2011-08-15

Nga Petrit Zeneli : Migjeni ishte një meteor që u fik pa u lindur mirë,por vepra e tij nuk u shua kurrë..



Migjeni ishte një meteor që u fik pa u lindur mirë,por vepra e tij nuk u shua kurrë..










































 Me kangë në buzë e me hove të reja u zgjue agimi pranveruer, largësinat e hjedhta ka zatetë hareja n´argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

Lindja  edukimi , shkollimi ..

Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni),ndonëse vdiq 27 vjeç dhe la pak krijimtari,një krijimtari të papërfunduar,u bë shkrimtari më i shquar i viteve ´30 “prijësi i artit të ri” siç e quajtën bashkëkohësit e tij.
U lind më 11 tetor 1911 në qytetin e Shkodrës në një familje me prejardhje nga Dibra e Madhe,kishte katër motra Cvetkën,Ollgën,Lenkën,Jovankën dhe një vëlla Nikollën.Fëmijërinë e hershme e kaloi në qytetin e lindjes nën kujdesin e gjyshes pasi prindërit e kishin lënë shumë të vogël,nëna,Sofia vdes në vitin 1916,ndërsa babai,Gjergji vdes në vitin 1924.
http://t2.gstatic.com/images?q=tbn:ANd9GcRiksG1jnNRZgDDkAovf20Na6ls0zKJRsyMp8qnkg9ExulU1Okt


Pasi mbaroi serbisht shkollën fillore në Shkodër në vitin 1923,në moshën 12 vjeçare shkon në Tuz për të vazhduar shkollën qytetëse.Pastaj në vitin 1928 fillon seminarin ortodoks (shkollë teologjike) në (Bitolje) Manastir,të cilin e mbaron në vitin 1932.Seminari ndikoi në formimin e tij kulturor,ndonëse nuk u pajtua as në shollë,as jashtë saj me kulturën fetare.Që në shkollë dallohen prirjet e tij për letërsi,aty mësoi përveç serbokroatishtes,rusishten e frengjishten,do të mësonte greqishten e vjetër dhe latinishten.Lexoi në origjinal shkrimtarët klasikë e ekspresionistëA.Sinkler,S.Levis,Xh.London,Traverin,Dostojevskin,Turgenievin,M.Gorkin,V.Majakovskin,kishte për zemër Shopenhauerin,studioi Niçen.
http://t2.gstatic.com/images?q=tbn:ANd9GcRzg8IJcnSaXxILJolO1-PITQtm9bTV9rRTtInbzG2hK77l6wyt

Pasi mbaroi shkollën teologjike nuk pranoi të mbaronte fakultet teologjik.(Kisha serbe donte ta dërgonte në fakultetin teologjik në Oksford pasi kishte ndërhyrë daja i tij,i cili kujdesej vazhdimisht për të.)Ai e refuzoi Oksfordin sepse në manastir në vend të një kleriku fanatik,të përkushtimit dhe të predikimit të fesë,seminari ndikoi në të kundërten,
do ta përbuzte veladonin e zi të predikuesit,të përçuesit të fesë.Me kulturën që mori brenda dhe jashtë seminarit  u bë antiklerik dhe afetar.Më vonë do të shkruante “Mos u lut për mua,se dua pash më pash t´i bij ferrit”.Pasioni dhe ëndrra e tij ishte të bëhej shkrimtar. Në funksion të kësaj dëshira dhe ëndrra e tij ishte të vazhdonte studimet e larta për letërsi në Itali.
Në vitin 1933,pas dhjetë muajsh që mbaron seminarin,pasi nuk i doli bursa,fillon punë si mësues në fshatin Vrakë të Shkodrës,por këtu shpejt u sëmur në mushkëri,pasi ishte shëndetpak dhe rrugën prej 7 km e bënte çdo ditë me biçikletë në të ngrohtë e në të ftohtë dhe në shi.
Në vitin 1935 në pamundësi për të shkuar në ndonjë sanatorium vajti për disa

