Libri poetik “Papërdhokë e gurë faqokë” , i P. Vinçenc Malaj, botoi “Misioni Françeskan”, 2010, Tuz
Publikohen poezitë e panjohura të P. Vinçenc Malaj
Nga Hasan Hasani
P. Vinçenc Malaj (1928-2000) lindi në Lajre të Krajës, rrethinë e Tivarit, meshtar i devotshëm deri në frymën e fundit në Tuz, i shkolluar në Tivar, Shkodër, Split, Pazin, Troshan, Dubrovnik, Zagreb dhe Romë ku edhe u doktorua në lëmin e historisë në temën “Kuvendi i Arbnit 1703” – në radhë të parë është i njohur si historian, shkencëtar, studiues, predikues, piktor, skulptor, etnolog, mbledhës folklori dhe poet, fusha këto që botoi vepra që kanë lënë gjurmë në zhvillimin e shkencës dhe të kulturës në përgjithësi.
P. Vinçenc Malaj, si një intelektual i nivelit europain lëvroi shumë fusha të dijes, por ndërsa i botoi ato në disa libra sa ishte gjallë, veprën e vetë poetike “Papërdhokë e gurë faqokë” nuk arriti ta botojë sa ishte gjallë (mbet në dorëshkrim), e cila dhjetë vjet pas ndarjes së tij nga kjo jetë, e përgatitën për shtyp dhe redaktuan P. Pashko Gojçaj dhe P. Mirash Marinaj, duke plotësuar kështu amanetin dhe dëshirën e P. Vinçenc Malajt me të cilën iku në botën e amshueshme. Vëllimi poetik “Papërdhokë e gurë faqokë” ka gjithsej 38 vjersha (35 në gjuhën shqipe dhe 3 në atë italiane, njëra prej tyre të trijave e dhënë paralelisht në italisht dhe shqip), të shkruara në varg të lirë, pra në varg të bardhë. Për lexuesit duhet ta shpjegojmë titullin e librit, meqë fjala papërdhokë i përket të folmës së Malësisë së Madhe që do të thotë: guralec, ndërsa gurë faqokë, dihet, gurë të lëmuar. Pra, kjo tregon sa është i lidhur ngusht poeti me vendin e vet, me atdheun, ku “balta asht ma e ambël se mjalta”, mendim ky i njohur nga rilindasit tanë. Këto poezi i përshkon mendimi dhe shpirti kombëtar, që shpirtin e poetit gjithmonë e kanë mbajtë gjallë, e kanë frymëzuar përjetësisht dhe përshpirtshmërisht. Në këto spikat dashuria e thellë për vendin, për Malësinë e Madhe, për gurë e papërdhokë, për lumenjtë (Cemin) dhe viset që e rethojnë këtë trevë ku lindi, jetoi dhe punoi si meshtar deri në frymën e fundit. Vjershat e P. Vinçenc Malajt e kanë bukurinë e vet, freskinë e bjeshkëve që ngritën lart mbi vendlindje, kthjelltësinë e lumenjve dhe ujëvarave të rrëmyeshme që zbresin gurëve faqokë të faqeve të bjeshkëve. Kjo, siç pohon edhe miku im Ëilly Kamsi në parathënien e këtij libri, paraqet bindshëm idealin e poetit dhe njeriut, të dashurit të Hyut, ku thotë: “Edhe njiherë shohim afrim e pajtim të plotë me atë binomin e amshuem “Fe e Atdhe”, që u prini sivëllazënve të tij gjatë qindvjeçarëve që kaluen, binom në të cilin Feja simbolizon trashigimninë e lashtë që nisë me të kaluemen, jeton në të tashmen e do të vijojë në amshim, Atdheu kombin tonë, atë që na vëllaznon, pamvarsisht prej besimit, ashtu sikurse 28 Nandori asht e vetmja datë, e vetmja e kremte që na bashkon”. Hyrjen për këtë shkrim rreth këtij libri do ta bëj me vjershën “Autoportret” e renditur në faqe 27 të librit. Zakonisht, librat e poetëve të cilët shkruajnë ndonjë varg, strofë a vjershë për veten duke dhënë autoportretin e vet fizik apo poetik, u paraprijnë librave, gjë që në vëllimin poetik të P. Vinçenc Malajt nuk e gjejmë. Në të vërtetë, libri “Papërdhokë e gurë faqokë” u botua dhjetë vjet pas ndarjes nga jeta të poetit, andaj edhe kjo nuk është bërë nga përgatitësit dhe botuesit, sigurisht duke i mbetur besnikë renditjes që (ndoshta) ka lënë autori. Sido që të jetë vjersha “Autoportret” edhe pse e shkruar me një gjuhë të thjeshtë, pa bërë portretizimin klasik të karakkterit dhe të virtyteve të P. Vinçenc Malajt, prapseprapë (për ata që e kanë njohur), kanë mundësi ta shohin si në pasqyrë portretin e këtij meshtari dhe poeti të devotshëm, siç janë këto vargje: “Akulli i xhamit t’kristaltë / ka me e reujtë, tham, / përfytyrimin tem / të rravizuem / si n’afrresk me ngjyra / edhe mbas vdekjes / si ma të bukurën rrenë, / n’album, / mos t’hupi n’ankth”. Dhe poeti, përkundër kësaj, vjershën e mbyll me optimizëm siç janë këto vargje të përjetësisë: “Jam i bindur se / edhe n’amshim / do të takoj në ndonjë / buzëqeshje!”
