Për librin e Gjekë Marinaj: ”Protonizmi: Nga Teoria në Praktikë”, Vizione Letrare
IMAZH I TEJDUKSHËM I MENDIMIT RACIONAL
“Ky studiues i një shije të hollë, i pajisur nëpërmjet shkollës amerikane, por edhe i vetëpajisur me një kulturë të gjërë të njohjes, dallohet për një fluks të këndeve të shikimit analitik, shijen dhe intuitën e kapjes dhe analizës, po më së shumti ai veçohet ndër studiues të tjerë, për teorinë e vet: “Protonizmin”, vënë edhe si fjalë drejtuese në titullin e librit.”
Nga Qazim D.Shehu
Poeti, studiuesi dhe përkthyesi Gjekë Marinaj, është i njohur për lexuesit dhe dashamirësit e letërsisë për shkrimet e tij, që përcjellin një analizë të qetë e të shtruar, po njëkohësisht edhe të thellë të dukurive e problemeve letrare, të cilat janë përvijuar e kanë marrë trajta në hapësira e kohë të ndryshme.Ky studiues i një shije të hollë, i pajisur nëpërmjet shkollës amerikane, por edhe i vetëpajisur me një kulturë të gjërë të njohjes, dallohet për një fluks të këndeve të shikimit analitik, shijen dhe intuitën e kapjes dhe analizës, po më së shumti ai veçohet ndër studiues të tjerë, për teorinë e vet: “Protonizmin”, vënë edhe si fjalë drejtuese në titullin e librit.Protonizmi i Marinajt sillet nga idetë e zbulimit të vlerave pozitive, si vlera të artit të vërtetë, duke qëmtuar pa lupën e një studiuesi pedant egocentrist, po në emër të zbulimit dhe inkurajimit të së mirës.Kjo nuk nënkupton mungesën e vështrimit kritik, as sensit realist, as mungesat e argumentave në të mirë të mbështetjes së tezave të shumta që ai hedh në tekstet e tij.Entuziazmi i kritës së tij nuk i përket një retorike horizontale, me lavdërime detyruese për lexuesin, po më së shumti ai mbetet një entuziazëm i natyrshëm që brumoset vetvetiu në lëmin e sjelljes së fakteve, detajeve, fragmenteve jetësore që ai shpalos për shkrimtarë të ndryshëm botërorë, kryesisht amerikanë, po edhe poetë të diasporës shqiptare.Gjekë Marinaj me dijen dhe intuitën e një studiuesi që nuk i njeh paragjykimet dhe klanet e paravendosura, merr në analizë autorë për të cilët ndoshta nuk është folur shumë, apo është folur pak.Kjo tregon, në optikën e tij se letërsia është tekst, shprehësi dhe forcë arti, nëse ajo përkohësisht do të ndikohej nga klanet apo nga njohjet, kjo do të ishte një lumturi e përkohshme për të, e, Marinaj është një studiues i tekstit.Çfarë e dallon më së shumti metodën hulumtuese dhe shtjelluese të tij nuk është zor të kuptohet.Ai e kap fenomenin në tërësinë e një kohe, inkuadron veprën në jehonën e saj ndër lexues, veçon çfarë të reje ajo sjell, ndërfut elemente nga jeta e autorit, asnjëherë pa harruar planin e qartë të ndërtimit konceptual të asaj që do thotë.Kjo metodologji, në kahun e saj protonik, bën që të aktivizohen ide dhe mbresa nga autori që përcillen me një stil t ë rrjedhshëm elegant, i cili nuk e bën kritikën e tij fraziste, po përkundrazi ajo grimcohet herë herë nga mendime intelegjente dhe nga një tis i hollë ndjenje dashamirëse që vjen vetvettiu nga leximi i veprave të mira, e nga letërsia serioze. Ai e ka parasysh thënien e Kadaresë se në tempullin e artit hyhet me dashuri dhe jo