2011-08-07

“Athinë – Tiranë, ditari i krizave”

 

image Robert Goro


Toena hedh në qarkullim librin e gazetarit të njohur Robert Goro,
 “Athinë – Tiranë, ditari i krizave”

Shtëpia botuese Toena hedh në qarkullim librin e gazetarit Robert Goro, “Athinë – Tiranë, ditari i krizave” (Shënime për marrëdhëniet greko-shqiptare në vitet 1993 – 1996).

Në faqet e këtij libri autori u hedh një vështrim analitik ngjarjeve që dominuan marrëdhëniet greko-shqiptare në vitet e para të hapjes së Shqipërisë pas përmbysjes së regjimit komunist dhe që u acaruan në mënyrë të skajshme dy herë: në verën e vitit 1993, pas deportimit të një kleriku grek nga Shqipëria, dhe në pranverë 1994, pas sulmit në repartin ushtarak shqiptar në Peshkëpi të Gjirokastrës, autorësinë e të cilit e mori përsipër organizata MAVI (Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut).Libri hapet me një kronikë referuar një shkrimi të gazetës amerikane Wallt Street Journal, ku thuhej se parashikohet konflikt i armatosur në zonën e minoritetit (mars 1993) dhe mbyllet me vzitën e presidentit grek, Kostis Stefanopulos në Tiranë, (mars 1996), kur mes të dy vendeve u nënshkrua Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit.Për periudhën që përfshihet në libër, autori ka qenë i vetmi gazetar shqiptar i akredituar në Greqi dhe i ka përcjellë aktivisht të gjitha zhvillimet; në këtë sens libri përfiton një vlerë të veçantë dhe hedh dritë mbi shumë ngjarje, për të cilat publiku i gjerë mund të ketë pasur vetëm një imazh të trubullt e të zbehur edhe më shumë nga distanca kohore

R.Goro tregon presionet greke ndaj Tiranws

Mosbesimi reciprok Greqi –Shqipëri
 “Populli dhe qeveria greke i pritën fillimisht krahëhapur emigrantët, por brenda një kohe të shkurtër Athina zyrtare tregoi prirjen që praninë e emigrantëve të paligjshëm ta shfrytëzonte si një mjet presioni për realizimin e pretendimeve që lidheshin me minoritetin grek që jetonte në Shqipëri dhe që pjesa më aktive e tij, në masë të madhe, kishte emigruar gjithashtu në Greqi.”

Zhvillimet në marrëdhëniet midis Greqisë e Shqipërisë kanë dominuar shpeshherë aktualitetin në të dy vendet. Një mosbesim reciprok, i kultivuar sidomos gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, nuk u arrit të zbehej edhe pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri dhe vërshimit në Greqi të dhjetra mijëshqiptarëve që kërkuan një fat më të mirë duke emigruar në vendin fqinj.Populli dhe qeveria greke i pritën fillimisht krahëhapur emigrantët, por brenda një kohe të shkurtër Athina zyrtare tregoi prirjen që praninë e emigrantëve të paligjshëm ta shfrytëzonte si një mjet presioni për realizimin e pretendimeve që lidheshin me minoritetin grek që jetonte në Shqipëri dhe që pjesa më aktive e tij, në masë të madhe, kishte emigruar gjithashtu në Greqi.Ky presion solli si rezultat dy krizat më serioze në historinë e re të marrëdhënieve: më 1993, me shkakun e dëbimit nga Shqipëria të një prifti grek, që akuzohej për veprimtari antishqiptare, dhe më 1994, pas sulmit terrorist prej ekstremistësh të ardhur nga Greqia, në qendrën e rekrutëve në Peshkëpi të Gjirokastrës, me ç’rast humbën jetën dy ushtarakë shqiptarë.Të dy krizat u shoqëruan me dëbime masive të emigrantëve shqiptarë nga Greqia, duke qenë ata të vetmit që paguan “haraçin” e rëndë për acarimet në mes Athinës e Tiranës.Nga ana tjetër, ato kriza, ndikuan që “betoni” i hedhur ne themelet e marrëdhënieve dypalëshe, të krisej qysh në fillim; krisje që, me gjithë përpjekjet e admirueshme të qeveritarëve në të dy kryeqytetet, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite t’i trandin herë pas here marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë, që ndërkaq, mbeten shumë të mira, të paktën sipas deklaratave zyrtare në të dy anët e kufirit...Vështrimi historik i marrëdhënieve midis Greqisë e Shqipërisë, vëzhguesit të vëmendshëm i sjell ndërmend një shprehje frazeologjike greke: “Bashkë nuk bëjmë, veç nuk mundemi”... Nëpër vite në sfondin e marrëdhënieve dypalëshe ka pasur edhe tensionime të tjera, më të ulëta se ato që do të shikojmë në këtë libër, tensione që shkaktoheshin herë nga njera palë, e herë nga tjetra. Dhe gjithmonë, si në një sherr vëllezërisht, vinte periudha e pajtimit dhe e dashurisë së madhe, për t’u tollovitur përsëri dikur më vonë...Për fund: pas një qëndrimi aktiv prej gati 17 vjetësh në Greqi, autori ka përshtypjen se problematika e marrëdhënieve greko-shqiptare (apo shqiptaro-greke) mund të analizohet më mirë në një vepër fiction-i, se sa në një punim publicistik. Jo vetëm pse arkivat greke të asaj periudhe (ku është i domosdoshëm hulumtimi për të mbërritur në përfundime të sakta), duan edhe ca dekada që të hapen, dhe nga ana tjetër, duhej hulumtuar më shumë pjesa shqiptare e ngjarjeve – që objektivisht ishte e vështirë për t’u realizuar në kuadër të këtij libri. Por më së shumti pse ajo problematikë bazohet me të tepërt, - për mendimin modest të autorit-, në paradokse, se sa në arsye të qenësishme.Prandaj, u përzgjodh mënyra e rreshtimit kronologjik të ngjarjeve (ndërthurur edhe me analiza të atypëratyshme, një pjesë e mirë të publikuara asokohe në BBC, Koha Jonë dhe Koha të Prishtinës), me shpresën se arrihet të rikrijohet e plotë ose pothuaj e plotë, ajo periudhë, “krizash e vranësirash”, si në një film dokumentar, pa retushe të shumtaNë këtë mënyrë, ndoshta edhe lexuesi e ka më të lehtë të nxjerrë përfundimet e veta.
Për autorin

Robert Goro ndodhet që prej vitit 1993 në Athinë, Greqi, ku punon si korrespondent i seksionit shqip të radios britanike BBC.Në Greqi ka krijuar e drejton gazetën Tribuna, e përjavshme në gjuhën shqipe.
Ka botuar librat: Takohemi pasdite (tregime, 1990),Një këngë për Edit Pafin (roman, 2000), FYROM: Supermacia e inferioritetit (publicistikë, 2001),Dosja 1990-1991, dëshmia e Kiço Mustaqit (publicistikë, 2004).

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...