2011-08-30

Mos ka mbetur edhe diç ...











Ali Podrimja

Poezia dhe vasha


Ajo shkruante poezi erotike
U ngjante vitrazheve, frymës
Kish shpirtin dhe bukurinë engjëllore
 
Para se të bënte dush
Plaçkat i hidhte nëpër sallon
Dhe shikonte trupin në pasqyrë
 
Mos ka mbetur edhe diç 

         Mund të ndërpritet komunikimi
          Mes saj dhe atij tej xhamit
          Që shikonte me sy të mjegulluar
 
Ne bisedonim për të bukurën
          Dhe sensibilitetin njerëzor
Për kohën që na mungonte
 
Atë që prekte shkaktonte vërshime, tërmete
Dhe atë zërin e brendshëm
Që duhet mbrojtur
 
Një nga një ia ktheja plaçkat
Para sa kohësh të shpërndara
Në hapësirën blu
 
Dëshironte të ndjejë zgjimin e trupit
        Të shëndetshëm, të pastër
        Ç’të heqë më dorë e Krijuesit
 
(2010)
HARTA E GRISUR

Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
                        e të qenit tonë

Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atdheu e sa dete e lagin

Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im

Shalues të ri një kalë kërkon
Gryka e vdekjes nuk kapërcehet
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues

Dherave lë nga një gur varri
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
Në rroba të zeza

Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve lëkurë linte e ndrite pikagjaku

Ulërinte kopeja e ujqve të tërbuar 

Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë

Hapet harta e grisur e atDheut

(Pragë, 1986)
Fusha e Zezë

Ku të lëshoj rrënjë
E të bëj pakëz hije
Se varre e varre e varre
Mbi to zgjohemi e dashur
Shkundim dritën e verbër
Të lexojmë fundin e ëndrrës
Nën një qiparis

(2005)

Maratoni nga Iliria

Është një engjëll që na mbron
Se kujt Maratoni nga Iliria
Do ia kumtojë lajmin
Se në Ulpianë
U gjet tërfili me katër fletë

(1999)

Tek ia kaloja Akilit

Këmbëzbathur zbres Malit të Vetëtimave
Qetësinë përrallore të Villa Walbertës
Ta hap në Gadishullin Ilirik
Çast të lumtur të kujtoj nga Golgota
Në shpinë Breshke Arbërie
Akilit tek ia kaloja

(Feldafing, 23.7.1992)

Gjarpri, bukuria

Mbyta gjarprin të hy në kohën time
Ç’po më dendëson zbrazëtia nëpër
huqet e mia

Diku në botë

Po qe se nuk të shkruaj
miku im i dashur dhe
Po qe se nuk ma dëgjon zërin
Merr një karafil
e ma kërko varrin
diku në botë
se vajta pas Lumit

(Ulpianë, 1982)
Një lozë seç loton

Tatëpjetë Golgotës zbret
                hija e Njeriut
Është Çami, këngëtari i verbër i Sulit
Me një vravashke ndritë
                rrugën e errët
Kërkon shtëpinë në lagjen Plaka
dhe varret e të parëve
Buzuku do të men
për komandant Arvanit
Nën çati seç loton lozë e tharë.

(Athinë, 1986)

G u a s k a
 
Dikur ishte shfaqur Shkretëtira
Dhe kisha dëgjuar vajin e Burrit të  Dheut
 
Kisha përvjelë pantallonat
Pas zërit të fyellit isha nisur
 
Nga fundi i mistershëm  tej horizontit
I' guaskë seç  e kishte nxjerrë Uji i Madh
 
Kisha filluar ta hapë dhe Guaskë pas Guaske
Zbuloja fatkeqësitë e dherave të Arbërisë.  
 
(Vlorë, 1992)

Litari i ankthit

E lirë Kosova dhe e pavarur
Me një litar rreth qafe
Kërkon degën më të lartë

Si dele nuk i dilet në pazar
Nëpër fjalë seç dridhet
Midis dy qytetërimeve e zënë

Nuk e mban litari as e lëshon
Në konferenca ndërkombëtare
Kallëzohet si përrallë

E s’e lëshon as e mban një litar

(Ulpianë, 9.10.2000)
Lufta Ime

Ra nata, tej vringëllin
Kur te duan me ndëshkojnë
Ligji nuk ekziston për mua
Timin prandaj e shkruaj
Thyej xhamin e errët
Mes meje e forcës së verbër 

(Këln, 1 nëntor 1998)

Vaji për Kosovën

Na pate apo te kishim

Ne toke as ne qiell
mori e uruar

Hap shuplaken dhe peshoj
Piken e gjakut tënd

(Munih, 1998)

Dridhme

Ne Kosove
Vetëm vdekja
nuk vonon 

(Munih, 1999)

Mjerimi njerëzor

Edhe Qeni
nuk kafshon
nganjëherë
e nuk është Njeri

Po Njeriu 
nuk le gjë
pa gëlltitur
e nuk është Qen.

(Prishtinë, 1980)
KOMETA E HARRUAR

Gjithnjë e më pak i ngjaj vetes
Dje e varrosëm poetin Jamarbër Marko
Tirana e zbrazur dhe më bëhej se
një peshkaqen kërkonte gjahun e vet

Jam i huaj gjithnjë e më shumë
Me kockë e mish më kapërdinë zbrazësia
E kërkoj gurin tim dhe ik
nga Uji i Madh që rrah brigjet e mia

Nuk besoja se kaq shumë vetmi
Tjerret metropoleve shqiptare
Ku ndonjë mbret i minjve
Hedh dhe duqin e fundit të cigares

Duhet ikur duhet ikur miku im
Para se t’më zërë nata e thikave

Në Lesbos tek kërkoj Safon
Kokën e poetit të panjohur nga Australia
E pashë si fluturonte në qiellin grek

Komet e harruar nga koha e Homerit.

(Lesbos, 8/09/2010)
HARTA E GRISUR

Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
                        e të qenit tonë

Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atDheu e sa dete e lagin

Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im

Shalues të ri një kalë kërkon
Nuk kapërcehet gryka e vdekjes
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues

Dherave lë nga një gur varr
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
në rroba të zeza

Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve linte lëkurë e ndrite pikagjakut

Kopeja e ujqve të tërbuar ulërinte

Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë

Hapet harta e grisur e atDheut

(Pargë, 1986)
FLUTURIMI I FUNDIT

Paqen e përjetshme ma fale imZot
Kërkoj një vend të vë kokën
Mbi bos dheu ku shirat
nuk pushojnë

Në kujtesë të mbyll fluturimin e
fundit të fluturës
Para fjalës e shpirtit
tek digjen në flakën e qiriut

Faleminderës imZot që nuk më turpërove
mua rebelin e mbretërisë së përhirtë
qe ik tek fishkëllon andej fryma

(Ulpianë, 1998)

DËGJOHET `I KAMBANË

Jeta nuk është
Është vdekja
Që fshihet pas
Therres së vet

Pret të troket
Diku dëgjohet
`i kambanë

(Berlin, 1989)

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...