TEMPULLI I DIJES NË SYRIN E KRITIKËS LETRARE
XHELADIN MJEKU
Mbresa nga libri voluminoz “KRITIKA NDRYSHE – II”, e Fatmir Terziut
I. HYRJE NË TEMPULL
Kur merr guximin të futesh rrugës së gjatë dhe sfidimit prej vështruesit serioz në matjen e të gjitha barometrave dhe kaheve të zhvillimit të letërsisë në këto vitet e fundit, sidomos në periudhën e tranzicionit, ku u hapën mundësitë e daljes në skenën letrare dhe krijuese shumë emra të anatemuar, krijues të rinjë dhe sidomos krijuesit nga mërgata, që ishin të panjohur për opinionin lexues në trojet etnike, nuk ka dyshim se ke vënë vetes një sfidë. Këtë rrugëtim e nis me përkushtimin më serioz Fatmir Terziu, i cili ua hap portën këtyre krijuesve që të grumbulluar në një libër voluminoz me shkrime e analiza kritike dhe letrare për librat dhe rezultatet e tyre, bën që të kemi një njohje më të gjithanshme të shumë penave, që deri vonë ishin pothuajse enigmatik dhe fare pak të njohur.
Nisur nga ky supozim sikur fitohet përshtypja se po hapen portat e një tempulli të madh të njerëzve të veprimtarive të shumta kulturore, krijues të poezisë, prozës, kritikës, dramës dhe vlerave të mëdha letrare në përgjithësi. Triumfalisht do të shëtisim nëpër të gjithë kapitujt e këtij libri, për të takuar emra të shumtë krijuesish, veprat e të cilëve premtojnë në zhvillimin dhe lërimin e vlerave të qëndrueshme letrare dhe shkencore, në përgjithësi. Të takosh në një vend aq emra krijuesish, të njohësh veprimtarinë e tyre dhe të kesh një pasqyrim të përafërt për zhvillimet e krijimtarisë së tyre, është një vlerë e konsiderueshme për lexuesin e rëndomtë, por edhe për studiuesin e kësaj dege të letërsisë kombëtare. Të rralla janë rastet kur vijnë bashk krijues nga atdheu dhe mërgata, në numër kaq të madh, e që pasqyrojnë botën letrare në formën më të plotë. Këtë mundësi na e krijon Fatmir Terziu me librin e tij voluminoz “Kritika Ndryshe- vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II”, që tashmë disponojmë.
Që në fillim të këtij vështrimi kapim fijet e organizimit të librit, që i paraprinë Hyrja dhe pastaj vazhdohet me katër kapitujt që pasojnë: Kapitulli i parë–Kuptimi, efekti kontekstual dhe komprehensioni; Kapitulli i dytë–Diskursi, interpelacioni, metafizika dhe filozofia e fjalës; Kapituli i tretë–Poezia, raportet e saj me jetën, bashkëkohësia, triniteti dhe…cili është kuptimi i ekzistencës së saj, dhe Kapitulli i katërt–Përtej analizës, rrumbullaksojnë një material voluminoz për kahet e zhvillimit të letërsisë shqiptare këtyre dy dekadave të fundit. Libri shoqërohet me një bibliografi të pasur prej rreth 90 burime të ndryshme, që plotësojnë lëndën e shtjelluar, duke dhënë dëshmi të mjaftueshme për studimin e autorëve të përzgjedhur në libër. Edhe indeksi i emrave të përfaqësuar, si ndihmesë tjetër janë udhëzuesit e gjetjes së emrave të përfaqësuar brenda kopertinave të librit voluminoz dhe të ndërtuar me përkushtim “Kritika Ndryshe- vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II”, të Fatmir Terziut, - studim kritik mjaft tërheqës, që zë një vëllim prej afër 500 faqesh.
“Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” është vepër që i plotëson nevojat e lexuesit të njoh gjithë materjen e përmbledhur aty, një ndihmesë e mirë për të mësuar për angazhimet e Terziut në organizimin dhe ndërtimin e një vepre studioze. Nga ky prizëm mund të konkludohet se, në materjen e kësaj vepre shkencërisht të realizuar mund të vëzhgosh e kuvendosh lirshëm me të gjitha format e shtjellimit dhe problematikat që kap në analizimin e veprave të nduarnduarta letrare. Kjo vepër, realisht me plotëkuptimin e fjalës, është studim i mirëfillt dhe më ndryshe se që jemi mësuar të takojmë në raste të shumta; e shkruar më ndryshe se në rastet e rëndomta në fushën e kritikës letrare shqiptare.
