Deshmia: si e spiunuan shokët poetin Fazlli Haliti në vitin 1973
Gjygji publik për poemën «Dielli dhe rrëkerat »
“Sallën e kishin mbushur militantët partiakë që do t’i hidheshin në fyt poetit nën dirigjimin e vetë sekretarit. Madje disa pseudo letrarë, amatorë ishin porositur e përgatitur të diskutonin me letër si Koli, Mihali, Themi Ndreka që i shkruante letra Enverit, gati çdo javë. Por tamam këtij ia ngatërroi fletët e diskutimit humoristi Gori Prifti e Themiu u ngatërrua keq e u bë qesharak, aq qesharak sa përkrahësit e poetit në sallë, u shqyen gazit… Sekretari i parë pa nga Kongoli G. që kishte në krah dhe u duk sikur po i thoshte: Kështu i paske përgatitur militantët e Partisë ti...? Shkrimtari atëherë, u bë baltë në fytyrë.”
Nga Tahsim Xh. Demiraj
Atë fund marsi të vitit 1973, rreth orës 11, drejtori i Shtëpisë së kulturës së qytetit Vangjel Bardhi, tha se në orën 4, pas dite, duhej të ishim të gjithë në Gjimnaz se do të bëhej një mbledhje me shumë rëndësi, atje ku ishte shkruar kritika kundër poemës “Dielli dhe rrëkerat” të poetit Lushnjar Faslli Haliti nga dhjetë letrarët e rinj të këtij gjimnazi… Do të vijë edhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë, tha i shqetësuar drejtori! Kërkova Faslli Halitin, por nuk e gjeta në shtëpi. Ka shkuar në Tiranë, më thanë ata të shtëpisë së tij. Pa shko edhe ti Tahsin, një herë e shiko se mos ka ardhur. Ai duhet të jetë pa tjetër këtu në orën katër. Për të bëhet mbledhja. Do të asistojë vetë anëtari i Byrosë Politike, shoku Rita Marko, tha drejtori i sikletosur.
Qenka serioze, thashë me vete. Është i rrezikshëm ai Rita Marko. Ai ia hëngri kokën shkrimtarit Bilal Xhaferri, para disa viteve dhe pikërisht në një mbledhje të tillë letrarësh. Pjesa me pllaka gri dhe oborri para ndërtesës së gjimnazit, nga nxënës dhe profesorë, spërkatej me ujë herë pas here që të mos ngrihej pluhur e të tymoste byroistin që pritej të vinte. Qenka në rrezik Faslliu, thash përsëri, me vete…
Po ç’të ishte vallë...? Ku nuk më shkonte mëndja! Ç’të ishte kjo mbledhje...?
Pas pak, më gëzoi lajmi se anëtari i Byrosë Politike, nuk do të merrte pjesë në mbledhjen tonë. E kish kërkuar urgjent ai, i madhi i Partisë për një mbledhje më të rëndësishme në Tiranë. Kohëra të trazuara, të mjegullta. Mosardhja e byroistit, bëri që mbledhja të shtyhej për të nesërmen, këtë radhë jo më në gjimnaz, por në sallën e Shtëpisë së kulturës, në orën katër pasdite.
Rreth orës tre filluan të vijnë shkrimtarët e besuar, beniaminët e Partisë Nexha, G. Kongoli, Dinaku, N. Guga; pas tyre erdhi dhe grupi i krijuesve të rrethit letrar të gjimnazit: Ariani, dy Vjollcat, Vladimiri, Bashkimi, dy Bujarët, Drita, Qerimi, Natasha, me mësuesin e tyre të letërsisë në krye të «gardistëve» të kuq.
Faslliun e dua këtu, më tha drejtori. Ai duhet të jetë doemos këtu!
Po ti më the që ka shkuar, që dje, në Tiranë dhe nuk e dimë nëse është kthyer apo jo.
E po sa më lajmëruan që erdhi, zbriti nga treni, më telefonuan nga stacioni…
E paskan markuar të shkretin, i paskan vënë prapa hafije, thashë me vete.
Nisu me vrap, më tha drejtori, dili përpara te gjimnazi apo shkoi në shtëpi se mbase ka arritur. Nisu...!
I zbrita shkallët nga dy e nga tre. Në kthesë për pak sa nuk theva kokën. Tek dera desh u rrëzova. Ika me vrap poshtë, përmes lulishtes dhe befas u takuam te depot e grumbullimit, pikërisht atje ku bëheshin gjyqet kundër armiqve të klasës, kulakëve, të deklasuarve, tradhtarëve…
Shpejt, i thash Faslliut, me një frymë… Ty po të presin. .
