-Ajo që pasqyrohet haptazi në jetën dhe veprën e poetëve të Spanjës dhe për lexuesit është dëshira e madhe për t’u dëgjuar, pavarësisht rangut social. Mënyra se si poetët, qytetarët dhe dëshmitarët e të vërtetave poetike kthehen në forcë sunduese brenda kontekstit të revolucioneve të ndryshme politike, sociale, letrare dhe kulturore.
Dels que hi venien, alli bevien,
alguns mataven; com capolaven
feien pastells e dels budells,
feien salsisses 0 longanisses
del mon pus Jines…
Ata që erdhën të pinë atje
i vranë dhe i prenë, disa,
i bënë petë dhe plënc,
ua grin mishin copa – copa
si gjëja më e mirë në botë…. (Hughes, 124)
Është e rëndësishme të vëmë re faktin dhe rolin e poetëve, që e interpretojnë terrorin psikologjik të shkaktuar nga këto ngjarje me metafora të mprehta, me të cilat pasqyrojnë masakrat e neveritshme me trupat njerëzorë. Lexuesit e ardhshëm i përkasin çdo brezi që mund të jetë ndikuar, apo të ketë dijeni për mizori të tilla terrori, me përjashtim ndoshta, vetë therësit e njerëzve. Strofat e këtyre poetëve pasqyrojnë terrorin e ndërgjegjes dhe Barcelonës së asaj kohe ku “lëkura” është metafora në poezinë e parë ndërsa, “mishi copa – copa” është metafora tjetër, që lidhen respektivisht me botëkuptimin e vetës së dytë dhe të tretë, e cila paraqet mjeshtërisht analogjinë e tragjedisë për fatin njerëzor.
Poetët spanjollë luajtën rol të rëndësishëm edhe tek muzika dhe muzikantët. Nga ana tjetër sipas kuptimit të gjerë, përfshirja e madhe e tyre në botën muzikore nuk kufizohet nga veprat e artit të poezisë lirike që mbështesin tekstet e lirikave të këngëve. Sigurisht, që Çmimi Nobel në letërsi u dha pesë herë për autorët spanjollë, si; Kamilo Jose Çela, në vitin 1989, Vicente Aleixandre në vitin 1977, Juan Ramon Jimenez në vitin 1956, Jacinto Benavente në vitin 1922 dhe Jose Echagary në vitin 1904 dhe veprat e tyre u përshtatën me kompozimet, ndërsa bota muzikore e Spanjës kishte përfituar gjithashtu nga poetët e saj në fusha të tjera. Shumica e poetëve u përfshinë drejtpërsëdrejti me prodhimin muzikor, duke iu gëzuar më shumë botës krijuese dhe performuese, që e ndihmuan muzikën spanjolle të ruante reputacionin më të lartë ndërkombëtar. E gjitha kjo filloi me “Poetët mesjetarë spanjollë që u quajtën Mester de Juglaria, rrymë letrare e shkruar nga poetët muzikantë, e krijuar prej vargjeve të shumëllojshme dhe përdorimit të asonancës në vend të rimës. Këto poezi, këndoheshin nga dëgjuesit e pashkolluar, fisnikët dhe fshatarët” (Trend 45). Mbi të gjitha, disa prej kompozimeve e kishin përmbajtjen prej poetit botëror, Federico Garcia Lorca. Figura poetike e portretizuar e brezit të vitit 1927 frymëzoi disa nga kompozitorët më të mirë botërorë, si kompozitorin meksikan Silvestre Revueltas, kompozitorin amerikan George Crumb, kompozitorin modernist finlandez, Einojuhani Rautavara, kompozitorin francez Maurice Ohana dhe kompozitorin italian Corrado Margutti për t’i dhënë larminë kompozimeve muzikore që përbënin një shërbim të jashtëzakonshëm ndaj racës njerëzore sipas perceptimeve të edukimit, argëtimit dhe mbrojtjes së të drejtave njerëzore. Megjithatë, vlerësimi i kompozitorëve të porsa përmendur, lidhej me miratimin, respektimin dhe veprat e tyre. Ndoshta, prova më e mirë e respektimit reciprok u kuptua më 14 dhjetor 1935, kur një grup i adhuruesve të Albeniz-it u mblodhën tek varri i tij për t’i kushtuar një përmendore nga Florencio Cuarian, i lirë: Marshalli qe i pranishëm së bashku me shumë njerëz të njohur si: Rafael Moragas dhe Jaime Pahissa. Por, atje murgu më i dëgjuar ishte poeti Federico Garda Lorca (1898-1936), i cili shkroi rreth kësaj ngjarje një epitaf mjaft prekës për Albeniz-in (Clark, 291). Ja dhe vargjet e kësaj poezie:
O vdekje e ëmbël me duar të vogla!
O muzikë dhe mirësi përzier bashkë!