Mirëpo, libri “Papërdhokë e gurë faqokë” i P. Vinçenc Malajt hapet me vjershën “Cemi”, një lum ky i njohur edhe historikisht, madje e gjejmë edhe të vargjet e të madhit P. Gjergj Fishta (në “Lahutën e Malcis”), lumë me ujë të ftohtë (cemtë) prej nga edhe rrjedh emri i tij, lum që jo vetëm P. Vinçenci i kushtoi vargje nga shpirti, lumë ky i rrallë dhe me bukuri të amshueshme që mbërthen në vete rrugëtimin i tij nëpër bukuritë dhe ashpërsitë e kanioneve, e që poeti pa dyshim së i këndoi me tërë afshin e zemrës, duke e paraqitur këtë bukuri natyrore me të gjitha cilësitë që ia ka dhuruar natyra. Poeti duke kënduar për këtë lumë, zhytet edhe në historinë e lashtë të tij, andaj vargjet rrjedhin natyrshëm: “Shekuj e shekuj me radhë / Rrjedh Cemi mahnitshëm, / herë gjëmon furishëm, / herë dalë-kadalë, / por gjithmonë i cemtë / e i fresktë / e pa u ndalë... / rrotullon papërdhokë lara-lara / e gurë faqokë e zall...”. Pra, ky është Cemi plot pellgje, ujëra të kthjellta si loti, aty ku kanë shuar etjen edhe mbretërit ilirë Genci dhe Teuta, lumë ky që gjarpron nëpër Tërgajë, Milesh e Dinoshë, ku malësoret kanë pastruar rrobat e trimave të Malësisë së Tuzit, pse jo edhe të Malësisë së Mbishkodrës, ato xhubleta të leshta, brigjeve të të cilit kullosnin dhe mrizonin bagëtia nën hijen e shelgjeve të shpeshta, ku mjellmat e gugutat ndërtuan çerdhet e veta, aty ku shëndrit hana si drapën i argjendtë, për ta përmbyllur këtë vjershë me vargjet: “Edhe jeta, si koha / rrjedh rrëmbyeshëm / e vrapon si ujtë e Cemit, / frigueshëm si ditët e dashtënisë, / si meteortë; / herë dalë-ngadalë / majtas e djathtas, / ajo rrjedh veç njiherë / e nuk mund të përsëritet, / nuk këthehet dalë / Ajo asht mister”.
Poeti P. Vinçenc Malaj është i lidhur me mish e shpirt, me trup e gjak, me vendlindjen, me natyrën e saj të ashpër krijuar para mijëra e mijëra vjetësh pikërisht nga natyra, ku dominon guri. Dhe pikërisht ky guri u bë objekt frymëzimi duke i kënduar nga vjersha në vjershë, nga vargu në varg. Poeti fillon vjershën: “L’esser di sasso” (Mikelangjelo) me sinonimin e qëndresës nëpër shekuj, siç është guri, pjesë e pandarë e jetës së maësorëve të kësaj ane. Pra, poeti thotë: “E kush mund t’a dijë / se çka mendon guri, / çka sajon guri, / çka dyshon guri dhe / çka andrron guri / kur flen / e peshon n’vend t’vet / mbi jastekë myshkut / i rrahun prej shinash, / prej ernash, prej stuhinash? / Po i përvluem e i rreshkun / prej dielli, prej vapet / në djegagur?”. Këtu shihet se sa liri i jep poeti frymëzimit të tij duke përshkruar jetën e skamnorëve të malësisë së Tuzit, jetën e vështirë, por edhe dobinë nga ky gur qëndrese, nga i cili u ndërtuan shtëpitë e malësorëve, por edhe kështjellat dhe katedralet, madje edhe këmbonaret, por që nëpërmjet të këtyre shenjave u krijuan edhe figura të qëndrueshme poetike, si: gur unaze, gur gjaku, gur rrufeje, gur i gjallë, gurapeshë, etj. që poeti P. Vinçenc Malaj i jep me besnikërinë e traditës sonë, ashtu siç dijti t’i ruaj vetë populli nga goja në gojë shekujve në vijimsi. Këtyre frymëzimeve do t’ua shtonim edhe vjershat: “Andrra në gur”, “Gogë Dibrani” (mjeshtër guri dhe ndërtimesh me gur), “Kshtjellës së Gjokë Stanit”, “Rumisë” etj. Ky shpirt poetik i predikuesit është i dyzuar me simbolin e qëndresës, pra me gurin. Një motiv tjetër që hasim në këtë libër, po që është dominues, është ai i përshpirtshmërisë. Këtu duhet veçuar vjershat: “Emzot Pjetër Budit”, “Emanuel”, “Koshi i Spikut”, “P. Bernardin Palaj, poet e martir”, “Shpresë”, “Motrës Tereze” etj. ku dominon vargu, mendimi