E di, e di, më thanë ata të shtëpisë. Me siguri për poemën!. .
Nuk e besoj të jetë për poemën. U bënë dy mbledhje për të, erdhën edhe nga Komiteti Qendror dhe Lidhja e shkrimtarëve dhe e artistëve... Jo, jo nuk ka kuptim… nuk ka fare kuptim…
Po, po për poemën, tha i nervozuar, Faslliu .
Nuk kanë ç’të thonë më, thashë unë për ta qetësuar shokun. I thanë të gjitha… e…, në rast se fillojnë përsëri, bëj një autokritikë dhe kaq… Thonë se ai i madhi vdes për autokritikë, paçka se atyre që bëjnë autokritikë ua merr shpirtin duke u thënë, thellohu, thellohu, me një fjalë futuni vetë në dhè, vazhdova për ta qetësuar, për të humbur mendjen dhe, për të qeshur. Po Faslliu ishte bërë helm.
Nuk më duket se do të kalojë kaq lehtë, i dashur Tahsin…, kërkojnë kokë turku këta, kërkojnë kokën e turkut në tepsi, më tha Faslliu duke tundur kokën me nervozizëm.
Nuk kanë ç’të të bëjnë. Ti biografinë e ke në rregull, veç nxito… e… mos e jep veten, qëndro gjakftohtë…
Arritëm me një frymë. Të gjithë e përpinë me sy Faslliun që zuri vend në radhën e tretë të sallës, afër shokut të tij më të besuar, Halilit. Unë u ula në radhën e parë. Ndërkohë hyri Sekretari i parë. Të gjithë u ngritën në këmbë. Sekretari bëri shenjë me dorë që të uleshim dhe ne u ulëm. Në presidium zuri vend, pranë Sekretarit, shkrimtari K. G. si krahu i djathtë i tij për çështjet e letërsisë dhe arteve.
Dua që secili të më flasë për krijimtarinë e tij, tha Sekretari i parë. Në sallë nuk dëgjohej asnjë pipëtimë. Nga korridori vinte një erë jo e këndshme. Ngjitur me derën e sallës së mbledhjeve, ishte studioja e instrumenteve të frymës. Ngaqë pastroheshin rrallë, ata lëshonin një erë sekrecionesh si uthull e fortë, trazuar me amoniak, apo si shurrëtore e palarë prej kohësh gjatë gjithë verës…
Mbylleni atë derë, urdhëroi Sekretari i parë i Komitetit të Partisë.
Rrëmbimthi u ngrit drejtori dhe e mbylli. Qetësi nënujore. Dëgjohej vetëm një mizë që përplasej nëpër xhama; të mbledhurit kthenin kokat herë pas here andej nga vinte zhurma e mizës, nga që nuk dinin ç’do të bëhej e s’dinin ç’të thoshin…
Sallën e kishin mbushur militantët partiakë që do t’i hidheshin në fyt poetit nën dirigjimin e vetë sekretarit. Madje disa pseudo letrarë, amatorë ishin porositur e përgatitur të diskutonin me letër si Koli, Mihali, Themi Ndreka që i shkruante letra Enverit, gati çdo javë. Por tamam këtij ia ngatërroi fletët e diskutimit humoristi Gori Prifti e Themiu u ngatërrua keq e u bë qesharak, aq qesharak sa përkrahësit e poetit në sallë, u shqyen gazit… Sekretari i parë pa nga Kongoli G. që kishte në krah dhe u duk sikur po i thoshte: Kështu i paske përgatitur militantët e Partisë ti...? Shkrimtari atëherë, u bë baltë në fytyrë.
Mirë de mirë! Po ai Faslli Haliti është këtu...? pyeti sallën Sekretari.
Këtu jam, Faslliu tha me zë të qetë.
Pa ngrihu e na fol për atë krijimtarizezën tënde!
Faslliu u ngrit i heshtur dhe sikur të kishte dy kuintalë peshë mbi supe.