Konteksti i kësaj përgjigjeje është organizimi dhe shtjellimi bashkëkohor në kritikë dhe analizë të veprës letrare, bazuar në psikanalizë. Kjo është veçanita e këtij libri studimor, ku përfshihen autorë shqiptarë në prozë dhe poezi, që premton një pikënisje në kritikën ndryshe, me mënyrën e shtrimit të problemeve rreth kritikës letrare.
II. PERSONIFIKIMI I FIGURAVE TË HARRUARA DHE VLERAT E PAKONTESTUESHME
Që në fillim hetohet përfshirja e një numri të konsiderueshëm emrash që ishin pjesa e harruar apo fare pak e njohur në qarqet letrare këtu tek ne, duke aluduar në pamundësinë e ndjekjes së hapit me shpejtësinë e daljes në opinion të shumë emrave të rinjë, sidomos në dy dekadat e fundit të tranzicionit të vendit. Brengosëse është edhe fakti se përzgjedhjet e mëhershme të shkrimtarëve të brezave të mëparshëm kishin mbetur si pjesa obligative e mësimit të letërsisë, kurse komisione të reja për të ndryshuar gjendjen, duke përfaqësuar edhe emra të rinjë që kanë bërë emër dhe vlerë të qëndrueshme në letrat shqipe nuk kanë nxjerrur në dritë asnjëherë deri tash.
Elita krijuese letrare në hapësirat shqiptare e prezantuar këtu edhe me një qëndrim serioz të kritikës letrare është shembull i mirë se ka ikur koha e personalizimit dhe e interpretimit të kufizuar si parapëlqime të grupeve dhe individëve të caktuar nga qarqet pushtetore dhe të sferës së politikave organizative të kulturës.
Në librin që po shqyrtojmë “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” të Fatmir Terziut takojmë një aradhë të tërë autorësh në gjini të ndryshme shumë të njohur, më pak të njohur apo të rishfaqur në hapësirën mbarë kombëtare, të rinj e të moshuar, nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga mërgata, që krijojnë në prozë dhe poezi, si Ismail Kadare, Zija Çela, Halit Shamata, Izet Shehu, Pëllumb Kulla, Agron Tufa, Agim Shehu, Klara Buda, Puntorie Muça-Ziba, Vilhelme Vranari-Haxhiraj, Vullnet Mato, Dhimitër Xhuvani, Thani Naqo, Kujtim Agalliu, Halili Jaçellari, Myrteza Mara e ndonjë tjetër, dhe në poezi, si Isuf Luzaj, Agim Gjakova, Preç Zogaj, Iliriana Sulkuqi, Zyhdi Dervishi, Moikom Zeqo, Zejnepe Alili-Rexhepi, Arian Leka, Anton Çefaj, Skënder Rusi, Nehas Sopaj, Sazan Goliku, alias Pandeli Koçi, Ndoc Gjetja, Ramadan Musliu, Skënder Hasko, Vojsava Nelo, Din Mehmeti, Iliaz Bobaj, Lindita Agolli, Mujo Buçpapaj, Ndue (Tomë) Ukaj, Medije Vraniqi, Vangjush Ziko, Abdylazis Islami, Agim Spahiu, Bajame Çeliku-Hoxha, Petraq Risto, Uran Kostreci, Rahmi Tuda, Sotir Lashova, Julia Gjika, Albana Mëlyshi-Lifschin, Kostaq Duka, Sherif Bllaca, Dritan Buna, Ylber Merdani, Elinda Marku, Gëzim Llojdia, Merita Bajraktari-McCormak, Selman Lokaj, Xhevat Latifi, e ndonjë tjetër, nduarnduarshmëria e krijimtarisë letrare të të cilëve përbën një thesar të çmueshëm në fondin e letërsisë shqiptare, që krijohet këtyre dekadave të fundit.
