2011-08-30

Nga Dr. Fatmir Terziu : Logjika e riprezantimit artistik në romanin e Vilhelme Vranari,”Vonë…tejet vonë”, botim i “Nacional”


Sociologjia e njohurisë dhe komunikimit nga korniza letrare në një aspekt tërësisht shoqëror dhe shkencor, ka marrë pamjen dyfish të rëndësishme, përpos aestetikës dhe asaj të paraqitjes në romanin më të ri të shkrimtares Vilhelme Vranari. Duazimi që në titull “Vonë… tejet vonë” me këtë roman na shpie në një skutë ende të errët për protagonistë me një risk, me riskun e përcaktuar nga vetë autorja “Këtë roman ua kushtoj gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që janë bërë dhe bëhen preh e virusit vdekjeprurës të AIDS!”


Riprezantimi artistik i kësaj enematike, rikonfigurimi i kësaj plage të fshehtë, por jetëmarrëse, na shpie tek logjika e ‘riprezantimit letrar’ (Woolgar, 1988; Potter 1988) dhe po ashtu tek roli i luajtur nga retorika në konstituimin me anë të fiktives së njohurive të ndërlidhura shkencore (Prelli 1988; Gross 1996; Grogson dhe Selzer 1993; Berkenhotter dhe Huckin 1995; Montgomery 1996; Myers 1990; Swale 1990). Argumentet për retorikën e praktikën sociale janë prezantuar dhe detajuar nëpërmjet këtij romani jo në nivelin e pastër shkencor-ndikues, por sipas normave letrare të avancuara e kontemporane dhe mendimit të pjekur femëror për të krijuar jo thesht një vëmendje, por për të ndërtuar e argumentuar një ndërhyrje konkrete e të mirëfilltë, për të udhërrëfyer një tematikë që kërkon njohuri dhe mbrojtje.

Nocioni filozofik i Derridës

Argumenti i parë është ky: çfarë duhet të pasqyrohet që të jetë më shumë se strategji e argumentimit aktual të debatit që Vranari parashtron në roman luan një rol konstituitiv me respektin tek njohuritë kryesore rreth natyrës së infektuesit, që nënkupton transmetuesin dhe rolin e tij dëmtues në shoqëri. Në vetë hyrjen e Vranarit në roman, filozofia e Derridës, ndeshet me nocionin e ekzistencës dhe të mosekzistencës. Një koncept ky logjik që hyn mes logjikës dhe perceptimit të jetës.Vranari ndërhyn:“Njeriu shpesh herë mendon se njëkohësh u përket dy botëve; asaj të ekzistencës dhe asaj të mosekzistencës. Kjo varet nga rrethanat në të cilat ndodhet secili në çaste të ndryshme. Nga njëherë kjo ndikon nga realizimi apo mosrealizimi i vetvetes, faktorë që ndikojnë shumë në jetën e individit. Gjithashtu mendoj se ka lidhje me hapësirën dhe kohën që përshkon jeta e secilit. Ndaj çmimi për ta përshkuar këtë rrugë të vështirë, është më i lartë se vet jeta.”
Në këtë aspekt natyrshëm pyetja e vlerës së fiktives në lidhje me jetën formëson konceptin filozofik të kahershëm me të cilin trillimet fiktive mbesin dobia e rëndësishme për pyetjen në lidhjen me realitetin. Ky problem në gjuhën e Rusell, është një rrugëdalje për kuptimin që merr formë në lidhje me vetë kuptimin që mbartin emrat, tematika rreth tyre dhe përshkrimet. Sipas Rusell, fakti i argumentuar në fiktive se ‘Mbreti i Francës është tullac’, duket se merr një vlerë në lidhjen me të vërtetën, ndërsa skenat që përshkon tullacëria e tij, janë disi elokuente në vlera. Në këtë rrugë ecën edhe romani i Vranarit, pasi ai kap një temë sa delikate aq edhe të ndjeshme e delikate në trajtimin logjik.

