“Libra dhe mbresa” , një veshtrim kritik i letërsisë shqipe nga Shefqet Dibrani
Protonizmi si epiqëndër letrare
“Universi analitik letrar i Shefqet Dibranit në këtë libër, për fatin e tij të mirë dhe të letërsisë për të cilën ai shkruan, nuk është i kontaminuar me parazitët falsë-teorik që i kanë krijuar kolonitë e veta mu në zemër të kritikës se sotme letrare në Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Ai shkruan i ndërgjegjshëm për ndryshimin midis vlerave relative dhe absolute të librave që i bien në duar, por gjithmonë gjen diçka pozitive për të thënë.”
Nga Gjekë Marinaj
Libri "Libra dhe Mbresa" shpalos një dimension që nuk e kemi parë më parë në potencialin krijues të Shefqet Dibranit. Nisur nga përshkrimi që ai i bën së bukurës në këtë libër, nga logjika që ai aplikon gjatë vlerësimit të mendjeve të holla, apo nga perceptimi analitik që ai u bën veprave letrare të kolegëve të tij, mund të themi me plot gojën se Shefqet Dibrani të bind se është një kritik i denjë letrar.
Kjo është e mundur ngaqë Dibrani ka avancuar me kohën, është formuar si njeri, sofistikuar si poet, kalitur si gazetar, dhe se ka guxuar të hyj më me gjoks se të tjerët në tunelin e mjegullt të kritikës letrare shqipe. Pjekura e gjithanshme që ai ka fituar këtë dekadën e fundit është evidente kudo në faqe të librit "Libra dhe Mbresa." Ndërkohë që edhe kritikët më me përvojë pohojnë se natyra e vështirë e punës se tyre ndikon ndjeshëm në numrin e projekteve që ata marrin për sipër, Shefqet Dibrani shfaqet nga askund dhe me shkathtësinë dhe elegancën që tregon gjatë punës me librat, e bën rolin e kritikut letrar të duket një gjë e lehtë për t’u realizuar. Dibrani e bën këtë pa u merakosur se kush është autori i librit që ka nëpër duar, le të jetë Ismail Kadare apo një emër që nuk e kemi dëgjuar kurrë më parë. Sekreti është se ai përqendrohet në veprat e autorëve dhe jo në emrat e tyre.
Universi analitik letrar i Shefqet Dibranit në këtë libër, për fatin e tij të mirë dhe të letërsisë për të cilën ai shkruan, nuk është i kontaminuar me parazitët falsë-teorik që i kanë krijuar kolonitë e veta mu në zemër të kritikës se sotme letrare në Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Ai shkruan i ndërgjegjshëm për ndryshimin midis vlerave relative dhe absolute të librave që i bien në duar, por gjithmonë gjen diçka pozitive për të thënë. Nëse ndonjë libri i mungojnë tërësisht vlerat letrare, ai falënderon autorin për dhuratën dhe e le atë mënjanë, pa kërkuar ndihmë tek filozofia që diskriminon dualizmin nga pluralizmi.
Me fjalë të tjera, ai nuk zihet ngushtë apo detyrohet të huazoi, kot së koti, fjalë apo fjali nga fjalorët teorik të letërsisë, dhe pa asnjë lidhje as logjike as letrare të filloi të komentoi me falsitet mbi librat. Dibrani nuk e bën këtë sepse ai nuk ka as deficite kulturore në vetvete, as komplekse për t’u paraqitur sa më i pakuptueshëm me shpresën se një "idiot" do e quajnë atë "kritik të zotin". Kësisoj, midis pasurive profesionale të këtij libri, pastërtia e gjuhës dhe sinqeriteti i mendimeve të autorit përbëjnë dy nga pikat më të forta të librit "Libra dhe Mbresa."
Eliminimi i faktorit fals gjatë punës sugjeron se kur Dibrani lexon një libër dhe vendos të shkruaj rreth tij, më parë se të filloi të shkruaj në fletën e bardhë ai e ka krijuar atë lidhjen e brendshme me veprën në fjalë, e ka ndjerë nevojën për të thënë diçka rreth tij, dhe është gati për t’u bërë ndërmjetës midis librit dhe lexuesit. Ndër këto kushte, kritika letrare e prodhuar nga Dibrani duket se është pjesë e qëllimit të tij për të justifikuar e mbështetur plotësisht autoritetin e tij profesional.
