2011-08-13

Nga QERIM UJKANI : A PO VETËVRITET ARTI YNË



Nobelisti turk, Orhan Pamuk, thotë: "Denigrimi i shkrimtarit (pra i artistit, plotësimi ynë) është paralajmërim i ditëve të zeza dhe të paparashikueshme për një vend"

Vetëvrasja tashmë është një dukuri në shoqërinë sonë, të cilën ajo pothuaj nuk e ka njohur në të kaluarën. Atë nuk e ka njohur as në të kaluarën e afërt, kur mbi popullin tonë okupuesi fashizoid serbomadh ushtronte gjenocidin e dytë pas atij nazifashist në Evropë. Vetëvrasja ishte përjashtuar nga populli ynë, i cili po luftonte për jetë a vdekje për të mbijetuar, sepse po shihte dritën premtuese në fund të tunelit. Ajo ishte shpresa për të ardhmen. Ai ishte vetë shpresa dhe e ardhmja.

Mirëpo, menjëherë pas luftës, duke nisur nga vetë krerët që i prinin asaj, lufta për liri u zëvendësua nga lufta për pushtet, pasurim të shpejtë të tyre dhe familjarëve të tyre, fiseve dhe vendeve të tyre prej nga vinin, krahinës, fshatit, lagjes e kështu me radhë. Kategori të tëra njerëzish që përbëjnë shumicën absolute të popullatës u injoruan, u izoluan dhe u paralizuan plotësisht. Papunësia dhe varfëria në rritje të vazhdueshme arriti askun e mospërballimit. Për shumë kë vetëvrasja mbeti një hije e kobshme mbi kokën e tij.

Kësaj së keqeje të madhe nuk i shpëtuan as artistët tanë. Vetëvrasja e aktorit të madh, me famë botërore, Bekim Fehmiut, u pasua nga Llazi Sërbo, po ashtu një aktor tjetër i talentuar. S`ka se si që këto dy vetëvrasje të mos merren si një paralajmërim kobzi për vazhdimin e tyre me të tjerë artistë, jo të paktë, të tmerruar me trajtimin e tyre dhe të artit tonë në përgjithësi. Ky trajtim u pa qartë në shfaqjen e tij të shëmtuar, aspak civilizuese dhe kombëtare, në rastin e Bekim Fehmiut, ambasadorit të madh të shqiptarësisë në botë, kur Parlamenti i Kosovës në seancën e vet menjëherë pas aktit tragjik nuk denjoi të mbante një minutë heshtje në nderim të tij! Athua çfarë do të bënte sikur të rastiste që në mandatin e tij të merrte lajmin për vdekjen e gjeniut shqiptar të skenës, Aleksandër Mojsiut? Nuk është e besueshme se do të vepronte ndryshe. Andaj, kuptohet vetiu se ndonjë arsyetim eventual se as njëri e as tjetri nuk kanë luajtur në skenën, përkatësisht në filmin shqiptar, do të ishte i paqëndrueshëm. Ata ishin ambasadorë kombëtarë, të cilët çuan me krenari përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare gjithandej nëpër botë.

Sidoqoftë, artistëve shqiptarë të Kosovës rrallëkund në botë u zihet fryma njak nga denigrimi i tyre i vazhdueshëm nga shoqëria e organizuar. Kjo e shtyri shkrimtarin tonë të shquar, Rifat Kukajn, që ndonjë muaj para vdekjes së tij të natyrshme të klithte plot mllef në një tribunë televizive në Prishtinë se "më shumë kujdeset Evropa për qentë sesa Kosova për shkrimtarët e vet"! Fjala e shkrimtarit është argument i së vërtetës, kjo është provuar aq e aq herë në të kaluarën dhe sot, por shoqëria e organizuar tek ne rri pa lëvizur në primitivizmin e vet dhe tash dhjetë vjet nuk bën as hapin më të vogël drejt qytetërimit të mirëfilltë. Nuk do të dijë se kultura është letërnjoftim i një kombi.

Nobelisti turk, Orhan Pamuk, thotë: "Denigrimi i shkrimtarit (pra i artistit, plotësimi ynë) është paralajmërim i ditëve të zeza dhe të paparashikueshme për një vend". Mbetet të lutemi që të mos ndodhë kjo dhe të bëjmë gjithçka për tejkalimin e prapësisë që po e ngulfat trevën tonë e që nuk mund të arsyetohet, sikundër tentohet, me transicionin. Ai nuk zgjat njëqind vjet!

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...