Jeta dhe vdekja

nga Anton Pashku

 
image 



Nuk e pa ma diellin tue u luhatë në valëzat e lehta të lumit të gjanë; e kishin mëshefë  mbas shpinës së tyne kodrat, përmoi të cilat qielli ishte i shkarravitun pa kurrëfarë lidhje, si prej dorës së përlyeme të fëmisë, me ngjyrë të kuqe, të cilën ai mandej mundohet me e fshi ngutshëm, tinëz nanës. Ktheu kryet dhe zu të kundrojë lëvizjet e gjalla të peshqve të vegjël, të cilët bridhshin papra bregut  atypari, rreth kambëve të tij të zhytuna n’ujin e kthjellët që pranë bregut asht i vokët dhe gati i palëvizshëm.
Për çdo mbramje ia kishte anda me ardhë e me i llapërçitë kambët në lum, me soditë syprinën e tij që zhubravitet vetem prej ndonji peshku që këcen, përhidhet dreqnisht n’ajër e, tue i vetue luspat e barkut, përdridhet edhe nja dy a tri herë, rrëxohet dhe zhytet n’ujë ku, në fillim, sajohen shum valëza të vogla që shkojnë lehtas tue u përhapë ngadalë kah bregu. Kjo lojë i pëlqente. Lojë e valëzave të qeta. Dhe, sa herë që rrin ulë në vendin e tij të zakonshëm, këtu, aty pak ma poshtë burimit të cemtë, shikimi i tij ndalet gjithmonë tue shetitë nëpër to, prej valëzës në valëz, në krahnorët e të cilave dridhet, përkundet andshëm si me dashtë me ra me fjetë dielli që, ashtu si shef ky, i duket se asht tue u kotë. N’ato çaste i duket se pushon. Si foshnjë. Si fëmi. Dhe- ate përherë ia ka pasë anda me e pa. Ashtu të çkujdesun. Tue ndejtë lirisht. Të qetë. Por, kështu ndodh kur asht mot i mirë, si ky që asht tue zgjatë sa ditë, sa kohë. E kaherë ka që nuk i ka ndodhë mos me e pa. Vetëm njiherë i ndodhi. Atëherë kur lumi i ishte dukë si ndonji rrugaç që thyen e vjedh çdo gja që sheh përpara ...

Atëherë kishte qenë mëngjez. Të gjithë grepat i kishte pasë lëshue me zanë peshq. Kudo përreth kishte ra në pre një heshtje e randë, të cilën mezi mundnin me e përtypë gjelat me kikirimën e tyne. Kishte pasë zgjedhë barkën e tij për me lundrue në lumin që i dukej se rridhte qetësisht, ndërsa atje larg, si këlbaza të mëdha, shiheshin vransinat që ishin turrë me kaplue qiellin. N’at çast i kishte ra ndërmend se, në mbramje, ia kishte pasë qëllue shum bukur se moti do të vërshonte  e të mirrte tanë  fushën- edhe pse gati të gjithë tjerët kishin pasë profetizue mot të mirë. Prap e kishte lidhë barkën në vendin e saj dhe ishte ulë pranë grepave e, tue shikue syprinën e lumit që kishte marrë nji ngjyrë të mbyllët, mbështuell cigaren. Grepat nuk lëviznin vendi që kishte qenë gjithmonë i pasun me ta, kishte ndie se si në dorë e kishte pasë lagë nji pikë e madhe shiu. Ajo ishte përhapë nëpër lëkurën e dorës së tij, dhe ky ishte pasë mbetë tue shikue me nji buazëqeshje disi të pakuptimtë. Mandej kishte pa nji pe të hollë zjarri tue gjarpnue nëpër qiell. Mbas saj ishte ndëgjue nji murmurimë e gjatë, së pari e fortë, shum e fortë, që kishte ardhë  tue u zvoglue, fashitë. Dhe, prap-heshtje e zapllueshme, të cilën kaherë  nuk e kishte pasë ndie aq të randë. I dukej se ajri ishte rrallue. E përreth, ishte terrinë. Ndëgjonte ma thekshëm zhumhurin e valëve kah rrahshin barkën e tij, që puthte bregun orë e çast. Edhe grepat luejshin me ujin, ose ma mirë me thanë, uji me ta. Dhe kishte vështrue: vendi i dukej si i shkretë dhe nuk mundej me pa tjetër, përveç nji kalorsi që e diktoi tue ardhë Xhadës së Madhe. Ishte i krrusun dhe, këtij, n’çast, ia kishte pasë marrë mendja se ai ishte i plaguem.i kishte dalë përpara me e pyetë se prej nga vinte ashtu, por ai i kishte thanë se duhej të shkonte nalt, atje te Lugu i Karcejve. Atje lumi me siguri kishte dalë prej shtratit të vet. Kishte gufue. Dhe ndjeu disi, në shpirt, njifarë parandjenje të zymtë, e cila e kishte përshkue nëpër tanë trupin e tij. Tash i dhimbeshin njerzit që ndodheshin atje, te Lugu i Karcejve, tue u mundue me e ndalë, me e vu për shtrat të vet lumin që vinte gjithnji e ma tepër, shum e ma shum, tue u trazue, tue ardhë ma i trubullt.