me urrejtje, një thënie që nuk është vënë re e as nuk është zbatuar nga disa shkrimtarë të sotëm të cilët kur flasin për letërsinë shqipe e mbajnë hapin vetëm te shokët e zborit dhe të konvikteve, dhe kujtojnë se duke servirur shembuj të tillë, ia kanë mbushur mendjen edhe të tjerëve. Zgjerimi i optikës së shikimit për rrjedhat e letërsisë, kur në skenën e saj ka vërtet emra të talentuar, është tregues i atyre njerëzve seriozë, të cilët e ndjekin letërsinë po edhe kanë shpirtin të pangarkuar me dogmën e anësisë.Marinaj i rrëzon mitet e krijuara nga psika socrealiste, strukturat e ngrira të hierarkive apriori, emrat që standartizohen për hir të fatit, përsëritjes së shpeshtë po edhe të komisioneve vlerësuese shtetërore, apo botuesve promovues, shumica e të cilëve nuk i lexojnë librat që botojnë, pa u nisur fare të rrëzojë ato, po më së shumti duke i harruar e duke mos i njohur këto praktika penguese që ndodhin tek ne.Kthjelltësia e gjykimit të tij, arrin të mbështetet e të sprovohet përmes analizës, e cila shtjellohet nga nisje vetëm letrare, sepse siç thotë Horaci:”Kur diçka e ke të qartë , fjalët vijnë vetë”. Po cilët janë autorët që merren në konsideratë dhe shtjellohen në libër.Ata vijnë nga letërsia amerikane si: Riçard Pauers, me romanin “Jehona e Kujtesës”, Toni Morrison, Ralf Ualldo Emerson, Frederick Turner, Emil Dickension, etj.Si një njohës i letërsisë amerikane autori zbulon vlerat e saj, natyrisht pa marrë përsipër të thotë shumëcka për të, po njëkohësisht duke pretenduar të thotë atë që duhet, në mënyrë që t`i sjellë dicka lexuesit mbi vlerën e kësaj letërsie e cila nuk mund të themi se është aq e panjohur me autorët si:Mark Tuen, Xhek London, Teodor Drajzer, Ernest Heminguej, Uollt Uitman , etj.Autori e di këtë ndaj orvatet të na sjellë autorë të rinj, po edhe të panjohur.Vështrimi i tij kalon në plane të një zbërthimi me pak faqe, pa i inkuadruar këta autorë në një vështrim të përgjithshëm të letërsisë amerikane, po gjithnjë duke synuar që të japë vlerat e tyre të vërteta. Nga gjithë shkrimet, padyshim, më i bukuri është ai për Emil Dickension, një shkrim i shkruar me sjelljen e detajeve jetësore nga jeta e poeteshës , e cila sa qe gjallë, botoi vetëm shtatë poezi, dhe poezinë e shkroi si mundi madje edhe në kartmonedha, shenjë e sigurtë se cfarë ndodh me poetët e vërtetë, të cilët shpirtin e tyre dinë ta shprehin pa marrë parasysh asnjë vlerë materiale.Detajet që autori jep, vëzhgimet e holla që bën, kujdesi i përzgjidhjes në servirjen e tyre, i bën këto artikuj të lexohen herë pas here si testamente poetikë, si vlera të njëmendta që nxisin fantazinë e lexuesit,sepse Marinaj esenë e tij e nis gjithnjë me një motivim nxitës, merr shkas nga ndonjë rast, e di ta shtjellojë me një sens mase që të kalojë lehtë , po jo pa gjurmë tek lexuesi.Për poeten Emily Dickinsion ai thotë:”Poetët nuk vdesin, ata kalojnë vetëm në orën e njëzet e pestë të ditës”Ky titull origjinal , pastaj përcaktimet që bën ai për poezinë në tërësi , si prelude poetike shërbejnë si një karrem i mirë joshës për ta parapërgatitur dhe futur lexuesin në një rrjedhë të rrëfimit dhe informimit