Piktori i Popullit Skënder Kamberi rrefen si i hoqi ambasadori serb pikturën për Kosovën më 1981
Kamberi: Si mbajta të fshehtë që studioja për pikturë
“Një ndër pikturat e mia më të njohura është Kosovarja me xherdanin e fishekëve dhe fëmijën… e ekspozuar në vitin 1981 në një ekspozitë e cila bëri reaksion pasi deri atëherë nuk kishte një piktur të tillë kundër serbëve pavarësisht ngjarjeve të dhunshme që zhvilloheshin atë pranverë në Kosovë. Mbaj mend se në në ekspozitë erdhi edhe ambassadori serb i cili tha se “kjo pikturë është kundra nesh !” Këta servilët tonë e hoqën menjëherë. Unë protestova duke u thënë se e dua me çmim dyfish që ta kem sërish timen dhe kështu ndodhi. Sot piktura është në Itali. Unë jam shumë i lumtur që më vonë bëra një tablo tjetër që tronditi edhe Italianët, por unë vazhdova punën time. Parashikimi i artistit është në favor të kombit dhe jo interesave poltike. Unë kam shumë dashuri për kombin shqiptar anekënd botës dhe i uroj çdo të mirë dhe një bashkim të shpejtë në një shtet si të gjitha kombet e europës.”
Nacional: Vlora në djepin e saj ka rritur figura të shquara të artit, le të flasim pak për fëmijërinë tuaj ?
S.Kamberi: Fëmijëria ime pas lufte ka qenë periudha më e vështirë e Europës, kemi kaluar një fëmijëri pak të keqe ekonomikisht. Shqipëria ka trashëguar nga e kaluara shumë, unë nuk e ndieva pasi jam marë me pikturë. Unë jam dalluar që herët në klasë për pikturë, mbaj mend kur mësuesi më thoshte ngrihu dhe bëj piktura, bëj këtë pikturë dhe unë ngrihesha. Edhe në shkollë bëja karikaturat e murit, kam qenë i dalluar dhe në shkollë, piktura më merrte shumë kohë. Pastaj shkoja në Shtepinë e pionierit ku përfitova shumë dhe mora disa çmime. Aty u përgatita për të konkurruar në Lice në Tiranë.Në atë kohë erdhi në Vlorë piktori i famshëm Sadik Kaceli, që më vonë do ta kisha pedagog në Lice, i cili e drejtoi konkursin. Unë mora pjesë dhe natyrisht fitova. Në shtator do të lija Vlorën për të ardhur në shkollë në Tiranë.Duke qenë i pari i fëmijëve të familjes, babait nuk i erdhi mirë. Ai ishtë shofer dhe me futi marangoz, në pushimin e drekës unë bëja karroca të vogla dhe kukulla prej druri sa punëtorët thonin ky nuk është për ne, duhet të shkojë në Liceun Artistik. Më pas unë shkova në lice por mbaj mend që babai më thoshte se “kur të vish këtej mos thuaj se jam për pikturë se këta nuk të kuptojnë”, kishte të drejtë se ishin në profesione tjera, vetëm pak mësues kishte. Kjo puna e marangozit më dha një të mirë se në lice nuk rrija asnjë moment pa punuar, që nga 1955-1960 nuk kam lënë kodër të Tiranës pa dalë, pa bërë punë, kam shumë kujtime. Dhe diga është ngritur nga ne studentët. Unë vazhdova Insitutin e Lartë të Arteve dhe deri më sot jam piktor. Kam një tezë të një piktori Japonez, formulë që e mbaj qysh atëherë i cili thotë : nuk kam lënë ditë pa punuar, vetëm kur jam martuar dhe kur më ka vdekur nëna, dhe unë vetëm kam punuar deri më sot.
Nacional: A ka patur piktura të ndaluara në kohën e diktaturës dhe si e keni ndjerë veten pas viteve 90-të?
