POEZIA SI AKT I QËNDRESËS DHE I PËRKUSHTIMIT ATDHETAR

image Besim MUHADRI




Mr. Besim MUHADRI:

  

        (Në vend të parathënies)


          Poezia e Brahim Avdylit erdhi në një kohë kur në artin poetik të Kosovës kishin shpërthyer edhe një numër krijuesish të talentuar, si Basri Çapriqi, Tahir Desku, Sali Bashota, Abdullah Konushevci, Milazim Krasniqi etj., të cilët sot janë bërë emra të shquar të letërsisë së gjithmbarshme shqiptare, jo vetëm si poet, por edhe si studiues dhe historianë letërsie.
          Ndonëse që në moshën e hershme të rinisë i mërguar larg vendlindjes, larg atdheut, poeti Brahim Avdyli asnjëherë s’pushoi së krijuari dhe së vepruari si poet dhe si atdhetar. Në poezinë e tij, jo rrallë, ndihet pesha e mungesës së atdheut. Ai është i ngërthyer nga malli, dhimbja, por edhe vetmia dhe kujtesa që përshkohet nga një shqetësim përmanent, i cili më pas shkrihet në artin poetik të këtij poeti. Shpirti dhe mendja e poetit të mërguar, është e lidhur fort në idealin e çlirimit të atdheut dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në fillim të shekullit të kaluar (XX).
          I preokupuar vazhdimisht me këtë çështje, nuk është çudi se në pjesën dërrmuese të krijimeve të këtij poeti dominon tema e madhe e Atdheut, tema e mungesës së lirisë dhe tema e çlirimit. Poezia e Avdylit na del edhe si një poezi kushtrim, një poezi në të cilën dominon ideja e atdhetarizmës, ku sublimon ideali i lartë për një atdhe pa ndarje, në të cilën shqiptari do të jetonte me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tij të mohuar.
        Mërzia e këngës së shkruar larg atdheut

          Sa të thjeshta, aq edhe komplekse, vargjet që ndërtojnë poezinë e Brahim Avdylit brenda vetes bartin një mesazh të fuqishëm poetik dhe atdhetar. Thjeshtësia dhe  kompleksiteti i vargut të këtij poeti vërehet që në poezinë e parë me titull Opingave të mia, e cila i paraprinë librit të tij të parë “Nën hijen e Alpeve”. Poeti nuk mërzitet për atë që do të thonë poetët më me përvojë për këto vargje, të cilave “u vjen erë djerse e balte”, sepse ata, siç thotë ai “le të kërkojnë nëpër libra  fjalë të mëdha”. Pra, siç shihet, kjo poezi shpalos “programin poetik” të Brahim Avdylit, i cili e merrr frymëzimin nga thjeshtësia dhe nga dlirësia e maleve të vendlindjes, përkatësisht nga Alpet e bukurua shqiptare, rrëzë të cilave shtrihet vendlindja e poetit. Këtu shihet ndikimi i poetit të Devollit, apo i “poetit të tokës”, siç është vlerësuar nga kritika letrare Dritëro Agolli. Ashtu si Agolli që “merrte me vete baltën e Devollit që ta sillte në Lidhjen e Shkrimtarëve”, ashtu edhe Brahim Avdyli merr me vete erën e djersës së punës dhe të baltës së Alpeve, për ta futur në poezinë e tij, sepse ai ishte i bindur se kjo do ta shpiente drejt suksesit, drejt cakut që synonte. Kjo do të thotë se poezia e Avdylit është një poezi e krijuar nga forca e tij origjinale krijuese.
          Autenticiteti krijues e këtij poeti bën që vargu i tij të tingëllojë bukur, thjesht dhe shqip:

          le të na pranojë kjo tokë
          ku hapin e lëshojmë pa drojë
          me estetikën tonë kryeneçe

shprehet poeti, pa çarë kokën nëse do ta pranonin apo jo poetët e tjerë pararendës.
          Shqetësimi poetik i Brahim Avdylit është permanent. Vargu i tij tejet komunikues, është një varg i brumosur nga një figuracion i qëlluar poetik, në të cilin fshihet metafora e kërkimit të lirisë dhe ajo e çlirimit të tokës së tij, e kësaj pjese të gjakut të tij. Vargjet poetike të Brahim Avdylit, që nga libri i tij i parë, janë vargje që tingëllojnë qartë dhe që kanë mesazh dhe “mision” të caktuar: Atë të komunikimit me masën për të cilën shkruan. Poeti nga vargjet e tij kërkon trasnparencë. Kjo kërkesë nga krijuesi i tyre na del edhe si lutje që  duhet të “zbatohet”:
                    