O sy skifteri, zemër bardhë!
Fjetur në harresën e jetës së mplakur!
Qiell i fjetur pa fund, strukur bora.
Ëndrra në zjarrin dimëror, gri në stinë vere.
Fjetur në harresën e jetës së mplakur!
Dikush nuk i reziston dot, por pa mendoni pak fjalën “epitaf” dhe sesi i njëjti mesazh, disa muaj më vonë, do të ishte i përshtatshëm në varrin e Lorkas, të cilin sikurse e dimë të gjithë, u vra nga fashistët më 18 gusht 1936 në Granadë. Megjithatë, Lorka bën që çdo fjalë të ketë vlerë, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm se, poezia është formë arti e kondensuar. Kjo tregon qartë përkushtimin e poetit ndaj përdorimit të saktë të elementeve dhe mjeteve poetike. Zgjedhja e fjalës dhe tingëllimës përshtaten dhe lidhen me poezinë. Prania e elementeve të rëndësishme si, asonanca, konsonanca dhe aliteracioni e bëjnë poezinë të përshtatshme nga ana poetike për t’u lexuar, pavarësisht trishtimit të thellë të brendshëm. Poezia me sa duket është shkruar spontanisht për të shmangur disa shqetësime me të cilat mund të jenë përballur poetët, ndërsa përpiqen të shkruajnë poezi sipas “nevojave”. Ai u kërkon dëgjuesve në të ardhmen të hyjnë në këtë botë të veçantë, e cila i ndan poetët e zakonshëm, nga poetët e vërtetë. Me përdorimin e një oksimore interesante “vdekje e ëmbël” dhe disa fjalë të tjera të rëndësishme si: e pastër, zemër, vdekje, fjetur, harresë dhe muzikë, Lorka tregohet bindës se, qëllimi i poezisë si formë arti, jo vetëm që nuk i shërben njerëzimit, por atyre që sipas kuptimit, përdorin fjalët më të mira të mundshme të kombinuara me renditjen më të mirë të mundshme, siç përcaktohet edhe nga shpirti poetik i poetit. Sipas mendimit tim, forca poetike është vlerë letrare dhe vlerat letrare natyrisht që interpretohen nga e vërteta poetike. Poetët katalanas luftuan të tregojnë të vërtetën në çdo fjalë të çdo poezie që shkruanin.
Si përfundim, ajo që pasqyrohet haptazi në jetën dhe veprën e poetëve të Spanjës dhe për lexuesit është dëshira e madhe për t’u dëgjuar, pavarësisht rangut social. Mënyra se si poetët, qytetarët dhe dëshmitarët e të vërtetave poetike kthehen në forcë sunduese brenda kontekstit të revolucioneve të ndryshme politike, sociale, letrare dhe kulturore. Ndihmesa në shpalosjen dhe ndarjen e së vërtetës, dëshmon rolin e tyre në shoqëri si forcë e jashtëzakonshme në luftën për të drejtat e njeriut dhe të drejtat sociale. Kjo përfshinte të gjithë njerëzit dhe të gjitha kulturat e botës. Identiteti njerëzor zbuloi një domethënie të fuqishme në poezitë e tyre, ku u përpoqën të theksojnë, jo vetëm larminë dhe esencën e kulturave, por edhe vlerësimin e asaj që është thellësisht frymëzuese për secilin prej tyre. Ata nuk këmbëngulën vetëm në unikalitetin e kulturave, por në funksionin njohës poetik që të ishte vendi ku hipotezat e hershme për të ardhmen reale të njerëzve të përfytyrohen dhe vërtetohen me koherencë dhe tërheqje krijuese. Orbita me të cilën perceptuan forcën e tyre poetike, përmban një hyrje epigrafike që sjell një të ardhme krijuese, si në rastin e shqetësimeve dhe vështirësive në jetën e popullit. Ndërkohë, ata nuk qenë ekstremistë që të gjykonin realitetin në të cilin jetonin. Ata kurrë nuk pretenduan të ishin heronj, por aktivistë për një Spanjë më të mirë, për një botë më të mirë. Megjithatë, ata luftuan të krijojnë botën e shijeve, ngjyrave dhe mendimeve që të gjithë së bashku përbënin një arkeologji poetike të rindërtuar nga dashuria për poezinë dhe popullin për të cilin shkruanin. Ata bënë gjithçka mundën që të tregonin se vepra e tyre poetike përfaqëson në thellësi sinqeritetin intelektual dhe emocional në lidhje me Spanjën dhe spanjollët. Studiuesit ndoshta nuk do të mundin kurrë t’u japin fjalëve vlerën që dhanë poetët spanjollë për popullin dhe mbarë racën njerëzore, por ata duhet të synojnë në mënyrë kritike të ulin detyrimet ndaj tyre sa më shumë të jetë e mundur.
Përktheu nga anglishtja: Irena Papingji