1 muaj në qytetin bregdetar Volos në Greqi.
Në vitin 1936 duke shpresuar se shëndeti do t´i merrte për mbarë në klimë malore, me kërkesën e tij u dërgua kryemësues në shkollën verore në Pukë.Por klima e ashpër e Pukës ia acaroi edhe më tepër ftizinë sa në muajin dhjetor të vitit 1937 shkoi në Itali me shpresë se do të mjekohej dhe pas shërimit do të vazhdonte studimet shumë të ëndërruara për letërsi.Por fatkeqësisht ëndrra e tij u këput në mes,ai vdiq më 25 gusht 1938 në moshën 27 vjeçare në Torre Peliç pranë Torinos.
Vitet 1932 – 1937 janë vitet dhe koha kur Migjeni vazhdon veprimtarinë  e tij letrare,rreth 5 vjet.
Vajtja në Vrakë dhe në Pukë ndikuan shumë në krijimtarinë e tij.Atje u njoh me jetën e rëndë të njerëzve të thjeshtë të fshatit.Me jetën e mjerë e të këputur të malësorëve,
në kontrast me mjedisin natyror piktoresk e mahnitës (në Pukë) një bukuri që vret do të shkruante Migjeni.Ishin  këto tablo dhe pamje të fshatit e të qytetit të cilat nuk mund t´i pasqyronte sipas stilit klasik e romantik të cilin e ndeshim deri në kohën e Migjenit.
Në gjallje të tij vepra e Migjenit u bë varri i tij,sepse nuk u botua pjesa më e madhe,por shumë shpejt vendin e varrit do ta zinte djepi,pasi vepra e tij do të botohej dhe do të bëhej më e suksesshmja ”unë – djepi juej: ndoshta vorri juej” .
Migjeni erdhi  atëherë kur Shqipëria kishte dalë prej humbëtirës pesë shekullore osmane,kur kufijtë e saj ishin prerë e copëtuar nga një kirurgji e egër xherahu primitiv,kur pllakoste injoranca,prapambetja,varfëria,vuajtja,mjerimi,padituria.

http://t3.gstatic.com/images?q=tbn:ANd9GcR_7Eh8U86GDQKhVE1ipm43SCSoRZOM-Ej4jYA6CuR6rGVnzG7u


Ai ishte një prurje e re  duke i dhënë letërsisë së atyre viteve një frymë të re.Çfarë bëri që vepra e tij të bëhej shumë e njohur,më shumë se çdo vepër tjetër e autorëve të tjerë të kohës.Kjo për vetë faktin se ishte një prurje origjinale që s´i ngjante askujt përveç Migjenit,falë talentit tij,një talent i lindur si askush tjetër në stilin e tij.Me veprën e tij në mënyrë realiste pasqyron mjerimin ekonomik,varfërinë,skamjen,mjerimin shoqëror e moral,mjerimi ishte “kafshatë që s´kapërdihet”.
Ai jetoi dhe krijoi në Shkodër,Shkodra si gjithnjë ishte djepi i kulturës shqiptare, aty në kohën e Migjenit shkruanin edhe përsonalitetet më të shquara të kohës si Gj.Fishta,N.Mjeda,E.Koliqi vepra e të cilëve, ndryshe nga Migjeni,kishte karakter herë kushtrues,herë deklamativ e herë himnizues për çështje të mëdhë kombëtare.Ndërsa zëri i Migjenit ishte zë ndryshe,një zë krejt i veçantë,një zë që akuzonte,një zë që dilte nga fundi i shpirtit të trazuar,i cili herë shpërthente me vrull,herë ndrydhej e herë fashitej si vullkani,por që nuk u shua asnjëherë.Me stilin e tij vetëm migjenian,përcolli te bashkëkohësit e tij në mënyrë të natyrshme,me origjinalitet të jashtëzakonshëm dhe me realizëm të thellë kronika të gjalla nga jeta e kohës së tij,tablo të gjalla migjeniane.

