Në fillim lind pyetja, “Pse mundohen muslimanët të thonë që Bibla flet për Muhamedin”, dhe pastaj, “A flet Bibla në të vërtetë për Muhamedin”. Ka disa arsye pse muslimanet përpiqen me çdo mundim të provojnë se Bibla flet për profetin Muhamed. Së pari sepse do ishte turp që asnjë libër të mos fliste më parë për ardhjen e profetit më të madh të njerëzimit (sipas muslimanëve), kur për profetë të tjerë kishte jo vetëm shkrime që flisnin për ta por edhe lajmëtarë që paralajmëruan ardhjen e tyre sic është rasti i profecive në Bibël për ardhjen e Jezusit dhe paralajmërimi nga Gjon Pagëzori për ardhjen e Tij. Së dyti është e rëndësishme që muslimanët të provojnë se Bibla flet për ardhjen e Muhamedit pasi vetë Kurani thotë që Jezusi foli për ardhjen e tij. Sura 61:6 Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: "O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!" E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: "Kjo është magji e hapët". Ngado që ta kapin mulsimanët, trillimet e Muhamedit dhe Kuranit bëjnë bllof. Së pari ata theksojnë me forcë që Bibla është e korruptuar, nga ana tjetër përpiqen të thonë se Bibla flet për Muhamedin. Por kjo shkon më tutje. Muhamedi tha që arabët ishin rraca e zgjedhur (Sura 3:110), por nga ana tjeter nuk dinë si të shpjegojnë faktin se të gjithë profetët ishin çifutë dhe shkuan tek populli i Izraelit. Asnjë prej profetëve të tjerë nuk ishte arab. Siç shikohet me llogjikë, nuk ka kuptim fare që Muhamedi të ketë qënë profet i Zotit të vërtetë apo që Bibla të flasë për të, megjithatë ne do të shikojmë disa nga referencat që muslimanët thonë që flasin për Muhamedin. Ligji i Përtërirë 18:15,18 Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar, unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t`u thotë atyre të gjitha ato që unë do t`i urdhëroj. Ky është një nga pasazhet që muslimanët pretendojnë se flet për Muhamedin. Ata që nuk dinë asgjë për Biblën edhe mund ta besojnë këtë përrallë, por ata që dinë diçka qeshin me një pretendim të tillë. Ky profet për të cilin flitet këtu, identifikohet si Jezusi tek Veprat 3:22. Jo vetëm kaq por Jezusi tha që Ai vetë ishte profeti për të cilin Moisiu shkroi: Gjoni 5:46,47 sepse nëqoftëse ju do t`i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t`u besoni fjalëve të mia?``. Megjithatë, vargu ku jepet kjo profeci tek Ligji i Përtërirë 18 (lexoni lart) thotë shumë qartë që ky profet do të vijë nga populli i Izraelit, jo nga arabët. Disa muslimanë kundërshtojnë duke thënë se shprehja “nga gjiri i vëllezërve të tyre” nuk do të thotë nga Izraeli, por nga pasardhësit e Ismaelit, dmth arabët. Sipas Biblës Abrahami kishte dy bij, Isakun dhe Ismaelin. Ismaeli u lind nga një marrëdhënie jashtë martese e Abrahamit dhe shërbëtoren e tij Hagar, kurse Isaku u lind nga premtimi i Perëndisë dhënë Abrahamit se Zoti do bekonte pasardhjen e tij nëpërmjet Isakut, prej nga vjen edhe Krishti. Duke qënë se Muhamedi e gjeti veten ngushtë duke qënë pasardhës i Ismaelit dhe jo Isakut, atëherë ai shpiku teorinë se Zoti i tha Abrahamit se do bekonte pasardhjen e tij nëpërmjet Ismaelit. Atëherë sipas disa muslimanëve meqënëse Ismaeli ishte gjysëm vëlla me Isakun (dhe çifutët janë pasardhës të Isakut), shprehja nga “gjiri i vëllezërve të