Pa na thuaj një çikë, pyeti sekretari, ç’të shtyu të shkruash poezi të tilla katran me bojë, si : Njeriu me kobure, Zhurmë, Djali i sekretarit, Njeriu i zi, Cifligu… Pa na thuaj këtu, ç’ke dashur të thuash me to; sidomos me poezinë Cifligu, çifligjet ua mori reforma agrare çifligarëve. Ç’na përrallis ti, apo do që t’u kthehen prapë atyre...? Po me ato vargjet yrnekë: Rroftë dielli President i plazhit e, ku di unë… Kush të shtyu të shkruash poemën katran me bojë Dielli dhe rrëkerat, Tirana? Tirana e gjithë jo, xhanëm, se në Tiranë jeton e punon edhe shoku Enver, po e kam fjalën se kush të shtyu nga ata rrufjanët politikë, për të cilët flet shoku Enver në fjalimin e tij historik, mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor…?
Të gjithë hapën sytë të habitur… Sekretari i parë u marrka edhe me leximin e poezive...?! A ka kohë ai të merret edhe me poezi...? Çudi si i ditka të gjitha…? Ia ka shkruar ai që ka në krah. Nuk e sheh sekretarin si ia hedh sytë letrës që ka përpara…, i mërmëriti tjetri shokut që kishte pranë…
Nuk kam ç’të them shoku sekretar… Unë i bëj poezitë dhe i dërgoj për botim… Në qoftë se do të ishin të paarrira apo me gabime ideore, nuk duhej t’m’i kishin botuar…, tha poeti që qëndronte vazhdimisht në këmbë, si para një gjyqi apo autodafeje mesjetare. Ai deshi të ulej, por sekretari e urdhëroi të qëndronte në këmbë…
Po, po, e dimë këtë. Për botimin e tyre do të përgjigjen ata që t’i kanë botuar. Ti do të përgjigjesh për veten tënde… Ç’të shtyu të bësh poezi të tilla katran me bojë..?
Realiteti, lufta që bën Partia kundër burokratizmit, u përgjigj poeti i gozhduar. . .
Po pse more ti, ky është realiteti ynë socialist...? Do të flasësh si duhet ti, apooo…, shkreptiu sekretari.
Faslliu u ul, por sekretari e ngriti përsëri dhe ai ndenji në këmbë gjatë gjithë mbledhjes e cila zgjati gati 10, 12 orë. Dashakeqët i hidhnin sytë me urrejtje dhe ngriheshin nga pak e merrnin poza kinezçe që t’i shihte sekretari. Dashamirët menduan se kaq e pati i ziu poet…
Nuk të lejoj të flasësh me këtë gjuhë. Unë të ngrita që ti të reflektosh, të bësh autokritikë të thellë e jo të bësh propogandë borgjezo-revizioniste këtu para hundës sonë… Çohu dhe na thuaj, kush të ka ushqyer me këto mendime të qelbura, reaksionare që ke arritur të bësh poezi të tilla të zeza si sera e Selenicës… Hajde çohu dhe fol ashtu si duhet, ndryshe...
Faslliu u çua përsëri dhe s’dinte ç’të thoshte.
Realiteti, shoku sekretar, realiteti, tha si i zënë në faj poeti e i gozhduar si në autodafet e inkuizicionit mesjetar.
Po pse, more Faslli Haliti, realiteti ynë është ky që paraqet ti në ato poeziçkat e tua...? A nuk e sheh ti televizorin...? Çdo ditë suksese, suksese të reja në industri, bujqësi, kulturë, arsim, në art e letërsi, në edukim komunist të masave; suksese në politikën e jashtme dhe të brendshme, si është e mundur, nuk të bie në sy, ty, këto, more ditëzi... ? Jo, jo, kështu nuk të lejoj të flasësh, atëherë le të lëmë të tjerët të flasin; të ngrihen e të flasin për krijimtarinë tënde katran me bojë…