Shkrimet ..
Shkëputja nga tematika e letërsisë së kohës si temat atdhetare,të çështjeve kombëtare,a temat e së kaluarës nuk e zbehen aspak veprën e tij,ndonëse këto tema i trajtoi tërthorazi në temat aktuale.
Krijimtaria e tij merr shkas nga ngjarjet e ditës dhe na sjell pamje rrënqethëse me vuajtjen,skamjen,mjerimin.Diku është një bukuri që të vret;diku malësori me shtat të lartë si shkëmb graniti,me pamje epike dhe krenare detyrohet të bjerrë cilësitë e veta dhe të bëhet servile para nëpunësit të komunës për pak misër për fëmijët;diku tollumbat e Lulit rrezik hanë mësuesin;diku malësorja detyrohet të shesë nderin e saj për bukën e fëmijëve;diku një voglush  “qetësohet “nën rrotat e autove;diku është një melodi e mekun,e lodhur,ndryshe nga ato të kabareve,vajzat e reja kënaqin epshet e vizitorëve;diku fshatarët në arat e tyre mbollën grurë,por në vend të grurit mbinë 2tyta topash të hekurt.
Këto e shqetësojnë Migjenin më shumë se gjithçka dhe e rebelojnë duke shtrënguar grushtin për të shëmbur malin që s´bëzan,për të ndryshuar realitetin e kohës,për të sjellë një të ardhme më të mirë edhe për këta njerëz,larg shtypjes e shfrytëzimit,për një shoqëri të emancipuar e të qytetëruar.

http://t2.gstatic.com/images?q=tbn:ANd9GcSEVsT6Y4gJzrlgBwWYlp8hUs1GTaQJXkjd-CkqF0Bn00DS6sUH

