PËRFYTYRIM STINE
S’ ka hënë, s’ka bulktha
S’ka fërfëllimë pylli,
S’ka valëzim liqeni,
As ngricë, as krahnezë
S’ka gjethe, lule, kamomile,
S’ka aromë fare
Kam veten time
Mëngjesin
Një tjetër
S’më hahet
S’më pihet
Tym duhani nxjerr nga gryka
Gogësoj nga të pirat e ndryshme
Lemzoj thartinë
Qyrroj kërhamë pagjumje
Jargoj pështymë me duhmë kafeje
Kjo vetja ime e paasditur
Dëshiron ta pyes diçka
Mëngjesin
“Cili ishte ai
që i pari shkroi ditar?
A ka qenë ai poashtu i pari,
Edhe që ka pirë alkool?
I pari që ka pirë edhe
kafenë pa sheqer?
A ka qenë ai i pari
që ka zbuluar një kthinë koke
si kjo imja?”
Ai sigurisht ka qenë
i ngjashëm me mua
Po më merret fryma
Përpiqëm të bëhem i durueshëm
I qetë – që të më thonë;
“Po na vjen gjynah prej tij!”
Ndryshe do të më shajnë
Tash nuk jam në natë - se ajo iku
as në mëngjes - ai u zhduk
as në ditë - se s'ka qejfë sytë me m’i pa!
Ia kam marrë inatë natës
-Kurrë mos ardhtë!
Kam dëshirë ta shoh qirin që ndezet
Për t’u tretur
-Kurrë mos ardhtë!
Se jam duke pritur …
As vetë s’e di se çka
Ma merr mendja se sot
Do të ëndërroj diçka
Që nuk do të kem kurrë për ta gjetur
Ngris dorën
Të rëndë si toka
Për të gjetur ndonjë hije
Nuk e gjej … e kërkoj me dy gishta
Më del figura e spathit
Pulqëri më ka mbetur
Në ciflën e gotës
Të voglin e shkela
Me këmbën e karrigës kur u ktheva nga WC-ja
Gjumi më ndjek për të më nxjerrur brenda
Filloj dhe e shaj
Diçka që s’e shoh
E që ik nga unë siç iket
prej zogut t’dreqit
NUK PO VIJNË MË LEJLEKËT
Bashkëkatundarët e mi
kur i vizitova një pasdite
e kur ma poqën një kafe sade
më t’ëmblin nderim
më treguan
se lejlekët nuk po vinin më
Mbi kullë
ka mbetur që moti
çerdhja me krandet e thata
Vera (shkonevjen) erdheshkoi
unë vazhdoj t’i kujtoj lejlekët
me dymbëdhjetë fije gajtan