2011-08-07

Poezi Nga Bardh Frangu

Bimë e keqe

Dëshpërimi ka lëshuar rrënjë te stela
Si një bimë e keqe i bën hije qenit
Sa tmerr kur ulurin netëve të vona

Dashuria është tharë si një kore buke
Ka kohë s’ka rënë shi në zemër
S’ka pikuar lot s’ka vjellë ndonjë ëndërr

Bimë e keqe rritet me pështymë
Me glaca sorrash e laraskash idiote
Që gjithë ditën krrokatin pa ndalë


Takimi i parë me Ezopin

Takova Ezopin në tregun e kafshëve
Lidhte në këmbë një opingë
Dhe vëngër shikonte një dem me një bri

Më kanë bërë kasap më tha
Më kanë kidnapuar një bandë hajnash
Tash zgjedh mish për ta

Nuk më tregoi sa zor e kishte
Njërën opingë e ngrehte zvarrë
Dhe qeshte me personazhet e tij

Qeni im llaskuç

Qeni më është bërë llaskuc
Dikush e ka mashtruar me asht zogu
Sa tmerrshëm leh kur jam në gjumë

Qeni im i mirë ka dalë në rrugë
Shkon pas atyre që bartin fjalë në lagje
Që jashtëqitjen na e shesin për mjaltë

Shumë e kam dashur si këlysh
Kam besuar se rritet me zogjtë
Se hënës i bën roje kush mos ta puthë

Dita pa zogj

Zogjve u kanë rënë puplat
Janë cullakuar janë bërë si minj
Erë e keqe ka thyer degët e ftoit

A mund të shtrihet pranvera mbi cung
A jetohet pa këngë zogjsh
Pa erën e ftoit a ka gjumë

S’bëhet jeta me fjalë zinxhirë
Me metafora të përjargura
Mbi një letër të nxirë


Batanija

Mbështillesh me batanije
Më mirë se me lëkurë femre
Të zë gjumi si zogun në degë

Me rëndësi është ta bësh gjumin e mirë
Të gjitha të tjerat janë jashtëqitje
Teprica që bartim në trupin e ndyrë

Kur gjendesh nën batanije
Ëndrrat çelin si zogjtë nga vezët
Ditën e mund si gjel maje plehu

Shigjetë e ëmbël

Atë ditë ishte mesi i verës
Lulet këputeshin nga vapa
Fshiheshin nëpër plasa zemrash

Shën Valentini hapi pelerinën e zezë
Një lule iu ngul në kraharor
U shndërrua në shigjetë të ëmbël

Katërmbëdhjetë shkurti
Ishte dita më e gjatë atë botë
Çeli lulja që lëshoi rrënjë në zemër


8 Mars

Marsi është muaj i mbarsimit të maceve
I grave me dashuri të humbura
I virgjëreshave që përpëliten në një pikë gjak

Sa i vrazhdët Edeni me lule plastike
Gratë me fasada fytyre me gjinjtë jashtë
Të përulura para jakave të bardha

Eh të ishte gjallë Henri Mileri në këtë 8 Mars
Gjëmimet do t’i dëgjoheshin nga Klishi i largët
Maçoku i lagjes do të shqyhej së bëri seks

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...