S.Kamberi: Unë do të jap një mendim që nuk përkon me të tjerët. Diktatura kishte kufizimet e njohura, por nuk ka bërë diktaturë me artin në atë masë sa thuhet. Është spekulim politik dhe mashtrim të mendosh se ajo kohë nuk krijoi vlera, ashtu sic pati edhe piktorë të talentuar të denuar vetëm për shkaqe ideologjike si Ali Oseku, Sadri Ahmeti, Maks Velo etj. Për shembull në atë kohë të talentuarit bënin vepra arti të talentuara edhe për socializmin, ndërsa mediokrit bënin shumë më tepër vepra të shëmtuara dhe mediokre për socializmin, por ata nuk ishin medikoër për shkak të sistemit por për shkak të aftësive të tyre dhe nuk epsozonin shumë, por ky nuk mund të quhet përsekutim. Kam krijuar një pikturë realiste, dhe realizmi është realizëm, ai ka lindur qysh në vitet 50-të në Francë, pra ishte realizëm që pasqyronte socializmin.Në kuptimin e krijimit të një vepre më art apo të shëmtuar, nuk e kanë fajin ata që ishin në pushtet, artistët e kanë fajin pasi të bëje punë me art nuk ta ndalonte njeri, artin se ndalonte askush. Mua s’më ka thënë kush asgjë, kritikë ka pasur sigurisht, shumëkush më ka thënë mendime por unë jo se të gjithë i dëgjoja, unë isha artist dhe i referohesha shprehjes : “je artist, frymëzohu dhe krijo, bëj atë çka ndien”. Nuk bëhem pishman se çdo system ka të bukurën dhe të shëmtuarën. Në një emission Grek unë iu përgjigja pyetjes se cili sistem është më i mirë, unë thashë të gjitha sistemet kanë të mirat dhe të këqijat e veta por ne duhet të zgjedhim atë që ka më pak gabime për popullin.
Nacional: Ju jeni “Piktor i popullit”, a është kjo mirënjohje e shoqërisë tonë për punën tuaj të gjatë dhe cilësore ?
S.Kamberi: Po, kjo është një mrënjohje e vertetë. Unë nuk kam gënjyer kurrë dhe të them të drejtën askujt nuk ia kam patur kurrë me hile. Në atë kohë shokët i kam patur të sinqertë dhe i kam dashur shumë. Në të gjithë deshironim evoluimin në art pavarëisht kufizimeve ideologjike të sistemit të kaluar.Unë kam qenë një nxënës dhe artist i përkushtuar në punë, dhe s’më interesonin shumë medaljet, por më kanë kurorëzuar si një shpërmblim për punën dhe botën time. Unë kam qenë shumë korrekt dhe suksesin e kam bazuar vetëm tek puna. Ajo ishte punë e bërë me shumë dashuri, pasi e kisha mendjen vetëm tek piktura. Natyrisht që edhe sot kam një falenderim për shoqërinë që më dha këtë çmim.
Nacional: Keni bërë shumë ekspozita brënda dhe jashtë vendit cfarë mund të na thonë rreth tyre ?
S.Kamberi: Edhe në atë kohë diskutonim rreth nivelit të pikturës tonë dhe asaj që krijohej në botë. Duke qenë pak të izoluar me kontaktet kulturore, kjo hamendje rritje më shumë.Unë për fat kam qenë në dy ekspozita kombetare në Pekin dhe Ankara. Me këtë rast kontaktuam me pikturën reale të tyre. Në pikturonim sipas traditës më të mirë artistike nga realizmi deri tek impresionizmi dhe punët më të mira të mijat dhe kolegve qëndrojnë edhe sot, kur bota është hapur dhe kontaktet më artin modern bashkëkohor janë të lira, pa pengesa ideologjike dhe fizike.
Nacional: A keni një mendim për pikturen e këtyre njëzet viteve ?
