Studiuesi Mehmet Elezi e konsideron si domosdoshmëri pasurimin e standardit të gjuhës shqipe
Një standard për të gjithë kombin
M.Elezi:“Kurrsesi nuk duhet të përmbyset e nuk duhet të preken bazat e standardit, por duke qenë se ka përjashtuar gjysmën e vlerave qenësore të gjuhës shqipe, duhet të hapet duke ruajtur këtë bazë që ka.”
Studiuesi Mehmet Elezi e konsideron domosdoshmëri pasurimin e standardit të gjuhës shqipe. Sipas tij, nuk bëhet fjalë kurrsesi për përmbysje, por për një standard që u përgjigjet sfidave të kohës. “Ky standard u miratua në një shoqëri totalitare dhe u përshkua nga parimet oruelliane dhe nga filozofia marksiste-leniniste”, thotë Elezi.
“Kurrsesi nuk duhet të përmbyset e nuk duhet të preken bazat e standardit, por duke qenë se ka përjashtuar gjysmën e vlerave qenësore të gjuhës shqipe, duhet të hapet duke ruajtur këtë bazë që ka”, thotë studiuesi Mehmet Elezi, duke shprehur kështu qëndrimin e tij mbi debatin e standardit. Sipas tij, pasurimi i standardit është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur zhvillimeve shoqërore dhe sepse është një produkt i krijuar në një shoqëri totalitare, me rregullat e asaj kohe. Sipas Elezit, standardi i shqipes duhet hapur për gjysmën e vlerave të qenësishme gjuhësore të lëna jashtë dhe për të debati nuk duhet kanalizuar te gegërishtja. Ndarjen e gjuhëtarëve në qëndrimin e mbajtur ndaj standardit, Elezi e justifikon më së shumti me ngarkesat politike, ideologjike, ngarkesat krahinore, nostalgjitë e ndryshme. Sipas tij, duhen studime serioze për pasurimin e standardit.
- Konferenca shkencore e organizuar këto ditë nga Qendra e Studimeve Albanologjike prodhoi një debat në rrafsh të gjerë mbi standardin. Cili është qëndrimi juaj?
Padyshim që hartimi i standardit ishte i domosdoshëm. Gjuha shqipe kishte edhe më parë një standard që është mohuar, ai i Komisisë Letrare të Shkodrës i vitit 1916-1917 që kishte filluar të konsolidohej, u kishte mbijetuar dy luftërave botërore, por që u fshi me një të rënë të shkopit, kur edhe për gjuhën shqipe filloi viti 1. Atëherë shqipes i duhej një standard, që është edhe sot një vlerë e padiskutueshme. Pa gjuhën shqipe ne nuk do të ekzistonim, por ky standard duhet të ishte dhe mund të jetë më i mirë për dy arsye: koha e shoqëria ecën dhe lind nevoja që të përshtatet në kushte të reja dhe së dyti, sepse ky standard u miratua në një shoqëri totalitare dhe u përshkua nga parimet oruelliane dhe nga filozofia marksiste-leniniste. Këtu nuk gjykohet standardi si një produkt i kohës së diktaturës, por ama si një produkt që është bërë me rregullat e asaj kohe. Në Kongresin e Gjuhës kanë qenë të gjithë gjuhëtarë, por nuk kanë qenë të lirë të diskutonin mbi gjuhën. Nëse sot mblidhen të gjithë nobelistët e botës dhe u diktohet se çfarë duhet të thonë, a mund të quhet ky kongres i nobelistëve? Është një standard i ngurtë dhe ka nevojë të rishikohet. Kurrsesi nuk duhet të përmbyset e nuk duhet të preken bazat e tij, por duke qenë se ka përjashtuar gjysmën e vlerave qenësore të gjuhës shqipe, duhet të hapet duke ruajtur këtë bazë që ka. Ky standard ka nevojë të përsoset duke pasur parasysh zhvillimet e faktorit shqiptar në rajon: në Shqipëri ka një dinamikë të jashtëzakonshme, ku dialektet, gjuha popullore, ajo e folur apo zhargonet ushtrojnë presione të vazhdueshme. Kosova është vend i pavarur e ka më shumë liri e po kështu në Maqedoni e Mal të Zi. Në këto rrethana lind nevoja e një standardi që t’u shërbejë të gjithëve, siç thoshte Çabej, një standard duhet të jetë për të gjithë kombin e jo për një pjesë të tij. Nga ana tjetër, jemi në një kohë të globalizmit, të internetit, të lëvizjeve të fuqishme dhe ky standard duhet të fitojë imunitetin e duhur për të përballuar këto sfida. Standardi ynë është shumë i ngrirë dhe e ka humbur deri diku autoritetin moral në shoqëri dhe të gjithë e quajnë normale shkeljen e tij. E përsëris që nuk bëhet fjalë për kurrfarë përmbysje.