dhe poezia e përshpirtshme në përgjithësi. Këto vjersha u krijuan për Hyun, për njeriun që e do veten, atdheun, kombin. Besimi në Hyun dhe dashuria e pafund për të, pa dyshim se nënkupton kërkesën e ndërgjegjësimit për veprimet që bën individi në jetën e përditshme. Përshpirtshmëria në këto vjersha del si qenësi gjallimi, si gjakim ndaj besimit në Zotin, si frymëmarrje shpirtërore e njeriut në përgjithësi. Këtu spikat roli i madh i korifejve të kohës dhe të fesë, pra të kombit, siç është Pjetër Budi, i cili, siç pohon P. Vinçenc Malaj, u mundua ta mbajë ndezur qiriun e fesë dhe të atdheut. Apo vjersha shumë e bukur kushtuar Nënës Tereze me titull “Motrës Tereze”, në të cilën poeti ligjëron me tërë afshin poetik: “Ti po, motër, / e ke matë / thellësinë / e kuptimit / të rrezeve hyjnore; / je ba dhuratë bujare / për të tjerë / agape-ngrohtësi; / ke trajtue bukurinë / së cilës / edhe unë i besoj / thellësisht”, ku me pak vargje, por me fjalë të kursyera portretizon tërë madhështinë e kësaj krijese të shenjtë njerëzore, bëmirëse, siç është Nëna jonë e Madhe, Nëna jonë Tereze. Vjershat si kjo, dhe ajo kushtuar P. Bernardin Palajt poet dhe martir, shquhen për fuqinë e vargut, të shprehjes, të frymëzimit, për figurshmërinë që nxjerr para nesh madhështinë e njerëzve që sakrifikuan për njerëzit në përgjithësi. Kalvarin që përjetoi kjo figurë (P. Bernardin Palaj), vetëm pse mbrojti fenë, atdheun dhe kombin deri në frymën e fundit ku edhe vdes në Burgun e Shkodrës më 1947, e bën këtë një figurë të shquar në letrat shqipe. P. Vinçenc Malaj na jep portretin e meshtarit dhe poetit P. Bernardin Palaj që në tri vargjet e para të kësaj vjershe, ku thotë: “I lir tash je, o Promete i moçëm, / me maj t’i këputish prangat përmbi hekur / e t’kuptosh pse vdesin edhe poetët e sotçëm”. Kjo dhe vjershat e tjera që i përshkon kjo frymë mbesin xhevahire në vëllimin poetik “Papërdhokë e gurë faqokë” të poetit dhe meshtarit P. Vinçenc Malaj. Përveç këtyre vjershave kushtuar figurave të shquara të fesë dhe kombit, vjersha të përshpirtshme që i përshkon një lirizëm i shquar, konsiderohen edhe: “Jeta”, “Vdekja”, “Lumnija”, “Lulet”, “Pa titull”, “Koha”, “Alkimisti”, “Sizifi”, “Dashtnija”, “Shpresë”, “Lutje”, “Tri trishtime” etj. që spikasin lirizmin e hollë të poetit i cili vargjet e veta i mbrun edhe me mendimin e thellë filozofik që strehon në gjiun e vet përditshmëria dhe përshpirtshmëria. Natyrisht, misioni i poetit P. Vinçenc Malaj si meshtar, shëlbyes i Hyut, e kërkon një gjë të tillë nga ai dhe këtë mision poeti e kryen me besnikëri të madhe. Sepse, poeti thotë: “Jeta ka fillim / por s’ka mbarim” (vj. “Jeta”), duke aluduar në shprehjet filozofike të mendimit se jeta është flakë, zjarr, hi, tym... Ose vargjet për vdekjen: “Vdekje n’t’vërtet nuk ka / (...) Ajo, po, asht ekstazë / (...) shkapërcim prej shtegut n’shteg” (vj. “Vdekja”). Edhe koha lë gjurmë në shpirtin e poetit. Në meditimin e tij për këtë, thotë: “Hyjtë janë shumë larg, / atje nalt mbi maje, / mbi diell, mbi hanë, / përtej, përtej... / Kur i çoj sytë shpesh herë / atje në hatasi / i shof hyjtë kah lulëzojnë / n’kopshtije t’qiellës / për bukuri” (vj. “Koha”). Edhe dashurinë poeti përkufizon kështu: “Asht frymë e parë e jetës / e rrahje e mbrame e zemrës. / shkëndi, / zjarm, / ngrohtësi, / rreze hyjnore, / që çdo çasin prore / i ep amshim” (vj. “Dashtnija”). Këtë cikël vjershash të përshpirtshme, ku dominon fryma filozofike po e mbyll me vargjet: “M’a kthe, o Zot, / gëzimin e jetës / dhe epi kuptim të kenunit tem, / hapave të mij” (vj. “Lutje”).