S.Kamberi: Gjatë këtyre 20 vjet ka pasur zhvillime të reja teknika të reja dhe hapje me botën.Konkurenca është bërë globale. Shumë piktorë shqiptarë të rinj dhe të vjetër kanë hapur ekspozita në shumë vende të botës kanë marrë edhe cmime. Në Tiranë organizohen konkurse nderkombëtare të pikturës dhe kjo është shumë pozitive.Nga ana tjetër pas shumë vitesh koncepti për pikturën ka ndryshuar, pasi mund të shikosh dërrasa, letra dhe shumë gjëra të tjera pa vlerë... Ky u quajt arti banal dhe shqiptarët e shikonin si një aventurë moderne, për bela se modernja është tjetër gjë, ka kuptim të zhvillohesh, moda nuk është gjithmonë zhvillim, mendoj se moda është ndryshim por jo evulucion në art. Piktorët filluan të emitojnë në mënyrë të pakufizuar pikturat e fillimshekullit të 20-të, kopje totale. Më kujtohet në Luksemburg, drejtoresha më dha një libër, më tha nesër do jesh, të shikoj ndoshta mund të vij, shkova dhe pashë një sallë bosh, një portmonto, shkallë dhe asgjë, kjo është ekspozita, thashë ... Piktura ka ndryshuar kursin e vet, ku këto s’kanë të bëjnë fare me pikturë, edhe piktura le të bëhet ndryshe por le të jetë pikturë. Dhe këta zotërinjtë që marin përsipër të bëjnë pikturë dhe jo spekulime me pikturën, pasi lindin dhe vdesin menjëherë pasi piktura është elitare, e rëndësishme në tre komponentët kryesorë: letërsi, muzikë, pikturë. Dhe jua këshilloj të gjithëve të bëjnë pikturë të vërtetë.
Nacional: A i keni bërë portret diktatorit, në rast se po me dëshirë apo me kërkesën e tij?
S.Kamberi: E kam bërë pesë herë, më dëshirën time katër herë dhe njëherë me porosi. E bëra njëherë më portret të madh ku në ekspozitë nuk u vendos për xhelozi, dhe pas 90-ës u dogj. E kam bërë dhe kur Hoxha ka qenë i vogël, me fashtarin e varfër. Në vitet 80-të, i bëja për qejfin tim e jo për të fituar reputacion apo përfituar.
Nacional: Një ndër pikturat tuaja të njohura është Kosovarja me xherdanin e fishekëve dhe fëmijën…?
S.Kamberi: Artistët ndonjëherë janë dhe të çmëndur, në vitin 1981 më ftuan në Fier se kush është tema më e veçantë për tu bërë pikturë, unë i studiova të gjitha situatat dhe unë mendova që Kosova duhet të fitojë të drejtën e saj, dhe kjo bëri reaksion pasi nuk e kishte thënë kush deri atëherë. Bëra këtë grua pasi kisha një ngarkesë emocionale. Serbët kanë ardhur, kanë bashtisur shtëpinë, ndërsa kosovarja kishte futur fishekët në djepin e fëmijës. Serbët i kam vënë përtej gruas kosovare ndërsa po djegin një shtëpi tjetër, pasi kështu ishte platforma e tyre në Kosovë.Këtu pashë Shqipërinë të ndarë në dysh dhe u trishtova shumë. Shumë popuj janë të ndarë dhe pse janë të një gjuhe, por ka dhe popuj që janë me gjuhë të ndryshme dhe janë bashkë, po si ka mundësi që ne jemi të ndarë...! Ne nuk shesim pallavra për popullin tonë, por deshiroj që të jemi të bashkuar pasi do të jetë një faktor paqeje edhe për Evropën edhe për rajonin. Mbaj mend se në në ekspozitë erdhi edhe ambassadori serb i cili tha se “kjo pikturë ishte kundra nesh.” Këta servilët tonë e hoqën menjëherë. Unë protestova duke u thënë se e dua me çmim dyfish që ta kem sërish timen dhe sot piktura është në Itali. Unë jam shumë i lumtur që bëra një tablo tjetër që tronditi edhe Italianët, por unë vazhdova punën, parashikimi i artistit është në favor të kombit, unë kam shumë respekt për kombin shqiptar anekënd botës dhe i uroj cdo të mirë dhe një bashkim të shpejtë në një shtet si të gjitha kombet e europës..