U ngrit shkrimtari Lejfen, Kongoli G. sekretar i degës së Lidhjes, krahu i djathtë i KP dhe i sekretarit të Parë, për letërsinë dhe artet: Faslliu, tha ai, ka bërë vazhdimisht poezi të gabuara. Ia kemi thënë disa herë në mbledhjen e degës tonë të lidhjes… Faslliu duhej të na dëgjonte ne, më me eksperiencë, me formim të plotë të partishëm. Po ky dëgjonte dhe dëgjon vetëm një shkrimtar: Kadarenë. Po ne kemi fituar eksperiencë të gjatë në letërsi dhe kemi dhënë vepra të partishme, edukative, të shëndosha ideologjikisht e politikisht. Ne e shtruam për diskutim në mbledhjen e kryesisë poemëzezën Dielli dhe rrëkerat dhe i thamë se ishte e gabuar, me përmbajtje armiqësore. Faslliu duhej ta griste atë poemë katran me bojë, siç e quajti me të drejtë dhe me gjykim të hekurt marksist-leninist, vetë sekretari i parë i KP dhe, jo ta dërgonte atë paçavure për botim… Po Faslli Haliti dëgjon vetëm Kadarenë, sepse për Kadare e mban veten ky poet i “madh”i Lushnjës që ne, habitemi se kur na u bë kaq i madh, xhanëm, ky p-e-o-t, siç e quan me të drejtë me ironi, këtë, poeti ynë me partishmëri të lartë, Murat Nezha. Dhe ja doli ajo që thamë ne, që i solli kaq shqetësime Partisë dhe shokut Enver, personalisht…
Në mbledhjen e kryesisë, nuk u tha ndonjë gjë nga këto që po thotë shoku Kongoli G. këtu, thashë unë si anëtar i kryesisë së Degës së Lidhjes duke u ngritur rrëmbimthi në këmbë, përkundrazi, ne të gjithë, e pëlqyem dhe e miratuam poemën e Faslliut. Vetëm ti, shoku Gazmend, nuk u prononcove se e paske ruajtur për këtu. Të jemi pak më të sinqertë dhe jo të mundohemi të shkarkojmë veten tani, që po e shohim se poema doli e gabuar…
Jo, jo, tha sekretari i parë, u shprehe gabim, ti shoku Tahsin, poema nuk është vetëm e gabuar, por është një poemë plotësisht me përmbajtje armiqësore. Ky farë poeti, apo p-e-o-t-i, bën thirrje që llumi, domethënë të deklasuarit, të rrokin armët kundër Pushtetit Popullor. Ja dëgjoni si thotë: Po të mungojnë gurët, t’u thyejmë dhëmbët burokratëve. Po të mungojnë gurët, domethënë po munguan armët… E kuptoni se ç’farë ka katranosur ky poetziu apo jo...? E kuptoni ju, që poema bën thirrje me qitje të largët që llumi të na marri pushtetin, të ngrihen në kundërrevolucion...? E di ti sesa punë na ke prishur me këtë poemë, apo jo?, klithi Sekretari sa kishte në kokën e tij staliniste - enveriste.
Përpara dhjetë ditësh, në mbledhjen që u bë në këtë sallë ishin edhe shoku Pipi Mitrojorgji, nga Komiteti Qendror dhe shkrimtari Teodor Laço, nga Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve. Të tjera gjëra thamë ne, në atë mbledhje e, të tjera gjëra thanë edhe ata. Në konkluzionin e mbledhjes, ndër të tjera, Teodor Laço tha se, në fund të fundit Pemën që ka kokrra godasin me gurë. Kemi besim se poeti Faslli Haliti nuk duhet të dëshpërohet nga kritikat që iu bënë këtu. Unë kam besim se ai do të na japë më shumë fruta poetike, më të mira, më të ëmbla, më të pjekura. Vazhdo të shkruash dhe ta pasqyrosh jetën tonë, ashtu siç e shikon ti me syrin tënd origjinal poetik. Ky është arti i dashur koleg, përfundoi shkrimtari Laço. Shprehja e tij se Pemën që ka kokrra qëllojnë me gurë, u bë dhe mbeti proverbiale në qytetin tonë… Desha të them se poema, përpara dhjetë ditësh, nuk u paraqit e tillë, siç po e paraqesim sot…
Po, po, përpara dhjetë ditësh ashtu mund të ketë qenë… ashtu ishte përpara dhjetë ditësh, tha sekretari i Partisë, por ne sot diskutojmë në kuadrin e porosive të fundit, më të fundit që na dha shoku Enver në mbledhjen e fundit të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe nën dritën e këtyre porosive, duhet ta analizojmë krijimtarinë tonë… Na thuaj ti, Faslli Haliti, nga frymëzohesh ti, në krijimtarinë tënde, ku kullot ti që ke mbledhur gjithë këtë vrer, me kë shoqërohesh …?
Nuk di ç’të them, tha poeti, i vënë me shpatulla në mur…, po i thoni ju më mirë ato që duhet; mua s’më mbetet tjetër veçse t’ju dëgjoj me vëmendje.
