2011-08-15

Punët e papërfunduara në Kosovë ...



Punët e papërfunduara në Kosovë ...






























Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës u trondit me tensionimin e përjetuar prej afro 3 javësh mes Beogradit dhe Prishtinës.





Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës u trondit me tensionimin e përjetuar prej afro 3 javësh mes Beogradit dhe Prishtinës. Forca e NATO-s në Kosovë, e njohur shkurtimisht si KFOR, arriti me sukses të zbusë tensionimin ndërmjet 2 vendeve, duke mundësuar që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje të përkohshme. Mirëpo ngjarjet e 3 javëve të fundit na rikujtuan se në Kosovë ekzistojnë ende punë të papërfunduara.

Serbia jo vetëm që nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, por refuzon të njohë edhe vulën e autoriteteve kosovare, që zë vend në dokumentet lidhur me mallrat e eksportit të këtij vendi. Për këtë arsye, Beogradi ndalon prej më shumë se 3 vitesh hyrjen e mallrave të eksportit kosovar në Serbi. Po ashtu, si pasojë e qëndrimit të serbëve të Bosnjës, të cilët janë në solidaritet të plotë me Beogradin, një zbatim të ngjashëm me atë të Serbisë ndaj mallrave të Kosovës e ushtron edhe Bosnjë-Hercegovina.

Qeveria e Kosovës, në kuadrin e procesit të dialogut që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian midis Beogradit dhe Prishtinës, priste që Serbia të njihte edhe vulat e Kosovës. Nëse duhet të bëjmë një rifreskim të kujtesës, më 2 korrik 2011 Kosova dhe Serbia hodhën hapin e parë në drejtim të normalizimit të ndërsjellë të marrëdhënieve dhe arritën marrëveshje në disa tema praktike, ku përfshihet edhe liria e lëvizjes.

Mirëpo Serbia, e cila duket sikur ka hyrë në një lloj procesi zgjedhor, për shkak të kritikave të opozitës u ndruajt nga marrëveshjet e reja me Kosovën dhe e pezulloi procesin e dialogut në mënyrë të njëanshme. Ky zhvillim vuri në vështirësi edhe qeverinë e Kosovës, sepse disa organizata jofitimprurëse dhe opozita e akuzuan Prishtinën se po i bënte Beogradit shumë lëshime në marrëveshjen e 2 korrikut 2011. Si rrjedhojë e shqetësimeve politike të zhvilluara në këtë drejtim, qeveria kosovare vendosi të japë një kundërpërgjigje. Prishtina deklaroi se nuk i njeh vulat e Serbisë dhe ndaloi plotësisht importin nga ky vend. Ndërsa për mallrat me origjinë Bosnjë-Hercegovinën filloi të aplikojë një tatim importi në nivelin 10%.

Duke qenë se 2 pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës nuk janë nën kontrollin e plotë të  Prishtinës, vendimi për ndalimin e eksportit të mallrave serbe në praktikë nuk funksionoi siç duhet. Prandaj, më datë 26 korrik 2011, qeveria e Kosovës urdhëroi forcat speciale të policisë që të marrin kontrollin e pikave kufitare në veri të vendit. Në trazirat e përjetuara si rezultat i kësaj nisme, një polic shqiptar humbi jetën dhe një pike kufitare të Kosovës iu vu zjarri nga serbët, të cilët gjithashtu bllokuan edhe rrugën, që lidh Serbinë me Kosovën. Më në fund kontrollin e pikave kufitare në fjalë u detyruan ta marrin në dorëzim ushtarët e KFOR-it.

Ngjarjet e përjetuara në këtë kuadër ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk duhen vlerësuar si zhvillime të rastësishme, të cilat janë nxitur nga lufta tregtare. Sepse si në anën serbe, ashtu edhe në të kosovare, çdo gjë ishte e planifikuar dhe e organizuar më së miri. Kështu, njerëzit që i vunë zjarrin Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, këtë herë dogjën pikën kufitare të kësaj të fundit. Faktikisht në veri të Kosovës nuk bëhet asgjë pa dijeninë e Beogradit. Nga ana tjetër, Prishtina zyrtare po përpiqet prej shumë kohësh ta përhapë sovranitetin e saj edhe në veri të vendit, një zonë kjo që ka mbetur nën kontrollin e serbëve.

Në dijeni të plotë të kësaj, Serbia nga njëra anë investon për vazhdimin e situatës aktuale në veri të Kosovës, kurse nga ana tjetër mundohet të luajë mbi kartën e ndarjes së Kosovës. Por në lidhje me këtë çështje, përkrahjen që shpreson tej mase, nuk po e gjen as në Bruksel dhe as në Uashington. Për sa i takon Kosovës, pavarësisht se u detyrua t'i tërheqë njësitë speciale të policisë nga pikat kufitare në veri, ajo arriti të krijojë me sukses një situatë faktike të re në pikat kufitare të sipërcituara, duke pasur gjithmonë parasysh se situata faktike ishte një rrethanë, faktor tepër i rëndësishëm në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet perëndimore.

Mund të pretendohet se shërbimet e huaja informative, të cilat janë maksimalisht efektive në Kosovë, kishin dijeni që më parë lidhur me operacionin e qeverisë kosovare në pikat kufitare. Po ashtu, autoritetet e Kosovës mund edhe t'i kenë lajmëruar vet disa vende perëndimore për ndërhyrjet e planifikuara në veri. Prandaj mund edhe të mbrohet mendimi se nisma për krijimin e situatës faktike të re në pikat kufitare veriore të Kosovës është mbështetur në mënyrë indirekte nga disa vende të fuqishme. Ndërsa Beogradit, nëpërmjet operacionit ndaj pikave kufitare, i përcillet mesazhi se nuk do të lejohet që veriu i Kosovës të shkëputet fizikisht dhe t'i bashkëngjitet Serbisë.

Përveç kësaj, nëse në pikat kufitare veriore të Kosovës vendoset kontroll i rreptë, atëherë në një hark kohor afatgjatë do të shënohet rënie e konsiderueshme e krimit të organizuar dhe një rritje e rëndësishme në tatimet doganore të Kosovës. Nga ana tjetër, rritja e burimeve të të ardhurave të Kosovës do të jetë edhe në interesin e vendeve perëndimore, pasi ato janë lodhur tashmë duke e ndihmuar financiarisht këtë vend.
Dhe së fundmi, me t'u përmbushur parakushti, që Bashkimi Evropian i kishte vendosur Beogradit lidhur me kapjen e kriminelëve të luftës, Brukseli filloi në mënyrë më të ashpër t'i parashtrojë Serbisë kushtin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Si përfundim, vendet evropiane, të cilat nuk e miratojnë avancimin e shpejtë të procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE, nuk duhet të jenë "hidhëruar" edhe aq shumë në lidhje me tensionimin e fundit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...