Një punë kaq e vyer dhe kaq voluminoze nuk do të arrihej kurrë me pretendime apo shpresa të rreme. Idetë dhe materialet që ai ka kompozuar në këtë libër janë djersë e një pune këmbëngulëse më se 15-vjeçare. Ato janë pjesë e dashurisë së tij për letërsinë, shkrimtarët dhe lexuesit shqiptar. Ato janë pjesë e karakterit të tij—kur dikush ja dhuron një libër Shefqet Dibranit, ai nuk e vë në raft pa e lexuar fare, por e studion atë, e vlerëson atë, shkruan për të. Asnjë autor shqiptar (që di unë) nuk ka punuar më me shpirt se Shefqet Dibrani për ta ngritur veten në nivelin profesional që ka dhe për të fituar respektin që gëzon sot midis kolegëve dhe lexueseve të tij. Me ketë libër ai vërteton se letërsia është zanat dhe zanati mësohet po t’i dedikosh shpirtin, kohën dhe vëmendjen e duhur.
Nëse përpiqemi të shpjegojmë se ku i ka pikat nxitëse literatura e prodhuar nga cilido poet a shkrimtar që është përfshirë në veprën "Libra dhe Mbresa," e pastaj të tentojmë të arsyetojmë rreth atij fenomeni të çuditshëm që në të njëjtën kohë e ka nxitur Dibranin të shkruaj rreth tyre, mendoj se rezultatet do të ishin diçka më tepër se një opinion i edukuar. Gjithsesi, pavarësisht nga thellësia e kulturës prej të cilës do të gjenerohej përgjigjja, ajo nuk do të pranohej kurrë nga të gjithë si një përgjigje plotësisht e saktë. Kjo jo për natyrën abstrakte të temës në fjalë, por më tepër për natyrën e argumenteve që do të shpërthenin, sidomos nga dy grupet ekstreme të gjykuesve. Disa do e miratonin atë vetëm nëse mendimi do të anonte nga ideja se çdo lloj letërsie është e shtyrë tek krijuesi i saj tërësisht nga faktorë krejtësisht të jashtëm, kurse pjesa tjetër e spektrit do të këmbëngulte se çdo gjë që shkruan kritika letrare është e kontrolluar jo nga krijuesi, por nga kritiku që e analizon punën e tij.
U futa në këtë temë jo për të ikur nga analizimi i librit të Dibranit, sepse çdo fjalë e këtij ka për mision nxjerrjen në pah të vlerave të punës se Dibranit, por për të justifikuar, apo marrë në mbrojtje rolin e Dibranit si kritik letrar. Këtë ndërhyrje e ndjej të nevojshme nisur nga fama e keqe që fjala "kritik letrar" ka fituar këto pesëdhjetë vitet e fundit të letërsisë shqipe. Ndonëse kritika letrare e realizmit socialist ka kohë që e ka "thyer qafën" për shqiptarët akoma ekziston një inat i brendshëm ndaj kritikëve. Shpresoj të jemi gabim, por nga bisedat që mbaj me miqtë e mi krijues, akoma për një shkrimtar apo poet, një kritik letrar konsiderohet si dikush që zgjatë kokën nga një qoshe e fshehtë duke përdorur hamendjen se ç’shije kanë ushqimet e shtruara mbi tavolinë. Për një kritik letrar, nga ana tjetër, shkrimtarët dhe poetët janë shpesh si topa plasteline që presin të marrin formën e duhur nga duart e kritikëve, teoricienëve apo akademikëve. Por edhe në këtë pikë, e siguroj lexuesin dhe kolegët se Shefqet Dibrani nuk paraqitet as i akademik, as si teoricien, as si kritik letrar i tipit të realizmit socialist.