Nuk di ç’të thuash, tha sekretari, po, poo…nuk ke di ç’të thuash se je i molepsur nga poetë të huaj që lexon në italisht, frëngjisht po, pooo… m’i kanë thënë shokët, i dimë, i dimë të gjitha… Dhe ju krijuesit e lexuesit që i keni pëlqyer poezitë e këtij poetuci, tregoni mosthellimin tuaj në vijën e drejtë të Partisë dhe kjo nuk ju falet, por në fund të fundit, nëse faji është kolektiv, përgjegjësia është personale, përfundoi sekretari i Parë i KP. (vijon numrin e ardhshëm)===================================
Deri ketu
Për poemën dhe poezizezat e tij, mban përgjegjësi vetë p-e-o-t-i Faslli Haliti, tha sekretari, ndërsa ju të tjerët që i keni pëlqyer, pas kësaj mbledhjeje duhet t’i bëni analiza të hollësishme çdo krijimtarie artistike, çdo gjë duhet të kalojë në vrimën e gjilpërës…
Është këtu ai që bën tregime, ai… si quhet ai, Jaçellari, Jaçellari, më duket sikur quhet ?, pyeti sallën sekretari
Këtu jam shoku, sekretar!
Pa Çohu! Ti, qenke ai trimi që që na e ke ngritur në qiell Faslli Halitin në mbledhjen e kaluar?. . . , pyeti me ironi sekretari.
Nuk e ngrita në qiell, shoku sekretar, unë bëra vetëm vlerësime për poezinë e tij…, u përgjigj trgimtari i talentuar, Halil Jaçellari. Diskutimin unë e bëra me shkrim, në arkiv të Degës së Lidhjes e keni. Mund ta lexoni, tha Jaçellari.
Ja nuk e sheh…atë nge kemi ne të lexojmë diskutimin tënd…mirë, mirë. . . do t’i shohim edhe ata tregimet e tua…se lakra ke në kokë edhe ti, si Faslli Haliti, e kërcënoi sekretari i KP.
Vazhdojmë shokë me krijimtarizezën e Faslliut …
Po, tha Dule Çaloku dhe u ngrit në këmbë. Ne nuk do të lejojmë, që armiku të depërtojë në radhët tona. Unë i rekomandoj peotit që të lexojë Organizata e Partisë dhe letërsia e Partisë të shokut Lenin, të lexojë gjithashtu dhe romanin Si u kalit çeliku të shokut Gorki dhe romanin Nëna të shokut Majakovski…
Salla ia u shkri së qeshuri. . .
I ngatërrove ooo Duleee, i bëre lëmsh…, tha dikush nga salla.
Hajt, hajt se dimë edhe ne nga letërsia…, nuk dini vetëm ju. . .
Mos e ndërprisni!, urdhëroi sekretari, ai po flet me gjuhën e Partisë dhe të shokut Enver. . .
…Dheee, po këta nuk të lenë të flasësh more shoku Sekretar edhe duke ju pasur ju këtu…. eee… ku e kisha fjalën...? Pooo, të lexojë nga letërsia e popullit të madh kinez, sidomos romanin e shokut Lejfen që mua më kanë pëlqyer më shumë, jashtëzakonisht shumë domethënë. Ne more shokë, ashtu siç na mëson Partia mëmë, nuk kanë ç’na duhen të marrim miell hua nga letërsia revizioniste e Bashkimit Sovjetik dhe nga bota imperialiste perëndimore… Ne kemi miellin tonë. Jemi të informuar se ky P-e-o-t-i në fjalë, merret edhe me lexime në gjuhë të huaja, sikur nuk i dalka gjuha e nënës, ç’i duhet këtij leximi në gjuhë të huaj, kur mund të lexoj, në gjuhën e bukur të të parëve tanë, në gjuhën e pellazgëve dhe ilirëve, dua të them..., tha Dule Çaloku dhe pa nga sekretari për të parë reagimin e tij.
Që merret me gjuhë të huaja, mire bën se kulture është, tha sekretari, për sy e faqe, por…
Jooo shoku sekretar, kundërshtoi Dule Çaloku me përkëdhekli, unë do të thosha se nuk kanë ç’na duhen gjuhët e gjarpërinjve…Arti ynë popullor është një botë e madhe… Unë, për shembull, kam lexuar Ashtu Myzeqe, Epopeja e Ballit Kombëtar, apo Çlirimtarët, Lumi i tharë. Janë libra me nam, shoku sekretar... , as bota nuk i ka libra si këta. . .
Bravo Dule, që i paske lexuar këto vepra, tha dikush nga salla, po jo Lumi i tharë o Dule, por Lumi i vdekur….