tyre” do të thotë nga gjiri i Ismaelitëve, ose arabëve. Megjithë dëshirën e madhe që muslimanët kanë që ky të jetë interpretimi i saktë, faktet janë ndryshe. E njëjta shprehje që është përdorur tek LiP 18 “nga gjiri i vëllezërve të tyre” është përdorur një kapitull më parë LiP 17 në lidhje me caktimin e mbretit ku thuhet: Ligji i Përtërirë 17:14,15 Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep dhe do ta shtiesh në dorë dhe do të banosh atje, në rast se do të thuash: "Dua të caktoj mbi mua një mbret ashtu si tërë kombet që më rrethojnë", do të caktosh mbi ty mbretin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur. Do të caktosh mbi ty një mbret të zgjedhur midis vëllezërve të tu; nuk mund të caktosh mbi ty një të huaj që të mos jetë vëllai yt. Pra, këtu shpjegohet qartë se mbreti që do të vinte nga gjiri i vëllezërve të tyre (çifutëve) duhet të ishte nga Izraeli, pa asnjë kundërshtim. Ismaeli nuk ishte Izraelit, e ëma e tij Hagar ishte Egjiptase, nuk ishin as e njëjta rracë. Prandaj, nuk ka mundësi që ky pasazh të flasë për ndonjë tjetër veç Jezusit, e jo më një arab. Për t’i vënë vulën kësaj pune Bibla thotë qartë se shkrimi i shenjtë u dha nëpërmjet judenjve (çifutëve, izraelitëve): Romakët 3:1,2 Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes? E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre. Pra, duket qartë që shkrimi nuk do të vinte nga asnjë popull tjetër përveç çifutëve, prandaj ai varg nuk ka si të flasë për Muhamedin. Pretendimi i dytë (se Bibla flet për Muhamedin) ka të bëjë me pasazhin tek Gjoni 14:16 Dhe unë do t`i lutem Atit dhe ai do t`ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, që sipas mjaft muslimanëve, Jezusi këtu po flet për Muhamedin. Është interesante të shohësh hipokrizinë e muslimanëve në këtë pikë. Në rradhë të parë ata thonë që Bibla është e korrptuar, por papritmas ata gjetën një pasazh që nuk qënka korrptuar, dhe së dyti ata lënë pa lexuar vazhdimin e fjalisë (siç e shikoni nuk ka pikë në fund të fjalisë, por presje) që thotë: Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju. Pra, për çdo njeri që di të lexojë të paktën sa një fëmijë i klasës së dytë, po të lexosh të gjithë fjalinë, Jezusi e përkufizoi se kush është ky ngushëllues, pra është Fryma e Shenjtë. Gjithashtu kjo duket qartë, pasi vargu thotë qartë që ky ngushëllues do qëndrojë gjithmonë me besimtarët, që padyshim nuk ka zbatim për Muhamedin pasi ai vdiq. Në pamundësi për të gjetur ndonjë varg në Bibël që flet për ardhjen e Muhamedit, dëshpërimi i muslimanëve bëhet aq i madh saqë shikon tentativa qesharake prej disa prej tyre për t’u munduar të na bindin se Bibla flet në të vërtetë për të. Në lidhje me këtë ata marrin fjalë të ndryshme nga Bibla dhe mundohen t’i përshtatin në Arabisht duke pretenduar se këto fjalë flasin për Allahun apo Muhamedin. Në rradhë të parë, Bibla u shkrua në Hebraisht dhe Greqisht dhe disa pjesë të vogla në Aramaisht. Asnjë nga këto gjuhë nuk ka ndonjë gjë të përbashkët me arabishten. Së dyti, ngjashmëri fjalësh në gjuhë të ndryshme nuk do të thotë domosdoshmërisht që fjalët janë të njëjta apo të lidhura disi. Psh. fjala bukë dhe book (në shqip dhe anglisht, respektivisht), megjithëse mund të shqiptohen gati njësoj apo të kenë shkronja të