Në veprën e tij ai herë përshkruan realitetin,herë thekson idenë a mesazhin,herë shpreh dhëmbjen e shpirtit,herë mediton,herë shpreh melankolinë a dëshpërimin,herë shpresën dhe optimizmin.Në tërësi në vepren e tij qoftë në poezi,qoftë në prozë ai përshkruan herë me nota elegjiake e herë me nota epike ferrin e realitetit shqiptar në vitet ´30, një ferr dantesk.”As gria e jetës së përditshme,-shkruan Kadarea,as konkretësia e ngjarjeve,e së fundi as pasioni i tij nuk zhveshin veprën e tij nga ai thesar i paçmuar që është universalizmi.” Ai ishte një meteor që u fik pa u lindur mirë,por vepra e tij nuk u shua kurrë.Në poezi shkruajti “Vargjet e lira”,ndërsa në prozë “Novela të qytetit të veriut”.
Libri “Vargjet e lira”përherë të parë u botua në vitin 1936,i cili nuk u lejua të qarkullonte,sepse u censurua nga qarqet qeveritare të kohës.Botimi i dytë i plotë u bë në vitin 1944.
Krahas poezive përgëtiti edhe librin në prozë me skica dhe tregime “Novela të qytetit të veriut” i cili u botua pas vdekjes.
Vargjet e lira” fillojnë me “Parathënie e parathënieve” si hyrje e cila u censurua në botimin e vitit 1936 dhe nuk u botua as në vitin 1944 dhe vazhdojnë me ciklet:Kangët e ringjalljes,Kangët e mjerimit,Kangët e përndimit,Kangë në vete,Kangët e rinisë,Kangët e fundit.
Në qendër të poezive është e tashmja (koha e Migjenit) e trazuar,e dhimbshme dhe e trishtuar,por edhe shpresa e së ardhmes.
Vend të rëndësishëm zë motivi shoqëror.Te cikli “Kangët e ringjalljes”autori thekson se të birtë e shekullit të ri janë forca e madhe dhe e domosdoshme në luftë kundër së vjetrës që do të mbajë shoqërinë në errësirë(Të birtë e shekullit të ri).Do të lindet një njeri i zakonshëm i cili e vret ligështinë që ka trazuar ndërgjegjën e njerëzve për t´u zgjuar kundër shtypjes e padrejtësisë (Te lindet njeriu).Për t´u zgjuar kundër kësaj shtypje e padrejtësie poeti e ndien se përmes shkëndijave po lindin forca të reja kundër së vjetrës (Zgjimi).
Ëndrrat,shpresa,besimi për një botë të re e të bukur duke përmbysur botën e mjerimit i shpreh te “Kanga e rinisë”.Migjeni te poezia “Te lindet njeriu”ndryshe nga poezia “Trajtat e mbinjeriut”në të cilën ndikohet nga Niçja duke shpresuar te mbinjeriu,këtu bashkë me lirinë dhe ngadhnjimin e së ardhmes e sheh edhe daljen dhe rolin e një njeriu,një prijësi të shquar.
Tema e mjerimit është sunduese,një mjerim i llahtarshëm “kafshatë që të mbetet në fyt”.Jeta e rëndë dhe e pamëshirshme i raskapit këta njerëz,i këput fizikisht,
shpirtërisht e moralisht deri sa i përplas në humbëtirat e saj.Autori përmes groteskut të thellë te“Poema e mjerimit” me metafora rrënqethëse,simbole mjeshtërore e aliteracione noliane,kumbuese,me indinjatë të thellë dhe me shpirt të trazuar pasqyron hendekun e thellë të shoqërisë së asaj kohe.Nga njëra anë luksi ku zotërinjtë “me zonjat flenë në shtratin e lumnisë”,në anën tjetër punëtori,shëgerti,vocërraku,lypësi “tue zhigatun
deri në gjunj në baltë/e prapë zorrët nga uja i bahen palë- palë.
Po kështu te poezitë “Lagjja e varfun”,”Baladë qytetëse”,”Recital i malësorit”,
Melodi e këputun” mali i pamëshirshëm i pinte gjakun shqiptarit.Diku lagjja e varfërpërkundet ende ndër “andrra”,ndaj poeti revoltohet me njerëzit e varfër  se ende nuk sheh ndër ta hove kryengritëse.Diku është një melodi e mekur,e lodhur,ndryshe nga ato të hareshmet e kabareve,vajzat e reja me lotë ndër sy kënaqin epshet e vizitorëve,të cilëvë, edhe atyre u vjen keq për to.
Në lirika të tjera si “Kanga e përndimit”,”Rima e tretun”,”Mbas tryezës”edhe në këto pasqyrohet hendeku i thëllë dhe pabarazia shoqërore.Te poezia “Rerignata” flet me dhëmbje e me zemërim për përpjekjet e njerëzve për të mposhtur mjerimin dhe vuajtjen por “rrugët janë të shtruara me ferra” rreth ferrave shihen “varre të shpëlamë me lotët e të marrët që zgërdhihen. ” këtu autori duket sikur i nënshtrohet fatit.
Ndërsa te poezia “Shpirt i ri”shpirti i ri që po lind do të hap lajmin se do të vijë dita edhe për të shtypurit, por prapë poetin e shqetëson fakti se ky shpirt është “shiponjë me krah të thyem” dhe se u fik edhe një yll dhe shpirti i ri ndien dhëmbje.Autorin e shqetëson çështja se si do të ndërrohet bota, sepse “shpirtënt tonë skiftera deshën të bahen pëllumba”  në një kohë kur “jeta e tij asht helm pa asmjë pikë mjaltë”.