Objekti i studimit për krijimtarinë e shumë krijuesve të Letërsisë Shqiptare, për probleme të caktuara, të veçanta dhe të dallueshme nga njëra-tjetra shërbejnë si modele të të arriturave në letërsinë bashkëkohëse shqiptare nëpër dekada. Autori i studimit ka përzgjedhur midis shumë prozatorëve dhe poetëve, disa krijues shumë të përveçëm, për të cilët ka ndërtuar nga një pasqyrë në disa plane letrare me vlera për letërsinë që po krijojnë, e që deri më sot kanë munguar, ose është folur fare pak për ata. Vlerësuar në specifikat e gjithësecilit autor, ata konsiderohen si modele të sukseshme në fusha të veçanta të letrave shqipe dhe natyrshëm të letërsisë sonë kombëtare.
Nga këto fakte libri plotëson nivelin e vlerave të studiuara dhe të gjetura te krijimet e larmishme të autorëve, ku struktura e tij bëhet sa e larmishme dhe interesante, aq edhe e dobishme për studimin e krijimtarisë shqiptare në vazhdimësi.
III. LABIRINTHET E BOTËS IMAGJINATIVE
Periudha kohore e përfshirë në shkrimet kritike të Librit “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” përfaqësohet të shumtën në dy dekadat e fundit dhe nis me shqyrtimin analitik të termave modernizëm dhe pasmodernizëm, të cilët janë ndër termat më të debatueshëm edhe në dekadat e mëparshme, jo vetëm në mesin e studiuesve në fushën sociologjike, historike e filozofike, por edhe në ato letrare dhe artistike, veçanërisht. Me përkushtim prej profesionisti të kualifikuar Fatmir Terziu nuk ndalet në konstatimet përgjithësuese për modernizimin dhe pasmodernizmin, por vazhdon rrugëtimin e tij studiues në analizat konkrete në fushën e letërsisë, duke konsultuar edhe mendimet e studiuesve më të afirmuar perëndimorë në problematikën e pasmodernizmit në letërsi. Fatmir Terziu i qaset shqyrtimit analitik të proceseve, dukurive e risive letrare në gjuhën shqipe, duke konsultuar gjithnjë me kujdes literaturën më bashkëkohore dhe duke u bazuar në përvojën teorike të vendeve më të përparuara të perëndimit. Që në faqet e para të këtij libri mësojmë se autori njeh dhe përdor me saktësi literaturën bashkëkohore që i shërbenë si instrument studimi dhe shqyrtimi analitik të dukurive e risive letrare në prozë dhe në krijimtarinë poetike.
Poashtu harmonizimi i natyrshëm i pikëvështrimeve teorike të studiuesve dhe shkrimtarëve të vendeve të tjera me ato të autorëve shqiptarë është një tjetër dëshmi prej studiuesit me formatin më të kompletuar të ngritjes profesionale dhe të përkushtimit për studime cilësore sa më të argumentuara. Një gjetje tjetër në masë të konsiderueshme tek autorët e shumtë shqiptarë në studimet e Terziut është edhe lidhja qenësore e arritjeve më të veçuara të tregimtarisë shqiptare të ditëve tona jo vetëm me rrjedhat përkatëse të modernitetit, por edhe me nektarin e papërsëritshëm të gurrës tregimtare të krijimtarisë folklorike të shqiptarëve, që lehtëson komunikimin e saj me një rreth më të gjerë lexuesish shtresash e interesimesh nga më të ndryshmet.
Librin e Fatmir Terziut “Kritika Ndryshe - Një vëzhgim në brendësi të prozës e të poezisë shqipe-II” me plotë të drejtë, mund të konkludojmë se është një vepër e mirëfilltë studimore, që ka si objekt studimi: Postmodernizmin, Funksionin estetik, Artin e fjalës, kritikës letrare, etj. për të vlerësuar veprat letrare; pastaj leximi i kujdesshëm i poezisë dhe mënyra gjithëpërfshirëse e saj në vrojtimin e analizës komplekse bashkëkohore.