Ku ka lumë të vdekur e lumë të ngordhur tek ne, në Socializëm, more ti shok, paske lakra në kokë, më duket ti atje. Ka lumenj plot ujë e ndonjë lumë të tharë, delle, domethënë.
Të lumtë o Dule Çaloku, i dha zemër Sekretari i Parë i KP.
I kemi bërë që në shkollë, shoku sekretar dhe, nga kjo shkollë, ne kemi mësuar sesi të ruhemi nga revizionizmi, modernizmi e dekadentizmi në letërsi dhe në art, nga korentet reaksionare që kanë çoroditur dhe e kanë bërë lesh arapi botën perëndimore, tha i ngazëllyer Dulja pas përgëzimit që i bëri Sekretari i Parë i KP.
Shumë mirë fole ti Dule, por nuk kemi kohë të zgjatemi. Tani hyr në temë, e kemi fjalën te krijimtaria jonë…dhe…konkretisht te poezizeza e p-e-o-t-i-t- tonë, siç e quan edhe ti Dule, e orientoi Dulen Sekretari, militantin e ftuar në këtë autodafe nga vetë ai personalisht, për të kamxhikuar autorin e poemës katran me bojë.
Të them të drejtën shoku sekretar, unë nuk lexoj shumë poezi se kemi kaq shumë probleme…dhe…nuk e di se për çfarë bëhet fjalë konkretisht domethënë, në këtë p-e-o-m-ë…, tha Dule Çaloku.
Në sallë u dëgjuan të qeshura…
Qetësi, qetësi, ju lutem, tha Gazmendi. . .
Po, mirë, nuk është e thënë që të flasim vetëm për poezinë, e orientoi përsëri, militantin e ftuar personalisht nga ai vetë, ju mund të flisni edhe për prozën edhe për artin toptan, në përgjithësi, domethënë…
Të them të drejtën, shoku sekretar, unë nuk lexoj shumë prozën dhe nuk e kuptoj shumë artin e pikturës dhe të s-k-l-u-p-t-u-r-ë-s, por ama solidarizohem plotësisht për atë që na mëson Partia dhe shoku Enver… Atë që nuk e pëlqen Partia, nuk duhet ta pëlqejmë as ne, e askush seee… Çfarë do të ishim ne pa Partinë, shoku sekretar...? Hiç… bujq dhe barinj me lopë e me dele… Ja për shembull ne, po përgatitemi për festivalin f-o-r-k-l-o-r-i-s-t-i-k-, po mbledhim vargje për Partinë nëpër kooperativa bujqësore dhe kopshte fëmijësh dheee… të them të vërtetën more shokë, kemi gjetur vargje që të habisin dhe jo si vargjet e këtij p-e-o-t-i-t që kemi këtu në mes tonë; vargje të tilla, se si i kanë krijuar, një zot e di, më falni, natyra, desha të them e di. Ja dëgjoni për shembull: O Enver, o Enver,/ E ke gojën me sheqer,/ Me sheqer e me hurmà,/ Lumë Partia që të ka... ose Qeveria Demokratike/ ka hapur shumë shkolla unike/Vëndin e parë, vëndin e nderit/ e mba shkolla unike e Fierit…e të tjera e të tjera. Ja, unë për shembull, dua t’i muzikoj këto vargje që t’i këndojnë me ooiii e me kaba, grupet tona polifonike dhe kështu të shkojmë me sukses në ngjarjen e madhe artistike të Gjirokastrës që bëhet në Tetor, në përvjetorin e ditëlindjes së shokut Enver. E… merreni me mënd se ç’do të thotë shoku Enver kur të dëgjojë vargje të tilla, një krijimtari të tillë, more shokë…, pyeti sallën Dule Çaloku krenar që kishte mbrojtur vijën e partisë në art dhe letërsi.
Mirë o Dule, mirë, ulu ti tani e të ngrihet ndonjë tjetër.
Dulja u ul jashtëzakonisht i kënaqur që komunikoi disa herë me vetë Sekretari i parë. Këtë ai do ta mbante mënd sa të qe gjallë dhe do t’ua thoshte me krenari të gjithëve dhe, do ta shënonte, mbase edhe në biografi si meritë…
Rrëmbimthi u ngrit përsëri, Dule Çaloku duke i kërkuar falje Sekretarit:
Më falni shoku sekretar se kam edhe diçka për të shtuar…
Po ti fole, more Dule, nuk kemi kohë të flasim sa herë të duam, ia preu vrullin Sekretari.