Përkundrazi, ai paraqitet thellësisht njeri, intelektual dhe njohës e dashamirës i fjalës se shkruar letrare. Lexon librin dhe menjëherë e kupton se ai gjendet diku midis ekstremeve të mësipërme, i pa mënjanuar as andej as këtej. Në këtë vepër letrare, të cilën me zgjuarsi e ka emërtuar me nëntitullin "Venerime Letrare" (që mesa kuptoj unë është një shprehje lokale që nga kosovarët kuptohet si një vëzhgim i preokupuar në fushën e letërsisë) Dibrani të lë përshtypjen e një kritiku që beson plotësisht në synimet autoriale. Në të njëjtën kohë ai nuk e hedh poshtë as probabilitetin se edhe për atë ekziston mundësia e influencës profesionale nga kultura, edukimi, përvoja e nganjëherë edhe nga paragjykimet e mjedisit ku punon dhe jeton. Por ai nuk ka huazuar asgjë nga kultura letrare e ish komunizmit.
Ky pozicion autorial, pra kjo fizionomi individuale e perceptimit të modelit të ndjekjes së letërsisë me një sy të ri kritik, nuk është i vështir të nuhatet gjatë leximit të 670 faqeve të librit. Në çdo paragraf, në mos asgjë tjetër, duket se tabani filozofik i librit mbështetet mbi idenë se këto recensione letrare janë kompozime shpirtërore aq sa ç’janë edhe prodhime mendore. Ato janë fryt i futjes dhe i meditimit të gjatë në zemër të çdo libri që Dibrani trajton.
Ndonëse synimi depërtues i autorit në këto faqe është i maskuar nga tentativa për t’u shmangur nga sferat e mekanizmave teorik, ai nuk e fsheh dot dëshirën që libri i tij të mbetet një dritare e varur midis krijueseve dhe lexueseve. Për këtë ai është treguar i kujdesshëm gjatë punës së tij. Në këtë libër, Dibrani tregon se është i informuar mirë rreth analizimit me përkushtim bibliografik të veprave letrare. Pra ai në një farë mënyre e njeh si të arsyeshme dhe me potencial historik idenë e atyre kritikëve letrar që besojnë se shkrimtarët janë shembuj të njerëzve superior, dhe si të këtillë, duke e shpalosur dhe shpjeguar para lexuesit jetën e tyre, përveç se do e bënin më të kuptueshëm atë, nëpërmes këtij kuptimi do të dilte në pah edhe fuqia e tyre individuale prej gjeniu. Megjithëse kritika bibliografike na jep një informacion të vlershëm në lidhje me jetën, veprën dhe rrethanat ndër të cilat projekti është hedhur mbi fletën e bardhë, Dibrani është mjaftuar duke përfituar nga kjo metodë kritike vetëm me dhënien e idesë se e njeh, mund të përdorë me efektivitet atë dhe se i respekton mendimet e paraardhësve të tij që i kushtuan një jetë të tërë kësaj metode analitike. Pavarësisht nga kujdesi për një evitim esencial të kushteve që vë kritika bibliografike, Dibrani nuk ka hezituar t’i aplikoi aftësitë e tij në këtë drejtim, sidomos atu ku e ka parë si të domosdoshme. Shënimet me titull "Tkurrja e Atdheut" , "Është koha të duhemi" dhe "Kuajt," janë vetëm një pjesë e koleksionit ku pozicioni bibliografik përbën epiqendrën e punës së Dibranit në këtë libër.
Kjo nuk do të thotë aspak se jeta e autorëve për të cilët shkruan Dibrani ka mbetur e distancuar nga veprat e tyre. Ndryshimi ka të bëjnë me llojin e kritikës letrare. Përkujdesja profesionale e këtij aspekti vihet re në fund të shënimit për çdo libër të trajtuar. Aty gjenden hollësi rreth vendlindjes, shkollimit, veprave letrare, pa lënë pas dore as peripecitë jetësore të disa autorëve, natyrisht ku ato kanë ekzistuar. Dhe kjo punë është bërë me përkushtimin e duhur jo vetëm për autorët, por edhe për emrat e rreth 1250 krijuesve apo personaliteteve, të cilët përbëjnë treguesin e librit "Libra dhe mbresa."