Migjeni është akuzuar si kundërshtar i fesë,por ai e ndien vetën entuziast se në shekullin e ri njeriu po çlirohet nga kthetrat skllavëruese të fesë,e cila e kishte munduar njeriun e asj kohe.Poezi të tilla janë “Parathënie e parathënieve”,”Blasfemi”,”Kanga  skandaloze”,kujtojmë Shkodrën e kohës së Migjenit gjysma e qytetit të krishterë,gjysma tjetër myslimanë  në luftë ta papajtueshme ndërmjet tyre,pak ortodoks të cilit besim i përkiste vetë.
Një vend të vogël zë poezia erotike “Ndeshja“,“Malli rinues“,“Dy buzë“,
“Z.B.“.Në këto poezi ndihen nota dëshpërimi,kjo duhet kërkuar në faktin se dashurinë nuk pati fat ta gëzonte asnjëherë,ndonëse dashuria për Migjenin është e kapshme,e prekshme,reale,me sa dimë ai dashuronte shoqen e motrës së tij së cilës i kushton edhe poezinë “Z.B“ zonjushës B,por vuante dhe nga një dashuri incesti.
Migjenin e shqetëson vazhdimisht ngadhnjimi i shtresave të varfëra,triumfi i tyre ndaj padrejtësive që i bëheshin,ai shpreson për një pranverë që do të vijë dhe një jetë e bukur dhe e re shpejt do na“buzëqesh“ (Ekstazë pranverore).Ai e himnizon pranverën me një lirizëm të thellë,të ndjeshëm dhe prekës,e cila s´do vonojë“Sonet  pranveror“:
Me kangë në buzë e me hove të reja
u zgjue agimi pranveruer,
largësinat e hjedhta ka zatetë hareja
n´argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.
Vargjet e lira“ mbyllen me poezinë  “Nën flamujt e melankolisë“ (1936) ai e nis me një shqetësim trishtues:“kudo valojnë flamujt e një melankolie të trishtueshme…“
Migjenin e shqetëson një brengë e madh,se shoqëria shqiptare nuk po ndërton diçka të re…Ai shqetësohet se vegjëlia nuk po e gjen frymën e duhur,rrugën e shpëtimit.Por ka edhe një shqetësim e një brengë tjetër shumë të madhe,sepse janë edhe sprovat e fundit në krijimtarinë e tij,dhe se sëmundja po i përparonte,e shihte vdekjen me sy,gjë çfarë shihet pothuajse në të gjitha poezitë te cikli “Kangët e fundit“ dhe në mënyrë të veçantë në poezitë “Vuejtja“,“Një natë pa gjumë“,“Vetmija“. 
Aq sa është i madh në poezi po qa i madh është edhe në prozë.Skicat e Migjenit janë copëza të gjalla nga jeta e fshatit dhe e qytetit.
Skicat kulmojnë te “Legjenda e misrit”.Me të Migjeni e thyen himnizimin romantik të realitetit shqiptar duke sjellë siç thotë Kadarea një nga tablot më tëpikëllueshme të kohës.Këtu janë ndërthurur e treguar një varg problemesh nga jeta,psikologjia dhe mentaliteti i malësorëve.Në prehërin e legjendave,ushqimit shpirtëror të këtyre njerëzve,humbasin legjendat,treten dhe legjendë bëhet misri,sepse jeta ka shkuar deri në atë cak të ekzistencës “ku ka shumë u e aspak misër“.Për bukën  e gojës ata bjerrin cilësitë e tyre burrërore,humbasin krenarinë,gjunjëzohen e bëhen servilë për një kokërr misër para nëpunësit “engjëjve që ndajnë misër“ shprehet me ironi Migjeni.
Edhe atëherë kur mungonte ushqimi,kur varfëria dhe skamja mbretëronin kudo,jeta ripërtërihej për të vazhduar trashëgiminë,por drama është shumë e rëndë.Nusja te “Qershiat “ vuan shpirtërisht,sepse “Fryti i saj i filluem dhe i lindun në mjerim dhe ka me u rritë në mjerim“.Dhe urimi për lindjen e djalit është  tragjik: “I shkoftë lypa mbarë!“
Te “Bukuria që vret“ Për t´i lëshuar vendin Larës (lopës) pranë zjarrit,burimit të vetëm të jetesës,prindërit harrojnë vocërrakun,duke u bërë pa dashje shkaktar për vdekjen e famijës tyre.Migjeni e quan vocërrakun e ngrirë “shtatore e ngurtë“dhe e përdor si aktakuzë për shkaktarët e vërtetë.Si “përmendore“  dhurojani ministrave a deputëtevë në mos “perëndisë klasike“  ironizon ai.
Te “Zeneli“autori pasqyron shqetësimin edhe të fëmijët për gjendjen në të cilën janë malësorët,të varfër dhe të prapanbetur,si dhe etjen e madhe për dije,për të mësuar.I tillë është Zeneli,i zgjuar nga natyra,i etur për dije,por me shpirt të trishtuar dhe zemër të vrerosur.
Hendeku i thëllë në mes të pasurve dhe të varfërve mjaft mirë pasqyrohet te skica “Luli i vocërr”.
Pasojat e mjerimit s´kanë kufi,malësorët e varfër bien pre dhe viktimë e realiteti të kohës.Për kafshatën e fëmijëve detyrohen të shesin edhe nderin “A do qymyr zotni?“