Diskurset në roman

Vranari nuk përdor logjikën konfrontuese me përdorimin e modeleve filozofike, apo edhe të atyre nga shkenca, kur ne lexojmë këtë roman, ai funksion si një model, nëpër vragat e të gjejmë vlerat e një fiktive, që na dikton, sqaron dhe udhëzon të mësojmë prej saj. Ashtu siç ndodh në modelet më të avancuara të kësaj kategorie, edhe në këtë roman, nuk vihet në dyshin vlera e trillimit: pasi siç e qartësuam ne mësojmë në lidhje me situatën, rrethnajën dhe krijojmë një prag ndarës me atë që duam ta ndëshkojmë në një roman të mirë, apo të prurë ndjeshëm tek ne, tek lexuesi. Në këtë pikë diskursi serioz ndihmon të konceptojmë tërë derivatin që na depërton tek e vërteta. E vërteta që vjen mes ngjyrimesh dhe ngjyrash të zeza,  të dala nga ky realitet i romanit nën peshën diskursive të dhimbjes së nënës: “Gjithsesi, ndjenja e nënës, e një nëne të plagosur, më mbante ngërthyer aty mes korijes dhe muzgut të hirtë gati, gati në të errët. Edhe pse nuk isha e sigurt, prapë nuk hoqa dorë. Bëra përpara e vendosur. Terreni ishte kënetor. Mes kallamave, zhukave, gëmushave dhe barishteve të shumta që rriten në baltina të tilla, ishte e vështirë të gjeje diçka. Barishtet e pleksura me njëra-tjetrën, balta dhe mjegulla e dendur e buzëmbrëmjes nuk më lejonin të kontrolloja mirë. Tashmë e qara kishte pushuar. Në çast ndjeva shumë afër meje një lemzë që kap foshnjat kur janë lagur apo kur kanë uri. Kjo shoqërohej me ngashërime. Dukej se vogëlushi ishte lodhur. Kushedi sa kohë kishte aty në mes të territ, lagështisë dhe të ftohtit mbrëmjesor. Papritur ia nisi përsëri vajit me klithma e piskama të forta ankuese. Ishte një jetë që luftonte në pamundësi mes jetës dhe vdekjes. U rrëqetha trup e shpirt. M’u dhimbs kur mendova se ai mund të jetonte çastet e fundit të jetës, ende pa e nisur lirinë. Sepse kjo e drejtë legjitime për njeriun nis qysh kur dëgjohet e qara e parë foshnjarake e cilitdo. Dhe unë, unë… një femër, një nënë e sfilitur, ndodhesha aty pranë dhe nuk mund t’ia jepja dot ndihmën e duhur në kohën e duhur. U inatosa me veten dhe nisa të shaja paaftësinë time…”.

Figuracioni elastik dhe ndërlidhja letrare

Në sipërfaqe, përgjigja duket e fshehtë, e strukur thellë mes një gjuhe të pushtuar nga kornizat mornicëlënëse, nga simbiozat rrëqethëse. Karakteri strumbullohet në këtë gjuhë dhe bota e imagjinuar e Vranarit kalon në një përditësi të latuar nga problemi, si për të lejuar përkthimin e saj që ndodh atje në faqet e romanit, mund të ndodh edhe aty ku lexohet, ku logjikohet. (Mendoni për moralin në përralla!) Por nëse në përralla, kjo paraqet një problem, me statusin e këtyre botëve imagjinare, në romanin e Vranarin pragu është eleminativ. Kjo lidhet me rrugën metafizike dhe kontradiktat që ngjeshen mes një figuracioni elastik. Në roman vjen si një motiv që ndërlidhet me legjendën, rrëfimin në të shkuarën e largët: “Edhe pse ai kurrë nuk u bë dhëndër, hija e fantazmës së tij ende jeton. Thonë se e kanë parë të hipur mbi kalin me shalë, i cili në breg të lumit pret të fejuarën që të vijë dhe të nisë jetën me të. Dhe kënga e shekujve ka arritur deri në ditët tona dhe këndohet trishtueshëm, tejet rrëqethshëm:
“Vinte lumi trubullo,
trubull lumi,
lumi, lumi… trubollooo…
Sjellë një djalë të mbyturo…
Kërkon e ëma bregut ooo…
I bën rixha dallgëso…
Aman moj valë pusho,
nxirrma djalin anëso,
se e kam të vetëm –ooo,
si sot i marrë nusen-ooo”- “kjo këngë folklorike sa e dhembshme dhe e trishtueshme, edhe pse vazhdoi të këndohej ndër vite, askush nuk e mori mundimin të ndërtonte një urë për të lidhur të
dy brigjet e lumit që të mos rrezikohej më jeta e kalimtarëve”, -mendoja sa herë gjendesha para pasarelës, me vështrimin tretur tej lumit.?!”
Këtu shihet diçka që kërkon vërtet një urë lidhëse. Është Vranari që i vë ‘trarë’ të fuqishëm, por është struktura fiktive dhe logjika e riprezantimit artistik që kërkon më shumë. Një fakt mund të sillet nga ‘Sherlock Holmes’. Fakti që thuhet se ‘Sherlock Holmes’ ishte një agjent është i saktë, por kur thuhet se ‘Sherlock Holmes’ ishte një mjek nuk qëndron. Të paktën sipas logjikës që duhet të ndjekë radhën në procedurën dhe logjikën fiktive. Pra nuk duhet të ngatërrohet ‘realja’ edhe kur mendohet se ekziston, me fiktiven-reale që vjen nga larg, shumë larg, edhe kur transmetohet si rrëfenjë. Tek shembulli ynë ‘Sherlock Holmes’ në fakt të dy nocionet si ‘të qenit agjent’ ashtu edhe ‘mjek’ nuk kanë saktësi të qëndrueshme, sepse ‘Sherlock Holmes’ nuk është një person real dhe ka keqkuptime me kontekstin dhe pohimet. ‘Sherlock Holmes’ është një personazh imagjinar, apo dikush tjetër me të njëjtin emër në një profesion tjetër.

