Mbi një shekull histori dhe dokumente tw reja mbi krimet greke në Çamëri
Çeshtja çame, 1820-1943
“Studimi i Blerima Sadikut plotëson një boshllëk në historiografinë e Çamërisë. Ajo, me përkushtim dhe ego shkencore, ka ditur të hedhë dritë në disa periudha të rëndësishme në historinë e Çamërisë, të cilat kanë qenë pak ose aspak të njohura, duke i bërë të ditur lexuesit pjesën e munguar të historisë së largët e të afërme të Çamërisë.”
Nga Hajredin Isufi, historian
Vepra studimore e Blerina N. Sadikut “Lindja e çështjes çame: 1820-1943” është i pari që u kushtohet në mënyrë tërësore dhe të dokumentuar disa temave pak të njohura në dije e shkrime. Menjëherë të bie në sy se kemi të bëjmë me një vëllim, i cili është rezultat i një pune serioze. Organizimi dhe parashtrimi i materialit i vjen në ndihmë lexuesit jo vetëm të ndjekë rrjedhën e ngjarjeve, por edhe për të përfytyruar në shkallë të gjerë zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në krahinën e Çamërisë për një periudhë më shumë se një shekullore (1820-1943).Kreu i parë i studimit mban titullin “Lufta e qeverisë greke ndaj komuniteteve të huaja”. Është një ndarje shkencërisht e domosdoshme për të hapur rrugën e një kërkimi të mëtejshëm. Që në vitin 1820 midis grekëve dhe etnive të huaja u hap një hendek i madh. Rezultati ishte se gjithë ata që nuk ishin në fe e në kombësi greke shpalleshin armiq e kundërshtarë të Greqisë dhe ndiqeshin, vriteshin e persekutoheshin me egërsi. Historia dëshmon se objekti i sulmeve të grekëve ishin shqiptarët, vllehët, hebrenjtë, sllavo-maqedonët dhe turqit e Thrakës. Këto komunitete filluan ta shihnin me armiqësi njeri-tjetrin. Më e dhunshme ndaj etnive të huaja ishte Greqia. Ajo synonte të krijonte një shtet kombëtar mbi një bazë etnike dhe nuk nguroi t’u mohonte ekzistencën etnive të huaja në shtetin grek. Greqia tendencën raciste ndaj komuniteteve të huaja në përgjithësi, të myslimanëve shqiptarë dhe hebrenjve në veçanti, e ktheu në platformë urrejtjeje, deri në shfarosje. Grekët brenda tyre donin vetëm llojin e vet. Autorja Blerina N. Sadiku në këtë kapitull sjell të dhëna me interes që i ilustron dhe me burime arkivore të huaja të papublikuara deri më tani. Në kapitullin e dytë trajtohet me hollësi “Çamëria në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881)”. Është hera e parë në historiografinë shqiptare që studiuesja e re i jep lexuesit dhe studiuesit shprehjen më të lartë të qëndresës së shqiptarëve në Çamëri në mbrojtje të trojeve të tyre nga lakmitë e shovinistëve grekë në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.Në kapitullin në vijim, që titullohet “Problemi çam dhe përpjekjet e patriotëve për zgjidhjen e tij në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920)”, autorja, Blerina Sadiku, hedh dritë mbi zhvillimin, drejtimin e karakterin e luftës politike të zhvilluara brenda dhe kryesisht jashtë vendit, nga patriotët shqiptarë për problemin çam gjatë Luftës së Parë Botërore e në kohën kur zhvillonte punimet e saj Konferenca e Paqes.Kreu i katërt dhe i fundit i librit mban titullin “Lufta për shkollën shqipe në Çamëri 1908-1943”, ku, gjithashtu, ndriçohet një prej nyjeve kyçe paraprirëse të luftës për shkollën shqipe në krahinën e Çamërisë. Ky është një prej kapitujve më të rëndësishëm në këtë vëllim për të kuptuar se sa përpjekje bënë rrethet patriotike çame për hapjen e shkollës kombëtare shqipe në Çamëri në vitet 1908-1940 dhe pengesat e vështirësitë që ata ndeshen. Mirëpo, sikurse del nga studimi i Blerina Sadikut, jo vetëm që rrethet patriotike çame në Paramithi, Margëlliç, Mazrek, Filat, Pargë etj., nuk iu nënshtruan veprimeve të dhunshme të qeverisë osmane e më pas të asaj greke, por, përkundrazi, luftuan me aq sa mundën të përhapnin në Çamëri shkrimin e librin shqip.Studimi i Blerima Sadikut plotëson një boshllëk në historiografinë e Çamërisë. Ajo, me përkushtim dhe ego shkencore, ka ditur të hedhë dritë në disa periudha të rëndësishme në historinë e Çamërisë, të cilat kanë qenë pak ose aspak të njohura, duke i bërë të ditur lexuesit pjesën e munguar të historisë së largët e të afërme të Çamërisë. Vepra e kësaj studiueseje na tregon se historia e dramës çame nuk mund të rishkruhet duke u mbështetur gjithnjë në ato burime që dihen e të njohura deri dje, por duke hulumtuar për burime të reja, për t’i sjellë lexuesit pjesët e munguara të historisë së asaj treve, që është e pasur me histori dhe figura të shquara.