http://t3.gstatic.com/images?q=tbn:ANd9GcSyl9VnEhdVUZJdyfLyVDgXVyRAwhirearAaqMCN9Wpr4HiCt6P

Po kaq e rëndë dhe e mjerë është jeta edhe në qytet.Te “Mollë e ndalume“,
“Zoti të dhashtë“,“Në kishë”,”Një refren i qytetit tim” njerëzit e thjeshtë të shtyrë nga varfëria bëhen lypësa,vjedhës,rrugaçë,pijanecë,prostituta,imoralë.
Një vend më vete zënë “Novelat e qytetit të veriut “.Janë gjashtë novelëza si në një,Studenti në shtëpi,Te çelen arkapiat,Historia e njenës nga ato,Pak poezi,“…Bukëntonë të përditshme falna sot…,“Matanë gardhit asgja të re“.Këto janë në vazhdim të njëra – tjetrës dhe i lidh bashkë tematika,ambienti,mjedisi,fati i përsonazheve,të cilët i ka kapluar jo vetëm mundimi ekonomik,por edhe ai moral.Ato janë si një roman më vete me gjashtë kapituj.Përmes tyre autori pasqyron shpërbërjen e shoqërisë shqiptare të viteve´30 me kultet,me kodet kanunore,me kodet e nderit,me të gjitha.Në këto novelëza vajzat dhe gratë shqiptare tashmë nuk janë “zanat“,“shtojzovallet“,Nora e Tringa si në vargjet e Fishtës,të Mjedes,të Koliqit etj.por më dhëmbje e trishtim Migjeni tregon se ato janë Agëja,Lukja,Lilushja.Njëra shkon me dashnorin duke mashtruar burrin me të cilin e kishin detyruar të martohej (Agëja).Tjetra bëhet prostitutë dhe mendon se me paratë e fituara do të gjejë një burrë me të cilin do të bëjë një jetë familjare,por i shoqi ia prish paratë duke shëmbur ëndrrat e saj,ajo përfundon tragjikisht,çmendet (Lukja).Tjetra është në ankth të tmerrshëm e djeg një dashuri incesti (Lilushja).Kurse tjetra nuk ka para,fëmija po i vdes,detyrohet të shesë trupin për të shpëtuar fëmijën (gruaja e Kolës).Të gjitha këto femra e duan jetën edhe dashurinë,por jeta e tyre bëhet tragjike,mjerimi ekonimik u sjell edhe mjerimin shpirtëror,shfrytëzohen e poshtërohen.Bëhen pre dhe viktimë e asaj shoqërie që s´kishte as nder,as moral.
5
Një numër skicash janë satirike si “Sokrat i vuejtun – apo derr i kënaqun?“
Sokrati,filozofi i lashtë është simbol i së vërtetës,simbol i njeriut që lufton për të gjetur të vërtetën,por hipokrizia dhe fataliteti i kohës së Migjenit e kanë bërë me fytyrë derri.
Sokratit i vihet fytyra e derrit,ndërsa derrit i vihet fytyra e sokratit,kështu njeriu luan lojën e dyfishtë,të dy fytyrave,të maskës.
Thumbuese dhe therëse janë edhe skicat “Gogoli”,”Programi i një reviste” etj.
Te “Idhujt pa krena” përmes alegorisë tregon se tufani do të shembë të vjetrën e cila do të zëvendësohet me të renë.