          A mund të komunikoni gjë me njerëzit
         unë dhe koha ju gjymtojmë ngapak –
          pjesët e copëtuara veç unë ua shoh

          Për poetin vargjet “të cilave vetëm ai ua njeh pjesët e gjymtuara” janë torzo e shpirtit të tij, të cilat, si të tilla, e lëndojnë në shpirt, ngase nuk mundet t’ua falë bukurinë, për shkak të së vërtetës së hidhur, për shkak të një realiteti të njohur kohor, shoqëror e historik:

          Kështu siç ju shoh
          vetëm mua më lëndoni në shpirt
          pse s’ua fala bukurinë –
          e vërteta është e hidhur si vetë ju!
                               
          Në poezinë e Brahim Avdyli haset pikëllimi, përpjekja, vetmia dhe harrimi:

          Faqeve të biblës së re
          harrimi pikturon fytyrën

          mendimet rrjetë marimangash
          bardhësitë dergjen në vetmi

          Poeti, në këtë rast është një vrojtues i përkushtuar i asaj që ngjan në brengën e kombit të tij, të shtërnguar si asnjëherë më parë nga prangat e ndryshkura të mesjetës. Kjo e bën poetin më të shqetësuar, me këmbëngulës në kërkimin e rrugëve që të shpiejnë kah liria e atdheut. Por nëpër këto rrugë ka vështirësi dhe pengesa që trupit të atdheut i bëhen gangrenë. Poeti i kthehet historisë, në të cilën fshihen tragjeditë e mëdha që vazhdojnë të përseriten në formë legjendash.
          Në trupin e atdheut të poetit gangrena bën kërdinë. Lëndinat e lotëve rriten nëpër shekuj, derisa gjaku ynë mori botën në sy. Shpërngulja dhe braktisja e atdheut është një shenjë që tregon për tragjeditë që kishin pllakosur vendin e mbushur erozion. E gjithë kjo kishte ardhur për shkak të rënies në robëri të gjatë, qindravjeçare. Poeti është i vetëdijshëm për këtë, ndërsa koha kur ai “rrëfente” për këtë tragjedi ishte në kulmin e shtypjes. Poezia që trajton këtë temë (Përtej malesh), është një poezi e shkruar në vitin 1980, vetëm pak kohë para demonstratave të vitit 1981, të cilat siç dihet shënuan një kthesë të fuqishme në historinë më të re të shqiptarëve që në atë kohë jetonin nën ombrellën shtypëse të perandorisë jugosllave. Në këtë poezi vërehet guximi intelektual dhe krijues i një njëzet-vjeçari. Shfaqja me kaq vrull dhe guxim të papërmbajtur ishte një shenjë që në letrat tona po shfaqej një krijues që nuk do të ndalej, i cili në letërsinë tonë do të shënonte kthesa.
          “Poezia e Brahim Avdylit, në radhë të parë, imponohet si poezi që sintetizon një përvojë të poezisë së përparshme, dhe, këtë arrin t’ia nënshtrojë individualitetit të vet prej krijuesi, sa nga ajo të nxjerrë një dimension të ri, përmasën e aktualitetit poetik”, do të shkruhej në kritikën e kohës, në kohën kur poeti ende nuk kishte dalë me libër,  por që ishte prezent vazhdimisht nëpër faqet e periodikut letrar të asaj kohe.
          Në këto kohë poeti shkruante dhe prekte atdheun nga larg. Si kurbetçar që ishte, ai e kishte të vështirë t’i shpëtonte mungesës së atdheut, qoftë edhe të robëruar. Kjo vetmi dhe mërzi, gati të shndërruar në klithmë mosdurimi, reflektohet edhe në poezi:

          zgjas duart të të mbërrij –
          gishtave të mi
          pikon vetmia  
          heshtja vret fjalën e pathënë mbi buzë- 

          Larg atdheut poeti digjet dhe fiket si qiriu. Dielli në dhe të huaj ishte i akullt. Poeti i ri tashmë po përballej me të vërtetën e hidhur. Atë që e kishte mësuar dikur në literaturë, tani po e shijonte në shpirt e trup:

          ka diell në botë
          që ndrit e nuk të nxen...