Siç do e shohim edhe më poshtë, Dibrani nuk i fsheh ambiciet e tij për t’u paraqitur para lexuesit jo vetëm si një njeri me cilësi të admirueshme humane, por edhe si një lexues i ndjeshëm dhe i kualifikuar, pena e së cilit nuk ngjyhet asnjëherë në vrer, por në hokën e përpjekjeve për ta ngritur sa më lart punën dhe personalitetin e kolegëve të tij nëpërmes shkrimeve që bën për librat e tyre. Për këtë tip kritike letrare deri vjet nuk kishim emër zyrtar, ndonëse ajo si koncept ka ekzistuar më parë, ndonëse ka filluar të marrë jetë më vrullshëm vetëm aty nga vitet 60 të shekullit që kaloi. Shefqet Dibrani ka qenë njeri prej atyre kritikëve bashkëkohor letrar që më ka frymëzuar të mendoj për një emër dhe ta promovoj atë për në një lëvizje letrare që do të njihej nga institucionet botërore të letërsisë zyrtarisht. Protonism (në shqip "Protonizëm") është emri që kam propozuar për miratim në Konferencën e Profesorëve të Letërsisë Botërore në Des Moines, Ioëa, në dhjetor të vitit 2005 për këtë lloj këndvështrimi kritik. Sa relevant është propozimi im në kufijtë e këtij shkrimi? Unë mendoj se është relevant sepse Shefqet Dibrani ka zbatuar më shumë ide të protonizmit se çdo lloj tjetër të kritikës letrare.
Nën ombrellën e protonizmit dhe të shpjegimit se si Dibrani e ka punësuar atë si mekanizëm për t’u dhënë jetë ideve të tij në lidhje me vlerat në letërsi, është me vend të shpjegojmë se jam i ndërgjegjshëm se roli i një kritiku letrar, në krahasim me tërësinë e letërsisë që prodhohet në botë, është po aq i vogël sa ç’është një atom në një element kimik. Pasi kjo u tha, vlen për të shtuar se çdo kritikë letrare në natyrën e vet edhe çdo vepër letrare në universin që bën pjesë, janë respektivisht pjesë e pandashme e fatit të asaj kulture letrare që ne sot e quajmë letërsi.
Parë nga ky kënd, edhe kritika letrare, si fizika, e ka "atomiken" e vet dhe kjo "atomikë" është e pranueshme për sa t’u përmbahet ligjeve përkatëse. Pra rreth bërthamës së letërsisë shqipe, si edhe asaj botërore, kemi parë plot kritikë letrar që sillen tamam si elektrone, të predispozuar të përçojnë gjithë jetën vetëm energji negative. Ata shpesh janë të zymtë nga pozicioni që gëzojnë profesionalisht, nga shijet që kanë për artin dhe fjalën e shkruar artistike, vuajnë shpirtërisht ngaqë ndërgjegjen nuk e kanë kurrë të qetë, dhe më e keqja, në syrin e shumicës jetojnë nën etiketën e letrarëve të dështuar. Kjo ndodh se kur shkruajnë për një libër, apo komentojnë rreth filanit, jo rreth një autori, ata nuk shkruajnë duke gjykuar veprën e tij, por veten e tyre, smirën që kanë fituar nga sukseset e të tjerëve, dështimet e veta në jetë, e nganjëherë, zbulojnë veten duke u orvatur të tërheqin të tjetër poshtë ngaqë nuk arrijnë dot të ngjiten në nivelin e tyre.
Po kështu të gjithë jemi dëshmitarë të asaj pjese të kritikës që brenda bërthamës letrare vepron me ngadalshmëri pa ndonjë ngarkesë elektrike pozitive apo negative. Ata mundohen të japin e të marrin duke u përpjekur të jenë sa më racionalist. Tradicionalisht këta soj kritikësh kanë mbetur si më të respektuarit. Ata mundohen të gjykojnë sa artin aq edhe autorin. Të zhveshur nga çdo barrierë e jashtme, punojnë me librin duke zgjedhur për lexuesin ato gjëra që ata mendojnë se kanë më vlera, pa lënë pas as mangësitë.