E di, e di, shoku sekretar, por është e rëndësishme kjo që do të them, kërkoj leje Dulja… E… më falni… ashtu është, në fakt, por unë dua t’i bëj thirrje p-e-o-t-i-t Faslli Haliti që të reflektojë drejtë, në dritën e fjalimit të shokut Ramiz për kulturën dhe artet, siç thatë dhe ju, si dhe sipas mësimeve të shokut Enver se… në rast se do t’i kishte studiuar ato, nuk do të kishte devijuar. Ai të mbyllet dhe t’i studiojë thellë e më thellë veprat e shokut Enver dhe të na raportojë këtu, pas një muaji. Kjo është eksperiencë nga shokët kinezë…, e përfundoi porosinë e tij Dule Çaloku për të parë reagimin e Sekretarit.
Lere, lere se nuk kemi punë me kinezët.Të ngrihet një tjetër!, urdhëroi Sekretari …
Unë e njoh që në fëmijëri Faslliun, tha Thoma inspektori dhe, të them të drejtën, poema për të cilën jemi mbledhur e po diskutojmë këtu si poemë reaksionare, nuk e kuptoj sesi më paska përlyer mua që jam edhe inspektori i seksionit të kulturës! Nuk e mohoj, më pëlqeu…
Që të ka pëlqyer e morëm vesh, tha Sekretari, por hë, pa na thuaj, shoku inspektor, fol, pse të paska pëlqyer poemëzeza, ku e ka të mirën ajo që të bëri ty ta pëlqesh...?
Po, ja unë pashë veten time aty, shoku sekretar! Ne jemi pesë vëllezër dhe motra të rritur e me prindit, flemë së bashku në dy dhoma, ndërsa ka familje me dy e me tre persona që marrin nga dy dhoma e një kuzhinë me aneks. Më drejtë duhet t’i ndajë Komiteti i Qytetit banesat. Për këtë ka shkruar Faslli Haliti në poemën etij dhe mua më duket se i ka rënë në të.
Kujt i ka rënë more, fol më qartë!, i bërtiti sekretari, inspektor Thoma Lalës…
Burokratizmit, tarafllëkut, padrejtësisë në ndarjen e banesave, shoku sekretar…, dhe jo Partisë. Unë kështu e kam kuptuar, tha Thomai.
Ulu more aty e mos fol më, vërtetë nuk e kupton ti, shoku inspektor i kulturës se ky partinë dhe pushtetin i përplasë si deshët në poemëzezën e tij, domethënë paraqet jo unitetin që është një realitet, por dualitetin parti- pushtet i cili nuk ekziston, shkreptiu sekretari i Parë, kjo është dëshira e armikut që të na thyejë, të na fusë pyka në radhët tona… Dhe ti më thua se i ka rënë në të... A e kuptoni se çfarë bëhet këtu në mes tonë, nën dritën e diellit...? Futen pyka në unitetin tonë… Po pse more Thoma Lala, që të kemi bërë edhe inspektor, pse për një dhomë e shitke ti Pushtetin tënd, Pushtetin Popullor, domethënë?. . .
Jo, po…, guxoi të vazhdonte inspektor Thomai.
Ulu të thashë. Nuk ka jo, jo…e po, po…këtu. Hajt, pa do ta shikoj unë punën tënde… Tjetëri, urdhëroi i nxehur Sekretari, të flasë tjetri !