si dhe analizës.Pothuajse në cdo shkrim Marinaj është i kujdesshëm që titujt të shprehin në esencë boshtin ideotematik të shkrimit, po njëkohësisht ato të të mbeten në mendje, e, kjo buron nga meraku po njëkohësisht edhe nga protonizmi i tij.Sot çdo poet e ka të nevojshme të njihet me sa më shumë përvojë të letërsisë botërore, aq më tepër kur në përcaktimin e Marshall Lohan bota është një fshat global.E në këtë globalizëm duhet parë edhe letërsia shqiptare, e cila, për hir së vërtetës po shkëputet nga jehonat e ideologjisë së dikurshme dhe po mundohet të kapë kuotat e mordernitetit permes mëvetësisë duke iu rikthyer letërsisë së vërtetë.Në këtë globalizëm dhe liri qarkullimi cilët janë shkrimtarët që që qarkullojnë lirshëm në shtjellën ciklonike të globalizmit çngjyrosës.Natyrisht ka, lexuesi mund t`i marrë me mend, po autorët që sjellë Marinaj nuk janë në radhët e para, e megjithatë ato që ai ka sjellë nuk duhen neglizhuar, sepse përbëjnë atë ikje të shkrimtarëve shqiptarë të cilët asnjëherë nuk e harruan identitetin e tyre, dëshirën për të shkruar, madje patën dhe kanë si temë temën e atdheut dhe të mallit.Këta janë përkatësisht, me ndonjë mungesë informacioni jashtë tekstit:Faruk Myrtaj, Ramiz Gjini, Agim Shehu, Luigj çekaj, Dalan Luzaj, Shefqet Dibrani, Naum Prifti, Rozi Theohari, Ndue Hila, etj.Janë poetët dhe shkrimtarët që iken në Perëndim për një jetë më të mirë, po jo për një letërsi më të mirë, sepse letërsia e mirë bëhet edhe pa ikur jashtë shteti.Autori nuk orvatet ta fshehë njohjen për to, madje këtë njohje e shteron aq sa e zotëron. Ai nuk i vështron ata në një zhvillim panoramik , po kjo hartohet, se vështrimi panoramik vjen si një kuptim i relativizuar, nga fakti i të gatuarit në një shoqëri që vuajti shumë drama dhe mungesa të panumërta.Nuk e kam informacioni se si e ndjejnë veten shkrimtarët e diasporës, në një mjedis të huaj, po kam përshtypjen se me mjetet teknike të informacionit do ta ndjejnë mirë, përderisa sot është e rëndësishme të mbash lidhjet e të mundësosh komunikimin me lexuesit shqipfolës.Si njohës i letërsisë në tërësi dhe i letersisë shqipe posacërisht, Marinaj nuk tutet të shprehë vullnetin po edhe guximin e tij pët t`i drejtuar syte edhe nga letërsia e Diasporës, një letërsi që po konturohet brenda një zgjerimi të tematikës jo vetëm me atdhe dhe mall, po me mjaft tema globale dhe ekzistenciale.Edhe për shumë kohë, gjersa këto krijues të ikin nga Shqipëria të shtrënguar prej halleve dhe derteve ekonomike, të detyruar për të gjetur një jetë më të mirë, kjo letërsi do të dallojë prej konturimit monotematik, një konturim që e përcakton atë si letërsi jashtë atdheut po që mbart tema brenda atdheut.Zakonisht atdheu shihet me syrin metonimik të përfaqësimit mosrealizues për shkak të regjimit.Gjekë Marinaj studion mirë rrethanat si u shkrua kjo, burimet e saj tematizuese, shqetësimin e heroit lirik, frymën përçuese dhe transparente të saj, pa u orvatur shumë të bëjë përcaktime të thella tekstuale, aq sa ia lejon kufiri i një artikulli reçensionues.Megjithate ai na bën me dije se një lexim është gjithnjë një tekst i hapur , i cili mund