Grepat i muerën valët dhe ky, për nji çast, mbeti tue shikue kah tretshin teposhtë. Barka ishte plot me ujë, kurse përskaj shavarit të madh syni i zu në diçka të pajetë, që notonte nëpër lum. I ra përreth, zdathi opingat, përvoli pantollonat deri në gjujë, hyni n’ujin e shqetësuem dhe – dora i ndeshi në trupin e nji ushtari të vdekun. E tërhoq në breg. Ky nuk kishte pa kurr aso petkash ushtarake. Ushtarët që kishte pa në qytet kishin rrobe e kapele tjera. Në gjoks kishte pasë nji pllakë me disa shkronja dhe fjalë të nji gjuhe të huej, kurse në brez të ngjeshun  këllëfin e thatë të revoles. Kishte pasë edhe çizme të mira. Njiherë i kishte shkue mendja ma ia marrë, por menjiherë i ishin kujtue fjalët e babës që i kishte thanë se – asht keq me marrë gja prej të vdekunit. Padashas, fare padashas për ku me dijtë se çka i shpëtoi dora dhe shtyni ushtarin e huej, i cili në setër kishte nji medalje që në të vërtetë ishte njifarë kryqi si i thyem. Valët e kapën, e rrëmbyen ushtarin e huej dhe shkonin  tue e shty përpara. Ky e shikonte at trup që gjithnji e ma tepër zvogëlohej në sy, pa dijtë mirë se pse u tregue aq i ftohtë ndaj tij dhe ma në fund  nuk e nxuer në breg. Shum pak ia trazoi ndiesit ai trup i atij ushtari të huej. Dhe, në heshtje, ia kishte kthye shpinën. Ishte ulë pranë barkës, përskaj të cilës notonte nji tra. Prej blozës, me të cilën ishte e përlyeme, ia muer mendja se ishte i kulmit të ndonji shtëpije. Mandej mbi valë pa edhe nji derë. Dikur edhe nji shtrat. U shtang. Për bri barkës u përplas nji trup fëmije. Këte nuk e kishte pa deri më tash. I ishte dukë se kishte pasë gufue prej mbrendësisë së valëve. Hyni n’ujë deri në shokë, e muer fëminë, e lëshoi në breg dhe – u ndal tue e shikue. S’e njihte. Në sytë e tij shikoi diçka si të fikun me zor. Kjo gja e pikëlloi. Dhe muer kupinin, rrëmihu me te dheun dhe e vorrosi aty, në breg. Kur e lëshoi plisin e mbramë mbi vorr, i iku shikimi plot troha pikllimi andej kah lumi, ku pa nji herë nji, mandej dy, dikur tre e, në fund, shum trupna njerëzish  ... Nxue njenin, mnadej tjetrin, nxuer shumë ... dhe nisi me i vorrosë. Vorrosi nji, dy, tre ... U lodh. Tanë trupi i dhimbte. Por vorroste edhe ma, derisa iu thye kupini. Tash  trupi edhe me dashtë, s’kishte me çka me rrëmihë dheun. Prandej u shtri. Shiu binte papra. Ndëgjonte hukamën e egër të lumit, kah i cili nuk ndiente ma kurrfarë vullneti me shikue. E dinte se nëpër valët e tij notonin njerëz, njerëz të vdekun. Edhe shum e shum ushtarë të huej. Edhe pjesë t’orendive të shtëpijave, dyer, duer të thyeme dhe çkamos. Por, lumi i sillej papra para sysh. Ate nuk e kishte pa kurr t’atillë. E, pra, përherë ishte frigue se nji ditë do ta shihte ashtu. Të çmendun. Me të vërtetë, kishte pasë mendue, pse katundi nuk kishte ndreqë nji pendë  të fortë? Mendët i kishte te Lugu i Karcejve. Ku me dijtë se çfarë mundimesh heqin njerzit atje, ku me dijtë! Ky, i shtrimë në ranë, i lagun qull vetëm e mirrte me mend se çka ndodhte atje. Mendonte: sikur ta dijnë njerëzit, qysh tash do t’ia nisnin me ndërtue nji pendë të fortë edhe pse asht stuhi. I dukej se, mu atëherë, ishte çasti për nji punë të këtillë, sepse njerëzit me sy, me veshë  e me shpirt shihnin dhe