerikane e konsideruar nga kritika si e ardhmja e poezisë se këtij vendi. është një fitore e bukur, pa kufij kohorë.