Shkurt për romanin:

Pas disa vitesh Yllka, personazhi kryesor, rikthehet në veri të vendit. Ndërkohë i ka vdekur i biri  shtatëmbëdhjetëvjeçar. Mes dhembjes, në retrospektivë, aty lidhet pas fijeve të së shkuarës. Kujton se i fejuari nuk ishte i gatshëm për t’u bërë baba. Por ajo e do frytin e dashurisë së saj, e dashurisë së tyre. Ndaj braktis qytetin e lindjes dhe nis jetën në veri. Drejtori i qendrës termale, ku nisi punë, një i ri, i virtytshëm, Genti, dashurohet me të. Edhe ajo ndjen për të, por është e pavendosur, për shkak të asaj qenieje të pafajshme që rritet brenda trupit të saj. Dalja në skenë e të fejuarit, ia prish ëndrrën… Edhe pse bashkëjetojnë, ai përsëri nuk e do fëmijën e tij. I biri katërvjeçar bije preh e rrëmbimit nga trafikantët, të cilët i vrasin babanë.
Pas kërkimesh e dhembjesh pa shpresë, përmes emisionit “Njerëz të humbur”,Yllka mëson se djali është gjallë dhe gjendet në Athinë. Gëzimi i rikthyer pas më se 12 vjetësh, shndërrohet në zhgënjim dhe vuajtje.
Në vend të huaj përballet me një botë tjetër. Aty njihet me probleme që i ngjallën neveri, si: perversiteti, prostitucioni, pedofilia. Shkak i sëmundjes pa shpresë të të birit, ishte përdhunimi nga një pedofil, AIDS-i  po i merrte jetën. Por nga sa mësoi më vonë, mallkoi çastin që kishte lindur. Për atë nënë ishte i tmerrshëm, akti kriminal i bashkëshortit, i një babai paskrupuj.
Pas vdekjes së tmerrshme të të birit, Yllka kthehet në atdhe, në qytetin e lindjes. Përsëri, si tek libri “Dritëhijet e medaljes enigmë”, edhe në këtë roman, autorja kërkon të vendoset drejtësia aty ku  mungon. Një nënë, e cila di të falë është pikërisht ajo, që ia dorëzon gjykimit të drejtësisë të birin pas vdekjes.
Një vit dhembje…Yllka rikthehet në veri dhe rikujton tragjedinë e jetës dhe familjes së saj inekzistente. Çuditërisht jeta i merr një kthesë të admirueshme.
Rastësisht gjen fatin e saj të hedhur në kënetë, që u bë burim jete për të, rikthim në realitet. Aty ritakon dashurinë e saj që ia mohoi vetes dhe atij, gjë që u dha shpresë të dyve. Me besim në ndjenjat e tyre shpresojnë në të ardhmen. Kjo tregon se jeta nuk mbaron. Përherë ka një mundësi të dytë. Epilogu është një mesazh për rininë, një dashuri e pavdekshme, por e pamundur, sepse AIDS-i  është kronika e një vdekjeje të paralajmëruar. Kjo është e tëra…

   Duke përfunduar…

Kështu duket qartë se ne kemi nevojë për një logjikë të riprezantimit artistik në mënyrë që të përshkruajmë se si trillimet mund të jenë të rëndësishme dhe të dobishme në pyetjen tonë me botën tonë, një logjikë e cila na lejon të shohim ndryshimin mes fiktives kuptimplote dhe tingujve të thjeshtë, dhe asaj që përshkruan marrëdhëniet për përkthimin në mes të dyve. Kështu ndodh me romanin e Vranarit.
Vranari rikthehet në udhën e saj të pasur letrare me këtë roman duke dhënë kështu hapësirë të mjaftueshme mes temës dhe riprezantimit logjik, një arsye më shumë në tematikën e saj globale. Rruga që e lidh prozën e Vranarit në mjedisin kontemporan kërkon gjeografi më të gjerë. Kërkon njohje edhe në mjedisin anglishtfolës. Ajo ka dhënë një sprovë, transmetimi dhe përkthimi në gjuhën angleze e bën atë më të shëndoshë, më të afërt me vlerën që mbart riprezantimi logjik.



Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...