Të gjithë shihnin me bishtin e syrit njëri tjetrin dhe heshtnin…
Këtu nuk bëhet fjalë për një poemë apo për strehimin, siç mund ta trajtojë ndokush. Kjo poemë është një bombë në unitetin Parti-Pushtet-Popull; ajo na përçan dhe na hedh kundër njëri-tjetrit, bën të kundërtën e asaj që thotë Partia, asaj që kërkon Partia… Faslli Haliti në tërë krijimtarinë e tij ngre probleme që nuk shpien ujë në mullirin e Partisë, por në mullirin e armikut; ka shumë ekuivokë nëpër vargjet e tij, sytë e tij shohin vetëm zi; ky është problemi që na shqetëson ne, Partinë, domethënë. Koka e tij është e mbushur gjithë lakra. Jemi të informuar se bisedon për ca tema të çuditshme si për hermetizmin e për teorinë e ajsbergut, për Përroi i ndërgjegjes të Jumgut e, ku di unë si dhe për ca Fije barishtesh që s’i hanë as lopët e kooperativës, të një kalemxhiu amerikan; për Ezrail Pundin ( Ezra Paundin ) e për një farë Dar - a nuncion, ( D’Anucion ) Ivan Andriçin, ( Ivo Andriçin ) për Jevg-tushenkon, ( Jeftushenkon ) për Prushtin ( Prustin ) e për një farë Kafkë varri e Xhuxhjisin ( Xhoisin ). Sekretari e pa me inat shkrimtarin Kongoli G. që nuk ia kishte shkruar me shkrim të qartë e të kuptueshëm emrat e shkrimtarëve të huaj modern, prandaj ai po i lexonte me vështirësi dhe me gabime dheee… mbi të gjitha ky na ngre në qiell, bile edhe mbi Enver Hoxhën, atë Kadarenë…
Po t’i kritikosh Kadarenë, Faslliut, ky të vret për të, e ndërpreu Murrash Nezha, poeti i besuar i Komitetit të Partisë dhe i vet sekretarit të parë.
Jo, jo, për të të vrarë, jo xhanëm, se është Partia këtu që të tredh, pooor…nuk ka pse ta ngrejë aq lart Kadarenë, gati edhe mbi shokun Enver… Vërtetë është shkrimtar i mirë por ka edhe të tjerë të mirë, nuk është vetëm Kadareja dee.
Kur ishim në Universitet, tha poeti Nexha që u ngrit pa kërkuar leje, në një konkurs letrar, organizuar nga Universiteti, unë u nderova me çmimin e parë, ndërsa Kadareja mori Opingën e Sheros. Pra nuk mori çmim fare. Nga na u bë gjeni ky Ismaili që na e ngrenë kaq lart? Faslliu duhet të rezervohet, kur jep këto konsiderata të skajshme.
Akoma pa u ulur Nexha, u ngrit letrari amator Nase G. Ja ku të shpie rruga e keqe, kur nuk na dëgjon edhe ne, tha Nase G.
Sekretari, si e pa që Nasja kishte ende për të folur, nuk e uli, por e la të ligjëronte:
Ne, vërtetë, nuk jemi artistë të mëdhenj, vazhdoi Nasja, por kur i shërben vijës së Partisë, e ndjen veten të lumtur se ishte nëna Parti ajo që na hapi sytë. Ja, unë për shembull, në vend që sot të isha në ndonjë fshat të humburjam p-r-e-f-e-s-o-r në gjimnaz… dhe, sa të tjerë ka si unë… Partia, ka thënë shoku Enver, ka një tefter ku ajo t’i shënon të gjitha…dhe sa je në rregull me vijën e saj, ajo nuk e hap tefterin, por sapo ti e shkel vijën e saj, ajo e hap dhe shikon sesi ke ecur… Gabimi që ke bërë është një rrëshqitje apo apo një predispozitë jotja. Unë mendoj se në rastin e Faslliut nuk kemi të bëjmë me një rrëshqitje, por me një predispozitë. Ai nuk gabon për herë të parë… Dhe mbi të gjitha nuk kemi bindje se ai nuk do të gobojë përsëri, se ai mund të rregullohet.
Tamam e the shoku Nase, ashtu është, e mbështeti Nasen Sekretari. Faslli Haliti, i ka nxjerrë gjithmonë telashe Partisë në rreth dhe mua personalisht si Sekretar i Parë. Ky ka krijuar pështjellim në KP.
Sekretari deshi ta ndërpriste, por Nasja bëri sikur nuk e kuptoi nga zelli që kishte për të thënë edhe të tjera nga ato të tijat.
…Se… Partia na dha lirinë dhe na e bëri jetën të lumtur, se për Partinë këndojnë edhe fëmijët, tha Nasja. Ja dëgjoni ju lutem këto, vargje xhevahire:
Moj panxhare,/ Moj panxhare/ Vendi ynë s’të njihte fare/ Ti ke qenë e harruar/ Në regjimin e kaluar… e të tjera e të tjera si këto që i kam shënuar në bllokun tim, në të cilin unë mbledh thesare nga letërsia dhe folklori ynë popullor… A ka vargje më të bukura se këta, do të thosha?. Mirë, mirë o Nase…, tha Sekretari.
Jo, po ky është arti i vërtetë, ky është realiteti ynë, shoku sekretar dhe Faslliu duhet të thellohet