          Këto vargje të përngjajnë në një klithmë të dhimbshme që jehon e nuk dëgjohet, në rrugën “që të merr e nuk të kthen”. Megjithatë, rrugëtimi i poetit vazhdon. Forca e thirrjes së vendlindjes është më e fuqishme se sa forca e ndalesës së gjatë. Poeti kthehet në atdhe, në tokën “me plis të bardhë”, ashtu si heronjtë e baladave të moçme, që të ngjitet shkallëve të gjakut, me historinë e fjalës së kuqe dhe baladën e dashurisë së zhuritur.
          Poezia e librit të parë poetik të Brahim Avdylit, “Nën hijen e Alpeve”, është një poezi plot mërzi kënge që shkruhet nga largësia. Në këtë mërzi largësie, të quajtur mërgim, poeti krijon vargje që të kujtojnë një poet në formim. Edhe pse të shkruara me zjarrin djaloshar të poetit të mërguar, ato janë vargje plot estetikë dhe meditacion poetik, që e bëjnë një poezi të qëndrueshme për kohën dhe reflektuese edhe për kohët që do të vijnë. Ndërkaq, libri i parë u mirëprit edhe nga ana e kritikës letrare. Njëri nga kritikët dhe bashkëkohësit e poetit, Milazim Krasniqi, në mes tjerash do të shkruajë: “Poezia e Brahim Avdylit më shumë është projektim i realitetit të jetuar, reagim gati spontan i tij si subjekt krijues ndaj gjendjes e situatave jetësore ekzistenciale sesa kërkim pas formave të realizimit të objektit të imagjinuar në tekstin poetik e karakterizon një notë e theksuar subjektive personale, por edhe një lirizëm efektiv, i cili  e faktorizon unitetin ideo-stilistik të tekstit si tërësi".

         
        Buka e kuqe dhe brumi i lirisë

          “Brumi i lirisë” është titulli i poemës në të cilën poeti shkruan kundër dhunës,  politikës hegjemoniste dhe diskriminuese të Serbisë. Me një fjalë, kundër terrorit shtetëror dhe krimeve të pafalshme të Jugosllavisë që ushtronte mbi popullin shqiptar. Aspak nuk janë të rastësishme edhe fjalët dedikuese, në të cilat poeti thotë se ia kushtoj të gjithë atyre që u sakrifikuan dhe u flijuan në altarin e lirisë.
          Në vragjet e kësaj poeme, ashtu sikurse edhe në vargjet e shumë krijimeve të tjera të këtij autori ndihet pesha e vuajtjeve gjatë atyre ditëve të rënda që ranë pamëshirsshëm mbi shqiptarët e pambrojtur, tek të cilët sa vinte e rritej revolta e mosdurimit dhe vetëdija për të hequr zgjedhën e robërisë së gjatë:

          Helmi i tyre
          terapi e pazkontë-

          sa shumë ta shtuan dozën
          në palcën e durimit
          rezistenca, qëndresa të rritej