Në një mendim përmbyllës të këtij analizimi, veç të tjerash, evidentohet çështja thelbësore, të themi përmbajtja artistiko-shpirtërore e krijimtarisë poetike të çdo krijuesi, poeti ose poeteshe që fiksohet me objektivin vrojtues të Fatmir Terziut.
IV.MESAZHI OSE TEMPULLI QË RREZATON DIJE
Këtë nëntitull do ta kisha vënë që në krye të shkrimit me besimin se paraqet mjaft bindshëm dhe sigurtë gjithë qëllimin që ka kjo vepër voluminoze. Mesazhi i gjithë kësaj sikur përmbyllet me vështrimin e lëndës së prezantuar këtu, aq më shumë kur takojmë një laryshi autorësh dhe tematikash të prezantuara me pedantëri dhe seriozitet nga autori. Mund të flitet gjatë për vlerat dhe rëndësinë e veprës, por një çështje është mbase e vërtetë në këtë rast. Nëse në mësimet parauniversitare përcaktimi për lekturën e domosdoshme është i rregulluar me normativa pedagogjike, në fushën e studimeve albanistike, e veçanërisht për letërsinë, do të ishin me interes tituj shkencërisht të dëshmuar si ky i Fatmir Terziut të preferoheshin si obligues për tu lexuar, qoftë si literaturë e mirë studimi, qoftë si libër-lekturë e llojit të veçantë, ku takon brezat e krijimtarisë moderne në një kulm të fuqishëm dhe meritor. E them këtë nga bindja se një vepër si kjo sikur të shpie në një bibliotekë të përzgjedhur, ku asnjëri nga autorët nuk të lëshon t’i ikësh përballjes me të arriturat dhe vlerat e krijimtarisë së tij.
Fatmir Terziu i ka përmbushur me një përkushtim të admirueshëm kriteret e hartimit të një libri të përmasave të gjëra shkencore në nivelin ndërkombëtar, duke njohur mirë letërsinë kombëtare dhe botërore, paisjen me një kulturë të gjerë, një formim enciklopedik, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë analiza dhe përqasje me të vërtetë bindëse me krijimtarinë e autorëve vendës dhe të huaj, duke gjetur edhe pikëtakime përkatëse në këndvështrimet e tyre, prandaj me të drejtë vlerësojmë se ka arritur të vërë në dorën e lexuesve një vepër me nivel të lartë shkencor. Me punën e palodhshme për një periudhë të gjatë kohore që ka përballuar për përgatitjen dhe botimin e kësaj vepre të vëllimshme, autori ka manifestuar, para së gjithash, një respekt të thellë ndaj vetvetes, si një intelektual me horizont të gjerë.
Në letërsinë e sotme, siç do të theksonte edhe vetë autori i librit Fatmir Terziu, ka prurje të shumta letrare që ka nevojë të studiohen dhe të seleksionohen më tutje. Gjithnjë duke iu referuar mendimit të tij, shfaqja e mendimit të plotë, pa rezerva në letërsi, krijon tablon e plotë të një krijimtarie të re, ku krijuesi duke analizuar të djeshmen, duke jetuar të sotmen me problematikat e veta, jep mesazhin e së nesërmes.
Kritiku Fatmir Terziu me këtë vepër të vëllimshme studimore, dhe me librin paraprak të po kësaj natyre dëshmon se në Shqipëri dhe gjithandej kah krijohet letërsia shqiptare, tash pas daljes nga anonimiteti i periudhës së izolimit tejet të gjatë, po rilind letërsia moderne, për të cilën autori jep mjaft shembuj dhe vlerësime nga kritika bashkëkohore në botë, si krahasim i ndërsjellë i arritjeve të suksesshme dhe vlerash të pakontestuara, që gjithnjë e më shumë janë mirëpritur edhe në vendet tjera, ku janë prezantuar, qoftë si përkthime, apo si krijime në gjuhën e vendeve ku jetojnë e krijojnë autorë të etnisë shqiptare.
Në kontekst të një vrojtimi të këtillë konsideroj se ky është një përparim i suksesshëm i kritikës letrare shqiptare, duke iu falënderuar entuziastëve të kalibrit të Fatmir Terziut, me synimin e përafrimit me standarde më të përparuara të kritikës bashkëkohore.