Do të ishte mëkat sikur mos t’i zinim ngojet edhe vjershat: “Përrallë”, “Pesë dallndysha”, “Çerdhukëlla”, “Rrugës së qetë”, “Udhëtarë”, “Mbi vorr të Vangjelis”, “Rumisë”, “Hijerofania” etj. (pa logaritur këtu tri vjershat në gjuhën italiane) që se cila në vetvete mbërthen frymëzim, porosi që dalin nga shpirti i poetit P. Vinçenc Malaj, që nëpërmjet të këtyre vargjeve lartëson talentin që kishte edhe për këtë segment të artit poetik. Duke kënduar për dallendyshet, zogjtë, çerdhekullën (një lloj zogu), udhëtarët, lejlekët, fushat, brigjet etj. Poeti shpërndanë fantazinë e vet kudo, mbulon me të sfera synimesh, që duke na i dhënë nëpërmjet të vargjeve, di të pushtojë zemrat e njerëzve që donë artin e fjalës. Përshkrimin e këtyre elementeve poeti e bën me përkushtim të thellë. Mjafton ta ilustrojmë këtë mendim me strofën e fundit të vjershës “Rumisë” ku poeti thotë: “Përse Ti nuk je veç bjeshkë, / mal, pyll, gur, uj, / Ti je Fjala, / Ajo që e mësova prej nanës, / je eshtrimi, kuptimi i saj, / ma i këthelli, / aq afër / rrahazemrës seme!”, për t’u bindur qoftë në misionin e poezisë që shkruan poeti P. Vinçenc Malaj, qoftë edhe në vështrimin që poeti u bën fenomeneve të jetës dhe të natyrës që e rrethojnë. Dhe për fund, jo rastësisht libri “Papërdhokë e gurë faqokë” mbyllet me vjershën “Gjuha amtare” (e poetit italian Ignazio Buttitta, përkthyer nga P. Vinçenc Malaj), mbyllje kjo e natyrshme dhe shumë e qëlluar, kur kihet parasysh misioni i poetit, sidomos në vargjet e këtij vëllimi poetik, po edhe vepra e gjërë që la pas vetes ky krijues me dimensione të gjëra shkencore, kulturore, historike, letrare dhe artistike. Vargjet e kësaj vjershe (sikur t’i kishte shkruar vetë pena e P. Vinçenc Malajt, mbyllin këtë cikël krijimesh poetike, duke dhënë porosinë e gjithë krijimtarisë poetike të autorit, synim ky që i kishte vënë vetes tërë jetën. Duke parë kuptimin e këtyre vargjeve, pra të kësaj vjershe, po japim në tërësi, për ta përmbyllur jo vetëm këtë shkrim për këtë vëllim poetik, por duke mbyllur edhe kapitullin e feundit të krijimtasrisë së poetit P. Vinçenc Malaj në letrat shqipe, siç janë këto vargje aq kuptimplota, aq përmbajtësore, thuase rrodhen nga fundi i shpirtit poetik të meshtarit dhe poetit: “Një popullit / veniani prangat / zhveshnieni lakuriq / mbyllniani gojën, / asht ende i lirë. / qitnie prej pune / merrniani pasaportin / sofren prej kah ushqehet / shtratin ku flen, asht ende i pasun. / një popull / bahet i vorfën e rob / kur ia vjedh gjuhën / që i ka pasë trashigim prej të të parve: / asht i bjerrun për gjithmonë!”Nuk besoj të këtë përmbyllje më të bukur për një libër poetikë ku poeti si një bari i mirë dëshiron që t’i strehojë në një vathë gjithë vargjet e veta, në mënyrë që t’i ketë nën kontroll përherë dhe në çdo kohë.
P. Vinçenc Malaj