2011-08-07

“Tregimet e Veriut” nën një emër të ri

image NAIM ZOTO


Mbi librin me tregime e novela të Bardhok Pulajt
“Tregimet e Veriut” nën një emër të ri
NAIM ZOTO
“Për vlerat e librit të ri të shkrimtarit Bardhok Pulaj, me titullin “Tregime” u organizua para disa ditësh një promovim në sallën “Gjegj Fishta” të bibliotekës  së Lezhës, ku kolegë të shkrimtarit nga Tirana, Shkodra, Lezha, Mirëdita si Ndue Gjika, Ndue Dedaj, Kujtim Dashi, Naim Zoto folën për vlerat dhe mesazhet e librit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Rrëshenit Gjon Dedaj, i cili përgëzoi shkrimtarin Bardhok Pulaj, aktualisht mësues i letërsisë në gjimnazin e Rrëshenit”.
Nuk është ndonjë gjë e madhe sot të shkruash, të publikosh, të botosh. Problemi është çfarë shkruan, për kë shkruan dhe si shkruan. Kur, para disa muajsh, Bardhok Pulaj, autori i librit me tregime e novela që sapo ka dalë në qarkullim për lexuesit, miku im i vjetër i fakultetit filologjik të Tiranës, për degën gjuhë-letërsi, më solli librin e tij të sapobotuar “Tregime”, u bëra shumë kurioz dhe, nga padurimi, tregimin që hapte vëllimin pothuaj e kam lexuar në këmbë. Më tronditi “Kolla” e tij, tregimi me të cilin hapej libri, duke më risjellë në mendje skicat e paharruara të Migjenit mbi mjerimin në qytetthet shqiptare. Tregimi nuk ka personazhe; personazh është kolla e minatorëve. Nëpërmjet saj bëhet komunikimi, përmes saj minatorët njohin njëri-tjetrin kur nisen herët në mëngjes për në galeritë e nëntokës.  Me pak fjalë, përmes një metafore sa artistike, aq edhe jetësore, Bardhok Pulaj jep një dëshmi artistike, duke u fokusuar jo në qytet, por në mjedise aspak atraktive për artistët, siç janë të ashtuquajturat qyteza minatorësh, që, në fakt, nuk ishin as qytete dhe as katunde.Jo rastësisht, autori nuk merret me njerëzit drejtpërsëdrejti, as me përshkrime të mjedisit. Autori gjen detaje, sende, aspekte të rutinës së përditshme njerëzorë të cilat, pastaj, përmes laboratorit krijues, kthehen në simbolikë, metafora që të befasojnë, duke dëshmuar për njeriun, kohën, shoqërinë, pasojat e politikës apo regjimit mbi to, shumë më tepër se sa krijimi i personazheve konkretë. Ky cikël tregimesh duket sikur janë pjesë e një romani me personazhe të çuditshëm si”kolla”(“vargu i kollitjeve u vu për udhë”), “nënsupa”, “i ftohti”, “qumështi pluhur”, “lexuesi i gazetës së partisë”(“Shumica ishin gra, shumicën e grave e përbënin plakat, shumicë së plakave do t’u lexohej shtypi i ditës”), “tualeti i katundit” (“Nuk kemi çfarë të hamë dhe nuk dalim fare jashtë”), “kokrrat e kafes”, “kokrrat e misrit”, “rrjedha e ujit”, “pëllumbi”, “cjapi”, “kumbulla” etj. Në tregimet e Bardhok Pulajt verifikohet ajo që thuhet se shpesh realitetit është më art se arti vetë, më fantastik se fantazia vetë, më paradoksal se paradoksi i krijuar nga fantazia e krijuesit.  Shkrimtarët janë me fat kur jetojnë apo zbulojnë këtë realitet. Duket si një art i gatshëm, si diamantet apo perlat që dalin rastësisht në sipërfaqe apo anash rruge. Por kjo nuk është e lehtë dhe jo kushdo mund të bëhet shkrimtar. Tregime të tilla, si këto të Pulajt, mund të qëmtohen dhe të servilen si letërsi vetëm nga njerëz që iu dhimbset njeriu, pavarësisht nga fati apo statusi, pavarësisht se sa poshtë ka rënë apo se sa poshtë e kanë vënë.Tregimet dhe novelat e Bardhok Pulajt të përfshira në këtë libër nën titullin thjesht “Tregime” duken si tregime të jetuara; ato janë të përcaktuara në hapësirë dhe, pak a shumë, përputhen me rrugën e jetës së autorit, ndonëse drejtpërdrejt apo edhe tërthorazi nuk rezulton të ketë implikime personale në kuptimin e jetës së autorit. Bardhok Pulaj ia ka dalë që të bëjë letërsi dhe jo si shumë amatorë që shpesh duan të evidentojnë vetveten në mënyrë banale. Poeti mund të rrëfejë vetveten, ndjenjat e tij, por shkrimtar i mirë është ai që rrëfen për të tjerët. Egoizmi iu shkon poetëve, por jo shkrimtarëve, ndonëse arti në thelb është dhuratë e egoizmit njerëzor. Tregimet dhe novelat e Bardhokut janë tregime dhe rrëfime që dalin nga fshati i tij, nga krahina e tij, nga rrëfenjat e vjetra dhe më të reja të krahinës së Mirditës. Merita e shkrimtarit është që këto kujtime dhe fakte historike t’i kthejë në letërsi me qëllim që të bëhen pronë artistike e të gjithëve, pavarësisht nga vendlindja e tyre apo e autorit. Bardhok Pulaj duket se ia ka arritur kësaj. Autori ia ka arritur të kapërcejë katundin, lokalitetin, krahinën, të kapërcejë fisin dhe vetveten, jo duke shkelur apo nënvlerësuar ato. Përkundrazi, duke i ngritur në art, në letërsi, iu ka shumëfishuar vlerat dhe referencat. Mbi të gjitha, ai shkruan si qytetar për fshatin, për katundet, për provincën, për kanunin dhe ndërgjegjen e frustuar.  Shumë autorë kanë përshkruar, për shembull, për ditën, më saktë natën e parë të martesës, por unë nuk njoh një rast kaq dramatik sa i këtij autori kur “nusja me fishek në pajë”, vajza me këmisha “shtatë shtat”  i thotë burrit të paracaktuar se nuk mund të jetë e tija, por e tjetërkujt. Shkrimtarët e Kanunit e kanë vrarë këtë grua, kurse dhëndëri i Pulajt e shpie nusen tek i dashuri i saj. Është për t’u vënë re se autori i këtij libri, jo vetëm në këtë rast, parapëlqen personazhet që “tradhtojnë Kanunin”, ndryshe nga një grup autorësh që, për t’u bërë interesantë, sidomos ndaj disa të huajve që duan ta shohin Shqipërinë si muze të së kaluarës,  shtojnë artificialisht “romantizmin” e veprave të tyre duke hyjnizuar tradita dhe sjellje anakronike. Një novelë interesante, që nuk e di pse më kujton romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”,  është novela “Toka e falur”. Një vlerë me vete e autorit është aspekti leksikor dhe frazeologjik, duke rifutur me sukses në përdorim dialektalizma apo duke krijuar edhe fjalë të reja.

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...