- Nga diskutimet e fundit është krijuar përshtypja se i gjithë debati vërtitet rreth përfshirjes së gegërishtes në standard?
Nëse do të kishim një standard me bazë gegërishten dhe do ishte lënë jashtë gjysma e pasurive të toskërishtes, nëse Faik Konica dhe Naim Frashëri do ishin aq të vështirë për t’u kuptuar sa është sot Gjergj Fishta, unë përsëri do të kisha ngritur zërin për ta rishikuar këtë standard, por jo për të bërë përmbysje. Nuk është problemi i gegërishtes si gegërishte, por i gjuhës shqipe dhe pasurisë së saj. Nëse kanë mbetur vlera të gegërishtes jashtë, apo nëse do të kishin mbetur të toskërishtes, nuk e pësoi njëri apo tjetri dialekt, por gjuha shqipe që mbeti me gjysmën e mundësive të saj. Është fakt që gegërishtja flitet nga mbi 70% e shqiptarëve dhe është shumë vitale. Është mirë që këto pasuri në radhë të parë të përfshihen në standard.
- Si mund të pasurohet standardi?
Duke përthithur të gjitha vlerat reale që ka shqipja e që janë lënë jashtë. Për tetë vjet unë kam punuar i vetëm dhe kam hartuar një fjalor me 41 mijë fjalë. Nëse këtë punë do ta kishte bërë një ekip, do të kishte 81 apo 100 mijë fjalë. Në Kosovë ka fjalorë të vegjël që janë botuar dhe asnjë prej vlerave të tyre nuk është përfshirë në fjalorë normativë të gjuhës shqipe. Të gjitha vlerat e qenësishme duhen përfshirë, sepse është e qartë që ka forma të ngushta dialektore që nuk duhen bërë pjesë.
- Nëse flasim për këtë pasurim, atëherë duhet të flasim për rregulla të reja drejtshkrimore, fjalorë të rinj, tekste shkollore të reja...
Flasim për një drejtshkrim jo me rregulla të reja, por me rregulla të ripunuara, fjalorë të rinj që nuk përmbysin të parët, por që kanë më shumë pasuri e më shumë vlera.
- Kush duhet të ketë autoritetin për të sanksionuar vlerat që duhet të bëhen pjesë e standardit?
Kjo është padyshim çështje e gjuhëtarëve, nuk duhet bërë asgjë në mënyrë partizançe. Këtu mund të përfshihen mendimet e shkrimtarëve, gazetarëve, pjesës së inteligjencës që ka gjuhën si mjet të përditshëm të përdorimit. Sigurisht që duhen bërë studime. Nuk mund të njoftohet sot që do të bëhet një kuvend apo kongres për gjuhën. Kjo nuk mund të bëhet as pas 2-3 vjetësh. Në atë kuvend duhet shkuar me disa përfundime të qarta shkencore e pastaj të arrihet përfundimisht se çfarë do mbetet, çfarë mund të ndryshohet në mënyrë serioze e të studiuar.
- Ka rreth 20 vjet që thuajse nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Sa mundësi ka që të veprohet konkretisht në vazhdim?
Unë nuk e quaj të vështirë nëse të gjithë kuptojmë rëndësinë standardit nga pikëpamja gjuhësore, duke lënë jashtë ngarkesat politike, ideologjike, ngarkesat krahinore, nostalgjitë e ndryshme për standardet e së kaluarës ose për statusin e dikujt në të kaluarën. Nëse e marrim të gjithë seriozisht, e quaj një gjë të mundshme e të nevojshme.
- Në fakt, një pjesë e mirë e gjuhëtarëve e kanë kundërshtuar këtë konferencë dhe mbajnë një qëndrim tjetër ndaj standardit...
Më vjen keq që ka ndodhur. Nëse të gjithë do të mendonin për gjuhën shqipe pa ato ngarkesa për të cilat fola më lart, nuk mendoj se do kishte një ndarje të tillë. Me sa duket jo të gjithë mendojnë kështu.
- Çfarë prisni nga konferenca?
Pres një diskutim të hapur dhe një sensibilizim të rretheve shkencore në radhë të parë dhe të shoqërisë në tërësi për nevojën që gjuha shqipe t’u përgjigjet sfidave të kohës dhe kur them gjuha shqipe, standardi i saj.