Përveç kësaj, prokurori special Erwin Petilos, beson se ky shërbim sekret që ka vepruar në Kosovë për një dekadë është përfshirë edhe në vrasjen e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“A keni njohuri që SHIK-u ishte financuar me pastrim parash dhe drogë e armë”, e ka pyetur ky prokuror ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylën, gjatë marrjes në pyetje disa muaj më parë në cilësinë e të dyshuarit për krim të organizuar. Deputeti Syla i është përgjigjur me mohim, derisa prokurori ndërkombëtar e ka pyetur sërish atë se “a ka qenë SHIK-u ndërmarrje kriminale për të pastruar para nga aktivitetet e krimit të organizuar”?
“Është punë e juaja t’i bëni këto pyetje, por jo dhe jo”, i është përgjigjur Azem Syla prokurorit gjatë intervistës. “Gjatë dhe pas luftës ata kryenin punët e tyre me mundësitë që kishin. Ata kanë ndihmuar pas luftës dhe mendoj nuk e di se kanë pasur kontakte të rregullta me KFOR-in dhe me shërbimet e disa shteteve me të cilat kishin komunikim të mirë”, ka shtuar ai.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës është marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës pas akuzave që kishte hedhur kundër tij Nazim Bllaca, i cili pretendon se ka qenë agjent i SHIK-ut dhe se ka kryer krime me urdhër të Azem Sylës. Ky i dyshuar i ka mohuar të gjitha këto akuza. Ai ka thënë se nuk e njeh fare Nazim Bllacën, por e ka pranuar se njihet me disa prej njerëzve të cilët nuk e kanë mohuar njohjen me Bllacën dhe bashkëpunimin me të në fushën e biznesit. Për Shpresim Ukën ka thënë se e ka të martuar mbesën e tij, me hallën e Fahredin Gashit ka thënë se ka qenë në burg, derisa Shaban Sylën ka pohuar se e ka familjar.
Syla ka folur për luftën e UÇK-së, për SHIK-un, bashkëpunimin me Fatos Klosin, si dhe për përplasjet me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe FARK-un, formacion ky ushtarak i krahut të Bujar Bukoshit. Këtë formacion ai e ka quajtur të vogël, për të shtuar se shumë pjesëtarë të tij i ishin bashkuar UÇK-së për të bërë luftën