të lexohet jo vetëm në situate të ndryshme, por edhe nivele të ndryshme të kuptimit.Kjo është bukuria e tekstit dhe e letërsisë, veçse të mos harrohet se protonizmi i Marinajt na sjell reflekse dhe pahun e dashamirësisë intelektuale larg çdo lloj paragjykimi dhe prapamendimi ndjellakeq.Referencat janë të shumta, sidomos ato janë referenca jetësore artistike, po edhe referencat nga personalitete dhe krijues të botës, çka dëshmon për kulturën e gjërë të autorit që rri gjithnjë syçelë në spikamë të gjërave.Me protonizmin e tij ai arrin shumëherë edhe në glorifikime, çka është e natyrshme, brenda protonizmit dhe vërejtjet pothuajse mungojnë, duke na kumtuar se për një autor gjithmonë mbetet të thuhet ajo çka është më e mira, të tjerat kuptohen vetë, dhe këtë studiuesi nuk e bën për xhentilencë të tepruar, as për konformizëm, vetëm se kërkon të tregojë se duke studiuar e përhapur të mirën në art, artin si një vlerë njerëzore, rritet dhe përmasohet edhe shpirti jonë.Stili shtjellues, renditja e koncepteve, organizimi tërësor i ligjëratës kritike, janë për t`u marrë shembull në aspekte të gjëra komunikative që zotërojnë.Lënda kalon me reflektimin e saj ideotematik, përmes një shtjellimi të qartë konkret, të detajuar me shembuj mbështetës dhe të qepura mirë në kohë.Interesante janë shkrimet gazetareske të autorit. Edhe në këtë lëmë ai ka njohuri të mira. Njeh mirë rrjedhat e shtypit shqiptar në botë, që nga Athina në Nju Jork, ndjek me vëmendje çfarë shkruhet në të, përcjell lajme dhe evenimente kryesore, njëkohësisht nuk rri pa përmendur edhe se çfarë i duhet më shumë shtypit shqiptar sot.Ndonëse këto lloj shkrimesh zënë vend më pak ato mbeten intersante, lexohen si një gjë tjetërsoj nga analizat letrare.Marinaj tregon se është një studiues i zoti, këmbëngulës dhe në të shumtën e rasteve ia del të përcjellë informacion të ri për një lexues sat ë specializuar dhe të gjërë.Mënyrën se si ai rreshton informacionet, si analizon faktet, në çfarë përgjithësimesh relation me të vërtetat që i njeh, guximi për t`i thënë, e profilizon atë si një eseist të shkëlqyer, ekzigjen dhe këmbëngulës.Marinaj dshmon se për letërsinë ia vlen të shkruhet gjithnjë , për letërsinë e cila sjell kumte njerëzore,pë rata shkrimtarë që u ballafaquan me sfida në jetë, e,që veprën e tyre nuk e gatuan në dhoma komode po në shtjella të forta të një stuhie shpirtërorëe duke ecur rrugëve të vështira të fatit dhe emigracionit.Duke zgjedhur elementin biografik si burim për të hyrë në tekst, apo elementet kohorë, lëvizjet e ndryshme filozofike e kulturore per të spjeguar tekstet, Marinaj e adreson tekstin në një kohë të caktuar, çka është normale dhe e natyrshme,për të na dhënë më mirë fluksin e ideve dhe të mesazheve të qarta.Libri i autorit Gjekë Marinaj dëshmon për ngrohtësinë e shtjellimit, mprehtësinë e vëzhgimit, analizat e shtrira dhe interesante,është një libër që mund të lexohet me kënaqësi, gati si prozë artistike, çka ndihmon këtu edhe të qenit poet e autorit,edhe të qenit pedagog, lektor,si dhe njohës i letërsisë bashkëkohore amerikane, dheletërsisë bashkëkohore shqiptare e botërore në përgjithësi.