Mesazhi i Migjenit :
Kur të tjerët këndonin e himnizonin krenarinë kombëtare si temë e ditës,natyrisht
temë me rëndësi  dhe me vlerë,Migjeni mori guximin të shkruaj ndryshe,të shkruaj për mjerimin,të cilin e sheh si mjerim të dyfishtë,mjerim material dhe shpirtëror në një mjedis të vërtetë dhe real.
Ai me realizëm të thellë na sjell kronika të gjalla dhe reale nga jeta e kohës së tij,të cilat nuk i pasqyron thjeshtë si konstatues,por edhe i gjykon,i vlerëson dhe mban qëndrim.
Për një periudhë 4 – 5 vjeçare shkruajti në poezi dhe në prozë duke kundërshtuar shkrimin tradicional dhe duke sjellë një mënyrë dhe stil të ri të të shkruarit.
Në qendër të krijimtarisë së tij është njeriu,njeriu real,një njeri në situata të rënda e të vështira,i cili vuan fizikisht,materialisht,moralisht e shpirtërisht.
Migjeni përmes përshkrimit konstaton dhe akuzon,pastaj duke mos u përmbajtur shpërthen fuqishëm.Ai nuk ankon,por gjëmon me shpërthime të papërmbajtura,dhe thërret për ndryshim me tone herë zemërimi e herë mallëngjimi duke përdorur herë ironinë e herë sarkazmin,duke rrëzuar zotërat,idhujt,apo duke shtrënguar grushtin për të rrëzuar malin,në mos njeriu i zakonshën,mbinjeriu.
Tregimet janë skica,tregime të shkurtëra e disa tregime të gjata.Prozat e shkurtëra janë proza me nota poetike.Ato nuk kanë shumë shtrirje,sepse Migjeni në plan të parë nxjerr personazhin duke i mëshuar me të idesë a mesazhit.Te këto përsonazhe më shumë i intereson portreti moral se ai fizik,vend të rëndësishëm zë edhe monologu i brendshëm i tyre.
Figurat stilistike të planëve të gjera janë antitezat,simbolet dhe alegoritë qoftë në poezi,qoftë në prozë.Krahas këtyre shumë të pasura janë:metaforat,simbolet,krahasimet,
sinekdokat;shkallëzimet,hipërbolat;inversionet,sinalefat,elipset etj.
Vetë titulli i poezive “Vargjet e lira” do të thotë se ai theu rregullat e poezisë klasike dhe të traditës,duke mos iu përmbajtur masës së vargut,as rimës.Poezitë janë disa strofike,disa monokolonë e disa të përziera,4,5.6 dhe 7 vargjeshe.Vargjet janë të rregullta,
të thyera e më shumë të lira,çfarë ka bërë që Migjeni të jetë mjeshtër i lirive poetike si askush tjetër.Ai më shumë ka punuar me rimën e brendshe të poezisë se me atë të jashme,çfarë e ka bërë poezinë e tij më të gjallë,më të ndjeshme,më të prekshme.Rimën e jashtme edhe aty ku e rimon e rimon me anë të asonancës ose të kosonancës.
Migjeni me vepren e tij zë një vend të artë në fondin e letërsisë shqiptare.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...