2011-08-07

CIKËL POETIK EROTIK NGA IZET SHEHU

image Izet Shehu




MBI QERPIKË


Mbi qerpikë të ndenja mbrëmë,
Flutur dritë pa u ndierë.
Diç po flisje, shuar zënë,
Psherëtimë e fllad përzierë.

Bëj të hyj,
S’më la qerpiku
Skrop i zi si bajonetë.
Iku gjumi … koha iku,
Ëndrra si dëborë u tret.

Mbi qerpikë të ndenja mbrëmë,
Më ke ndierë a s’më ke ndierë?
Ndryshe,
S’do e shuaje zënë,
Flatër fluture në erë.





MËKATARI

Ç’i bëra vetvetes ah ç’i bëra,
Duro e duro dhe u dogja e tëra!

I ndeza nepset, i bëra zjarre,
Të ngrohen të pastrehët mbi kodra e male.

I mblodha  premtimet dhe i treta larg,
Jam e ve e gjora e përzhitur në flakë.

Dhe qava dhe s’qava mbi varrin e burrit,
Gjersa me lotë i lava pllakat e qivurit.

Por më s’durova, më vrau sy i keq,
U bëra shtojzovalle, u zhvesha për dreq.

Pastaj më erdh djalli, më ngriti në krah:
Të vdekurit janë të vdekur, lëri mos i nga!

I mbodha betimet, i dogja të tëra,
Ç’i bëra vetvetes, ah, ç’i bëra!

Dhe kjo që rrëfeva më zgjati tri ditë,
Mëkatar qe djalli, ai qe i lig.




KËRKOMË

Nëse je diku, përtej,
Ti, eja,
Kur të zbresë mbi kodër reja,
Aty, ku e ndjemë së pari,
Se bota nuk është si varri.

Ku u bëmë zjarr e shkuar zjarrit,
Nën ulli, ku heshtte bari.

Nëse je diku, përtej, kërkomë!
Maj i vitit ’63,
Muzg i vonë.

Çomë një lajm’ e çomë një zë!
Do të më gjesh,
Ke për ta parë,
Edhe po të jem në varr.



E HARRUAR


E egër, e verbër, e zezë,
Pelë e vjetër e harruar,
As të blejnë dhe as të shesin,
As të duan për të shaluar.

Në livadh e lënë mënjanë,
Mallkon fatin tënd shafran.

E egër, e verbër, besëthyer,
Gjysmëpelë e gjysmë grua,
Në livadh si centaur
Ëndërron kohën e shkuar.

Pelë e vjetër,
Pelë e zezë.
S’duron as në varrezë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...