provonin shkumën e idhët të valëve të lumit të tërbuem. Dhe n’atë egërsi të tij, ky mendonte se duhej të ndërtohej penda. Mendonte, mandej, se me këtë mendim ndoshta bante nji perjashtim të rrallë. Por, e dinte se mashtrohej. Nuk ishte vetëm. Për këtë ishte i sigurt. Por, ia kishte anda me mendue kështu për veti: se ishte i pari. E, sikur të ndodhej atëherë atje dikund në Lugun e Karcejve, menjiherë kishte me u thanë njerëzve  me e ndreqë pendën. Ndoshta kishin me e shpallë të marrë? Në këtë dyshoi. Sepse ky do t’u thoshte: burra, tash sa jemi tue u përpjekë me dëbue ujin prej arave e fushës sonë, tash, pra, ta ndreqim pendën! Me nji rrugë dy punë! Të bajmë kështu, që të mos kthehet kurr ma ujë me shkretnue gjallnin tonë!... Mandej do të buzëqeshte kur do ta pyetshin- se me çka me e ndërtue at pendë të fuqishme? O, këtu tash i ishte dukë se ishte lehtë me i bindë se penda e bukur dhe shum e fortë do të bahej sikur në themelin e saj të përdoreshin gurët, shkambijt e shkëputun prej maleve. Buzëqeshi: sikur të bajmë kështu! Por, ndoshta, edhe bajnë, more bablok-kishte pasë mendue atëhere i shtrimë në ranë, i lodhun prej vorrimit të trupava të njerëzve. Por, lodhjen dhe të gjitha mendimet tjera në atë çast ia kishte zëvendësue dëshira me dijtë se sa vorreza kishte ba, sepse as vetë nuk e dinte se sa ishin ato që i kishte çelë me kupin ... Atëherë i ra ndërmend trupi i fëmisë. U trishtue. Iu kujtue, mandej, edhe trupi i ushtarit me petka të çuditshme, me këllef të zbrazët në brez e me medaljen e kryqit në setër, të cilën e shtypin duert e valëve. Tash fëmija ishte në vorr, pranë tij, kurse ushtari ku me dijtë se ku-ishte zhdukë moti prej syprinës së lumit. Buzëqeshja e fëmisë nuk e linte me u kotë, kurse hija e shkueme e ushtarit të huej e qetsonte . ajo e solli atë buzëqeshje  të fëmisë. E ate lumi i çmendun, zhumhuri i të cilit e kishte pasë lodhë. Të tanë: në mbarë trupin, në veshë, në sy. Dhe, atbotë, këlkatset i ishin lëshue ...
I kujtohej se e kishin pasë zgjue prej kllapisë së randë disa zane, disa jehona çekajsh të mëdhyenj, njifarë zhurme. E kur kishte pasë çue kryet, të cilin e kishte ndie të randë, kishte pa  njerëzit tue punue diçka: zbardhonte nji themel i gjatë dhe i trashë, zbardhonin dy themele nga të dyja anët e lumit. Pranë tyne: gurë, shkambij. Asi gurësh e shkambijsh për të cilët kishte mendue se ishin shum të mirë  për ndërtimin e pendës. Por, për këtë gja nuk donte me u çuditë. I dukej punë e natyrshme. Ishte çue. Kishte pa se barka e tij ishte e lidhun ende në vendin e saj të zakonshëm, por me brij të thyem prej valëve t’ujit. Kurrgja, kishte mendue, kurrgja s’asht kjo, kam duert dhe mundem me e ndreqë! Mandej ishte ulë në vendin e vet, aty pak ma poshtë burimit të cemtë, uji i të cilit ishte ma i kthjellët  se përpara. Aty kishte mbetë tue shikue ato muret e gjata, që shkojshin gjithkah, kah gjarpnonte lumi. Ai lum tash, mendonte, nuk do të mundet me dalë ma prej shtratit të vet – do të jemi të qetë prej tij! Në heshtje shikonte syprinën e lumit, të cilën  prap kishin pasë fillue me e xiglue peshqit e vegjël, të cilët sikur sonte, bredhshin pranë kambëve të tij të zhytun n’ujë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)