          Popeti, Kosovën, në brumin e ditëve të të cilës shtrigat vjellin helmin e urrejtjes, e koncepton si një “bimë që s’vyshket” dhe një “trung që s’thahet” apo edhe një “fjalë e pathënë gjer në fund”. Në trupin e atdheut poeti sheh plagë të panumërta dhe dhembje kënge . Poema “Brumi i lirisë” është një sintezë e fuqishme e një kohe, nëpër të cilën vërtitet fati i atdheut të poetit dhe i njerëzve të ndrydhur të tij. Ajo është një reprodukim real i gjendjes në Kosovën e viteve nëntëdhjetë të shekullit XX, të arritur gati në zgripcin e zhbërjes së saj.
          Për poetin si një vrojtues besnik i atyre ngjarjeve, por edhe si një luftëtar i denjë i kauzës kombëtare “Kosova e thotë fjalën /pa iu dridhur buza/ dhe vdes/ te këmbët e mendimit të vet/ si para lterit”. Ndërsa të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë - shkrinë ngjyrën e gjakut me brumin e ditëve që po vijnë, që të gatuajnë me tërë qenien Bukën e Kuqe të Lirisë.

        Refleksioni i shpresës së rizgjimit kombëtar

          Në vitin 1992 Brahim Avdyli botoi vëllimin poetik me titull “Kur zgjohet Dodona", një libër që vjen pothujase dhjetë vjet pas botimit të librit të parë. Ndonëse ishte shkruar shumë më herët dhe ofruar për botim po ashtu shumë vite më parë, ai arriti të shohë dritën e botimit vetëm në këtë vit, kur në skenën kombëtare dhe ata ndërkombëtare kishin ndryshuar shumë gjëra. Muri i Berlinit tashmë kishte rënë, por kishte rënë edhe regjimi komunist në Shqipëri. Federata jugosllave po ashtu kishte filluar të zhbëhej, ndërsa në hapësirën e kësaj perandorie, të quajtur edhe si burg i madh kombesh, kishin filluar luftërat. Autonomia e Kosovës po ashtu ishte suprimuar, ndërsa vendi kishte rënë në një shtypje dhe pushtim klasik të Serbisë dhe regjimit kriminal të Millosheviqit.
          Ndonëse poezitë ishin shkruar vite më parë dhe për shkak të arsyeve subjektive libri nuk ishte botuar, shihet se poezitë e këtij libri janë të përshkuara nga sekëlldia e mërzisë dhe e mallit për atdheun. Poeti ende është larg atdheut dhe në vargun e tij gjithmonë mungon apo mbetet diçka e pathënë. Ai tashmë kishte zgjedhur të shkruante për një diçka që i kujtonte historinë e harruar dhe të nëpërkëmbur siç ishte Dodona. Për këtë qendër të rëndësishme kulti, ndër më të vjetrat e pellazgëve, e shkatrruar dhe e humbur gjurmësh me shekuj të tërë, për të cilën kishin shkruar shumë autorë të lashtë, që nga antikiteti e këndej. Brahim Avdyli i kthehet kësaj teme të madhe, e cila mund të konceptohet edhe si tema e rizgjimit të kujtesës sonë historike. Tema e Dodonës dhe e zgjimit të saj nga legjendat e mbuluara nga pluhuri i harresës, është një nga temat rrallë të trajtuara në atë kohë, prandaj Brahim Avdyli mund të konsiderohet ndër të parët që trajtoi këtë temë, apo i cili iu rikthye trajtimit të saj. Kthimi në temën e zgjimit të Dodonës, ngërthen në vete rikthimin në tema me rëndësi në një kohë relevante të historisë sonë.
          Përmes metaforës së zgjimit të Dodonës, poeti shpërfaq simbolikën e lirisë së humbur dhe atdheut të nëpërkëmbur. Poezitë e vëllimit poetik “Kur zgjohet Dodona” janë poezi që të ngjallin asociacione të larmishme artistike. Trajtimi i temave të veçanta, përzgjedhja e figuracionit poetik si dhe guximi prej poeti tashmë të formuar, janë elemente që shoqërojnë në vazhdimsi poezitë e këtij vëllimi. Poeti është në kërkim të asaj që është zhdukur dhuntisht nga të tjerët, për të fshehur një të vërtetë të madhe, siç është përcaktimi i etnogjenezës së shqiptarëve:

          Që shtatë shekuj shtoj e heq
          Të njëjtën Dhembje, Shpresë

          Apo:

          Bota! Fjalë absurde bota!
          Shpeshherë më doli si dredhë për ty

          Dhe pyet:

          Athua
          pas sa dredhash do të dalësh në dritë

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)