Pastaj kemi Shefqet Dibranët e kritikës letrare që luajnë rolin e një protoni në peshën apo në strukturën “atomike” të një vepre letrare. Pra ata vërshojnë drejt letërsisë me energji pozitive. Për fat të mirë, protonistët veprojnë apo reagojnë drejt letërsisë me ngarkesa të mjaftueshme “elektrike” te karakterit pozitiv sa të mbajnë në ekuilibër apo të barazojnë numrin e “ngarkesave “ negative të “elektroneve”. Në protonistët, në rastin tonë në veprën e Shefqet Dibranit, mbizotëron thelbi njerëzor, shpirti human, dëshira për të inkurajuar të tjerët, për të dalluar vetëm të bukurën në gjithçka e në këdo, pra mbizotëron ajo pjesë e shkrimtarit që e ka bërë botën letrare kaq moderne sa ç’e kemi sot.
Kaq njerëzore është përmbledhja “Libra dhe Mbresa,” kaq pozitiv është autori i saj Shefqet Dibrani. Ai ka gjetur diçka të mirë për të thënë për një numër të konsiderueshëm shkrimtarësh e poetësh që jetojnë në Zvicër, për një numër disa herë më të madh krijuesish që jetojnë në mërgim nëpër vendet e tjera të botës, për dhjetëra e dhjetëra personalitete letrare që jetojnë në Shqipëri e Kosovë. Ai ka gjetur mirësi në vetvete për të mbushur më se 650 faqe, pa përsëritur veten, me komente e mendime pozitive për kolegët e tij shqiptar e të huaj.
Siç e përmenda edhe më lart, Shefqet Dibrani në këtë libër nuk paraqitet para lexuesit thjesht si një kritik, por si një kritik letrar i tipit të ri, si një kritik protonist. Kjo jo se ai nuk është në gjendje ta dalloi të mirën prej të keqes në letërsi. Kur ai ka ditur të dalloi të mirën, do të thotë se bagazhi i tij ka njohuri të mjaftueshme për etikën në letërsi. Kur ai ka aftësitë të komentoi me aq pasion e kompetencë për të bukurën, do të thotë se horizonti kulturor i tij i plotëson kërkesat e një gjykuesi të denjë të estetikës letrare. Dibrani e di se jo të gjithë autorët kanë arritur përsosje në krijimtarinë e tyre. Por ai është i vetëdijshëm se koha, talenti, e mbi të gjitha shpirti madhështor i tij si njeri, janë shumë më efektive në kërkim të së bukurës se sa të së shëmtuarës në letërsi.
Në këtë pikë ai do të respektohet jo vetëm nga krijuesit, por edhe nga kritikët, sidomos nga ata kritikë që e gjykojnë letërsinë në aspektin ekokritikal (ecocritical). Ekokritikët i kërkojnë rrënjët e veta jo në momentet politike jashtë sferave të studimit të letërsisë, siç bënin marksistët e nganjëherë feministët, por tek lëvizjet ambientale dhe tek historia e gjatë e letërsisë së shkruar me subjekt kryesor natyrën. Ajo që do të dëshiroja që të mbanin mend lexuesit e këtij shkrimi është fakti se edhe tek natyra, dhe tek njerëzit, pavarësisht nga përzgjedhja e tyre, po të kërkosh në brendësi të tyre do të gjesh si gjëra që mbajnë erë të mirë ashtu edhe gjëra që mbajnë erë të keqe. Shumica e njerëzve do u bashkohen ekokritikëve dhe protonistit Shefqet Dibrani: ata nuk duan të dëgjojnë, fjala vjen, për dushqet e kalbura apo për ferrat në qoshet e fshehta të një parku të bukur, por për gjelbërimin, lulet, frutat, ujin dhe ajrin e pastër që të fal natyra në këtë vend. Është e kuptueshme se çdo krijesë, madje edhe ajo më e rëndësishmja, krijesa njerëzore, e ka pjesën imperfekte të saj. Por Shefqet Dibrani është protonist, dhe si tillë angazhohet vetëm pas të bukurës në letërsi.