përbashkëta nuk do të thotë që këto fjalë janë të lidhura (book do të thotë libër). Madje, edhe fjalë të njëjta në gjuhë të ndryshme nuk do të thotë se kanë të njëjtin kuptim. Psh. fjala bar në shqip do të thotë bimë që rritet mbi dhe, kurse në anglisht do të thotë copë, psh një copë druri, një copë metali, një copë sapun, etj. Kështu që të marrësh disa fjalë nga Bibla që kanë 2-3 bashtingëllore të përbashkëta me një fjale arabisht, nuk do të thotë që fjalët kanë lidhje. Eshtë vërtetë qesharake të shikosh përpjekjet e disa muslimanëve me lojëra të tilla fjalësh. Në qoftë se Zoti i vërtetë do kishte dërguar Muhamedin si profetin e tij të fundit për njerëzimin, jua premtojmë se do kishte prova të forta për këtë, jo lojra kalamajsh apo manipulime fëmijënore. Atëherë, a do të thotë kjo që Bibla nuk flet fare për profetin Muhamed? Padyshim që jo. Megjithëse Bibla nuk e përmend me emër Muhamedin ajo flet shume qartë për të. Shikoni vargjet më poshtë: Mateu 24:24-26 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t`i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit. Ja, unë ju paralajmërova. Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë", mos shkoni atje: "Ja, është në dhomat e fshehta", mos u besoni. Gjithashtu, 1Gjonit 4:1-3 Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia. Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; dhe kjo është fryma e antikrishtit që, siç e keni dëgjuar se vjen; dhe tashmë është në botë. Tek referenca e parë, nga Mateu 24, Jezusi paralajmëron dishepujt e tij për profetet e rremë, dhe në vargun 26 ai jep dy cilësi specifike, e para që ndodhet “në shkretëtirë”, dhe e dyta në “dhomat e fshehta”. Shkretëtira përkufizon vend ndodhjen gjeografike duke folur për shkretëtirën e madhe atë të Arabisë, dhe “dhomat e fshehta” flasin për shpellat ku Muhamedi kishte vegimet. Atëherë a flet Bibla për profetin Muhamed? Bibla flet qartë fare. Sipas Biblës ai është një profet i rremë. Jezusi na paralajmëroi për të 600 vjet para ardhjes së tij. Në qoftë se Muhamedi është profet i vërtetë si shpjegohet që ai nuk paralajmëroi ndjekësit e tij për të tëra ato gjëra që shumë prej tyre do bënin në emër të tij? Shumë terroristë muslimanë sot bëjnë akte terroriste në emër të Muhamedit dhe të Kuranit. Nëse Muhamedi ishte profet i vërtetë pse nuk i tha ai ndjekësve të tij që njerëz të tillë do të vinin dhe do të bënin gjëra të tmerrshme në emër të tij dhe të Kuranit? Jezusi nga ana tjetër e parashikoi një gjë të tillë dhe paralajmëroi dishepujt. Nuk kemi parë deri tani asnjë provë nga komuniteti islamik se Bibla flet për Muhamedin si profet i Zotit, përveç vargjeve që flasin qartë se ai ishte një profet i rremë. Kuptohet që çdo njeri do të vendosë vetë nëse do të besojë Biblën ose jo, por të paktën shpresojmë të kemi sqaruar në këtë artikull se Bibla nuk thotë asgjëkundi se Muhamedi është profet i Zotit, në të kundërt e quan atë profet të rremë. Përgjegjësia bie mbi ne të vendosim se cilin do të besojmë, Jezusin apo Muhamedin, Biblën apo Kuranin, por nuk mund t’i besojmë të dyja sepse nuk janë njësoj, nuk predikojnë të njëjtat gjëra dhe nuk flasin për të njëjtin Zot. Zoti ju bekoftë.
|
2011-08-15
A flet Bibla për profetin Muhamed?
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...