Agim Desku
Lotët që flasin
Për ditë
u grinda me perenditë
kafshoja veten
thitha gjak gjarpri
Atdheun e mora më vete
herë në tokë
e herë në qiell
zbrita Purgatorit të Dantës
u ngita legjendave të Mujës e Halilit
aty ku zanat i dhanë gji të pijë
bacë Ademit.
Në Rozafat u grinda edhe me Zeusin
kur e gjeta shpatën e Skënderbeut
e shkruar me shkronja shqipe
dymijë vjet para Krishtit.
Kalova andej Durrahut
të takoja Homerin ditën me fenerë,
edhe pak verë të pi në Çamëri,
t`i puthi mbesat e nipat e mi
më lotë më flasin,
buzëqeshjet vrasin
zemrën time
për ditë ngapak
pse s’kam liri për ta
pse s’kam dashuri
as në vargun tim,
as një fjalë të vetme
nuk e di ku ta marr për ata
që nuk dinë të thërrasin liri shqip
as të vrasin shqip,
as të dashurojnë shqip
Çamëria
Për çfarë të shkruaj
mbrëmjeve me zjarrr lirie
Çka i duhet pranverës ky zjarr
që vërbon sytë e nënave
më thuaj Ti, Atdhe
ç`të shkruaj sonte
për lirinë time
pa Çamërinë.
Nuk e nënshkruaj kurrë pasaportën
pa miken çame
nuk e dua lirinë i vetmuar
pa flamurin kuq e zi
të valvitur me shqiponjë
në Çamëri
as kokën pa tokën denbabaden iliro-dardane
që ma vodhën zotat e huaj
kur fjala kishte heshtur diku në dhe e diku mbi të
Sonte
jam zgjuar të shkruaj vargje që ngacmojnë heshtjen
e njeriun tonë ta zgjojnë nga ëndrrat për pak liri
që na shtrohet pallateve ngjyrë blu
gjysmëgotash herë të zbrazura metropoleve evropiane
të dehur ngrenë dolli për fjalën tonë të heshtur
sikur edhe unë i dehur me shekuj
edhe pse i robëruar me fjalë e me shpirt
Sonte
kam të drejtë të jetoj e të kërkoj liri për Iliri
ku denbabaden isha zot vetë, isha iliro-dardan
isha Çamëri, isha Kosovë e Tetovë
isha Preshevë e Malësi
isha vetë Iliri
isha Shqipëri.
Sonte
jam vetë zot e Kastriot
jam Mic Sokol e Adem Jashar
jam Kosovë e Rugovë
Sonte
jam Preshevë e Tetovë
jam Malësi e Çamëri
Sonte
jam shqiptar e jam Shqipëri