Durrës, 28. 02. 2011.
Promovohet libri “Lindja e çështjes çame: 1820-1943” i Blerina N. Sadikut
“Çështja çame” në një monografi shkencore
“Sipas prof. dr. Pëllumb Xhufi, “libri “Lindja e çështjes çame, 1820-1943”, i studiueses së re Blerina N. Sadiku pasuron në një mënyrë origjinale historiografi në mbi Çamërinë, e cila, me gjithë botimet e shumta të këtyre njëzet vjetëve të fundit, vazhdon të mbetet deficitare në raport me interesimin e lexuesit e të vetë shkencës.”
Një monografi shkencore për Çamërinë në momentin e duhur, ilustruar me dokumente dhe dëshmi, shumica e të cilave publikohen për herë të parë. Shoqata "Çamëria" dhe shtëpia botuese "Naimi"-Shtëpi Botuese & Studio Letrare" organizojnë promovimin e librit "Lindja e çështjes çame: 1820-1943" të autores Blerina N. Sadiku. Promovimi u bë ditën e premte në mjediset e hotel "Tirana International", Tiranë. Mernin pjesë edhe personalitete të kulturës dhe politikës si profesorët Pëllumb Xhufi, Shaban Sinani, Hajredin Isufi, shkrimtari Sabri Godo, kryetari i shoqatës “Çamëria”, Artan Tane, kryetari i partisë së BDI-së dhe deputet në parlamentin e Shqipërisë Shpëtim Idrizi, kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Në aktivitet përshëndeti në emër të MTKRS, ministri Ferdinand Xhaferraj. Një grup profesorësh dhe studentësh të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, të prirë nga prof. Emil Kabashi, ishin, gjithashtu, prezent në provimin e monografisë për Çamërinë. Sipas prof. dr. Pëllumb Xhufi, “libri “Lindja e çështjes çame, 1820-1943”, i studiueses së re Blerina N. Sadiku pasuron në një mënyrë origjinale historiografi në mbi Çamërinë, e cila, me gjithë botimet e shumta të këtyre njëzet vjetëve të fundit, vazhdon të mbetet deficitare në raport me interesimin e lexuesit e të vetë shkencës. Ky libër, që përveçse është një akt i vërtetë dashurie i autores Blerina Sadiku ndaj tokës së të parëve të saj, është, gjithashtu, një shpalosje të vërtetash historike, nga ato që dikush do të donte të mbeteshin të fshehta e të panjohura përjetë.Ndërsa prof. dr. Shaban Sinani nënvizoi se “Blerina N. Sadiku e sheh lindjen e çështjes çame si pjesë të historisë së rindërtimit gjeopolitik të Ballkaneve pas daljes prej sundimit otoman; që pati kostot e veta të rënda tek popujt e hershëm, sidomos tek shqiptarët. Kjo është një çështje tejet e ndërlikuar, me implikime të drejtpërdrejta të fuqisë së traktateve ndërperandorake, të ndikimit të Fuqive të Mëdha, të historisë dramatike si u caktuan kufijtë e shteteve që u pavarësuan nga ish-perandoria osmane, deri tek marrëveshjet dypalëshe, të hapura e të fshehta, që kjo e fundit ndërtoi me shtetin grek, me qëllim që të garantoheshin interesat e tyre të përbashkët”. Për historianin dhe autorin e disa librave për çështjen çame Hajredin Isufi, “monografia e re “Lindja e çështjes çame” e Blerina Sadikut na tregon se historia e dramës çame nuk mund të rishkruhet duke u mbështetur gjithnjë në ato burime që dihen e të njohura deri dje, por duke hulumtuar për burime të reja, për t’i sjellë lexuesit pjesët e munguara të historisë së asaj treve, që është e pasur me histori dhe figura të shquara”.Autorja Blerina N. Sadiku, pasardhëse e një prej familjeve më të njohura të Çamërisë-familjes patriote Sadiku, duke falënderuar asistencën e profesorëve P. Xhufi dhe H. Isufi gjatë procesit të hartimit të librit, si edhe, më në fund, botimin cilësor të shtëpisë botuese “Naimi”, tha se interesimi për t’u njohur me historinë dhe dramën e Çamërisë është bërë pjesë e pandarë e jetës së saj, duke nisur me diplomën universitare të mbrojtur me temën “Diplomacia shqiptaro-greke ndaj çështjes çame 1913-1944”, e për të vijuar me këtë libër të ri që doli në qarkullim pas një pune të pandërprerë prej afro 5-6 vjetësh dhe pas një kërkimi dhe konsultimi të gjerë me dokumentet dhe literaturën në arkivat shqiptare, greke, italiane, gjermane etj.