2011-08-07

Poezi nga Avni Dehari

image Avni Dehari


Avni Dehari


Përgjërimi

(Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, më 30 gusht 2010, në mënyrë simbolike, me 1837 palë këpucë, mbi pllaka mermeri të sheshit “Nëna Terezë, në Prishtinë, protestuesit kërkuan nga institucionet e Kosovës t’i kthejnë eshtrat  e të zhdukurve të luftës së viteve 1998 – 1999, që ende mbahen peng nga Serbia).


Në zemër të Prishtinës
Mbi pllaka mermeri,
Si mbi rrasa të ftohta varresh,
1837 palë këpucë,
Të vogla,
Të mesme,
Të mëdha.
Këpucë fëmijësh,
Nxënësish,
Studentësh,
Punëtorësh;
Këpucë malësorësh,
Këpucë të grisura udhëtarësh,
Këpucë nusesh me vel,
Këpucë dhëndurësh,
Festash e dasmash,
Vëllezërish,
Motrash,
Nënash,
Etërish;
Këpucë që mbi pllaka mermeri,
Si një det i thellë dhembjeje,
Si një oqean i pafund malli,
Me nga një pikëpyetje,
Kordele në qafë,
Me nga një fjali:
“Ku janë?”,
Pyesin:
Ku është njomëzaku im,
Ku është babai im bujar,
Nëna ime diell dashurie,
Gjyshi im përrallëtar i rrallë,
Gjyshja ime zemërbardhë,
Vëllai im me yll në ballë,
Motra ime sypërlotur? ...
Pyesin:
Pse na shikoni si të huaj?
Nuk na njihni!?
Nuk na keni parë!?
Fotografitë tona në kangjella
Para Kuvendit të Kosovës,
Që dhjetë vjet,
Si gjethe pemësh,
I tund era në pranverë,
Në verë, në vjeshtë, në dimër.
Që dhjetë vjet
Fotografitë tona,
Me sy – liqene pikëllimi,
Buzëplasur përgjërohen:
Na ktheni në vendin tonë!
Që dhjetë vjet
Fotografitë tona zverdhen
Por nuk bien,
Si gjethe vjeshte nuk pikojnë.
Që dhjetë vjet
Zbehen fotografitë tona
Nga dielli, shiu,
Acari, veriu, koha,
Por malli nuk zbehet,
Çdo ditë më shumë shtohet
Bëhet vullkan,
Zemra nënash përvëlon,
Zemra fëmijësh sëmbon,
Zemra motrash shkrumbon,
Zemra të dashurish
Me afsh i përcëllon.
Zbehen fotografitë,
Por jo shpresa për kthim
Shtatë pashë në zemër palosur.
Nuk zbehet malli i nënave,
Det i thellë, oqean i pafund.
Nuk zbehet
Dashuri e brishtë,
Malli i fëmijëve njomëzakë,
Që çdo ditë
Me rrezen e parë të diellit
Mirëmëngjesi
Dhe në të ngrysur
Natën e mirë na thonë;
Na njomin me lot,
Me doçka na ledhatojnë.
Zverdhen fotografitë tona
Tunden, por nuk bien,
Si gjethe vjeshte nuk pikojnë.
Që dhjet vjet
Në fotografitë tona
Sytë thellohen,
Buzët përgjërohen,
Vendlindjen mëtojnë.
Zbehen fotografitë,
E humbin shkëlqimin,
Bashkë me eshtrat tona,
Që në dhe të huaj mërdhijnë,
Nuk gjejnë qetësi,
Nuk pushojnë.
Njerëz,
Mos na harroni,
Kërkoni kthimin tonë!
Pushtetarë,
Bëni urëvarë,
Me eshtrat tona
Që nëpër të,
Si në legjendë,
Të nisemi për në vendin tonë.
Bashkohuni me nënat,
Syburim pashterur,
Me etërit,
Që gulçimin nyjë
Në fyt e shtrëngojnë,
Me fëmijët,
Që shpresën,
Bashkë me lotin,
Në qerpik e mbajnë,
Me motrat,
Që qëndismat me lot i lajnë!
Bashkohuni me mallin tonë,
Që nuk tretet
Për një copë tokë vendlindjeje,
Sa për një varr,
Shtrat për eshtrat tona,
Për diell Kosove,
Për një grusht dhe të shkriftë
Mbi trupin tonë,
Për një vizitë,
Për një lulenuse,
Për një lutje shqip
Mbi varrin tonë!
Bashkohuni me lutjen tonë
Për kthim
Pranë nënave,
Fëmijëve,
Motrave,
Vëllezërve,
Pranë nuseve tona,
Pranë të dashurve tanë.
Njerëz,
Mos na harroni!

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...